Dubai, në krye të botës ! - Gjeografi

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Dubai, në krye të botës !

Dubai, në krye të botës !

· 3 · 2951

  • Postime: 27102
  • Karma: +11/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 30-01-2007, 10:50:10
Një ekonomi gjithmonë e në rritje. Rrjet rrugor, teknologjik dhe ndërtesa nga më të bukurat në botë. Magjia e papërshkrueshme mes hoteleve me shtatë yje dhe parajsës së luksit. Qyteti i Emirateve Arabe është një model zhvillimi për Lindjen e Mesme. Madje, në 2008-ën do të ketë edhe grataçielën më të lartë mbi tokë. Dubai është një kantier financiar, portal, rrugor dhe teknologjik, që funksionin 24 orë në ditë.

Sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum porosit shumë herë se sekreti nuk duhet nxjerrë. Askush nuk duhet ta njohë lartësinë e Burj Dubait (në arabisht burj do të thotë kullë) deri në vitin 2008, kur të jetë përfunduar dhe hapur për publikun. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë se ajo grataçielë që po ngrihet në shkretëtirën e Emirateve në mes të grataçielave të tjera, do të jetë më e larta në botë, duke i kaluar 550 metrat. Mbahet kaq shumë sekret, sepse sheiku Al Maktoum nuk dëshiron që dikush tjetër, në ndonjë vend të botës, të deklarojë se është projektuar dhe vendosur guri i parë i ndonjë ndërtese që do të jetë më e lartë se e tija.

