Post reply

×

Post reply

Emri:
Email:

Verifikimi:
Flamuri yne ka ngjyre?:

Permbledhje

Postuar nga: Alban
« ne: 29-01-2020, 22:55:27 »

Sot kur censura eshte ne rend te dites anonimiteti online eshte nje domosdoshmeri qe duhet mbrojtur me ligj.
Postuar nga: M A X
« ne: 29-01-2020, 11:39:11 »

 

Pse e drejta e komentimit anonim online është e drejtë themelore e njeriut
Projektligjet antieuropiane dhe antidemokratike të qeverisë "Rama" të prezantuar si "paketa anti-shpifje" kanë një element që disa e konsiderojnë si deri diku të drejtë: luftën kundër "portaleve anonime" në veçanti dhe komenteve anonime online në përgjithësi. Goditja kaçakçe duke keqpërdorur lirinë e shprehjes është diçka e neveritshme. Kjo nuk do të thotë se anonimati dhe e drejta për të komentuar në mënyrë anonime online pushon së ekzistuari. Ajo vijon të mbetet e drejtë themelore e njeriut.

Përtej shumë gjërave mes të cilave presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama nuk bien dakord me njëri-tjetrin, ka një pikë për të cilën që të dy duket se bien dakord. Dëshirën për të pasur një regjistër me të ashtuquajturat “portale” dhe për të ditur paraprakisht se kush fshihet pas këtyre portaleve. Rama e prezantoi këtë dëshirë kur mbrojti ligjet e tij anakronike në parlament duke thënë: ” Identifikimi i pronësisë mundësohet me të gjithë, që të dish se me kë ke të bësh, jo me prita, me ferra, pas të cilave dikush të gjuan dhe ti nuk e di nga të erdhi dhe ku të shkosh.”

Ndërsa Meta, pasi e konsideroi ligjin në përgjithësi antikushtetues dhe antidemokratik, nuk nguroi aspak të cilësojë si “tendencë pozitive”. Në dekretin e tij për kthimin e ligjit në kuvend, Meta shkruan: “Presidenti i Republikës vlerëson në përgjithësi ndryshimet që ligji nr. 91/2019, sjell mbi identifikimin e ofruesve të shërbimeve të publikimeve elektronike, si mjete komunikimi të përhapura gjerësisht në ditët e sotme.” [Link]

Ka disa shqetësime që janë mjaftueshëm serioze në fjalët e të dyve sa për t’u marrë në konsideratë.

E para, disa njerëz përdorin mundësinë e komentit anonim online si një mënyrë për të hedhur kundër tjetrit fyerjet më banale dhe shpifjet më të ulëta, të cilat vështirë se do t’i kishin thënë në rast se emri i tij/saj do të ishte publik dhe i njohur.

E dyta, transparenca e pronësisë së medias ka rëndësi për demokracinë. Në të gjithë botën i kushtohet një vëmendje e veçantë çështjes nëse qytetarët janë në gjendje të mësojnë shpejt dhe lehtë se cilët janë pronarët e një televizioni, një radioje, një gazete apo një media në internet. Në çdo vend demokratik ka shumë rëndësi që të dihet nëse një pronar ka në pronësi dy gazeta apo të dihet nëse një pronar kontrollon 50+1% të aksioneve të një televizioni apo janë disa pronarë ku asnjëri nuk ka paketë dominuese.

Megjithatë këto dy probleme nuk duket se justifikojnë, nga pikëpamja kushtetuese, krijimin e një regjimi kontrolli mbi “pronësinë e internetit” përmes krijimit të një regjistri. Kjo zgjidhje nuk përbën as praktikën më të mirë ndërkombëtare për problemet dhe bie ndesh me rekomandimet e Raporterit të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes, i cili i kërkon shteteve anëtare të mos ndërmarrin hapa të tillë të “krijimit të regjistrave”.

Nga pikëpamja kushtetuese, arsyeja se pse krijimi i një regjistri nuk shkon është e thjeshtë: ka gjithsej dy përqasje në drejtimin e një shteti: e para, ajo e shtetit demokratik, ku çdokush ka të drejtat e veta, përfshirë të drejtën e komentimit anonim. Kushtetuta jonë thotë se shteti nuk duhet të ndërhyjë në kufizimin e kësaj të drejte me përjashtim të rasteve kur ndërhyrja është e nevojshme dhe proporcionale. Me pak fjalë, për sa kohë një qytetar nuk ka shpifur, nuk ka fyer dhe nuk ka mashtruar online, nuk ka asnjë arsye se pse ai të identifikohet paraprakisht pavarësisht nëse zgjedh apo jo të bëjë komente anonime.

