×

AMERIKA - Nga vikingët, tek Kolombi

AMERIKA - Nga vikingët, tek Kolombi

· 1 · 604

  • Postime: 22778
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 18-07-2010, 11:02:12
AMERIKA/Nga vikingët, tek Kolombi

Banda e motorçiklistëve me emrin "Engjëjt e Ferrit" nën efekt steroidësh - ky është një përshkrim i duhur i sulmuesve vikingë, të cilët udhëtuan që nga vendlindja e tyre në Skandinavi për të plaçkitur brigjet e Evropës veriore, duke filluar nga shekulli VIII. Preja ishte shpërblimi i tyre dhe manastirët e pambrojtur që lulëzonin në izolim të plotë në kodrat pranë brigjeve të detit ishin shpesh herë shënjestra e tyre.

Ata përdornin taktika të pamëshirshme godit-dhe-largohu. Ata e sulmonin viktimën, plaçkisnin sa më shumë thesar të ishte e mundur dhe më pas kërkonin një haraç për të premtuar që nuk do të riktheheshin - një premtim që shpesh herë nuk mbahej.

Deri në shekullin X, këto sulme ishin shndërruar në një aktivitet sezonal dhe Vikingët kallnin kudo frikë, si "Kamzhiku i Evropës". Me kalimin e kohës, sulmuesit nisën të ndërtojnë vendbanime e të mos plaçkisin më disa prej territoreve që vizitonin, si Islanda, Irlanda (ku themeluan qytetin e Dublinit), Normandia në Francë si dhe Rusia qendrore (emri e ka prejardhjen nga termi nordik Rothsmenn, që do të thotë lundërtar dhe i shkurtuar në Rus). Fakti që vikingët përdornin detin si vendin ku kryenin sulmet dhe më pas arratiseshin, i motivoi që të zhvillojnë anije që lundronin mirë si dhe teknika të besueshme lundrimi me të cilat mund të lundronin në det të hapur në distanca të mëdha.

Këto avantazhe i mundësuan atyre që të udhëtonin në oqeanin e ftohtë dhe të pabesë në drejtim të perëndimit dhe të arrinin në brigjet e Amerikës pothuajse pesëqind vjet përpara Kolombit. Eriku i Kuq ishte i pari që përshkoi këto ujëra kur - pasi ishte dëbuar nga ishulli për një seri vrasjesh - ai lundroi nga Islanda në 985 apo 986 drejt ishullit të cilit i vuri emrin "Groenlandë". I biri, Leif Ericsson vazhdoi eksplorimet e të atit dhe në vitin 1000 apo 1001 ai lundroi në drejtim të jugperëndimit nga Groenlanda në drejtim të ishujve pranë brigjeve të Kanadasë veriore dhe më në fund në brigjet e Tokës së Re. Nordikëve iu duk kaq mikpritëse, saqë qëndruan gjatë të gjithë dimrit përpara se të ktheheshin në Groenlandë.

Udhëtim në një tokë të re

Historia e eksplorimeve të vikingëve mbërrin përmes sagave që përcilleshin gojë më gojë nga një brez në tjetrin përpara se të hidheshin në letër. Provat arkeologjike moderne kanë vërtetuar pjesën më të madhe të historisë së sagës. Në këtë rrëfim, flitet për Leif Ericsson, teksa ky udhëheq ekuipazhin e tij nga Labradori - të cilin e quajti "Toka e Pyjeve" - në drejtim të Tokës së Re.

"E kështu udhëtuan ata në det të hapur me një erë që frynte nga veriperëndimi, dhe ishin dy ditë në det përpara se të shihnin tokë, dhe aty lundruan e mbërritën në një ishull që ndodhej në lindje të tokës, shkuan atje dhe panë përreth, në një mot të mirë, dhe vërejtën se mbi bar kishte vesë. Dhe kështu ndodhi që ata prekën vesën me duart e tyre dhe më pas çuan gishtërinjtë tek goja, dhe menduan se asnjëherë më parë nuk kishin shijuar diçka kaq të ëmbël.

Pas kësaj, ata shkuan tek anija dhe lundruan në një ngushticë që ndodhej mes ishullit dhe një kepi, i cili zgjatej tej në lindje të tokës dhe më pas lundruan në perëndim, pasi kaluan kepin. Ishte shumë cekët për shkak të zbaticës dhe kështu u ndalën.

Por aq shumë donin të zbrisnin në tokë, saqë nuk i dhanë kohë vetes që të prisnin deri sa ujërat të ngriheshin sërish nën anijen e tyre, por vrapuan menjëherë në breg në një vend ku një lum buron prej një liqeni. Por sapo ujërat nisën të ngrihen nën anijen, ata morën varkat dhe lundruan drejt anijes dhe e tërhoqën atë drejt lumit e pas tij drejt liqenit ku e ankoruan. Aty ngritën barakat.

Pasi u këshilluan dhe vendosën të qëndrojnë aty gjatë dimrit, ndërtuan shtëpi të mëdha. Nuk kishte mungesë salmoni as në lumë e as në liqen, e madje ishin edhe më të mëdhenj nga sa ata kishin parë ndonjëherë.

