Rusia e Vladimir Putin - Historia Bashkekohore

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Rusia e Vladimir Putin

Rusia e Vladimir Putin

· 10 · 1619

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 26-11-2009, 13:54:57
Diskutimi, parashikimet e thashethemet për pasardhësin e Vladimir Vladimiroviç Putinit në krye të Rusisë, filluan gati tre vjet para se të përfundonte mandati i tij kushtetues

Medvedjevi para pasqyrës, sheh në të Putinin

Teodor LAÇO

Gati tre vjet para mbarimit të mandatit të fundit, në opinionin shoqëror rus, bëri krye mendimi nëse Putini duhej të merrte edhe një mandat të tretë apo jo. Kushtetuta, pjesa e 3-të, neni 81, në mënyrë taksative përcaktonte se Presidenti nuk mund të zgjidhej për më shumë se dy mandate. Në një takim me kryeministrin e Finlandës që e pyeti rreth kësaj mundësie, ai tha buzagaz: "mund që unë të dua, por nuk e lejon Kushtetuta". Zërat që kërkonin një ndryshim të Kushtetutës ose e pakta zgjatjen e mandatit të tij, gjatë vitit 2006, u bënë edhe më autoritare. Presidenti i Kazakistanit, Nazarbajev, që ia kishte dalë ta zgjaste pa afat kohor mandatin e vet, i sugjeroi Putinit të ndiqte shembullin e tij. Nuk do të ishte ndonjë përjashtim shqetësues nga morali i botës demokratike të Perëndimit. Në SHBA, vërtet Presidenti s'mund të merrte më shumë se dy mandate, por në Francë ai mund të zgjidhej pa kufizim. Kryetari i Këshillit Federativ, Sergej Mironov, që rrekej ta afronte Putinin me partinë që do të drejtonte "Rusia e Drejtë", kryetari i qeverisë së Osetisë së Veriut Mansurov, ai i Çeçenisë, Kadirov, lideri liberaldemokrat, Zhirinovski dhe figura të tjera, kërkuan ndryshimin e Kushtetutës. Putini kundërshtoi sërish "Jam një qytetar dhe jo një qytetar politik. Stabiliteti i Rusisë nuk bazohet në një figurë të vetme, por në Kushtetutë", tha ai në një takim me politologë të Perëndimit. Nuk mund të mbetej pas edhe udhëheqja e partisë qeveritare "Rusia e Bashkuar". Grizllovi, kryetari i partisë dhe i Dumës shtetërore, në "Rossijskaja gazeta" të 17 tetorit të 2007, u shpreh "Putini do të mbetet lider i Rusisë. Fjala nuk është vetëm për raportet midis forcave politike. Fjala është për të ardhmen e Rusisë, për vazhdimësinë e një kursi që ruajti shtetin, siguroi zhvillimin e tij, u ktheu njerëzve besimin te vendi i tyre". Dhe duke vazhduar fushatën për partinë që tani kishte në krye të listës Putinin, tha se problemi i liderit të vendit do të zgjidhet në 2 dhjetor dhe se një lider i tillë, është, duhet të jetë dhe do të jetë Vladimir Putini. Ishte një propagandë elektorale e paligjshme dhe komunistët hapën kundër tij një proces gjyqësor, që si pritej, nuk do të sillte asgjë. Me grupin e atyre që kërkonin ndryshimin e Kushtetutës për një mandat të tretë, u bashkuan me një peticion edhe drejtuesit e shoqatave kryesore të artistëve, regjisori i nderuar me Oskar, Nikita Mihallkovi dhe skulptori më i famshëm i kohës në Rusi, autori i monumentit madhështor të Pjetrit I mbi lumin Moska, Çereteli. Në disa momente, u duk sikur Putini do të pajtohej me këtë trysni, por asnjëherë nuk u shpreh hapur. Zbuluesi i vjetër mbeti i fshehtë, enigmatik deri në ditën kur, para se të jepte emrin e pasardhësit, duke e lënë pezull si gjithmonë të ardhmen e tij, tha se ndoshta mund ta pranonte propozimin për të drejtuar qeverinë e ardhshme. Ky ishte një Putin tjetër nga ai i vitit 2000 që u shfaq i druajtur, fjalëpakë. Më i ashpër, më i vendosur, i sigurt në vetvete, ai po i përshfaqte Rusisë dhe botës një stil të ri drejtimi të Kremlinit. Herë me dinakëri e herë me agresivitet, herë në mbrojtje e herë në sulm, po i shpërfillte dita-ditës akuzat e Perëndimit për demokracinë e cunguar, për mungesën e lirisë e të drejtave të njeriut, për censurën dhe manipulimin e mediave e të tjera, që ia bënin pareshtur. Stili i tij nuk mund të quhej luftarak i hapur. Nuk bërtiste, nuk kërcënonte, nuk kalonte në konflikte histerike, duke i shokuar partnerët. Nganjëherë, ai shfaqte madje një cinizëm që dukej si i bartur nga kohërat sovjetike, kur vendi i sovjetëve e reklamonte veten si kampioni i lirisë e drejtësisë në botë. Në një intervistë në qershor 2007 ai u shpreh me këto vetëvlerësime e vlerësime të të tjerëve: "A jam unë një demokrat i ujit të kulluar, kujtoi ai pyetjen që i kishin bërë në samitin e Samaras. Sigurisht, unë jam një demokrat absolut dhe i kulluar. Por a e dini ku është e keqja? Madje jo e keqja, por tragjedia e vërtetë. Në atë që unë jam i vetmi i tillë, nuk ka të tjerë të tillë në botë. Le të shohim ç'ndodh në SHBA. Një tmerr i vërtetë: tortura, të pastrehë, Guantanamo, mbajtje në burg pa gjyq dhe hetim. Shikoni se ç'ndodh në Evropë: dhunë e egër mbi demonstruesit, përdorimi i plumbave prej gome, gazit lotsjellës herë në një kryeqytet e herë në një tjetër, vrasje e demonstruesve nëpër rrugë. Unë nuk flas për periudhën postsovjetike. U ngjall njëfarë shprese për çunat e Ukrainës, por edhe ata e diskredituan veten plotësisht dhe gjendja aty po shkon drejt një tiranie… Pas vdekjes së Mahatmata Gandit, s'ke me kë të flasësh!" Por nuk rrjedh shumë ujë dhe ai do ta vërë nga ana tjetër pllakën e gramafonit. "Kur të shohin forcën tonë që e shfaqim me raketat e reja, "kopanin energjetik", unitetin nacional, retorikën e re të politikës së jashtme, bota do të na llogaritë ndryshe nga dje", ligjëron ai. Politologët e krahasuan me njërin nga presidentët amerikanë të fillimit të shekullit 20, Teodor Ruzveltin i cili thoshte: "Fol qetësisht, por mbaj me vete një kopan të fortë. Atëherë do të shkosh larg". Në retorikën e tij, pa harruar asnjëherë të nënvizonte e të përsëriste sukseset e viteve të tij, para se të vendoste përfundimisht të largohej, ai nuk ngurroi të theksonte edhe problemet e mprehta të shoqërisë ruse. E tha hapur se kishte një diferencë të madhe midis të ardhurave të të pasurve me ato të të varfërve, se duheshin siguruar më drejtësisht të moshuarit dhe invalidët. Se duhej bërë shumë më tepër në fushën e shëndetësisë e të arsimit, për forcimin e fuqisë mbrojtëse të vendit dhe për zhvillimin e fshatit. Këto fjalë u thanë në kongresin e partisë "Rusia e Bashkuar", kur ai pranoi kërkesën për të kryesuar listën e saj, duke e mbyllur përfundimisht mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës. "Ndryshimi i Kushtetutës për një njeri të vetëm, madje edhe sikur ky njeri të isha unë, pa dyshim është jokorrekte" përsëriti ai.

Qeveritë e periudhës së tij, ajo e Kasjanovit e Fradkovit, vetëkuptohet edhe ai vetë, u akuzuan shpesh për mungesën e një plani të qartë perspektiv, për një drejtim spontan, sipas situatave të ditës. Kjo gjë nuk u diskutua ndonjëherë me frymë kritike, por në heshtje, duket se u pranua si një e vërtetë, qoftë edhe e paplotë. Në kundërpeshë të saj, politologët afër tij, thanë se politika ekonomike e Putinit, pavarësisht mungesës së strategjisë, ishte e efektshme. Ai nuk bëri gabime të mëdha që t'ia përkulnin shpinën vendit. Në fund të fundit, popullariteti në rritje flet në favor të tij. Rusët mbajnë shumë shpresa tek individi në krye të pushtetit, por ato luhaten lehtë nga entuziazmi te zhgënjimi i plotë. Erdhi Gorbaçovi, ky do të na shpëtojë. Pastaj doli se ai qe i tukequr, "me shenjë", fajtor për çdo gjë. Erdhi Jelcini, muzhiku i mirë që do të na shpëtojë. Doli që qe pijanec, fajtor për çdo gjë. Për Putinin, këto nuk mund të thuheshin. Për t'i vënë kapakun që pritej periudhës së tij, në telebisedën e gjashtë të drejtpërdrejtë me popullin në mbyllje të 2007, ai i dha përparësi pikërisht strategjisë ekonomike. Për ta mbështetur atë, s'mund të harroheshin sukseset, pavarësisht se për ato ishte folur deri në mërzi. Rusia hyri në 7 ekonomitë më të mëdha të botës. Në 8 vjet, investimet e huaja u rritën 7 herë, shkëmbimi tregtar me botën 5 herë, të ardhurat reale të qytetarëve 2.5 herë. Dinamika e zhvillimit të ekonomisë e kalon dukshëm mesataren botërore. Në 9 vitet e fundit GDP në botë u rrit 46%, kurse në Rusi 80%. Vetëm gjë 2007 pagat u rritën 16.2%, varfëria ra nga 30% e popullit në 2000 në 14% në 2007. Demografia që ishte në rënie, një rrezik potencial i madh, u stabilizua dhe në 2007 lindjet ishin më të lartat në 25 vjet. Rritja e pagave të ulëta, e pensioneve, synoi të kompensonte inflacionin e lartë dhe rritjen e çmimeve. U arrit një kthesë e qartë në pjesëmarrjen e shtetit në zhvillimet reale ekonomike, në ruajtjen e parametrave të rritjes makroekonomike, në kontrollin e inflacionit. Mekanizmi i bashkëpunimit privat-shtet ishte ai që siguroi rritjen e buxhetit dhe të fondit të stabilizimit. Kundërshtarët e modelit rus të ekonomisë së tregut, që u përcaktua në këtë strategji, edhe më tej do ta vënë në dyshim këtë pjesëmarrje të shtetit në këtë ekonomi, por përvoja tregoi se duke kthyer kontrollin e paketës së aksioneve të shtetit te "Gazprom", duke marrë "aktivet" e Jukos dhe Sibnjeft, aksionet kryesore të Sberbank dhe Vnjeshtorgbank (Banka e Kursimeve dhe ajo e Tregtisë së Jashtme), shteti ia doli të lajë gjithë borxhin e jashtëm dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e monedhës. Orientimi i ri ekonomik, duhej të ndryshonte mjaft, nga lëndët e para drejt faktorëve të brendshëm që siguronin punësimin e njerëzve: ndërtim, industri përpunuese, tregti. Ekonomia duhej vënë në binarë të rinj rinovimi nëpërmjet shkencës e teknologjisë, ku sërish shteti do të ketë rol kryesor. Pseudoliberalët që besojnë se progresi teknik do të vijë nga konkurrenca e tregut, sigurisht do të mbeteshin të zhgënjyer nga kjo platformë. Ende edhe për disa vjet, mjetet monetare të përfituara nga kërkesa botërore për hidrokarbure, do të përdoreshin për zhvillimin e gjithë sektorëve të ekonomisë dhe të fshatit e jo për politika sociale. Fondi që ruhej për situatë të jashtëzakonshme e që quhej Fondi i stabilitetit, duhej të rritej edhe më. Por vektori kryesor i këtij kapitalizmi shtetëror, në analizë të fundit, duhej t'i shërbente rritjes së mirëqenies, luftës kundër varfërisë, krijimit të shtresës së mesme të qytetarëve, nëpërmjet zhvillimit të biznesit të mesëm e të vogël. Katër programet nacionale për bujqësinë, arsimin, shëndetësinë e strehimin, do të mbeteshin prioritare për shumë kohë. Putini shprehej pa kurrfarë modestie se nuk shihte dështime në punën e tij. "Jam i kënaqur nga rezultatet e punës sime", deklaroi ai në konferencën e lamtumirës për shtyp më 14 shkurt 2008, ku përsëriti me vendosmëri se nuk e kishte tunduar asnjëherë ndryshimi i kushtetutës për t'u bërë sërish president. Por kjo deklaratë tingëllonte tani paksa si kofini pas të vjelit, sepse pasardhësi i tij ishte emëruar.

