×

Historiku i termeteve me shkaterrimtare ne trojet shqiptare

Historiku i termeteve me shkaterrimtare ne trojet shqiptare

· 2 · 35

  • Postime: 22779
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 01-12-2019, 11:11:38
 

Durrësi është “kryeqyteti” i tërmeteve në Shqipëri, i rrafshuar dhe i rindërtuar disa herë nga fillimi. Qyteti bregdetar është prekur rëndë në historinë e tij të gjatë nga tërmetet, sidomos në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273. Sipas sizmologëve, ky tërmeti ka shënuar 25 mijë viktima në atë kohë dhe ka shkatërruar plotësisht qytetin. Sipas historianëve, tërmeti shkaktoi gjithashtu një cunami, i konsideruar nga venecianët si ngjarja më e llahtarshme e asaj kohë.

Në librin e tij, historiani dhe studiuesi George Pakimeres (1242–1310), përshkruan tërmetin e tmerrshëm që goditi qytetin e Durrësit, duke shkruar: “Pas pak kohe, një ngjarje fatkeqe dhe e trishtë ndodhi në Durrës. Brenda muajit të korrikut, zhurma të pazakonte e bënë tokën të lëkundet në mënyrë të vazhdueshme, zhurma që ne normalisht do i quanim rënkime. Ato paralajmëronin se diçka e frikshme pritej të ndodhte. Një ditë, zhurma ishte më e vazhdueshme dhe më me forcë se më parë. Frika që mbërtheu disa njerëz i bëri të shkojnë dhe të gjejnë strehim jashtë qytetit, pasi kishin frikë se gjërat do të përkeqësoheshin. Nata ra me zhurmën e fortë të ditës së mëparshme dhe bashkë me të, erdhi një tërmet i fuqishëm, më i fortë se cilido tjetër që mbahej mend.

Nuk ishte, siç mund ta përshkruajë ndokush, një tronditje e tokës që lëvizte sa majtas djathtas, por ishin goditje të forta dhe lëkundje sa që, pa hapur e mbyllur sytë, i gjithë qyteti ishte kthyer përmbys dhe rrafshuar përtokë. Shtëpitë dhe ndërtesat e larta, që nuk rezistuan as edhe një sekondë, i zunë nën vete banorët e tyre. Sepse njerëzit nuk kishin ku të shkonin, për arsye se ndërtesat ishin ngritur njëra ngjitur me tjetrën. Në të vërtetë, shumë më i madh ishte shansi për mbijetesë, për ata që kishin qëndruar brenda, se sa ata që kishin dalë nga shtëpitë, të cilat kishin shpëtuar pjesërisht.

Asnjëra nga ndërtesat nuk mbeti e paprekur. Ato ranë mbi njëra-tjetrën, dhe ndonjë ndërtesë që i shpëtoi shkatërrimit, u shemb prej kolapsit të të tjerave.

Katastrofa ishte shumë e beftë për t’i mundësuar ndokujt të mbijetonte duke ikur. Për shumë njerëz, ishte si një ëndërr; ata nuk e zbuluan asnjëherë se në ç’lloj ngjarjeje kishin vdekur. Fëmijët e vegjël dhe bebet, duke mos kuptuar çfarë kish ndodhur, u varrosën nën rrënoja. Tronditjet ishin të tilla që të mbijetuarit, të gjendur përballë fryrjes së detit, imagjinuan se kjo ndoshta ishte jo vetëm fillimi i më shumë agonie, por në të vërtetë, fundi i botës. Duke qenë se qyteti ndodhej në bregdet dhe tërmeti i frikshëm kish ndodhur kaq befasisht, ata që e gjetën veten jashtë dhe që ishin shurdhuar, teksa shihnin shtëpitë që binin njëra pas tjetrës, menduan se ky qe në fakt fundi i universit.

Tërmeti zgjati për jo pak kohë deri kur asgjë nuk mbeti në këmbë. Gjithçka brenda qytetit ishte shembur dhe kish zënë banorët, me përjashtim vetëm të akropolit, i cili i mbijetoi tërmetit. Kur agoi dita, banorët në zonat përreth nxituan në qytet menjëherë dhe nisën të gërmojnë, duke përdorur gjithçka që mund t’u binte në dorë: kazma, sfurqe dhe çdo vegël tjetër që mund të gjenin.


