Tulipa Albanica - Tulipani Shqiptar - Botanike

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Tulipa Albanica - Tulipani Shqiptar

Tulipa Albanica - Tulipani Shqiptar

· 6 · 2038

  • Postime: 27301
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 24-07-2011, 20:38:13
 

- Për herë të parë një shqiptar zbulon një lloj tulipani endemik. Prof. Dok. Lulëzim Shuka rrëfen gjithçka për këtë zbulim. Tulipa Albanica. Për herë të parë një tulipan me atdhe shqiptar!

Ndërsa këmba i shkelte rrugëve të fshatit Surroj në Kukës, nuk e kishte menduar që nga kjo tokë do të gjente një “thesar” siç e quan ai. Zbulimi i rrallë është bërë nga biologu Lulëzim Shuka. Është hera e parë që një shqiptar zbulon një lloj bime, e cila rritet vetëm në vendin tonë. Për të nuk ka një atdhe të dytë. Kjo bimë endemike është bërë e famshme në të gjithë botën dhe është regjistruar në data-baze në radhë të simotrave të saj anembanë globit. Por, mbi të gjitha mban një emër që na përfaqëson, “Tulipa Albanica”. Ne kemi folur më profesorin, i cili prej 5 vjetësh është në kërkim dhe studim të vazhdueshëm të bimësisë e kushteve në të cilat rritet ajo. Është pikërisht ky person që mban patentën e zbulimit të kësaj bime. Ky tulipan më shpejt është bërë i famshëm në botë se sa në Shqipëri. “Eh kush do t’ia dijë për lulet në këtë vend…!?”, na thotë profesor Shuka, duke shtuar se tashmë, me një pasaportë të vetën, kjo bimë gjendet edhe në kopshtin botanik të Kopenhagenit në Danimarkë. Në këtë intervistë për ‘Shekullin” profesor Shuka na tregon se si e zbuloi këtë tulipan të rrallë. Na ka rrëfyer gjithashtu se në ç’gjendje është bimësia shqiptare dhe llojet e saj. Ajo që e ka bërë këtë profesor të gjendet më shumë ditë maleve duke vëzhguar me imtësi për bimët është pasion për gjithçka që rritet mbi tokë. Ai na ka treguar edhe për më tepër se 20 bimët e tjera të rralla në vendin tonë dhe ato më të bukurat që kemi. Ky është një rrëfim për ato gjërat e vogla që na japin kënaqësi të mëdha.

Z. Shuka, në ç’gjendje është bimësia në Shqipëri?

Në fakt ne duhet të kemi shumë, por këtu bëhen llogari se sa janë të regjistruara si bimë. Çdo bimë ka një emër pra ka skedën e saj. Disa literatura japin 3 250 specie. Por mbi 100 bimë të reja janë zbuluar për florën e Shqipërisë këto 3 vitet e fundit. Janë zbuluar nga hungarezë, çekë dhe kolegu nga Shkodra Marash Jaka, një pjesë të tyre e kam zbuluar unë.

Ngrihet një staf i veçantë, enkas për zbulim bimësh?

Jo. Kjo është çështje pasioni. Unë përshembull e kam nga pikëpamja e hobit.

Emri juaj tashmë është në listën e personave që kanë zbuluar një lloj bime, na tregoni pak për këtë?

Tulipa Albanica, është një ndër llojet e mëdha që i futet shkencës botërore të llojeve bimor. Është i veçantë për ne sepse është shumë i bukur. Është specifik në këtë drejtim gjendet në buzë të rrugës… po ashtu është i veçantë nga pikëpamja fito-gjeografike.

Si arritët deri tek ky tulipan i rrallë?