Duke dashur të lërë "amanetet" e tij për pasardhësin, Putini tha se pavarësisht se Federata arriti në 7-8 vitet e fundit të përballet me sukses me terrorizmin e separatizmin, ende ka shumë rreziqe dhe kërcënime me të cilat Rusia duhet të përballet, duke nënkuptuar këtu vendosjen e sistemit të mbrojtjes antiraketë nga amerikanët në Poloni e Çeki, përfshirjen e mundshme në NATO të Ukrainës e Gjeorgjisë etj., si dhe rrezikun permanent të korrupsionit zyrtar. "Ne kemi bërë shumë për mbrojtjen dhe spastrimin e skalioneve të pushtetit shtetëror nga ndikimet antiligjore" theksoi ai, duke marrë në mbrojtje stafet aktuale të emëruara prej tij. Pyetjes nëse i pëlqeu apo e lodhi presidenca, ai iu përgjigj se ka përballuar një ngarkesë të madhe emocionale e morale për shkak të ndjenjës së madhe të përgjegjësisë për shumë vendime që duhej t'i merrte vetë. Në një prognozë për zhvillimet e Rusisë deri në vitet 2020, ekspertët e ekonomisë e vënë theksin te synimi që ajo të mos jetë më një burim lëndësh të para, por një shoqëri "inovative" që nënkupton prodhimin e teknologjive të reja. Kjo është një ambicie për konkurrencë me shtetet më të zhvilluara që e rinovojnë ekonominë e tyre duke synuar ndaj teknologjive sa më të sofistikuara e fitimprurëse, por duke ditur resurset e saj, midis të cilave vitet e fundit po vlerësohen gjithnjë e më shumë rezervat e mëdha ujore, dëshira mbetet paksa virtuale dhe për sa kohë bota nuk do të mund të zgjidhë kërkesat energjetike me burime të tjera alternative, Rusia, vendet e OPEK-ut, Venezuela e ndonjë tjetër, do të ndikojnë në marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, pikërisht nëpërmjet eksportit të këtyre lëndëve të para. Sidoqoftë, në Rusi e kanë të qartë se nuk ka rrugë tjetër të veçantë për modernizimin e vendit të tyre, përveç asaj të ekonomisë së tregut, pronës private, iniciativës së individit, bankave, kapitalit aksioner, hipotekave të pasurisë dhe formave të tjera të sprovuara tashmë nga perëndimi. Koha e kolektivizmit, e pronarit të vetëm që quhet shtet, ka perënduar përgjithmonë. Modernizimi nuk kërkon vetëm një imperativ ekonomik, por edhe moral, për të ngulitur një besim më të madh në vetvete. Rusët, që në nënvetëdijen e tyre ende besojnë se një "car" i mirë mund të bëjë për ta çudira, janë një popull idealist, ëndërrimtar, jo dhe aq pragmatist sa popujt e tjerë të edukuar tashmë me individualizmin. Udhëhiqen më shumë nga zemra sesa nga arsyeja. Miti sllavofil është një letrarizim romantik që nuk ka më forcë ndikuese dhe gravitet kulturor. Pyetja nëse pas më shumë se gjysmë shekulli Rusia do të ekzistojë si është sot apo do të fuqizohet në një botë më globale, nuk është e lehtë për t'i dhënë përgjigje. Ka një përvojë tashmë që quhet Bashkimi Evropian i cili, pavarësisht se s'mund të thuhet që ka arritur rezultate madhështore, jashtë çdo dyshimi, në një pikë ato i ka arritur. Është bërë lojtar kryesor në politikën botërore.

* * *

Diskutimi, parashikimet e thashethemet për pasardhësin e Putinit, filluan gati tre vjet para se të përfundonte mandati i tij. Kjo nuk dukej e panatyrshme për realitetin rus, që e kishte përjetuar këtë situatë edhe në periudhën e Jelcinit. Por nëse hamendjet luhateshin gjithandej, nëpër emra që shpesh ishin spekulime të mediave për të sjellë në vëmendje edhe individë që rrekeshin t'i kujtonin opinionit se "jam edhe unë!", një gjë ishte i sigurt për të gjithë. Pasardhësi do të ishte i zgjedhuri i Putinit. Autoritarizmi i tij, në vrap e sipër për më larg e më lart, nuk mund të pranonte një mënyrë tjetër përzgjedhjeje, aq më shumë kur dihej se gara e mëtuesve do të ishte e fituar nga beniamini i tij. Për shumë kohë, pavarësisht heshtjes së carit, pasardhësi i tij konsiderohej Dmitri Medvedjevi. 40-vjeçari nga Shën Peterburgu, i përmbushte më së miri kërkesat për të qenë trashëgimtar i fronit. Kishte bashkëpunuar me Putinin prej vitesh, qëkurse të dy ishin në Bashkinë e kryeqytetit të veriut, ishte sjellë prej tij në Administratën e Presidencës, kabineti me kompetenca të gjera në paradhomën e presidentit, kishte drejtuar për llogari të shtetit si aksioner kryesor gjigantin Gazprom dhe ishte tashmë zv/kryeministër i vendit, nën Fradkovin që megjithëse hynte nëpër listat mediatike si kandidat, kishte pak gjasa të zgjidhej si i tillë. Por në vitin 2006 Putini bëri një lëvizje taktike që e vuri gjithçka në pikëpyetje. Emëroi një zv/kryeministër të dytë, të të njëjtit rang me Medvedjevin. Ky ishte ish-ministri i Mbrojtjes, Sergej Ivanov. Më me përvojë në pushtet sesa djaloshi Medvedjev dhe sidomos i mbështetur nga rrethet e "të fortëve", Ivanovi u duk se do ta eklipsonte rivalin e tij, aq më tepër kur qëndrimet e politikës së jashtme ruse po anonin dita-ditës pikërisht nga përshfaqja e forcës dhe jo e kompromisit që i vishej si vlerë Medvedjevit. Ndërkohë, Putini luante kukafshehtas. Nuk shfaqte asnjë preferencë. Ndoshta donte të zbulonte përtej asaj që dinte, duke i lënë mëtuesit pezull, me atë dinakërinë se pritja do t'i nervozonte e do t'i detyronte të luanin me karta të hapura? Kjo duhet marrë thjesht si pandehmë. Në vjeshtë të 2007, kur Fradkovi, i lodhur apo i detyruar, dha dorëheqjen dhe në vend të tij u soll nga pensioni Zubkovi, njëri që dinte të fshehtat e kontrollit shtetëror, por që njihte edhe veprimtarinë e FSB-së, kartat u ngatërruan edhe më shumë sepse ai ishte vjehrri i Ivanovit.

Ndërkohë, lëmshi po mblidhej dhe pasi e bëri të qartë që nuk do të pranonte as shtytje të mandatit as ndryshim të Kushtetutës, Putini vendosi të shpallte emrin e pasardhësit. Ky do të ishte Dmitri Medvedjevi. Zgjedhja e tij u prit me interes brenda e jashtë Rusisë. Ishte një lloj pohimi i tërthortë se Putini po përzgjidhte kursin më liberal në raport me botën. Veçanërisht me nota pozitive u shpreh Kondoleza Rais, e cila e kishte njohur politikanin e ri që dukej i prerë sipas stofit Perëndimor. Për të qenë "në rregull" me parlamentarizmin, emri i tij doli nga një tryezë ku morën pjesë dy partitë parlamentare "Rusia e Bashkuar" me Grizllovin dhe "Rusia e Drejtë" me Mironovin dhe dy parti joparlamentare, ajo agrare e ajo demokratike. Medvedjevi, pa humbur kohë, bëri propozimin që pritej. Në rast fitoreje, nëse pranonte, Putini mund të kryesonte qeverinë. Ky tha gjithashtu atë që pritej: Medvedjevi ishte një njeri që ai e njihte mirë, me të cilin mund të bashkëpunohej. Në Rusi vërtet Presidenti ka fuqi e kompetenca të mëdha që ia jep Kushtetuta, por edhe qeveria ka në dorë zbatimin e programeve të zhvillimit, hartimin e ligjeve e të tjera. Ajo që nuk përmendej, ishte se një nga kompetencat e presidentit është se ai mund ta shkarkojë e emërojë kryeministrin kur t'ia dojë kokrra e qejfit. Në garën presidenciale ku veç Medvedjevit, morën pjesë të përhershmit Zjuganov e Zhirinovski, më tepër për të testuar elektoratin e tyre sesa për të fituar si dhe djaloshi Bogdanov që kryesonte një parti demokratike, fituesi dihej me kohë. Aq më tepër kur një rival tjetër potencial, ish-kryeministrit Kasjanov, dikur gati po aq popullor sa edhe Putini, iu mohua kandidimi me pretekstin se në listën e mbështetësve të tij, u gjetën firma të falsifikuara. Mbetej e panjohur nëse përqindja e mbështetësve të Medvedjevit, do të kalonte 2/3 e elektoratit, gjë që doli se ishte punë e kryer. Më 7 maj Putini do t'i dorëzonte atij çelësat e Kremlinit, duke pranuar ato të Shtëpisë së Bardhë ku është selia e qeverisë. Në prill të 2008, ai do të merrte një "çelës" tjetër që do ta fuqizonte edhe më tej pushtetin e ndikimin e tij në Rusi: pranoi të marrë kryesimin e partisë "Rusia e Bashkuar" që, duke kontrolluar 70% të Parlamentit dhe në situatën e mungesës së një opozite të përfillshme nga e majta dhe aq më shumë nga e djathta, duke e përcaktuar veten si "parti centriste", ka gjasa që për një kohë relativisht të gjatë të krijojë në Rusi pushtetin njëpartiak, me një surrogat opozitë. Në ndërkohën midis marrjes së detyrës, Medvedjevi bëri deklarata që nuk kishin asnjë nuancë dallimi nga ato të paraardhësit. Po ato qëndrime të papajtueshme me vendosjen e sistemit antiraketë, të njëjtat deklarata për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, në sinkron me Serbinë kundër pavarësisë, po ato teza për rrezikun e nxitjes së separatizmit në territorin postsovjetik. Deri tani, ai është shfaqur si një klonim i Putinit. Në një karikaturë të shtypit rus, Medvedjevi para pasqyrës, sheh në të Putinin. Nëse do ta gjejë ose jo një vetvete të denjë për të qenë një drejtues ndryshe apo do të mbetet një klonim, kjo është një pikëpyetje që vetëm ai dhe e ardhmja mund t'i japin përgjigje.

