Hohenstaufen, Anzhuinet dhe Regnum Albaniae. - Historia Shqiptare

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Hohenstaufen, Anzhuinet dhe Regnum Albaniae.

Hohenstaufen, Anzhuinet dhe Regnum Albaniae.

· 4 · 2014

  • Postime: 196
  • Karma: +1/-1

ne: 28-08-2008, 13:46:01
Hohenstaufen, Anzhuinet dhe Regnum Albaniae.

Dikur princat shqiptarë ishin Baronë, Kontë e Dukë të mirëfilltë të Europës Perëndimore në Mbretërinë e Napolit dhe Shqipërisë!
Historia e “Regnum Albaniae” i përket mugëtirës së kohërave, atëhere kur brigjet e Adriatikut ishin pre e luftrave të pareshtura dhe betejave të mëdha. Të zotëroje Adriatikun, do të thoshte së pari të zotëroje brigjet në dy anët e saj dhe të bëheshe më pas zot i Mesdheut. Ja pse në vitet 1000 të erës sone, u panë të zbarkonin në brigjet shqiptare armata me mijera kalorës Normande, që të vendosur në Italine e Jugut, në Napoli e Siçili, kërkonin të pushtonin brigjet përballe dhe që permes Via Egnatia të marshonin drejt Konstantinopojës bizantine dhe të vendosnin pushtetin e tyre mbi perandorine ortodokse. Historia na tregon per dyndjet e mëdha dhe rrethimet shumevjecare të kështjellave të Durresit, Kanines, Vlorës apo Butrintit e Beratit (Beligrad); për emrat e Robert Guiskardit dhe birit te tij te tmerrshëm Boemund, për Hugo de Vermondua dhe Robertin e Flandres, për Tankredin dhe Gijom le Bonin, e shume kalores te tjere normande te zbritur nga Normandia e Frances.

Manfred Hohenshtaufeni dhe Principata e Arbërit
Kapërcimi i shek. XII-XIII solli në Mbretërinë e Siçilisë një ndryshim të dinastisë sunduese. Vendin e dinastisë normane Altavila, e zuri dinastia perandorake gjermane Hohenshtaufen. Bashkë me fronin e Sicilisë, sovranët e rinj gjermanë trashëguan dhe planet pushtuese në Lindje të paraardhësve të tyre.
Henriku VI Hohenshtaufen që me ardhjen e tij në pushtet i shpalli hapur pretendimet e tij në bregun lindor të Adriatikut. Sipas historianit bizantin Niketë Koniati, Henriku pretendonte të ishte zot i gjithë territorit që shtrihej prej Durrësit e deri në Selanik, territor i pushtuar për një kohë të shkurtër nga paraardhësi i tij norman, Guljelmi II, gjatë fushatës së vitit 1185.
Por as Henriku VI, as pasardhësi i tij i madh, Frederiku IIHohenshtaufen, nuk qenë në gjendje të organizonin ndonjë ekspeditë si ato të normanëve në Shqipëri. Një gjë të tillë e bëri djali i Frederikut, Manfred Hohenshtaufeni (Venosa1232 –Benevento, 26 Shkurt 1266). Duke përfituar nga konflikti midis Despotit të Epirit Mihali II dhe perandorit të Nikesë, Teodorit II Laskari, i inkurajuar nga pakënaqësia e thellë që kishte pushtuar popullsinë shqiptare ..kundër këtyre dy rivalëve bizantinë, në mesin e dimrit të vitit 1257-1258 flota e Manfredit e komanduar nga admirali i tij, Filip Kinardi, zbarkoi në bregdetin shqiptar dhe pushtoi Durrësin, Vlorën, Spinaricën e Beratin. Ndonëse këto kështjella juridikisht ishin në atë kohë nën sundimin e perandorit të Nikesë (Durrësi), apo të despotit të Epirit (Vlora, Berati e Spinarica), as njëri e as tjetri nuk ushtronin pushtet real në to. Kryengritja e fundit e vitit 1257 e shqiptarëve i kishte detyruar garnizonet dhe administratën e perandorit apo të despotit të tërhiqeshin dhe ta linin qeverisjen e atyre vendeve në dorë të parisë lokale, e cila, me sa duket, ishte marrë vesh paraprakisht me Manfredin e Sicilisë për ndërmarrjen e tij.
I ndodhur para faktit të kryer, Despoti i Epirit Mihali II e pa me vend mos të ndizte armiqësi të reja me mbretin e Sicilisë.
Me qëllim që ta tërhiqte atë në një aleancë ushtarake kundër rivalit të tij, perandorit të Nikesë, Mihali II i njohu Manfredit pushtimet në bregdetin shqiptar. Madje i ofroi atij dhe dorën e së bijës, Helenës, bashkë me një sërë zotërimesh të tjera në cilësinë e pajës: Himarën, Sopotin (Borshin), Butrintin e Korfuzin. Manfredi qe i pari që zuri një pjesë të mirë të brezit bregdetar të Shqipërisë në pritje të kushteve për të zgjeruar pushtimet në Ballkan.
Por beteja e Pelagonisë (Manastirit), në pranverë 1259, ku bashkë me forcat e despotit, Mihalit II të Epirit, u shpartallua edhe reparti i vogël prej 300 luftëtarësh që Manfredi i kishte dërguar për ndihmë vjehrrit të tij, i vuri në pikëpyetje vetë zotërimet siciliane në Shqipëri. Ngadhënjyesi i Pelagonisë, perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleologu (prej 1261 perandor i Bizantit), vazhdoi mësymjen deri në bregdet, duke marrë të gjitha zotërimet
.. e Manfredit, me përjashtim të Durrësit. Gjithsesi, në shtator të vitit 1261 Manfredi organizoi një fushatë të re në Shqipëri dhe arriti përsëri zotërimet e bregdetit, të cilat i mbajti deri në fund të jetës së tij (1266).
Baza e qeverisjes së zotërimeve të Manfredit në Shqipëri ishin kështjellat. Këtu u vendosën garnizonet siciliane nën komandën e kështjellarëve. Kështjellari i Kaninës, që kontrollonte dhe zonën e Vlorës, …në vitet 1258-1274 ishte Jakob Balsiniani një fisnik gjerman. Juridiksioni i tij shtrihej në një perimetër të gjerë rreth kështjellës, që përfshinte edhe fshatrat e Orikumit, Vranishtit, Vonicës etj. Krerët feudalë vendas ishin përfshirë në sistemin e mbrojtjes së kështjellës së Kaninës dhe të territorit të saj. Përveçse në rast lufte, ata, normalisht, të shoqëruar nga njerëzit e tyre, kryenin për një muaj në vit shërbimin e garnizonit në kështjellë.
Manfredi e respektoi traditën përsa i përket organizimit administrativ të Durrësit dhe të krahinës fqinje të Arbrit. Ato u ruajtën si një njësi e vetme administrative, nën drejtimin e një qeveritari ushtarak me titullin e kapitenit që e kishte selinë në Durrës. Duke pasur parasysh forcën dhe rolin e parisë feudale të Arbrit në fatet e kësaj treve, Manfredi ia besoi postin e kapitenit të Durrësit e të Arbrit një fisniku nga një shtëpi e njohur feudale, Andrea Vranës. Në 1185, në kohën e fushatës normane, një tjetër pinjoll i kësaj familjeje kishte kryer funksione të ngjashme në atë trevë si strateg i Bizantit.
Rasti i njohur i kapitenit Andrea Vrana tregon se Manfredi diti të tërhiqte në administratën civile e ushtarake të zotërimeve të tij shqiptare edhe fisnikë vendas. Madje, trupa shqiptare nën komandën e krerëve vendas u integruan edhe në forcat e Manfredit të angazhuara në Itali kundër kundërshtarëve të tij.
Si mëkëmbës të përgjithshëm të zotërimeve të tij në Shqipëri, Manfredi caktoi njeriun e tij të besuar, admiralin Filip Kinardi. Megjithatë, pushteti i tij realizohej në zotërimet jugore. Treva Durrës-Arbër, si zonë me rëndësi të posaçme strategjike, ishte nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të mbretit Manfred.
Fillimisht, selia e admiral Kinardit ndodhej në Korfuz, por me kohë u zhvendos në Kaninë.
Këtu ai u martua me të venë e një fisniku nga familja e vjetër Frëngu, që ishte njëherësh kunata e Despot Mihalit II të Epirit. Miqësia që Filip Kinardi kishte me peshkopin ortodoks të Kaninës është një tjetër tregues i lidhjeve të ngushta, që Kinardi, e në përgjithësi gjithë administrata e Manfredit, vendosi me mjedisin, e veçanërisht me parinë vendase. Me këtë shpjegohet fakti që, pas vrasjes së Manfredit në Betejën e Beneventit (1266), ..disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, midis tyre dhe konti Frederik Lançia, dajë i Manfredit dhe personi numër një në oborrin e tij, erdhën dhe u strehuan në Shqipëri.
Fundi i mbretit Manfred në Betejën fatale të Beneventit, shkaktoi pështjellim në zotërimet shqiptare të Hohenshtaufëve të Sicilisë. Menjëherë pas Manfredit, edhe mëkëmbësi i tij admiral Kinardi ra viktimë e një komploti të kurdisur në Kaninë nga despot Mihali II Engjëlli në bashkëpunim me të shoqen e njeriut të Manfredit, Maria Frëngun, që ishte edhe kunatë e tij.
Por, pavarësisht nga kjo, despoti nuk arriti t’i shtinte në dorë zotërimet e Manfredit. Njerëzit e këtij, si Këshilltari i Kaninës, Jakob Balsiniani, ai i Korfuzit, Verner Alamani, dhe kapiteni i Durrësit-Arbrit, Andrea Vrana, refuzuan t'ia dorëzojnë despotit të Epirit viset nën juridiksion të tyre. Të njëjtën gjë bënë edhe më 1267, kur ngadhënjyesi i Beneventit e vrasësi i Manfredit, francezi Karl Anzhu, u çoi fjalë funksionarëve të ish-mbretit Hohenshtaufen në Shqipëri që ta njihnin atë si mbret i ri i Sicilisë.

