Haxhi Lleshi - Figura Historike

×
Hyrja
Profili

Haxhi Lleshi

Haxhi Lleshi

· 1 · 571

  • Postime: 26706
  • Gjinia: Mashkull

ne: 15-02-2012, 01:00:51
Haxhi Lleshi për Masakrën e Tivarit: Mirë ua bëmë kosovarëve

Nga: FATMIRA NIKOLLI

-Ish-ministri i Brendshëm Haxhi Lleshi nuk u pendua kurrë për atë që bëri me shqiptarët e Kosovës në Masakrën e Tivarit. Kur i dërgova një dokument për të konfirmuar firmën e tij, ai tha 'nuk jam penduar. Ne ishim një me jugosllavët. Kosovarëve ua bëmë mirë se ishin reaksionarë". Ky qe një ndër rrëfimet rrëqethëse që historiani Uran Butka solli dje në Ministrinë e Kulturës gjatë promovimit të librit të tij "Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar". Pasi ka shfrytëzuar arkiva shqiptare e të huaja, ndër to tërthorazi edhe ato jugosllave, Butka ka mundur të sjellë dokumente që vërtetojnë se në masakrën famëkeqe të Tivarit në marsprillin e 1945-ës kanë gisht edhe komunistët shqiptarë. Në libër autori ka ofruar dokumente të firmosura nga Ramiz Alia, Shefqet Peçi, Enver Hoxha, Gjin Marku e Haxhi Lleshi që vërtetojnë dijeninë e tyre për ngjarjen por që gjithashtu lejojnë dorëzimin e shqiptarëve të Kosovës në duart e jugosllavëve. Përveç kësaj, një fakt edhe më i rëndë është vrasja e tyre përgjatë udhëtimit Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar dhe urdhri që ata të qëllohen nëse pinë ujë nga burimet shqiptare. Masakra e Tivarit është një masakër që iu bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, Mali i Zi dhe në rrugë për në Tivar. Ata u nisën për të luftuar kundër gjermanëve, por u vranë pabesisht rrugës për në Tivar dhe në Tivar nga forcat serbo-malazeze. Numri i të vrarëve në këtë masakër varësisht prej burimeve sillet 1700-4300.
Promovimi
Në promovimin e librit të Butkës morën pjesë emra të njohur të historisë e studimeve shqiptare. Fjalën e hapjes e mbajti shkrimtari Bardhyl Londo i cili vlerësoi librin si një botim që nxjerr në dritë informacione që deri tani janë fshehur. Pas tij për librin foli edhe ministri i Kulturës Aldo Bumçi, i cili e konsideroi Masakrën e Tivarit një ngjarje me përmasa të frikshme. Sipas tij, botimi i këtij libri nxjerr në pah edhe njëherë nevojën e rishkrimit të historisë. Fjalën më të gjatë në takimin e djeshëm e mbajti drejtuesi i Institutit të Historisë, prof.Beqir Meta i cili në fakt ofroi edhe një analizë të librit nga ana shkencore, por jo vetëm kaq. Duke ritheksuar se sa e vështirë është të gjesh dokumente mbi veprimet e ushtrisë jugosllave, ai u shpreh se libri tregon se në Shqipërinë e vitit 1945 ka pasur luftë civile, gjë që bëri që shqiptarët të vriten mes tyre. "Partizanët shqiptarë nuk bënë asgjë për ta mbrojtur Kosovën. Ata ia dhanë më duart e tyre ish-Jugosllavisë. Nuk kërkuan të drejta për ta. Ushtria Nacionalçlirimtare shqiptare u bë bashkëpunëtore e asaj jugosllave duke i dorëzuar shqiptarët e Kosovës në duart e vrasësve", - tha Meta dje. Drejtori i Institutit të Historisë u shpreh se shqiptarët e kohës në mënyrë që të merrnin pushtetin me ndihmën e jugosllavëve lanë në baltë e dorëzuan shqiptarët e Kosovës. "Për fat të keq shumë udhëheqës shqiptarë në kohë të ndryshme, kanë vënë interesat e tyre politikë para interesave të kombit. Kjo ndodhi atëherë e kjo ndodh edhe sot",-deklaroi Beqir Meta. Ai nuk ngurroi të pohonte se sa i takon Masakrës së Tivarit, dijeni kishin edhe komunistët e Kosovës, por edhe ata heshtën. "Ata e dinin që në fillim dhe kanë qenë gjatë gjithë kohës të informuar se ç'po ndodhte me shqiptarët që ishin nisur drejt Tivarit. Askush nuk e lëvizi gishtin dhe të gjithë qenë bashkëpunëtorë në masakër, komunistët e Kosovës, ata të Shqipërisë si edhe jugosllavët. Jo më kot rrinë të mbyllura arkivat e Beogradit", - përfundoi Meta. Agron Tufa, nga Instituti i Studimit të Krimeve të komunizmit duke vlerësuar studimin e Butkës la të kuptohej se lufta e partizanëve nuk ka qenë luftë, por shtrirje pushteti nëpër Shqipëri. "Çfarë donin partizanët aty ku s'kishte gjermanë, në mos të shtrinin kontrollin e tyre? Aty ku nuk kishte luftë ata donin vetëm që të vendosnin pushtetin e vet, pushtet që bashkëpunoi me jugosllavët për të vrarë shqiptarët e Kosovës", - u shpreh ai. Një tjetër problem i shtruar prej tij, ka të bëjë me faktin se shumë prej atyre që Tufa i quajti "kriminelë komunistë mbajnë ende dekorata si heronj të popullit". I të njëjtës frymë ishte edhe historiani Enver Bytyçi. Vetë autori i librit u shpreh i kënaqur që më në fund shteti shqiptar po i kushton rëndësi kësaj ngjarjeje historike. ai rrëfeu para të pranishmëve një bisedë që ka pasur vite më parë me ish-ministrin Haxhi Lleshi. "Më ra në duar një dokument i firmosur prej tij mbi masakrën dhe e mora në telefon sepse doja ta konfirmoja nëse qe vërtet firma e tij apo jo. I thashë se me këtë rast ai ka mundësi të kërkojë ndjesë meqë është edhe në fund të jetës. Ai pranoi që ajo mbi dokument ishte firma e tij, por jo të kërkonte ndjesë. Kur i thashë se si qe e mundur që kishte dhënë autorizim që të vriteshin shqiptarët, ai tha: Ne në atë kohë ishim një me jugosllavët nga ana politike. Nuk jam penduar për atë që kam bërë sepse kosovarët qenë reaksionarë, - përfundoi rrëfimin Butka.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Temat e fundit