RD

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 26-11-2009, 13:55:46
Dy muaj pas zgjedhjes Putini u gjend në mes të një vorbulle tjetër. Ishte një krizë parlamentare edhe më e fortë se ajo paszgjedhore e 1999 kur Duma u gjend e paralizuar

Si i përballoi Putini prapaskenat e oligarkëve të padëshirueshëm

Teodor LAÇO

Brenda strukturave e njerëzve influentë të vendit, po ngjizej dita-ditës koalicioni anti-Putin. Gurin e themelit të këtij koalicioni e vuri Berezovski. Oligarku idhnak e hakmarrës, në maj të 2000-it doli me një letër të hapur për presidentin, ku e akuzonte për uzurpimin e pushtetit, që lidhej me reformën e organizimit të qarqeve federale dhe projektin për reformimin e Këshillit të Federatës. Letra u komentua në fillim si një orvatje e politikanit ambicioz për të rifituar ndikimin e dikurshëm në Kremlin, por shpejt u kuptua se synimi ishte më i madh: destabilizimi i gjendjes së brendshme. Berezovski bëri çmos që të bënte për vete guvernatorët e pakënaqur, por shpejt u pa se ata, secili më vete, llogaritnin lëkurën e tyre. Atëherë ai shpalli formimin e partisë së vet, të oligarkëve e guvernatorëve dhe formoi një media-hollding të fuqishëm me kanalet televizive ORT dhe TV-6, gazetën "Njezavisimaja gazeta" dhe "Komersant", radiostacionin "Majak" etj. Putini hodhi në opozitë kundër vetes, jo vetëm grupin e Berezovskit, që bashkë me ish-sekretarin e KQ-së së PK, Jakovlev dhe 7 autorë të tjerë botuan një pamflet "Adresim te populli", por edhe shumë nga krerët e rajoneve e guvernatorët e fyer prej humbjes së statutit të tyre politik, pas reformës për rregullat e formimit të Këshillit të Federatës. Berezovski ia doli të rekrutojë edhe disa autoritete të inteligjencës krijuese si Aksjonov, Govoruhin etj., dhe deklaroi krijimin e një lëvizjeje antiautoritariste me emrin "Qytetërimi". Kundërgoditja i dukej Putinit mënyra më e sigurtë për të hequr qafe këtë opozitë të mbarsur deri në fyt me para. Drejtuesi i "Media-Most" Gusinski u arrestua. Gjatë pyetjeve në Prokurori doli se ai kishte marrë nga shteti 1.3 miliardë dollarë kredi dhe nuk kishte shlyer pothuajse asgjë. Më vonë, Gusinskit iu hoq arresti me garant pasurinë dhe "Gazprom-Media" i bleu aksionet e tij me gjithë 25 SMI. Nuk iu shpëtoi sulmeve as Anatoli Cubaisi. Aksionerët e huaj u shprehën kundër planeve të rekonstruktimit të RAO 'JES ROSSII'. Por, oligarku iu rrëshqiti gjithë akuzave dhe përmbushjes së ëndrrës së tij për bashkimin e dy monopoleve më të fuqishme, MPS dhe RAO. Duke komanduar realisht gjithë shpërndarjen e energjisë, i ngriti disa herë tarifat, pa ndonjë investim serioz për modernizimin e tyre. Ai mbeti i paprekur. Thuhej se, qeveria mbyllte sytë për të "edukuar" rusët me konceptin se edhe energjia është një mall dhe për të duhet paguar, jo si më parë kur thuajse nuk paguhej asgjë. Synimi i Putinit për të marrë paketat kontrolluese në shoqëritë e mëdha që ishin privatizuar, u komentua nga Cubajsi si deprivatizim që minon themelet e shtetit, kurse arrestimin e Gusinskit e quajti: "Fillimi i krijimit në Rusi të një shteti gjysmëfashist". Ai u akuzua gjithashtu se kishte shkelur vendimin e Dumës shtetërore që aksionerët e huaj të mos zotëronin më shumë se 25% të paketës, duke iu lënë atyre 33%. Por për këto akuza nuk u bë ndonjë hetim e as ndonjë koment publik. Cubaisi mbetej i paprekur. Një oligark tjetër, Hodorkovski, në kohën e këtyre zhvillimeve, dha një intervistë në një gazetë gjermane ku tha hapur se, investuesit e huaj nuk duhet t'i futin kapitalet e tyre në Rusinë e pastabilizuar ekonomikisht e politikisht. Lideri i partisë SPS, Boris Njemcovi, ndërhyri te Putini për një tryezë të rrumbullakët me oligarkët, për të vendosur rregullat e lojës. Ky pranoi, por tha se takimi mund të bëhej kudo, përveç Kremlinit ku oligarkët nuk do të shkelnin kurrë. Është intrigues fakti që aty nuk vajtën peshkaqenët më të mëdhenj: Gusinski dhe Berezovski si të padëshirueshëm për Kremlinin, por as Abramoviçi e Mamuti i MDM Bank si aleatë të tij. Cubaisi gjeti një arsye "diplomatike", një vizitë pune në Finlandë. Vlerësimet e "tryezës" ishin kontradiktore. Nga njëra anë u tha se nuk do të prekeshin privatizimet e bëra në vitet 1990, nga ana tjetër oligarkët nuk morën asnjë garanci për paprekshmërinë e tyre.

Në vitin e parë të presidencës së Putinit, por edhe më vonë, lufta e Putinit me oligarkët pati një karakter joefektiv. Nuk u bë asnjë rishpërndarje e pasurive të zhvatura me metoda banditeske. Numri i tyre erdhi duke u shtuar. Sulmi kishte thjesht karakter psikologjik. E kaluara lihej nën hije, në të sotmen ata duhej të bëheshin ortakë të bindur të shtetit. Sigurisht, nuk mund të kuptohej kuadri pa koka turku. Hodorkovski u dënua, bashkë me falimentimin e "Jukos-t", Berezovski, Gusinski, Potanini u strehuan në Perëndim, por mbetën Abramoviçi, Mamuti, Aveni, Deripaska. Përzgjedhja kishte një kriter të thjeshtë. Ata që shfaqën edhe ambicie politike, kishin hak dajakun. Të tjerët do të mbeteshin aleatë. Kur e pyetën Abramoviçin, pronarin e klubit të futbollit "Çelsi" në Londër, përse ai është aq i mirëpritur në Rusi (në atë kohë madje Putin e kishte emëruar guvernator të Kamcatkës) ai u përgjigj thjesht: "Sepse unë nuk kam ambicie politike!" Një nga arsyet e mbetjes në mesrrugë, i vishet edhe sistemit të korruptuar gjyqësor, dënimeve të papërfillshme të tij. Prokuroria e Zvicrës, bëri diagnozën më të saktë: "Në qoftë se nuk bëhet asnjë proces gjyqësor serioz për ndonjë nga oligarkët, shoqëria do të ketë të drejtë të dyshojë se Putini bën lojë të dyfishtë".

* * *

Dy muaj pas zgjedhjes së tij si president, Putini u gjend në mes të një vorbulle tjetër. Ishte një krizë parlamentare, edhe më e fortë se ajo paszgjedhore e 1999 kur Duma u gjend e paralizuar nga bllokimi i tri partive të djathta, për ndarjen e posteve brenda Parlamentit. Atëherë fitoi Kremlini. Kriza shpërtheu në Dhomën e Sipërme kur më 28 qershor Këshilli i Federatës vuri veton për projektligjin e presidentit. "Për rregullat e formimit të Këshillit të Federatës", që ishte miratuar nga Duma shtetërore me 317 vota. Rregullat e reja i binin ndesh Kushtetutës, duke ndryshuar rrënjësisht principet e federalizmit. Reforma administrative e Rusisë, dukej se ishte një nga përparësitë kryesore të presidentit të ri. Ai bëri një hap që të hutonte. Në vend të 89 përfaqësuesve të plotfuqishëm të presidentit në subjektet e Federatës (Republika, krahina autonome, rajone etj.) ai vendosi të linte vetëm 7 "guvernatorë" të përgjithshëm, si i pagëzoi shtypi. Njeriu që duhej të garantonte Kushtetutën, e revizionoi atë duke krijuar rajonet federale që nuk parashikoheshin në të. Hapi dukej, nga një pikëpamje tjetër, edhe i rrezikshëm, një paralajmërim recesioni. Që në 1998, një grup politgjeografësh të Departamentit të Shtetit kishin parashikuar që Rusia do të ndahet në 8-10 shtete të pavarura. Disa përpjekje të kësaj natyre ishin dukur që në ditët e shpërbërjes së BRSS. U fol për Republikën e Uraleve, për atë të Siberisë etj. Ky qe një hap që acaronte gjendjen e brendshme. Putini rrezikonte të humbiste mbështetjen e tij politike në rangun rajonal. Por koha e ballafaqimit me nomenklaturat burokratike, ishte më e përshtatshmja që mund të bëhej. Bazës i pëlqente ky centralizim që iu vinte fshesën e madhe shumë organeve e njerëzve të privilegjuar. Veprimet e tij i mbështesnin 57% të të anketuarve. Reforma administrative ishte pjekur prej kohe në Rusi, por mënyra se si e bëri ai, jo vetëm vuri në konflikt dy dhomat e Parlamentit, por hodhi mbi të shumë dyshime se ai synonte të arrinte një pushtet presidencial të pakontrollueshëm. Dukej si një minus i reformës fakti që për çdo njësi territoriale ai emëroi dy përfaqësues të Administratës së tij dhe të mbledhjes ligjvënëse, kinse ata do të merreshin si specialistë me hartimin e ligjeve. Paradoksi ishte se një nëpunës i emëruar merrte kështu më shumë peshë sesa një deputet i zgjedhur. U bënë veprime për t'i frenuar këto hapa, duke kujtuar madje edhe vitin 1993 kur Jelcini shpërndau Sovjetin Suprem. Por tanimë, i vendosur për ta çuar lojën deri në fund, Putini guxonte të kritikonte publikisht politikën e viteve të fundit të "atit" të tij, gjë që lajmëronte shkëputjen e plotë nga ndikimi dhe urdhrat e "familjes" rreth Jelcinit.

Por edhe media, pushteti i katërt në duart e oligarkëve, ishte një nga rreziqet e shthurjes së shpejtë të pushtetit të tij. Ja sepse, me iniciativën e Këshillit të Sigurimit, këtë herë, iu vu hartimit të "Dokrinës së informacionit të sigurisë së Federatës Ruse". Sipas saj, pushteti dhe masmedia duhej të vendosnin midis tyre rregullat e lojës, të merrnin përsipër detyrime të dyanshme dhe t'i respektonin ato. Ky dokument, në pikat e tij kryesore, është me interes të njihet për të kuptuar shkallën e lirisë së shtypit dhe pleksjen e tij me interesat e shtetit, më troç me qeverinë e radhës, dukuri që ka përshkuar edhe tranzicionin në vendin tonë. Katër ishin pikat kryesore: 1) Respektimi i të drejtave kushtetuese dhe lirisë së individit në fushën e marrjes së informacionit. 2) Sigurimi i informacionit për politikën shtetërore të FR, dhënia e informacionit të vërtetë për Rusinë dhe pozitat e saj zyrtare për zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. 3) Zhvillimi i teknologjive moderne të informacionit, industrisë kombëtare të informacionit, telekomunikacionit e ndërlidhjes. 4) Mbrojtja e resurseve të informimit nga përdorimi i paautorizuar. Dokumenti kishte gjithashtu paralajmërime kërcënuese në rast të përdorimit në shtyp të informacionit të cilësuar. Doktrina shkaktoi një reaksion të fortë midis mediave opozitare. U fol për synimin e krijimit të një makine propagandistike qeveritare, rimarrjen nga shteti të gjigantëve televizivë ORT e NTV, intolerancën e Putinit ndaj kritikës, rifutjen e censurës, fshehja nga organet shtetërore e së vërtetës së Çeçenisë dhe katastrofës së "Kurskut" etj.

Me gjithë këto ndërlikime të brendshme, viti i parë i Putinit rezultoi pozitiv. Konjuktura makroekonomike ishte e favorshme në sajë të rritjes së çmimeve të naftës në tregun botëror. Një faktor tjetër që sillte të ardhura ishte rritja e kërkesës për armë nëpër tregje të ndryshme. Rusia kishte jo vetëm arsenale të tepërta, por edhe një industri prodhuese të paprekur. Faktori i tretë ishte përmirësimi i vjeljes së taksave. Në vitin e tij të parë ai mblodhi 70% taksa më shumë sesa viti i fundit i drejtimit të Jelcinit. Rritja e PPB arriti 7%, por sipas Kasjanovit vetëm 4% e saj i përkiste rritjes reale të prodhimit, të tjerat vinin nga konjuktura e favorshme e tregut të naftës.

Ndryshimi i kursit të politikës së jashtme, solli një pështjellim në Perëndim. Putini dha dëshmi të dukshme se po afrohej me miqtë e vjetër të epokës së shkuar, me Kinën, vendet e tjera aziatike e të Lindjes së Mesme. Madjem ministri i Mbrojtjesm S. Ivanov, deklaroi në Munih sem në rastin e një izolimi financiar, Rusia do të detyrohej të bashkëpunonte me Kubën, Korenë e Veriut dhe Iranin. Ishte një paralajmërim i nënujshëm për SHBA. Njëra kokë e shqiponjës ruse do të shikonte nga Perëndimi dhe tjetra nga Lindja. Bushi, që para shpalljes si president, nënvizoi tezën e këshilltares për mbrojtjen Kondoleza Rais, se Rusia nuk duhet të presë mbështetje financiare nga SHBA, pa mbyllur hesapet me korrupsionin masiv. Në anashkalim të këtyre sinjaleve, megjithatë në vitet e afërta, Rusia do të bëhej faktikisht anëtar i tetë i "Shtatëshes së madhe", duke e orientuar politikën e saj në kahun perëndimor.

