Ngjarjet tragjikomike që ndodhën në vitin 1990 - Historia Moderne Shqiptare

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Ngjarjet tragjikomike që ndodhën në vitin 1990

Ngjarjet tragjikomike që ndodhën në vitin 1990

· 1 · 496

  • Postime: 27979
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 04-08-2011, 12:52:09
Xhemal Tafai: Ju tregoj ngjarjen më komike të Tiranës së ‘90-s, kur u privatizua brenda një nate
Nga Fatos Veliu

Rrëfimi i ish-ministrit të Ekonomisë Komunale, Xhemal Tafai. Ngjarjet tragjikomike që ndodhën në vitin 1990 në udhëheqjen mediokre të shtetit komunist, që nuk dinin se ç’ishte privatizimi. Batuta e re e Tafait që irritoi Ramiz Alinë.
 
Serioziteti i veçantë me të cilin të prezantohet Xhemal Tafai, sfumohet shumë shpejt që në bisedën e parë me të. Duket se ish-ministri i qeverisë komuniste nuk mund të bëjë gjatë pa humorin e tij. Me ardhjen e tij në qeverinë e Adil Çarçanit, në vitin 1987, veç një pune kolosale që po bëhej në kryeqytetin shqiptar për të sjellë transformimet e mëdha që i ishin vënë për detyrë, ai solli me vete edhe një sens të fortë humori, që filloi të përflitej që në fillim në rangjet e larta të shtetit. Por, shpejt tipi i veçantë i Xhemal Tafait, ministrit më popullor dhe më pa komplekse në qeveritë komuniste, u bë interesant edhe për masën e madhe të publikut. Nuk mund të takoheshe me të dhe të mos qeshje. Nuk mund që ai të bënte një takim me vartësit dhe të mos u shkaktonte atyre disa herë të qeshura të jashtëzakonshme sa të lëviznin tavolinat ku rrinin. Nuk kishte pasur rast që të thirrej në një mbledhje të rëndësishme jo vetëm qeverie, por edhe të Byrosë Politike, ku të mos gjente momentin për të futur atë të qeshurën që ai dinte t’ua shkaktonte njerëzve pa as më të voglin mundim. Ky ishte tipi i Xhemal Tafait, ish-ministrit të Komunales të Shqipërisë së vitit ‘87.
Xhemali nuk ngurron aspak që përveç arritjeve të tij të atyre viteve, të tregojë edhe të vërtetën e barcaletave që thuheshin për të. Pikërisht sot, në numrin e tretë të intervistës së tij, tregohet po me të njëjtin humor, një nga “bëmat” më të veçanta, që tregon më së miri figurat që kishin arritur të penetronin në udhëheqjen më të lartë të shtetit.
Ai denoncon faktin që shumë prej tyre nuk kishin idenë se çfarë do të thoshte që ndërmarrjet të punonin me llogari më vete.
 
 
Zoti Xhemal, është e vërtetë se që në vitin 1990 ju keni guxuar të paraqisni para Byrosë Politike një plan privatizimi të njësive të shërbimeve të sektorit publik?
 
