×

Ndryshimi i vetes është “protesta” më e fuqishme e opozitës

· 1 · 79

Ndryshimi i vetes është “protesta” më e fuqishme e opozitës

· 1 · 79

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 08-04-2019, 19:00:18
Tani kur mbresa dhe jehona e dorëzimit të mandateve të opozitës është shuar, dhe kur protestat e përjavshme të saj para Kuvendit po shndërrohen në rutinë, çfarë mund të sjellë zhvilime me ndikim në zgjidhjen e krizës mbeten qëndrimet e qeverive perëndimore, por edhe përmirësimi i qendrimit, mesazhit, dhe qasjes së pëballjes politike të opozitës me qeverinë.

Le t’i marim me radhë.

Ndërsa gjuha e ngurtë diplomatike e përfaqësuesve perëndimorë vazhdon të jetë e njejtë me atë të çdo here kur partitë politike kanë bojkotuar parlamentin, reportazhet e mediave italiane, përfshi ato publike, të mediave gjermane përfshi Deutsche Welle dhe mediave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare po japin sinjale të qarta se gjendja në Shqipëri nuk është ajo që përpiqen të paraqesin përfaqësitë diplomatike.

Kjo mospërputhje, megjithë etiketimet fyese apo përshkrimet konspirative që përpiqet të bëjë propaganda qeveritare dhe mediat nën kontrollin e saj, tregon se kanceleritë europiane tashmë duan të kenë një panoramë më të qartë dhe më të vërtetë nga ajo që u është servirur deri më sot nga kanalet burokratike zyrtare.

Përpjekje e politikanëve perendimorë për të kuptuar gjendjen e vërtetë kanë qenë edhe vizitat në Bruksel dhe Berlin të kryeopozitarit Basha dhe në Berlin të Kryeministrit Rama, sikurse vizita në Tiranë, ditët e ardhshme, e zyrtarëve të Departamentit amerikan të Shtetit.

Si opozita edhe qeveria janë përpjekur për të shfrytëzuar sa më shumë dhe shpejt politikën dhe median ndërkombëtare, si një përplasje në një fushë të largët.

Por pa asnjë dyshim, fusha kryesore e përlasjes politike është ajo në Tiranë, me armë aksionet e vetë politikës.

Arma kryesore e Kryeministrit Rama në këtë betejë është stisja e një “opozite” brenda shumicës, dhe e një “opozita” brenda parlamentit, që po përpiqen të zënë gjithnjë e më shumë vend në diskursin publik.

“Opozitari” i parë brenda PS-së duket se është bërë Ditmir Bushati, ish-Ministri i Jashtëm për thuajse 6 vjet. Fjalimi i djeshëm në Kuvend i Bushatit po stëranalizohet fjalë për fjalë për të gjetur se ku dhe sa i ka “rënë” ish-shefit të tij.

Ditmir Bushati është pjesëtar i qenësishëm i “Rilindjes” dhe po aq bashkëfajtor për keqqeverisjen e saj sa të gjithë ish-ministrat e ministrat e tjerë “rilindas”.

Kur nuk ke folur kur Shqipëria mbillej nga cepi në cep me kanabis, kur vidheshin dhe abuzoheshin pasuritë e fondet publike dhe kur arroganca e Edi Ramës arriti nivelin e dhunës publike, të flasësh tani është në rastin më të mirë mungesë totale koherence.Në rastin më të mundshëm, tregon pafytyrësi që inatet për karrigen i paketon si teza politike për t’i shitur pastaj si ideologjia e të ardhmes së PS-së.

Ashtu si ish-ministri Bushati, “opozita e re” parlamentare po përpiqet të faktorizohet me tezën e reformës zgjedhore dhe ndryshimit të sistemit politik.

Por këta opozitarë të rilindur që sapo morën mandatin apo që nuk e dorëzuan atë, në fakt janë në Kuvend vetëm si rezultat i sistemit jodemokratik dhe mungesës së meritokracisë dhe të votimit brenda partive të tyre.

Prandaj edhe nëse synojnë vërtet ndryshimin e sistemit, ata duhet që, qoftë sa për sy e faqe, të pranojnë gabimin që pranuan të emërohen nga kryetarët e partive të tyre, pastaj le të ligjërojnë për reformën zgjedhore.

