Petro Nini Luarasi – martir i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i pari pionier i - Historia Shqiptare

×
Hyrja
Profili

Petro Nini Luarasi – martir i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i pari pionier i

Petro Nini Luarasi – martir i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i pari pionier i

· 1 · 895

  • Postime: 45

ne: 05-04-2012, 14:21:37

“Petro Nini Luarasi ish i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë‘’.
                                                                                              Fan S.Noli

Petro S. Luarasi
Petro Nini Luarasi –   martir i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë
(Kujtese  z. Frank Shkreli, drejtues i  Konferencës Shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës ”Vatra”, 100 Vjetë në shërbim të Kombit”, etj.)

Kombi shqiptar dhe historia.

Trajtimi i historisë kombëtare duhet të konsiderohet mision i shenjtë, i bazuar mbi kritere shkencore, pasi shpesh,  me të drejtë,  është ngritur zëri kundër  harresave, deformimeve e nëpërkëmbjes së vlerave historike reale: Kush është i humburi kur tjetërsohet historia e vendit dhe e heronjve të vërtetë, kur “ustallarë të qelepirit” ngatërrojnë data e shtrembërojnë fakte, krijojnë kulte e poshtërojnë idhuj dhe me fushata krijohen meselera-bejte, “ na ishte se ç’na ishte një herë një hero”?
Me këto historiçka, satirizonte dikur historiani Skënder P. Luarasi,   ”nga balta krijohen heronj dhe heronjtë bëhen baltë”,
Historia e kombit shqiptar nuk duhet lejuar të tjetërsohet  apo të përbaltet, ideali dhe theroritë e atdhetarëve të vërtetë nuk duhet të  nënvlerësohen  apo barabiten me turpet dhe vrerin e kameleonëve të çdo ngjyre dhe kohe.
Historia është altari i shenjtë ku nderohet dhe shenjtërohet vepra kombëtare, me vlerat dhe të vërtetat  e saj duhen mëkuar e edukuar brezat e tashëm e të ardhshëm dhe jo vetëm tekat e “oxhaqeve” dhe tymrave të tyre.   
Përkundër  “mistifikimit” do të analizojmë e ndriçojmë  veprimtarinë e një heroi të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Nderit të Kombit Petro Ninin Luarasi, veprimtaria e të cilit rëndom “folklorizohet” me gojëdhëna, madje tentohet t’i  lihet edhe në harresë, veprimtaria madhore atdhetare.
Këtë shqetësim ia  kumtojmë  edhe z. Frank Shkreli, drejtues i konferencës shkencore mbi veprimtarinë atdhetare të organizatës Pan-Shqiptare “Vatra” që do të mbahet më 28 prill 2012 në Nju Jork, SHBA. Ai dhe bashkëpunëtorët e nderuar kanë rastin e veçantë  që në këtë konferencë apo dhe në darkën madhështore gala, e cila  do të organizohet në një prej hoteleve luksoze të Nju Jorkut, kur ta permëndin e të ngrenë   ndonjë dolli për Themeluesin e organizatës “Vatra”, të madhërishmin Fan S.Noli,  të kenë mirësinë të kujtohen edhe për martirin   Petro Nini Luarasi, të cilin Noli me shokë e kanë vlerësuar si “Paul Reever-i shqiptar”,  “i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë” dhe  “themelues i shoqërisë së parë patriotike në SHBA,  “Malli i Mëmëdheut”(1905), guri themeltar i “Vatrës”.
Përmendim gjithashtu që imzot Fan Noli erdhi në SHBA, filloi veprimtarinë atdhetare  dhe karierën fetare nën shembullin dhe me ndihmën  e Petro Nini Luarasit, i cili qe i pari emigrant politik atje. I theksojmë këto  fakte meqë  “pa e kuptuar” Petro Nini Luarasi,  jo rrallë herë anashkalohen pa u përmendur nëpër konferenca e  bankete shqiptaro-amerikane. Do të konsiderohet  jo dinitoze,  që Petro Nini Luarasi “të cungohet” sërish edhe në botimet përkatëse të Konferencës Shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës ”Vatra”, 100 Vjetë në shërbim të Kombit”, etj.




Petro Nini Luarasi (1865-1911) martir i kombit shqiptar
Martiri i Gjuhës Shqipe, "Mësuesi i Popullit" e “Nder i Kombit”, Petro Nini Luarasi, njihet si  veprimtar i shquar i rilindjes kombëtare, mësues i shqipes dhe nismëtar i krijimit të shkollave dhe kishës ortodokse të pavarur shqiptare, publicist, poet e studjues.
Ai u lind më 22 prill 1865 në fshatin Luaras të Kolonjës dhe qe  djali i vetëm mes tre motrave i prindërve Nini Petro Kostallari-Luarasi dhe Vasiles, bijë e Naum Pandos nga Gostivishti i Perasit. Pasi  kreu arsimin fillor në Nokovë e   më pas në Hotovë, ndoqi shkollën pedagogjike të Qestoratit, në Lunxheri të Gjirokastres, ku mësoi privatisht shkrim e këndim shqip në shtëpinë e mikut të babait, atdhetarit martir Koto Hoxhi.
Më 1882,  Petro Nini Luarasi filloi punë si mësues i greqishtes në shkollën e Bezhanit ku u mësonte nxënësve fshehurazi  gjuhën dhe shkrimin   shqip. Këtë veprimtari e zhvilloi më pas  edhe në disa fshatra të Vakëfeve ku përgatiti mësuesit e ardhshëm të gjuhës shqipe:Vasil Cico Duro, Jorgji Miti Sevo, Kristo Papa Stefan Kici (ose Kristo Luarasi), Leko Zisi Dhima, Gjini Rrapo, Vasil Thanas Vasili e dhjetra të tjerë. Aktivitetin e shtriu dhe më gjerë, në Kolonjë, Vakëfe, Pogradec, Korçë, Përmet  e Negovan. Përmenden si ngjarje madhore hapja e shkollës së parë private shqip në Ersekë, drejtimi i Mësonjëtores Shqipe të Korçës dhe e shkollës shqipe të Negovanit. Në veprimtarinë e tij patriotike për zbatimin e platformës kombëtare, P.N.Luarasi ndoqi parimin “Kombi mbi të gjitha” duke  bashkëpunuar me parinë bektashiane: moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve qe Gjerasim Qiriazi. Krahas lidhjeve miqësore patriotike, shkaktoi armiqësi me zyrtarë turq e bejlerë dhe klerin shovinist grek me agjentët e tij. Për veprimtarinë e tij si mësues i gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe dhe përkthimin e leximin në shqip të psallmeve në kishën e Luarasit, në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin, u perndoq, u mallkua dhe u shkishërua nga tri dhespotët e Kosturit : më 1887 nga Qirilli, më 1889 nga Gregori dhe më 1892 nga Fillareti, i cili edhe e shkishëroi familjarisht (shih: P.N.Luarasi:Mallkimi i shkronjave shqipe, 1911).

