Post reply

×

Post reply

Emri:
Email:

Verifikimi:
Flamuri yne ka ngjyre?:

Permbledhje

Postuar nga: M A X
« ne: 10-09-2020, 21:56:59 »

   

‘QAnon’ zë vend në Ballkan, duke pretenduar se COVID-19 “nuk ekziston”
Facebook dhe Twitter thonë se po luftojnë përhapjen e teorive të konspiracionit të lidhura me ‘QAnon’ në Ballkan, por lëvizja sapo ka filluar.

Adis Valjevac thotë se ai dhe kolegët e tij po luftojnë “për njeriun e zakonshëm”, duke kërkuar njerëz që mendojnë për veten e tyre dhe, thellë brenda, “mendojnë se diçka nuk shkon në shkallë globale”.

Byroja Federale e Hetimit, FBI, megjithatë, thotë se lëvizja që Valjevac pretendon të përfaqësojë është një kërcënim terrorist i brendshëm në SHBA.

Më pak se tre vjet që kur ‘QAnon’ u shfaq në faqen toksike të mesazheve 4chan, fenomeni i teorisë së konspiracionit ka arritur në Ballkan dhe Valjevac është një nga bartësit e saj të flamurit në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Krijuar në maj me Valjevac si një nga administratorët e saj, Q-ANON Bosna i Hercegovina ka rreth 460 ndjekës dhe poston afërsisht 10 herë në ditë, duke e bërë atë një lojtar të vogël në një lëvizje madhore.

QAnon Ballkan mburret me më shumë se 8,500 anëtarë, QAnon Srbija [Serbia] ka 2,700 dhe QAnon Hrvatska [Kroacia] gati 7,800. Disa nga faqet më të njohura të QAnon në Facebook kanë më shumë se 100,000 ndjekës secili. Megjithatë, numrat nuk janë gjithçka.

“Ju nuk keni nevojë për një grup të madh njerëzish për organizim dhe demonstrime”, tha Kevin Grisham, ndihmës drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Urrejtjen dhe Ekstremizmin në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në San Bernardino.

“Edhe nëse 20, 30, 40 ose 50 njerëz ndihen të motivuar për të bërë diçka, kjo  tashmë është një fuqi e konsiderueshme. Në kohën e aktivizmit virtual, edhe një numër i vogël i njerëzve mund të kenë një fuqi të konsiderueshme, ” tha ai për BIRN.

“Shembulli më i mirë është QAnon, i cili filloi si një grup i vogël, por tani vepron globalisht. Numri aktual i lëvizjeve të teorisë së konspiracionit nuk është aq alarmante sa shpejtësia me të cilën rritet numri i anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve. ”

Nga lëvizje margjinale në konspiracion publik

Miti themelues i QAnon është se bota kontrollohet nga një grup pedofilësh, me anëtarë të Partisë Demokratike në SHBA mes tyre, që operojnë një rrjet global të trafikimit të fëmijve për shfrytëzim seksual dhe se Donald Trump është i përzgjedhur për t’i rrëzuar nga pushteti.

Në fillim i kufizuar në  kufijtë e skajshëm të debatit publik, arritja e tij në qendër ka shpërthyer kohët e fundit, duke bombarduar internetin me informacione të rreme në lidhje me pandeminë e COVID-19, tensionet racore në SHBA dhe përpjekjen e Trump për tu rizgjedhur në nëntor.

Facebook ka hequr 790 grupe QAnon, 100 faqe dhe 1.500 reklama dhe ka bllokuar më shumë se 300 hashtags të lidhura me lëvizjen QAnon. Twitter ka hequr rreth 7,000 llogari.

Dega e Bosnjës rregullisht u bën jehonë homologëve të saj shumë më të mëdhenj të SHBA-së në pretendimin se COVID-19 “nuk ekziston”, se prindërit duhet t’i rezistojnë “vaksinimit të detyruar” dhe se përdorimi i teknologjisë mobile 5G “do të ketë pasoja të pariparueshme për të gjitha krijesat e gjalla në tokë. ”

Në një intervistë për BIRN, Valjevac tha se grupi bllokon “profile të rreme që spamojnë faqen tonë me informacione të rreme”, por shumica e informacioneve që postohen vlerësohen rregullisht të rreme nga administratorët e Facebook ose kontrollorët e fakteve. Mesatarisht çdo një në dhjetë poste i hiqet.

Valjevac tha se Q-ANON Bosna i Hercegovina nuk ka qëllime afatgjata dhe aktualisht është apolitike.

“Ne jemi këtu për të parë dhe për t’iu përgjigjur drejt propagandës helmuese që tërheq njerëzimin në luftëra dhe dhunë për shekuj me radhë në emër të sundimtarëve të cilët ata kurrë nuk i kanë takuar, por derdhin gjakun e tyre për ta”, tha ai.