Unë zhvilloj deri në 70-80 ekspedita në vit, shpesh herë vetëm sepse nuk ka financime dhe kur nuk ka financime s’ke se si të paguash të tjerët. Pasi kisha gjetur dy lloj në këtë vend (Kukës), njëra ishte endemike e Kosovës, i them një studenti që e kisha nxënës part-time dhe që ishte mësues në një fshat atje. Kur kalonte rrugës e bënte në këmbë një copë rrugë gati një orë e ca. I thashë: “Shih çfarë del dhe më njofto”. Atje është një vend specifik sepse rriten disa lloj bimësh endemike, e kam ndjekur atë zonë. Ky tulipan është specifik sepse bën pjesë te fondi i endemizma. Pas kësaj me ndihmoi një banor tjetër i asaj zonë, Besnik Hllaçi quhet. Ai kishte një fotografi që ishte e dyshimtë dhe kështu fillova të ndjek biologjinë e kësaj bime. Arrita në konkluzionin që ishte e re për shkencën. Që të publikosh këtë në revista të ndryshme etapa e dytë është që të njihet bima sepse ka abuzime me shkencën, ka hibride që rriten në laborator. Në 2009 i kërkova ndihmë një specialisteje në Universitetin e Kopenhaganit, e cila është ndër më të mirat në Europë. Është njohëse shumë e mirë e florës së Greqisë dhe merret me të. Fiksuam një takim në Beograd për këtë rast, sepse në nëntor të 2009, mbahej kongresi i 5-të i botanistëve. Unë kisha çuar një punim timin, kisha disa lloje bimësh që mendoja se ishin të reja, tulipanin dhe disa lloje të tjera. Për tulipanin ishte pak sa e dyshimitë. U bë pesha e ADN-ës kromozomike nga biologia. Në tetor të vitit të kaluar doli artikulli dhe për fat të mirë, tulipani shqiptar zuri kopertinën.

Ky rritet tjetër ky lloj tulipani?

Vetëm në Shqipëri. Në asnjë vend tjetër. Ky është një evolucion i largët. Mendohet që origjina e këtyre tulipanëve është mes Siberisë-Kazakistan-Taxhikistan-Mongolisë.

Si ka ardhur deri në Kukës?


Këtu futet evolucioni, lëvizjet akullnajore ndoshta, këto janë hamendësime. Ky tulipan është në dy forma, i kuq dhe i verdhë. Dominant është i verdhi.

Mund të mbillet në kushtet e shtëpisë?

Mbyllet, por po t’i përshtatet klimës. Në shtëpinë time që e mbolla, jetojë vetëm një vit. Kurse në kopshtin botanik të Kopënhagenit në Danimarkë vazhdon të jetojë.

Ky është i vetmi lloje që keni zbuluar?

Janë disa lloje që i përkasin një niveli më të ulët, endemike të Greqisë, të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi.

Jeni i kënaqur për këtë zbulim të rrallë?

Fillimisht i kënaqur por tani na doli qejfi. Jam gati në përfundim të një studimi edhe më të rëndësishëm në rang gjinie, por atë do e publikoj së afërmi.

Është e pasur Shqipëria me bimë të tilla?

Shqipëria është e pasur dhe duhet të jetë ndër më të pasurat e rajonit e krahasuar me sipërfaqen e shtetit. Megjithatë sipas statistikave del se më i pasur është Mali i Zi që ka rreth 2920 lloje, por ka sipërfaqe me të vogël se ne. Ndërsa për sa i përket bimëve endemike ne kemi shumë pak. Duhet të kemi shumë, por nuk ka pasur studime. Këtu hyn edhe izolimi 50-vjeçar, si dhe fakti që studimet kanë dhe kosto reale që kanë të bëjnë me lëvizjet, ushqimin, pajisjet dhe akomodimin e ekipit.

Si arrihet zbulimi?

Duke bërë lëvizje dhe shikon. Zbulimi i këtij tulipani ishte rastësi. Çdo gjë është rastësi.

Ka një emër ky tulipan ?

Ne i kemi vendosur emrin “Tulipa Albanica”.

Ju vetë e keni marrë patentën për zbulimin e këtij?

Ja kjo është patenta, ka bërë bujë në të gjithë Botën. Një bimë e re duhet të kalojë disa filtra që të regjistrohet në data-bazen ndërkombëtar të regjistrimit të bimëve. Ky hyri që javën e parë. Kishte shumë gjera që e veçonin dhe nuk linin vend për dyshim nëse ishte apo jo një gjë false.