Në prill të vitit 1904, P.N.Luarasi arratiset nga burgu ku e kishte mbyllur qeveria turke dhe u strehua në Sh.B.A, si emigranti i parë politik shqiptar. Atje Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjerë duke futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga pushtuesi turk dhe reaksioni shovinist grek mbi familjet në atdhe. Ai krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane : "Pellazgu" dhe "Malli i Mëmëdheut", ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës "Kombi" dhe Fan Nolin që të vinte në SHBA, të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare.Ndërkohë ai  çeli librarinë e parë shëtitëse me libra shqip në SHBA.
Më 1908 u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komit për çlirim duke krijuar një çetë në bashkëpunim me Çerçiz Topullin. Ndërkohë që u shpall Hyrieti ( autonomia e amnistia) ai vazhdoi veprimtarinë patriotike në legalitet. Mori pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit si përfaqësues i “Lidhjes Ortodokse” dhe i fshatrave Negovan e Ballkamen, u zgjodh sekretar dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm në mbrojtje të ortodoksëve shqiptarë.
Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri ''Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit'', që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri, bënë që më 17 gusht 1911 agjentë e dhespotit të Korçës Joakim ta helmonin, të shpallnin se vdiq nga kolera dhe të tentonin për t’ia djegur edhe kufomën me gëlqere. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë por gdhendi në historinë e ndërgjegjen e kombit tonë amanetet legjendare:: "Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe...!" dhe “ Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi!”

Petro Nini Luarasi, në zjarrin e luftës me pushkë e penë për çlirimin e atdheut nga pushtuesi dhe kleri shovinist, lëshoi kushtrimin:
“Ta begatojmë gjuhën dhe kombin tonë me kulturë e qytetërim dhe atëherë do të shohim që gjithë sa folën liksht kundër gjuhës dhe kombit tonë do të turpërohen dhe si dylli përpara faqes së zjarrit do të treten prej nakarit... Le të mos frikësohemi përpara llomatitjeve dhe përrallave të atyre që nuk e dashurojnë por e urrejnë mbrothësinë e njerëzisë dhe nën maskë shënjtorësh e mendimtarësh duan të na gabojnë ne. Le ta dimë se ai që është frikacak përkundrejt së drejtës, ai bëhet tradhëtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij.” 1
1.P. N.Luarasi. Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit, Manastir, 1911, f. 7
Ky bir i vegjëlisë kolonjare, i edukuar me shqiptarizëm të kulluar, sakrifikoi familjarisht çdo gjë për fatin e vendit duke e bërë të famshëm emrin e Luarasit krahas simboleve atdhetare: Frashëri, Negovani, Qiriazi, Butka, etj. në ballin e luftës për liri dhe përparim. Në përmbushjen e idealit të tij ai pati miq vëllezërit Frashëri dhe motrat Qiriazi, bashkëluftëtarë: Sali Butkën, Spiro Ballkamenin, Themistokli Gërmenjin e vëllezërit Topulli. Ai qe mësues-koleg i Pandeli Sotirit, Thanas Sinës, Nuçi Naçit, shok pene i Shahin Kolonjës, Kristo Luarasit, Mit’hat Frashërit e Mihal Gramenos dhe predikues i shqiptarizmit me Sotir Pecin, Fan Nolin e Kristo Dakon.
Në moshën 17-vjeçare, shkrimin shqip të mësuar fshehurazi  nga atdhetari i shquar Koto Hoxhi, nisi ta përhapë kudo ku mundte.Ai u bë edukator atdhetarie dhe mësues i gjuhës së mohuar shqipe për qindra nxënës, bashkëpunëtorë e mësues të ardhshëm si: Kristo Luarasi, Nuçi Naçi, Sali Butka, Guri Sevo e qindra të tjerë në shkollat e fshatrave Bezhan (1982-83), Katund të Vakëfeve (1983-85), Luaras ( 1885-87), Ersekë, Korçë, Negovan e madje, sipas dëshmive të ndryshme edhe në  fshatra të Pogradecit e Përmetit.
Çuditërisht kësaj veprimtarie i është hedhur pluhuri i harresës, ose për rutinë - mungesë njohurish, ose për nënvlerësim e servilizëm konjuktural, diku për xhelozi, tarafe, e krahinizëm, diku për qëllime dashakeqe dhe urrejtje patologjike antikombëtare.
Për shembull, kam lexuar që dikur një  titullar korçar  në ministrinë e arsimit, rolin dhe veprimtarinë e P. N.Luarasit e vlerësonte veç “ bredhje fshat më fshat”, një historian elbasanas “me kompetencë” ia ka fshirë emrin e veprën nga tekstet e historisë së shkollave 8-vjeçare dhe të mesme, edhe në kapitujt “historiku i shkollave shqipe” ku figurojnë ish-nxënës të P.N.Luarasit në veprimtari ku ai kreu rol kryesor. Justifikimi për këtë padrejtësi ishte ose “mjaft u fol për të“, ose “programi i kufizuar nga ministria nuk e përfshin si emër dhe veprimtari që të mos mbingarkohen mendjet e nxënësve”?!
Në tekstet historike paraqitet e zbehtë ose “ groposet” edhe veprimtaria unikale e tij kundër klerit të huaj shovinist, roli në çetat e Shqipërisë së Jugut, lidhjet me shoqatat dhe personalitetet atdhetare, veprimtaria në Kongresin e Dytë të Manastirit, lufta për arsim shqip dhe liri në trojet etnike: Manastir, Ballkamen, Negovan, Janinë apo veprimtaritë në kolonitë shqiptare të diasporës, veçanërisht në SHBA.
Është paradoks që ndërsa bashkëkohësit i kanë dhënë vlerësimet “patriot i pavdekshëm”, “këtij burri-burrash e trim-trimash”, “ Shqiponjë e lavdishme e gjuhës shqipe”, “Flamurtar i lëvizjes kombëtare shqiptare në Amerikë”, disa pasardhës “me damkë” e lënë “të prehet në mallkimin e tij” duke e tjetërsuar me trillime. 2
2. Gilmana Bushati. [Petro S.] Luarasi: Kisha Ortodokse Autoqefale të japi shpjegime. Cili është qëndrimi për dhespotët që mallkuan Petron: Flet nipi i Petro Nini Luarasit në lidhje me fushatën e shpifjeve. Gazeta shqiptare, 14 janar, 2011, 22-23
Kisha: S’kemi prova se [Petro N.] Luarasi është shkishëruar. Gazeta shqiptare, 15 janar, 2011, 18-19
Paraqitja me seriozitet e veprimtarisë së shumanshme e shembullore e Petro N.Luarasit në luftën pa kompromis me armiqtë e vendit, nuk ka për qëllim që të krijojë kulte apo mite në histori, por të shërbejë si një shembull dhe përpjekje sado modeste që të mos lejohet minimizimi apo mënjanimi plotësisht nga historia e popullit shqiptar edhe e mjaft heronjve të tjerë të vërtetë.

