Postim i ri

×

Postim i ri

Emri:
Email:

Verifikimi:
Flamuri yne ka ngjyre?:

Permbledhje

Postuar nga: 12:51
« ne: 09-11-2020, 21:21:50 »

 

Njerëzit kanë debatuar prej kohësh, nëse qeniet njerëzore mund të digjen ose shpërthejnë në flakë në mënyrë spontane, pa një burim të jashtëm nxehtësie. Por gjatë 300 viteve të fundit, ka pasur më shumë se 200 raporte të incidenteve të tilla.

Kjo dukuri quhet djegia spontane e njeriut (SHC), dhe ndodh kur një person digjet deri në vdekje nga një zjarr që besohet se ka filluar nga brenda trupit të këtij personi. Nga qindra dëshmi të regjistruara, duket se ekziston një model i ngjashëm.

Një viktimë e vetmuar shpesh konsumohet nga flaka, zakonisht brenda shtëpisë së tij ose të saj. Gjithsesi, ekstremitetet e trupit, si duart, këmbët ose pjesë të këmbës, shpesh mbeten të paprekura. Pjesa e bustit dhe koka digjen përtej njohjes, dhe në raste të rralla, organet e brendshme të një viktime mbeten të padëmtuara.

Dhoma në të cilën ndodhej viktima, tregon zakonisht pak ose aspak shenja të ndonjë zjarri, përveç një mbetje të yndyrshme të lënë nëpër mobilie dhe mure. Shpesh ka një aromë tymi të ëmbël në dhomën ku ka ndodhur incidenti.

Historia e kësaj dukurie mund të gjurmohet që nga letërsia mesjetare. Madje disa besojnë se në Bibël ka disa fragmente që i referohen asaj. Në vitin 1641, mjeku danez Tomas Bartholin (1616-1680), e përshkroi vdekjen e Polonus Vorstius në librin e tij “Historiarum Anatomicarum Rariorum”, si një koleksion dukurish mjekësore të çuditshme mjekësore. Vorstius ishte një kalorës italian , i cili ndërsa ndodhej në shtëpinë e tij në Milano të Italisë në vitin 1470, piu një verë të fortë dhe më pas nisi të vjellë flakë nga goja, para se të shpërthente plotësisht në zjarr.

Kjo konsiderohet të jetë dëshmia e parë e regjistruar e djegies spontane në histori. Në vitin 1673, autori francez Xhonas Dypon, botoi një libër me titull “De Incendiis Corporis Humani Spontaneis”, që përmban një koleksion rastesh dhe studimesh mbi çështjen e djegies spontane të trupit të njeriut.

Një incident i famshëm nga Franca daton që në vitin 1725, kur një pronar i një bari në Paris, u zgjua nga aroma e tymit dhe zbuloi se gruaja e tij, Nikol Mile, ishte bërë hi teksa ishte shtrirë në një shtrojë prej kashte, e cila vetë nuk ishte prekur nga flakët.

Ajo çka kishte mbetur nga Zonja Mile, një alkoolike kronike, ishte kafka e saj, disa kocka nga shpina dhe pjesa e poshtme e këmbëve. Të gjitha objektet prej druri të gjetura rreth saj ishin të padëmtuara. Burri i saj u akuzua për vrasje, dhe u shpall fajtor.

Por në apel, gjykatësit ranë dakord me alibinë e tij të “djegies njerëzore spontane”, pjesërisht falë dëshmisë së kirurgut dr.Klod -Nikolas Lë Kat. Ky ishte në han kur aroma e tymit zgjoi të gjithë në banesë dhe kur u zbulua trupi i Nikol. Vdekja e saj u deklarua më vonë të ishte pasojë e “një vizite të Zotit”.

Djegia spontane e njerëzve, u popullarizua në shekullin XIX-të, kur shkrimtari i famshëm anglez Çarls Dikens e përdori, atë për të vrarë një nga personazhet e tij në romanin “Bleak House”. Kur kritikët e akuzuan Dikens se ishte përpjekur të vërtetonte diçka që nuk ekzistonte, ai thjesht vuri në dukje studime e kohës që tregonin të paktën 30 raste historike.

