Policia ka rinisur kërkimet në landfillin e Sharrës për të gjetur trupin e pajetë të fëmijës Jualian Çela të cilin manjaku seksual Ardian Prrenjasi pretendon se e ka hedhur pikërisht aty.
Nje nate pas zbulimit te fundit tragjik te femijes Juljan Çela dhe arrestimit te manjakut seksual ne prag te krimit te radhes, policia eshte duke kerkuar te tjera gjurme ne shtepine e tij pasi dyshohet se mund te jete implikuar ne te tjera krime seksuale dhe abuzime ndaj te miturve.
Ne mengjesin e të enjtes, policia ka nxjerre nga dhomat e izolimit Prrenjasin ne perpjekje per te rindertuar vendin e ngjarjes e me pas e derguar edhe ne vendgrumbullimin e mbetjeve ne Sharre per t'i treguar policise se ku e ka hedhur trupin. Nga burime te policise behet e ditur se manjaku ka thene se eshte kujdesur qe trupi te mbulohet nga mbeturinat.
Bashke me policine ne Sharre jane bashkuar ne kerkime edhe familjaret e femijes se vrare, por duket se shpresat te jene te pakta pasi prej tre muajsh ne landfill jane shkarkuar sasi te medha mbeturinash.
Liroi pedofilin në 2008, prokuroria nis hetimet ndaj gjyqtares Demiraj
Prokuroria ka nisur tw hwnwn hetimet për gjyqtaren Shefkie Demiraj, e cila në vitin 2008 liroi pedofilin Ardian Prrenjasi, i akuzuar në atë kohë për heqjen e paligjshme të lirisë ndaj një fëmije, duke e dënuar vetëm me 60 mijë lekë gjobë.
Në vendimin e gjykatës në atë kohë, gjyqtarja Shefkie Demiriaj shprehet se në “në rastin konkret, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore te veprës penale e cila cenon një marrëdhënie juridike të rëndësishme. Gjithashtu gjykata vlerëson personalitetin e të pandehurit si person i padënuar më parë për asnjë lloj vepre penale, si dhe aktin se i pandehuri i ka pranuar akuzat që në veprimet hetimore dhe është thellësisht i penduar”.
Tashmë 45-vjeçari Prrenjasi akuzohet për vrasjen e 11-vjeçarit Julian Çela, i zhdukur që nga 30 nëntori i vitit 2012 si dhe për rrëmbimin dhe abuzimin seksual ndaj një tjetër 10- vjeçari i cili fatmirësisht u gjet në kohë, ditën e diel në Laprakë.
Fëmija 11-vjeçar shpëtohet pak çaste para se të varej
Një fëmijë 11-vjeçar është marrë peng, dhunuar fizikisht dhe seksualisht, nga vrasësi pedofil Ardian Prenjasi, për 20 orë me radhë. A.Cami është larguar nga banesa pasditen e së shtunës, në orën 18:30, ndërsa është parë duke luajtur para shtëpisë. 45-vjeçari Prenjasi e ka gënjyer, fillimisht duke i kërkuar të blejë diçka dhe më pas e ka ftuar në shtëpi, duke e kërcënuar të qëndrojë urtë, pasi në të kundërt i rrezikoheshin prindërit. Babai, nëna, gjyshi, gjyshja dhe motra e të miturit kanë kryer kontrolle në të gjithë zonën, ndërsa kanë shkuar edhe te shokët për ta kërkuar, por ka qenë e kotë, pasi nuk kanë gjetur asnjë gjurmë. Ai është gjetur mesditën e së dielës, në orën 14:10, në apartamentin që kishte marrë me qira Prenjasi, në dollapin e rrobave, ku ishte futur nga agresori, i cili e kishte dhunuar fizikisht dhe seksualisht. Në banjën e apartamentit, që ndodhet rreth 10 metra larg me atë të familjes Cami, u gjet një litar me gjatësinë e vogëlushit. Policia dyshon se me këtë litar 45-vjeçari nga Librazhdi do të varte fëmijën, ndërsa në momentin e arrestimit, Prenjasi kishte edhe një thikë.