Petro N.Luarasi, i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë.
Historiku i zhvillimit të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA vazhdon të studjohet me pasion të madh nga kategori të ndryshme njerëzish me qëllime nga më të shumllojshmet, kombëtare apo personale. Diskutohet rëndësia parësore në zgjidhjen e halleve të Shqipërisë dhe kontributi i gjithanshëm i individëve të caktuar në të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Nuk mungojnë krahas vlerësimeve të drejta edhe analiza tendencioze, luftë klanesh dhe lokalizma me paragjykime e shtrembërime skandaloze.
Prandaj për të ndarë “miellin nga krrundet” rëndësi të veçantë, si kudo, paraqet analizimi i ngjarjeve mbi fakte e dokumenta.
Arsyet dhe rrethanat e vajtjes së P.N.Luarasit në SHBA lidhen me përndjekjet që i bëheshin nga pushtuesi pas largimit të tij nga burgu i Korçës, ku vuante dënimin e hapjes së shkollave shqipe dhe ndjesinë që kishte ai ndaj Botës së Re të principeve demokratike. 3
3. Petro S.Luarasi. Kontribute shekullore. Familja Luarasi për marrëdhëniet shqiptaro-anglo-amerikane, “55”, 19-20-21-22 korrik, 2003.
Në kushtet kur armiqtë i përdornin institucionet fetare për qëllime shoviniste dhe për të përçarë popullin, patriotët u drejtuan për ndihmë nga shtete, forca e besime fetare aleate. Një fakt domethënës është bashkëpunimi i P.N.Luarasit me parinë bektashiane dhe protestantet e përfaqësuar nga Gjerasim Qiriazi dhe çifti amerikan Kenedi [Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas)] për përhapjen e shkollave e librave shqip, pa u përzier në çështjet e interpretimeve fetare. Përkundër mallkimit të dhespotërve grekë dhe trillimeve të tyre , kinse Petro Nini Luarasi qe kthyer në protestant, ai si besimtar i devotshëm ortodoks deklaronte:
"Sa herë hasem me protestantë, flas me ta dhe bisedonj, siç e meriton me njerëz të kungajkës dhe të bashkërisë dhe të qytetërimit, me ndryshim që ata janë protestantë, dhe unë orthodhoksë. ".4
4. Petro N. Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe, Manastir, 1911, f.21
Ky orientim politik dhe largpamësia ndikoi që ai të zgjidhte SHBA për emigrim politik të përkohshëm .
Petro N.Luarasi u lirua gabimisht “simbas një urdhëri të Valiut të Manastirit që u keqkuptua nga drejtori i burgut...Zbulohet gabimi i lirimit dhe kërkojnë ta arrestojnë prap” 5
5. Tre yje. Një pesëdhjetëvjetor që duhet të kremtohet, Illyria, 8 shkurt, 1936, f. 3-4
Në këto rrethana ai së bashku me kunatin Guri Sevo dhe dy të tjerë shkoi fshehurazi në Manastir, ku miqtë i bënë një pasaportë me emrin Petro Kostandini. Qëllimi i këtij emigracioni politik të përkohshëm ishte që së bashku me të njohurit e tij të shumtë atje, të organizoheshin dhe t’i ndërgjegjësonte për të ndihmuar atdheun.
Mbërritja e tij në SHBA saktësohet nga vjersha që shkroi: “Mij e nëntëqind e katër / Prilli më njëzet e tri / Seç u nisa unë i mjeri / Për këtu n’Ameriqi”
Kostandin Demo nga fshati Katund i Korçës, një nga emigrantët më të vjetër shqiptarë, i ardhur në Amerikë që më 1903, në librin e tij “Shqiptarët në Amerikë”, tregon historikun e emigrantëve të parë shqiptarë, shumë prej të cilëve i njihte në intimitet duke i kushtuar vëmendjen e duhur kontributit të Petro Nini Luarasit.
Fan Noli ka shkruar hyrjen në këtë vepër të redaktuar nga Prof. Peter R.Prifti, ku vlerëson se “ ky libër duhet lexuar nga çdo shqiptar”. 6
6 Kostandin Demo. Shqiptarët në Amerikë,1960
Veterani Kostandin Demo shkruan.”
“Nuk dua të lë përshtypjen se burrat e Katundit”-17 shqiptarët e parë të ardhur në Amerikë ishin nga ky fshat - “e kishin monopolizuar shqiptarizmën. Po fati e solli që ata u frymëzuan me ndjenja kombëtare njëzet vjet më parë nga bashkatdhetarët e tyre dhe kësisoj përfituan nga rasti. Duhet përmendur Petro Nini Luarasi që ishte mësues në Katund për dy vjet, 1886-1888 dhe u mësoi fshatarëve abetaren shqipe, këngën e Krishtlindjes: " Vete sot në Vithania, Zoti Krisht e Perëndia", si edhe ngjarjen nga Ungjilli: " Jakovi dhe të dymbëdhjetë bijtë e tij, nga të cilët më i vogli ish Josifi". Male Selenica, trim i fshatit,
një burrë që kish marrë emër në fshatrat e Vakëfeve ishte një nga nxënësit e Petro Ninit...” 7
7.Po aty
Nga burime të ndryshme argumentohet se në atë kohë Petro Nini Luarasi ishte i pari emigrant politik, krahas atyre dhjetra emigrantëve ekonomikë që ishin në Botën e e Re, historiku i të cilëve fillonte me Kol Kristoferin.
“Lëvizja shqiptare në Amerikë filloi seriozisht në maj 1904, me ardhjen e Petro Nini Luarasit. Ai ishte "The Paul Revere" i shqiptarëve, mbasi vinte në çdo vend ku kishte shqiptarë dhe gjithmonë predikonte patriotizëm. Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot pamfleta, revista dhe gazeta. Petron mundet gjithashtu ta krahasojmë me Shën Janin, sepse përgatiti udhën e lëvizjes kombëtare për ata që erdhën pas tij. Dhe pasardhësit nuk vonuan. Në grupin e tyre bënin pjesë Sotir Peci, Fan Noli, Kristo Dako, Faik Konica, Mihal Grameno..” 8
8 Po aty
Petro N. Luarasi, krahas idealit atdhetar dhe eksperiecës së madhe në organizimin e lëvizjes patriotike, gëzonte edhe një njohje të gjerë mes emigrantëve shqiptarë në Amerikë, shumë prej të cilëve e nderonin edhe si mësuesin, edukatorin dhe prijësin e tyre.
“ Mënyra më e mirë për të kënduar librin e historisë është të fillosh nga faqja e parë. Po të bëjmë këtë do të shikojmë se themelet e lëvizjes kombëtare në Amerikë u hodhën në fshatrat e Vakëfeve në Shqipëri, me hapjen e shkollave shqipe prej Petro Nini Luarasit, në Katund, në dy Treskat, Trebickë, Stratobërdhë, Selenicë dhe në të tjera fshatra që ishin rrotull... Kur erdhi Petro Nini Luarasi në Amerikë më 1904, gjeti këtu miq të vjetër si dhe disa nga nxënësit e tij dhe me ndihmën e tyre, mundi ta vazhdojë këtu punën e tij patriotike në liri të plotë, e jo si përtej Atlantikut ku jeta e tij shpeshherë ishte në rrezik. Me fjalë të tjera, vazhdoi edhe këtu të predikojë shqiptarizmën dhe të përhapë ndjenjat kombëtare kudo që vinte.