Ndaj, nuk është rastësi që sheiku Al Maktoum është numri një i Emiratit të Dubait dhe Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe (janë shtatë gjithsej) dëshiron të përsërisë: "Dubai gjendet në kryqëzimin ekonomik të botës së re. Këtu arritëm që të bëjmë brenda pesë vjetësh atë që në vendet e tjera bëhet për 20 vjet". Dhe është pikërisht kjo ëndrra sekrete e Al Maktoum, ta bëjë Dubain një vend të pandarë nga ekonomia e zhvilluar, turizmi, argëtimi dhe aplikimi i çdo teknologjie të re. Ose më mirë akoma, ta bëjë Dubain njëlloj si "motrat" më të zhvilluara perëndimore. Natyrisht, Dubai është bërë edhe një kantier politik në botën arabe, drejt së cilës shikohet me vëmendje dhe kujdes. I vendosur në qendër të një zone strategjike dhe të favorshme, Dubai dëshiron t‘i tregojë Lindjes së Mesme dhe gjithë botës se ekziston një tjetër rrugë zhvillimi, ku nuk përfshihet lufta për besimet dhe ajo e natyrave të tjera. Një shembull i mirë për Izraelin, Palestinën, Libanin, Sirinë, Iranin, Irakun, Jemenin, si dhe për ato vende, që prej vitesh të tëra janë duke përjetuar drama e tragjedi të mëdha, që duket se nuk do të zgjidhen kurrë, duke i bërë çdo ditë e më të pasigurta. Sigurisht nuk ekziston demokracia, siç e njohin në Perëndim, me parti deputetë, zgjedhje, të drejta, detyra dhe konflikte për t‘u zgjidhur. Është gjithmonë një sheik, ku nëse Al Maktoum vendos për diçka, vendimi i tij as që mund të diskutohet: një sistem autoritar, por i "zbutur" nga dita në ditë prej kontaktit me kulturat dhe me stilet e tjera të jetesës. Për të treguar ndryshimet, të ngadalta por të pashmangshme, mjafton të vësh re se prej një viti Ministria e Ekonomisë dhe Planifikimit drejtohet nga një grua, sheikja Lubna Al Rasimi, që mban mbi shpatulla një eksperiencë të gjatë në fushën financiare dhe tregtare. Megjithatë, kush i kthen sytë sot drejt "Burj al Arab", hoteli i parë në botë me shtatë yje, që është ndërtuar në një ishull artificial, nuk e kupton që ajo mrekulli që është kthyer në logon e Dubait në të gjithë botën, tashmë është pjesë e së shkuarës. E ardhmja nuk është vetëm Burj Dubai (kulla e Dubait), që ditë pas dite po mundohet të prekë qiellin. Me të njëjtin ritëm vazhdon të zgjerohet e modernizohet Porti i Emiratit, motori kryesor i zhvillimit, i cili është kthyer në nyjen më të rëndësishme të Gjirit Persik. Është pikërisht ai vendi ku mallrat kalojnë nga Perëndimi drejt Lindjes dhe e kundërta. Po ashtu, është vendosur që aeroporti i madh dhe bazë i shoqërisë "Emirates" nuk mjafton më. Për këtë arsye, ruspa, betoniere dhe vinça janë montuar tashmë në zonën ku po ndërtohen pistat e së ardhmes, në gjendje të veprojnë të gjitha së bashku dhe në çfarëdolloj kushtesh meteorologjike. Kur projekti të përfundojë (kostoja totale 8,1 miliardë dollarë) në Aeroportin e Dubait do të udhëtojnë çdo ditë rreth 120 milionë pasagjerë dhe do të shkarkohen 12 milionë tonelata mallra. Në bazë të gjithë kësaj që po ndodh në Emirate, ekziston bindja se nafta dhe gazi nuk janë të përjetshme. Ndaj është e nevojshme të mendohet për të ndërtuar një strategji të tillë, që puset të prishen dhe të furnizojnë me energji vetëm popullsinë lokale. Nga ana tjetër, Dubai posedon rezervat më të vogla të Emirateve të Bashkuara Arabe (më të rëndësishmet janë në territorin Abu Dhabi), kështu nëse në vitin 2000 hidrokarburet përfaqësonin 10,3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, sot kjo përqindje ka rënë në 5,4 për qind. Ndërsa tregtia dhe shërbimet prekin tashmë GDP-në, duke e bërë Dubain një nga ekonomitë më të larmishme të planetit, ku "bashkëjetojnë" dhe punojnë së bashku burra e gra nga 136 vende të ndryshme. Megjithatë, nga sheiku dhe ekipi i tij vazhdojnë të "lulëzojnë" ide që po çudisin botën. Kështu, për momentin, nuk bazohet gjithçka në kullën më të lartë të botës. Emirati ka vendosur të shfrytëzojnë sa më shumë të jetë e mundur bregdetin. Por, nëse mijëra kilometra janë aktualisht "off limits", sepse i përkasin rezidencës private të Al Maktoum, zgjidhja ka qenë ajo e të ndërtuarit të ishujve artificialë në një largësi të vogël nga deti, ku kanë lindur sipërmarrje në tregun e pasurive të paluajtshme vërtet luksoze, që në fund do ta bëjnë më të madh shtetin e 30 mijë hektarëve dhe brigjet më të gjata se 1500 kilometra. Quhen Palm Jumeirah, në prag përfundimi, Palm Rebel Ali, më e largëta nga qyteti dhe Pal Deira, që do të jetë më e madhja. Të tria kanë formën e një palme, ku do të ndërtohen vila, hotele dhe lokale, porte turistike e parqe. Të gjitha këto nisma janë pjesë e "Mnakheel", shoqëria operative e kontrolluar direkt nga sheiku Al Maktoum. Nëse këto janë tri iniciativat më të mëdha për pjesën bregdetare në tokë, sheikët kanë ndërtuar dy tempuj të golfit botëror, Greg Norman dhe Vijay Singh, me katër fusha të rrethuara me vila dhe shtëpi moderne, në një hapësirë prej 1200 hektarësh. Ndërsa njeriu që do të sigurojë argëtimin, përveçse do të vendosë se kush do të vizitojë Dubain, quhet Salem bin Dasmal. Është pikërisht ai numri një i projektit Dubailand, parku më i madh i argëtimit, një projekt madhështor, që ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit (hapja është parashikuar për në vitin 2008-të). Ai është i ndarë në zona homogjene: Është "Sport city" me stadiumin e futbollit prej 60 mijë personash dhe i bejsbollit prej 20 mijë, po ashtu edhe tre akademi: ajo e futbollit, e quajtur "Manchester Unitet", e tenisit dhe e golfit. Pastaj është "Motor city" me një cirkuit për Formula 1. Me pak fjalë, çdo lloj argëtimi, nga parku i dinozaurëve deri te lodrat, sa të thjeshta aq edhe të rrezikshme për ta që nuk e kanë shpirtin e aventurierit. Megjithatë, nga Dubailand diçka funksionon, si për shembull "Snow Dome", një impiant skish me teleferik, pista skish dhe për rrëshqitje, ku brenda mund të qëndrosh me një pallto sepse bën shumë ftohtë, ndërsa jashtë temperatura arrin 45 gradë celsius. Por, pas gjithë kësaj, Al Maktoum ka vendosur që Emirati i tij duhet të bëhej konkurrent i fortë edhe në fushën teknologjike e kulturore. Nëse projekti i parë "Dubai silicon" është në fazë të avancuar zhvillimi dhe parashikon të kalojë edhe Singaporin, Bangalorën, Hong-Kongun dhe Pudongun në fushën e elektronikës, i dyti është në fillimet e tij, megjithatë diskutimet kanë filluar. Është vendosur që të hapet një Luvër si ai i Parisit. Me pak fjalë, në Dubai sheiku dhe njerëzit e tij po bëjnë të pamundurën për ta vendosur vërtet në qendër të botës. Dhe për këtë arsye nuk kanë hezituar t‘u japin jetë projekteve një shifër totale prej 100 miliardë dollarësh.

