Letra e Zogut për Mehdi beun: Do shkruaj historinë e Shqipërisë
Zbulohet korespodenca e Mbretit Zog me ish-kryeministrin Frashëri. Mehdi beu: Gjeneral Telinin e vranë grekët, të cilët mashtruan dhe për Himarën
Kam fillue pregaditjen e memoarve, natyrisht kam shënime, porrë dot' më pëlqente: një Autoritet * ka ndodhë në ç'ashtjet mbrenda, të më japë sa shpjegime ma të gjona. Pra' në asht se do të keni mundësi të më jepni së hollësina mbi këto pika që po ju rendoj ma poshtë…Këto në ka posibilitetin t'mi shkrueni gjanësishtë se, dot dishroshe * nji personalitet * i ka dhanë Shqipnis shërbime të shkëlqyeshme". Kështu shkruhet në mes të tjerash në një nga letrat e panjohura të Mbretit Zog, që mban datën 20 janar të vitit 1960, kur ai kalonte muajt e fundit të jetës së tij në qytetin Kanë të Francës, e cila i drejtohet ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehdi bej Frashërit, që asokohe jetonte si azilant politik në kryeqytetin italian Romë. Siç del edhe nga letrat e Mehdi Frashërit, në atë kohë Mbreti Zog kishte vendosur që të shkruante kujtimet e tij në lidhje me disa nga ngjarjet më kryesore të historisë së Shqipërisë. Por, për të bërë atë punë, Zogut i duheshin dëshmi e të dhëna të ndryshme nga persona që kishin qenë vetë aktorë kryesorë në ato ngjarje, dhe një prej tyre ishte dhe Mehdi Frashëri, i cili, përveçse kishte mbajtur postin e kryeministrit të Shqipërisë për disa vjet, kishte përfaqësuar qeverinë shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve në vitin 1914. Po çfarë shkruhet më tej në atë letër të Mbretit Zog dhe çfarë i kërkon ai Mehdi beut? Për të gjitha këto bëhet fjalë në një sërë letrash e dokumentesh origjinale që janë pjesë e korrespondencës së plotë në mes tyre, të cilat janë ruajtur me kujdes në arkivin familjar të Mehdi bej Frashërit në Romë. Duke u nisur nga rëndësia që paraqesin ato letra e dokumente (të cilat nuk ndodhen në arkivat e shtetit shqiptar), ku flitet për disa nga ngjarjet më të përfolura të historisë së Shqipërisë, si: Protokolli i Korfuzit në 1914, veprimet e Komisionit Ndërkombëtar të Lidhjes së Kombeve në Shqipërinë e Jugut, veprimet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Kufijve, vrasja e Gjeneral Telinit etj., një pjesë të tyre ne po i botojmë të plota në këtë shkrim, duke i sjellë në gjuhën e sotme, pa e prekur fare brendinë e tyre.
Korrespondenca e Zogut me Frashërin
Në fillim të letrës së tij për ish-kryeministrin Frashëri, e cila mban datën 20 janar 1960, pasi e pyet për shëndetin dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, Mbreti Zog ndërmjet të tjerash i bën të ditur Mehdi beut se ai ka filluar të shkruajë kujtimet e tij sipas shënimeve që ka mbajtur për vite me radhë. Por për të shkruar ato kujtime, Zogu i kërkon Frashërit që ai ta ndihmojë atë duke i sqaruar me hollësi disa nga ngjarjet më kyçe të historisë së Shqipërisë, si: Protokolli i Korfuzit në 1914, veprimet e Komisionit Ndërkombëtar të Lidhjes së Kombeve në Shqipërinë e Jugut, veprimet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Kufijve, vrasja e Gjeneral Telinit etj. Pasi i përshkruan të gjashtë pikat kryesore për të cilat brenda mundësive kërkon sqarime të hollësishme, Mbreti Zog e mbyll letrën e tij duke i kujtuar ish-kryeministrit Frashëri shërbimet e mëdha që ai i ka bërë Shqipërisë. Ndërsa në përgjigjen e ish-kryeministrit Mehdi Frashëri, e cila mban datën 31 janar 1960, pas fjalëve të zakonshme të kortezisë, ai i shpreh kënaqësinë Mbretit Zog për iniciativën që ai ka marrë për të shkruar kujtimet e tij, duke i thënë se ato janë të domosdoshme dhe do të shërbejnë, veç të tjerash, edhe për të ndrequr ato shtrembërime që i janë bërë historisë së Shqipërisë në 40 vjetët e fundit, duke aluduar hapur për regjimin komunist të Enver Hoxhës. Pasi i shpreh gatishmërinë e tij Mbretit Zog për ta ndihmuar për të gjitha çështjet që ai ka dijeni, në fund të letrës së tij Mehdi beu i shkruan: "Jam akoma i mendimit se Shqipnija, e izolueme nga Rusija nuk ka se si mos gjej herët a vonë nji konjukturë politike ndërkombëtare të favorshme, që ti lejoj shqiptarëve me hedh këtë zgjedhë, që, nga të gjitha çka parë, asht sigurisht ajo ma e tmershmja".