Shoqëritë atdhetare “Pellazgët” dhe "Mall’ i Mëmëdheut”
Shoqëria "Mall i Mëmëdheut”, e para shoqëri patriotike shqiptare në Amerikë, u themelua në Jamestoun, N.Y. nën udhëheqjen e Petro Nini Luarasit... i cili shkonte nga një koloni shqiptare në tjetrën duke predikuar e duke dhënë mësim, na ndihmoi jashtë masës. Petrua ishte ai që organizoi të parën shoqëri shqiptare në Amerikë, "Malli i Mëmëdheut”, në Jamestown, N.Y.” 9
9 Po aty
Veterani tjetër, Mina Grameno, i ardhur në Amerikë më 1903, përshkruan me hollësi në kujtimet e tij rrethanat se si u krijuan shoqëritë e para atdhetare nën drejtimin e Petro N.Luarasit. ”Më 1905, Llambi Bimbli u takua në Boston me Petro Luarasin dhe biseduan për një lëvizje patriotike atje...Unë që e e mbaja mend dhe e dija se kush qe Petro Nini ngula këmbë që ta sjellim këtej ( në Xhejmstaun) e sa më parë këtë “ mëmëdhetar të flaktë”. Pas disa ditësh arriti në Xhejmstaun ku e pritën me dashuri të përzemërt dhe vëllazërore. Gëzimi ynë dhe i tij kanë qenë të papërshkrueshëm. Vetëm neve dhe ata që mbanin në kraharor flakën e zjarrit patriotik, ata që ishin ushqyer me këto ndjenja të një feje mistike në atë kohë, ata mundin vetëm të kuptojnë sa të shtrenjtë kanë qenë për njeri-tjetrin patriotët idealistë. Me ardhjen e z.Petro Luarasi në pak ditë organizuam një mbledhje të gjerë prej 70-80 shqiptarësh që ndodheshin në Xhejmstaun dhe që në atë mbledhje u themelua shoqëria e parë me emrin “Pellazgët”. Statutin e kësaj shoqërie e hartoi dhe e shkroi po atë ditë Petro. Por mjerisht kjo shoqëri për arësye të propagandës greke dhe më shumë nga frika që kishin disa burra korçarë ”për familjet e tyre në atdhe” nuk mundi të përparojë dhe flaka që u ndez u venit si kandili por nuk u shua se ajo diqte dhe ndriste në zemrat e ndezura për punë dhe veprim. Dhe këto zemra plot kurajo dhe vullnet qenë gati të bëjnë çdo sakrificë në urdhërin e parë që jepej nga udhëheqësi i tyre P.N.Luarasi. Por ky si m’i pjekuri edhe i stërvitur me kohë në lëvizjet kombëtare dhe q’e njihte shpirtin e popullit tonë këshillonte njëherë durimin dhe urtësinë dhe kurrë ashpërsinë sa që të ziheshin dhe armiqësoheshim me kundërshtarët. Dhe na jepte shembullin e tij. Mbas darke për mbrëma do të vizitonte nëpër shtëpitë ku qenë ata më të rreptit antishqiptarë dhe grekomanë...Petro me zgjuarësinë, kulturën e gjerë, ëmbëlsinë që kish në shprehjet e bisedimeve iu tregonte parabola theologjike dhe filozofike dhe, me durimin e pashembullt që kish, dalëngadalë, ata më të mësuarit dhe të diturit i bënte me vete dhe shokë, sa q’i solli në rrugën e tij që ishte rruga e drejtë...
Moti 1905 është më të mbaruar. Një ditë përpara motit 1906 më vjen një kartë postale prej Bufallo N.Y. nga Llambi Bimbli i cili më lutet të marr Petron e disa shokë dhe të vemë të nesërmen atje ku me ata të atjeshmit të fillojmë një shoqëri serioze...Si u bashkuam, shkuam në shtëpi të Thanas V. Mborjes dhe që atë ditë Petro shkroi statutin e shoqërisë që zuri rrënjë dhe që veproi e punoi e q’u bë shembull për shoqëritë e pastajme t’Amerikës.” 10
10. Mina Grameno. Kujtimet e jetës sime-P.N.Luarasi, Bota e Re, dhjetor,1936
Mina Grameno thekson se Petro Nini Luarasit “i takon kurora e lavdisë si një misionar apostolik që mbolli në Amerikë idealizmën kombëtare që më vonë u rrit dhe u zmadhua me veprat e panumërta të patriotëve idealistë që patën si parim që të shkrijnë diturinë, shpirtin dhe pasurinë për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë. Historia për këtë dhe qindra shokë si ky do të mburret një kohë të largët, por jo tani. Sot i thonë koha e interesit dhe e parasë.
Veterani atdhetar Thanas V. Mborja shkruan në kujtimet e tij: ”Në Bufalo po mblidheshin gjithnjë e e më shumë shqiptarë. Në Xhejmstaun qenë bërë nja 80. Më 1905 vajti atje edhe P.N.Luarasi”11
11 Studjuesi Petraq Pepo, në të njëjtat kujtime, të përmbledhura prej tij nën titullin “Th.Mborja. Kujtime nga lëvizja për çlirim kombëtar”,1962, f.10, në të njëjtin paragraf, “tjetërson” tekstualisht ”... ndodheshin rreth 80 shqiptarë e P.N.Luarasi i cili erdhi në Amerikë më 1905 (?!)
Ky “gabim i vogël” bëri që disa historianë ta radhisnin ardhjen dhe veprimtarinë e Petro N.Luarasit në Amerikë “ më pas se...” disa të tjerë atdhetarë.
Autori shpjegon situatën në Bufalo ku ata po flisnin shumë por s’po nxirrnin dot gjë në dritë ndaj vendosën të thërrisnin Petro N.Luarasin dhe Mina Gramenon. “Më 1 janar 1906, u mblodhëm në konakun tim 13 vetë: Mina Grameno, Petro N.Luarasi, Kole Rikashi, Pandi L.Kallajxhiu, Thimi N.Boçka, Pandi M.Furxhi, Dhimitër Z. Negovani, Vani O.Karameta, Thanas Halla, Vani Vangjeli, Mihallaq Bimbli, Llambi Bimbli, dhe unë (Thanas V.Mborja).” 12
12 Pjesëtar ka qenë edhe Llambi Bimbli por emri i tij është “krasitur” nga censura për motive politike. Shën. i Petro S. Luarasit
Folën Petro N.Luarasi, Mina Grameno, etj. Po atë ditë, me vota të hapura u zgjodh kryesia prej 8 vetësh me anëtarë nga Bufalo. Kryetar u zgjodh Llambi Bimbli. Pleqësia e shoqërisë më 1 janar 1907 u transferua në Xhejmstaun.
“ Mall’ i Mëmëdheut” cilësohet si e para shoqëri me jetë të gjatë në SHBA që u bë shembull për shqiptarët e qyteteve të tjerë. Krijimi i shoqërisë me anëtarë nga të dy qytetet Bufalo dhe Xhejmstaun kishte një rëndësi të madhe për atë kohë.
Aktiviteti i saj u bazuar në statusin e përgatitur nga P.N.Luarasi me moto “Vëllazëri, dashuri, bashkim” 13
13 Nxërrime të shoqërisë “ Mall’ i Mëmëdheut”, Bukuresht, 1936
Duke mënjanuar lokalizmat, ajo mori një karakter mbarëkombëtar duke u bërë shembull, “gur themeltar” për krijimin e shoqërive të tjera të tilla në SHBA dhe për grupimin e patriotëve në luftën ndaj elementëve dhe propagandës armiqësore. Me aktivitetet e shumllojshme, ndihmën e ndërsjelltë morale e materiale, u bë i mundur shtimi me anëtarë nga qytete të tjera dhe me shumë qytetarë të lëkundur e të gënjyer. Në këtë veprimtari një rol të madh luajti “udhëheqësi shpirtëror” Petro Nini Luarasi që thoshte:” Këtu gjeta brumin që të gatuaj, këtu do të rrygj në magje dhe do të dij se ç’bukë të nxjerr...Zemra e shpirti m’u qetuan dhe ndërgjegja më thotë se kjo shoqëri do të përhapë rrezet e Diellit ndë gjithë shqiptarët e Amerikës”.14
14 Mina Grameno. Mall’ i Mëmëdheut, Koha, 5 tetor,1916.
Për këtë ngjarje madhore ai shkroi vjershën “ Mall’ i Mëmëdheut” me vargjet:
Mall i madh për mëmëdhenë
Të bën të quhesh njeri
Të març vesh vetë-vetenë
Të kuptosh në Perëndi.
Shpirt lik dhe i pa vlerë
Është i poshtër çdo njeri
Kush s’ka mall për mëmëdhenë
Shembëllen me bagëti.
Aktiviteti i gjerë i P.N.Luarasit pasqyrohet disi nga korespondentët e gazetës “Kombi”.
“ Në lutjen ndaj vrasjes së Spiro Kosturit nga shovinistët grekë, pas atij (Fan Nolit) foli z. Petro Luarasi me mjeshtëri shumë të madhe duke lëvduar trimëritë e virtytet e të ndyerit e duke u përmendur shqiptarëve se gjaku i tij duhet shpërblyer”.
Ndërsa “ Në konferencën për kujtim të S. Kosturit, mbajtur në Phoenix Hall, 724, Washington... oratorët që folën ishin Petro Nini nga Luarasi dhe dy botonjësit e gazetës “Kombi”. 15
15 Kombi. 7 janar 1907.
Në një tjetër shkrim të gazetës “Kombi” mbi mbledhjen themeluese të shoqërisë “Besa-besë“ shkruhet: “Pastaj hipi në fron z.Petro Luarasi. Pas një prolog filozofik përmbi ndjenjat e e njeriut të cilat i ndan në dy sojë ndjenjash: ndjenja të zemrës dhe ndjenja të mendjes dhe pas një vështrimi përmbi shkencat, hyri në subjektin patriotik në të cilin rrëfeu një fortësi fjale dhe gjykimi të rrallë. Z. Luarasi është një orator i mirë dhe thënia e tij është mjeshtërake. Të gjithë sa gjendeshin e pëlqyen fjalën dhe nuk pushonin duke përpjekur duart.” 16
16 Mbledhja e shoqërisë “Besa-Besë”, Kombi,16 maj 1906
Ndërsa për zgjedhjet e degës në Natik shkruhet:
“Mori fjalën z. P.Luarasi i cili shumë foli bukur për përparimin e shoqërisë dhe të çështjes kombëtare.” 17
17 Kombi, 21 shkurt 1908