Zhdukja e 11-vjeçarit
Sajmir Cami, një efektiv i burgjeve, tha se fëmija i tij u largua pasditen e së shtunës. Ai ka shkuar për të luajtur me bashkëmoshatarët e tij dhe rreth orës 19:00, kur kthehej zakonisht në shtëpi, nuk është kthyer. Familja ka dalë për ta kërkuar në të gjithë zonën, ku kanë kërkuar në qendrat e internetit dhe lokalet e zonës, por në asnjë nga këto vende ku qëndronte zakonisht nuk është parë. Gjatë gjithë natës duke u gdhirë e diela, familjarët nuk kanë reshtur së kërkuari, ndërsa janë parë edhe disa persona që nuk kanë qenë banorë të zonës. “Disa persona kanë shkuar në shtëpinë e Ardian Prenjasit. Kërkonin diçka. Pas disa insistimeve, u larguan”, pohojnë banorët e zonës. Këtë moment e ka parë edhe Jonuz Cami, gjyshi nga babai i A.Camit, i cili lajmëroi familjarët për ndodhinë, ndërsa më pas u lajmërua edhe policia. “Në momentin që disa persona po kërkonin Ardianin, më lindi dyshimi se ai mund të kishte gisht në zhdukjen e nipit tim. Disa persona po e thërrisnin në emër, ndërsa unë pashë që një nga perdet e apartamentit lëvizi pak. Kam dyshuar se mund të ketë pasur njerëz brenda dhe për këtë kam vënë në dijeni edhe policinë”, tregon për gazetën “Shqip”, Jonuzi teksa pohon se personat në fjalë kanë tentuar të futen nga dritarja e apartamentit. “Kërkonin diçka, ndoshta një çelës, të cilin e kishte Ardian Prenjasi. Nga shtëpia në fjalë nuk dilte asnjë njeri, ndërsa vazhdimisht unë dyshoja se kishte njerëz brenda, pasi lëviznin pak perdet”, vijon rrëfimin Jonuz Cami. Sipas tij, policia ka ndërhyrë mesditën e së dielës, në momentin që familjarët kishin intensifikuar kërkimet dhe qëndronin vazhdimisht në rrugën “Bujar Kaloshi”. Apartamenti i Ardianit dhe banesa e të miturit janë përballë njëra-tjetrës. “Pas tentativës së kolegëve të Ardianit, në vendin e ngjarjes erdhi policia, e cila kreu operacionin dhe gjeti në dollapin e rrobave nipin tim”, thotë gjyshi. Ndërkohë, policia ka gjetur në banjë edhe autorin, Ardian Prenjasi, i cili kishte në dorë një thikë. Litarin e kishte varur në banjë, gati për të kryer ekzekutimin e të miturit.
Djali në spital
Pas gjetjes, djali i mitur, 11-vjeçari A.Cami, është dërguar menjëherë në spital. Djali është gjetur në gjendje të rëndë psikologjike. “Unë, bashkë me të ëmën e djalit, jemi nisur në drejtim të spitalit. Gjatë rrugës mendova se nuk ishte gjallë. Fatmirësisht është mirë dhe falënderoj Zotin. Iu luta policit dhe mjekëve që të paktën ta takojë e ëma. E lanë dhe mesa më tha e ëma, djali sapo e kishte parë e përqafoi. Më vonë filloi të lotonte dhe nuk i kishte thënë asnjë fjalë. Dukej në gjendje të mirë shëndetësore, por në gjendje të rëndë psikologjike”, pohon për gazetën Jonuz Cami. Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se djali është dërguar në Mjekësinë Ligjore për ekspertizë paraprake, ndërsa të dhënat e para flasin se ai është dhunuar edhe seksualisht nga 45-vjeçari. Në trup ka pasur disa shenja dhune, në formën e çarjeve. Ka dyshime se 45-vjeçari e ka goditur vazhdimisht.