Ata i hynë punës, duke u përpjekur sigurisht që të shpëtonin çdo viktimë të pafat që mund të ishte ende gjallë, por ç’është më tepër, në përpjekje edhe për të shtënë në dorë çdo lloj pasurie që mund të nxirrnin nga brenda rrënojave. Siç ndodhi, bashkë me të rriturit vdiqën dhe trashëgimtarët dhe nuk ishte askush që të pretendonte pronën. Kështu pas disa ditësh, pasi kishin marrë flori dhe gjëra të tjera që kishin gjetur, shqiptarët rreth e rrotull Durrësit e braktisën këtë qytet të lashtë në vetminë e tij, një qytet tashmë i panjohshëm, i cili numërohej mes qyteteve ekzistues jo prej ekzistencës së tij, por thjeshtë prej emrit.

Peshkopi i tij, Niketas, që kish qenë aty gjithë kohës, mbijetoi, ndonëse në të gjithë trupin tashmë kishte plagë të fatkeqësisë. Përballë një katastrofe të tillë, që askush nuk do të kish menduar ndonjëherë se ishte e mundur, atë e kapi paniku dhe ia mbathi, duke e lënë metropolin të privuar jo vetëm nga personi i tij, por edhe nga banorët, shkëlqimin e ndërtesave dhe gjallërinë e dikurshme”.

Por, betejat e qytetit nuk do të kishin të mbaruar pasi në dhjetor te vitit 1926, Durrësi dhe rajoni rreth tij u goditen nga një seri tërmetesh të fuqishme, të cilat shkatërruan shumicën shtëpive, rrëzuan minaret e xhamive; një portë e kalasë së vjetër u shkatërrua plotësisht.

Tërmetet në Shkodër

35 vjet më parë, më 15 prill të viti 1979, një termet i fuqishëm goditi qytetin e Shkodrës, duke shkatërruar një pjesë të mirë të qytetit. Atë të diele shumica e njerëzve po pinin kafenë e mëngjesit ose vazhdonin të flinin ende në shtretërit e tyre. Por, lëkundja e fuqishme që vinte nga nëntoka rrafshoi në pak sekonda çatitë. Instituti sizmiologjik shqiptar deklaroi gjatë asaj kohe se tërmeti ishte rreth 8 ballë. Edhe pse me epiqendër Veriun e Shqipërisë, valët e tij u ndien fort deri në Tiranë. Por, më shumë se kudo këto lëkundje u ndjenë në zonën e poshtme të lumit Buna. Tërmeti i atij mëngjesi prilli ka shënjuar njëherë e përgjithmonë jetën e këtyre banorëve, duke lënë pas brenga, dhimbje dhe shkatërrim.

Megjithatë, ky tërmet nuk ishte i vetmi, pasi një tjetër lëkundje e fuqishme kishte shkatërruar Shkodrën në qershor të vitit 1905. Ky tërmet ishte më i fuqishëm se ai i vitit 1885 që rrënoi Bushatin, Jubanin, Kosmaçin, Vaun e Dejës, dhe një pjesë të Shkodrës. Nga lëkundjet e tokës u vërejtën fenomene të çuditshme për kohën: Ujrat e Kirit, Drinit e Bunës dolën nga shtretërit dhe u “turrën” drejt zonave të banuara. Nga muret dhe nga kodra e kalasë u rrëzuan një sërë gurësh të mëdhenj, duke dëmtuar mjaft shtëpi në lagjet Qafë, Tabakë e Alibegaj. Si pasojë e këtij tërmeti, në Shkodër u shkatërruan plotësisht 1500 shtëpi dhe u dëmtuan rëndë të gjitha shtëpitë e tjera të qytetit. Më shumë se 200 persona humbën jetën dhe mbi 500 të tjerë u plagosën.

Nuk ka dokumente që tregojnë se shteti ndihmoi të dëmtuarit. Dëshmitarë okularë të kohës kanë pohuar se ushtria turke ka shpërndarë disa çadra dhe disa familje që jetonin afër garnizonit turk. Në arkivin e Shkodrës ekziston një korrespondencë e Arqipeshkvisë me Konsullin austriak për dy ndihma nga Austro-Hungaria, secila me nga 25 mijë korona. Njëra u dha për të dëmtuarit nga tërmeti, por nuk dihet se kush përfitoi, ndërsa tjetra thuhet se është dhënë për rindërtimin e kishës katedrale (Kishës së Madhe).