  • Postime: 196
  • Karma: +1/-1

#1 ne: 28-08-2008, 13:48:37
Charles d’Anjou, (Karl d’Anzhu), do të behej një nga aleatet e fuqishem të shqiptareve kundër dominimit Bizantin të Mihal Paleologut dhe dyndjeve sllave të mbretërise serbe që kërcënonin nga veriu. Faik Konica na kujton për përmendoren e tij që mbahej në Krujë gjer në shekullin e XVII-të, ndërkohë që simbolet e “tri luleve te zambakut” që ishin në emblemën e tij, ..do të bëheshin pjese e emblemës së Durrësit, i cili per nje kohë të gjatë ishte kryeqytet i dytë i kësaj mbretërie me dy brigje të saj në të dy anët e Adriatikut: Napolit dhe Shqipërisë. Akoma më befasuese është dhe një embleme e vjetër e Karlit Anzhu që ruhet edhe sot, ku duket në nje sfond te kuq dhe të verdhë nje shqiponjë dykrenare, sic është dhe sot në stemën e Republikës Shqiptare me shqiponjën e zezë. Shumë kush mund të pyesë me të drejtë, nesë kjo embleme u krijua në kohën e asaj mbretërie si simbol i vemendjes nga të dyja brigjet, apo ishte e shqiptarëve? Kjo embleme tregon qarte se elementi i shqiponjës me dy koka nuk lidhet thjesht me epokën e Skënderbeut, se ajo i ka rrënjet mbi dy shekuj më parë, në “Regnum de Naples et d’Albaniae”( Mbreteria e Napolit dhe Shqipërisë). Kjo mbështetet dhe nga shënimi i gjetur në Itali, në Kishën e Shën Mari Meshireplotës Mezanje, të stemës së vjetër të familjes së Muzakajve, ku në pamjen e një mburoje, krahas armëve të kohës dhe shqiponjës dy-krenare duket dhe zambaku anzhuin. Por cili ishte Karli i Anzhuse?