Kjo temë u trajtua gjerësisht në “Gazetën Mjekësore Britanike” në vitin 1938, kur një artikull nga L.A Parri citoi një libër të botuar në vitin 1823 me titull “Jurisprudenca Mjekësore”.

Ai deklaroi se rastet e djegies spontane të njeriut kishin disa tema të përbashkëta, përfshirë: viktimat ishin alkoolistë kronikë; ato zakonisht ishin gra të moshuara; trupi ishte djegur spontanisht, por edhe ndonjë substancë e ndezur që kishte rënë në kontakt me të; duart dhe këmbët zakonisht shpëtonin; zjarri shkaktonte shumë pak dëme tek objektet e tjera në kontakt me trupin; djegia e trupit linte një mbetje hiri të yndyrshme dhe të hollë, me aromë shumë të fortë.

Alkoolizmi duket se ka luajtur një rol të madh në referencat e hershme mbi dukurinë e djegies spontane, pjesërisht pasi disa mjekë dhe shkrimtarë të epokës viktoriane, besonin se djegia shkaktohej nga alkooli. Por ekzistojnë disa teori të tjera se çfarë e shkakton SHC.

Këtu përfshihet dhjami i ndezshëm që ka trupi i njeriut, grumbullimi në masë të madhe i acetonit, elektriciteti statik, metanina, bakteret, stresi, madje edhe ndërhyrja hyjnore.

Teoria që është e aprovuar nga shkenca quhet “efekti i fitilit’. Ajo krahason trupin e një viktime nga SHC me një qiri. Një qiri përbëhet nga një fitil, që nga brenda përmban një dyll të përbërë nga acide yndyrore të ndezshme. Zjarri ndez fitilin dhe dylli yndyror garanton djegien.

Në trupin e njeriut, dhjami i trupit vepron si një substancë e ndezshme, ndërsa veshja ose flokët e viktimës janë fitili. Djegia vazhdon për aq kohë sa ka “karburant” në dispozicion. Ithtarët e kësaj teorie thonë se kjo shpjegon se përse trupat e viktimave shkatërrohen, ndërsa ekstremitet e tyre jo.

Por profesori i biologjisë Brajan J.Ford ofron një shpjegim tjetër. Ai thotë se një grumbullim i madh acetoni në trup, ka të ngjarë të jetë rrënja e këtij fenomeni të çuditshëm: “Kur një person është i sëmurë, trupi i tij prodhon ndonjëherë natyrshëm aceton, një lëndë shumë e ndezshme.

Unë kam eksperimentuar duke përdorur mish derri që ishte marinuar në aceton; ai merr flakë si një bombë. Alkoolizmi mund të bëjë që trupi i njerëzve të prodhojë aceton, ashtu si edhe shumë sëmundje të tjera. Përfundimi im është që një individ i sëmurë prodhon nivele të larta të acetonit, që grumbullohet në indet yndyrore dhe mund të ndizet, mbase nga një shkëndijë statike ose një cigare”.

Por shumë ekspertë të tjerë hedhin dyshime mbi të gjitha hipotezat e deritanishme. Rasti më i fundit i djegies spontane ka ndodhur në Irlandë në vitin 2010. Trupi i djegur i një të moshuari u gjet i shtrirë me kokën pranë oxhakut të banesës së tij, në një dhomë që praktikisht nuk kishte dëmtime nga zjarri. Një hetues do të përcaktonte më vonë se djegia spontane ishte shkaku i vdekjes së 76-vjeçarit Majkëll Faherti.

Shumë njerëz besojnë se ka shumë gjëra që ende nuk dihen mbi trupin e njeriut, çka e bën atë unik midis qenieve të tjera. Një tipar i tillë është fenomeni i djegies spontane, që mbetet ende një mister i pazgjidhur. / ancient origins – bota.al
Postuar nga: Berni
« ne: 14-08-2010, 00:16:51 »

Historia njeh raste kur trupa njerëzorë janë djegur vetiu me një vrull të tillë, sa që janë kthyer në një grumbull hiri brenda pak minutave. Megjithëse kjo dukuri ka ndodhur herë pas here për shekuj me radhë, nuk ka një shpjegim të plotë se si dhe pse ndodh kjo. Në shek. 18 dhe 19, populli e shpjegonte këtë Djegie Spontane të Njeriut (DSN) si një formë shpagimi ose hakmarrjeje hyjnore.

