Takimi ku Feçor Shehu urdhëroi Mehmetin për likuidimin e Enverit - Historia Moderne Shqiptare

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

 Takimi ku Feçor Shehu urdhëroi Mehmetin për likuidimin e Enverit

     Takimi ku Feçor Shehu urdhëroi Mehmetin për likuidimin e Enverit

    · 2 · 2562

    • Postime: 28653
    • Karma: +48/-5
    • Gjinia: Mashkull

    ne: 12-08-2011, 15:39:48
    Prokurori: Takimi ku Feçor Shehu urdhëroi Mehmetin për likuidimin e Enverit

    Feçor Shehu etiketohej si armiku i dytë më i madh, pas Kadri Hazbiut. Madje, trupi gjykues i drejtuar nga Aranit Çela arrinte deri aty sa e akuzonte Feçor Shehun si autorin e urdhrit për të eliminuar Enver Hoxhën. Për këtë akuzë, prokuroria e drejtuar nga Rrapi Mino përdorte dëshmitë e Ali Çenos dhe personave të tjerë, të cilët pohon se ish-ministri e kishte takuar Mehmet Shehun një ditë para vetëvrasjes. Në proces, Feçor Shehu akuzohej se kishte përdhunuar vajzën e një personi, që kishte nisur më pas letër anonime, por edhe si agjenti i drejtpërdrejtë i Beogradit. Njësoj si Kadri Hazbiu, edhe Feçor Shehu mohonte akuzat me fjalët: Fëmijët e mi edhe mund t’i vrisja, por kurrë udhëheqësin e partisë. “Mapo” boton sot proces-verbalin e marrjes në pyetje të Feçor Shehut, zbardhur sipas librit të Kastriot Dervishit”Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja”.

    ARANIT ÇELA: Sikurse e dëgjove, Feçor Shehu, akuzohesh se ke bërë pjesë në një organizatë kundërrevolucionare, qëllimi i së cilës ka qenë përmbysja e pushtetit popullor dhe kjo organizatë d.m.th. akuzohej gjithashtu për likuidimin e sekretarit të parë të Komitetit Qendror. Jep shpjegime.