"E vërteta e Protokollit të Korfuzit"
Një ndër çështjet e para që Mbreti Zog i kërkonte ish-kryeministrit Mehdi bej Frashëri për t'i sqaruar, ishte ajo ku bëhej fjalë për "Veprimet e Komisionit Ndërkombëtar në Korfuz, në 1914", apo, siç njihet ndryshe në historinë e Shqipërisë, "Protokolli i Korfuzit". Lidhur me këtë pikë, në sqarimin e tij Mehdi Frashëri ka shkruar: "Në Konferencën e Londrës më 1913, me qenë se ishte vendosur që Korça e Gjirokastra t'i mbeteshin Shqipërisë, Greqia nuk mund t'i sulmonte hapur këto dy prefektura, të cilat i quante Epiri i Veriut. Prandaj ajo kërkonte që indirekt të gjente një shkak që këto vende fillimisht t'i bënte autonome, dhe më vonë, në një fazë të dytë, t'i aneksonte. Për këtë qëllim, guvernatori grek i Janinës mendonte që derisa ishin trupat greke atje, të shtynte të krishterët ortodoksë të asaj krahine në formën e një xhandarmërie kryengritëse, që kur të tërhiqeshin trupat greke, vendin e tyre ta zinte xhandarmëria, e cila do të luftonte me xhandarmërinë shqiptare po të shkonte ajo atje. Kjo fuqi kryengritëse me shpirt grek kishte nevojë për një qeveri që ta quante veten epiriote. Kështu, një person i quajtur Gjergj Zografi, i biri i Kristaq efendiut, nga Lunxhëria e Gjirokastrës, me të kunatin e tij, Karapanon, dhe një oficer grek me origjinë shqiptare i quajtur Dhulis, formoi një qeveri autonome të Epirit të Veriut (Shqipërisë së Jugut). Në këtë kohë popullsia myslimane e këtyre dy prefekturave shqiptare i hapi luftë xhandarmërisë epiriote. Nisur nga fakti se fuqia e xhandarmërisë shqiptare ishte e pamjaftueshme dhe popullsia myslimane nuk ishte e organizuar, xhandarmëria epiriote filloj të digjte katundet myslimane, për të detyruar atë popullsi që të linte vendin dhe aty të mbeteshin vetëm ortodoksët. Për këtë ngjarje, qeveria e Princ Vidit me kryetar Turhan Pashën u detyrua t'i drejtohej Komisionit Ndërkombëtar që përbëhej prej delegatëve të gjashtë fuqive të mëdha, ku bënin pjesë: Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Austria dhe Rusia. Për të bashkëpunuar me këtë komision, nga ana e Shqipërisë ishte caktuar si delegat Mehdi Frashëri. Në këtë kohë, në Shqipërinë e Mesme pjesa fanatike myslimane filloi një lëvizje në favor të Turqisë, me parullën: "Duam Baba Dovletin". Nisur nga kjo gjë, Qeveria e Princ Vidit mbeti në një pozitë shumë të vështirë, pasi fanatikët myslimanë kërkonin në vendin e Princ Vidit një princ nga Turqia. Pas kësaj Komisioni i Kontrollit Ndërkombëtar lajmëroi Zografon se do të vinte në Korfuz dhe do të bisedonte me qeverinë epiriote. Në mbledhjen e Korfuzit delegatin shqiptar nuk e mbështeti asnjë nga fuqitë e mëdha, në mënyrë që ai ta detyronte Komisionin e Kontrollit për të marrë vendime në interes të Shqipërisë. Si rezultat i kësaj, Komisioni Ndërkombëtar vendosi që prefekturat e Korçës e Gjirokastrës të formonin një qeveri autonome nën juridiksionin e qeverisë shqiptare, ku oficerët e xhandarmërisë së Epirit Autonom do të përbëheshin prej oficerësh grekë, me qenë se ortodoksët shqiptarë të vendit në kohën e Turqisë nuk kishin pasur oficerë. Kisha ortodokse e vendit do të drejtohej prej klerit grek të emëruar prej Patriarkanës së Stambollit. Gjuha e mësimit nëpër shkolla të veçanta të ortodoksëve do të ishte greqishtja. Siç shihet, të gjitha këto masa parashikonin greqizimin e një pjese të madhe të Shqipërisë së Jugut. Pas kësaj, vendimet e Konferencës së Korfuzit iu paraqitën Konferencës së Ambasadorëve në Paris për t'u miratuar. Në këtë kohë qeveria epiriote e Zografos kishte bërë një pakt me myslimanët