 
Ishte fillimi i viteve ‘90 kur ekonomia jonë po pësonte tronditje të fuqishme, aq sa çdo ditë e më shumë i bllokohej frymëmarrja. E veçanta ime kur bëja pjesë në qeveri, ka qenë se nuk e kam pasur asnjëherë për turp të thosha se vija në udhëheqje nga prodhimi apo nga baza. Nuk e kam mohuar kurrë, madje se kam qenë pikërisht tornitori që prodhonte detalet e cilësive ekstra. Si i tillë, i kisha të qarta më mirë se anëtarët e tjerë të qeverisë shumë probleme që haseshin në praktikë në ndërmarrjet prodhuese apo në ato të shërbimit, të cilat nga mënyra e funksionimit të tyre po e çonin ekonominë tonë në të tatëpjetë të paimagjinueshme. Ishte pikërisht ajo mënyrë organizimi që shtonte burokracinë, ulte rendimentin dhe vdiste prodhimin. Ishte e padurueshme kur ne mbarë populli punonim si qeni, dhe së fundmi nuk na ngelej tjetër veçse të shtrëngonim rripin. Kështu ndodhte tërë kohën, nga njëra anë puno e sfilitu dhe nga ana tjetër shtrëngo rripin e kurse. Në këto kushte dhe duke e njohur mirë mënyrën e punës në bazë, mendova që së bashku me ekipin e specialistëve të disa fushave që kisha në dikaster, të bëja një studim ambicioz. Ai studim do kishte të bënte në radhë të parë me shërbimin artizanal, të cilin e kishim në nomenklaturë. Në qoftë se do të kishim sukses në rendiment, kishim mendimin që me miratim në organet e larta të shtetit, ta aplikonim në të gjithë sektorët e tjerë, pra edhe në ata të prodhimit. Kjo do të fliste për një konceptim tjetër të mënyrës së organizimit të ekonomisë sonë. Unë menjëherë si e vura në plan, fillova nga puna. Në fillim nisa të bëja eksperimentet konkrete. Të gjithë njerëzve duhet t’u kujtohet që në vitet ‘90 kishte disa lokale të shërbimit artizanal të cilat punonin me llogari më vete. Këtu kam parasysh rrobaqepës, këpucarë, llamarinistë, hekurpunues, zdrukthëtarë etj. Këto ndërmarrje, ndërsa vazhdonin punën, monitoroheshin nga komisionet tona të posaçme. Ato njësi merrnin furnizimin nga shteti dhe, ndërsa paguanin pjesën e të ardhurave që i takonte shtetit, të tjerat kishin të drejtë t’i mbante për vete. Kjo do t’u jepte vrull, sepse kishte motiv për të punuar, pasi do të fitonin më shumë të ardhura. Saktësisht mendimi ishte që prodhuesi apo zanatçiu të ishte njëfarë aksioneri me shtetin.
 Kështu që berberi, këpucari, rrobaqepësi apo edhe furrtari befasisht ishin vënë përballë alternativave të vështira në dukje, por që ishin të leverdishme për ta, pasi lekët mbi taksën e caktuar do t’i përfitonin të gjitha vetë. Në këtë mënyrë u rrit kërkesa dhe përkushtimi në punë, e rrjedhimisht u rrit dhe rendimenti. Mirëpo në këtë formë u ndje derdhja e të ardhurave edhe në arkën e shtetit, pa pasur nevojë të kishte dhjetëra njerëz që të ndiqnin prodhimin, mbetjet etj., etj. Unë, ndërsa eksperimentoja për çfarë po ju them, kompletoja ndërkohë materialin teorik për t’ia paraqitur Byrosë Politike.
 
 
Në çfarë sistemi po e përgatisnit atë material?
 
 
Unë ndoqa gjithsesi edhe udhëzimet e sektorëve ekonomikë të qeverisë, që kishin përcaktuar konkurrimin e pronës së shtetit, pronës së grupit dhe asaj të privatit. Ekipi ynë i Ministrisë Komunale, pikërisht mbi këtë bazë, përcaktoi dhe studimin se ç’rrugë do të ndiqte secila nga këto ekonomi për t’u vënë përballë njëra-tjetrës për konkurrim. Pas kësaj, ajo mënyrë që do të kishte efikasitet, do të ishte bazë për të përfshirë të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.
 
 
Thuhet se në këtë rast, ndërsa jeni paraqitur para Byrosë Politike, keni guxuar të bëni humor me të, duke dhënë dhe një fshikullimë disi fyese?
 