Cilat janë bimët që rriten vetëm në Shqipëri?

Kemi 21 lloje dhe dy nënlloje.

Cila zonë është më e pasur?

Deri tani janë konsideruar Alpet e Shqipërisë. Kurse për mendimin tim, i gjithë rrethi i Kukësit është i pa arritshëm. Ndërkohë edhe Jugu nuk është keq. Mund të përmendim këtu, gjithë bregdetin, Llogoranë etj. Korca gjithashtu ka diversitet të lartë bimor, por nuk ka studime.

Cilën zonë jeni duke eksploruar tani ?

Gjithë Shqipërinë. Këto ditë do shkoj edhe në Kosovë.

Çfarë ju bën të harxhoni kaq shumë energji me këtë punë?

Unë e kam hobi dhe nuk mund të rri. Punojnë disa ekipe, hungarezët, çekët, maqedonasit dhe kur ke diçka të re mendon kush ta nxjerre i pari, se mund edhe t’ia djegim njeri-tjetrit. Është çështje konkurrence.

Themi shpesh që ne po e shkatërrojmë florën, është e vërtetë kjo gjë?

Po në fakt ka dëmtime, sidomos gjatë ndërtimit të hidrocentraleve kush e di sa bimë që mund të ketë patur e tashmë nuk mund te ekzistojnë më. Por Shqipëria ka një natyrë të pasur po natyra rikrijon, rigjeneron veten.

Sipas jush cila është lulja më e bukur që rritet në Shqipëri?

Them se është ky tulipan. Për mua është shumë i bukur dhe forma e lules. Deri tani unë konsideroja “Lilum albanicum”. Ai është i verdh komplet, ngjyrë ari.

Ju vetë keni lule në shtëpi?

Ballkoni im është plot, kujdesem vetë. Madje më ndodh të grindem shpesh me gruan sepse shtëpia ime është e tejmbushur.

A rriten bimë kuruese në Shqipëri?

Po, janë shumë. Kampionin e mban sherebeli. Vajrat esenciale të sherebelit janë të pazëvendësueshëm.

Nga Entela Resuli Marrë nga Gazeta Shekulli
« Editimi i fundit: 25-11-2020, 22:42:35 nga InfoZ »

  • Postime: 27301
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 07-08-2011, 18:23:46
 

“Tulipa Albanica”, tulipani i zbuluar së fundi në Shqipëri

Një tulipan i zbuluar kohët e fundit në Shqipëri, mund të jetë më i përhapuri në të gjithë Ballkanin.
Në rubrikën “Të reja nga natyra” në të përditshmen britanike “The Guardian” sot i dedikohet hapësirë e veccantë zbulimit të këtij lloj tulipani në vendin tonë.
Quentin Wheeler nga Universiteti Shtetërot i Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se “prej sot njihen më shumë se 100 lloje tulipanësh të shpërndarë nga Kina, në Azinë jug-perëndimore, Afrikën e Veriut, por tashmë “Tulipa Albanica” do të njihet si tulipani më i ri, me origjinë shqiptare.
“Tulipa Albanica” është zbuluar në afërsi të fshatit Surroj ne Kukës, i cili është dy formësh, i kuq dhe i dominuar nga ngjyra e verdhë. Ky tulipan mendohet të ketë shpërndarje të gjerë në  të gjithë Ballkanin. /Panorama
« Editimi i fundit: 25-11-2020, 22:43:02 nga InfoZ »

  • Postime: 27301
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#2 ne: 19-03-2012, 10:53:27
 