Përballë këtyre manovrave me opozita fallco të krijuara nga Kryeministri Rama, qëndron opozita e vërtetë, PD dhe aleatët e saj, për të cilën sot ka një pyetje të thjeshtë: apo e përcjell ajo pakënaqësinë në rritje dhe aspiratën e shqiptarëve duke ndërtuar një alternativë për qeverisje ndryshe nga kjo e sotmja?

Kësaj pyetje strategjike mund t’i shtohet një pyetje taktike: a mjaftojnë mitingjet dhe protestat për të çuar drejt zgjidhjes së krizës?

Deri diku, protestat kanë arritur të zgjojnë revoltën e fshehur apo të frikësuar të mijëra njerëzve që janë prekur drejtëpërdrejt nga keqqeverisja. Në një masë të madhe ato kanë arritur të rigjallërojnë bazën dhe strukturat partiake të demokratëve dhe LSI-së.

Protestat janë kthyer edhe në një përplasje direkte, të prekshe deri dhe fizike me qeverisjen arrogante të Edi Ramës dhe aparatin e tij policor, çfarë patjetër që e ka ekzpozuar dhe dobësuar disi qendrueshmërinë e qeverisjes dhe forcave që e mbajnë atë në këmbë.

Por detyra më e rëndësishme përpara opozitës, në përgjithësi, dhe PD-së në veçanti, mbetet shpalosja e një alternativë që do të mund të rikthejë besimin tek ajo pjesë e shoqërisë që kërkon rrotacionin, por që nuk bindet nga ata që do të sjellë në pushtet ky rrotacion.

Shqiptimi i qartë i asaj që opozita kërkon të arrijë nga largimi pa kthim nga Kuvendi, hartimi i një platforme konkrete dhe të besueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe drogën, shpalosja e një alternative me masa konkrete dhe thelbësore, fjalë të përgjithshme dhe ricikilime formulash mekanike, ringjalljen e ekonomisë së rrënuar nga oligarkët, konçensionet dhe kapja nga krimi, si dhe zbatimi i një strategjie për të tërhequr pranë partive opozitare, jo vetëm militantët e palodhur të protestave, por edhe skeptikët që ende nuk e kanë të qartë se çfarë i pret në rastin e zgjedhjeve të parakohshme.

Të thuash se do bëhemi gati për zgjedhje dhe të përgatitesh vërtet për to, jo duke pritur radhën për ndërrimin e karriges, por duke fituar besimin e shumicës së vërtetë të shqiptarëve, është proces i pashmangshëm i rradhës i opozitës shqiptare.

Ky proces realizohet jo duke qarkulluar në tribuna takimesh e fjalimesh apo studio televizive figurat e njohura partiake, të cilat ca nga konsumimi dhe ca nga ambiciet e pakontrolluara për karriera personale vështirë se motivojnë dot njerëz të rinj, përveç militantëve, e aq më pak të rinjtë në moshë.

Sfida e madhe që ka përpara opozita kërkon tërheqjen e njerëzve të rinj, me energji dhe ide të reja, me mentalitet modern, me integritet, me aftësi dhe profesionalizëm të mirëfilltë. Këta, të pa infektuar nga slloganet dhe klishetë e mësuara përmendësh, mund të arrijnë të bindin dhe të rrisin besimin tek shqiptarët e mërzitur me politikën dhe të lodhur nga muzika që nuk ndryshon kurrë.

Për t’i përmbushur këto sfida, opinioni publik duhet jo vetëm të bindet, por edhe të besojë. Për këtë nuk mjaftojnë më fjalët, duhen veprimet: drejtuesit e opozitës duhet të tregojë sot se janë të përgatitur të rrezikojë pushtetin e tyre për hir të demokracisë dhe mirëqeverisjes.

Prova e parë e kësaj gadishmërie është shkëputja totale e tyre nga elita e korruptuar dhe politika e vjetër që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje. Ndryshimi kërkon përballjen me sfidat e reja dhe kurrsesi nuk vjen në aleancë me të vjetrën, por me frymëzimin e të resë. https://exit.al/2019/04/ndryshimi-i-vetes-eshte-protesta-me-e-fuqishme-e-opozites/
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super