“Q promovon paqen, Q është paqja. E gjithë çfarë i duhet kësaj bote të çmendur dhe me ritëm të shpejtë është që njerëzit të heqin dorë nga celularët, TV-të dhe kompjuterët e tyre dhe të mendojnë vetë. Më besoni, ata do të gjenin shumë gjëra jologjike në botë. ”

Q-ANON Bosna i Hercegovina e gjen COVID-19 si të palogjikshme, duke e quajtur atë një “shfaqje” prapa së cilës po zhvillohet një “betejë midis së mirës dhe së keqes”.

Po kështu, sipas këtij grupi, George Floyd, burri afrikano-amerikan që vdiq në Minneapolis, pasi një oficer policie i mbajti gjurin në qafë për gati tetë minuta, duke shkaktuar protesta në të gjithë SHBA, në fakt nuk u vra. “Ishte i gjithë një flamur i rremë në mënyrë që të provokonte luftëra në rrugë”, shkroi një nga administratorët e grupit, profili publik i të cilit e përshkruan atë si të punësuar për ‘Team Trump’.

Administratori nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë dërguar përmes Facebook.

Në një përgjigje të pyetjeve nga BIRN Facebook tha se “faqet dhe grupet kundër të cilave janë marrë masa janë kryesisht me qendër në SHBA., por gjithashtu përfshijnë ato me seli në një seri shtetesh në të gjithë botën, përfshirë Ballkanin, si dhe në gjuhë të tjera, përfshirë gjermanishten dhe frëngjishten. ”

‘Kjo është shqetësuese’

Sipas Vlado Azinovic, një profesor në Departamentin për Studime të Sigurisë dhe Paqes në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, teoritë e konspiracionit “shpesh janë në shënjestër kundër personave ose grupeve konkrete, kështu që në një kontekst të caktuar, ato mund të përdoren për t’i përçmuar ato, ose për inkurajimin dhe justifikimin e dhunës kundër tyre. ”

“Ne nuk duhet ta anashkalojmë mundësinë që një teori konspirative mund të evoluojë në një ideologji ose koncept të rendit shoqëror, i cili do të vendoset dhe mirëmbahet përmes një sistemi shtypës qeverisës,” paralajmëroi ai.

“Sipas të dhënave në dispozicion,” i tha Azinoviç BIRN, “në këtë moment 69 ish-kandidatë dhe kandidatë aktualë për Kongresin në SHBA, mbështesin pak a shumë hapur QAnon, ndërsa presidenti Trump pretendon se nuk di asgjë për lëvizjen. Sipas mendimit tim, kjo është shqetësuese. ”

Shqetësuese gjithashtu është ajo që Grisham tha se janë përpjekje për të promovuar një realitet të rremë në të cilin aktorë të këqij ’sundojnë botën.

“Nëse ata që promovojnë një realitet të tillë propozojnë se duhet bërë diçka për këtë, njerëzit që besojnë në këtë mund të përpiqen t’i përmbysin ata aktorë të këqij”. Problemi është nëse “aktorët e këqij ’nuk janë aspak të këqij, por janë thjesht kokë turku për teorinë e komplotit,” tha ai. “Kjo është një pjesë e rrezikut të lëvizjes QAnon.”

Psikologja Emina Zuna përshkroi një dimension tjetër të fenomenit të teorisë së konspiracionit në të cilin ata që merren zhvillojnë një “ndjenjë epërsie ndaj të tjerëve” që konsiderohen të paaftë për të arritur të vërtetën.

“Kështu që u takon teoricienëve të konspiracionit të na tregojnë të vërtetën dhe të na shpëtojnë”, tha Zuna. “Kjo i vë ata në një lloj pozicioni heroik që i bën lajka egos së tyre dhe i bën ata një grup të zgjedhur .”

Kjo bëhet e rrezikshme kur “njerëzit që veprojnë në përputhje me teoritë e konspiracionit në të cilat besojnë ose në të cilat votuesit e tyre besojnë, gjenden në pozicione vendimmarrëse”.

“Nëse një numër i njerëzve besojnë se Gates do t’i vendosi një çip përmes vaksinës kudër koronavirusit, do të shfaqet një politikan i cili do të premtojë se nëse e zgjedhin, të kujdeset që askush të mos i detyrojë ata të vaksinohen. Dhe, ndoshta, një person i tillë do të bëhet një ministër i shëndetësisë … Dhe, voila, ka pasoja, ”tha Zuna për BIRN.

“Në të njëjtën mënyrë mund të ndodhë një rishikim i fakteve shkencore ose futja e përmbajtjes konspirative dhe komplotuese në librat shkollorë. Pastaj mund të ndikojë tek fëmijët dhe të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme botëkuptimin e tyre. Më duket se nuk jemi shumë larg kësaj ose të paktën mund të ndodhë. ”

https://www.reporter.al/qanon-ze-vend-ne-ballkan-duke-pretenduar-covid-19-nuk-ekziston/