Ndërsa bora ka mbuluar gjithçka në Kukës, në ditët e fundit të dimrit, një burrë planifikon dhe hulumton në çdo moment kapriçot e kohës dhe se kur do të ngrohet moti. Është i ndrojtur dhe, si të gjithë ata që merren me studime, flet pak. Do çelet befas kur bie fjala për qëllimin tonë: zbulimin e tulipanit shqiptar. Besnik Hallaçi, ky studiues i pasionuar, ka qejf të flasë dhe të mos heshtë për këtë zbulim të madh për florën e vendit, por edhe në nderim të studiuesve shqiptarë dhe në respekt në florës së vendit. Edhe pse historia e zbulimit të tulipanit shqiptar, ashtu si ndodh rëndom, është eklipsuar nga lajmet e përditshme ogurzeza të kronikës së zezë dhe, kuptohet, nga thashethemnaja politike. Gjithsesi mostra shqiptare që iku në Danimarkë, provoi se tulipani ishte unik dhe kishte vetëm pak “familjarë” në Ukrainë dhe Kaukaz. Bima e certifikuar është sot një nga 113 tulipanët që njeh Bota. Megjithatë, na duhet jo pak, të mbledhim veten nga e gjitha ajo që rrëfen ai. Kukësi, është i veçantë në këto ditë të fundit dimri dhe më tepër në të gjithë atë bukuri natyrore, që ia ka dhënë prore mjedisi. Jo më kot, kuksianët, i atribuojnë me zemër qytetit të tyre, mrekulli natyrore të rralla. Kuptohet se kjo nuk shkon asnjëherë dhe nuk përputhet kurrsesi me ata, të cilët e kanë administruar qytetin. Në të gjitha konjukturat politike, ky qytet ka njohur varfëri dhe shmangie, dhe duket se vetëm në vitet e fundit, qyteti ka një frymëmarrje, që gjithsesi, nga ana ekonomike nuk duket se justifikohet ende. Rruga e Kombit e ka vitalizuar fuqishëm dhe qyteti që priti qindra-mijëra kosovarët është një nyje e leverdishme për Shqipërinë dhe po ndryshon. Anipse, natyra, veç mrekullive, i ka falur dhe vetminë, sepse dimri është bash i egër, ndërsa pak makinat që qarkullojnë deri aty, nuk mund ta prishin qetësinë e motit të rëndë, plot re dhe grihnajën që qëndron gjatë mbi qytet. Bardhësia e bën më të paqmë, ndërsa për studiuesin tonë, më të bukur. Të gjitha këto i ndajmë me Besnikun dhe kolegët e tij, që janë gjithë sy e vesh se kur dimri do të flakë mbulesën e tij. Treva ka një pozicion të mrekullueshëm gjeografik, ku larmia e relievit, me ndryshimin e madh në lartësi, nga 300m – 2486 mbi nivelin e detit (mali i Gjallicës) dhe rrjeti i pasur ujor, nën kushte klimatike të favorshme dhe me ndërfutje të rrymave mesdhetare nëpërmjet luginës së Drinit e favorizojnë zonën e Kukësit për një zhvillim të shumëllojshëm të habitateve, ekosistemeve, dhe vegjetacionit në veçanti. Ne jemi të interesuar për historinë e tulipanit, dhe përpjekjen e tij. Tulipanin, fillon...
Këtu, studiuesi Hallaçi, e bën dhe shkencor rrëfimin e tij: ‘Vegjetacioni te ne paraqitet me një diversitet të lartë speciesh ku përfshihen bimë të rralla, endemike dhe subendemike të një rëndësie të veçantë. Në rrethin e Kukësit gjenden substrate serpentinore, gëlqerore, përzierje gëlqerorësh e silicorësh, të cilët ndikojnë në zhvillimin e bimëve  karakteristike. Shquhen zona të rëndësishme, si ajo e Shishtavecit, e Malit të Gjallicës, Korintikut, Zebës, Rrunës dhe serpentinat e Kolsh Surrojit. Në të gjitha këto zona gjenden bimë të rralla, relikte endemike e subendemike’.
 