RD

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#2 ne: 26-11-2009, 13:56:21
Rusia kishte filluar të arrinte ca suksese të pjesshme. Por arritjet e pjesshme nuk tregojnë gjithmonë një tendencë të qëndrueshme. Perëndimi premtonte ndihmë, por jo pa kushte

Roli i faktorit aziatik në marrëdhëniet ruso-amerikane e ruso-evropiane


Teodor LAÇO

Ngjarja kryesore politike e vitit 2001 u vlerësua nënshkrimi në Moskë i Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe FR. Ky ishte traktati i katërt midis tyre në 20 vjet. I pari ishte nënshkruar që në vitet kur Kinën e drejtonte Çan Kaishi, me BRSS. Merrte fund kështu një "Luftë e Ftohtë" tridhjetëvjeçare që nga mbledhja e famshme e Moskës, e cila e ndau në dysh botën komuniste. Vëzhguesit e huaj vunë re një ndryshim cilësor midis kësaj marrëveshjeje dhe asaj të vitit 1960. Tani nuk bëhej më fjalë për një aleancë politiko-ushtarake, që nënkuptonte drejtimin ndaj SHBA, por për një bashkëpunim më pragmatik të balancuar. Marrëveshja kishte edhe një impakt të madh moral. Prej dhjetëra vitesh në tekstet shkollore kineze shkruhej se, Rusia i kishte marrë Kinës një territor prej 1 milion km2. Në epokën e re, gjithnjë e më shume shfaqej se pas fjalës, propagandës, demagogjisë, mund të pasojnë veprime krejt befasuese që i zhvleftësojnë ato. SHBA e quante Kinën "kundërshtarin kryesor strategjik", por ndërkohë ishte investitori më i madh i ekonomisë së saj. Ky ishte një nga ato përkimet e dobishme historike, sepse marrëveshja u bë në prag të samitit të G-8 në Gjenevë. Roli i faktorit aziatik në marrëdhëniet ruso-amerikane e ruso-evropiane, tani nuk mund të anashkalohej. Marrëdhëniet e mëtejme të dy fuqive të mëdha do të kushtëzoheshin shumë nga synimi amerikan për t'u bërë lider i vetëm në botë. Në shkurt-mars 2001, ai ndërmori një vizitë në Korenë e Jugut dhe Vietnam. Një llogaritje e thjeshtë tregonte se gjatë kësaj kohe ai kishte bërë 7 vizita në Perëndim e 7 në Lindje. Nga këto vizita, filluan të vihen në lëvizje interesat ekonomike dypalëshe. Italia filloi të interesohej për gazsjellësin rus për 20 miliardë m3 në vit, që do të kalonte nëpër Detin e Zi e në Turqi. Kjo shkaktoi një reagim të fortë nga SHBA, për të cilët ndërtimi i naftësjellësit "Rryma e kaltër" do të rriste ndikimin e tyre në republikat e pasura me gaz e naftë të Azisë Qendrore. Vizita e Putinit në një nga dragonjtë e Azisë, në Korenë e Jugut u bë me sloganin e kohës: prioriteti i ekonomisë mbi politikën. Borxhi i Rusisë ndaj Seulit ishte 1. 8 miliardë dollarë, 700 milionë prej të cilave palët ranë dakord të shlyheshin me armët ruse, helikopterë e tanke. Kundërshtarët e afrimit të Rusisë me Kinën paralajmëronin se, fuqizimi i këtij supershteti mund të hapte orekse ekspansioniste në Azinë Qendrore e Lindore. Por kjo qe vetëm një hipotezë. Rritja e shpejtë prej 7-8% e ekonomisë kineze, do të kërkonte gjithnjë e më shumë burime energjetike që asaj i mungonin dhe që do të sillnin një vartësi në këtë fushe nga eksporti rus dhe i vendeve të Kaspikut. E vetmja pikë ku si përkrahësit ashtu dhe kundërshtarët ishin në një mendje, ishte që të kufizohej në maksimum kërkesa e Kinës për teknologjinë moderne ushtarake ruse. Ndërkohë, në Kinë po ndodhte një reformim i pangjashëm politik. Ideologjia ishte shtyrë në plan të dytë. Lejtmotiv i ditës qe thënia e famshme e Den Hsiaopinit: "S'ka rëndësi ç'ngjyrë ka macja, mjafton që ajo të zërë minj". Në vigjilje të takimit në Gjenevë, Bushi dhe Putini bënë konferenca të gjera shtypi ku dhanë rezervat e propozimet e tyre për disa marrëveshje të hershme si ai i Mbrojtjes Antiraketë i 1972, protokolli i Kiotos për mbrojtjen e mjedisit që SHBA refuzonin ta nënshkruanin, gjë që u prit me kritika nga shtypi. Këshilltarët në MID (Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë) e këshilluan Putinin të bënte ndonjë lëshim me kusht pranimin në Organizatën Botërore të Tregtisë. Vendimi ishte që në Gjenevë me SHBA duhej folur fort. Në lëmin e propagandës do të përmendeshin edhe mendime të tilla që NATO ose duhej shpërndarë, meqë koha e blloqeve kishte marrë fund ose të pranohej aty edhe Rusia. Të dyja ishin të pamendueshme për Perëndimin. Më 20 Korrik në Gjenevë u hap samiti i "tetëshes së madhe", nën presionin e protestave të antiglobalistëve. Rusët patën një zhgënjim të madh kur delegacionin e tyre nuk e ftuan në diskutimin e çështjeve të ekonomisë e financave botërore. Ishte diçka e pashpjegueshme. Në këtë pikë, interesat e Perëndimit e Rusisë ishin të kundërta. Liderët e 7 vendeve të industrializuara diskutonin se si duhej ndaluar rënia ekonomike që kërcënonte ta zhyste Amerikën, Evropën e Japoninë në një krizë financiaro-ekonomike. Një prej këtyre shkaqeve ishin çmimet e larta në tregun e naftës. Ky u quajt një problem i brendshëm i shtatëshes dhe Putini mbeti jashtë këtij diskutimi. Sidoqoftë, prania e Putinit në samitin e Gjenevës, ishte ngjarja kryesore e asaj vere. Rusia kishte filluar të arrinte ca suksese të pjesshme. Kështu, pas një pauze 5-vjeçare për mungesë mjetesh financiare, rifilloi punën uzina e madhe e ndërtimit të anijeve në Amur. Por arritjet e pjesshme nuk tregojnë gjithmonë një tendencë të qëndrueshme. Perëndimi premtonte ndihmë, por jo pa kushte. Një nga kërkesat më befasuese në forumin e Salcburgut, p. sh. ishte që Siberia dhe Lindja e Largët t'iu jepej për shfrytëzim konsorciumeve ndërkombëtare, por jo Kinës. Atëherë, Rusia do të pranohej anëtare e BE me të drejta të plota. Ajo që ndiqej me vëmendjen më të madhe ishin takimet dypalëshe ruso-amerikane. Putini i quajti ato modeste, megjithatë ftohja e gjatë midis dy vendeve dukej se po merrte fund. Krerët e tetëshes, diskutuan në samit për tre tema të mprehta: lufta me varfërinë, mjedisi dhe konfliktet rajonale. Putini, pavarësisht se kishte në dorë një armë provokative si traktati me Kinën, i nënshkruar para pak kohe, nuk e përdori atë dhe ra dakord me Bushin për "Modernizimin e marrëveshjes për Mbrojtjen Antiraketë të vitit 1972". Mospërdorimi i "kartës kineze" dhe ca më tepër lajmi se në fund të qershorit ishin bërë provat e suksesshme të kompleksit S-400, "Djajtë" e brezit të ri si u quajtën këto raketa për shkak të largësisë së fluturimit dhe përpikëria e goditjes, ndikuan që Pentagoni të hiqte dorë nga doktrina e mëparshme e luftës. Menjëherë pas Samitit, amerikanët nxituan t'i konkretizojnë propozimet ruse. Kondolesa Rais në çdo takim përsëriste "koha nxiton, ne kemi pak kohë". "Rusia u dorëzua" e komentonte nën këtë titull gazeta "Komersant-Dejli" heqjen dorë nga marrëveshja e vitit 1972. Pas vizitës së Xian Xeminit që u përcoll fare zbehtë nga mediat, analistët thanë se Rusia po prirej në politikën e saj të jashtme më shumë nga Perëndimi sesa nga Lindja. Mendohej gjithashtu se, ky ishte një investim i Putinit për të siguruar një mandat tjetër presidencial. Të djathtët po diktonin më fort në politikën e jashtme. Demokrati liberal Njemcov rrekej të bindte opinionin publik se, Rusisë nuk i vjen rreziku nga Perëndimi, por nga Lindja e Mesme dhe Kina.

* * *

"Bashkësia e Shteteve të Pavarura" (SNG) që ishte themeluar me ambicien për të shkëmbyer një BE të dytë, ndërkaq po shkonte si gjym pa vegël. Në 10-vjetorin e themelimit, në samitin e 9 kryetarëve të shteteve pjesëmarrës në Soci, as që mund të vihej në rendin e ditës ndonjë analizë rezultatesh. E vetmja arritje ishte krijimi i një bashkimi doganor. Skandali i parë plasi midis Rusisë e Ukrainës për tubacionet e naftës e gazit. Presidenti ukrainas, Kucma deklaroi se nuk kishte pasur asnjë "ndërhyrje" nga ana e tyre në tubacionet që kalonin në Ukrainë. Marrëveshjet e mëparshme për borxhet, u tha që të zeroheshin. Politikanët ukrainas që ishin në pushtet, rivalë me rusët kush do të pranohej më parë në OBT, i mbanin shpresat te simpatia e ndihma e Perëndimit. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi krizën qeveritare. Pas dorëheqjes së nënkryeministres Julia Timoshenko, ishte e qartë që kabineti i Jushcenkos i kishte ditët e numëruara. Të dy krahët e politikës ukrainase, ai properëndimor e ai prorus, nuk e reshtën polemikën. Përkohësisht, u duk se krahu prorus po merrte revanshin. U fol madje për një ribashkim të Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë e Moldavisë, një projekt i mbetur vetëm në sëndukët e grupeve të veçanta që besojnë se sfidave të jashtme mund t'iu kundërvihet me sukses vetëm rilindja e bashkimi të tre shteteve sllave. Po lëviznin edhe republikat e Azisë Qendrore e të Kaukazit. Në heshtje, pa asnjë njoftim, Turkmenia vendosi regjimin e vizave për qytetarët rusë. Në takimin e Socit, nuk vajti presidenti gruzin Shevarndaxe që e quanin "Gorbaçovi numër dy". Të njëjtën gjë bëri edhe lideri turkmen Nijazov, tani i "pagëzuar" Turkmenbashi (babai i turkmenëve) që do të krijonte derisa vdiq një nga sulltanatet më koloristike të kohëve moderne. Bushi priti në Shtëpinë e Bardhë presidentët e Armenisë e Azerbajxhanit si ndërmjetës për kontradiktat e tyre në Nagorni-Karabah. Me sa dukej, SHBA synonin të rritnin ndikimin e tyre në Kaukaz për arsye gjeopolitike. Por më i dukshëm se kudo, ndikimi i Perëndimit ndihej në Ukrainë. Pas vizitës së Papës, për të tretën herë vajti për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Robertson. U bënë manovra ushtarake të përbashkëta me trupat e SHBA-së. Në zgjedhjet në Bjellorusi, Kremlini u distancua dukshëm nga përkrahja e Llukashenkos, i cili mbështetej nga aparati shtetëror. Komunistët bjellorusë krijuan një bashkim kundër tij. Në Minsk, shkoi Zjuganovi, që deklaroi se komunistët rusë mbështesnin Llukashenkon, gjë që solli një çarje midis komunistëve rusë e atyre bjellorusë. Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, u ngrit një valë akuzash kundër presidentit Kucma për tregti armësh, në bashkëpunim me mafien ukrainase. Kremlini për zgjedhjet e pritshme bëri haptazi zgjedhjen e tij në favor të Kucmes. Prokuroria ruse ngriti dy akuza për vepra penale kundër liderit të opozitës Julia Timoshenko, gjë që ia lehtësoi fushatën Kucmas. U arrit kështu një pajtim, që me futjen në sistemin e gazit të Ukrainës, 14 ish-republikat e BRSS të lidheshin në një rrjet. Putini bëri çmos që të fuste një frymë bashkëpunimi të ngushtë midis vendeve të SNG, por me përjashtim të disa marrëveshjeve dypalëshe, në marrëdhëniet ekonomike-tregtare, nuk ia doli aspak të harmonizojë një kurs të njëjtë politik, një qëndrim të njehsuar ndaj perëndimit, synimeve të NATO-s e BE-së.