Aktivitete të tjera
Një nga pikat e statusit të shoqërisë“ Mall’ i Mëmëdheut” përcaktonte ndihmën që duhej të jepej për botime shqip.
“ Kur u themelua “ Mall’ i Mëmëdheut”, nën influencën e Petros, shokët e parë të kësaj shoqërie kishin pranuar nyjet që rrogën e parë pas themelimit ta sakrifikonin për nevoja të ndryshme dhe sidomos për fillimin e botimit të një gazete. Këtë detyrë shoqëria ia la për barrë Sotir Pecit i cili kishte ardhur në Amerikë prej Athine pak kohë më parë se Fan Noli nga Aleksandria. Si shokët, si Sotir Peci vetë, po veçanërisht me anë të Goni Stratobërdhës, iu lutnë Petros të marrë pjesë në botimin e gazetës “ Kombi”, por për njërin shkak a tjetrin nuk deshi...”
Ai interesohej edhe për shpërndarjen e librave shqip. Për këtë qëllim organizoi një bibliotekë lëvizëse dhe çeli një librari në Malboro, Mass. me libra shqip të botuar në Sofje, Bukuresht, Vjenë, etj. Me këto qendra kishte marrëdhënie të ngushta që më parë.
“Dhe kështu u ndanë veprimet e këtyre tre burrave shqiptarë në tri fusha të ndryshme. Petro Luarasi, më i vjetri në moshë dhe në veprim punoi gjithnjë si propagandist shëtitës, duke folur për bashkim të shqiptarëve, për forcimin e shoqërisë “ Mall’ i Mëmëdheut” dhe për organizimin e shoqërive të tjera kombëtare si kjo. Sotir Peci u muarr me shtypjen e “Kombit”, i ndihmuar në botimin e gazetës prej Fan Nolit, i cili më vonë u bë prift dhe i kushtoi fuqitë e e tij kryesisht themelimit të kishës autoqefale shqiptare. Dhe në këtë mënyrë i dha fund të mbarë një çështje të filluar këtu e 15 vjet më parë prej Petro Luarasit... Për Fan Nolin kishte nderim të madh dhe u gëzua që në fushën kombëtare doli një djalë i ri i mësuar. 18
18 Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.84-85