G.Shqip

  • Postime: 7092
  • Karma: +35/-6
  • Gjinia: Femer

#1 ne: 08-02-2007, 21:41:44
Bravo i qofte:

Lum ai popull.

  • Postime: 27102
  • Karma: +11/-5
  • Gjinia: Mashkull

#2 ne: 31-07-2008, 09:53:43
Dubai, Las Vegasi i rërës dhe borës

Pazare, pista skie dhe superteknologji


Sunil, teksa qëndron i ulur në një tavolinë, nxjerr nga xhaketa portofolin dhe porosit tre çokollata të shkrira, gjysmë brioshi dhe një "SevenUp" për djalin e vogël Amita, pjesëtari i vetëm i familjes, i cili qëndron indiferent ndaj specialitetit të barit St.Moritz (i gjithë ambienti është përshtatur me një ditë të ftohtë dimri, madje edhe brenda tij bën shumë ftohtë). Në këtë vend bora nuk është e zakonshme dhe të gjithë njerëzit kanë mbetur pa fjalë. Këtu, në zemër të Dubait, Las Vegasi i shkretëtirës, të bësh ski apo të garosh me slitë është një eksperiencë unike për të gjithë. "Sky Dubai", mali artificial, i cili është i mbuluar me 6 mijë ton borë, inauguruar në 2006-ën brenda Qendrës Tregtare Emirates, ngrihet në periferinë jugperëndimore të qytetit.