fanatikë të Shqipërisë së Mesme, gjë e cila e detyroi Princ Vidin të largohej nga Shqipëria. Në këtë kohë epiriotët e thyen armëpushimin që ishte lidhur midis fuqisë shqiptare dhe tyre, dhe vendin e qeverisë epiriote të Zografos, siç edhe parashikohej, e zuri Greqia. Këto ngjarje përkuan me fillimin Luftës së Parë Botërore. Në këtë kohë, Italia, me qenë se kishte rivendikime (pretendime) territoriale kundrejt Austrisë, me qëllim që më vonë të hynte në luftë, pushtoi Vlorën dhe me forcat aleate firmosi një traktat të fshehtë, ku thuhej: Vlora me një pjesë të krahinave rreth saj do të ishte drejtpërsëdrejti në administrimin e Italisë dhe Shqipëria e Mesme (myslimane) nën protektoratin e saj. Ndërsa për Shkodrën në Veri dhe Korçën e Gjirokastrën në Jug nuk do të bënte asnjë kundërshtim, në qoftë se Konferenca Shkodrën do t'ia jepte Serbisë dhe Korçën e Gjirokastrën Greqisë. Mbasi Lufta e Parë Botërore zgjati disa vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynë në luftë kundër Austro-Gjermanëve e në favor të aleatëve, Presidenti Uillson deklaroi se traktatet e fshehta nuk i njihte. Në këtë kuadër, traktatin e fshehtë të Italisë me aleatët në Konferencën e Paqes ai e quajti të pavlerë, por me gjithë këtë, në tratativat e konferencës në fjalë ai propozoi që Vlora t'i mbetej Italisë dhe ana në jug të lumit Vjosë t'i jepej Greqisë. Sa për pjesën që mbetej, një zonë midis Vjosës e Liqenit të Maliqit, do të bëhej një referendum dhe përfundimi i tij do të ishte një provë se kujt do t'i mbetej ajo zonë, Shqipërisë apo Greqisë. Me qenë se në këtë zonë shumicën e përbënin myslimanët dhe midis ortodoksëve kishte edhe nacionalistë shqiptarë, shpresa ishte e madhe që ajo të mbetej në Shqipëri. Sa për Shkodrën nuk u bë fjalë, sepse ajo ishte thjesht shqiptare. Në vijim të luftës aleatët panë nevojën që në Selanik të zbarkonin një ushtri për të atakuar forcat austro-gjermane, duke përdorur dhe mbeturinat e ushtrisë serbe që përbëhej prej 150 000 ushtarësh, të cilat në Korfuz aleatët i kishin riorganizuar dhe armatosur më së miri. Aleatët i propozuan dhe Greqisë që ajo të hynte në luftë në favorin e tyre, mirëpo Mbreti Kostandin ishte dhëndri i Kaiserit (Mbretit të Gjermanisë) dhe përveç Venizellozit, një parti e madhe greke nuk dëshironte të hynte në luftë, vetëm në qoftë se i jepnin Stambollin. Kjo ishte një punë që nuk bëhej, pasi ajo përkonte me qëllimet e Rusisë. Në këtë kohë, francezët filluan të dyshojnë se mos Greqia ishte në favor të Austro-Gjermanëve, dhe për të ndaluar kontaktin midis Greqisë dhe Austro-Gjermanëve, me ndërmjetësinë e nacionalistit patriot Themistokli Gërmenji, Gjenerali Sarail, komandant i ushtrive aleate në Selanik, dërgoi edhe një batalion ushtarësh në Korçë. Kjo forcë përzuri ushtrinë greke dhe formoi qeverinë e Korçës, Autonome Shqiptare, me Themistokli Gërmenjin. Pas kësaj ajo organizoi dhe dy batalione xhandarmërie shqiptare. Në këtë kohë fuqitë franceze ishin vendosur deri në katundin Selenicë të Kolonjës. Ndërsa territorin nga Selenica e deri në Sarandë e pushtoi ushtria italiane. Kështu, në Korçë e Gjirokastër nuk mbeti as ushtri dhe as qeveri greke. Nga zhvillimi i këtyre ngjarjeve u bë e mundur që në Konferencën e Paqes francezët të kundërshtonin rreptësisht për Korçën e Gjirokastrën dhe vendimet e Korfuzit nuk u morën parasysh, pasi vetë Greqia e kishte prishur armëpushimin". Kështu e mbyll Mehdi Frashëri sqarimin e tij për Protokollin e Korfuzit, e cila është dhe një nga pikat ku ai është ndalur më gjatë në përgjigjet që i ka dërguar Mbretit Zog.