 
(Qesh) Po ç’të bëja? Ata uleshin në tavolina dhe sikur nuk ishin mes nesh, por diskutonin si të ishin UFO. Konkretisht, materiali për të cilin ju fola u paraqit edhe në Komitetin Qendror të Partisë, por edhe në Këshillin e Ministrave. Kur përfundoi në Byro, u paraqita dhe unë si autor i tij apo si kryetar i grupit të punës që përgatiti materialin. Në momentin që ai do të diskutohej, gjithë Byroja kishte ngelur si e shokuar. Ç’është e vërteta, ishte hera e parë që ata merrnin në dorë një material të këtij lloji, i cili kishte ambicie dhe tendenca drejt ekonomisë private. Ta pranojmë që për kushtet politike dhe normat e sistemit të ndërtimit të ekonomisë së atëhershme, ajo që unë po bëja, kishte ambicie që i kalonin parashikimet. Megjithatë, nuk doja të dija se kush ishte Byroja Politike për sa i përket frikës që mund të kishe para saj në rast se bëje gabime. Të mos harrojmë se ekzistonte mundësia që ata t’i cilësonin shkresat e përpiluara edhe gabime të theksuara politike dhe e dije vetë se çfarë pësoje pas kësaj. Megjithatë, unë kisha mbështetje nga Ramiz Alia, kështu që isha disi i ngrohtë nga ajo anë. E vërteta është se ai më ka dashur dhe më ka inkurajuar. Që të mos e zgjas, hyra brenda dhe prita që të diskutohej ai material, i cili do të çelte praktikën e privatizimeve në Shqipëri. Si u mor në shqyrtim, filluan pyetjet në adresën time nga anëtarët e Byrosë. Nuk mbaj mend sa u bënë, se kanë kaluar kohë tashmë, por ishin shumë. Pasi mbaruan pyetjet, unë po rrija pa folur. Në këtë çast ndërhyri Ramizi. “Hë, Xhemal!” “Urdhno!”, - i thashë. “Fol, përgjigjju pyetjeve të shokëve të Byrosë”, - vijoi ai. “Unë, shoku Ramiz, nuk e dija se Byroja nuk e ka lexuar fare materialin para se ta diskutojë”. “Nuk ju kuptoj”, - vazhdoi Ramizi. “Po të gjitha këto që shokët ngritën në pyetje, janë të shpjeguara brenda në material, megjithatë unë po i zbërthej dhe po i sqaroj të gjitha, pa lënë as më të voglin dyshim”.
 
Po anëtarët e Byrosë, si reaguan nga përgjigjja që ju i dhatë Ramiz Alisë?
 
Ngelën të habitur nga guximi që mora për të folur në atë mënyrë, duke mos ditur ç’të thoshin (qesh). Pas kësaj fillova të shpjegoja çdo pikë apo paqartësi që kishte në material. E vërteta ishte se nuk e kishte njeri idenë e funksionimit të njësive të shërbimit me llogari më vete. Nga njëra anë, ata kishin të drejtë të rrinin si të shokuar, pasi për herë të parë në Shqipëri po aplikoheshin metoda të tilla. Gjithsesi, unë kisha eksperiencën time në prodhim, ku dija fare mirë se ku çalonte puna dhe si mund t’i jepje frymëmarrje një njësie prodhimi. E dija mirë gjithashtu se cila ishte mënyra për të stimuluar apo për të motivuar ustain që punonte në ato njësi, aq më shumë që unë kisha vënë dorë vetë në çdo pikë të atij materiali, madje edhe duke e konkretizuar me disa dyqane, të cilat kishin disa kohë që kishin funksionuar si llogari më vete. Kështu, me pak fjalë, isha tepër i përgatitur për të arritur t’u mbushja mendjen byroistëve me argumente bindëse. Dhe kjo gjë më së fundmi u bë e mundur. Të gjithë ata, kur e kuptuan se cila ishte rruga për të nxitur prodhimin, ranë dakord unanimisht. Ky rast për mua ishte një sukses jo i vogël, po të kesh parasysh jo vetëm mentalitetin e kohës, por edhe parimet politike mbi të cilat mbështetej ajo Byro. Unë, të them të drejtën, u entuziazmova jo vetëm që kaloi materiali, por edhe që arrita të argumentoj dhe të bind Byronë. Mbaj mend që në atë moment që iu dha vistoja materialit të paraqitur, unë hodha një llaf që të shpotitja Adil Çarçanin, i cili nuk ma kishte pranuar në fillim po atë material. U thashë anëtarëve të Byrosë se atë material nuk ma kishte pëlqyer Adil Çarçani. Adili po ulte kokën dhe shikonte sa majtas-djathtas. Vura re ndërkohë që Ramiz Alia po buzëqeshte nën buzë. Kuptohej që i pëlqeu ndërhyrja dhe shpotitja që i bëra Adilit. Megjithatë, menjëherë u pendova, pasi Adili ishte njeri shumë i mirë dhe nuk kishte asnjëherë tendenca agresive.
 