Natyra në këtë vend, menduan ata, ishte aq e mirë saqë bagëtitë nuk kishin nevojë për ushqime të ruajtura për dimrin, pasi në dimër nuk kishte ngricë dhe bari aty nuk thahej.

Dita dhe nata ishin më të barabarta se sa në Groenlandë apo në Islandë, pasi në ditën më të shkurtër dielli ishte mbi horizont nga ora shtatë e gjysmë deri në orën katër e gjysmë të pasdites..."

Zbulimi i hardhive i dha emrin vendit

"Një natë ndodhi që një prej burrave nuk po dukej dhe ky ishte Tyrker, gjermani. Leif e kish atë shumë për zemër, pasi Tyrker kish qëndruar gjatë pranë babait të tij dhe atij vetë, dhe e kish dashur shumë Leifin kur ky ish fëmijë. Leif u përgatit tashmë për ta kërkuar dhe mori me vete dymbëdhjetë burra. Por kur nuk kishin ecur shumë, ja tek u duk Tyrker që vinte drejt tyre dhe ata e pritën me gëzim.

Shumë shpejt, Leif vërejti se Tyrker nuk ishte fare në vete... dhe i tha: "Përse erdhe kaq vonë dhe u ndave nga grupi?" Pas një kohe të gjatë, ai tani foli në gjermanisht dhe sytë i rrotullonte në të katër anët, por ata nuk kuptonin asgjë nga ato që thoshte. Pas pak, nisi të flasë gjuhën e tyre: "Nuk isha shumë larg, por kam diçka të re për t'iu treguar. Kam gjetur hardhi dhe rrush".

"Vërtetë?", pyeti Leif.

"Sigurisht që është e vërtetë", u përgjigj ai, "pasi unë jam ushqyer në një tokë ku nuk ka nevojë as për hardhi e as për rrush".

Ata fjetën atë natë, por në mëngjes Leif u tha lundërtarëve të tij: "Tani ne do të bëjmë dy gjëra, një ditë do të mbledhim rrush dhe ditën tjetër do të presim hardhitë dhe rrëzojmë pemët, dhe prej aty do të ngarkojmë anijen". Kështu u vendos dhe thuhet se ata e mbushën anijen e tyre me rrush.

Tani me ngarkesën e bërë gati për anijen, kur erdhi pranvera ata lundruan mbrapsht. Leif i vuri emrin Vineland - Toka e Hardhive.

Ata dolën tani në det të hapur dhe patën një erë të mbarë deri kur panë Groenlandën, si dhe malet poshtë akullnajave..."

… I dyti qe Kolombi

Kolombi udhëhoqi tre anije - Nina, Pinta dhe Santa Maria - duke u nisur nga porti spanjoll i Palosit në 3 gusht 1942. Objektivi i tij ishte të lundronte në drejtim të perëndimit deri kur të mbërrinte në Azi (Inditë), atje ku prisnin pasuritë përrallore me ar, perla dhe erëza. Ndalesa e tij e parë ishin ishujt Kanarie, aty ku mungesa e erës e ndali ekspeditën deri në 6 shtator.

Tek u nis sërish, Kolombi përfitoi nga deti i qetë dhe erërat e qëndrueshme, të cilat e shtynë vazhdimisht drejt perëndimit. Megjithatë udhëtimi ishte i gjatë, më i gjatë nga sa kish parashikar qoftë Kolombi, qoftë ekuipazhi i tij. Për të zbutur frikërat e ekuipazhit të tij, Kolombi mbante dy dokumente udhëtimi: njëri që tregonte distancën e vërtetë që përshkohej çdo ditë dhe një tjetër që tregonte një distancë më të vogël. I pari mbahej i fshehtë. I dyti i qetësoi disi ankthet e ekuipazhit, por duke zvogëluar distancën e vërtetë që ata kishin përshkuar që kur ishin nisur nga bregu.

Kjo gënjeshtër pati një efekt vetëm të përkohshëm; deri në 10 tetor, frika e ekuipazhit ishte rritur shumë deri në rebelim. Kolombi u premtoi se në qoftë se brenda dy ditësh nuk do të shihnin tokë me sy, do të riktheheshin në shtëpi. Ditën tjetër, u zbulua toka.

Një botë e re

Ditari që Kolombi mbajti për udhëtimin e tij të parë në Amerikë ka humbur. Megjithatë, ne kemi një përmbledhje të saktë të ditarit që u mbajt nga Bartolome de la Casas në 1530. La Casas ishte një historian dhe biograf i Kolombit, i cili kishte patur mundësi të lexonte ditarin origjinal të udhëtimit. Në këtë rrëfim, ai ofron ditarin e Kolombit teksa ekspedita e tij i afrohet tokës së ishujve Bahamas. Gjatë rrëfimit, Kolombi flet për veten e tij në vetën e tretë, si "Admirali":

E enjte, 11 tetor

Kishte më shumë det nga sa kishim parë gjatë të gjithë udhëtimit. Ata panë zogj deti dhe kallama të gjelbër pranë anijes. Ata të anijes "Pinta" panë një shkop dhe një hu, dhe pak më tutje panë edhe disa të tjerë që duket se ishin punuar me hekur; më tutje një tjetër hu i madh, një bimë që rritet në tokë si dhe një dërrasë e vogël. Ekuipazhi i anijes "Ninja" pa gjithashtu shenja toke, si dhe një degë të vogël plot me kokrra. Të gjithë morën frymë thellë dhe u gëzuan shumë nga këto shenja. Deri në perëndim vazhduam edhe 27 lega.