Shumë kërkime të sotme përpiqen ta hedhin poshtë idenë e ekzistencës së kësaj dukurie, e cila, në fakt, nuk ndodh dhe aq rrallë sa duan të thonë disa. Rastet që dëshmohen nga doktorët dhe patologët vijnë duke u shtuar dhe do të kishte shumë më tepër raste të dëshmuara, në qoftë se nuk do të ekzistonte ngurimi se mos bëhen qesharakë nga kolegët profesionistë. Në asnjë rast DSN-të nuk janë të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe, megjithatë, ato kanë disa veçori të përbashkëta.

1. Shpejtësia e goditjes

Viktimat e DSN shpesh janë parë të gjallë pak para çastit që ata janë përfshirë nga një zjarr i pabesueshëm; një zjarr që digjet me një shpejtësi të tillë dhe që shoqërohet shpesh me tym të zi dhjami, që duket që shërben si lëndë djegëse dhe që nuk mund të shuhet me ujë.

2. Intensiteti

Trupi i njeriut nuk digjet lehtë, sidomos një trup i gjallë. Njerëz që vdesin në zjarr shpesh vuajnë vetëm djegie të pjesshme. Madje edhe në kushte djegieje shfarosëse skeleti mbetet pa u djegur. Kështu, p.sh, krematoriumet përdorin një temperaturë prej 2500 gradë Fahrenhait ose më shumë për tre deri katër orë dhe kockat përsëri mbeten pa u djegur. Për 12 orë djegie në temperaturën 3000 gradë Fahrenhait, kockat nuk zhduken plotësisht. Si shpjegohet atëhere që trupi transformohet në një grumbull hiri brenda pak minutave nga DSN?

3. Zgjedhshmëria

Në rastin e DSN, shpesh ekstremitetet e trupit, duart ose këmbët, mbeten të paprekura. Ka raste kur trupi është djegur, duke u transformuar në hi dhe rrobat nuk kanë pësuar asgjë. Janë gjetur trupa të karbonizuar mbi karrike ose shtretër të pa dëmtuar.

4. Efekti psikologjik

DSN duket se, shoqërohet gjithmonë nga një ekstazë ose shtangësi e personit. Duket sikur viktima humbet menjëherë dëshirën për të jetuar. Në asnjë rast nuk është vënë re ndonjë përpjekje për t'i shpëtuar djegies. Viktimat duket se i nënshtrohen fatit me të nisur djegia. Është e qartë, se këtu ndodh diçka që është tej një zjarri normal. Pavarësisht nga ngjashmëritë, secili rast ka karakteristikat e veta unike, si të jetë vendosur të shmangë shpjegimet e plota. Ka raste vdekjesh nga djegia që janë kaq të çuditshme sa që i vetmi shpjegim i mundshëm është DSN. Nga ana tjetër, akoma nuk njihet ndonjë mënyrë me anën e të cilit trupi i njeriut mund të gjenerojë nxehtësi të pabesueshme të nevojshme për t'u reduktuar në hi. Gjithashtu, në qoftë se një temperaturë e tillë do të ishte e mundshme, nuk është logjike që materialet rrethues mbeten të paprekur. Sidoqoftë, mister mund të mbetet edhe fakti se pas nisjes së zjarrit, ç'gjë e mban atë (zjarrin) të gjallë. Disa sugjerojnë rrymat e ajrit nga vatrat e zjarrit, po atëhere si shpjegohet që nuk digjen edhe rrobat?