 
E bëtë privatizimin pas kësaj?
 
Patjetër. Që të nesërmen e filluam dhe po atë ditë e mbaruam.
 
 
Nuk ju kuptoj?
 
E ç’do më kuptoni. Atëherë tregonin gallatat e mia se ato merrnin famë, por kishte të tjerë që ishin për të qeshur dhe për të qarë. Kështu ishte edhe ajo mesele që po bëhej çorbë, si rezultat i mosnjohjes së gjërave nga anëtarët e Byrosë.
Që të nesërmen, Abdyl Backa, i cili ishte sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, mori iniciativën për ta zbatuar menjëherë vendimin e Byrosë Politike, që institucionet e shërbimit publik të kalonin me llogari më vete. Mirëpo jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë nuk i kishin të qarta shumë detaje të tilla, por që ishin themelore, se si këto shoqëri do të dilnin në llogari më vete apo që ato kërkonin disa lloj procedurash që të arrinin deri aty. Ai telefonoi në Komitetin Ekzekutiv dhe kërkoi shefin e seksionit komunal që t’i shkonte në zyrë. Menjëherë i la detyrë që të përgatiteshin në mënyrën më urgjente tabelat për të kaluar në prona private të gjitha njësitë e shërbimit publik. Kështu kishte bërë edhe shefi i seksionit. Ai mobilizoi të gjithë punëtorët e atij lloj shërbimi për të përgatitur tabelat, ndërkohë që punëtorët e dizenjos bënë shkrimet. Në një afat rekord ishin përgatitur mbi 200 tabela. Po me atë shpejtësi ato u vendosën në të gjitha dyqanet dhe njësitë e shërbimit. Kështu, njerëzit e kryeqytetit befasisht janë ndeshur para çdo dyqani me tabelën “Privat Filan Fisteku”. Gjatë po këtyre dy-tri ditëve janë rritur edhe çmimet në mënyrë të menjëhershme. Ata kujtuan se ishte për qejf muhabeti. Pa paguar as dyqan, as makineri dhe as lëndë të parë, një këpucar u kthye menjëherë në një privat absolut. Ishte një absurditet i paimagjinueshëm. Ndërkohë që edhe punonjësit apo specialistët e shërbimeve, si rrobaqepësit, këpucarët, llamarinistët etj. i rrisnin çmimet çdo ditë sipas dëshirës. Aq më shumë që puna e çmimit ishte shumë thjesht për t’u rritur në ato momente, pasi mungonte konkurrenca. Unë gjithashtu nuk dija gjë se çfarë po ndodhte, por merresha me referate dhe me ideologjizma.
 
 
Po si e morët vesh një gjë të tillë?
 
 
Më merr në telefon shefi i sektorit komunal i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i cili më thotë për punën e madhe që ata kishin bërë për privatizimin e të gjitha njësive. “Kështu, - më tha ai, - mund të të them se pothuajse përfunduam fare me privatizimin e të gjithë sektorit komunal. Dhe pak kemi”. Unë ngela i befasuar dhe nuk dija çfarë të bëja. Kur mësova se kjo ishte bërë me dijeninë dhe urdhrin e Abdyl Backës, u trondita shumë, pasi më dhimbte fakti që një kuadër i lartë i shtetit, siç ishte Backa, nuk e kishte fare idenë e privatizimit. Mirëpo, megjithëse nuk kishte marrë ndonjë mendim nga unë, ndërsa fliste, shefi komunal i Komitetit kuptohej që ishte plot entuziazëm që punët u kishin vajtur mirë. “Hajde, shoku ministër, që t’i shikosh vetë, hajde se do të ngelesh i kënaqur”, - më tha ai ndërsa priste dhe një reagim nga unë. Nuk e bëra të gjatë dhe i thashë që të vinte në zyrën time, pasi do të dilnim bashkë ta shikonim gjendjen në vend. Kështu u bë. U nisa menjëherë në rrugët e kryeqytetit, ku më rekomandonte shefi që më shoqëronte. Po e shikoja konkretisht atë për të cilën më kishin raportuar. Kudo shikoja tabela nëpër xhama. Në fillim të tabelës ishte emri i zanatçiut, pastaj flitej për shërbimin dhe pastaj thuhej “privat”. Konkretisht, shkruhej: “Filan Fisteku / këpucar privat / apo “rrojtore private”, “furrë buke private” etj., etj. me radhë.
 