Teodor LAÇO

(Marrë nga libri "Një dritare në Kremlin, nga Hrushovi te Putini")

RD

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#3 ne: 26-11-2009, 13:58:24
  Pas një plejade udhëheqësish me origjinë provinciale, ai ishte i pari që vinte prej një origjine qytetare, pikërisht nga qyteti më aristokratik i Rusisë

Si erdhi Putini në krye të Rusisë


Teodor LAÇO

Një nga librat më interesantë që shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço ka botuar në harkun kohor të dy viteve të fundit është dhe ai me shënimet publicistike "Një dritare në Kremlin, nga Hrushovi te Putini". Siç shprehet vetë Laço, "Ky libër është një shartim i historisë me fiksionin, një kuturisje karakteristike prej shkrimtari që, i vjen në ndihmë për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Historia, arkivat, shtypi, librat e botuara, mëtojnë se kanë zbuluar shumëçka nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda mureve të tij në 50 vitet e fundshekullit të kaluar ku shtrihet vështrimi i Laços, por siç shprehet vetë ai në parathënien e librit, gjithkush e di se kjo është e pamundur. Gjithçka ngjan se është ngritur mbi të fshehtat dhe zbulimin e tyre. Gjithsesi Laço shprehet me modesti se në atë "dritare" që hapet me Hrushovin e mbyllet me Putinin nuk ka parë asgjë që nuk e kanë parë të tjerë para tij. "Përndryshe do të duhej të isha detektiv", thotë autori. Sipas Laços, origjinaliteti mëton të qëndrojë në përzgjedhjen midis morisë së materialeve publicistike e arkivore që e kanë intriguar dhe i kanë dhënë dorë për të përdorur penën e shkrimtarit, duke synuar njëherit që lexuesi shqiptar të marrë informacione sa më pikante nga jeta private dhe bëmat politike të gjashtë drejtuesve (pas Stalinit) të këtij vendi të madh e me peshë të rëndë në zhvillimet botërore, Hrushov, Brezhnjev, Andropov, Gorbaçov, Jelcin e Putin. Në rastin e këtij të fundit, meqë ka patur mundësinë t'i ndiqte edhe vetë nga afër zhvillimet për shkak të detyrës si ish diplomat në Moskë, kanë marrë përparësi edhe analizat sociale e politike dhe proceset ekonomike të këtij shekulli, prandaj edhe kapitulli që i përket këtij Presidenti është edhe më i gjatë.

ZGJIMI I ARIUT

Në vigjiljen e ndërrimit të shekullit, kur Boris Jelcini ia besoi drejtimin e Rusisë Vladimir Vladimiroviç Putinit 48-vjeçar, vetëm bashkëpunëtorët dhe besnikët e tij më të afërt, mund të besonin se pikërisht ai do të bëhej figura më eminente e Rusisë në dekadën e ardhme. Megjithëse në vitin e fundit të Jelcinit kishte bërë një kërcim pindarik, për shumicën ai vinte thuajse nga e panjohura. Pa karizmë, pa shfaqje e fjalime të bujshme, por edhe kur kjo i duhej, ato ishin brenda skemave të vjetra, pa ndonjë ide origjinale, ai as që mund të krahasohej me figura të tilla si Primakovi që ishte cilësuar si njeriu që arriti të stabilizojë deri diku rënien ekonomike, as me intelektualin e rafinuar Javlinski, që drejtonte liberaldemokratët e "Jabllokos", të cilët përmendeshin midis shumë kandidaturave të mundshme për zgjedhjet presidenciale. Shumica mendonin se, Jelcini zgjodhi një figurë kalimtare, si kishte bërë para pak kohe me Stepashinin. Ai do të mbushte vakumin derisa toreadorët e vërtetë të dilnin në arenë. Nëpër rrethet e ngushta të zyrtarëve apo të medias, hamendësohej se Jelcini e bëri këtë zgjedhje i shtyrë nga ajo ndjenja e fshehtë egoiste kur aktori kryesor kërkon një dublant të dobët, që të mos hedhë hije mbi të. Por thelbësore mbetej diçka tjetër. Ajo ishte jashtë çdo dyshimi. Njeriu i zgjedhur kishte dhënë prova për besnikërinë e devotshmërinë e tij. Në të vërtetë, ai kishte dhënë prova më të mëdha e më të vështira se kaq. Nga ato prova që nuk njihen nga turma. Ishte njeri me vullnet të hekurt, i përpiktë në detyrë si një orë e çmuar, i dëgjueshëm, befasues për aftësitë organizuese, pa vese, në dukje i thjeshtë, por në thelb i paafrueshëm për të krijuar ato intimitete burrash që bisedojnë e zbrazin barkun rreth një gote vodkë. Ambicioz dhe i paparashikueshëm.

Lindi më 7 tetor 1952 në Leningrad. Shenja e horoskopit, peshorja. Si shumë a mbase si shumica e politikanëve të botës. Pas një plejade udhëheqësish, me origjinë provinciale (Stalini, Hrushovi, Brezhnjevi, Gorbaçovi, Jelcini), ai ishte i pari që vinte prej një origjine qytetare, pikërisht nga qyteti më aristokratik i Rusisë, ndonëse nga një familje modeste. I ati, punëtor i thjeshtë, veteran i luftës II, ishte një njeri autoritar. E ëma, sanitare, kishte kaluar bllokadën e gjatë të Leningradit. Një familje tipike e atyre që quhen shtresat e gjera të shoqërisë. Në shkollë e mbanin për nxënës mesatar, tepër të dhënë pas sporteve. Megjithatë, ia doli të fitonte në një konkurs pranimi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Leningradit, ku për çdo vend konkurronin 40 vetë. Po dëshmonte kështu se me pjekurinë e viteve, zelli dhe serioziteti po bëheshin tiparet e tij kryesore. 23 vjeç, diplomohet si jurist, por si djalë veterani, me "biografi" të kulluar, tërhiqet për të bërë dy vjet përgatitje të tjera në shkollën e sigurimit KGB. Pas 8 vjet pune rutinë e të mërzitshme në Drejtorinë e KGB-së së qytetit të tij, dërgohet me punë në Republikën Demokratike Gjermane, në Dresden, nën "mbulesën" e funksionit të drejtorit të Qendrës Kulturore Ruse në atë qytet. Misioni i dytë, në mos kryesori, i këtyre qendrave, është thuajse i pranuar në heshtje botërisht. Ai quhet "spiunazh". Vitet e detyrës së tij në Gjermani përkojnë me periudhën e Perestrojkës së Gorbaçovit kurse largimi, përkon me rënien e Murit të Berlinit. Si ka pohuar më vonë, atëherë kur ishte "mbi kalë", ai kishte arritur në përfundimin se as RDGJ-ja e as BRSS-ja nuk kishin të ardhme. Kështu kaluan 15 vjet të detyrave të tij në shërbimin informativ, të cilit zyrtarisht ia zbukuronin pak emrin, duke e quajtur "Shërbimi i Sigurimit Kombëtar. "Doli në lirim me gradën kolonel. Pas kthimit, ai nuk u përfshi më në organet qendrore të KGB-së, që ishte streha e të gjithë zbuluesve. Shkaku është një nga ato enigma që zbardhen sipas dëshirave, pra mbeten sërish enigma. Punësohet si ndihmës i rektorit të Universitetit për marrëdhëniet me jashtë. Në ditët e puçit të gushtit 1991, kur KGB-ja mbajti anën e puçistëve, ai deklaroi largimin përfundimtar nga organet e saj. Një veprim që më vonë do të shënohej në kolonën e meritave të tij. Bën edhe një hap më tej: ka simpatinë e kryetarit reformator të Bashkisë së qytetit, Sobcak që e merr aty si drejtues të komitetit për marrëdhëniet më jashtë. Më 1994-1995 bëhet zv/kryetar i parë i qeverisë së qytetit. Fiton besimin e tij e plotë. Të gjithë e dinin që Sobcaku nënshkruante pa ngurrim vetëm dokumentet që ishin sigluar nga Putini. Ndërkohë, Sobcaku ka humbur në zgjedhjet për kryetar dhe disa zëra ia veshin këtë "meritë" fushatës që ia bëri Putini. Për transferimin e tij në kryeqytet, flitet se ndikoi një tjetër figurë eminente e politikës së atyre viteve dhe më vonë, Anatoli Cubaisi.

Nënkuptohet, duke qenë ende një zyrtar province, ngjitja e shpejtë do të zgjonte smirën e rangjeve të tij e madje edhe më lart. I vihen parapritat e para të karrierës. Akuzohet për abuzime në dhënien e licencave dhe për shpenzime të mëdha për studimin e vajzës së tij në Gjermani. Sulmet vinin nga SMI (Mjetet e Informacionit Masiv) që ishin në tutelën e Berezovskit. Por asnjëra prej tyre nuk u vërtetua. Sa peshoi kjo në marrëdhëniet e tij të mëtejshme me oligarkun që ende duke qenë në strehim politik, i trazonte si askush tjetër ujërat e fjetura brenda Rusisë? Problem i pazbërthyeshëm i ndërgjegjes...

Në gusht 1995, pas humbjes së Sobcakut, ai vjen në Moskë, pikërisht në Aparatin e Presidencës. Tani është në syrin vëzhgues të Shefit. Fjalëpakë e punë shumë, në mars 1997 është n/kryetar i administratës së Presidentit. Administrata e Presidentit në Rusi është një organizëm i lartë, me shumë kompetenca. Pas një viti u bë zëvendëskryetari i parë që merrej me problemet e rajoneve. Rikthehet edhe një herë në krye të Shërbimit Federativ të Sigurisë, ku bën reforma të thella, duke shkurtuar shërbimin e kundërzbulimit ekonomik dhe atë të veprimtarisë së kundërzbulimit për mbrojtjen e objektivave strategjike, më pas Sekretar i Këshillit të Mbrojtjes dhe nga gushti i vitit 1999, Kryetar i Këshillit të Ministrave. Është kandidat i shkencave ekonomike. Në Rusi, këto lloj grada shkencore mbrohen pa ndonjë mundim të madh. Zotëron shkëlqyeshëm gjermanishten, por shpjegohet edhe në anglisht. Bashkëshortja e tij Ljudmilla Aleksandrovna ka qenë stjuardesë. Ka mbaruar Fakultetin Filologjik dhe zotëron tri gjuhë të huaja. Kanë dy vajza Maria dhe Ekaterina. Kjo do të ishte një ekspoze e shkurtër e jetës së tij, deri në momentin kur u ngjit si një raketë e lëshuar s'dihet se ku, në lartësitë e qiellit të politikës.

* * *

Nëse karriera e tij deri në këtë çast mund të vlerësohet si normale për një kuadër me aftësi profesionale, të disiplinuar e rigoroz, nëpunës shembullor i aparateve, zbatues skrupuloz i udhëzimeve të kreut, pa iniciativa që mund të hapin debate, rritja e tij marramendëse në gusht 1999 ka vetëm një emër: Boris Jelcin. Putini ishte zgjedhja e tij që i la pa mend ata që mëtonin këtë vend dhe po aq, edhe opinionin publik në Rusi e në botë. Pakkush e kishte vënë në hesap për një rang aq të lartë këtë nëpunës shembullor, me një shtat afër mesatares, me flokë pak të rralluar bojëkashtë e me sy të kaltër, tipare tipike të rusëve të veriut. Fytyra e tij shprehte pak dhelpëri, pak rreptësi dhe nganjëherë një buzëqeshje afruese. Portretin e tij psikologjik, specialistët e kësaj fushe e kanë karakterizuar me këto nënvizime: Të jep përshtypjen e një njeriu me inteligjencë normale, të përmbajtur që mund të të bëhet partner vetëm në biseda profesionale e politike, shumë i kujdesshëm. Në të folmen para mikrofonave ose në tribuna, kur fjala nuk është e shkruar në letër, zotëron frazeologji e mënyrat e të shprehurit të periudhës sovjetike. Shembull i qartë i kësaj është slogani i përdorur shpesh prej tij "Atdheu na thërret" që ka qenë parullë e njohur e luftës patriotike. Një esencë tjetër ideologjike është përdorimi i shpeshtë i fjalës "popull": "Para së gjithash duhet të mbështetemi te populli", "Në analizë të fundit, vendimi i mbetet gjithmonë në dorë popullit". Disa figura retorike ai i përdor për efekte emocionale të dëgjuesit: "Ne që jemi në pushtet, do ta meritojmë këtë të drejtë morale vetëm nëse bëjmë diçka për përmirësimin e jetës së popullit". "I falenderoj qytetarët e thjeshtë për mbështetjen që unë ndiej". Thirrja e tij patetike për "Shtetin e Rusisë", për prestigjin dhe rolin e faktorit rus në botë, të kujton traditën patriotike dhe krenarinë që mundoheshin të rrënjosnin iluministët rusë dy shekuj më parë. Në fjalët e tij, nuk ka asnjë shenjë nostalgjie për perandorinë që quhej BRSS. Ajo qe artificiale, pra e pasigurtë. Nëse ka ndonjë synim perandorak, ai është thjesht: "perandori e Rusisë shumëkombëshe". "Qëllimi i politikës sonë është formimi i shtetshmërisë ruse", shprehet ai. Në bisedat e tij, më shpesh se tek udhëheqësit e tjerë, hasen pyetje të tilla retorike: "Mos vallë mund të bëhen bisedime politike me terroristët? Atëherë lind pyetja, përse duhet t'i pranojmë ata si bashkëbisedues?" Në një mënyrë mjaft elokuente, ndonëse tërthore, kjo tingëllon si një kritikë për mënyrën se si u veprua gjatë krizës së parë çeçene të vitit 1996 kur u bënë shumë takime me krerët e luftëtarëve çeçene Dudajev, Basajev etj. Gjatë krizës së dytë të viteve 1999-2000 që u zgjidh nën drejtimin e tij, nuk u pranua asnjë lloj marrëveshje. Gjithçka iu la grykave të armëve.

