Aktivizohet ishulli vullkanik në Itali
Vihen në zbatim planet e emergjencës, autoritetet civile në gatishmëri
Planet e emergjencës janë vënë në veprim pasi dy kratere të reja u hapën në majën e ishullit vullkanik italian të Strombolit. Një nga burimet e reja të llavës, pak në veri të Sicilisë, ka filluar të derdhet në det. Anijet e patrullimit të rojave bregdetare, kanë nisur kontrollet dhe 750 banorëve të ishullit iu është kërkuar të qëndrojnë larg zonave të rrezikut. Shpërthimi i madh, i fundit, ka qenë në vitin 2002 dhe shkaktoi një kolaps të tillë që çoi deri në një cunam të vogël. Valët arritën lartësinë 10 metra dhe shkaktuan dëme të shumta në fshatin e Strombolit, në veri të ishullit. Korrespondentët thonë se llava për momentin përbën pak rrezik. Por, ekspertët thonë se gjithçka do të mbahet nën vëzhgim. Një pjesëtar i autoriteteve civile të mbrojtjes tha se është vënë në fuqi gjendja e alarmit. Shërbimet e emergjencave po monitorojnë situatën dhe po spastrojnë zonat më të rrezikuara. "Për momentin, nuk parashikojmë asnjë evakuim", thotë ai. Vullkani, që ngrihet 2 mijë metra mbi nivelin e oqeanit, ka qenë aktiv për të paktën 2 mijë vjetët e shkuar. Pjesa më e madhe e shpërthimeve kanë qenë thjesht shpërthime gazi që kanë lëshuar vetëm sasi të vogla llave mbi buzët e kraterit. Ndërkohë, aktualisht numërohen disa shpërthime brenda një ore. Shpërthimet e mëdha dhe rrjedhjet e llavës, janë të rralla. Shpërthimi i dhjetorit 2002, detyroi mbylljen e ishullit për vizitorët, për disa muaj. Stromboli është në fakt një nga vullkanet më aktivë në tokë. Shumica e shpërthimeve të tij kanë qenë të vogla, por nuk kanë munguar as shpërthimet e fuqishme. Stromboli është një ishull i vogël me diametër rreth 2 kilometra dhe ngrihet 900 metra mbi nivelin e detit. Shkencëtarët italianë, më herët, janë përpjekur të krijojnë një sistem që do të paralajmëronte para kohe për shpërthime të reja të mëdha, në ishullin vullkanik. Italia, ndërkohë, është një terren i rrezikshëm dhe më shumë se 40 qytete, vetëm në Kalabri, janë në listën e zonave të kërcënuara nga vullkanet.