Tërmeti i Shkupit dhe plani antishqiptar i rindërtimit

Një nga tërmet më të fuqishme që ka goditur trojet e banuara nga shqiptarët, ka qenë ai i Shkupit, në vitin 1963. Me 26 korrik, qyteti historik u rrafshua nga një tërmet i fuqishëm që u mori jetën 1.070 banorëve dhe plagosi 3,000 të tjerë. Sipas të dhënave të dokumentuara, tërmeti ndodhi në orën 5:17 minuta, por u pasua nga qindra lëkundje të tjera. Më shumë 15,800 ndërtesa mbetën plotësisht të shkatërruara, duke lënë të pastrehë 200 mijë persona. Tragjedia bëri që një pjesë e mirë e vendeve perëndimore të solidarizohej me Shkupin. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u bëri apel që të gjitha organizatave që të mund të sillnin ushqim për fëmijët dhe të mbijetuarit e Shkupit, ndërkohë që shumë vende perëndimore ndihmuan në rindërtimin e qytetit.

Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara ndërmorën një sërë aktivitetesh që të ndihmonin në rindërtimin e qytetit të shkatërruar. Në ato kohë, Shkupi u kthye në shembullin më të mirë të solidaritetit njerëzor. Por, tërmeti katastrofal u kthye në një katastrofë njërëzore për shqiptarët. 50 vite pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme kanë dalë në dritë dokumente që dëshmojnë se në atë kohë autoritetet shtetërore, përveç përpjekjeve për të rimëkëmbur qytetin, hartuan edhe projekte për dëbimin e shqiptarëve nga Shkupi, me qëllim ndryshimin e strukturës etnike dhe fetare të popullsisë.

Tërmetet në Tepelenë, Vlorë dhe Korçë

Gazeta franceze “Excelsior” ka botuar disa shkrime në lidhje me tërmetet e rënda që kanë tronditur Shqipërinë në vitet 1921, 1930 dhe 1931. Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, tregon se “Excelsior” më 24 shkurt 1921 ka shkruar: “Banorët e Tepelenës në rrënojat e fshatit të tyre: Një tërmet i tmerrshëm ka shkatërruar një krahinë të tërë të Shqipërisë. Disa qytete të vogla dhe shumë fshatra janë shkatërruar plotësisht. Shumë njerëz kanë gjetur vdekjen nën rrënoja. Të tjerët, duke mos dashur të lënë shtëpitë të tyre, kampojnë në gërmadha.”



Tërmeti i Vlorës në Shqipëri shkaktoi 60 të vdekur. “Excelsior”, më 25 nëntor 1930, shkruan: “Korrespondenti i ‘Daily Telegraph’ në Vjenë i shkruan gazetës së tij se tërmeti i së premtes shkatërroi 1m000 shtëpi në Vlorë, ku 30 njerëz u vranë dhe 200 u plagosën. Në rajonin e afërt malor, tërmetet shkaktuan rrëshqitje të jashtëzakonshme dherash deri në luginat, duke vrarë kështu 30 njerëz. Një numër i madh banorësh nga Vlora ikën të strehoheshin në fshat.”

Ndërkaq, më 20 shkurt 1931, po e njëjta gazetë për Korçën shkruan: “Siç kemi raportuar, Shqipëria u shkatërrua përsëri nga një tërmet masiv që shkaktoi shumë të vdekur. Qyteti i Korçës është shkatërruar kryesisht dhe banorët janë detyruar të strehohen nën tenda”.