 
Çfarë bëtë ndërsa shikonit një situatë të tillë?
 
 
Çfarë të bëja? U skandalizova. Ky ishte një budallallëk që nuk kishte mënyrë arsyetimi fare. Megjithatë, fillova të hyja me radhë në disa lokale. Hyra në fillim te një këpucar. Ai u befasua kur pa ministrin në këpucarinë ku punonte. “Urdhnoni, shoku ministër”, - më tha menjëherë sa më pa në derë, ndërkohë që po çohej në këmbë. “Ulu, - i them, - vazhdo puno, se për këtë kam ardhur, që t’ju shikoj si punoni”. E pyes se çfarë e kishte atë tabelë në xhamin e derës. “Ku e di unë, ore shoku ministër. Mua më erdhën disa njerëz të komunales dhe më thanë që këtej e tutje do të jem privat. Do t’i paguaj shtetit një pjesë të lekëve që do të fitoj dhe me të tjerat do të kullundrisem për vete. Edhe unë u kënaqa. Epo shyqyr, thashë, që ma bënë këtë. Të punojmë dhe ne një herë për vete, se tërë kohën kemi punuar për të tjerët”. “Po me çmimet si je?”, - e pyes. “Aha, - më thotë. - Si gjej bëj. Dhe shteti leverdi ka po t’i bëj këpucët të shtrenjta, se merr pjesën e tij”.
 Pas kësaj nuk m’u durua dhe i kthehem: “Ore shok. A e di ti se çfarë do të thotë të kalosh llogari më vete apo privat? Do të thotë që ti t’i paguash shtetit këtë dyqanin ku po punon, se nuk është yti. Të paguash gjithashtu edhe këto makineritë që ke këtu, se i ka blerë shteti, jo me lekë, por me flori. Të paguash këto dy makinat qepëse që ke dhe pastaj të kesh disa avantazhe që do të të japin mundësi dhe motiv për të punuar. Por gjithmonë jo sipas qejfit tënd. Do t’i paguash shtetit taksë, por edhe çmimet do të diktohen nga ai dhe fitimet do të të kontrollohen nga ai. Ehu, ka shumë avaze kjo punë, nuk është aq e lehtë sa e mendon ti”. Ai ngeli i hutuar nga sa dëgjonte. Pas kësaj, bëra dhe një sërë kontaktesh me këta specialistë të shërbimeve të popullit. Një gjë interesante për ato momente do t’ju thosha se po na ndodhte dhe një fenomen tjetër që nuk ishte vërejtur më parë. Pikërisht ishte vjedhja. Konkretisht, pasi u kishin vënë tabelën se do të dilnin llogari më vete, e kuptuan se nuk do të kishin shumë interesimin e shtetit. Mirëpo furrat e bukës donin të kishin drutë e pjekjes, të cilat më parë ua siguronte shteti dhe tani që sipas tyre kishin dalë llogari më vete do t’u duhej t’i siguronin vetë. Në këtë mënyrë kishin filluar të kërkonin rrugëzgjidhje. Unë këtë e konstatova si shkova në një furrë buke. U bëra edhe atyre pyetjet që i kisha bërë këpucarit. Edhe atyre u fola për tabelën apo dhe për të tjera probleme që kisha folur më parë. Por çfarë të shikoja. Në vendin që mbanin drutë, pashë që kishin dërrasa të një cilësie të mirë që i kishin marrë për t’i djegur. U them se me çfarë i piqnin bukët? Pa e bërë të gjatë m’u përgjigjën se i piqnin me drutë që siguronin vetë. Atëherë u thashë që nuk është e vërtetë ju keni vjedhur drutë te “Misto Mamja. Por nuk bëhet kështu privatizimi duke vënë një tabelë në mur dhe duke vjedhur materialet e shtetit. Jo e keni kuptuar gabim. Nuk bëhet kjo punë për një ditë e dy, por me një program të qartë dhe të studiuar mirë dhe në radhë të parë kjo gjë do kohë”.
“Nuk dimë gjë ne, - ma kthyen ata, - kështu na thanë dhe kështu bëmë. Edhe tabelën nuk e kemi vënë vetë, por erdhën njerëzit e shtetit dhe na i vunë. Kështu që nuk kemi faj ne. Kështu na thanë dhe kështu bëmë”. Në fakt ashtu ishte me të vërtetë. Ç’faj më kishin ata mua, kur ne që përfaqësonim shtetin e privatizuam Tiranën për një natë!?
 