Ideator i kishìs ortodokse të pavarur shqiptare
Veterani Guri Sevo, biografi i tij i ardhshëm, thekson se “edhe në çështjen e kishës shqipe që lojti një rol të madh në lëvizjen kombëtare tonën, Petro Luarasi ka qenë flamurtar i parë, jo vetëm në Shqipëri, po e po, po medhe në Amerikë. Më 1906, me rastin e refuzimit të priftit grek të Wochester-it, Mass. që të mbulonte një shqiptar të vdekur, shqiptarët iu lutën Petros të bëhej prift...Për hir të çështjes shqiptare edhe prift do të kish pranuar të bëhej Petroja por ai ia lëshoi vendin një shqiptari më ‘’aksios’’ për këtë zyrë të shenjtë Fan Nolit...” 19
19.Po aty
Tashmë njihen fakte dhe dokumenta që provojnë rolin e rëndësishëm të Petro N.Luarasit në ideimin dhe ndërtimin e kishës së pavarur ortodokse shqiptare, hap i rëndësishëm i së cilës qe edhe zgjedhja e Fan Nolit si prift.
Me rastin e zgjedhjeve në shoqërinë “Besa-Besë” u diskutua për një prift shqiptar. Folën Kristo Dako dhe Fan Noli ...”Pas priftit Jakob që bëri të njohur se arkipeshkopi rus Platoni do të ndihmojë, z.Petro Luarasi me një fjalë të shkurtër rrëfeu mirënjohjen që do të kenë shqiptarët në kishën ruse porsa të ndihmojë të fillojë kisha shqip. Kështu mbetën të gjithë të kënaqur e plot gëzim nga kjo.’’ 20
20 Zgjedhjet e shoqërisë “Besa-Besë”, Kombi, 10 janar 1908
Ndërsa në një rekord zyrtar të marrë nga arshiva e zyrës civile Hudson, të botuar më vonë në Kalendarin e botës, 1939 shkruhet:
‘’U mbajt një mbledhje tjetër e cila zgjodhi një komision që të kërkojë kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin dy: Fan Noli nga Bostoni dhe Petro Luarasi nga Klintoni Mass të cilët u votuan prej delegatëve të Natic-ut, Malboro-it, dhe Hudson-it dhe fitoi Fan Noli që të dorëzohej prift’’ 21
21 Tivari. Historia e themelimit të kishës sonë orthodhokse kombëtare, Kalendari i botës, 1939, f.83
Po të trajtohet me hollësi tema se si u zgjodh Fan Noli “e fitoi mbi konkurentin e dytë”, Petron, do të dilte qartë se kush ndihmoi më shumë për t’u bërë Fan Noli prift, në luftë ndaj pretendentit “ të tretë“ grekofon, i cili kishte mbirë prej kohësh nga “ vorioepirotët” në Amerikë.
‘’Pasi u dorëzua Fan Noli prift më 25 mars 1908 nxorri meshën e parë shqip në Boston. I vetmi që mund të zinte vendin e psalltit qe Petro Luarasi...natyrisht nuk gjendej psallt tjetër në gjuhën shqipe i përgatitur. Z.Luarasi psallti mirë. Pas ungjillit mbajti një fjalë për këtë çështje dhe provoi dobitë që do të kish patur atdheu tonë porsa të kish përdorur gjuhën e vet në kishë. Si u mbarua mesha foli Petro Luarasi përmbi këtë çështje shumë bukur...Shumë shqiptarë porsa dëgjuan se ai (Fan Noli) u urdhërua (prift) prej episkopit rus u bindën se me të vërtetë është ortodoks. Pas kësaj ata që ishin më fanatikë ndjekës të Patrikanës, u bënë më të zjarrtit e kishës shqipe. Kuptuan se nuk është mëkat të përdoret gjuha shqipe në kishë si u kish thënë dhespoti dhe që të gjitha mallkimet kishin qëllim politik’’ 22
22 Kombi, 22 mars 1908
Guri Sevo shkruan: "Si mbaroi mesha Petro sa s’qante nga gëzimi! Dikush i tha që prifti shqiptar qenkesh me të vërtetë shumë i zoti.
- Përndryshe nuk do të vinte mitron pa vënë kamillafin, iu përgjegj Petro për të caktuar kryelartësinë me të cilën e nxorri meshën e parë prifti i parë shqiptar’’23
23. Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.86
Një ngjarje interesante që përshkruan autoritetin, përvojën dhe zgjuarësinë e Petro N.Luarasit paraqite Mesha në Hudson Mass
”Siç dihet në Hudson u fillua shoqëria kishtare ‘’Nderi Shqiptar’’ prandaj pas Bostonit natyrisht vjen Hudsoni. Kjo shoqëri vuri në praktikë idenë e fillimit të një kishe shqip duke mbledhur ndihma dhe duke dërguar priftin Fan Noli në Nju Jork. Pas meshës mbajti një fjalë greqisht Fan Noli (që krijoi keqkuptime ndër dëgjuesit). Pas fjalës së priftit z.Petro Luarasi foli shqip mjaft orë dhe shumë bukur” . 24
24 Mesha në Hudson Mass, Kombi, 27 mars 1908
Për këtë kohë, Fan Stilian Noli, i cili nuk ka qenë fort dorëhapur për lëvdata të shokëve, shkruan në një letër drejtuar mikut të tij Skënder Luarasi: “S’ka asnjë dyshim që Petro Luarasi lojti rolin kryesor në themelimi e shoqërisë ‘ Mall’ i Mëmëdheut” në Xhejmstaun, N.Y. por hollësira mbi këtë pikë nuk mund të jap se nuk i di as vetë. Duhet t’i kërkoni nga ata bashkatdhetarë që ndodheshin në atë qytet më 1904-1905. Unë kam vajtur në Amerikë më 1906, i inkurajuar nga themelimi i kësaj shoqërie. ..Me Petro Luarasin u poqa më vonë në Clinton, Mass...Ishte propagandist i palodhur dhe kudo që kishte qëndruar në Amerikë linte pas nga një grup patriotësh enthuziazt. Punonte rëndë për të fituar bukën por nuk i kursente harxhet për çështjen dhe të djelave udhëtonte nëpër kolonitë shqiptare për të përhapur ungjillën e nacionalizmës. Rreth Bostonik kam gjetur gjurma të tij pothuaj kudo. Ish i pari pionier i lëvizjes kombëtare në Amerikë‘’. 25
25 Fan Noli. Letër drejtuar Skënder Luarasit, Timmendorf, 21.7.1925
Në një letër tjetër të Fan Nolit, jepet informacioni i rëndësishëm se qe Petro Nini Luarasi i cili e ndihmoi për të vajtur në Amerikë. Ai i shkruan Skënder Luarasit: ‘’ Ditën e Indipendencës fola mbi babanë tuaj, Petron, që më gatiti udhën këtu.” 26
26 Fan Noli. Kartëpostale drejtuar Skënder Luarasit, Boston, 19.12.1959
Ndërsa studjuesi Nasho Jorgaqi ka zbuluar se Fan Noli erdhi në Amerikë me emrin e Petro Nini Luarasit në pasaportë.27
27 Nasho Jorgaqi, Udhëtim me Fan Nolin, f. 111