Ai synon të sigurojë një mbështetje sa më të gjerë, thonë psikologët, duke shfrytëzuar çdo thërrmije nostalgjie për arritjet e lavditë e dikurshme, madje edhe të epokës sovjetike, por pa harruar të ngrejë lart vlerat morale që i krijon individit shoqëria liberale e iniciativës dhe tregut të lirë. Nuk ka asnjë luhatje kur përcaktohet në kategorinë e njerëzve pragmatistë që veprimet e tyre ia nënshtrojnë arsyes e jo emocioneve. I kanë ngjitur epitetet "Inspektori" dhe "Sistematiku". Ky është tipi më i kërkuar në sferën e drejtimit. Ndër anët e tij të forta, veçohen: serioziteti, mendimet e qarta dhe ndjenja e përgjegjësisë. Synon për analiza objektive, mbështetur në logjikën. I përmbajtur. Madje edhe në minuta të vështira, nga ana e jashtme duket i qetë, por kjo s'do të thotë se nuk provon emocione të forta. I respekton traditat. Ndër anët e dobëta i mungon intuita dhe ka defekte në etikën e marrëdhënieve. Mund të tregojë ngurtësi në situata që kërkojnë vendime të shpejta. Nuk priret ndaj përkrahjes së ideve të reja. Mund të sillet me indiferencë e madje vrazhdë, çka rrezikon të mbledhë rreth vetes armiqësi. Ka një prirje për të qëndruar i vetëm dhe i mungon dëshira për të shfaqur hapur pikëvështrimet e tij. Jo rrallë gjendet në vështirësi kur i duhet të analizojë në tërësinë e saj atë që po ndodh. E panjohura ka për të brenda saj, diçka armiqësore. Është skeptik ndaj planifikimeve të gjata strategjike. Nuk u reziston mirë streseve të zgjatura.

Në portretizimet e mësipërme psikologjike, nuk mëtoj për ndonjë gjetje origjinale, përveç ndonjë mbrese intuitive. Ato u përkasin disa psikologëve të njohur rusë të fillimit të presidencës së Putinit, atëherë kur ai ishte një enigmë që duhej zbuluar. Si zakonisht, në qëmtime të tilla, ka edhe gabime, teprime, harresa, nënvizime më të forta sesa e vërteta... Pas vitesh, pamja e objektivit duket tepër e qëndrueshme, por jo edhe pakritikueshme. Në këtë portret, shumë vija janë thelluar, të tjera janë zbehur. Pavarësisht nga ky vjetrim, mendova se do të ishte me interes të njihej prej lexuesit si e shikonin specialistët liderin e ri të Rusisë, për të cilin më parë as që iu kishte vajtur ndër mend të mbanin shënime.

 

 

Në zgjedhjet për president të vitit 2000 Putini fitoi që në raundin e parë me mbi 52% kundrejt Zjuganovit, Javlinskit, e Zhirinovskit

Një udhëheqës pragmatist me qëllim madhështinë e Rusisë

Në zgjedhjet për president të vitit 2000, që do të bëheshin në përputhje me përcaktimin e Kushtetutës së Jelcinit, pra me votim popullor, u regjistruan shumë kandidatë. Shumica e tyre e dinin që ishin humbës, por udhëhiqeshin nga një taktikë e provuar që fituesi do të kujtohej për rivalët e tij që në sordine, i kishin mbajtur anën dhe nuk i ishin kundërvënë. Kandidaturat konkurruese ishin vetëm tre: Putini, lideri i së majtës komuniste Zjuganov dhe Javlinski i grupimit "Jablloko", një rrymë liberaldemokrate reformatore e properëndimore. Në këtë polarizim, vetvetiu "qendra" politike, një pozicion elastik midis së djathtës e së majtës, koncept herë i pranuar e herë i papranuar nga politologët, të gjitha parashikimet ishin për Putinin, të cilit dukej se gjithandej, si në konfliktin çeçen ashtu edhe për një gjysmëhapi ekonomik gjatë qeverisë së Primakovit, po i ecte fati. Në prag të zgjedhjeve, shtypi dhe mediat e fuqishme të kontrolluara nga oligarkët, iu vërsulën të zgjedhurit të Jelcinit, duke theksuar sidomos faktin se kandidatët nuk ishin në pozita të barabarta nga ana financiare. Vëzhgues të ndryshëm, paralajmëronin se Presidenti i ri mund të binte në eufori nga fitorja dhe të ndiqte një kurs autoritarist.

Putini fitoi që në raundin e parë me mbi 52% kundrejt Zjuganovit, Javlinskit, e Zhirinovskit. Është interesante se në krahinat e Kaukazit, në Çeçeni, Dagestan, Ingusheti ai mori 60-80% të votave kurse në Moskë vetëm ½. Putini nuk paraqiti ndonjë program të ri ekonomik që të ishte tërheqës me premtime të bujshme. Ai tha vetëm se do të vazhdonte reformat e ekonomisë së tregut. E majta e sulmoi fort këtë linjë, me parullat populiste në emër të interesave të shtresave të gjera të shoqërisë. Sipas tyre në Rusi do të vazhdonte të sundonte "kapitalizmi banditesk" dhe oligarkët, Berezovskët, Khodorkovskët, Abramovicët, Cubajset, Djacenkot e Fridmanet. Putini bëri një fushatë të matur, të kujdesshme, duke ndjekur atë urtësinë e vjetër kineze se drejtuesi më i fortë është ai për të cilin nuk dihet asgjë. Ai nuk u ngut të zbulohej, nuk dha asnjë përgjigje për politikën e ardhme ekonomike, marrëdhëniet me oligarkët, përkatësinë e tij nëpër klane, madje as për vizionin e së ardhmes së Rusisë në botë. Koha provoi se kjo taktikë qe fitimtare. Megjithatë, heshtja dhe rezervimi, fshehtësia, mund të ndillnin dyshime se po vinte një regjim i ndryshëm nga ai i Jelcinit. Politikanët perëndimorë i trembte mundësia e vendosjes së diktaturës ose në rastin më pak të keq, të një regjimi autoritarist. Shteti totalitar dikton gjithë normat e jetës, nga politika deri te seksi. Regjimi autoritarist synon të kontrollojë vetëm politikën. Ky ishte refleks i frikës së vjetër nga "perandoria e së keqes" si e quante Regani. Një nga komentet e shtypit të huaj që i qëndroi më shumë kohës, ishte ai i gazetës franceze "Figaro". "Putin nuk do të luajë "Carin e ndritshëm". Ai do të jetë një udhëheqës pragmatist me qëllim madhështinë e Rusisë. Në një këndshikim tjetër, mendoj se rusët nuk i tremben aq shumë autoritarizmit. Ai ka qenë stili i jetës së tyre gjatë historisë".

Pas fitores, Putinit i duhej domosdo t'i kthehej atyre çështjeve që i kishte kaluar gjatë fushatës me fraza të përgjithshme. Por thembra e Akilit të shoqërisë ruse të kohës, mbetej përsëri ekonomia. Thënia se do të vazhdonte reforma për ekonominë e tregut, tani ishte e pamjaftueshme. Në fjalimin "Rusia në cakun e mijëvjeçarit", ai përcaktoi si prioritare "zhvillimin e teknologjive të përparuara, rritjen e produktit shkencor, informatikën dhe telekomunikacionin", duke huazuar kështu nga filozofia dhe ekonomia politike e Perëndimit. Duke folur për varfërinë, ai guxoi të bënte një pohim tronditës: të ardhurat monetare të qytetarëve rusë janë 10% e atyre të amerikanëve. Për të hartuar një program ekonomik më të detajuar, ai aktivizoi dy grupe: atë të shokterapisë dhe politikës monetare liberale që e mbronte Gajdari e të tjerë dhe përfaqësues të grupit të oligarkëve Kasjanov-Cubais-Grefit dhe ata që i kish më afër Klebanov-Kudrin. Ishte një manovrim i mësuar nga Andropovi: "të mos bjerë nën ndikimin e askujt dhe t'i dëgjojë të gjithë". Nga qarqet kundërshtare të tij, jepeshin edhe receta që kriza të kapërcehej me shkopin magjik dhe të pasurohej shpejt çdo rus. Ishte një propagandë perfide, për të mbledhur kapital politik kundër qeverisë. Retorikë në emër të patriotizmit. Por edhe Putini vetë, duke e ditur ndjeshmërinë e rusëve ndaj patriotizmit, nuk vonoi të shpallte sheshit ashkun e tij patriotik. Në një takim me presidentët e Ukrainës e Bjellorusisë, në vendin historik Prohorovskoje ai bëri thirrje për "rrënjët e përbashkëta sllave", sinjal që drejtohej edhe më larg se fqinjët e tij tokësorë.

Është interesante të kujtohet se në fillim Partia Komuniste, mbajti ndaj tij një pozicion të rezervuar, por jo kritik. Ata shpresonin që Putini të ndiqte modelin ekonomik kinez. Por edhe ai u tregua i matur me komunistët. Nuk mund ta shpërfillte faktin që lideri i tyre Zjuganov, në zgjedhjet presidenciale kishte marrë 1/3 e votave të rusëve.