Përqasja e dytë është ajo e shoqërive jo të lira, ku çdo qytetar është automatikisht i dyshuar dhe shteti i jep të drejtë ta përgjojë se çfarë bën dhe ta regjistrojë për ta identifikuar sa herë që ky individ bën ndonjë koment nga ato që udhëheqësve nuk i pëlqejnë. Kjo është përqasja që duket se mbështet si Rama ashtu edhe Meta, duke përdorur argumente që, ndonëse kanë bazë të arsyeshme, janë krejtësisht jashtë kontekstit të “paketës antishpifje”.

Në botën e madhe të internetit ka shumë njerëz që kanë pasione, të cilat duan t’i mbajnë të fshehta. Fjala vjen, dikush është gjyqtar por ka edhe pasion të komentojë mbi letërsinë apo mbi gatimin apo mbi koleksionin e fluturave në një faqe interneti dhe dëshiron që pasionin e tij privat ta mbajë në mënyrë anonime. A ka arsye të logjikshme që një person i tillë të duhet të regjistrohet paraprakisht vetëm e vetëm se kryeministri ka frikë se mos dikush e shan nga prapa ferrës së anonimatit online?

Dhe nëse shkojmë më tutje, ka njerëz në këtë botë që mbajnë blogje anonime për për të drejtat e njeriut apo për probleme të shëndetit. Po kur një zyrtar shteti dëshiron të komentojë në mënyrë anonime për të denoncuar korrupsionin e qeverisë? A ka ndonjë lloj gjëje që justifikon regjistrimin e këtyre personave paraprakisht?

Sa i përket shqetësimit të disave që argumentojnë se nuk kanë kë të hedhin në gjyq në rast kur ndjejnë se ndaj tyre shpifet në një faqe anonime, praktika më e mirë ndërkombëtare është që një urdhër gjykate është ai që kërkon identifikimin e personit të fshehur pas një komenti anonim, të cilin gjykata e gjykon, në bazë të procedurave ligjore, se duhet të japë llogari për një shpifje apo një fyerje. Në botën demokratike, si p.sh., në Shtetet e Bashkuara, një urdhër i tillë i lëshohet kompanive të shërbimit të internetit, të cilat janë të detyruara të raportojnë se aksh koment është bërë nga kjo apo ajo adresë. Kushdo që merr vesh sadopak nga interneti e kupton se në fakt shqetësimi kryesor për këdo që komenton online është jo aftësia për të komentuar në mënyrë anonime, por problemi se çdo gjë që ne shkruajmë apo nuk shkruajmë në internet, çdo profil facebook që klikojmë, çdo germë që shkruajmë apo fshijmë në të vërtetë regjistrohet diku dhe ruhet përgjithmonë. Çdo pajisje që ne përdorim për të hyrë në internet, kompjuter, tablet apo celular nuk lidhet dot me internetin po nuk pati një numër identifikimi të quajtur IP. Këto IP shpërndahen nga një institucion qendror në SHBA për prodhuesit e pajisjeve. Me pak fjalë, shqetësimi ynë duhet të jetë mungesa e anonimatit online dhe jo tepria e anonimatit.

Në thelb, nëse praktika e identifikimit të një shkelësi të ligjit të fshehur pas anonimatit online përmes urdhërit të gjykatës nuk funksionon, atëherë ligjvënësi bën mirë të shohë arsyet se pse kjo praktikë nuk funksionon. Dhunimi privatësisë së çdokujt që dëshiron të komentojë në mënyrë anonime online vetëm se kryeministri është i bezdisur është pikërisht një nga ato masa që konsiderohen “joproporcionale” me qëllimin e shprehur.

Krijimi i një regjistri me emrat e personave përgjegjës pas çdo faqeje interneti ka gjasa që do t’i shërbejë qeverisë të mësojë shpejt se kë duhet të godasë sa herë që hap gojën për të kritikuar udhëheqësin. Kjo është gjithashtu një kërkesë e përsëritur e Ramës përgjatë pesë viteve të fundit.

Dhe në fund fare, krijimi i një regjistri të tillë të faqeve të internetit nuk është se zgjidh ndonjë gjë në lidhje me shpifësit dhe fyesit. Një nismë e tillë prek vetëm faqet e internetit me një domain të rregullt, nuk përfshin rrjetet sociale, ku ndodh në fakt shumica e shpifjeve dhe fyerjeve.

E drejta e komentimit anonim online është e njëjtë dhe shumë e ngjashme me të drejtën tashmë të padiskutueshme por që politikanët nuk e dëshirojnë fare, të votës së fshehtë. E drejta për të komentuar në mënyrë anonime është ajo çfarë i mundëson shumë njerëzve të kenë liri shprehjeje, në një vend ku dhuna ndaj mendimit kritik është e rëndomtë. Nuk është mirë të gënjehemi me argumente false për të goditur të drejtat tona themelore.
Gjergj Erebara
https://www.reporter.al/pse-e-drejta-e-komentimit-anonim-online-eshte-e-drejte-themelore-e-njeriut/