“Famulltar i Krishtit” dhe “Lejtnant i i Shen Pjetrit”

Në fundin e shekullit të XIII-të në Evropë dhe gjer në Jeruzalem, Charles d’Anjou (Karli I Anzhuse) ishte një nga personazhet më të dëgjuar dhe heroikë pas vellait te tij Luigj IX, mbret i Frances, i shpallur shenjt pas vdekjes. Historiani francez Zhan Rishar, pohon se “ai kishte si idhull mbretin e famshëm Charle Magne (Karl i Madh) dhe donte të ishte po aq i lavdishëm sa dhe ai”. Ai ishte biri me i vogel i Luigjit VIII, mbret i Frances, dhe i mbretereshes Blanche de Castille (Blanka e Kastiljes). Madje Luigji nuk arriti të njohë birin e tij, pasi mbreti vdiq kur shkonte drejt luftës dhe kur Blanche ishte shtatzene me të. Karli dhe vëllai para tij, Roberti i Artuase, ishin më luftarakët midis vëllezërve, gjaknxehtë dhe aventurierë, të prirur për ndermarrje ushtarake.

Kur mbreti Luigj IX ndërmori kryqëzaten drejt Jeruzalemit në vitin 1248, ai i mori me vete dhe tri vëllezërit e tij, mes të cilëve dhe Karlin. Në brigjet e Egjiptit, ata sulmuan dhe pushtuan keshtjellen e Damietes në deltën e Nilit, por kur ju drejtuan Kajros, sulmi kryenec i Robert d’Artuase ne krye te 300 kalorësve u kushtoi shume shtrenjte: Roberti mbeti i vrarë dhe ushtria u shpartallua, çka solli dhe shpartallimin e ushtrise së mbretit francez. Në tërheqje e sipër, mbreti u kap rob dhe u desh nje harac i madh si dhe dorëzimi i kështjellës së Damietes që të mund të largoheshin. Por në vend që te kthehej në Francë,
Mbreti vazhdoi rrugën e kryqezatës drejt brigjeve të Palestinës, ku shume nga qytetet-kala ishin ende në duart e shteteve latine perëndimore, më saktesisht të Templarëve dhe Hospitalierëve. Luigji IX i ndjekur nga Karl i Anzhuse dhe Alfonsi i Puatjese, çliroi Nazaretin nga islamikët, por vdekja e nënes së tij Blanche e detyroi të kthejë në fillim dy vëllezerit e tij për drejtimin e mbretërise dhe pas 4 vjetesh të kthehej edhe vetë, pa arritur të çlirojë Jeruzalemin.
Në vitin 1260 Papa Urban IV i bëri thirrje Karlit Anzhu që të nisej drejt jugut të Italise për t’i ofruar kurorën e Napolit e të Siçilsë që mbahej nga mbreti Manfred i familjes mbretërore gjermanike Hohenstofen. Ideja se mund të mbretëronte, e joshi dhe e bëri të nisej me ushtrinë e tij drejt veriut të Italise ku bëri për vete princat e atjeshëm, zbriti në Rome ku u bë senator i Romës dhe më pas u përgatit për luftë.
Në qershor të vitit 1263, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa e kurorëzon Mbret të Siçilisë dhe Napolit. Tashmë ushtria anzhuine dhe trupat italiane sulmojnë drejt jugut dhe në Benevent bëhet beteja e madhe, ku mbetet i vrarë dhe vete mbreti Manfred.
Sovrani i ri i mbretërisë së Sicilisë, Karli I Anzhu, trashëgoi synimet e vjetra të dinastive të Altavilëve normanë e të Hohenshtaufëve gjermanë.
Në qendër të politikës së tij të jashtme u vu pushtimi i Lindjes e marrja e Konstandinopojës. Kjo politikë u nxit e u ushqye vazhdimisht nga kisha e Romës, e cila llogariste të organizonte, nëpërmjet anzhuinëve, një kryqëzatë të re kundër Bizantit dhe të realizonte kështu bashkimin e kishes Romane të Perendimit më ate Bizantine të Lindjes. Pikërisht në praninë e Papës Klementit IV u nënshkrua në maj të vitit 1267 në Viterbo ..marrëveshja midis Karlit I Anzhu e Perandorit të shfronëzuar latin të Konstandinopojës, Balduinit II, në bazë të së cilës ky i fundit ia kalonte të drejtat e tij në Lindje mbretit anzhuin. Marrëveshja në fjalë përcaktonte si fazë të parë të ndërmarrjes anzhuine zënien e një kryeure në bregdetin shqiptar, në zotërimet e ish-mbretit Manfred.
Karli I Anzhu u mundua të afirmonte të drejtat e tij në vijë trashëgimije mbi zotërimet shqiptare të Manfredit. Në këtë kuadër, më 1267, Karli I emëroi si mëkëmbës të tij në Shqipëri Gaco Kinardin, një i afërm i mëkëmbësit të vrarë të Manfredit, Filipit. Por as kështjellari i Korfuzit, as ai i Vlorës, i Butrintit e i Sopotit dhe as kapiten Vrana e qytetarët e Durrësit nuk dëgjuan të kalojnë nën sovranitetin anzhuin.

Trupat e Anzhuse hyjnë në Napoli. Një vit më vonë, nipi i Manfredit, Konradi, kërkon të shpaguhet dhe me ushtrinë e tij gjermanike zbret drejt jugut, madje arrin gjer në Puglia, por më së fundi është Anzhu që do të fitojë. Konradi i kapur rob, do të varet në sheshin e Napolit.
Eshtë koha e aleancës së Anzhuinëve me mbretin e Francës e me Papatin e Romes, që e bëne Karlin një nga figurat legjendare të kësaj epoke. Ai kërkonte të zgjeronte mbretërine e tij, të bënte për vete senjoret e Morese, të Epirit e të brigjeve shqiptare të Adriatikut. Qëllimi i tij i vërtetë ishte pushtimi i Konstantinopojes që të rrëzonte perandorin Mihal Paleologu e me ndihmën e Papës të ishte ai Perandor Latin i Lindjes.
Por ndërkohë mbreti Luigj IX, në vitin 1270 shpalli se do të ndërmerrte një kryqëzatë të re për të cliruar Jeruzalemin. Kësaj rradhe do ta shoqëronin vec tri djemve të tij të rinj, edhe dy vëllezerit e tij, Karli Anzhu dhe Alfonsi i Puatjese. Me vonë vetë mbreti Luigji IX, nje djalë i tij dhe disa princa, vdiqën nga tifoja jashte Kartagjenes së rrethuar.