Burrit
Në këtë mot të ftohtë, të ulur dhe duke rrëfyer për ato që qyteti mbart në këto ditë fundi dimri, ke se çfarë të kujtosh. Shmangim për pak problemet sociale dhe vështirësinë e dimrit, për t’iu falur asaj gjëje të bukur që ka natyra. Dhe, vërtetë, ky burrë me trup mesatar dhe me një vështrim të kthjellet dhe shumë të drejtë, ka çfarë të thotë për fushën e tij. Biseda shkon nga e përditshmja, nga mbijetesa, padashur politika dhe shumë gjëra të tjera, por mbetemi vetëm aty. Tek Tulipani dhe flora. Ai është ngazëllimi, puna dhe e ardhmja e tyre. “Gjatë pesë viteve të fundit janë zbuluar 7 bimë të reja për Kukësin, 3 prej tyre janë të reja, për florën shqiptare, Dianthus superbus (karafil), Silene lerchenfeldiana (klokëz), Aristolochia merxmuelleri (petrik), 1 endemike shqiptare (gjendet vetëm në Mirushë, Kosovë dhe Surroj Kukës) dhe më interesantja që është një endemike Tulipa albanica (tulipani shqiptar)”. Besniku flet me një admirim rilindësi për vendin e vet dhe, teksa na shqyrton dhe na shpjegon bimët barishtore, na rrëfen për një vend, si të jetë përrallor, mes Kolshit e Surroit  “në të cilën si në asnjë vend tjetër gjendet një përqendrim i bimëve endemike e subendemike, ku dy prej të cilave janë të reja për florën e Shqipërisë. Pra ky areal i ngjan një kopshti botanik natyror. Dhe “margaritari” i këtij kopshti është tulipani shqiptar”. E, sfida e tij s’mbaron këtu: botanistët kanë ende punë për të këqyrur. Dhe, kuptohet, zbulimi më i madh është bash ai i mbiquajturi Tulipani Shqiptar, me një areal të tulipanit që në këtë rreth ai e shtrin deri në zonën e Arrnit dhe të Bicajve. “Ky është zbulimi më i rëndësishëm i këtyre viteve të fundit dhe unë ndjehem krenar që Shqipëria tashmë ka një specie të re endemike, në sajë të insistimit dhe punës së palodhur të prof. Shukës”. Petrit Palushi, shkrimtari i njohur vendas, një prozator shumë psikologjik dhe një si lloj ure e letërsisë së sotme shqiptare me atë të Kosovës, është i kënaqur dhe mundohet të përpijë botanistin, që flet me një qetësi matematikani. Bashkim Shala, gazetari dhe kolegu ynë i vjetër, e ndjek i qetë dhe më thotë se ka vuajtur shumë t’ua shpjegojë lajmin organeve mediatike të Tiranës. Besniku, pasi sqaron, heshton. Të tre bashkë duket se të thonë, këtu është mrekullia: Shikojeni vetë. Është pak e ekzagjeruar, e pyes Besnikun?! “Unë nuk di një zonë tjetër analoge në Shqipëri me këtë larmi dhe pasuri kaq të veçantë bimore. Numri i bimëve endemike në shkallë vendi është 30, ndërsa vetëm në këtë zonë dhe afër saj janë 10, pa hyrë në gjithë “inventarin” e zonës, i cili është shumë i pasur”, ma kthen.
 