Kush është i interesuar ta shohë këtë mrekulli, "skyline", krenarinë e Qendrës Ekonomike të Emirateve të Bashkuara, duhet të hyjë nën tokë dhe të sodisë këtë punë kolosale, që prej më pak se gjysmë shekulli arabët ndryshuan një arkipelag fshatrash ku jetonin rreth 150 banorë, në një metropol dhjetë herë më të populluar. "Në Nepal jetoj me 30 dollarë në muaj. Të emigroja ka qenë gjëja më e mirë që mund të bëja", tregon shoferi i "Arabian Adventure", ndërkohë që makina tip fuoristradë ecën me shpejtësi mbi dunat e shkretëtirës. Anash "Emirates Road", rruga që të shpie për në oazin Al Ein, mijëra bashkëkombës, indianë e pakistanezë, punojnë mbi skelat e reklamave: "Six Flags", "Universal", "City of Arabia". Sot ky vend është shndërruar në një kantier ndërtimi: në vitin 2010 do të jetë "Dubailand", një park i madh lojërash sa "Disneyland" dhe "Disneyworld", me 55 hotele, 300 mijë punëtorë, 200 mijë vizitues në ditë, autodrom dhe parkun Ferrari, me një pistë prej 250 mijë metrash katrorë. "Është njësoj si të fundosesh në borë të nxehtë", thotë një 23-vjeçar, pas mësimit të parë të "sandboarding", një rrëshqitje me tryezën e sërfit mes dunave të shkretëtirës. Prindërit po e presin në plazhin e "Royal Mirage", përpara "Palm Islands", dy ishujt artificialë të cilët janë në ndërtim e sipër. 23-vjeçari ka zgjedhur Safarin për të shijuar dasmën e një bashkëmoshatari të tij, i cili sapo është martuar së bashku me 349 çifte të tjera. "Martesa me shumicë", kështu është quajtur ceremonia për të ulur disi shpenzimet e larta të dasmës tradicionale. Shkretëtira mbetet burimi ekzotik, ku duke shijuar perëndimin e diellit harron vendin e grataçielave dominuar nga "Burj Dubai", hoteli në formë vele, më i larti dhe më i shtrenjti i botës. "Në Aeroporti Ndërkombëtar të Dubait hyjnë çdo ditë plot 15 mijë vizitues, ku gjysmat janë turistë dhe gjysma tjetër punëtorë", llogarit drejtori i zyrës së vizitave. Italia është gjashtë orë larg Dubait, Londra shtatë, Hong-Kongu tetë dhe Nju Jorku trembëdhjetë: në aeroportin më të ngarkuar të Lindjes së Mesme ulet çdo tre minuta një avion. Kjo, falë sheikut Maktoum bin Rashid al Maktoum dhe pasardhësit të tij Mohammed.

Në fillim të viteve ‘90, Maktoum kuptoi se nafta nuk do të zgjaste përjetësisht dhe pas vdekjes së tij ia dorëzoi të birit zhvillimin dhe ndërtimin e Dubait. Sipas Zyrës së Tregtisë, ari i zi zë 6 për qind të produktit të brendshëm bruto kundrejt 49 për qind që zë turizmi. Ëndrra sekrete e Al Maktoum është pikërisht që ta bëjë Dubain një vend të pandarë nga ekonomia e zhvilluar, turizmi, argëtimi dhe aplikimi i çdo teknologjie të re. Ose më mirë akoma, ta bëjë atë njësoj si "motrat" më të zhvilluara perëndimore. Dubain e veçojnë nga emiratet e tjera për industrinë e naftës. Burimet më të mëdha të tij janë: zona ekonomike speciale e Jebel Ali dhe turizmi, i cili është në rritje të vazhdueshme.

Një studente 22-vjeçare është ulur me mikeshat e saj në "Tonino Lamborghini Caffè", një bar-kafe vetëm për të rinjtë. Pasi bisedojnë për një copë herë, ngrihen dhe drejtohen për te dyqanet me rroba të shtrenjta: "Pushim do të thotë det, relaks, një shëtitje në Qendrën Tregtare". Kanë blerë një palë atlete "All Stars", dy bluza "Nike" dhe një gamile prej pellushi në mes të Emirateve, koncepti i vetëm i folklorit lokal.

"Festivali i pazarit simbolizon ambicien e popullit tonë, që çdo vit tërheq 3 milionë kureshtarë", bën të ditur drejtoresha e festivalit. "Në Dubai ndihem i sigurt", thotë një kalifornian teksa po pi një birrë dhe po shijon mbrëmjen. Osama bin Laden dhe sulmet e Xhihadit janë shumë vite dritë larg nga këtu, ndërsa lufta e shenjtë kundër Perëndimit, e shpallur nga islamikët radikalë, humbet mes dritave të metropolit.

Gazeta Shqip

Temat e fundit