Siç pohon bizantologu dhe albanologu Alen Duselje, nga gruaja e Manfredit të cilen Karli Anzhu e mbante të burgosur siguroi zoterimin e Himarës, Sopotit, Butrintit, Spinarizza-s (Zvërnecit), meqë ajo ishte bijë e despotit të Epirit dhe këto toka ishin prika e saj. Karli donte tashmë të bënte për vete shqiptarët që ndjeheshin të kërcënuar nga trupat e Michael Paleologut.


Marrëdhëniet e mbretit Karl me Aristokracine e Arbërit mbetën të ndera deri në vitin 1271. Atë kohë, vetë ai shprehej në një letër se shqiptarët e "urrenin emrin e tij" (in odium nostri nominis).
Gjithsesi, anzhuinët nuk ndërmorën ndonjë fushatë të armatosur. Karli I u përpoq të tërhiqte me anë premtimesh krerët shqiptarë dhe në vitin 1271 duke vendosur një dialog me aristokracinë e Arbrit si edhe me bashkësinë qytetare të Durrësit. Gjatë atij viti dy priftërinj katolikë shqiptarë, Gjoni nga Durrësi dhe Nikolla nga Arbri si të besuar të mbretit Karl dhe të aleatit të tij të madh, papës Gregori X, bënë disa udhëtime midis Napolit e Durrësit, duke përcjellë mesazhet e mbretit te krerët shqiptarë. Në fillim të shkurtit 1272 mbërriti në oborrin anzhuin në Napoli një përfaqësi e fisnikërisë së Arbrit dhe e bashkësisë qytetare të Durrësit. Në përfundim të traktativave me Karlin Anzhu u shpall bashkimi i "Mbretërisë së Arbrit" (Regnum Albaniae) me mbretërinë e Sicilisë nën sovranitetin e mbretit Karl (Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae). Kthesa e fisnikëve shqiptarë në marrëdhëniet me mbretin anzhuin ndodhi për një sërë arsyesh të jashtme dhe të brendshme.
Në atë kohë bizantinët dhe serbët e kishin rritur presionin në trevat shqiptare që ishin ende jashtë kontrollit të tyre. Serbët i ishin afruar tashmë zonës së Dibrës, kurse Perandoria Bizantine e kishte rivendosur sundimin e saj në një pjesë të mirë të Shqipërisë së brendshme. Marrja e Beratit menjëherë pas fitores së bizantinëve në Pelagoni (Manastir), më 1259, i jepte Bizantit një bazë strategjike mjaft të rëndësishme për të shtrirë më tej zonën e kontrollit të vet deri në vijën bregdetare.
Vështirësive të aristokracisë shqiptare në marrëdhëniet ..me këto fuqi të huaja, u shtoheshin edhe ndarjet e konfliktet midis vetë fisnikëve shqiptarë. Në këtë kohë edhe Principata e dikurshme e Arbrit e kishte humbur shkëlqimin që kishte patur në kohën e princit Dhimitër. Në vend të një familjeje feudale, në trevën e Arbrit ushtronin ndikimin dhe pushtetin e tyre disa familje, shpesh herë në konflikt me njëra-tjetrën, siç ishin familjet Skurra, Vrana, Blinishti, Topia, Arianiti etj.
Njohja e një sovrani të huaj u pa edhe si një mjet për të qetësuar rivalitetet midis tyre.
Së fundi, jo pa rol ishte edhe fakti që në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Durrësit dhe të Arbrit, ekzistonte tashmë një grupim filo-anzhuin, që përfaqësohej kryesisht nga kleri katolik i Durrësit dhe i Arbrit, që nën sundimin e Manfredit, armikut të egër të Papatit, kishte pësuar përndjekje nga më të ashprat.
Për rrjedhojë,
Papati bashkëpunonte me sovranin e ri të Sicilisë, Karlin Anzhu, që ndryshe nga Manfredi ishte beniamin dhe krahu i djathtë i kishës katolike të Romës. Me paktin që vendosi me Prijesat Shqiptare, Karli u shpall mbret i Napolit e Shqiperise në 21 shkurt 1272 që u mundësua pasi ai u dha prijsave shqiptarë garancitë e kërkuara. “Durazzo, Berati, Janina, Butrinti hyne ne mbreterine e re Regnum de Naples et Albaniae” shkruan historiani Rishar.
- “Regnum de Naples et Albaniae, u festua dhe u brohorit nga të gjithe shqiptaret”.
Në dy diploma të dala nga kancelaria e Karli I Anzhu më 20 e 21 shkurt 1272, u premtonte Prijesave Shqiptare mbrojtjen e tij (protectionem suam) dhe njohjen e të gjitha privilegjeve, normave e dokeve "të mira" të mëparshme. Teksti i tyre tregon qartë që njohja e sovranitetit anzhuin nga krerët shqiptarë nuk qe një "dorëzim" pa kushte, por një ujdi e arritur, siç shprehej vetë mbreti Karl, "pa dhune e shtrëngim"(absque aliqua violentia seu cohactione). Anzhuinët kënaqnin në thelb dy kërkesat themelore të shqiptarëve:
1- Kërkesën për një angazhim të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë
2- Kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-administrative të fisnikëve vendas brenda kuadrit të Regnum Albaniae "Mbretërisë së Arbrit".