 /Telegrafi/

  • Postime: 22779
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 01-12-2019, 11:14:21
 

Profesor doktor Eduard Sulstarova është një prej hartuesve të hartës më të fundit sizmike të Shqipërisë, e cila në vitin 2013 u bë për herë të parë pas 34 vjetësh me vulë të Akademisë së Shkencave. Kjo hartë është monografi me 4 bashkautorë dhe ka dalë nga studimi i gjerë disavjeçar “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”, i cili është një studim që përmban zonimin e ri sizmik në përputhje me metodologjinë e kohës. Harta e vitit 1979 nuk i përmbushte më kërkesat e kohës, ndaj ishte domosdoshmëri hartimi i një tjetër harte të ndërtuar me standarde dhe parametra europianë, që mund t’u shërbejë ndërtuesve për të ngritur vepra antisizmike. Me studimin e ri, Shqipëria ka 12 harta për spektra të ndryshëm. Aty përfshihen 9 zonat e burimeve sizmike në vendin tonë.

Sipas hartuesve të këtij studimi Shqipëria përcaktohet si një nga vendet me veprimtari sizmike, ndër më të lartat në Europë, pasi rreziku nga tërmetet është gjithnjë prezent në të gjithë territorin. Ekspertët, duke vlerësuar këtë risk, kanë arritur në përfundimin se çdo 5 vjet mund të ndodhë një tërmet i fuqishëm mbi 7 ballë dhe çdo dhjetë vjet një tërmet mbi 8 ballë.

Por cilat janë rastet më të rënda kur vendi ynë është tronditur nga lëkundjet sizmike?

Ju njohim me 10 tërmetet më të fuqishme në historinë e vendit tonë, tërmete që në disa raste kanë shkaktuar faqtkeqësi të mëdha te shqiptarët.

1851, 17 Tetor

Rrethi i Beratit goditet nga një tërmet i fuqishëm me pasoja të rënda. Mbi 400 të vdekur dhe shkatërrime të shumta në ndërtesa. Plasaritje të mëdha, rrëshqitje toke dhe pluhur me squfur.

1855, Korrik-Gusht

Shkodra ndien lëkundje të forta që shkaktojnë shkatërrimin e Bushatit, Jubanit, Kozmaçit, Vaut të Dejës dhe fshatra të tjerë në Shkodër, Karme, Dushan, Toplane dhe Bruç. çarje të mëdha në tokë.

1919, Dhjetor 22

Leskovik-Konicë, tërmet 6.1 ballë i shkallës Rihter. Shumë shtëpi të shkatërruara në kufijtë shqiptarë si dhe në fshatrat grekë Isboros, Plavoli, Belthonsi dhe Kapaztiko. I gjithë rajoni i shkatërruar. Jo viktima.

1920, Dhjetor 18

173 shtëpi të shkatërrura në Elbasan dhe dhjetëra persona plagosen. Pasojat e tërmetit me epiqendër në Elbasan më së shumti u ndjenë në Peqin ku 14 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën rëndë.

1921, Mars 30

Nuk ka të dhëna për dëme në njerëz, por dhjetëra shtëpi janë shkatërruar në Peshkopi dhe Dibër (Maqedoni).

1948, Gusht 27

Nënshkodra preket nga tërmeti 5.5 ballë. Dëmtime serioze të shtratit të lumit Buna dhe në qytetin e Shkodrës. Dëmet më të mëdha raportohen në Trush (1 i vdekur dhe 27 të plagosur). Shkatërrime objektesh ka pasur edhe në Oblike e Barbullush.

1959, Shtator 1

Shkatërrime në Lushnjë, Fier, Rrogozhinë, Peqin, Kuçovë dhe Berat. Në total 944 shtëpi të shkatërruara. Kryesisht në Karbunarë të Lushnjës. Dëmtime të mëdha në objekte industriale, shkolla, spitale dhe objektet kulturore.

1967, Nëntor 30

Librazhd-Dibër, 6.6 ballë. Dëme të mëdha në 13 lokalitete dhe 177 fshatra. Së bashku me Maqedoninë e prekur nga tërmeti, raportohen 6,336 ndërtesa të shkatërruara. Raportohet për 12 të vdekur dhe 174 të plagosur.

1976, Prill 15

Tërmeti 8 ballë godet Shkodrën, duke shkaktuar viktima dhe dëmtime të mëdha. Fatkeqësisht, 40 persona humbën jetën në Shkodër-Lezhë. U dëmtuan 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.

1988, Janar 9

Lëkundje të shpeshta në Tiranë me dëme materiale. Pasojat kryesore në fshatrat Arbanë dhe Petrelë

Gazeta SI