Ritet në Tiranë, si ishin zakonet pas lindjes dhe kush ia vinte emrin fëmijëve
Edhe sot e kësaj ditë në shumë fshatra të Tiranës ruhet tradita e lajmësit të lindjes së një fëmije. Për të përhapur lajmin e gëzuar në farefis apo mëhallë, zakoni e do që lajmësi të jetë një fëmijë, të cilit si peshqesh për haberin e mirë i jepet një dhjetëlekëshe. Për t’u ndaluar te ritet e lindjes në Tiranë, sipas adeteve të vjetra, koha e lehonisë për gruan është quajtur 40 ditshi i parë pas lindjes së fëmijës. Sipas këtyre riteve, gjatë kësaj kohe duheshin zbatuar disa zakone, si lyerja me të kuq, të mos dilje natën jashtë, qoftë edhe në oborr, të mos takoje njerëzit kur ata largoheshin nga shtëpia se ikte qumështi, qëndrimi përgjithësisht në shtrat, nuk duhet t’i jepte asgjë njerëzve, që ishin jabanxhinj, si dhe të ushqyerit afër ujit të rrjedhshëm që qumështi të mos shterte. Nëna e lehonës nuk duhet t’i shkonte në shtëpi, sepse sipas zakonit ishte turp. Në periudhën e lehonisë, një ose dy javë pasi kishte lindur, nusja shkonte tek prindërit e saj e quhej “për lehoni”. Në rast se kishte lindur vajzë duhet të mbushte 40 ditë tek prindërit e saj në mënyrë që të mos lindte më vajzë. Gjatë kohës që qëndronte për lehoni tek e ëma nusja organizonte një gosti me gratë e fisit të saj, e quhej “gostia e fëmijës”. Menjëherë sapo lindte foshnja, që në Tiranë quhet “kërthi”, pasi i pritej kërthiza nga hebeja, vendi i lyhej me pudër ose me kafe të bluar që të mos infektohej. Javën e parë fëmija nuk lahej sa t’i binte kërthiza, pasi ajo binte, pasi mbështillej me një letër dhe ishte zakon që të ruhej si kujtim. Në qoftë se kërthiza binte ditë teke, p.sh. pas pesë, shtatë, nëntë ditësh, kur fëmija ishte vajzë thuhej që fëmija që do të lindte më pas do të ishte djalë. Fëmija lahej për herë të parë me pak sheqer dhe me të verdhë vezë që të mos ndrydhej. Pasi ushqehej me gji nga nëna fëmija vendosej në djep (që duhet t’ia kishte sjellë dhuratë nëna e nuses), e i këndohej një ninullë. Djepi zakonisht vendosej pranë shtratit të nënës për t’i qenë afër fëmijës. Emri fëmijës i vihej shumë shpejt, zakonisht të tretën ditë të lindjes. Sipas zakonit, fëmijës i varnin hajmali që në gjuhën tiranase quhej nazartakam, ose sot nuskë, e cila bëhej te hoxha. Kjo hajmali qëndronte e futur në qese të thurur përsipër me rruaza, në mënyrë që fëmija të mbrohej nga syri i keq. Në ritet e lindjes emrin fëmijës duhet t’ia vinin njerëzit e burrit dhe zakonisht përdoreshin më shumë emrat e gjyshërve apo të gjysheve. Personi që i vinte emrin fëmijës ishte nuni dhe me këtë rast bëhej gostia që quhej “pallagoja”. Prindërve që nuk i rronin fëmijët ishte zakon që t’i varnin një vëth në vesh, po ashtu zakon ishte të merreshin tre pjesë nga këmisha pleqsh e me to të pritej një këmishë për fëmijën. Në rastet kur nëna nuk kishte qumësht, fëmija ushqehej me qumësht lope si edhe me ushqim të përgatitur vetë që mund të ishte paluze ose llapë orizi. Prindërit gjithmonë mendonin se fëmijët e tyre duhet të kalonin disa sëmundje që ishin lija, kolla e mirë, fruthi etj. Si mjet për shërimin e tyre shërbente sheqeri dhe nxehtësia. Që fëmija të ngrihej në këmbë për herë të parë duhet që t’i hiqnin frikën dhe disa plaka prisnin një copë dru para fëmijës e thuhej “ja preva frikën...” e përmendej emri i fëmijës. Nëna e nuses pas shtatë ose nëntë javësh lajmëronte gratë e fisit për të shkuar për gosti tek shtëpia e nuses. Në qoftë se ajo kishte lindur djalë çoheshin 101 petulla, për vajzë çoheshin 99, në mënyrë që djemtë të shtohen më shumë se sa vajzat. Zakonisht fëmijë adoptonin ata që nuk kishin fëmijë fare apo ata që kishin vetëm vajza. Nga zakonet e birësimit, më shumë preferohej të merreshin fëmijë nga njerëz të afërt ose fqinj. Për t’u ndaluar te preferenca e birësimit, ajo ishte më e madhe për djemtë, të cilët quheshin më pas edhe “bir për shpirt”. Një detaj i veçantë i birësimit është edhe mos kallëzimi i prindërve të vërtetë kur fëmija rritej. Gjithashtu, kur fëmija ishte në moshë madhore dhe donte të largohej nga familja nuk e lejonte zakoni.