  • Postime: 196
  • Karma: +1/-1

#2 ne: 28-08-2008, 13:55:12
Një dekret mbretëror njeh Princat Shqiptare si Baronë dhe Kontë, duke u dhëne tituj nderi “inter quos barones sabatus Paulus Brana, Sevastus Petrus Leti, sevastus Petrus Messia” e u jepte atyre pushtet ndaj zotërimeve të tyre dhe menjëhere me ndihmat e mbretit Anzhuin filluan forcimet e kështjellave mbrojtese. Në dokumentet Anzhuine njihemi me aristokracinë dhe familjet e mëdha shqiptare si Muzaka, Blenishti, Aranitasi, Skura, Zenebishti etj, për të cilët flet edhe Duselje.
Studjuesi italian Francesco Tajani, në librin e tij “Storie Albanesi”(Le Istorie Albenesi) botuar ne Salerno më 1886, duke folur për Anzhuinet në Shqipëri përmend zotërimet e Princeve Shqiptarë. Balshajt kishin zonën midis Krujës dhe Lezhës, Dukagjinët kishin krahinat mbi lumin Drin, Zakariajt kishin qytetin e Danjes dhe Zadrimën, Pjeter Spani kishte Drishtin, ndërsa Kastriotët kishin Dibrën.
Gijom Blinishti (apo Gjon Blinishti) u caktua nga mbreti francez, Marshall i Forcave Shqiptare. Tanush Topias i ishte dhene titulli Kont “Dominum Tanucium comitem Thopian”. Andrea Muzaka mori titullin “Despote d'Albanie”, apo siç shkruhet në kronikat latine “Andreas Masocius regni Albaniae Despotus”, ku atij i jepeshin gjithë të drejtat dhe fuqitë, me kusht që një nga djemte ta linte peng ne Kështjellën e Durrësit ku rrinte dhe Lejtnanti i mbretit.



Anzhuinët përcaktuan qysh në fillim hapësirën midis Durrësit e Vlorës ose më saktë midis Matit e Seman-Devollit, si zonë e interesave të tyre jetike në Shqipëri. Tokat jashtë tyre anzhuinët i panë para së gjithash në funksion të marrëdhënieve me shtetet aleate ballkanike, në radhë të parë me mbretërinë e Serbisë. Aleanca me Mbretërinë Serbe pati gjithmonë përparësi për Karlin Anzhu dhe ky refuzoi të merrte në mbrojtje fisnikët shqiptarë, si Gropajt e Dibrës, ..tokat e të cilëve ndodheshin nën kërcënimin e pushtimit serb.
Por marrëdhëniet e anzhuinëve nuk vonuan të prishen edhe me fisnikët-vasalë të tyre të "Mbretërisë së Arbrit". Premtimet lidhur me njohjen e autonomisë e të privilegjeve të vjetra, që Karli I u kishte dhënë krerëve shqiptarë në fillim, u treguan se ishin demagogji. Fisnikët shqiptarë u detyruan të kryejnë "betimin dhe homazhin feudal" (ligii homagii iuramentum).
Dokumentet anzhuine lënë të kuptohet qartë se ku konsistonte ndihma e krerëve shqiptarë për kryezotin anzhuin. Në radhë të parë ata duhet të shoqëronin trupat anzhuine në fushatat ushtarake. Ky shërbim i tyre përputhej me thelbin e regjimit anzhuin e të "Mbretërisë së Arbrit", të cilën anzhuinët e projektuan dhe e ndërtuan si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike.
Zëdhënëse e kësaj pakënaqësie u bë aristokracia shqiptare, brenda e jashtë kuadrit të "Mbretërisë së Arbrit" e cila e pa se anzhuinët i shkelën pa ngurruar aspiratat e saj politike.
Përplasjet e shqiptarëve me anzhuinët, që në fillimet e vendosjes së këtyre të fundit në Shqipëri, favorizuan lojën e bizantinëve. Duke filluar nga vera e vitit 1272, perandori bizantin Mihali VIII Paleolog ishte vënë në kontakt me fisnikët shqiptarë dhe përpiqej t'i bënte ata për vete e t'i hidhte kundër anzhuinëve. Përpjekja e tij mbështetej në premtimet e garancitë që u paraqiste shqiptarëve e s'ka dyshim që në këtë pikë ai kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, ..përderisa arriti qysh në fillim të bënte për vete ("të mashtrojë", sipas shprehjes së Karlit I) mjaft prej tyre.
Në verën e vitit 1274, vetë dokumentet anzhuine bëjnë fjalë për një aleancë operative midis bizantinëve e fisnikëve shqiptarë.
Në muajin nëntor komandantët anzhuinë në Shqipëri i raportonin mbretit anzhuin Karl se "arbëreshët e bizantinët kishin rrethuar Durrësin".
Informatat e mëvoshme konfirmonin se luftimet tashmë ishin përqendruar në afërsi të kështjellave bizantine. Shpërthimi i konfliktit të hapur me shqiptarët bëri që fronti i luftimeve të zhvendosej me shpejtësi në afërsi të kështjellave anzhuine të bregdetit. Forca tërheqëse e këtij orientimi të ri të Princave Shqiptare u bënë ata fisnikë që kishin mbajtur një qëndrim të rezervuar ndaj anzhuinëve e që nuk ishin përfshirë në "Mbretërinë e Arbrit".

Të tillë qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit. Me kohë me këta fisnikë u bashkuan edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur vasalë të mbretit Karl. Në mënyrë mjaft domethënësë Karli I Anzhu fillon t'i quajë me emrin "tradhtarët e mi" (proditores nostros) fisnikë të tillë si Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj, që deri atëherë kishin qenë "besnikët e tij" (fideles suos).

Rrjedhja që morën marrëdhëniet shqiptaro-anzhuine, dhe aleanca shqiptaro-bizantine, përmbysi planet e Karlit I i cili shpresonte t'i çonte ushtritë e tij në Konstandinopojë. Planet u komprometuan edhe nga afrimi i perandorit bizantin, Mihalit VIII Paleolog me Papën që rane në ujdi në Koncilin e Lionit 1274, për të realizuar bashkimin e kishave! Kjo izoloi Karlin e i hoqi përkrahjen e Papatit duke e detyruar të nënshkruante një
..armëpushim me Mihal VIII Paleolog (1276).
Ndërkohë "bizantinët" e kishin kthyer Beratin në qendrën ku së bashku me fisnikët shqiptarë organizoheshin operacionet kundër kështjellave anzhuine. Komandën e kësaj kështjelle ata ia kishin besuar një fisniku vendas, Sebastit Stano, që kryente funksionin e qefalisë (qeveritarit) të qytetit. Bizantinët kishin arritur të rrëmbenin edhe Spinaricën, lokalitetin bregdetar midis Vlorës e Durrësit.