Pas rënies së muzgut, Admirali iu rikthye kursit të tij fillestar drejt perëndimit dhe ata vazhduan me 12 milje në orë. Deri në dy orë pas mesnate ata kishin ecur 90 milje, e barabartë me 22 lega e gjysmë. Duke qenë se "Pinta" ishte një lundruese më e mirë dhe ajo ecte përpara Admiralit, ishte ajo që e gjeti tokën si dhe bëri shenjat për të cilat Admirali kishte dhënë urdhër. Toka u pa për herë të parë nga një marinar me emrin Rodrigo de Triana. Por Admirali, në orën dhjetë, duke qenë në kullën e kuvertës pa një dritë, ndonëse ishte aq i pasigurtë sa nuk mund të pohonte se ishte tokë. Ai thirri Pero Gutierrezin, një xhentëlmen nga oborri mbretëror dhe i tha se duket kishte parë një dritë dhe se duhej që edhe ai t'i hidhte një sy. Edhe ai e pa dritën. Admirali i tha të njëjtën gjë Rodrogo Sanchezit të Segovias, të cilin Mbreti dhe Mbretëresha e kishin dërguar me flotën si inspektor, por ai nuk mund të shihte asgjë, pasi ndodhej në një vend ku nuk mund të shihte asgjë.

Pasi Admirali kishte folur, ai pa dritën një apo dy herë dhe ishte si një qiri prej dylli që ngrihej dhe binte. Shumë pak besuan se ishte një tregues për tokë, por Admirali i siguroi të gjithë se toka ishte shumë pranë. Kur ata kënduan Salve (Salve Regina), të cilën marinarët ishin mësuar ta këndonin gjatë rrugës, Admirali u kërkoi dhe i qortoi që të mbanin sytë hapur dhe të shihnin mirë për tokë; dhe ai shtoi se, atij që do të thërriste i pari "Tokë!" ai do t'i jepte një xhamadan të mëndafshtë, përveç shpërblimeve të tjerë që ofronin Sovranët, që ishin 10 000 maravedë për atë që do të shihte i pari tokën. Në orën dy pas mesnate, u vërejt toka dy lega larg anijes".

Kolombi urdhëroi tre anijet që të ndalen dhe të presin agimin përpara se të lundrojnë më tutje. Ditari i tij vazhdon:

E premte, 12 tetor

Anijet ishin ndalur, në pritje të agimit; dhe të premten, ato mbërritën në një ishull të vogël të Lukajos, që në gjuhën e indianëve quhej Guanahani. Shumë shpejt panë njerëz lakuriq. Admirali shkoi në breg në varkën e armatosur, bashkë me Martin Alonso Pinzon dhe vëllain e tij, Vicente Yanez që ishte kapiten i Nijas. Admirali mori flamurin mbretëror ndërsa kapitenët morën dy flamuj të kryqit të gjelbër, të cilët Admirali i kishte marrë në të gjitha anijet si shenjë, me një F dhe një Y si dhe një kurorë mbi secilën gërmë, njëra në njërën anë të kryqit dhe tjetra në anën tjetër.

Pasi zbarkuan, ata panë pemë shumë të gjelbëra dhe shumë ujë, si dhe fruta të llojeve të shumtë. Admirali thirri dy kapitenët si dhe të tjerët që zbritën në breg, si dhe Rodrigo Escovedon, sekretar i të gjithë flotës, si dhe Rodrigo Sanchez i Segovisë, dhe tha se ata duhej të bëheshin dëshmitarë besnikë që ai, në prani të të gjithëve, kishte marrë pronësinë e këtij ishulli për Mbretin dhe Mbretëreshën, duke bërë deklaratat e kërkuara, siç parashtrohet tashmë në dëshmitë që u bënë atëherë me shkrim.

Pak kohë pasi zbritën, shumë prej banorëve të ishullit u mblodhën në plazh dhe Kolombi u dha dhurata si kapele të kuqe dhe rruaza. Vendasit nga ana e trye ofruan dhurata të tilla si papagaj, pambuk dhe mallra të tjerë. Tek përshkruante vendasit, Kolombi shkruante: "Ata lëvizin lakuriq siç i ka bërë nëna dhe po kështu bëjnë edhe gratë, ndonëse unë nuk pashë më shumë se një vajzë. Janë shumë të fuqishëm, me trupa shumë të fuqishëm si dhe pamje shumë simpatike". RD