Petro Nini Luarasi luftëtar
Krahas organizimit e ndërgjegjësimit me idealet kombëtare të shqiptarëve në qendrat e e mëdha, P.N.Luarasi interesohej edhe për përqëndrimet e vogla. Ndaj shpesh ndërmerrte edhe udhëtime të largëta. Krahas ndërlidhjes së shoqërive e qendrave me banorë shqiptarë, ku bënte thirrje për të mbledhur ndihma për çlirimin e atdheut. Që në gusht 1906 ai përgatitej të shkonte komit në Shqipëri, por nuk gjeti përkrahjen e duhur financiare dhe njerëz. Për këtë qëllim bashkëpunoi edhe me Bajo Topullin, kur ai erdhi në Amerikë.
Në këtë kohë shkruan artikullin “ Një letër në udhëtim” ku përshkruan situatën, detyrat që i dalin lëvizjes për çlirim kombëtar” O burra të ndershëm shqiptarë, kush me të holla, kush me dituri, kush me krahë, le të sulemi për ndihmë të mëmëdheut. Mos vini re fjalët e mjeshtëruara të armiqve, mos besoni dinakëritë e e tradhëtarëve, mos dëgjoni mërmëritjet e frikacakëve. Kjo kuleta e vogël shqiptare le të zbrazet në kocekt e nderit shqiptar...Bashkohu ni vllazërisht, miqësohuni, pajtohuni, paqësohuni: një le të jetë qëllimi i vetëm i juaji, dashuria njëri me tjetrin për ndihmë të mëmëdheut, me çdo mënyrë të ndershme.’’ 28
28 Raullasi. Një letër. N’udhëtim. 2 Mars 1908, Kombi, 6 mars, 1908, f.1
Ndërsa në artikullin “Një udhëtim në fshatra”, tregon udhëtimin e fundit në Malboro, Hudson, Boston, Brokton, Atleboro, Batik, Biddeford, të shtetit Mass. ku bashkëpunonte me shoqëritë atdhetare e shpërndante librat shqip. Përshkruan aktivitetin e qendrave, problemet që dalin, domosdoshmërinë e mbajtjes së kontakteve me ta, propagandon bashkimin rreth kishës shqiptare dhe bashkëpunimin me gazetën “ Kombi” se vetëm atje ”do të mësojmë gjëra që miqtë nuk kanë kohë e mundësi t’jua tregojnë ndërsa armiqtë ua fshehin.” 29
29. P.Raullasi. Një udhëtim nër fshatrat, Kombi, 4 prill, 1908, f.4
Aktivitet të madh zhvilloi edhe në kontaktet me qendrat kryesore të shqiptarëve në botë, në Vjenë, Bukuresht, Sofje, Selanik, Manastir e Misir dhe botoi disa artikuj në shtypin e tyre.
Ndërkohë që shumë shqiptarë vetëm flisnin, shihnin rehatin e biznesin e tyre, Petro N.Luarasi iu përgjigj fjalëve me vepra duke shkuar së bashku me një grup të afërmish e shokësh për të luftuar me armë në Shqipëri, në krah të çetave të Bajo e Çerçiz Topullit.
“ Kur u shpall amnistia bashkë me Çerçiz Topullin u fal edhe Petro Luarasi i cili është i njohur ndër shqiptarët e Amerikës sepse para pak muajsh iku prej këtej për tu bashkuar me komitët shqiptarë. Kishte me vete 25 shpirt dhe duke rënë në dyfek me ushtrinë humbi një shok” 30
30 Lajme. Kombi, 28 gusht 1908
Vetë P.N.Luarasi u plagos në një luftim pranë pyllit të Vodicës.