Ky park i madh natyror
Ashtu si ne, në këto ditë dimri, që mundohemi të ngjitemi deri në skaje të Kukësit, ku fillon ky areal, në mënyrë më të përgjithshme dhe ajo nuk besoi. Por, në qershor të vitit të kaluar, kur e vizitoi këtë vend, Profesoresha Kit Tan, eksperte e një rangu të lartë, realisht u befasua nga ajo çfarë pa aty. Zona përbën një pasuri e paçmueshme  natyrore, e cila jo vetëm që duhet njohur e promovuar, por duhet të shpallet e mbrojtur. “Ajo përbën një nga trashëgimitë natyrore me vlera të rralla në vendin tonë. Këtu mund të vrojtohen bimë që në pranverën e hershme, me krocuset e deri në vjeshtën me Asterin shqiptarë”, më sqarojnë biologët. Në fakt, mbrojtja dhe ruajtja e saj do të sillte shumë turistë dhe studiues të fushës, që biologu i fut në idenë e një turizmi, i cili mund të sjellë të ardhura edhe për njësinë e qeverisjes vendore. Kjo e fundit, është e vetmja gjë që nuk ndaj me ata. Qeverisja lokale, jo vetëm aty, por në kryeqytet dhe në të gjithë vendin, ka pa fund të meta dhe është krejt indiferente. Qoftë dhe për këtë rast dhe këtë aset të madh lokal, që ka tharm kombëtar. Ndalojmë pak, sepse ndërkaq, jashtë, bora ka rifilluar dhe trafiku është rënduar. Ky çast i fundit shërben që të ndajmë një opinion edhe për ndryshime klimatike me Besnikun, që tregon se është bash i kulturuar. “Ndryshimet klimatike gjithnjë e më shumë po ndikojnë në biodiversitetin natyror të globit, kësisoj edhe vendi ynë nuk mund të përjashtohet nga ky ndikim. Për të thënë se çfarë ndikimesh ka sjellë klima për bimësinë e Kukësit është e vështirë, mbasi mungojnë monitorimet dhe studimet në këtë fushë”. Dhe, fjala, ashtu si gjuha, shkon te plaga: “Gjatë këtyre20 viteve të fundit, si pasojë e dëmtimeve masive në pyje (nga djegiet dhe prerjet pa kriter), dëmtimeve nga veprimtaritë e kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit minerar, ndërhyrjeve në shtratin e lumenjve dhe përrenjve, ka sjellë ndryshime thelbësore të habitateve dhe ekosistemeve. Kjo është lehtësisht e konstatueshme, jo vetëm nga specialistët, por edhe nga njerëzit e thjeshtë”. Nën këtë kërcënim duket se është edhe zona në fjalë, ku kemi tulipanin shqiptar, ndaj këtu stepen të gjithë kur kujtojnë se mbetet urgjente dhe e domosdoshme për të ndërhyrë në mënyrë ligjore e institucionale, sa nuk është vonë, për mbrojtjen dhe ruajtjen e kësaj pasurie të trashëgimisë natyrore.
...
Nuk kemi çfarë të themi më. Në këtë ditë të ftohtë, ku bora ka lënë pirgjet e saj kudo, shikojmë siluetat e tyre teksa zvogëlohen kontrastueshëm me borën, që ka bërë disa togje ndanë rrugës. Një polic zhurmaxhi dhe prepotent disiplinon sipas mënyrës së tij udhën. Besniku ikën pak më tutje me Petritin, dhe të dy na kthehen në imazhe, që mbeten në kujtesë. Koha fillon të errësojë, ndërsa gjithnjë e më shumë re të hirta e vrenjtin motin. Nga tutje, bimët që folëm po përpiqen të durojnë këtë mot të ashpër, për të nxjerrë shpejt krye. Sikur të mos jetë asgjë, një frymë e mirë ajri mbetet e kënaqur prej këtyre njerëzve të mirë. Është fundi i dimri të ashpër 2011-2012 në Kukësin e Ri.
 
*27 shkurt 2012
Revista Java
« Editimi i fundit: 25-11-2020, 22:43:17 nga InfoZ »

  • Postime: 12151
  • Karma: +185/-20
  • Gjinia: Femer

#3 ne: 19-03-2012, 16:49:00
Sa lule e bukur jane. I adhuroj. :engjell:

  • Postime: 7085
  • Karma: +35/-6
  • Gjinia: Femer

#4 ne: 24-04-2012, 14:16:50
Sa bukur tingellon   Tulipa Albanica  :)

  • Postime: 27301
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#5 ne: 17-01-2021, 19:25:18
 

Nga më shumë se 100 specie tulipanësh që njihen në të gjithë botën, vetëm 2 janë endemike të territorit shqiptar. Njëra prej tyre, ‘Tulipa Albanica’ rritet në një habitat të vogël prej gati 100 hektarësh në bashkinë e Kukësit.

“Është padyshim lulja më e bukur që rritet në trojet shqiptare,” thotë aktivisti mjedisor Abdullah Diku.

“Ka evoluar e tashmë ka gene krejt të veçanta, gene unike që e identifikojnë atë si specie shqiptare,” shtoi ai, duke nënvizuar se kjo lule që ka ngjyrën e flamurit, “është zhvilluar dhe ka mbijetuar për mijëra vite që ne ta shohim kështu si është sot.”