    FEÇOR SHEHU: 17 muaj rresht në hetuesi e kam hedhur poshtë kategorikisht një akuzë të tillë. Feçor Shehu kurrë nuk ka qenë pjesëtar i kësaj organizate, kurrë nuk ka bërë punë armiqësore, kurrë nuk ka dashur të likuidojë sekretarin e parë, as ka ditur për gjëra të tilla, përkundrazi, kam vënë tërë forcën time që në moshën 16 vjeç e deri sot për të çliruar atdheun, për të ndërtuar socializmin, për ta mbrojtur atë nën udhëheqjen e Partisë dhe të udhëheqësit të saj. Gjithashtu, me shumë merimanga të tilla, siç i deklaroi këtu Mihallaq Ziçishti, jo Maqo Çomua, jo Dali Ndreu, jo Liri Gega, jo Koçi Xoxe e të tjerë, Feçor Shehu nuk i ka njohur se unë gjatë Luftës kam punuar krejt në Jug dhe nuk kam pasur fare lidhje me këta dhe as kam marrë pjesë as në Plenumin e Beratit dhe as në veprimtari të tjera armiqësore. Siç dihet, unë me personat e puçit në ushtri s’kam pasur të bëj fare, gjithashtu me sabotatorët në ekonomi, në art e në kulturë kam mbajtur qëndrimin e partisë… Në aktakuzë lidhur me këtë krim flitet, se unë jam lidhur në mënyrë të hershme me Mehmet Shehun, Fiqret Shehun e pjesëtarë të tjerë. Unë me Mehmet Shehun jam njohur vetëm në çetën “Plakë” të Mallakastrës, tre muaj në fund 1942 – 1943 dhe që nga ajo kohë dhe derisa erdhi ministër i Brendshëm, asnjë kontakt nuk kam pasur. Fiqret Shehun e njoh vetëm kur kam ardhur në rrethin e Tiranës. Në aktakuzë flitet që jam i implikuar për këtë krim. I hedh poshtë kategorikisht siç i kam hedhur, në hetuesi i keni proceset edhe gjatë shqyrtimit të provave në seanca të ndryshme gjyqësore si një shpifje dhe që bëhet me qëllim. E kam fjalën edhe për Mihallaq Ziçishtin këtu e nxori kokën kur tha, se në këtë organizatë kryesorët janë Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu dhe harron se vetë me gojën e tij e ka thënë se që në ’42, ka pasur veprimtari armiqësore, atëherë kur unë isha vetëm 16 vjeç edhe luftoja në Luftën Nacionalçlirimtare edhe s’kam bërë veprime të tilla, prapaskena të tilla, as për përgjegjësira, as për gjëra të tilla. Harroi që ka marrë pjesë në veprimtari armiqësore që me Koçi Xoxen e me Panajot Plakun etj. Kurse Feçor Shehu as i ka njohur këta… Në akuzë flitet se unë nga kjo organizatë jam vendosur në disa Degë, kryetar dege; është e çuditshme kryetar, unë jam vendosur në shumicën e rretheve të Shqipërisë dhe mund të jem nga kuadrot që kam lëvizur më shumë 20 vjet rresht nëpër rrethe të ndryshme me fëmijë dhe me karrige në krahë, po të isha unë njeri i përkëdhelur, rrija dhe unë siç rrinte Mihallaq Ziçishti e njerëz të tjerë, rrija në ministri në një qoshe të ngrohtë. Nuk dua të futem në ato gjëra, se gjeneralë e të gjitha u bënë këta, edhe nuk u bë Feçor Shehu, por as kam ëndërruar, as duhet, se ne kemi qenë ushtarë të partisë. Jam kundër kategorikisht për atë që thuhet në akuzë se i ngjiti gjoja shkallët deri ministër i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu me qëllime nga Mehmet Shehu. Unë kam qenë gjithnjë i bindur, pavarësisht se çfarë ka pasur ndërmend Mehmet Shehu, edhe kështu jam i bindur që detyrat e mia i kam marrë nga Partia dhe nuk jam me atë që thotë aktakuza, por, përkundrazi, 20 vjet kryetar dege e drejtor qarku, 5 vjet drejtor i Sigurimit, 11 vjet zëvendësministër, 36 vjet stazh përveç Luftës Nacionalçlirimtare.

    Më vjen shumë keq dhe unë nuk u ngrita të protestoja atje që thuhet në aktakuzë me një fizionomi rrugaçe, kush është rrugaç? Një njeri që është 16 vjeç anëtar partie që në ditët e para të luftës, një njeri që ka luftuar tërë jetën, një njeri që familja i është zhuritur, dy dëshmorë ka në shtëpinë e tij dhe farefisin e tij, me gjithë fisin e gruas time, 30 komunistë në shtëpi, pllakë përkujtimore në shtëpi. Është dukur se më kanë shtyrë mua si pjesëtar të organizatës arrivizmi,

    karrierizmi, si u duk ky arrivizëm e ky karrierizëm kur ke bredhur një çerek shekulli pa një gjysmë llafi … Ka një fjalë atje gjakësor, kë kam vrarë, kë kam prerë, asnjë njeri, asnjë plagosje në jetën time, edhe në kohën e Koçi Xoxes s’më ka rënë rasti as të vras, as të pres asnjeri, as ndalime të paligjshme s’kam bërë… Meqë flitet aty, nuk është e vërtetë të kem ndihmuar zbulimet e huaja, po unë kam qenë 20 vjet thashë kryetar rrethi dhe nuk lidhet vetëm me dy familje në Kllopçisht edhe vetë ish-drejtori i zbulimit e vërtetoi këtu se atë gënjeshtrën e Mihallaq Ziçishtit se gjoja Aqif Lleshi e Staf Lleshi ka qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Pra, gjithnjë kam punuar konform