Në këtë mënyrë, zotërimet jugore të anzhuinëve ishin ndarë nga Durrësi nëpërmjet këtij pykëzimi bizantin nga Berati në bregdet. Ndërlidhjet midis zotërimeve anzhuine dhe Mbretërisë së Sicilisë kryheshin vetëm me anën e detit. Por edhe komunikimi detar ishte bërë i rrezikshëm, sepse një flotë bizantine me bazë në Spinaricë e në Butrint sulmonte anijet anzhuine.

Ne vitin 1277 Charles II d’Anjou ( Karli II Anzhu) niset drejt Palestinës, pasi nga Maria e Antiokese, ai bleu titullin “Mbret i Jeruzalemit”. Arriti të çliroje Shën Joanin e Akres dhe bëhet një nga figurat e fuqishme që ndërmjetësoi midis myslimaneve dhe Templareve e Kryqtarëve kristiane. Por mendja e tij është gjithnje, zbarkimi në brigjet e Adriatikut dhe marshimi mbi Konstantinopojen.

Duke parë gjendjen katastrofike të trupave të tij në Shqipëri, mbreti Karli I Anzhu mendoi të organizonte një fushatë të re, gjatë së cilës të nënshtronte krerët kryengritës shqiptarë dhe të merrte kështjellat e pushtuara ndërkohë nga perandori bizantin Mihali VIII Paleolog. Në këtë kuadër rëndësi e posaçme iu dha kështjellës së Beratit, kundër së cilës u përqendrua goditja kryesore anzhuine. Marrja e Beratit do të çlironte nga presioni bizantin bazat bregdetare të anzhuinëve (Vlorën, Durrësin) dhe do të krijonte kushtet për …përparimin e ushtrive të Karlit Anzhu në brendësi të vendit. Është për këto arsye që Karli I i shkruante komandantit të ushtrisë anzhuine në Shqipëri se "nuk mund ta shprehte me fjalë rëndësinë që i jepte pushtimit të kështjellës së Beratit" (ad captionem castri Bellgradi, que ultra quam dici valeat cordi nostro residet ).
Në prag të mësymjes, Karli I Anzhu konfirmoi aleancat me Serbinë e me Despotatin e Epirit.
Despot Niqifori I i Epirit u shpall vasal i mbretit anzhuin dhe i dorëzoi këtij kështjellat e Butrintit, të Sopotit e të Porto-Palermos. Por para së gjithash Karli I bëri një përpjekje të re për t'i rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët e për t'i shkëputur këta nga bizantinët. Në këtë kuadër Karli I liroi nga burgjet italiane një numër krerësh shqiptarë kryengritës, mes të cilëve Gjin Muzakën, i cili mbahej në burgun e kështjellës së Brindizit së bashku me Dhimitër Zogun, Kasnec e Guljelm Blinishtin.
Karlit I Anzhu i erdhën kërkesa të përsëritura nga fisnikët shqiptarë për të liruar Muzakën, pasi me sa duket, Gjin Muzaka gëzonte pozitë e autoritet të veçantë dhe nëpërmjet tij mbreti anzhuin u përpoq të ndikonte mbi krerët shqiptarë.
Në prag të betejës vendimtare për Beratin lajmet që i vinin Karlit nga komandatët e tij në Shqipëri e njoftonin se "Arbrit kishin ngritur përsëri krye dhe sulmonin trupat anzhuine".
Qëndrimi anti-anzhuin i një pjese të fisnikëve shqiptarë kushtëzoi në mënyrë vendimtare ecurinë e ngjarjeve. Sipas kronikave të kohës, më 1279 ai dërgoi në Shqipëri besnikun e tij Hugo de Sully, në krye të një ushtrie të madhe, që me ndihmën e trupave shqiptare akoma besnike të çlironin sërish Beratin e pushtuar nga Bizantinët. Ndërkohë që ushtria e Hugo de Sully , e përforcuar nga kontingjentet e ardhura nga Durrësi, Vlora e Butrinti, kishte mbyllur rrethimin e Beratit, shqiptarët anti-anzhuin sulmonin kështjellat e anzhuineve në bregdet duke detyruar komandantin anzhuin t'i shpërqendronte forcat e të niste përforcime në drejtim të atyre kështjellave.
Në dhjetor të vitit 1280 anzhuinët mundën më në fund të zinin lagjet e jashtme të qytetit (suburbia) të Beratit. Por në betejën finale, që u zhvillua në pranverën e vitit tjetër buzë Osumit, mbrojtësit e kështjellës i shkaktuan një ..disfatë kalorisë duke zënë rob edhe komandantin e ushtrisë anzhuine. Pas disfatës së Beratit anzhuinët u tërhoqën në skajin bregdetar, ku mundën të ruajnë kështjellat e rëndësishme të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Në vitin 1282 Karli projektoi një fushatë të re kundër Bizantit, por po atë vit në Sicili shpërtheu kryengritja anti-anzhuine e "Mbrëmjeve siciliane" në të cilën kishin dorë edhe perandori bizantin Mihali VIII Paleologu, e mbreti i Aragonës.

