Moska është një ndër qytetet më të vjetra dhe më të bukura të Rusisë. Perandorët ose carët e kthyen qytetin në bazën e tyre të urdhrave deri në vitin 1712, kur kryeqytet i Rusisë u bë San Petërburgu. Moska u rikthye në kryeqytet të Rusisë në vitin 1918 dhe shërbente si kryeqyteti i ish-Bashkimit Sovjetik nga viti 1922 deri në vitin 1991.

Moska ka një histori të gjatë dhe dramatike. Qyteti është shkatërruar dhe rindërtuar disa herë përgjatë viteve. Ndërtesat e saj më të vjetra prej druri janë zhdukur në zjarre. Sa herë që qyteti e merrte veten pas hirit të flakëve, bëhej gjithmonë e më i bukur. Për çdo ndërtesë të Moskës thirreshin arkitektët më të mirë nga e gjithë bota për ta restauruar. Historia e rikonstruksionit të Moskës është një ndër arsyet që ajo ka absorbuar stile të ndryshme e të veçanta.
Moska përshkohet nga lumi i Moskës, i cili përbëhet nga shumë degë, midis tyre Oka dhe Vollga. Degët më të mëdha të këtij lumi janë Yausa dhe Setun.
Ekziston një legjendë që thotë se Moska mbështetet në shtatë kodra. Në të vërtetë, kodrat janë vetëm një pjesë e territorit të Moskës, por pjesa më e lartë është ajo jugperëndimore e qytetit. Gjeografikisht, përkufizohet si “Teplostanskaya mbikodrinore”.
Pjesa qendrore e zonës së qytetit dhe ajo lindore janë më tepër të rrafshëta dhe të ulëta. Klima e Moskës është kontinentale, më tepër se në çdo qytet tjetër evropian. Temperaturat janë tepër të ulëta. Periudha e shirave zgjat nga prilli në nëntor, ndërsa periudha e borës nga nëntori në prill.
Një vështrim mbi eventet e Moskës
Një numër i madh festivalesh zhvillohen në Moskë, sipas traditës së kishës ortodokse. Krishtlindjet ortodokse fillojnë me meshën në mesnatën e 7 janarit. Pashkët ortodokse, të njohura si “Paskha”, festohen në mars ose në prill dhe fillojnë në mesnatë me një ceremoni në kishë, pas së cilës njerëzit hanë kekun e veçantë të kishës, si dhe vezë me ngjyrë.
Si një traditë shumëvjeçare, festivali i filmit i Moskës e ndryshon atmosferën e qytetit gjatë vjeshtës. Ndërsa “Festivali rus i dimrit” është më tepër një panair turistësh, në të cilin zhvillohen shfaqje të ndryshme folklori, lojëra dhe ku vodka konsumohet me shumicë. Ky festival festohet gjatë periudhës së 25 dhjetorit deri më 5 janar.
“Novy God” është “viti i ri rus” dhe është festivali më i rëndësishëm i vitit, në të cilin bëhen dhurata pa fund, shpesh të vendosura poshtëë bredhit të Vitit të Ri. Moskovitët e lënë pas vitin e vjetër me vodka dhe e mirëpresin vitin e ri me shampanjë.
Çfarë mund të bëni tjetër në Moskë?
NotiPishinat publike janë disi dredharake, pasi të duhet një vërtetim mjeku, i cili të pohojë se jeni aq të shëndetshëm sa të mundeni të zhyteni. “Pishina Chaika” ofron vetë një kontroll të tillë. Në ditët me diell të verës mund të shkoni në Serebryaniy, në pjesën veriore të qytetit, për të ndjerë pak nga ngrohtësia e rërës.
Qetësim
“Banya” është një traditë e vjetër ruse dhe shumë moskovitë e kanë atë pjesë të rëndësishme të javës së tyre. Elementët kryesorë të saj janë një dhomë me avuj të nxehtë (e cila, siç thuhet me shaka, i bën finlandezët të duken të butë) dhe një kamxhik i mirë prej mështekne (sigurisht për vetitë e tij detoksifikuese). Banjat Sandunovskiye, me dhomat gotike dhe me atmosferën e përgjithshme aristokratike dekadente, janë vendi më i përshtatshëm “për të thekur” veten.
Ski në borë
Rusia nuk mund të konceptohet pa ski në borë. Është aktivitet klasik, i cili do t’ju sjellë në kontakt me banorët vendës. Vendet më popullore dhe më tradicionale janë “Gorky Park” dhe “Izmaylovsky Park”.