Ajo që trashëgoi Putini ishte një situatë e vështirë që duhej arkivuar sa më parë. 10 milion njerëz jetonin në gjysmë uri dhe 40 milion në kufirin e varfërisë. Ndërmarrje të rrënuara e të grabitura. Borxhi i jashtëm, 158 miliardë dollarë. Me gjithë përmirësimet e vogla të 1999, produkti i brendshëm bruto u rrit vetëm 3.2%, inflacioni ishte 36.5%. Kuadro të afta, fare pak. Iu desh të bazohej të leningradasit: Cubais, Kudrin... Ose ndoshta aty ishin, dhe mbeten ende rrënjët e sigurisë dhe besimit të tij? Por veç ekonomisë, mbeteshin edhe pika të tjera të dobëta ku duhej ndërhyrë. Rrjeti i informacionit që i duhej shtetit, ishte i çorganizuar, jo gjithmonë i besueshëm. Siguria e vendit ishte e kërcënuar nga vartësia e madhe prej importit. Duhej filluar një reformë e re në sektorët e mbrojtjes, të ushtrisë dhe industrisë për të. Politika e jashtme duhej orientuar në alternativa të reja, por ndërkohë autoriteti i tij në botë ishte ende i vogël. Hapat që do të ndërmerrte, do të shiheshin me skepticizëm e mosbesim, si hapat e një njeriu që sapo ka filluar të ecë në një terren të panjohur, të rrëshqitshëm. Brenda vendit, "gjahu" i tij i parë u bënë oligarkët. Ishte një zgjedhje jo vetëm e diktuar nga forcimi i pozitës së tyre brenda politikës, duke e manipuluar atë me anë të zyrtarëve të korruptuar, por edhe nga vetëndijimi i sigurtë se kjo luftë do t'i jepte më shumë popullaritet e mbështetje në qytetarët e thjeshtë që i shikonin oligarkët me urrejtjen e natyrshme të atij që e kanë grabitur, ia kanë përvetësuar pjesën e tij në pasurinë e përgjithshme. Duke blerë disa nga mediat kryesore, oligarkët paraqiteshin edhe më kërcënues sesa opozita komuniste. Një nga deklaratat e tij të para ishte ajo që i përjashtonte oligarkët nga strukturat qeveritare, ku disa prej tyre ia kishin dalë të kacavirren. "Në qeveri s'ka vend për oligarkët që kanë i zhvatur kapitalet e tyre". Në prill 2000, mbaroi hetimi për kompaninë ajrore "Aeroflot" dhe dolën disa dokumente komprometuese për Boris Abramoviç Berezovskin. Nuk ishte më i pasuri, por ishte më i eturi nga gjithë oligarkët e tjerë për të bërë karrierë në politikë. Iu sugjerua kryeprokurorit Ustinov që të kërkonte heqjen e imunitetit të tij si deputet i Dumës. Berezovski u hodh në kundërsulm, me mediat e tij. Në këtë duel, Putini u hoq se rrinte mënjanë, në rolin e një arbitri të paanshëm, por të gjithë e dinin ku buronte lumi. Qëllimi i tij ishte që jo vetëm të shkëputej nga ndikimi i çdo oligarku, por edhe nga ata që quheshin "kardinalet gri" brenda strukturave të trashëguara nga Jelcini. Kjo ishte një betejë tepër e vështirë për t'u përballuar nga një njeri që gjatë karrierës së vet të shpejtë, nuk kishte krijuar klanin e tij. Iu desh të bëjë mjaft kompromise. Prognozat se ai do të bënte një reformë të thellë kuadri në qeveri, në administratën e presidencës etj., nuk dolën të sakta. Beteja me oligarkët do të bëhej me përzgjedhje: disa afër, disa larg. Sërish, zgjedhjet e tij u bënë midis peterburgasve. Madje thuhej se jo vetëm sekretarët, por edhe shoferin e tij, i solli nga vendlindja. Përveç Kudrinit, Klebanovit, Shevçenkos në poste të larta ministeriale, ai që dukej i patundur, gjithmonë më me ndikim, ishte pa dyshim Anatoli Cubaisi. Që në momentin e përfshirjes së tij në qeverinë e Gajdarit me 1991, peterburgasi i ri e i shkathët kishte qenë në shumë poste të larta, me përjashtim të atij të kryeministrit, megjithëse Jelcinin e kishte zëvendësuar nga detyra e shefit të administratës së tij gjatë konvaleshencës së gjatë mjekësore të 1996-1997. Dy herë ishte përzënë nga Jelcini si kurban për situatat ekonomike e dështimet e reformave me mllefin: "Të gjitha fajet i ka Cubaisi" dhe prapë ishte thirrur, duke u bërë strumbullari i liberalreformatorëv e. Në arenën politike, ai është cilësuar si një nga intrigantët më të aftë e më të suksesshëm. Njeri i afërt me Perëndimin, ai mbeti ndër ata që quhen faktorë ndikues te kupola. Oligark edhe ai, i duhej Putinit jo vetëm si financier i shquar, autor i thënies së famshme se, "liberalizimi është rregulli më i rreptë", por pikërisht për reputacionin e tij në Perëndim. Nëse "aty" është Cubais, kjo do të thoshte se reformat e deklaruara do të bëheshin. Nuk ishin të pakët edhe oligarkët e tjerë që jo vetëm nuk u prekën, por vazhdojnë të jenë në elitën e përkrahur të pasunarëve miliarderë: Abramoviçi, Jumashevi, Djacenko. Kjo u cilësua si taktika e frerëve dhe e kundërpeshave. Në situatën e sotme të Rusisë, nuk mund të mendohet një pavarësi e plotë nga strukturat e fuqishme financiare. Në fund të fundit, ky rregull mbizotëron në gjithë botën e zhvilluar të kapitalit, por ndryshe nga perëndimi, ku tashmë është harruar se si janë ngritur lart në botën e financave sipërmarrësit e industrialistët e mëdhenj, në Rusi ata u rritën si kërpudhat në pyllin e berjozkave. Dhe vazhdojnë të rriten. Resurset e këtij vendi gjigant janë në përputhje me përmasat e tij gjeografike.

RD

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#4 ne: 29-11-2011, 23:52:20
Gjatë javëve të fundit, teksa Rusia e Bashkuar përgatitet për zgjedhjet parlamentare të ditës së diel, partia dhe liderët e saj kanë marrë disa goditje dekurajuese. Çfarë po ndodh me popullaritetin e Putinit?

Çfarë po ndodh me Putinin?

Është vendi i vetëm ku Vladimir Putin duket se mund të ndihet më mirë se kudo gjatë kësaj kohe: një stadium plot me mbështetës dhe simpatizantë të partisë të ardhur nga e gjithë Rusia për të valvitur flamurin kombëtar dhe për të thirrur njëzëri emrin e tij. Kjo ishte skena e ditës së shtunë në mbledhjen e Partisë së Rusisë së Bashkuar, që mbështeste kandidaturën e Putinit për një mandat të tretë për President. Por, siç u ndje edhe Putin i detyruar të vinte në dukje, edhe anëtarët e partisë së tij nuk dukeshin aq shumë të entuziazmuar. "Kur brohorisni për Rusinë", tha ai nga podiumi me zë qortues, "e gjithë salla duhet të dridhet!" Vetëm atëherë, kur fjalimi i Putinit mori nota shumë më të forta, delegatët e tij brohoritën për kënaqësinë e tij. Dukej se kandidati i ardhshëm për President kishte nevojë për inkurajim.
Gjatë javëve të fundit, teksa Rusia e Bashkuar përgatitet për zgjedhjet parlamentare të ditës së diel, partia dhe liderët e saj kanë marrë disa goditje dekurajuese. Gazetat dhe blogjet e ndryshme gjatë më shumë se një jave kanë komentuar vetëm daljen e fundit publike të Putinit në Moskë, kur audienca i përngjante tifozëve të një skuadreje kundërshtare që e përcolli atë me sharje dhe tallje. Ky ishte rasti i parë në të gjithë karrierën politike të Putinit dhe duket se e ka shkundur shumë.
Më 23 nëntor, kur Putin kishte planifikuar të jepte një fjalim në të njëjtin vend, kësaj radhe në një koncert sensibilizues kundër përdorimit të drogës, ai thjesht nuk u bë i gjallë. Tre ditë më vonë do të jepte një fjalim në një event të ngjashëm në stadiumin e vendlindjes së tij në Shën Petërsburg, por vendosi të dërgonte zëvendësin e tij Dmitri Kozak, i cili prej kohësh duket se është eksperti i preferuar i Putinit për rastet e vështira. Sapo Kozak u ngjit në skenë, zëri i tij u mbyt tërësisht nga sharjet e audiencës që bërtiste: "Turp!"
Në këtë mënyrë, kontrolli i audiencës në samitin e fundjavës së kaluar të Rusisë së Bashkuar ishte mëse i parashikueshëm. Katër blloqe larg stadiumit policia nuk lejonte as gratë e moshuara t'i afroheshin kompleksit sportiv Luzhniki, ku do të mbahej samiti, ndërkohë që brenda stadiumit të gjitha shkallët ishin të mbushur me aktivistë të rinj të Kremlinit. Përgjatë gjithë rreshtave qëndronin burra të veshur me kostum, të cilët nga kufjet merrnin urdhrat se kur duhet t'i jepnin audiencës sinjalin për të brohoritur dhe në mënyrë të organizuar të bërtisnin "Pu-utin!, Pu-utin!", thirrje që në mënyrë konstante ndërprisnin fjalimin. Është e vështirë të mos të pyesësh vetëm se çfarë ka ndodhur me "showman-in" Putin, i cili pak kohë më parë dukej se frymëzonte adhurim ose të paktën duartrokitje të bindshme...

Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#5 ne: 27-12-2011, 20:51:41
Bota në rrënim e Vladimir Putinit
Vështrimi i një regjimi autoritar të paintegruar i ngjan ndjekjes së episodeve të serialit amerikan ‘Dr.House’. Dikush që i kënaqet stilit aktiv të jetës, në fillim të serisë, vetëm 15 minuta më vonë pëson goditje të shumëfishta të organeve, ndërkohë që doktorët përpiqen të zbulojnë arsyet dhe organin vital që do të preket së shpejti.

Një mik më dërgoi linkun e një programi të transmetuar në një stacion rus (linku gjendet mes klipeve të YouTube). Për thuajse 10 minuta bënte humor, të vrazhdë e fare hapur mbi sesionin Q&A të Vladimir Putin. Çfarë mendon për të, - më tha miku im. “Është false?”. Nuk ishte e tillë. Dhe çfarë kuptova nga ajo, ishte se televizioni, një ndër organet më vitale të shteteve si Rusia po fiket.

NTV, kanali ku show ishte transmetuar zotërohet tashmë nga monopoli shtetëror i gazit, Gazprom, i cili ka një rrjet të gjerë mediatik. Teknikisht, ky kanal nuk ka pse merr urdhra nga Kremlini, por në 10 vitet e fundit ( që prej kohës kur iu rrëmbye themeluesit të tij) thjesht i ka marrë. E tani është drejt rrënimit.

Çështja rreth regjimeve të egra autoritare nuk është te ligjet apo gjykatat, e as tek hierarkitë e ngurta të qeverisjes që i bën ato të mbijetojnë. Është te frika. E sapo frika del jashtë këtij ekuacioni, krejt papritmas, pasi zhdukja e frikës ndodh e tillë, bëhet e qartë se këto gjykata, ligje apo hierarki nuk funksionojnë. E çdo gjë nis e shpërbëhet copash.

Kështu ndodhi këtu e 20 vite më parë: institucionet thjesht ndaluan së marri urdhra nga Kremlini. Media i dha fund frikës nga censuruesit, të cilët sot e kësaj dite ulen këmbëkryq në çdo grykëderdhje të informacionit. Policia ndaloi së aplikuari rregulla absurde, duke u krijuar hapësira sipërmarrjeve private. E në fund, krerët e 15 republikave të Bashkimit Sovjetik mundën frikën dhe perandoria u shpërbë, në atë që sipas standardeve të historisë u bë sa hap e mbyll sytë.

Në gusht 1991, kur partitë komuniste të linjës së ashpër u përpoqën të rifitonin pushtetin, ishte frika, komponenti magjik që i bëri të dështonin. Disa njerëz u frikësuar, për të qenë i saktë, por shumë të tjerë jo. Gazetarët radiofonikë vazhduan të raportonin dhe të gjenin rrugë për të transmetuar, edhe kur sinjali i tyre ndërpritej vazhdimisht apo zyrat e tyre sulmoheshin nga forcat speciale. Gazetarët e printit, të cilët punonin në të përditshme që u mbyllën u bënë bashkë në një publikim të tyrin, që u quajt “Common Newspaper”. Dhe njerëzit e zakonshëm, përfshi studentët e kolegjeve, profesionistët dhe ish-ushtarakët vërshuan nëpër rrugë për të mbrojtur shtëpinë e bardhë të Moskës ku qëndronte Boris Jelcin, i cili asokohe personifikonte demokracinë.

Kryebashkiaku i Moskës dhe të tjerë zyrtarë lokalë nuk u frikësuan nga ithtarët e linjës së ashpër e kështu refuzuan t’u binden dekreteve të tyre. Në vend që të paralizoheshin nga frika, institucionet vazhduan punën si zakonisht: aeroportet funksiononin, telefonat nuk u prenë, njerëzit mund të shkonin nga njëri vend në tjetrin e të komunikonin mes tyre. E së fundi, gjeneralët madhorë nuk iu bindën urdhrave të linjës së egër, të cilët i shtynin ata të tërhiqeshin të turpëruar. 

Mu tani, Putin është në përleshje, duke mbjellë linjën e tij të egër në pozicionet kyçe. Ai emëroi mikun e tij të hershëm, gjeneralin Sergei Ivanov si shef të stafit presidencial, edhe pse ai vetë nuk është rizgjedhur zyrtarisht president. Riktheu Dmitry Rogozin, nacionalistin e urryer e i dërguar në NATO, për të shërbyer në kabinetin e tij në Moskë. Në ditët e ardhshme, pritet të bëjë më shumë emërime për të treguar se ai është i ashpër, nacionalist, një burrë shteti autoritar. Po e bën këtë se është i frikësuar e se dëshpërimisht dëshiron të rikthejë frikën që lehtësoi qeverisjen e tij përgjatë 12 viteve.