Më 22 maj, Këshilli Bashkiak i Kukësit u mblodh dhe votoi për të marrë në mbrojtje të përkohshme një sipërfaqe toke për 72.7 hektarësh në njësinë administrative Surroj, pjesë e habitatit të tulipanit shqiptar. [Kliko për vendimin]

Por banorët e fshatit Mamëz në njësinë administrative fqinje të Kolshit e konsiderojnë këtë vendim të mangët, pasi nuk përfshin dhe territorin e fshatit të tyre si zonë e habitatit të mbrojtur. Banorët dyshojnë se përjashtimi nga sipërfaqja e mbrojtur e fshatit ka ardhur për shkak të interesave të disa anëtarëve të këshillit bashkiak, të cilët janë gjithashtu aksionerë në kompani minerare.

Banorët e drejtojnë gishtin kundër Astrit Dobrushit, administrator i kompanisë minerare ‘Afrimi K’ sh.p.k kundër së cilës protestojnë prej vitesh, pasi e akuzojnë se ndot mjedisin e zonës duke depozituar në fshat stokun e mineralit të hekur-nikelit.

‘Afrim K’ sh.p.k nuk është e vetmja kompani minerare që operon në këtë zonë dhe që rrethon habitatin e tulipanit shqiptar – i cili listohet si një specie në rrezik zhdukjeje. Banorët e zonës e shohin me pikëpyetje angazhimin e zyrtarëve lokalë në mbrojtje të tulipanit shqiptar, ndërsa denoncojnë se vetëm dy muaj më parë, Këshilli Bashkiak dha pëlqimin për heqjen e disa ngastrave nga fondi kullosor në favor të shfrytëzimit të tyre nga një tjetër kompani minerare.

I pyetur nga BIRN, Astrit Dobrushi – administratori i ‘Afrimi K’ Sh.p.k dhe njëherazi anëtar i Këshillit Bashkiak Kukës mohoi akuza e banorëve për konflikt interesi dhe nënvizoi se kompania e tij “zbatonte të gjitha ligjet.”

‘Tulipa Albanica’ është një specie e zbuluar për herë të parë në vitin 2010 nga biologu Besnik Hallaçi, Prof.Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës dhe Prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit në Danimarkë.

Ky tulipan rritet në një oaz deri tani të pambrojtur në zonën e Mamëzit të Surrojit në Kukës.

“Lulja e basulegjit, apo tulipani që po i thoni ju, është në malin e Sukës prej qindra vjetësh,” thotë blegtori 82- vjeçar Hasan Demnushi, i cili që fëmijë ka kullotur dhitë dhe e njeh këtë mal në çdo pëllëmbë të tij.

“Ai rritet në vende si Rogat e Sanave, Rrethatorë, Hurdha e Sukes, Qafa e Kalit dhe në Qafë të Qarishtës,” shtoi Demnushi.

Për shkak se tulipani shqiptar rritet në një habitat të kufizuar, por edhe numri i vogël i individëve të gjetur, e bën atë të jetë e rrezikuar, duke u listuar sipas biologëve në llojet e mbrojtura nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës (IUCN).

“Pasi është zbuluar si specie, është bërë vlerësimi nga ana  ekspertëve për tulipanin,” shprehet biologu Besnik Hallaçi, njëherazi drejtor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Kukës.

“Numri  është shumë i kufizuar, ndaj duhet të merret  urgjentisht në mbrojtje,” shtoi ai.

Profesor Lulzim Shuka, ekspert i Unionit  Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN) e ka shpallur tulipanin shqiptar si specie ndërkombëtarisht të rrezikuar. Edhe ministria e Mjedisit e ka në listën e kuqe si të rrezikuar tulipanin, si në Mamëz ashtu edhe në zonën e Surroit.

“Një habitat kaq i ngushtë është i rrezikuar nga shumë faktorë, ku kryesorja është se kjo lule gjendet në një zonë me aktivitet minerar,” shpjegoi Hallaçi.

Biologu kuksian tha se nisur nga rreziku që i kanoset habitatit të tulipanit shqiptar, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në  Kukës dhe Instituti I Politikave Mjedisore në Tiranë,  bashkë me bashkinë e Kukësit  ranë në konsensus që të miratojë shpalljen në mbrojtje dhe administrim të përkohshëm të habitatit në një siperfaqe të përgjithshme 72.7 hektarë në Njësinë Administrative Surroj.