Paskësaj nisi një periudhë 20-vjeçare luftërash midis aragonasve e anzhuinëve për zotërimin e Sicilisë. Kështjellat që anzhuinët mbajtën edhe për disa vjet në bregdetin shqiptar mbetën si ishuj të izoluar nën rrethimin e vazhdueshëm të shqiptarëve e të bizantinëve. Brenda vitit 1285 anzhuinët braktisën edhe Durrësin, Vlorën e Kaninën. Mundën të mbajnë në jug, në territoret e Despotatit të Epirit fortesat e Butrintit, Sopotit e Porto-Palermos.
që ata, ishin pika mbështetëse pa ndonjë rëndësi strategjike të veçantë.
Në këtë mënyrë, pas rreth 15 vjetësh përpjekjesh për të fituar e për të mbajtur pozitat e tyre në Shqipëri, anzhuinët u detyruan të tërhiqen e t'ia lënë vendin Perandorisë Bizantine, që sakaq rivendosi autoritetin e saj në një pjesë të mirë të tokave shqiptare.
Pas vdekjes së Karlit Anzhu në vitin 1285 dhe varrimit të tij në Napoli, të dërguarit e Anzhuineve u larguan nga Shqipëria më 1286, por u rikthyen përsëri më 1304 me Charles II d’Anjou (Karl II Anzhu) dhe hipjes së tij në fronin mbretëror të Napolit.

Aleanca me prijesat shqiptare do te vazhdonte dhe pas vdekjes se Charles II d’Anjou (Karl II Anzhu), me pinjollet e tij, dinasti që do të lidhej me shume oborre mbretërore të Eropes aq sa do të flitej më vonë për Evropen Anzhuine. Pikërisht Robert II d’Anjou (Robert II Anzhu) nga Napoli, u shkruante më vonë Princave Shqiptare “Aux nobles comtes, barons et autres feudataires du royaume d'Albanie” se do t’i ndihmonte për të luftuar kundër Dushanit të Serbise.
Karakteristikë në këtë fazë është se fuqitë e huaja mundoheshin t'i bënin për vete krerët shqiptarë, duke u dhënë atyre liri e priviligje gjithnjë e më të mëdha. Në traktatet e nënshkruara, më 1336 me Despotin Gjon Muzaka, e më 1338 me Kontin Tanush Thopia, anzhuinët e Napolit merrnin përsipër një sërë detyrimesh ndaj Prijsave shqiptarë dhe kërkonin prej tyre vetëm bindje formale.
Kjo tregon qartë ndryshimin e raportit të forcave ndërmjet pushtetit të huaj e strukturave vendase.
Në vitet 20-30 të shek.XIV në gjithë gjerësinë e trevave shqiptare shpërthyen kryengritja që drejtoheshin kundër serbëve, anzhuinëve dhe bizantinëve. Ato qenë veçanërisht të fuqishme në Despotatin e Beratit. Krerët shqiptarë të atjeshëm prishën traktatet e lidhura me pushtetin Bizantin dhe sulmuan qytetet e Vlorës e të Beratit, si dhe garnizonet bizantine të Skraparit, të Këlcyrës e të Tomorit.
Lëvizja përfshiu për trevat e Ohrit, Devollit, Kolonjës, Leskovikut dhe popullsitë shqiptare të Thesalisë. Historiani bizantin Kantakuzeni thotë se shqiptarët e Despotave të Beratit, Artës e Thesalisë ishin "të pavarur" dhe "nuk pyesnin për perandorin". Androniku III Paleologu organizoi fushata ndëshkimore, ku më e rëndësishmja qe ajo e vitit 1336, ku ushtritë bizantine, të përforcuara me mercenarë turq, ripushtuan qytetet dhe
…dëbuan e vranë kryengritsat pasuria e të cilëve u konfiskua.
Gjatë kësaj fushate perandori Andronik III arriti të ankesonte edhe Despotatin e Artës. Por pas disa vitesh, më 1341, me vdekjen e Andronikut III, në të gjitha këto vende shqiptarët u ngritën përsëri dhe e dëbuan administratën bizantine.
Kështu Shqipëria u shkëput përfundimisht nga Perandoria e Bizantit.


Dukati i Durresit do të mbetej si zoterim i Anzhuineve jo vetëm në mbreterimin e Robertit “le sage” (“i urti”) siç e quanin bashkëkohësit e vet, i cili mbretëroi në Napoli gjatë 1309-1343, por edhe shekuj më pas. Fronin mbreteror ai ja la trashëgim mbesës së tij Zhana I e Napolit, por ajo u mbyt me 1387 sipas urdherit të Charles III d’Anjou (Karlit III Anzhu), i cili vazhdonte të quhej dhe Duka i Durrësit, “Comte Duras”.
Bashkimi përmes martesave me familjen mbretërore te Aragones së Spanjës, shpjegon dhe pretendimet për trashegimin e fronit te Anzhuineve mbi Durresin nga ana e Aragonasve gjer në ditët tona. Historia e vjetër flet gjithashtu edhe për një tjetër pinjoll të kësaj familje, të quajtur Karl, i cili luftoi përkrah francezëve në luftën e anglezëve dhe u vra në betejën e Puatjese.