 
A morët masa për të rivendosur gjendjen që ju ishte krijuar?
 
 
Do merrja patjetër. Por që ta saktësoj më mirë atë që më thatë ju, nuk do të thosha “gjendjen”, por amullinë, se ishte krijuar me të vërtetë një amulli saqë kishte çoroditur një dynja të tërë. Unë menjëherë shkova te Ramiz Alia dhe i raportova për sa kishte ndodhur. Ramizi u shqetësua së tepërmi për këtë që po i thosha aq sa nuk donte ta besonte. Megjithatë u nisa menjëherë edhe me porosi të tij, por edhe për të vënë në zbatim iniciativat e mia. Anulova çdo veprim që ishte bërë deri atëherë dhe urdhërova të gjithë drejtuesit e shërbimit komunal dhe të shërbimeve të tjera që të mblidheshin në një takim të zgjeruar në Durrës. Këtë e bëja për të bërë një instruktazh të imët mbi rrugët dhe etapat që do të ndiqnim për të kaluar njësitë e shërbimit publik me llogari më vete.
 
Në këtë rast ka ndodhur ajo thënia e çuditshme që u keqkuptua në publik dhe doli si humor?
 
 
Po, këtu. Ishte shpjegimi që po u bëja njerëzve të institucioneve të shërbimit komunal, të cilët nuk po kuptonin shumë gjëra nga sa po ndodhte në të vërtetë. Unë, siç ju thashë, edhe herën e parë për t’i kuptuar më mirë ato që thoshim u thashë: “Duhet ta kuptoni që deri tani keni ngrënë mundin e qeverisë, ndërsa tani e tutje do të hani mundin tuaj”.
Kjo thënie si dhe shumë të tjera u keqkuptua. Pastaj unë e dëgjoja që përdorej rëndom nëpër rrethe që kërkonin gallatë. Këtë gjë e kuptoja se shumë herë më bëheshin pyetje që e ke thënë këtë apo atë të fortë.
 
 
 Tafai: Barcaletat e mia lindën kur u bëra ministër i Komunales
 
 
Xhemal Tafai është njohur nga opinioni si ministri që prodhonte humor në çdo vend dhe situatë. Sipas tij, humori mes fjalorit banal ka qenë vetëm si rezultat i detyrës së ngarkuar. “Në momentin që shkova në detyrë, - tregon ai, - pashë se kisha të bëja me njerëz me nivel intelektual të ulët. Nga dikasteri që drejtoja unë, vareshin ndërmarrjet e komunaleve nëpër rrethe, të cilat kishin në mes tyre deri edhe zanatçinjtë më të thjeshtë apo ata që ne ishim mësuar t’i etiketonim me lloj-lloj nofkash të rëndomta. Këta ishin pastrueset e rrugëve, punonjësit e pusetave, ndërtuesit e lulishteve, këpucarët, rrobaqepësit etj., të cilët sa shikonin makinën time, doje s’doje ti, pavarësisht se ishe ministër, të përshëndesnin me dorë. Nuk bëhet fjalë këtu në momentet që ti kishe ndalur makinën, se të vinin të takonin me patjetër, pa menduar gjatë se me çfarë edukate apo kulture të drejtoheshin”. Pikërisht mes këtyre njerëzve, veç sakrificës apo përkushtimit për të pranuar çdo punë, ai gjeti edhe humorin, edhe banalitetin mes atij humori. Ai tregon se ishte i detyruar t’i përshtatej atij ambienti jo vetëm shefi apo përgjegjësi, siç quhej zakonisht në atë periudhë, por edhe drejtori, deri te ai vetë si ministër. “Erdhi një ditë që nuk e vija re sjelljen e pahijshme që bënte ndonjë element i asaj kategorie në lidhje me mënyrën e komunikimit. Madje, nuk më vinte keq edhe për fjalorin që ata përdornin vend e pa vend, pavarësisht se kush mund të ishte prezent. Këtë gjuhë u detyrova të aplikoja edhe unë si ministër, që t’i përshtatesha ambientit që rrethonte sektorët që unë kisha në vartësi. Njerëzit që ne kishim të bënim, në të shumtën e rasteve ishin me të vërtetë të një niveli të ulët intelektual, por ishin tepër të bardhë nga zemra dhe shumë të pasur nga humori të cilin unë fillova ta doja shumë”, - tregon në rrëfimin e tij zoti Xhemal.
 