Por kryepleqësia e fshatit Mamëz hedh dyshime se ky vendim i Këshillit të Bashkisë së Kukësit, që  përjashton fshatin Mamëz nga mbrojtja e tulipanit, është bërë në mënyrë të qëllimshme dhe në konflikt interesi, për shkak të aktivitetit minerar të kompanisë ‘Afrimi K’ sh.p.k në këtë zonë.

“Kryepleqësia e fshatit Mamëz si dhe 82 kryefamiljarë të këtij fshati i janë drejtuar me [një] letër Ministrisë së Shëndetësisë për ndotjen e ujërave nëntokësore dhe mbitokësorë nga firmat minerare që kanë depozituar pa kriter stokun e mineralit,” tha Sali Leka, kryeplak i fshatit Mamëz.

Banorët e fshatit kanë protestuar disa herë kundër kompanisë ‘Afrimi K’ gjatë dekadës së fundit, duke e akuzuar atë se ndot ambientin, konflikt që ka evoluar edhe në përplasje fizike me policinë.  Megjithatë, administratori i kompanisë minerare, Astrit Dobrushi i mohon pretendimet e banorëve për konflikt interesi dhe i akuzon se ankohen për përftim personal.

“Nuk kam asnjë ndikim në vendimet e këshillit të Bashkisë, pasi këshilli përbëhet prej 31 vetash dhe unë jam njëri prej tyre,” tha Dobrushi.

Kryeplaku i fshtatit Mamëz i kundërshton gjithashtu pretendimet e Dobrushit që ankesat bëhen për përftim personal.

”Ankesat ndaj firmës nuk janë bërë nga ana ime,” tha Sali Leka. “Unë jam përfaqësues i fshatit dhe 84 kryefamiljarë kanë firmosur për ankesat që ata kanë, të cilat janë publike,” shtoi ai.

‘Afrim K’ nuk është kompania e vetme minerare që operon pranë habitat të tulipanit shqiptar. Me anë të një vendim me 25 shkurt, Këshilli Bashkiak i Kukësit ka dhënë pëlqimin për vazhdimin e procedurave të heqjes nga fondi pyjor e kullosor të 7 ngastrave në një sipërfaqe prej 35.6 hektarësh të ekonomisë pyjore “Mamëz-Kalimash”, që preken nga shfrytëzimi i hekur-nikelit në funksion të aktivitetit të subjektit “NIKA-BL” sh.p.k [kliko për vendimin]

“Aktualisht makineritë e rënda dhe fadromat nuk janë larg nga tulipani shqiptar,” ankohet Abdullah Diku.  “Nuk është çudi nëse vendosin ta shkatërrojnë, me apo pa dashje, siç është vepruar deri tani…me pasuri natyrore e kulturore,” shtoi ai.

Edhe prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana ka rezerva përsa i përket lejeve minerare të lëshuara nga Agjencia Kombëtare Burimeve Natyrore, AKBN, në këtë zonë.

“AKBN-ja ka bërë lëmsh me lejet e lëshuara si në Kukës, Has e Tropojë”, tha Kuçana për BIRN, ndërsa vlerësoi botanistin Besnik Hallaçi për punën e bërë në zbulimin dhe mbrojtjen e tulipanit.

Vetë Hallaçi mendon se vendimi i Këshillit Bashkiak Kukës i jep vetëm mbrojtje të përkohshme tulipanit shqiptar dhe për të siguruar një mbrojtje të përhershme kërkohet ndërhyrja e  Ministrisë së Mjedisit.

“Duam që kjo lule të mos preket,” tha ai.  “I takon Ministrisë së Mjedisit të marrë vendimin që të marrë në mbrojtje të përhershme zonën,” përfundoi Hallaçi.

Bashkim Shala
https://www.reporter.al/koncesionet-minerare-kercenojne-habitatin-e-fundit-te-tulipanit-shqiptar/

Temat e fundit