Me litar dhe thikë
Një litar, me të cilin ishte bërë një lak, është gjetur në banjën e apartamentit, ku qëndronte edhe Ardian Prenjasi. Policia e Tiranës pohon se vrasësi pedofil është gjetur në banjën e apartamentit, të cilin e kishte marrë me qira. “U gjet me një thikë në dorë në banjë. Pas ndërhyrjes, ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr.3 të Policisë, ku dhe u mor në pyetje, ndërsa ekspertët shkuan në vendin e ngjarjes. Litari ishte në madhësinë e fëmijës, ndërsa laku ishte bërë për eliminimin e 11-vjeçarit”, pohojnë burimet policore.
Banorët tregojnë se Ardiani kishte shoqëri vetëm me fëmijët
Askush nuk e kishte menduar se në rrugën “Bujar Kaloshi”, në zonën e Laprakës në Tiranë, jetonte një maniak seksual, megjithëse kishte precedent penal të mëparshëm. Në një banesë dykatëshe, Ardiani kishte marrë me qira një apartament të vogël në katin e parë, përballë banesës së familjes Cami. Banorët e zonës tregojnë për “Shqip” se ai ishte mjaft enigmatik, pasi nuk zinte shoqëri me asnjë person të rritur. Të vetmit “shokë” ishin disa fëmijë të zonës, të cilët i çonte për të blerë paketa me cigare dhe disa sende të tjera, ku në fund u jepte edhe një “bakshish” të mirë. Në regjistrin e gjendjes civile ai figuron beqar, ndërsa ka si vendlindje dhe vendbanim Librazhdin, ku dhe ka lindur. Por, banorët e zonës pohojnë se ai ka jetuar muajt e fundit në zonën e Laprakës, madje ka qenë një tip mjaft i qetë dhe se është parë në shoqërinë e një vajze nga Peshkopia, disa herë më e re. Ana, një banore e zonës, thotë se “Ardiani nuk fliste me njeri, ndërsa shoqërohej vazhdimisht nga një vajzë nga Peshkopia”. Sipas saj, vajza mund të ketë qenë rreth 20 vjeçe dhe është parë shpesh në shoqërinë e 45-vjeçarit, madje edhe në apartament. “Banorët e zonës njihen kryesisht me njëri-tjetrin. Madje, në momentin që një ‘i huaj’ vjen në këtë zonë, ai vëzhgohet. Në rastin e këtij personi, ai sillej shumë ndryshe dhe nuk kishte aspak shoqëri me askënd. As në dyqanet dhe lokalet e zonës. Për çudi, ai shoqërohej vetëm me persona të mitur. U jepte lekë dhe çokollata. Nuk e kishim menduar kurrë se mund të ishte një maniak seksual. Të paktën këtë përshtypje jepte. Me familjen Cami kanë dyert përballë dhe nuk ka pasur shoqëri”, vijon Ana, teksa pohon se ndoshta ky person e ka paramenduar një veprim të tillë, duke mos krijuar shoqëri me banorë të zonës. Të tjerë banorë pohojnë se kanë pasur vetëm një përshëndetje me Ardianin, për të cilin thonë se ka qenë një tip i mbyllur. Madje, edhe Sajmir Cami, babai i 11-vjeçarit që u mor disa orë peng, tha se “komshi ynë është, por nuk e njohim. Nuk e di sa kohë banon pranë nesh. Kur e mësuam, nuk dinim ç’të bënim. Çdo gjë ia lëmë në dorë policisë dhe drejtësisë”.