    normave të partisë. Gabimet nuk i përjashtoj, ato gabime janë, do të vijmë në kapitullin tjetër, do të them ku janë, por ato nuk përbëjnë premisa për të qenë dhe vënë gishtin si anëtar i organizatës… Akuza thotë se bashkë me njerëzit e tij, Feçor Shehu në Ministrinë e Brendshme do të bënte arrestimet (lidhur me puçin), kurrë Feçor Shehu nuk ka menduar kështu dhe cilët janë këta njerëz në Ministrinë e Brendshme. Asnjë, veçse ndikimet e Fiqret Shehut edhe ndonjë tjetri këtu, asnjë nuk ka që të ketë mësuar qoftë edhe një çerek fjale për një veprimtari të tillë të poshtër kundër udhëheqjes së Partisë edhe me këtë puç, unë i pari do të merrja pjesë bashkë me njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si do t’i lëvizje, ku janë këta njerëz, janë arrestuar njerëz, nuk kanë thënë llafe të tilla. Të gjithë këta njerëz që ishin rreth meje nuk thonë, por vetëm ngeli të thotë berberi i hotel “Dajti”-t, një llaf që unë i paskam thënë që unë e Kadri Hazbiu do ta marrim fuqinë se kemi Mehmet Shehun… Nesti Nase paska marrë pjesë në bisedat që paskam bërë unë me Llambi Ziçishtin për likuidimin me anë mjekësh të sekretarit të parë. Për çudi, të dy këta njerëz këtë gjë nuk e thanë këtu përpara trupit gjykues. Kjo është e vërteta që unë kurrë nuk do ta bëja një veprim të tillë, fëmijët e mi mund t’i vrisja, por vetëm sekretarin e parë nuk e bëja.

    FEÇOR SHEHU: E po, meqenëse më atribuohen këto gjëra, jam i detyruar të them se kush është Feçor Shehu e s’është Feçor Shehu nga ata kriminelët, por them në shpinë të Feçorit është bërë tragjedi nga armiqtë me qëllim armiqësor…

    ARANIT ÇELA: Ti e dëgjove këtu dëshmitarët edhe mbrëmë lidhur me atë takimin e 16 dhjetorit. Ali Çenua d.m.th. të implikon në vajtjen tek Mehmet Shehu natën që edhe flitet se i është dhënë ultimatumi për të bërë atentat të nesërmen, ti e refuzove mbrëmë atë të gjithë…

    RRAPI MINO: I pandehuri Feçor Shehu tha se në aktakuzë është vënë gabimisht shprehja se ai ka një fizionomi prej rrugaçi, bën mirë i pandehuri Feçor Shehu që të shpjegojë më mirë, të merret me akuzat që i ngarkohet se kjo shprehje që është vënë, jo se nuk është e goditur, por është e skalitur se, po të merremi me këtë, megjithëse, dosjet hetimore në ngarkim të të pandehurit Feçor Shehu janë të tejngopura. Mjafton të përmend një letër që është bërë në atë kohë, kur ka qenë Feçori drejtor i Punëve të Brendshme të Tiranës, që i është drejtuar udhëheqjes nga një njeri i ndershëm, nga një punëtor i Komitetit Qendror. Përmbajtja është kjo: I kërkon Komitetit Qendror që ka dy djem dhe një vajzë, vajzën thotë ma çnderoi Feçor Shehu, ma turpëroi. Dy djemtë, thotë po përgatiten që ta vrasin Feçor Shehun. Unë e di mirë shkruan ai, se po ta vrasin ata Feçor Shehun, unë do të ngelem pa djem se natyrisht, ligji do t’i dënojë dhe ata me vdekje, edhe vajza do të më dalë e turpëruar. Kështu që unë nga tre fëmijë mbetem pothuajse fare pa fëmijë. Kërkoj nga Komiteti Qendror, thotë, që të merren masa për shkeljen e ligjeve nga i pandehuri Feçor Shehu, ose të paktën të transferohet. Deri kaq arrin ky njeri kaq i ndershëm, d.m.th kërkon megjithëkëtë turp kaq të madh kërkon të paktën të transferohet që këtej që të shpëtojë jeta e fëmijëve, e djemve të tij. Edhe diçka tjetër, i pandehuri Feçor Shehu e quan një fyerje të madhe fjalën gjakësor. Feçor Shehu akuzohet për krimin e terrorit. Kështu, nuk është gjë fare fjala gjakësor, kur kemi prova për terror dhe për puç. Kështu pra, kur bëhet fjalë për puç dhe për terror do të thotë gjakderdhje në masa në popull, terror ndaj udhëheqësit kryesor të partisë. Është shumë më tepër se fjala gjakësor. Feçor Shehu, më mirë të merret me akuzat që i ngarkohen, sesa me fjalët e shkëputura. Ky armik me cinizmin e një mafiozi është pjesëmarrës aktiv për të gjitha përgatitjet dhe variantet e akteve të terrorizmit, por roli dhe detyra e tij si agjent i agjenturës UDB-së jugosllave arrin kulmin më datën 16 dhjetor 1981, kur i dha superagjentit Mehmet Shehu urdhrin për likuidimin fizik të sekretarit parë të Komitetit Qendror me armë zjarri. Po pse pikërisht është data 16 dhjetor? Cilat janë shkaqet? U shpjegua që është marrja e këtij vendimi sipas ujdisë, natyrisht me padronin e madh, me UDB-në dhe me CIA-n amerikane nga ana e Mehmet Shehut dhe kjo jepet pikërisht në këtë kohë në muajin dhjetor të vitit 1981, sepse çështja e Kosovës po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme për titistët, jugosllavët po demaskoheshin në opinionin publik. Në këto kushte, serbomëdhenjtë dhe UDB-ja jugosllave kërkonin medoemos të

    nxiste rrëmujë në Shqipëri, është për këto arsye që ambasada jugosllave në Tiranë në prag të mbledhjes së Byrosë Politike, sipas urdhrave që kishte marrë nga Beogradi, ngarkoi agjentin e vet dhe ndërlidhësin Feçor Shehu të vinte tek Mehmet Shehu dhe t’i transmetonte ultimatumin e UDB-së, që Enver Hoxha të vritej me çdo kusht edhe në mbledhje qoftë duke u vrarë edhe ai vetë, kaq ngushtë kishte rënë UDB-ja, mbi gjendjen në Kosovë, saqë vendosën të djegin dhe kartën e madhe të tyre, superagjentin Mehmet Shehu. Kjo është arsyeja që më datën 16 dhjetor 1981 i pandehuri Feçor Shehu i shkoi Mehmet Shehut në shtëpi dhe i transmetoi urdhrin e qendrës së tyre agjenturore. Ai pretendon se më datën 16 dhjetor 1981 nuk ka shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, janë një numër i madh provash që e demaskojnë keqas. I pandehuri Xhavit Ismailaga i ka dorëzuar mesazhin që përmbante ultimatumin e agjenturës jugosllave vajtja më 16.12.1981 e terroristit Feçor Shehu në shtëpinë e tradhtarit Mehmet Shehu provohet nga shpjegimet e anëtarit të organizatës Ali Çeno, të cilat shoqërohen edhe me prova të tjera me Besnik Kasën, me Nikolla London, me Astrit Veliun. Gjithashtu edhe Nesti Nase ka shpjeguar se Feçor Shehu e Llambi Ziçishti kanë biseduar me të për eliminimin fizik të shokut Enver.

    Pra, këto prova, shokë gjyqtarë, nuk e lënë të luajë në asnjë drejtim të pandehurin Feçor Shehu. Shikoni, shokë gjyqtarë, çfarë dëshira të poshtra dhe cinike kanë pasur këta komplotistë për terrorizëm midis tyre, edhe i pandehuri Feçor Shehu. Këto mënyra, këto dëshira, këto metoda i ka nxjerrë natyrisht nga errësira mesjetare. Këta kishin në plan të bënin përgatitje të hershme për të kryer nga krimet më të përbindshme që nga tradhtia, komploti, puçi edhe deri tek terrori, por vigjilenca e Partisë u preu duart, i lidhi me zinxhir, këtyre u duhet prerë edhe koka për këto krime

    të përbindshme…

    FEÇOR SHEHU: Për atë që thotë prokurori, atje në Komitetin Qendror, unë kam dhënë shpjegime dhe ai nuk është qytetar i ndershëm, por është vetëm një letër anonime për t’u hakmarrë, është një element armik edhe është që nga viti 1956 dhe as vrarë, as prerë, se unë që atëherë thashë që kjo është vetëm një blof, prandaj nuk merrem me atë, por nuk dua t’i futem asaj çështjeje. Unë nuk jam mafioz. /MAPO

    • Postime: 28653
    • Karma: +48/-5
    • Gjinia: Mashkull

    #1 ne: 15-08-2011, 03:23:17
    “Feçor Shehu abuzoi seksualisht me atleten”

    “Feçor Shehu ka shfrytëzuar postin zyrtar dhe ka kryer veprime të pahijshme me femrat. Në karrierën e tij në organet e Sigurimit, rastet e abuzimeve seksuale kanë qenë të shumta”Përballja me këtë akuzë për ish-ministrin e Brendshëm është ndër goditjet më të forta ndaj tij në procesin e vitit ‘83. Fakti që pjesa më e madhe e pohimeve të tilla vijnë nga dëshmitare femra, e bën edhe më të sikletshëm pozicionin e Feçor Shehut. Në librin e Kastriot Dervishit, shtjellohen raste konkrete duke iu referuar fakteve të siguruara në Hetuesi nga viktimat e perversitetit të ish-kreut të Policisë Sekrete. Njëra ndër to, ish-atletja nga Shkodra, rrëfen se Feçor Shehu pasi e ka takuar në një konferencë sportive, e ka ftuar në zyrë dhe aty e ka puthur me forcë. Fiksimi i tij, pohonte P. Th. para hetuesve në 12 qershor 1983, vazhdoi gjatë, madje Feçori urdhëroi arrestimin e tim shoqi për të qenë pa telashe në lidhjen me mua. Një tjetër dëshmitar, po nga Shkodra, ish-vartës i Feçor Shehut kur ishte kryetar i Degës së Brendshme aty, tregonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Malësisë së Madhe, kur ishin ftuar prej tij për të darkuar. “Viktima në fjalë sa ishte ndarë nga martesa e parë, kujtonte oficeri i Sigurimit, Ismail Pepaj dhe, falë ndikimit të Feçorit, pak muaj më pas u martua me titullarin e një ndërmarrjeje”. Në vijim të dëshmive për abuzime me femrat, ish-ministri i Brendshëm akuzohet se ka përdorur mekanizmin e arrestimit për të shtënë në dorë vajza të ndryshme. Rasti më flagrant është arrestimi i një vajze nga Tropoja në mesin e viteve ’70, i denoncuar më së fundi si veprim monstruoz i inskenuar nga njerëzit e Feçor Shehut. Lidhur me këtë histori,  kreu i akuzës, Rrapi Mino, shprehej në proces se për arrestimin e Rukie Ramës, Feçor Shehu ka dezinformuar edhe Komitetin Qendror, duke e vlerësuar të drejtë dhe të mbështetur në prova të pakontestueshme, ndërkohë që ka qenë e kundërta”. Po kështu, ish- ministri i Brendshëm është akuzuar edhe për prangosjen e Lindita Begës dhe disa grave të tjera nga Tirana, dënimi i të cilave ishte provuar si i kundërligjshëm dhe mbi motive të dyshimta.
    30 maj 1983
    Lirim Pëllumbi/I vit-lindjes 1943, ish kuadër i MPB-së (kryetar dege dhe zëvendësdrejtor i drejtorisë së Parë), i dënuar me 10 vjet burg, i burgosur në Spaç, dëshmonte në lidhje me përgatitjen e tezave të analizës vjetore të vitit 1974. Feçori e kishte marrë vete dhe kishte bërë raportin. Dëshmitari kishte qenë edhe përgjegjës i grupit të “komplotistëve” të ushtrisë. Po ashtu, ai ishte personi që kishte takuar Sami Muhametin (djali i tezes së Feçorit) sipas porosisë së dhënë nga Feçori. Samiu ishte takuar me Lirimin në kafe “Drini”. Aty i kishte thënë se do informonte rreth disa çështjeve që lidheshin me Feçor Shehun. Ky i fundit i kishte vlerësuar të dhënat dhe kishte kërkuar që ai të tërhiqej në bashkëpunim. Dëshmia e Lirimit është nga më të gjatat. Ai flet për stilin e punës së Feçorit, imoralitetin e tij, për një përdhunim që kishte kryer ndaj B. M. se Feçori ishte feminist…
    12 qershor 1983
    Atletja P. Th/ E vitlindjes 1937, bobinatore në UEM Durrës, tregonte se e kishte njohur Feçorin kur ishte delegate në konferencën e sportistëve në Tiranë më 1958, sepse i kishte qëlluar të rrinte afër tij në sallë. Feçori i jepte karamele, fërkohej me krahun e tij tek dëshmitarja. Në fund, Feçori i kishte thënë ta çonte me makinën e vet deri në Shkodër, por dëshmitarja nuk kishte shkuar. Kur Feçori kishte shkuar në Shkodër, e kishte kërkuar shpeshherë t’i vinte në zyrë, e ngacmonte rrugës, i fërkonte dorën etj. Ngacmimi kishte vazhduar edhe në kohën kur dëshmitarja ishte martuar në Durrës. Fiksimi i tij për të ishte rritur shumë. Burrin dëshmitares ia kishin arrestuar, se ishte kapur me letra pornografike në ndërmarrje. Dëshmitarja kishte shkuar në Ministri, kur Feçori sapo ishte bërë zëvendësministër. Ai e kishte pritur, e kishte puthur dhe i kishte thënë të vinte tek ai, sa herë kishte nevojë. Kur dëshmitarja ishte kthyer në Durrës, kishte gjetur burrin të liruar në shtëpi. Ne vitin 1967, dëshmitarja ishte grumbulluar për të shkuar me ekipin e atletikës jashtë vendit, por në fund merr vesh se emri i saj nuk ishte miratuar (për shkak të të shoqit si i dënuar për shfaqje të huaja shënim). Duke qarë ka shkuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të takuar Feçorin, i cili ia kishte nxjerrë pasaportën për katër-pesë orë. Një rast tjetër dëshmitarja mbante mend që Feçori e kishte provokuar sërish në Durrës.
    13 qershor 1983,
    Ismail Pepaj/I vitlindjes 1923, punonjës i organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitet 1949-1967 në zonën e Bunës e Velipojës, dëshmonte në Hetuesi fillimisht për një të dhënë të bashkëpunëtorit “Blerimi” e me pas për Feçor Shehun si “prepotent, intrigant e imoral”. Ai pohonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Shkodrës, ku ato po hanin darke. Vajza ishte ndarë nga martesa e parë, ndërsa pak muaj më vonë ishte martuar me titullarin e një ndërmarrjeje të zonës.
    Rexhep Kolli/ Funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, duke dëshmuar për rastin e arrestimit të Rukie Ramës, pohonte se për të u bë një proces i falsifikuar me gjithë ato poshtërsi. Sipas dëshmitarit, atë e kishte marrë në qafë një punëtor operativ. Rukien Kolli e vlerësonte një vajzë të emancipuar nga partia, me arsim të lartë, një vajzë që partia e kishte çuar komandante brigade në aksionin e rinisë, e kishte çuar përfaqësuese në Komitetin Qendror të Rinisë, e kishte çuar delegate në Kongresin e Gruas. U montua për të një proces i tillë, tregonte Rexhep Kolli, deri në atë masë saqë u thirr dëshmitar i rremë një bashkëpunëtor i Sigurimit, u sajuan ato pisllëqe, deri në atë masë sa poshtërsia arriti kulmin. Nga dokumentet rezultonte se   në çështjen e saj dilte Feçor Shehu, ky ishte kryesori, se ky kishte miratuar këtë lloj procesi. Pak a shumë kështu ndodhi edhe me Prendushe Dedën. Për çështjen e saj ka internime të pabazuara e poshtërsi të fëlliqura. Janë asgjësuar të gjitha aktet e ekspertimit, dy aktet bazë të laboratorit qendror.
    “Rukie Rama u arrestua me urdhër të Feçor Shehut”

    FEÇOR SHEHU: Eshtë shkruar në aktakuzë se janë bërë dokumente false për të arrestuar njerëz. Feçor Shehu nuk ka bërë asnjë dokument të tillë, përkundrazi kur ka zbuluar ndonjë rast të tillë, ka mbajtur qëndrim…
    ARANIT ÇELA: Tashti kjo puna e…
    FEÇOR SHEHU: Aktakuza sjell aty Rukie Ramën. Kam parë për këtë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë. Lidhur me akuzat për këtë, le të përgjigjet Sulo Abazi, që ka qenë kryetar i Degës së Brendshme. Unë këtë Rukie Ramën nuk e njoh as si fytyrë, as si lokalitet nga është. Nuk kam pasur asnjë interes që të arrestohet ajo. Prandaj, në qoftë se janë bërë dokumente false, ato i ka bërë Sulo Abazi…
    RRAPI MINO: Për këtë gjë janë kërkuar tri herë sqarime nga KQ dhe ti e ke dezinformuar…
    FEÇOR SHEHU: Pra, unë duhet të përgjigjem kështu për falsifikimet që ka bërë Sulo Abazi me punëtorin operativ…
    RRAPI MINO: Ti e di që për këtë keni dërguar tri ekipe…
    FEÇOR SHEHU: Kemi dërguar Kapllan Sakon që ishte kryetar i degës për Krimet Kundër Shtetit, i cili ka raportuar dhe nuk është e vërtetë që ne kemi pasur sinjalizime, siç thotë Rexhep Kolli…
    ARANIT ÇELA: Nga të dhënat që dalin këtu, ky Kapllani kudo që ka shkuar ka shuar zjarret.
    FEÇOR SHEHU: Ai ka qenë për krime kundër shtetit…
    NDIHMËSGJYQTARI: Në kohën kur diskutohej problemi i Rukies dhe kërkoheshin në materiale. Në prova thuhet aty, ti ke thënë që detyrimisht duhet që të digjet agjentura dhe sikur gjithë agjentura e Tropojës të digjet, të dalë dëshmitari në drejtim të saj…
    FEÇOR SHEHU: Nuk është e vërtetë, thotë një njeri, unë nuk jam dakord me thënien e një njeriu..
    RRAPI MINO: Po a e dini ju që ka pasur mendime të ndryshme për këtë? E dini ju që prokurori i Tropojës nuk ka pranuar të merrte pjesë në gjykim? Ai ka dëshmuar atëherë se po të merrte pjesë në gjyq, do ta nxirrte të pafajshme…
    FEÇOR SHEHU: Unë di që edhe kur e ka parë Prokuroria e Përgjithshme, ka qenë dakord me vendimin e gjyqit…
    ARANIT ÇELA: Nejse, kur është kthyer Kapllani e të ka raportuar për çështjen e Rukies që e kishit dërguar ju, të ka thënë se ka pasur probleme në arrestimin e saj…
    FEÇOR SHEHU: Unë kam parë raportin që ka dhënë ai dhe e ka firmosur Kadri Hazbiu dhe nuk e kam parasysh se çfarë informacioni thotë atje, po di këtë gjë që arrestimi ka qenë i padrejtë…
    ARANIT ÇELA: Keni ndonjë gjë tjetër…
    RRAPI MINO: Ka pasur edhe raste të tjera kur Feçor Shehu ka urdhëruar në mënyra të ndryshme për arrestime të tilla, siç ka qenë rasti i Lindita Begës…
    ARANIT ÇELA: Çfarë kishe tjetër për të shtuar, i pandehuri Feçor Shehu…
    FEÇOR SHEHU: Në aktakuzë thuhet se unë kam hequr në vitin ’57-‘58 survejimin e Ambasadës jugosllave…
    ARANIT ÇELA: Survejimin e ka pasur Ministria thua ti apo jo…
