
TIRANE - Për të shmangur polemikat me partnerin, gjatë kampionatit Europian 2012, femrat duhet t’iu përmbahen 14 rregullave të rrepta. Me fillimin e Europianit fillon edhe “dueli” ndërmjet gjinive. Meshkujt kërkojnë të shijojnë aktivitetin më të rëndësishëm të futbollit, ndërsa femrat mundohen me çdo mënyrë që të fitojnë pak vëmendje.
Për të mos i shqetësuar partnerët e tyre gjatë Europianit femrat duhet t’iu përmbahen 14 rregullave, që mund t’i lexoni më poshtë. Natyrisht rregullat janë të përpiluara nga meshkujt.
1 – Të këshilloj të lexosh përditë gazetat sportive. Në këtë rast do të jesh në dijeni të ngjarjeve rreth Europianit dhe do të kesh argumente për të diskutuar me mua. Nëse nuk e bën, mos u anko se nuk do të kemi dialog.
2 – Gjatë Europianit, televizori do të jetë vetëm në dispozicionin tim (në çdo kohë), e nëse rastis që të kesh telekomandën në dorë, qoftë edhe për sekonda, të këshilloj të mos e ndërrosh asnjëherë kanalin. Po të duash… blije një televizor tëndin.
3 – Nëse do të duhet të kalosh përpara televizorit gjatë një ndeshjeje çfarëdo, je e lutur që ta bësh duke u zvarritur në dysheme dhe pa më shqetësuar.
4 – Edhe nëse të shkon në mendje të kalosh përpara televizorit me të brendshme, apo më keq akoma, lakuriq, me synimin për të bërë dashuri, harroje. Kjo sjellje e jotja mund të ndikojë vetëm negativisht.
5 – Gjatë ndeshjeve për ty do të jem i verbër, memec dhe i shurdhër: deri në momentin që do të kem nevojë të të kërkoj diçka për të ngrënë ose për të pirë. Nuk do të jem në dispozicionin tënd për asgjë… Nuk do ta hap derën, të përgjigjem në telefon apo të kujdesem për fëmijën që qan.
6 – Në frigorifer nuk duhet të mungojnë asnjëherë birra dhe mezet.
7 – Të lutem, mos bëj asnjëherë batuta kur shokët e mi vijnë në shtëpi për të ndjekur ndeshjet. Si shpërblim për sjelljen tënde të mirë, do të kesh leje që të shikosh televizor gjatë atyre pak momenteve kur nuk do të bisedojmë për futbollin.
8 – Ta kërkoj si nder: nëse skuadra ime e zemrës humbet ndonjë ndeshje, mos hajde të më thuash “mos u mërzit, është thjesht një lojë” ose “do të fitojmë herën tjetër”. Do të më zemëroje më shumë.
9 – Nëse dëshiron të shikosh një ndeshje me mua, je e mirëpritur. Por, kujdes! Thashë vetëm një ndeshje. Mos e shndërro Europianin në një pretekst për të kaluar më tepër kohë së bashku.
10 – Përsëritja e golave është shumë e rëndësishme. Nuk dua t’ia di nëse i kam parë apo jo. Dua t’i rishikoj edhe njëmijë herë.
11 – Thuaju mikeshave tua të mos lindin, apo të mos organizojnë festa ku nevojitet prania ime. Do të marrësh vetëm dy përgjigje: Nuk vij. Nuk dua.
12 – Bëj kujdes: Nëse një shok na fton të shohim ndeshjen në shtëpinë e tij, duhet të bëhesh gati në kohë. Vonesat nuk tolerohen. Në të kundërtën, do të vish në këmbë.
13 – Emisionet sportive gjatë Europianit janë po aq të rëndësishëm sa ndeshjet. Mos më thuaj “a mund të shohim diçka tjetër”, sepse përgjigjja do të jetë e njëjta (lexo pikën 2).
14 – Si përfundim, shmange shprehjen “falë Zotit, Europiani zhvillohet një herë në katër vjet”. Kjo nuk më bën asnjë përshtypje. Mos harro se pas Europianit vijnë transferimet e futbollistëve, kualifikueset e Champions League, kampionati, Kupa e kështu me radhë…
(er.nu/dukagjini/BalkanWeb)