Doktorët e shekujve të kaluar nuk e kishin aspak problem të pranonin DSN, ndonëse në shumicën e rasteve ata ja atribuonin këtë tymosjes dhe pirjes së tepruar. Kjo pikpamje ishte shumë popullore me rritjen e lëvizjes kundër duhanit dhe pijeve. Referenca të DSN mund të gjeni në vepra të Marryat, Zolas, De Kuincit, Melviles dhe Dikensit. Në librin e Dikensit "Shtëpia e Ftohtë", kopraci Kruk pëson këtë djegie makabre. Ashtu si edhe me shkrimtarët e tjerë, Dikensi e bazoi veprën e tij mbi një rast të famshëm. Rastin konkret Dikensi e kishte ndeshur gjatë periudhës kur kishte punuar si reporter, 20 vjet më parë.

Megjithëse teoria e alkoolit ishte shumë popullore, ajo gjithashtu nuk ka shumë të ngjarë (fatmirësisht!). Edhe trupat e lyer me alkool do të digjeshin vetëm derisa të mos ishte mbaruar alkooli. Livingston Gearhart i SHBA ka sugjeruar se DSN, shpesh korrespondon me rritje të intensitetit të fushës magnetike të Tokës. Dihet shumë pak mbi efektet që ushtrojnë ndryshimet magnetike në trupin e njeriut. Sidoqoftë, studimi i Gerhart ka çuar në sugjerimin se, zjarri i pazakontë i gjeneruar gjatë DSN mund të jetë ndonjë lloj shpërbërjeje molekulare ose kimike të trupit të njeriut. Kjo ide mund të ketë të vërteta përderisa djegia spontane në natyrë pranohet si një dukuri natyrore. Njihet rasti i djegies spontane të mullarëve të barit për shkak të fermentimit që ndodh nga lagështia brenda mullarit. Në brendësi zhvillohen bakterie që për shkak të fermentimit ngrejnë temperaturën. Në qoftë se kjo temperaturë nuk del jashtë, atëhere mullari tejnxehet, oksidohet dhe merr zjarr. Po kështu ndodh me koçekët, fabrikat e letrës dhe grumbujt e hekurishteve. Në disa raste, edhe qymyri pluhur mund të nxehet nga thithja e ajrit dhe mund të marrë flakë në mënyrë spontane. Madje thuhet, se edhe jashtëqitjet e zogjëve e kanë këtë veti dhe disa zjarre kishash i atribuohen ndezjes spontane të grumbullimeve vjeçare të këtyre mbeturinave në çatinë e tyre. Edhe dheu mund të digjet zakonisht për shkak të substancave naftëmbajtëse nën sipërfaqe. Shkencëtarët dhe doktorët i pranojnë këto forma të djegies spontane, por refuzojnë të njohin mundësinë e DSN te njerëzit. Ata pranojnë që jo të gjitha rastet e djegies shpjegohen me shkaqe shkencore, por preferojnë nocionin e Djegies së Mbinatyrshme. Nocioni i djegies spontane te njerëzit duket i pamundur.

Në qoftë se DSN është e mundur, pavarësisht nga dyshimet shkencore, si mund të ndodhë dhe, me të nisur, ç'gjë e ushqen zjarrin?

Djegia spontane në natyrë nuk mund të na çojë në një shpjegim të DSN te njerëzit. Nuk mund të grumbullohen në trupat njerëzore të njëjtat bakterie për të prodhuar nxehtësi të mjaftueshme për të nisur djegien. Gazi i zorrëve mund të digjet, por për këtë nevojitet oksigjen. Edhe kimikatet në trupin e njeriut mund të ndikojnë mbi gazin metan të pranishëm, por edhe ky ka nevojë për oksigjen që të digjet. Në qoftë se do të ishte shkaktar metani, sasia shumë e madhe e tij te lopët do të bënte që të kishim raste të shpërthimit të lopëve. Por kjo dukuri nuk ka ndodhur kurrë.