Çfarë mund të vizitoni në Moskë?
Muzetë e Kremlinit të MoskësKremlini i Moskës është zemra e kryeqytetit rus. Rrugë kryesore të qytetit takohen në një pikë në Kremlin ose formojnë seri rrathësh koncentrike rreth tij. Pallati i madh i Kremlinit dhe Pallati i Kongreseve janë vendet e zhvillimit të kongreseve të deputetëve të Rusisë.
Koleksionet e muzeve të Kremlinit janë të veçanta në llojin e tyre. Ato përmbajnë piktura të hershme ruse, ikona, fresko të shekujve të 12–17-të, karroca, slita dhe rroba ceremoniale kuajsh të shekujve të 16–19-të, tapete orientale dhe tapiceri europiane përëndimore, artikuj nga argjendari ruse dhe europiane, artikuj shtëpiakë, libra, porcelane, gurë të gdhendur dhe gjetje arkeologjike.
Muzetë me famë botërore të Moskës dhe galeritë me koleksionet e tyre janë disa nga më të mëdhenjtë e më të rëndësishmit në mbarë botën. Ekzibicione të ndryshme arti shpalosin bashkë të renë me klasiken, ashtu siç bënin dikur në kohërat pararevolucionare dhe derivohen nga degë të ndryshme të artit, si piktura, fotografia dhe skulptura.
Një nga muzetë e artit më të vizituar në Moskë është Galeria Tretyakov, e cila u hap nga Pavel Tretyakov, njeri shumë i pasur i artit, i cili dhuroi një koleksion privat shumë të madh. Kjo galeri është e ndarë në dy ndërtesa.
Tretyakovi i Vjetër, galeria e vërtetë në zonën Tretyakovskaya, në pjesën jugore të lumit të Moskës, përmban punimet tradicionale klasike ruse. Punimet e piktorëve pararevolucionarë të famshëm, si Ilya Repin, ashtu si edhe punimet e piktorëve rusë të ikonave, mund të gjenden në këtë galeri. Vizitorët mund të shikojnë edhe piktura të rralla origjinale të përpara shekullit të 15-të, të punuara nga ikonografi Andrei Rublev.
Tretiakovi i Ri, i krijuar gjatë epokës sovjetike, kryesisht përmban punimet e artistëve sovjetikë, si edhe koleksione kontemporane.
Një tjetër muze në qytetin e Moskës është edhe Muzeu Pushkin i Arteve Të bukura, i cili është hapur nga i ati i Maria Tsvetaevas. Muzeu Pushkin është i afërt me Muzeun Britanik të Londrës, në hollet e të cilëve kryqëzohen punime të civilizimit modern me skulptura antike. Ky muze përmban piktura të famshme nga çdo epokë e rëndësishme e artit përëndimor, punime nga Klaude Monet, Paul Cezanne dhe Pablo Picasso.
Muzeu Historik Shtetëror i Rusisë është muze i historisë ruse, në të cilin përfshihen që nga reliket prehistorike e deri punimet e artit të dinastisë Romanov.Totali i objekteve në muze numëron miliona.Muzeu Politeknik u formua në vitin 1872 dhe është muzeu më i madh teknik në Rusi, i cili ofron një sërë shpikjesh historike dhe zhvillimesh teknologjike.
Moska është gjithashtu zemra e arteve ruse të performuara, përfshi këtu baletin dhe filmin. Në Moskë ekzistojnë 93 teatro, 132 kinema dhe 24 salla koncertesh. Midis shumë teatrove të Moskës dhe studiove të baletit, është edhe Teatri Bolshoi dhe Teatri Malyi, por edhe Moscow Art Theatre.
Salla Qendrore Shtetërore e Koncerteve është e famshme për performancat e baletit dhe estradës, si dhe është vendi i koncerteve të artistëve të mëdhenj. Është e pozicionuar pranë ndërtesës së Hotel Rossiya, më i madhi në Europë.
Qendra Ndërkombëtare e Arteve të Performuara të Moskës u hap në vitin 2003 dhe njihet për performancat e muzikës klasike. Gjithashtu, ka organon më të madhe në Rusi.Në Moskë ka edhe dy cirqe të mëdha, Cirku Shtetëror i Moskës dhe Cirku i Moskës në bulevardin “Tsvetnoy”.
Revista Spekter