Shqipëria, në 10 muaj te 2007, 1 miliard euro të ardhurat nga turizmiMinistri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, deklaroi dje se të ardhurat bruto nga turizmi arritën deri në muajin tetor në rreth 1 miliard euro ose rreth dy fish më shumë se në 2004-ën. Në konferencën për shtyp që dha dje në mjediset e panairit, World Trade Market, në Londër, Pango u shpreh se qeveria shqiptare e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj. Gjatë konferencës që u zhvillua në stendën e Shqipërisë, në këtë panair, kreu i MTKRS theksoi se synimi është që vendi të shndërrohet në një destinacion kryesor mesdhetar, me një vend të denjë në hartën botërore turistike.
Deri në muajin shtator, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë, arriti në 1.6 milion, bëri të ditur Pango, duke cituar shifrat e OBT-së, që e klasifikuan periudhën si "bum turistik", pasi krahasuar me vitin e kaluar, rritja është në masën 35%. Shqipëria është përfshirë në raportin e fundit të Forumit Ekonomik Botëror, mes vendeve me potenciale të shkëlqyera për turizëm, ndërsa World Travel &Tourism Council vë në dukje se turizmi zë 3.8% të GDP shqiptare aktualisht dhe parashikohet të rritet në 7.5% në vitin 2013.
Në pasqyrën e zhvillimit të turizmit shqiptar, ministri Pango veçoi 10-fishimin e investimeve për turizmin në 2008-ën, krahasuar me 2006-ën. Kreu i MTKRS theksoi në fjalën e tij projektet për zhvillimin e turizmit fetar, për të cilin akordohen 1.23 milion euro për vitin e ardhshëm. Por një bum të vërtetë parashikohet të kenë investimet e huaja në këtë sektor. Një projekt i madh është "Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë" (Riviera shqiptare). Ndër këto investime veçohen edhe projekti CARDS dhe ndihmat e kreditë e qeverisë holandeze, me vlerë totale 29 milion euro. Po investimi më i madh dhe bashkëkohor për 2007-ën është ndërtimi i terminalit të ri të aeroportit të Tiranës, i përuruar në prill të vitit 2007.
Kruja është vizituar nga 70 mijë turistë nga e gjithë botaKruja është një nga qytetet më të vizituara në shkallë vendi. Historia e saj e pasur, pozicioni i favorshëm gjeografik dhe natyra e bukur e kanë bërë "qytetin e bardhë", në faqe të malit me të njëjtin emër, një nga destinacionet më të preferuara turistike jo vetëm për shqiptarët, kudo që ndodhen, por edhe për mijëra turistë të huaj, nga të gjitha anët e botës. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Guni, tha dje për ATSH-në se numri i vizitorëve në qytet ka ardhur gjithnjë në rritje. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Muzeu Historik Kombëtar "Gjergj Kastrioti" është vizituar nga 83 mijë turistë nga e gjithë bota, duke u renditur në vendin e parë mes muzeve më të vizituar në të gjithë vendin. Afro 70 mijë turistë të tjerë kanë mbërritur në qytet, që nga fillimi i këtij viti, shtoi Guni. Kruja ndodhet vetëm 35 km larg nga Tirana dhe diçka më larg nga Durrësi. Udhëtarët që zbresin në Aeroportin e Rinasit, shohin më parë se çdo gjë tjetër Krujën, dhe kjo përbën një ftesë më shumë për vizitorët, thotë kryebashkiaku. "Kush nuk ka vizituar Krujën, nuk ka vizituar Shqipërinë", citon kryetari Guni një thënie të krutanëve, të cilët, sipas tij, janë vënë të gjithë në shërbim të vizitorëve të shumtë që mbërrijnë çdo ditë në Krujë. "Gjatë dy viteve të fundit ka mjaft turistë, të cilët qëndrojnë për disa ditë në Krujë", thotë Guni. "Ndërtimi i disa hoteleve tërheqës, restoranteve me gjellë karakteristike si dhe përmirësimi i shërbimit hotelier, po e kthejnë qytetin tonë nga një destinacion turistik ditor, në pjesë të rëndësishme të itinerareve turistike ballkanike.
Vazhdon
Kliko KetuMarre nga RD