 
 
“Do ta bëj Tiranën si Kajroja”
 
Deklarata e madhe e Tafait, e bërë menjëherë pas kthimit nga Egjipti dhe që qarkulloi fuqishëm në kryeqytet, aq sa përmendej sa i kujtohej emri.
 
 
 
“Sa erdha në krye të dikasterit të Komunales, mendova se më erdhi dita të bëja diçka për Tiranën time, ku unë u linda dhe u rrita”. Kështu e përshkruan Xhemal Tafai momentin kur u bë ministër i Ekonomisë Komunale në qeverinë komuniste të Adil Çarçanit. Ai tregon se ndriçimi i Tiranës në atë periudhë linte shumë për të dëshiruar. Kudo ndihej një ndriçim vetëm i zbehtë, por edhe ai ndriçim ishte zonal, pasi kishte pjesë të tëra në Tiranë, madje edhe me rrugë të mëdha, që nuk kishin arritur të ndriçoheshin. Gjithashtu, në atë periudhë, sipas shumë dëshmitarëve, kishte mjaft probleme në drejtim të gjelbërimit të qytetit. Në bazë të detyrës që kishte, Tafai pati mundësi të shkonte në disa vende të Evropës, por vizitën e parë jashtë shtetit e bëri në Egjipt. Atje mësohet se është mahnitur aq shumë, saqë nuk mundi ta harronte asnjëherë atë bukuri të rrallë me të cilën u prezantua. Kështu, sa ka shkuar në Kajro, ka urdhëruar grupin e specialistëve qe e shoqëronin të bënin fotografi të ndryshme dhe t’i koleksiononin. Ata fotografuan parqe, llambadarë ndriçimi, sisteme ndriçimi, monopate lulishtesh etj. Këtë gjë e bëri edhe në shumë vende të tjera që pati rastin të vizitonte. Pas kësaj mësohet se ndërmarrjet e mirëmbajtjes së kryeqytetit si dhe ato të ndërtimit të lulishteve, por sidomos ajo elektrike, filluan një aksion të paparë ndonjëherë deri në atë periudhë. Fotografitë e servirura nga jashtë u bënë një bazë e patjetërsueshme për grupet e specialistëve që ngriheshin në çdo sektor. Modelet e para filluan të aplikoheshin. Sistemet e ndriçimit në anë të rrugëve, rrugicave dhe në lulishte u arritën të ndërtohen me modelet e Kajros. Qindra llamba dhe dhjetëra km kanale janë dashur të hapen në atë periudhë në kryeqytet. Dhjetëra lloj formash dekorative, të cilat dikur viheshin re vetëm në lulishte të veçanta të disa kryeqyteteve evropiane, filluan të aplikoheshin edhe në Tiranë. Pastërtia sundoi në mënyrë të rregullt në çdo skaj të saj. Dhjetëra metra katrorë lulishte të reja u shtuan. Për këtë, zoti Tafai - të cilit edhe bashkia e sotme për atë që ka bërë i ka akorduar një pension special - përfundoi i kënaqur që mundi të bënte diçka për Tiranën e tij që e donte shumë.

Temat e fundit