Heronjtë dhe oportunistët
George Gallani nga Dardha e Korçës e dallon P.N.Luarasin ndër “të parët misionarë patriotë “ të komunitetit shqiptar ku ”ndërsa në fillim pati një solidaritet të madh midis shqiptarësh, me kalimin e kohës u krye diferencimi ekonomik dhe ata që u pasuruan sado pak filluan t’i shohin shokët shtrembët. Ata u bënë shkaktarë grindjesh dhe mosmrëveshjesh që ekzistojnë edhe sot. Ata nuk interesoheshin për çështjen shqiptare por veç të pasuroheshin dhe donin t’u dilte emri si patriotë të mëdhenj.” 31
31George Gallani. kujtimet “ Përshkrim i emigrantëve ekonomikë shqiptar në Amerikë, f. 7, 33-34
Disa u pasuruan edhe me ndihmën e shovinistëve grekë në dëm të çështjes kombëtare. Më vonë filloi edhe një konkurencë midis ithtarëve të njërit apo tjetrit grupim apo krah partiak, midis krahinave e fshatrave që për të mbivlerësuar veten “ groposnin’ kontributin e të tjerëve.
Ndaj këtyre tendencave e situatave nuk kanë munguar protestat e atdhetarëve të vërtetë.
“ Nga shqiptarët e sotëm që janë në Amerikë, shumë të pakët janë ata që e dinë se cili me të vërtetë ish Petro Nini Luarasi dhe sa dobi i solli çështjes kombëtare shërbimi i tij në kolonitë shqiptare të Amerikës. P.N.Luarasi erdhi në Amerikë në prill 1904 dhe ishte i pari shqiptar udhëheqës (“Albanian leader”). Këtu edhe themeloi të parën shoqëri kombëtare në qytetin Xhejmstaun, N.Y. me emrin “ Mall’ i Mëmëdheut’’. Ish i pari shqiptar që mbolli farën e shqiptarizmit në Amerikë në kolonitë e shqiptarëve e cila siç e provoi koha, lojti rolin më të madh për shpëtimin e Shqipërisë. Shokët e tij dhe shqiptarë të dëgjuar të asaj kohe ishin : Llambi Bimbli dhe Nik Poçi. Patrioti nga Luarasi erdhi në Amerikë në atë kohë kur shqiptarët patriotë ishin shumë të rrallë dhe kur shqiptarët e dëgjuar të sotmit si Kristo Kirka ishin grekomanë të flaktë. Petro Luarasi me një gjuhë që priste hekur dhe me argumentat e tij të nxehta e ktheu Kristo Kirkën shqiptar. Sa jetoi në Amerikë, Petro Luarasi e shkoi kohën e tij duke shëtitur fshat më fshat, ku ndodheshin shqiptarë dhe kudo predikonte shqiptarizmën. Veç kësaj kishte edhe letërkëmbim me editorin e e gazetës greke “Atlantis” që dilte në Nju Jork një herë në javë. Dhe kurdoherë që ajo shkruante artikuj kundër Shqipërisë, Petro Luarasi ishte i pari dhe i vetmi, meqë e dinte greqishten mirë, që i bënte përgjigje” Atlantidës”.Që të sigurohej se mos mundimi i tij shkonte kot, kurdoherë i dërgonte letrat e tij register. Petro Luarasi, gazeta ‘’ Drita’’ e Shahin Kolonjës që dilte në Sofja, librat e Papa Kristo Negovanit dhe ‘ Albania’ e Faik Konicës, ishin kasnecët e parë të shqiptarizmit në SHBA që do ta vazhdonte më pastaj Sotir Peci, Fan Noli dhe Kristo Dako.
Historiani shqiptar kur të shkruajë historinë e shqiptarëve të Amerikës le të mos harrojë datën e mbërritjes në Amerikë të Petro Luarasit.” 32
32 Kostandin A. Demo. P.N.Luarasi, Shkëndija, 7 janar 1922, f.1
Në periudha të ndryshme, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, është diskutuar me shqetësim qëndrimi indiferent i qarqeve të caktuara burokratike ndaj atdhetarëve dhe heronjve të kombit.
Për shembull, në një artikull të vitit 1936, shkruhet ‘’Ata që interesohen për këtë popull dhe rrojnë me të prej kohësh, e kanë pasë njohur martirin Petro N.Luarasi dhe gjithë ata që kanë luftuar e vdiqën për lumninë e këtij populli dhe lirinë e këtij vendi. Ata që s’i kanë njohuir dje, s’kanë me i njoft as sot, as edhe nesër, pse ata s’kanë sqimë për njerëzit e sakrificës, nuk e përfillin historinë. Këta tipa që trupnisht banojnë në Shqipni dhe mendërisht jashtë këtij vendi të mjerë e të mjerësh, padyshim nuk kanë qejf t’u trazohet prehja e t’u cënohet qetsija me vjetërsina të pluhrueme që sjellin me vete aromën e randë të mykut gjysëm shekullor, nuk u kandet të shohin në mes të luksit të tyre, një grumbull vjetërsinash të shqyeme prej bajonetash, të shpueme prej plumbash dhe të njollosuna prej gjakut e prej helmit...Në një kohë kur edhe bota ma ekstreme e këtij shekulli druhet me e prek dhe i nderon përmendoret që pasqyrojnë gjurmat e sakrificave të atyre që punuan e u flijuan për atë vend e atë popull, shumë prej nesh nuk kanë asnjë konsideratë për luftëtarët e gjallë e të vdekur të idealit kombëtar. Ani se vlera e e tyre çmohet prej popullit mirënjohës dhe sakrificat e tyne do ti shkruajë historia jonë me shkronja të arta mbasi ata kanë zanë vend në zemrat e popullit.” 33.
33Grushti. Petro Luarasi, Vatra, 27 shtator, 1936, f.3
Këto shënime mbi martirin Petro Nini Luarasi, të rënduara me citime, kanë për qëllim të japin me vërtetësinë më të madhe realitetin e kohës duke mëjanuar perifrazimet që shpesh, jo vetëm përdoren për të bërë “ lajle e lule”, por duke mos u marrë nga burimi, krijojnë shtrembërime. 34
34.Gilmana Bushati. [Petro S.] Luarasi: Kisha Ortodokse Autoqefale të japi shpjegime. Artikull i cituar.
“Në redaksinë e "Gazetës Shqiptare", nipi i atdhetarit të shquar Petro Nini Luarasi, solli shqetësimin e tij lidhur me shpifjet që po bëhen ndaj këtij personaliteti të kombit shqiptar, një nga martirët e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nga njerëz që ai i konsideron si zëdhënës të qarqeve grekofone. Një nga trillimet e hedhura kundër Petro Nini Luarasit është se historia e tij është produkt i komunizmit dhe e politizuar "thjeshtë për të sulmuar Ortodoksinë".
Veprimtaria e Petro Nini Luarasit në Amerikë (prill 1904 - maj 1908) nuk është aq “e vogël” në kohë dhe në vlerë sa të mos përfillet. Ndoshta mund të jetë e tillë po të krahasohet me atë shërbim madhor që i bëri Atdheut në kohët më të vështira kur për çlirimin e tij nga robëria e tirania dha edhe jetën.


Petro Nini Luarasi, Nder i Kombit Shqiptar

Në daten 13.01.2012 Petro Nini Luarasi, u dekorua Nderi i Kombit (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Motivacioni: "Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha otomane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën."


Foto

Foto 1. Petro S. Luarasi para varrit te Petro Nini Luarasit me dekoraten “Nderi i Kombit”. Erseke, 13.1.2012

Foto 2 . Petro Nini Luarasi, drejtues i shkolles shqipe te Negovanit, 1910.
Ne qender Petro Nini Luarasi me dy djemte Skenderin (majtas) dhe Dhimitrin (djathtas). Me pas  nipi i Papa Kristo Negovanit

Foto 3 . Petro Nini Luarasi,  themelues i shoqerise se pare atdhetare "Mall i Memedheut" ne SHBA, ne qender.







Temat e fundit