Por është vetë media e Putinit që po sjell dështimin e tij. Disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë janë duke i dërguar sinjale miqësore protestuesve. Ata e kanë humbur frikën e kjo tregon se e gjithë ngrehina do të rrëzohet. Procesi është i pandalshëm: Dr. House nuk mund t’i gjejë shpëtim.

Shkruan:
Masha Gessen

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#6 ne: 16-01-2012, 15:17:28
Putin është tejmase i vetëkënaqur nga manovrat e dyfishta në Turqi dhe Ukrainë, që i japin Rusisë një avantazh të dukshëm në fazat e mëvonshme të garës së zotërimit të plotë të tregut të energjisë

Putini kënaqet duke bezdisur Perëndimin

Lideri rus, Vladimir Putin kërkon t'i japë fund dyshimeve absurde që kanë lindur në lidhje me jetëgjatësinë e tij politike dhe dëshiron të përqendrohet në realitet, si për shembull në marrëveshjet e suksesshme të energjisë që ka mbyllur gjatë vitit 2011. Putin është tejmase i vetëkënaqur nga manovrat e dyfishta në Turqi dhe Ukrainë, që i japin Rusisë një avantazh të dukshëm në fazat e mëvonshme të garës së zotërimit të plotë të tregut të energjisë, madje disa kanë frikë se bëhet fjalë për dominimin gjeopolitik të Europës.
Por, nga ana tjetër, manovrat e Putinit gjithashtu sugjerojnë edhe një ndryshim të çuditshëm të marrëdhënieve të Rusisë me botën. "Rivendosja" e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara ka marrë fund, shkruan gazetari Charles Clover i "Financial Times". Administrata ruse nxori javën e kaluar një raport që akuzonte Shtetet e Bashkuara për "abuzime flagrante masive të të drejtave të njeriut", gjë që sugjeron se Putini po përgatitet për "rrahje me grushta", të cilat nuk janë parë më që në kohën e administratës së George W. Bushit.
A mund ta mohojë njeri të gjithë këtë aktivitet antiPerëndim në politikën e tij të brendshme? Putini është duke kënduar një refren që mendon se i pëlqen votuesve rusë të 4 marsit, në përpjekje për të fituar një mandat të tretë në Kremlin. Megjithatë, çështja duket edhe më e ndërlikuar se kaq. Manovrat e Putinit natyrisht synojnë votat e popullit, por eventet jashtë Rusisë gjithashtu e motivojnë që të sillet shpesh në mënyrë oportuniste dhe herë pas here të shpalosë të gjithë egërsinë e tij.
Manovrat e Putinit lidhur me gazin janë shembulli më konkret i sjelljes së tij në mënyrë oportuniste, veçanërisht në atë fushë që vë në lëvizje të gjithë mekanizmat politikë të Rusisë si ndërtimi ose bllokimi i tubacioneve gazsjellëse. Në rastin konkret, Putini ka arritur të nxjerrë me të vërtetë jashtë loje Shtetet e Bashkuara dhe liderët kryesorë europianë, duke paraqitur projektin e Rrjedhës së Jugut, një tubacion gazsjellëse 21 bilion dollarësh nga Rusia drejt Europës duke kaluar mes për mes Detit të Zi.
Si fillim, ditën e enjte Putini i mbushi mendjen Turqisë, e cila që nga mesi i viteve 1990 ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në skuadrën perëndimore të politikave në lidhje me tubacionet gazsjellëse, që vetëm për këtë herë të lejojë Rrjedhën e Jugut që të përdorë ujërat e saj territoriale të Detit të Zi. Më pas, ditën e premte e vazhdoi më tej puçin me anë të një aparence të orkestruar në televizion, gjatë së cilës "rastësisht" ra dakord me sugjerimin e bërë nga Alexei Miller, kreu i gjigantit të gazit natyror Gazprom, për të përshpejtuar Rrjedhën e Jugut me një vit dhe ta fillojë ndërtimin e saj në fund të vitit 2012...

Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#7 ne: 12-02-2012, 21:52:33
Gjendja në Moskë ka ndryshuar thellësisht gjatë dy muajve të fundit, teksa një pjesë e madhe e popullit ka filluar të mendojë se regjimit të Vladimir Putinit i ka ardhur fundi

Putini pa putinizmin

Gjendja në Moskë ka ndryshuar thellësisht gjatë dy muajve të fundit, teksa një pjesë e madhe e popullit ka filluar të mendojë se regjimit të Vladimir Putinit i ka ardhur fundi. Njerëzit nuk janë të tensionuar dhe as të inatosur, përkundrazi janë të qetë dhe të entuziazmuar.
Në mënyrë paradoksale, opozita është e bindur se jeton në një shtet të lirë, ndërkohë që qeveria vazhdon të mendojë se pushteti i saj është i pacenueshëm. Këto dy lloj perceptimesh të kundërta të realitetit janë në prag të përplasjes me njëra-tjetrën dhe sistemi i qeverisjes në Rusi do të ndryshojë dramatikisht gjatë këtij procesi. Bindja e përgjithshme vazhdon të jetë që Putini do të fitojë zgjedhjet presidenciale të 4 marsit. Por, pritshmëritë e rusëve për pasojat e kësaj fitoreje janë të ndryshme. Në Moskën e ditëve të sotme janë duke fluturuar pesë skenare kryesore.
Këndvështrimi kryesor liberal është që ekonomia dhe shoqëria ruse janë bërë tashmë më të forta se sistemi politik dhe se Rusia dalëngadalë do të përjetojë një eksperiencë paqësore demokratizimi. Evolucion, jo revolucion. Edhe pse Kryeministri aktual, Vladimir Putin do të rikthehet si president, pushteti i tij do të dobësohet dhe një tranzicion i plotë demokratik do të bëhet i mundur brenda dy ose tre vjetësh. Siç e shpjegon edhe teoria e modernizimit e krijuar nga shkencëtarët politikë, Seymour Martin Lipset dhe Samuel Huntington, Rusia është thjesht tepër e pasur, tepër e mirëshkolluar dhe tepër e hapur për të qenë kaq autoritare dhe e korruptuar.
Një mendim i ndryshëm liberal, i shprehur nga shkencëtarja politike, Lilia Shevtsova, argumenton se Putini do t'i shtrëngojë frerët pas zgjedhjeve dhe se presidenca e tij do të jetë më represive se regjimi aktual. "Epoka e Putinit është duke përfunduar, por autoritetet po bëjnë gjithçka është e mundur për ta bërë këtë finale sa më dramatike", shkruan ajo.
Këndvështrimi i tretë, veçanërisht i kufizuar tek biznesmenët perëndimorë pro Putinit, është që Putini e ka kuptuar që pozicioni i tij delikat do ta detyrojë t'i rikthehet programit të reformave që adoptoi në vitin 2000, që theksonte liberalizimin e tregut dhe reformat gjyqësore. Si politikan i zoti që është, Putini do të nxjerrë mësim nga protestat dhe do të ndërmarrë reformat e duhura liberale ekonomike dhe juridike, duke ruajtur në të njëjtën kohë pushtetin e tij autoritar...

Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#8 ne: 04-03-2012, 18:16:44
Rebelim kundër "Sistemit Putin"

Roman GONCHARENKO

Ajo që shumë vetë nuk mund ta imagjinonin pak kohë më parë, është kthyer sot në realitet. Prej rreth 3 muajsh dhjetëra mijëra vetë dalin në rrugët e Moskës, për të kërkuar për zgjedhje të lira dhe më shumë demokraci. Edhe në qytetet e tjera ka patur protesta. Shoqëria civile ruse, që kishte dhjetë vjet që kishte rënë në gjumë, është zgjuar sërish, thonë ekspertët dhe politikanët.

Shpirtrat që thirri Putini

Njeriu që i nxori ata nga gjumi quhet Vladimir Putin. Kryeministri rus, që ka qenë president nga 2000 deri më 2008, shfaqet sërish si kandidat në zgjedhjet që zhvillohen këtë të dielë (04.03.). Mënyra se si njoftoi ai rikthimin në Kremlin, ka indinjuar shumë rusë, mendon Natalia Taubina, drejtuese e organizatës joqeveritare "Gjykimi shoqëror" dhe anëtare e forumit të shoqërisë civile BE-Rusi. Putini dhe presidenti i tanishëm, Dmitri Medvedev patën pranuar për herë të parë në shtator 2011, që kishin rënë dakord të ndërronin vendet e punës: Putini do të bëhet sërish president dhe Medvedevi kryeministër.
"Ajo që e mbushi kupën është falsifikimi i pashembullt i zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit. Qytetarë të thjeshtë, që ishin angazhuar si vëzhgues vullnetarë zgjedhjesh, i panë falsifikimet me sytë e tyre", thotë Taubina.
Kjo është vendimtare për lëvizjen e sotme të protestës: "Shoqëria kërkon në radhë të parë respekt". Konkretisht kjo do të thotë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ligje më të thjeshta për lejimin e partive dhe lirimin e të burgosurve politikë. Rusët liberalë kritikojnë zhvillimet jodemokratike të vendit dhe flasin për "Sistemin e Putinit". Këto duhet të ndryshojnë në mënyrë paqësore.

Shtresa e mesme tregon prezencën

Protestat në Rusi zhvillohen kryesisht nga shtresa e mesme. "Në Rusi ekziston sot një protestë masive e shtresës së mesme, njerëzve të kamur, që kërkojnë që ata dhe të drejtat e tyre kushtetuese të respektohen, mes tyre edhe e drejta për zgjedhje të lira dhe të ndershme", thekson Michail Kassjanow, ish-kryeministër dhe udhëheqës i opozitës.
"E qartë është se të paktën në qytetet e mëdha mes të rinjve të kualifikuar, njerëzve të shkolluar ekziston mirëkuptimi për një situatë të re politike", thotë Petra Stykow, eksperte për Evropën Lindore në Universitetin e Mynihut. Pakti jozyrtar i shoqërisë, sipas të cilit populli rus preferon stabilitetin politik dhe mirëqenien ekonomike para lirive demokratike, nuk pranohet më nga një pjesë e madhe e popullsisë. A shënon kjo momentin e lindjes së një shoqërie të re civile, nuk mund të thuhet mendon ekspertja. Sepse në provinca lëvizja e protestës nuk është aq e fortë.

Kujt i duhet dhënë vota?

Me zgjedhjet presidenciale, Rusia arrin kulmin e tensionit politik. Me sa duket Putini nuk duhet të ketë frikë se nuk do të zgjidhet që në raundin e parë të zgjedhjeve. Megjithatë, sipas sondazheve më shumë se gjysma e rusëve do ia japin votën kryetarit të qeverisë.
Opozita akuzon Putinin se në kuadër të zgjedhjeve i ka bllokuar kundërshtarët e rrezikshëm politikë. Si duhet reaguar ndaj kësaj? A duhet shkuar në zgjedhje? Nëse po, atëherë kujt i duhet dhënë vota? Udhëheqësit e lëvizjes së protestës nuk kanë përgjigje të qartë për këto pyetje. "Lëvizja e opozitës nuk është pjekur për aksione solidare", shkruan në blogun e tij shkrimtari, Boris Akunin

  • Postime: 28588
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#9 ne: 05-03-2012, 09:38:06
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Rusi tregojnë se Vladimir Putin është zgjedhur për të tretën herë president i vendit, pas katër vjetësh në postin e kryeministrit.

Rezultatet paraprake tregojnë se Putin ka marrë 60 % të votave që do të thotë që ai do të shmangë një raund të dytë përballë rivalit më të afërt, komunistit Genady Zyganov.

Zyrtarë tregojnë se pjesëmarrja në votime ishte më e lartë së në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2008.

Në të njëjtën kohë grupet e opozitës raportuan shkelje gjatë procesit të votimit, me një numër njerëzish që sipas tyre kanë votuar më tepër se një herë.

Ata bënë thirrje për protesta në masë në qëndër të Moskës ditën e hënë. 

Njëkohësisht me mijëra mbështetës të Putinit janë mbledhur jashtë Kremlinit duke festuar fitoren me flamurë dhe banderola. 

Me numërimin që tashmë ka filluar në shumicën e vendit, Komisioni Zgjedhor publikoi rezulatet paraprake me Putin që ka gati 62 %  të votave dhe Zyganov poshtë limitit të 18 %.

Përqindja e kandidatëve të tjerë është ende nën 10 %.   /top channel

Temat e fundit