"Ja e vërteta e Himarës"
Dy nga pikat e tjera që Mbreti Zog i kërkonte sqarime Mehdi Frashërit ishin: "Dhenomet (Privilegjet) e Himarës" dhe "Veprimet e Komisionit të Lidhjes Kombeve në Shqipërinë e Jugut", çështje të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të krijojnë probleme. Lidhur me këto, ish-kryeministri Frashëri në përgjigjen e tij për Zogun shkruan: "Privilegjet e Himarës janë po ato të Korçës e Gjirokastrës, me ndryshimin se në atë kohë, një person i quajtur Spiro Milo, nga Himara, kishte vënë një kryq të madh në kraharor dhe kishte shoqëruar Zografon. Spiro Milo kërkoi një flamur të Himarës, gjë që nuk kishte ndonjë rëndësi, prandaj iu pranua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit të Kufijve. Po kështu, në atë kohë, nisur nga fakti se grekët gjithmonë ankoheshin që në Shqipëri shkeleshin të drejtat e pakicave greke, Lidhja e Kombeve vendosi të dërgonte në Shqipëri një komision të posaçëm të përbërë prej: profesorit Siderholm (finlandez), Comte de Pourtales (francez), dhe një oficeri norvegjez. Ky komision lëvizi në të gjithë Shqipërinë, si në Veri ashtu dhe në Jug, dhe në fund konstatoi se pakica greke kishte vetëm në krahinën e Dropullit në Gjirokastër dhe në Vurgun e Delvinës, të cilat nuk përbënin ndonjë rëndësi. Ndërsa për prefekturën e Korçës ata konstatuan se nuk kishte as edhe një grek të vetëm. Si përfundim, komisioni konstatoi se grekërit quanin grekë edhe shqiptarët ortodoksë. Pra, siç shihet, ky komision në raportin e vet tregoi të vërtetën siç ndodhesh". Kështu e përfundon Mehdi Frashëri sqarimin e tij në lidhje me pretendimet e grekëve për pakicat e tyre në Shqipërinë e Jugut.
Frashëri: Telinin e vranë grekët
Një ndër pikat e fundit që Mbreti Zog i kërkon Mehdi Frashërit t'ia sqarojë, është ajo e vrasjes së gjeneralit italian Telini, i cili kryesonte Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit të Kufijve. Lidhur me këtë ngjarje, në përgjigjen e tij Mehdi Frashëri ka shkruar: "Komisioni i Kontrollit të Kufijve e kishte filluar punën e tij që përpara Luftës së Parë Botërore, por me fillimin e asaj lufte ajo punë u ndërpre dhe u la për më vonë. Pas mbarimit të luftës, u formua përsëri një komision tjetër i përbërë prej: gjeneralit italian Telini, kolonelit britanik Jails dhe kolonelit francez Ordillion. Ndërsa nga ana qeverisë shqiptare fillimisht u caktua Hil Mosi, por me qenë se ky dha dorëheqjen, në vendin e tij u emëru Dhimitër Berati. Pas kësaj, gjeneral Telini dhe Dhimitër Berati shkuan në Janinë për të marrë kontakt me autoritetet ushtarake greke, me qëllim që të plotësonin komisionin me delegatin grek. Si delegat grek ishte caktuar kolonel Boçari, i cili ishte një grek ekstremist dhe stërnip i suliotit të famshëm, Marko Boçarit. Me qenë se kolonel Boçari e konsideronte gjeneral Telinin si një mbështetës të Shqipërisë, vendosi që ta vriste atë. Për të vrarë Telinin, ai bashkëpunoi me një kriminel grek të arratisur që quhej Rexhei. Pas kësaj, banda që kryesohej nga Rexhei i zuri pritë dhe e vrau gjeneral Telinin, ndërsa ai po kthehej për në Shqipëri bashkë me përkthyesin e tij ortodoks që kishte me vete. Për të larguar përgjegjësinë politike, qeveria greke këtë vrasje ua ngarkoi shqiptarëve, dhe sipas versionit të tyre, ajo gjë kishte ndodhur për faktin se gjenerali italian kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Por ky version i tyre nuk ishte gjë tjetër veçse një gënjeshtër e shpifje e madhe. Pas kësaj qeveria italiane, nga raporti që kishte marrë nga Telini, kishte kuptuar se autoritetet greke në çdo mënyrë ishin shfaqur kundër gjeneralit, prandaj Musolini dërgoi një flotë në Korfuz dhe qeverisë greke i dha këtë ultimatum: "Qeveria greke menjëherë do të shkonte në flotën italiane që ndodhej në Pire dhe do të kërkonte ndjesë për ngjarjen e vrasjes të gjeneral Telinit". Gjithashtu, ajo i kërkoi edhe 50 milion franga si dëmshpërblim për njerëzit e vrarë. Mbas kësaj ngjarjeje, si delegat italian në Komisionin e Kontrollit të Kufijve, në vend të gjeneral Telinit, u emërua gjeneral Gazzera, dhe nga ana Shqipërisë, Mehdi Frashëri".