Zerion

Zeri yt => Zëri Letrar => Folklori Shqiptar => Teme e nisur nga: Berni ne 04-10-2007, 18:09:48

Titulli: Zbulohet në Fier fustani i viteve ‘30 me shqiponjën me 7 pendë !
Postuar nga: Berni ne 04-10-2007, 18:09:48
FIER - Për herë të parë, kulti i simbolit tonë kombëtar, shqiponja, gjendet e qëndisur në një fustan të trevës së Myzeqesë. Fustani i rrallë, që i përket viteve ’30, është ekspozuar për herë të parë për artdashësit ditën e trashëgimisë kulturore në hollin e teatrit “Bylis” të Fierit. Ajo që e bën të veçantë këtë shqiponjë është numri shtatë i pendëve të saj. Në të dy krahët e shqiponjës së qëndisur me fije ari gjenden nga shtatë pendë e po kështu edhe në bisht. Ata janë të hapur. Sipas specialistit të Muzeut Historik të Fierit, Nuri Plaku, numri shtatë i pendëve përkon me shtatën hyjnore. Prof. Mark Tirta në veprën e tij është shprehur se kjo lloj shqiponje e ka zanafillën rreth 4100 vjet para dhe në të ndodhet e mishëruar ideja sa e lashtë aq dhe befasuese e transmetimit shekullor të vlerës së paganizmit në simbolikën e veshjeve popullore, njësoj si transmetimi në etnografi i yllit të Davidit. Dihet se gjatë viteve ’30, periudha kur është bërë ky fustan, Fieri ka pasur një zhvillim tepër intensiv dhe është njohur si qendër e rëndësishme tregtare dhe zejtarie. Këtë e dëshmon edhe ky fustan ku shqiponja e veçantë është qëndisur në mantelin e tij dhe në krah. Veshja ka ardhur si një pasuri e familjeve të fisme të qytetit, si një pjesë e veshjeve luksoze. Krahas ornamenteve të punuara me motive floreale me zogj, degë e lule, apo dhe tufëza të çelura, vendin më të rëndësishëm këtu e ka shqiponja. Simboli i saj shtatëpendësh është skalitur edhe në rripin mbajtës, pjesë e stolisë së fustanit. Nuri Plaku pohon se kjo është një gjetje e rrallë në krahinën e Myzeqesë. - Është rasti i parë, - thotë ai, - që në një veshje etnografike përcillet simboli i shqiponjës me shtatë pendë”. Kulti i shqiponjës, simbolit tonë kombëtar, gjendet i gdhendur në shumë objekte të kulturës material-kulturore në trevën fierake, si në punimet e skalitjes, objekte zbukurimi, unaza, vathë, byzylykë, në armët e luftimit, shpata, përkrenare, skulptura, gurët, në pllakat e mermerit, dru etj. Një tjetër fakt interesant është se numri i pendëve të shqiponjës tonë ka ardhur duke u ndryshuar në vite. Kështu, në epokën mesjetare shqiponja ka pasur deri në nëntë pendë dhe kjo vihet re sidomos në epokën e Skënderbeut. Më pas ajo është bërë me pesë pendë dhe gjendet sidomos në objektet e kultit dhe foltoret shqiptare. Por kemi dhe një rast tjetër, kur në shqiponjën e përdorur në prag të shpalljes së pavarësisë janë përdorur 14 pendë. Në atë kohë ajo ka patur pozicion aktiv fluturues ndryshe nga ai i tashmi i stemës kombëtare. Gjithsesi, shqiponja me shtatë pendë është rasti i parë që haset në një veshje popullore dhe kjo përbën një dëshmi të vlerave të qarta autentike të popullit tonë të shprehura në gjuhën e stolive.

A. Velaj