Maturantja-gjeni e periferisë - Forumi i Studentëve

×
Hyrja
Profili

Maturantja-gjeni e periferisë

Maturantja-gjeni e periferisë

· 2 · 704

  • Postime: 26705
  • Gjinia: Mashkull

ne: 14-09-2011, 12:50:59
Merita Maloku, maturantja-gjeni e periferisë

Eglantina Bardhi

Kush do ta mendonte se në një shtëpi e cila gjendet krejtësisht në periferi, prej nga kafeneja më e afërt është 1 orë larg me makinë, do të gjendej një vajzë adoleshente gjeni. Tashmë ajo mbaroi maturën dhe nga rezultatet u cilësua si më e mira në 38 mijë maturantë në rang republike, dhe shpërblimi ishte medalja e artë. Merita Maloku është vajza e cila i sfidoi të gjithë. Kurrë në dëftesat e saj nuk është shënuar nota 9 por vetëm dhjeta. Ka fituar 12 olimpiada në Republikë dhe sfidat e saj nuk mbarojnë këtu. Merita është 18 vjeçare dhe jeta e saj është e rrethuar me një mori librash. Jeton në një shtëpi modeste me 4 motrat dhe prindërit e saj në fshatin Qerekë të komunës Nikel. Ajo nuk është vajza e ndonjë intelektuali, biznesmeni apo politikani, por është vajza e dy njerëzve të thjeshtë, me babanë shofer dhe nënën shtëpiake. Ajo nuk jeton as në ndonjë vilë dhe as në ndonjë lagje qyteti por në provincën që dhe duke ditur adresën nuk është e lehtë ta gjesh.

Merita pohon se për të shkuar në gjimnazin e saj “Isa Boletini” në Vorë i janë dashur çdo ditë, për katër vjet, të bëjë 1 orë rrugë me makinë. Jeta e dëfrimit prej një adoleshenteje metropolitane si mijëra bashkëmoshatare të saj i ka munguar plotësisht. Megjithatë, vajzën me imazh të imët dhe të ndrojtur nuk e ndaloi asgjë për të qenë më e mira dhe i sfidoi të gjithë edhe pse për moshatarët e saj konsiderohej si vajza provinciale. “Kam vullnet, durim dhe lexoj pa fund. Për mua leximi i sa më shumë librave nuk është aspak bezdi por kënaqem dhe ndihem mirë pranë tyre edhe sikur të rri me orë të tëra duke lexuar”,- pohon Merita. Fakti që ajo jeton në provincë dhe nuk ka studiuar në “gjimnazet VIP” të kryeqytetit apo ndonjë qyteti tjetër nuk e ka penguar aspak Meritën të jetë më e mira.

“Jam ndier e paragjykuar sa herë që merrja pjesë në olimpiada mes nxënësve të shkollave më të mira të vendit, duke më thënë se vij nga provincat dhe se aftësitë e mia nuk mund të jenë në nivelin e atyre. Më lindnin shumë dyshime për veten time nga këto paragjykime, dhe më kapte ankthi se si do të dilja në maturën shtetërore. Por unë ia dola edhe këtu”. Ajo thjesht doli më e mira, absolute, me maksimumin e pikëve dhe me të gjitha dhjeta.

“Mora medaljen e artë siç i merrja në çdo olimpiadë. Unë jam një vajzë e zakonshme por me vullnet dhe dashuri të madhe për librat. Kësaj so ia dedikoja suksesin tim”,- thotë Merita duke shtuar se e ndien veten me fat për vullnetin që i ka falur Zoti dhe se këtë vit do të studiojë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Ajo tregon se studion çdo ditë rreth 8 orë dhe orët e para të mëngjesit i shijojnë më shumë për të lexuar. “Sot për fat ka mjaft libra për të marrë informacione të ndryshme. Edhe mësuesit më kanë ndihmuar. Kam shumë dëshirë të kem internet në shtëpi që të lexoj akoma më shumë për të rejat e fundit, por kënaqem edhe me këto që kam. Me librat”.

Një adoleshente e zakonshme mezi pret të dalë për një kafe në një vend të zhurmshëm me shokët e shoqet,  por ky nuk është ritmi i Meritës. “Kënaqem shumë të lexoj filozofi në kohën e lirë. Shoqen më të afërt e kam dy orë larg dhe për kafe nuk para dal. Ndoshta ndonjë moshatarit tim mund ti duket e habitshme por unë kënaqem tek lexoj”,- pohon me buzë në gaz adoleshentja.

 

Babai, Qamil Maloku:

Jam krenar për vajzën time edhe pse nuk munda t’ia plotësoj kërkesat dhe dëshirat që mund të ketë çdo bashkëmoshatar i saj. E di që ajo meriton më shumë por kushtet ekonomike dhe të ardhurat e mia nuk më kanë lejuar që ti ofroj më shumë. Falenderoj kryetarin e komunës i cili më ka mundësuar të paktën transportin e vajzës për në shkollë për 4 vjet se edhe këtë nuk do mundja t’ia siguroja çdo ditë. Shpresoj që shteti ti japë një bursë që ta vazhdojë tashmë degën e Mjekësisë që ka fituar ndryshe vërtet do ta kem të vështirë.

 

Nëna e Meritës:

Merita ka pasur gjithmonë zgjuarsi dhe vullnet në shkollë. Ajo nuk ka qenë kurrë në kopësht por që në klasën e parë ka qenë më e mira. Kurrë nuk e kam mësuar se si duhet të shkruaj apo të lexojë dhe kurrë nuk i kam thënë mëso sepse ajo i ka dashur gjithmonë librat. Madje ajo është një vajzë e rregullt dhe di shumë mirë të bëj edhe punët e shtëpisë. Zoti më ka bekuar me këtë vajzë dhe jam krenare për të.

 

 

JETA

Merita Maloku

18 vjeç

Qerekë, Nikel

Arsimi: gjimnazi “Isa Boletini”, Vorë

Shekulli

  • Postime: 12743

#1 ne: 14-09-2011, 17:00:33
Nje bravo e madhe per kete vajze duke shpresuar se shume te rinj te ndjehen te motivuar per ti dhene edhe ata vetes dhe arsimit vendin e merituar.


Sot shohim shume fenomene per te cilat mendojme....valle kjo do jete rinia qe do na pasoje??? por kur shohim vajza si Merita...mbushemi me shprese se ka edhe te tilla....

Temat e fundit