Karl Thopiaj (Charles Thopia) pinjolli shqiptar me gjak francez.
Një pinjoll i hershëm i familjes Thopia, përmendet në vitet ‘70 të shek. XIII si ushtarak me titullin MILES, dhe në fillimet e shek. XIV ata kishin në sundim të tyre një zotërim të gjërë që shtrihej midis luginës së Shkumbinit dhe të Matit. Në këtë kohë ata kishin lidhje të drejtpërdrejta me Papën e Romës dhe Karlin I Anzhu, mbas krijimit nga ana e tij më 1272 të "Mbretërisë së Shqipërisë" (Regnun Albanie).
Në këtë kohë Topiajt i lejojnë vetes edhe aventura që tregojnë se ndihen mjaft të fortë, aq sa Andrea Thopia rrëmben vajzën e mbretit Robert të Napolit, Helene d’Anjou dhe e bën bashkeshorte.
Andrea e kishte parë Helenën për herë të parë ne keshtjellën e Durrësit, kur ajo kishte ardhur me anije vetëm sa për të kaluar një mbrëmje dhe për t’u nisur pastaj brigjeve te Peleoponezit, ku e priste i fejuari i saj freng, princ i ishujve të Morese.
Guvernatori francez në Durrës, i kërcenoi se mbreti do t’i dërgonte ushtrine dhe do t'ja digjte të gjitha pronat. Një vit më vonë u lindi një djalë që Helena e quajti Charles (Karl) në kujtim të stërgjyshit të saj. Sipas Gjon Muzakës që tregon këtë "love story" fundi ishte tragjik pasi mbreti i Napolit nuk e gëlltiti këtë poshtërim. "Pas ca kohe -shkruan Muzaka- mbreti Robert ftoi vajzën dhe dhëndrin në Napoli e, sapo ata mbërritën në kështjellën e tij i vrau për fajin që kishin bërë".
Karl Thopia kur u bë zot i Durrësit e i krahinës përreth, në stemën e tij vazhdoi të mbante zambaket heraldike dhe luanin e stemës së hershme Anzhuine. Ai përmendet për herë të parë rreth 1350, në një kohë kur Anzhuinet zotëronin ende Durrësin, por jo “de facto”. Shqiperia vazhdonte të quhej “Regnum Albaniae” me kryeqendër Durrësin dhe Thopiajt e ruajnë sundimin e tyre edhe në periudhën e vështirë të sundimit të car Stefan Dushanit mbi tokat shqiptare.
Pas vdekjes së Dushanit (1355) dhe shpërbërjes së Perandorisë Serbe, Thopiajt hynë në luftëra të vazhdueshme me Balshajt, Matrangët, Muzakajt duke pretenduar kështu sundimin mbi tokat shqiptare. Anzhuinet sulmojnë Durresin dhe e pushtojne më 1368, por ai çlirohet përsëri nga Karli, pa përfillur protestat e anzhuinëve, të Papatit e të vetë Venedikut, që i trembej gjithmonë daljes së feudalëve shqiptarë në det.


Kjo periudhë në historinë e principatës lidhet me emrin e Karl Topisë (1359-1388). Pas vdekjes së mbretit të Charles I d’Anjou, mbret i “Regnum de Naples et Albaniae”, dhe të birit të tij, Robert d’Anjou, më 1365, Charles Duras (Durazzo), duka i Durrësit dhe bir i Louis I d’Anjou (në Hungari) kërkon ta bëjë atë trashëgimtar, vjen nga Hungaria në krye të një ushtrie.

Në mesin e viteve ‘70 Karl Thopia zotëronte një pjesë të mirë të brezit bregdetar, nga Kepi i Rodonit në veri, e deri në derdhjen e Semaint në jug, ku kishte mundur të largonte zotërit e mëparshëm, Muzakajt. Në lindje zotërimet e tij kufizoheshin me zotërimet e Andrea Gropës, që shtriheshin midis Dibrës e Ohrit, dhe vetë qyteti i Ohrit u përfshi për ca kohë nën sundimin e tij. Në këtë mënyrë Karl Topia arriti të bashkonte pothuajse gjithë territoret e Arbrit të vjetër.
Kur Turqit po shtyheshin drejt Regnum Albaniae, ai i kërkon ndihmë Venecianëve duke dërguar në Venedik peshkopin e Scampa-s. Më 1388 Grande Comte d'Albaniae (titull i dhene nga Papa Grigor XI më 1374), Karl Thopia sëmuret rëndë dhe vdes. Marrëveshja më Venedikun u bë në kështjellën e Durrësit në gusht 1392 dhe u arrit pas shumë bisedimesh midis Gjergj Topisë dhe komandantit të flotës së Adriatikut, Saracen Dandulo.
E veçanta e kesaj marrëveshje qëndron në faktin se Gjergj Thopia pranonte që Durrësi të kalonte në dorë të Republikës së Venedikut, por pas vdekjes së tij. Mbrojtja e qytetit kalonte në duart e Venedikut dhe për këtë arsye të dyja palët pranonin që në kështjellën e Durrësit të ngrihej flamuri i Republikës së Vendikut, me qëllim që turqit osmanë të ndërprisnin sulmet për pushtimin e qytetit. Gjergj Thopia do të vazhonte të merrte si më parë të gjitha të ardhurat e qytetit dhe do të vazhdonte të ushtronte kontroll mbi zyrtarët dhe ushtarakët e tij. Të dyja palët merrnin përsipër të respektonin statutet dhe rregullat e qytetit. Marrëveshja u ratifikua nga Republika e Venedikut më 18 gusht të vitit 1392.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes Gjergj Topia nuk jetoi gjatë. Burimet bëjnë të ditur se në tetor të vitit 1392 ai nuk jetonte më. Pas vdekjes së tij, më 14 nëntor 1392, Republika e Venedikut nisi në Shqipëri dy zyrtarë të lartë (proveditorë), Mikel Kontareno dhe Pjetër Kurino, për të marrë të gjitha masat e duhura për marrjen në dorëzim të qytetit të Durrësit, dhe qeverisjen e ardhshme të tij. Zyrtarëve në fjalë iu dha detyra të merrnin edhe kështjellën e Krujës.

Nga fundi i shek. të XIV Principatat Shqiptare u thërmuan prej ndërhyrjeve të jashtëme e prej grindjeve midis tyre e vendi ra në një anarki feudale. Eshtë e rëndësishme të theksohet se peng i grindjeve fetare, të dhunshme e shekullore, midis Romës dhe Bizantit ka qenë Iliria/ Arbëria.
Pra interesi kryesor i këtyre fuqive ishte që të mos lejonte Ilirët/ Arbërit që të krijonin një shtet më vehte, siç u formuan në vende të tjera.
Familja e Thopiajve do të kishte qenë ndoshta më e përshtatshmja për të bëre bashkimin e përgjithshëm të gjith Principatave Arbërore falë pozitës gjeografike që kishte në Shqipërine e Mesme. Karl Thopisë nuk i mungonte as ambicja e as zotësia për të krijuar një Regnum Albaniae me identitet të fort Shqiptar. Bashkimin e Shqipërise në një shtet të vetëm, që su bë dot në shek. XIV u perpoq ta bënte Skënderbeu në shek e XV, gjatë qëndreses kombëtare kunder Perandorise Turke.

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#3 ne: 23-08-2011, 13:44:48
Nje nga pjeset me te rendesishme te historise tone mesjetare.

Temat e fundit