Kujdes maniakeve të rrobave, viktimat e modës: para se të dilni për pazare përsëritni në mendjen tuaj këtë formulë: "Meshkujt mendojnë se rrobat reflektojnë personalitetin tuaj. Femrat projektohen shpirtërisht nga rrobat që veshin." Ky mendim është formuluar nga gazetarja Sarah Sands në "Harper's Bazzar", revistën e mujore, e cila trajton dëshirat, gustot dhe spektaklin që ofron moda në pasarela. Temat e saj, janë gjithçka veçse banale- duke e pretenduar modën si një barometër të dilemave sociale si: çfarë veshjeje zgjedhim (në dyqane apo për garderobën tonë) kur bëhemi gati të dalim në rrugë dhe pse? Dëshirojmë të tërheqim mashkullin imagjinar apo të plotësojmë kërkesat e estetikës femërore? Me pak fjalë: na intereson më shumë të kënaqim meshkujt apo veten tonë?
çëshja është gati e pafytyrë! Në shumicën e rasteve femrat veshin atë që do të tërhiqte vëmendjen e meshkujve. Kjo përmbys shumë nga arritjet dhe konceptet e shfaqura gjatë luftës së feministeve dhe gratë kanë gjithçka për të humbur. E keni vënë re që trupi i femrës nëpër imazhet televizive mbulohet vetëm nga një këmishë e hollë nate, ndërsa meshkujt vishen me smoking e të kollarisur deri në grykë? Shembujt tipikë të spektakleve- ku femrat duhen zbërthyer dhe meshkujt mbërthyer- janë ato të Top Channel, si Fiks Fare dhe Portokalli; në të dyja rastet figura femërore (Amarda Toska dhe balerinat) shfaqet vetëm me një copë të shndritshme hedhur supeve, ndërsa meshkujt jo. Ata kanë pushtetin e veshjes së liderave ku femra është dekoracioni që presupozohet të ngjyrosë ekranin. Por tek e fundit, dikush e ka thënë, Shqipëria është i vemti vend në Evrpë që nuk e ka njohur feminizmin!
Gjithsesi, flirti imagjinar që krijohet përmes ekranit, nuk është i vetmi qëllim i prodhimit të një modeli të tillë mbi femrën- shoqëria të njeh me të parë nga veshja që përdor- psh: në mjediset e punës, ku raportet bazohet në marrëdhëniet e forcës dhe ku konkurrenca është e eger, të vishesh mirë dhe me stil do të thotë të arrish pozicionin e liderit në sytë e kolegëve. Eleganca e sforcuar mund të krijojë antipati, por nëse shoqërohet kjo nga një forcë karakteri- veshja mund të kthehet në një plus që i shtohet figurës së dikujt. Duket se femrat- sipas rastit zgjasin ose shkurtojnë gjatësinë e fundit të tyre, zmadhojnë ose zvogëlojë dekoltenë dhe vendosin aksesorë sipas rastit që u konvenon. Këtë e bëjnë ose pa vetëdijë ose e mohojnë si qëllim. Në të dyja rastet nuk mashtrojnë dot askënd, veç vetes.
Të mundësh konkurrencën
Dikujt që thotë: vishem kështu vetëm për veten time- pa paragjykime- mos i besoni asnjëherë. E vërteta është se të gjithë ne vishemi për të tjerët- në rastin më të mirë nuk do të visheshim fare. Këtë na e sigurojnë sociologët dhe seksuologët- që e përcaktojnë veshjen si shprehje ekstreme e dëshirës për të rënë në sy dhe për t'u pëlqyer. Këtu nuk ka asgjë të gabuar- ta themi tro ç- njerëzve u pëlqen të tërheqin vëmendjen, kjo është shtysa për çdo aktivitet dhe mendim njerëzor. Gjithashtu veshja është një faktor social që të bën të pranohesh ose të refuzohesh nga anëtarët e tjerë të klanit dhe kjo konkurencë është më e forte mes anëtarëve të të njëjtit seks- pra për femrat, konkurrentet më të forta janë femrat e tjera. Pasi kurorëzohesh si më e mira, shanset për të patur një parter rriten- sepse vajza, Froidi kishte të drejtë- motorri i kësaj shoqërie ende primitive është impulsi seksual. Në botën e shtazëve, kush ka puplat ose lëkurën më të bukur çiftëzohet i pari: dreri mashkull me brirët më të fortë dhe më të bukur është ai që fiton në rivalitetin për një femër; ose palloi me ngjyrat më të ndezura të puplave vërehet dhe pranohet shumë më kollaj nga femrat e llojit të vet. Ky është ligji i natyrës! Mes qënieve njerëzore kjo luftë shprehet në shumë mënyra- në veshje, qëndrim dhe stil jetese. Por rregullat nuk na lejojnë të shprehim agresivitet hapur, ndaj përplasja është më e lehtë në dukje: eliminimi elegant i konkurrencës femërore me anë të stilit është më mirë se sa të tërheqja e vëmendjes së meshkujve me zhurmë dhe shkëndija.
Stilistja Fiona Swarovski ka thënë: "Gruaja në thelb është vanitoze, kërkon t'u pëlqejë të gjithëve, ndaj zgjedh një veshje që s'ngjan me tjetrën, në rastet kur: del me një mikeshën e vet ose kur del me një mashkull. Në rastin e parë vihet në lëvizje një mekanizëm konkurence, ndërsa në rastin e dytë mekanizmi i joshjes; por të dy udhëhiqen nga vaniteti". çfarë do të thotë "seksi" për një femër? "Diçka që i shkon trupit të saj dhe nuk është vulgare. Më mirë një bluze e trashë, por e hapur nga kurrizi, sesa një dekolte që zbulon gjithë gjoksin". Veshja më "hot" në garderobën e saj? "Jeans-et, pa diksutim".
Ti qëndrosh besnike vetes
Në librin "A guide to Elegance" (Një guidë për të arritur elegancën) nga Antoine Dariaux- mjeshje e stilit dhe modës- thuhet "veshja seksi nuk është asnjëherë elegante dhe i shkon për shtat vetëm të dashurave të gangsterëve". Kjo do të thotë pikërisht se nëse Julia Roberts nuk do të kishte mësuar sesi duhej të vishej për një darkë elegante- në ndryshim nga veshja e zanatit të saj (në filmin Pretty Woman) Richard Gere do të ishte mjaftuar me një natë seks dhe nuk do t'i kishte vajtur asnjëherë në mendje ta merrte në pallatin e tij në Manhatan. E njëjta gjë vlen edhe për Hirushen, e cila pati fatin e mirë të kishte si stiliste një zanë.
Por për të qenë pak me seriozë: semiologjia na mëson se çdo zgjedhje e jona (shenjat, gjestet, ngjyrat dhe format e një veshjeje) shprehin gjendjen shpirtërore dhe psikologjinë e ditës të një personi- zgjedhjet e veshjes ndoshta tregojnë për ne se me ç'humor jemi çuar në mëngjes, jemi apo jo të dashuruar, kërkojmë një partner apo duam të mos biem në sy. Kjo do të thotë se pa e ditur se shprehim dëshirat dhe frikat tona, pra i qëndrojmë besnik vetes. Kjo është e rëndësishme!
17 Feb 2005 nga HandLine
albachat.ch