Disa thonë se DSN mund të shpjegohet si një aksident ose pakujdesi. Psh, rrëzimi i një reflektori ose rezistence, pirja e duhanit në shtrat ose shkëndija që dalin nga një sobë ose vatër zjarri. Por këto shpjegime nuk na e zgjidhin dot misterin sepse, thjesht, në raste të tilla rrobat do të digjeshin të parat. Si shpjegim tjetër i mundshëm është ofruar edhe rrufeja sferike. Kjo mbështetet në teorinë se, në disa rrethana, rrufeja sferike, që është një dukuri natyrore, mund të manifestojë radiovale të shkurtra energjie të ngjashme me ato në një furrë me mikrovalë. Në këtë mënyrë, sugjerohet se një person që ndodhet pranë rrufesë sferike ose vetëm pranë fushës së frekuencës valore të formuar nga një rrufe e tillë, mund të digjej për vdekje brenda rrobave të veta ose edhe madje brenda lëkurës së tij. Kjo teori ka diçka të ngjashme me teorinë e 'ndryshimit magnetik' të Gearhart. Gearhart zbulon me studimin e tij se DSN koinçidon me një rritje të menjëhershme e të papritur të intensitetit magnetik në fushën e Tokës, krahasuar me ditë më parë.

Këto teori e shpjegojnë gjerë e gjatë DSN, por asnjëra prej tyre nuk shpjegon se pse kjo dukuri ndodh kaq rrallë (fatmirësisht) ose se pse zjarri, me të nisur, mbetet aq i lokalizuar. Gjithashtu, megjithëse rrufeja sferike, po të kapet, shpërthen, ajo nuk jeton më shumë se një minutë, pra nuk ka se si të ketë këtë efekt shkatërrues.

Një mundësi tjetër shpjegimi është ofruar nga policia. DSN, thonë ata, mund të jetë rezultat i një krimi. Kriminelët e lyejnë viktimën me benzinë dhe i vënë flakën. Dihen plot raste kur trupi i njeriut digjet pa i vënë zjarrin dhomës. Megjithatë, në rastet e DSN trupi duket se digjet nga brenda jashtë dhe jo e anasjellta.

Vetë patologët bien dakord se, në disa raste, trupi mund të prodhojë gazra nga brenda që mund të digjen po t'i ekspozohen oksigjenit. Por sasia e nevojshme do të ishte fatalisht toksike. Dhe po të niste një zjarr do të digjeshin edhe rrobat.

Shpjegimi më i mundshëm sot duket se është Teoria e Qiririt. Djegia nën vete (e brendshme, e fshehur) në 500 gradë Celsius mund ta kthejë trupin e njeriut në hi, në qoftë se i lihet kohë e mjaftueshme. Sipas kësaj teorie, trupi, me t'u ndezur fillon të digjet. Dhe kjo është vërtetuar. Trupi i njeriut ka shumë ujë, por një nxehtësi e mjaftueshme e nxjerr atë jashtë në formën e avullit. Kjo dëshmohet nga avulli që është kondensuar në dritaret e dhomës ku ka ndodhur një dukuri e tillë. Me t'u tharë trupi, dhjami shkrin dhe ngjitet pas rrobave, duke lozur rolin e një fitili. Meqënëse dhjami nuk digjet pastër, mbi dyer dhe mure grumbullohet blozë. Sasia normale e oksigjenit në ajër është 21%. Kjo përqindje zvogëlohet në një dhomë ku ka zjarr. Kur arrin 16%, zjarri zbehet duke u djegur nën vete. Në qoftë se trupi nuk gjëndet efekti i fitilit shkakton një zjarr të ngadalshëm nën vete. Në këtë çast, temperatura në dhomë shpesh ngrihet, gjë që shpjegon nxehjen e fortë të dorezave të dyerve etj. Shtresa e nxehtë e gazit, prodhuar nga djegia nën vete, zbret poshtë dhe shkrin artikuj plastikë. Gazetat dhe librat nuk ndikohen, sepse ato digjen me temperatura më të larta. Djegia nën vete vazhdon derisa mbaron dhjami i trupit ose oksigjeni në dhomë. Gjymtyrët nuk pësojnë gjë, sepse ato kanë më pak dhjam.

Shkencëtarët duken të kenaqur me këtë teori, ndonëse ajo akoma nuk shpjegon se ç'gjë e shkakton zjarrin, që duket se nis nga brenda. Ndoshta shpjegimi i vërtetë nuk ndodhet në sferën e shkencës ose brenda kornizës së planit vdekësor, me aq sa e njohim ne.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI