Prokurori: Takimi ku Feçor Shehu urdhëroi Mehmetin për likuidimin e Enverit
Feçor Shehu etiketohej si armiku i dytë më i madh, pas Kadri Hazbiut. Madje, trupi gjykues i drejtuar nga Aranit Çela arrinte deri aty sa e akuzonte Feçor Shehun si autorin e urdhrit për të eliminuar Enver Hoxhën. Për këtë akuzë, prokuroria e drejtuar nga Rrapi Mino përdorte dëshmitë e Ali Çenos dhe personave të tjerë, të cilët pohon se ish-ministri e kishte takuar Mehmet Shehun një ditë para vetëvrasjes. Në proces, Feçor Shehu akuzohej se kishte përdhunuar vajzën e një personi, që kishte nisur më pas letër anonime, por edhe si agjenti i drejtpërdrejtë i Beogradit. Njësoj si Kadri Hazbiu, edhe Feçor Shehu mohonte akuzat me fjalët: Fëmijët e mi edhe mund t’i vrisja, por kurrë udhëheqësin e partisë. “Mapo” boton sot proces-verbalin e marrjes në pyetje të Feçor Shehut, zbardhur sipas librit të Kastriot Dervishit”Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja”.
ARANIT ÇELA: Sikurse e dëgjove, Feçor Shehu, akuzohesh se ke bërë pjesë në një organizatë kundërrevolucionare, qëllimi i së cilës ka qenë përmbysja e pushtetit popullor dhe kjo organizatë d.m.th. akuzohej gjithashtu për likuidimin e sekretarit të parë të Komitetit Qendror. Jep shpjegime.
FEÇOR SHEHU: 17 muaj rresht në hetuesi e kam hedhur poshtë kategorikisht një akuzë të tillë. Feçor Shehu kurrë nuk ka qenë pjesëtar i kësaj organizate, kurrë nuk ka bërë punë armiqësore, kurrë nuk ka dashur të likuidojë sekretarin e parë, as ka ditur për gjëra të tilla, përkundrazi, kam vënë tërë forcën time që në moshën 16 vjeç e deri sot për të çliruar atdheun, për të ndërtuar socializmin, për ta mbrojtur atë nën udhëheqjen e Partisë dhe të udhëheqësit të saj. Gjithashtu, me shumë merimanga të tilla, siç i deklaroi këtu Mihallaq Ziçishti, jo Maqo Çomua, jo Dali Ndreu, jo Liri Gega, jo Koçi Xoxe e të tjerë, Feçor Shehu nuk i ka njohur se unë gjatë Luftës kam punuar krejt në Jug dhe nuk kam pasur fare lidhje me këta dhe as kam marrë pjesë as në Plenumin e Beratit dhe as në veprimtari të tjera armiqësore. Siç dihet, unë me personat e puçit në ushtri s’kam pasur të bëj fare, gjithashtu me sabotatorët në ekonomi, në art e në kulturë kam mbajtur qëndrimin e partisë… Në aktakuzë lidhur me këtë krim flitet, se unë jam lidhur në mënyrë të hershme me Mehmet Shehun, Fiqret Shehun e pjesëtarë të tjerë. Unë me Mehmet Shehun jam njohur vetëm në çetën “Plakë” të Mallakastrës, tre muaj në fund 1942 – 1943 dhe që nga ajo kohë dhe derisa erdhi ministër i Brendshëm, asnjë kontakt nuk kam pasur. Fiqret Shehun e njoh vetëm kur kam ardhur në rrethin e Tiranës. Në aktakuzë flitet që jam i implikuar për këtë krim. I hedh poshtë kategorikisht siç i kam hedhur, në hetuesi i keni proceset edhe gjatë shqyrtimit të provave në seanca të ndryshme gjyqësore si një shpifje dhe që bëhet me qëllim. E kam fjalën edhe për Mihallaq Ziçishtin këtu e nxori kokën kur tha, se në këtë organizatë kryesorët janë Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu dhe harron se vetë me gojën e tij e ka thënë se që në ’42, ka pasur veprimtari armiqësore, atëherë kur unë isha vetëm 16 vjeç edhe luftoja në Luftën Nacionalçlirimtare edhe s’kam bërë veprime të tilla, prapaskena të tilla, as për përgjegjësira, as për gjëra të tilla. Harroi që ka marrë pjesë në veprimtari armiqësore që me Koçi Xoxen e me Panajot Plakun etj. Kurse Feçor Shehu as i ka njohur këta… Në akuzë flitet se unë nga kjo organizatë jam vendosur në disa Degë, kryetar dege; është e çuditshme kryetar, unë jam vendosur në shumicën e rretheve të Shqipërisë dhe mund të jem nga kuadrot që kam lëvizur më shumë 20 vjet rresht nëpër rrethe të ndryshme me fëmijë dhe me karrige në krahë, po të isha unë njeri i përkëdhelur, rrija dhe unë siç rrinte Mihallaq Ziçishti e njerëz të tjerë, rrija në ministri në një qoshe të ngrohtë. Nuk dua të futem në ato gjëra, se gjeneralë e të gjitha u bënë këta, edhe nuk u bë Feçor Shehu, por as kam ëndërruar, as duhet, se ne kemi qenë ushtarë të partisë. Jam kundër kategorikisht për atë që thuhet në akuzë se i ngjiti gjoja shkallët deri ministër i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu me qëllime nga Mehmet Shehu. Unë kam qenë gjithnjë i bindur, pavarësisht se çfarë ka pasur ndërmend Mehmet Shehu, edhe kështu jam i bindur që detyrat e mia i kam marrë nga Partia dhe nuk jam me atë që thotë aktakuza, por, përkundrazi, 20 vjet kryetar dege e drejtor qarku, 5 vjet drejtor i Sigurimit, 11 vjet zëvendësministër, 36 vjet stazh përveç Luftës Nacionalçlirimtare.
Më vjen shumë keq dhe unë nuk u ngrita të protestoja atje që thuhet në aktakuzë me një fizionomi rrugaçe, kush është rrugaç? Një njeri që është 16 vjeç anëtar partie që në ditët e para të luftës, një njeri që ka luftuar tërë jetën, një njeri që familja i është zhuritur, dy dëshmorë ka në shtëpinë e tij dhe farefisin e tij, me gjithë fisin e gruas time, 30 komunistë në shtëpi, pllakë përkujtimore në shtëpi. Është dukur se më kanë shtyrë mua si pjesëtar të organizatës arrivizmi,
karrierizmi, si u duk ky arrivizëm e ky karrierizëm kur ke bredhur një çerek shekulli pa një gjysmë llafi … Ka një fjalë atje gjakësor, kë kam vrarë, kë kam prerë, asnjë njeri, asnjë plagosje në jetën time, edhe në kohën e Koçi Xoxes s’më ka rënë rasti as të vras, as të pres asnjeri, as ndalime të paligjshme s’kam bërë… Meqë flitet aty, nuk është e vërtetë të kem ndihmuar zbulimet e huaja, po unë kam qenë 20 vjet thashë kryetar rrethi dhe nuk lidhet vetëm me dy familje në Kllopçisht edhe vetë ish-drejtori i zbulimit e vërtetoi këtu se atë gënjeshtrën e Mihallaq Ziçishtit se gjoja Aqif Lleshi e Staf Lleshi ka qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Pra, gjithnjë kam punuar konform
normave të partisë. Gabimet nuk i përjashtoj, ato gabime janë, do të vijmë në kapitullin tjetër, do të them ku janë, por ato nuk përbëjnë premisa për të qenë dhe vënë gishtin si anëtar i organizatës… Akuza thotë se bashkë me njerëzit e tij, Feçor Shehu në Ministrinë e Brendshme do të bënte arrestimet (lidhur me puçin), kurrë Feçor Shehu nuk ka menduar kështu dhe cilët janë këta njerëz në Ministrinë e Brendshme. Asnjë, veçse ndikimet e Fiqret Shehut edhe ndonjë tjetri këtu, asnjë nuk ka që të ketë mësuar qoftë edhe një çerek fjale për një veprimtari të tillë të poshtër kundër udhëheqjes së Partisë edhe me këtë puç, unë i pari do të merrja pjesë bashkë me njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si do t’i lëvizje, ku janë këta njerëz, janë arrestuar njerëz, nuk kanë thënë llafe të tilla. Të gjithë këta njerëz që ishin rreth meje nuk thonë, por vetëm ngeli të thotë berberi i hotel “Dajti”-t, një llaf që unë i paskam thënë që unë e Kadri Hazbiu do ta marrim fuqinë se kemi Mehmet Shehun… Nesti Nase paska marrë pjesë në bisedat që paskam bërë unë me Llambi Ziçishtin për likuidimin me anë mjekësh të sekretarit të parë. Për çudi, të dy këta njerëz këtë gjë nuk e thanë këtu përpara trupit gjykues. Kjo është e vërteta që unë kurrë nuk do ta bëja një veprim të tillë, fëmijët e mi mund t’i vrisja, por vetëm sekretarin e parë nuk e bëja.
FEÇOR SHEHU: E po, meqenëse më atribuohen këto gjëra, jam i detyruar të them se kush është Feçor Shehu e s’është Feçor Shehu nga ata kriminelët, por them në shpinë të Feçorit është bërë tragjedi nga armiqtë me qëllim armiqësor…
ARANIT ÇELA: Ti e dëgjove këtu dëshmitarët edhe mbrëmë lidhur me atë takimin e 16 dhjetorit. Ali Çenua d.m.th. të implikon në vajtjen tek Mehmet Shehu natën që edhe flitet se i është dhënë ultimatumi për të bërë atentat të nesërmen, ti e refuzove mbrëmë atë të gjithë…
RRAPI MINO: I pandehuri Feçor Shehu tha se në aktakuzë është vënë gabimisht shprehja se ai ka një fizionomi prej rrugaçi, bën mirë i pandehuri Feçor Shehu që të shpjegojë më mirë, të merret me akuzat që i ngarkohet se kjo shprehje që është vënë, jo se nuk është e goditur, por është e skalitur se, po të merremi me këtë, megjithëse, dosjet hetimore në ngarkim të të pandehurit Feçor Shehu janë të tejngopura. Mjafton të përmend një letër që është bërë në atë kohë, kur ka qenë Feçori drejtor i Punëve të Brendshme të Tiranës, që i është drejtuar udhëheqjes nga një njeri i ndershëm, nga një punëtor i Komitetit Qendror. Përmbajtja është kjo: I kërkon Komitetit Qendror që ka dy djem dhe një vajzë, vajzën thotë ma çnderoi Feçor Shehu, ma turpëroi. Dy djemtë, thotë po përgatiten që ta vrasin Feçor Shehun. Unë e di mirë shkruan ai, se po ta vrasin ata Feçor Shehun, unë do të ngelem pa djem se natyrisht, ligji do t’i dënojë dhe ata me vdekje, edhe vajza do të më dalë e turpëruar. Kështu që unë nga tre fëmijë mbetem pothuajse fare pa fëmijë. Kërkoj nga Komiteti Qendror, thotë, që të merren masa për shkeljen e ligjeve nga i pandehuri Feçor Shehu, ose të paktën të transferohet. Deri kaq arrin ky njeri kaq i ndershëm, d.m.th kërkon megjithëkëtë turp kaq të madh kërkon të paktën të transferohet që këtej që të shpëtojë jeta e fëmijëve, e djemve të tij. Edhe diçka tjetër, i pandehuri Feçor Shehu e quan një fyerje të madhe fjalën gjakësor. Feçor Shehu akuzohet për krimin e terrorit. Kështu, nuk është gjë fare fjala gjakësor, kur kemi prova për terror dhe për puç. Kështu pra, kur bëhet fjalë për puç dhe për terror do të thotë gjakderdhje në masa në popull, terror ndaj udhëheqësit kryesor të partisë. Është shumë më tepër se fjala gjakësor. Feçor Shehu, më mirë të merret me akuzat që i ngarkohen, sesa me fjalët e shkëputura. Ky armik me cinizmin e një mafiozi është pjesëmarrës aktiv për të gjitha përgatitjet dhe variantet e akteve të terrorizmit, por roli dhe detyra e tij si agjent i agjenturës UDB-së jugosllave arrin kulmin më datën 16 dhjetor 1981, kur i dha superagjentit Mehmet Shehu urdhrin për likuidimin fizik të sekretarit parë të Komitetit Qendror me armë zjarri. Po pse pikërisht është data 16 dhjetor? Cilat janë shkaqet? U shpjegua që është marrja e këtij vendimi sipas ujdisë, natyrisht me padronin e madh, me UDB-në dhe me CIA-n amerikane nga ana e Mehmet Shehut dhe kjo jepet pikërisht në këtë kohë në muajin dhjetor të vitit 1981, sepse çështja e Kosovës po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme për titistët, jugosllavët po demaskoheshin në opinionin publik. Në këto kushte, serbomëdhenjtë dhe UDB-ja jugosllave kërkonin medoemos të
nxiste rrëmujë në Shqipëri, është për këto arsye që ambasada jugosllave në Tiranë në prag të mbledhjes së Byrosë Politike, sipas urdhrave që kishte marrë nga Beogradi, ngarkoi agjentin e vet dhe ndërlidhësin Feçor Shehu të vinte tek Mehmet Shehu dhe t’i transmetonte ultimatumin e UDB-së, që Enver Hoxha të vritej me çdo kusht edhe në mbledhje qoftë duke u vrarë edhe ai vetë, kaq ngushtë kishte rënë UDB-ja, mbi gjendjen në Kosovë, saqë vendosën të djegin dhe kartën e madhe të tyre, superagjentin Mehmet Shehu. Kjo është arsyeja që më datën 16 dhjetor 1981 i pandehuri Feçor Shehu i shkoi Mehmet Shehut në shtëpi dhe i transmetoi urdhrin e qendrës së tyre agjenturore. Ai pretendon se më datën 16 dhjetor 1981 nuk ka shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, janë një numër i madh provash që e demaskojnë keqas. I pandehuri Xhavit Ismailaga i ka dorëzuar mesazhin që përmbante ultimatumin e agjenturës jugosllave vajtja më 16.12.1981 e terroristit Feçor Shehu në shtëpinë e tradhtarit Mehmet Shehu provohet nga shpjegimet e anëtarit të organizatës Ali Çeno, të cilat shoqërohen edhe me prova të tjera me Besnik Kasën, me Nikolla London, me Astrit Veliun. Gjithashtu edhe Nesti Nase ka shpjeguar se Feçor Shehu e Llambi Ziçishti kanë biseduar me të për eliminimin fizik të shokut Enver.
Pra, këto prova, shokë gjyqtarë, nuk e lënë të luajë në asnjë drejtim të pandehurin Feçor Shehu. Shikoni, shokë gjyqtarë, çfarë dëshira të poshtra dhe cinike kanë pasur këta komplotistë për terrorizëm midis tyre, edhe i pandehuri Feçor Shehu. Këto mënyra, këto dëshira, këto metoda i ka nxjerrë natyrisht nga errësira mesjetare. Këta kishin në plan të bënin përgatitje të hershme për të kryer nga krimet më të përbindshme që nga tradhtia, komploti, puçi edhe deri tek terrori, por vigjilenca e Partisë u preu duart, i lidhi me zinxhir, këtyre u duhet prerë edhe koka për këto krime
të përbindshme…
FEÇOR SHEHU: Për atë që thotë prokurori, atje në Komitetin Qendror, unë kam dhënë shpjegime dhe ai nuk është qytetar i ndershëm, por është vetëm një letër anonime për t’u hakmarrë, është një element armik edhe është që nga viti 1956 dhe as vrarë, as prerë, se unë që atëherë thashë që kjo është vetëm një blof, prandaj nuk merrem me atë, por nuk dua t’i futem asaj çështjeje. Unë nuk jam mafioz. /MAPO