Mori peng një fëmijë, Prenjasi u dënua nga gjykata vetëm me gjobë
I dyshuari për vrasjen e Julian Çelës, djalit të nëndrejtorit të SHISH-it, është dënuar nga Gjykata e Tiranës vetëm me gjobë, megjithëse është gjetur fajtor për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë. Më 14 nëntor 2008, gjyqtarja Shefkie Demiraj e ka dënuar Ardian Prenjasin me një gjobë prej 60 mijë lekësh. Në seancë gjyqësore i pandehuri kërkoi mëshirë, ndërsa prokurori Blerim Tominaj kërkoi dënimin prej 100 mijë lekësh. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se më datë 30 prill 2008, rreth orës 04:00, i pandehuri Ardian Prenjasi, pasi ka mbaruar punë, ka pirë alkool me dy shokë të tij deri në orën 05:00 dhe më pas ka marrë rrugën për në banesë. I pandehuri, rreth orës 11:00, pas konsumimit të alkoolit, ka ndaluar para derës së një banese private të shtetases Zeqine S., ku aty ka parë dy djem të mitur duke luajtur dhe pa i njohur fare i është drejtuar njërit prej tyre dhe konkretisht kallëzuesit M.A., të cilit i ka kërkuar ta ndihmojë, duke ia marrë çelësat e shtëpisë në xhepin e tij me arsyetimin se i kishte duart pis.
Kallëzuesi M.A. ia ka nxjerrë çelësat të pandehurit, pa menduar për keq, ku ky i fundit i ka kërkuar të miturit që t’i hapte derën e shtëpisë duke e ftuar atë që të hynte brenda. Kallëzuesi ka hapur derën dhe pasi janë futur brenda ai i është drejtuar M.A. duke i thëne se: “…tashmë ishte i marrë peng… se babai i tij duhej të paguante para dhe në rast të kundërt ai nuk do ta linte djalin të dilte nga banesa e tij”. Situata e krijuar ka qenë e tensionuar për të miturin, i cili i lutej të pandehurit që ta linte të lirë, ndërkohë jashtë banesës bërtiste kushëriri, pasi ai e pa që M. po vonohej. Në ato momente, i mituri shfrytëzoi rastin dhe u largua nga banesa, ku së bashku me kushëririn e tij, shkuan te familjarët e tyre dhe u treguan për ngjarjen e ndodhur e më pas shkuan në Komisariatin e Policisë Nr.3, ku bënë dhe kallëzimin përkatës.
Prokuroria filloi hetimin dhe për çudi ndaj tij nuk është marrë asnjë masë sigurimi. I pandehuri kërkoi gjykim të shkurtuar. Pas shqyrtimit, në vendimin e gjyqtares Shefkie Demiraj, shkruhej: “Gjykata çmon se ky dënim është plotësisht i justifikueshëm në raport me rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale të ‘heqjes së paligjshme të lirisë’, rrethanave të kryerjes së tyre, si dhe rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit Ardian Prenjasi, e cila e bën të domosdoshëm mosizolimin e tij nga shoqëria. Gjithashtu, gjykata çmon se ky dënim do t’i shërbejë edukimit të të pandehurit, parandalimit të kryerjes së veprave penale nga ai, rehabilitimit të tij, si dhe parandalimit të përgjithshëm të këtyre veprave penale në shoqëri”.
Vëllai: “Ardiani të vritet, e dëbuam nga shtëpia, u dënua edhe në Greqi”
“Vëllai im meriton të vritet”. Kështu e ka dënuar Besnik Prenjasi, veprimin e të vëllait Ardian Prenjasit, i cili ka abuzuar seksualisht me një të mitur, ndërkohë që sot doli në dritë krimi monstruoz me 10-vjeçarin Julian Çela. Në një prononcim për mediat, Besniku rrëfen se Ardiani ka pasur probleme mendore që pas kryerjes së ushtrisë, ndërkohë që familja ka 15 vite që e ka dëbuar.
“Ardiani ka pasur probleme që pas kryerjes së ushtrisë. E kemi dëbuar nga shtëpia që prej 15 vitesh. Nuk kemi komunikuar me Ardianin. Meriton të vritet. Ai ka qenë i dënuar me 4 vite në Greqi”, shprehet i vëllai.