    FEÇOR SHEHU: Jo vetëm survejimin, por edhe vetë përpunimin e ambasadave e ka pasur Ministria. Unë nuk kam gisht në këtë punën e ndërprerjes. Flitet në akuzë se kam shkelur kriteret në dërgimet jashtë shtetit. Kjo nuk është e vërtetë. Tani, kam edhe disa gjëra që unë i shikoj të drejta, të cilat kur isha i lirë nuk i kam kuptuar si duhet. Janë shkelje të ndryshme. Më kujtohet një rast, i nderuar kryetar, në vitin 1966, kur na thirri Kadri Hazbiu 4-5 kryetarë e na pyeti se ç‘po bënim për shkurtimin e organikave. Ishte aty edhe Rexhep Kolli me Mihallaq Ziçishtin. Në atë takim, unë bëra vërejtje për përmasat e thella që propozonte Mihallaq Ziçishti për të bërë shkurtime në organika.
    vijon
    “Thikat” që çuan në pranga Lindita Begën
    Një ngjarje e papritur e ka nxjerrë jashtë të zakonshmes Tiranën e fundviteve ‘70. Mjaft nga makinat e diplomatëve të huaj u gjetën një mëngjes me goma të shpuara. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Sigurimit të Shtetit ndaj ndodhisë tronditëse, ndërkohë që incidenti me makinat e diplomatëve është rezervuar për opinionin e gjerë. Vonë pas mesnate, njerëzit e prangave do të kryqëzonin protagonistët e dyshuar. Njëherazi me raportin për ngjarjen, udhëheqja politike do të informohej edhe për suksesin e Policisë së fshehtë. Kjo histori disi e çuditshme është zbardhur fillimisht në romanin “Thikat”, të shkrimtarit Neshat Tozaj. Por, si ka qenë e vërteta dhe përse në gjyqin ndaj Kadri Hazbiut ajo iu adresua Feçor Shehut, ish-ministrit të Brendshëm? Veprimi i çartur i një gruaje me probleme mendore do të bëhej objekt i një historie me agjentë e spiunë potencialë. Katër-pesë goma makine të shpuara me një thikë të zakonshme do të prodhonin një vepër të rrezikshme armiqësore. Gjithsesi, koha e kërkonte që të gjendeshin patjetër fajtorët. Madje, të gjendeshin edhe nëse nuk ishin. Ato ditë-net në Tiranë pati hetime intensive dhe shumë të arrestuar. Pikërisht në këtë kohë është konsumuar edhe një debat, jo nga ata që ndodhnin shpesh, mes ministrit të Brendshëm, Feçor Shehut dhe njërit prej ekspertëve të kriminalistikës, Neshat Tozajt. Ky i fundit përpiloi një ekspertizë, sipas së cilës thika e përdorur nuk ishte një armë e ftohtë. Madje, sipas tij, këtu nuk kishim të bënim me një veprimtari armiqësore. Por ekspertiza e Tozajt u përplas me atë të bërë nga një njeri pranë ministrit Shehu. Pikërisht kjo bëhet shkak i përballjes së ekspertit-shkrimtar me ministrin. Për Tozajn nuk dihen pasojat, gjithsesi sistemi i asaj kohe i persekutoi ata që u cilësuan si autorë të ngjarjes.
    Prokurori: Dosja e turpeve të Feçorit
    “Dosja hetimore e Feçor Shehut është e tejngopur me rrugaçëri. Mjafton të përmend letrën që i drejton udhëheqjes një punonjës i Komitetit Qendror, në kohën kur Feçori ishte drejtor në Tiranë. Ai denoncon se i ka çnderuar vajzën Feçor Shehu dhe djemtë e tij po përgatiten që ta vrasin. E di mirë, shprehet ai, se po ta vrasin, unë do të ngelem pa djem, se natyrisht ligji do t’i dënojë me vdekje edhe vajza do të më dalë e turpëruar. Kështu, nga tre fëmijë, do mbetem pothuajse fare pa fëmijë. Kërkoj nga Komiteti Qendror, thotë, që të merren masa për Feçor Shehun ose të paktën të transferohet. Deri kaq arrin ky njeri kaq i ndershëm, d.m.th kërkon megjithëkëtë turp së paku të transferohet nga Tirana që të shpëtojë jeta e fëmijëve, e djemve të tij.” /Panorama

    Temat e fundit