×

Pranvera e Pragës dhe trashëgimia e saj: Perspektiva sllovake

Pranvera e Pragës dhe trashëgimia e saj: Perspektiva sllovake

· 1 · 108

  • Postime: 22694
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 27-08-2019, 21:31:01
 

Pranvera e Pragës, një përpjekje për të demokratizuar diktaturën socialiste çekosllovake, ka mundësi që të jetë ndërkombëtarisht si ngjarja historike më e njohur në historinë çeke dhe sllovake. Shtypja e dhunshme e procesit reformues nga forcat e Traktatit të Varshavës më 21 gusht 1968 konsiderohet përgjithësisht si një e çarë themelore në historinë e lëvizjes botërore komuniste. Me fjalët e Tony Judt, “Iluzioni se komunizmi ishte i reformueshëm, se stalinizmi kishte qenë një kthesë e gabuar, një gabim që akoma mund të korrigjohej, se idealet bazë të pluralizmit demokratik mundet në një farë mënyre të jenë të pajtueshme me strukturat e kolektivizmit marksist: ky iluzion u shtyp nën zinxhirët e tankeve më 21 gusht 1968 dhe nuk e mori veten më kurrë. Alexander Dubček dhe Programi i Veprimit i tij nuk qenë fillim, por fund”.

Gjithashtu, ngjarjet e Pranverës së Pragës ndryshuan drejtimin e zhvillimit çekosllovak. Megjithatë, në retrospektivë, edhe ata të përfshirë drejtpërsëdrejti qenë skeptikë rreth domethënies së reformave. Sipas intelektualit disident të mirënjohur Milan Šimečka, Pranvera e Pragës ndryshoi vetëm “fasadën”: “Partia Komuniste akoma vendoste gjithçka dhe udhëheqësit e saj nuk qenë në gjendje as ta imagjinonin mundësinë e një pluralizmi politik”. Një tjetër figurë e shquar e disidencës çekosllovake, Petr Pithart, bie dakord: “Në fakt, asgjë e veçantë nuk ndryshoi gjatë atyre 9 muajve të shkurtër të 1968. Asnjë ligj i ri nuk u miratua, asnjë institucion i ri nuk u krijua”. Të dy argumentojnë se shoqëria çekosllovake u formësua shumë thellësisht dhe shumë negativisht nga ngjarjet pas pushtimit ushtarak dhe 20 viteve të të ashtuquajturit “normalizim”.

Pavarësisht faktit se idealet e Pranverës së Pragës nuk u materializuan dhe Çekosllovakia u detyrua forcërisht të kthehej në një diktaturë socialiste të stilit sovjetik, një ndryshim i lidhur me procesin e reformave mbijetoi: federalizimi i republikës. Sigurisht, ky ndryshim qe i parëndësishëm për të ardhmen e projektit komunist, por pati një impact substancial në zhvillimin e Çekosllovakisë. Gjithashtu, historia e federalizimit mund të përdoret për të nënvizuar diferencat midis perceptimit çek dhe atij sllovak ndaj programit të reformave të vitit 1968. Në Sllovaki, federate u konsiderua si një objektiv parësor dhe kusht themelor për demokratizim. Pakënaqësia me gjendjen ekzistuese të marrëdhënieve çeko – sllovake dhe pozicioni i Sllovakisë në republikë qe e përhapur dhe thuajse unanime. Nga ana tjetër, për çekët, kjo gjë ishte një problem dytësor. Federata perceptohej si një lëshim i nevojshëm për sllovakët me qëllim që të siguronin mbështetjen e tyre për demokratizimin aktual.

Në Sllovaki, programi i reformave pati një nuancë të dallueshme nacionaliste. Megjithatë, pretendimi i përgjithshëm se sllovakët preferonin federalizmin më shumë se demokratizimin dhe, për pasojë, e sabotuan qëllimisht procesin e reformave është ahistorik. Pavarësisht se jetonin në të njëjtin shtet. Çekët dhe sllovakët hynë në Pranverën e Pragës me përvoja dhe shpresa historike të ndryshme. Federalizimi perceptohej si një sine qua non në Sllovakia si nga reformatorët radikalë, ashtu edhe kundërshtarët e tyre më konservatorë dhe nacionalistë. Të parët e kuptonin atë si një pjesë të natyrshme të demokratizimit në kuptimin që kombet kishin të njëjtën të drejtë barazie si individët. Për të dytët, ai qe një alternativë ndaj reformizmit radikal, që, në sytë e tyre, kërcënonte vetë ekzistencën e socializmit. Vetëm ndërhyrja ushtarake e 21 gushtit siguroi fitoren për konservatorët dhe nacionalistët e drejtuar nga “babai i federatës” Gustáv Husák, që më pas u bë kreu i regjimit të normalizimit dhe një simbol i epokës së stanjacionit 20 vjeçar.

Të gjitha përpjekjet e regjimit komunist për ta fshirë Pranverën e Pragës dhe përfaqësuesit e saj ngë kujtesa kolektive dështuan. Kur diktayura socialiste nisti të shembej më 1989, u bë e qartë se perceptimi publik çek dhe ai sllovak mbetej jashtëzakonisht pozitiv. Alexander Dubček, simboli i procesit të reformave, mbetej padiskutim politikani më popullor brenda dhe jashtë vendit. Edhe sondazhet e para sociologjike treguan se publiku preferonte ndonjë variacion të socializmit me fytyrë njeriu ndaj kapitalizmit të stilit perëndimor.

Megjithatë, brenda pak muajsh Dubček u bë një figurë marxhinale, i shpartalluar dhe i errësuar nga Václav Havel, kurse programi i frymëzuar nga Pranvera e Pragës u refuzua si një histori e vdekur që nuk kishte aspak rëndësi për tranzicionin paskomunist. Liderët e Revolucionit të Kadifenjtë nuk desën të reformonin regjimin komunist, ata deshën ta hiqnin qafe atë dhe të rindërtonin një të tillë sipas modeleve perëndimore të demokracisë liberale me orientim tregu. Legjitimiteti i regjimit të ri bazohej mbi një shkëputje radikale nga e kaluara komuniste. Kjo u arrit simbolikisht me zgjedhjen e Havel, figura kryesore e disidencës antikomuniste, si President në vend të Dubček. Në fund, duket se edhe midis publikut të përgjithshëm, po të përdorim fjalët e historianit sllovak Ľubomír Lipták, “linja e trashë e sindromës së vitit zero pas së kaluarës dhe dëshira për një fillim krejtësisht të ri filluan të mbizotërojnë”.

Mospërputhja midis idealeve të Pranverës së Pragës dhe gjendjes së përgjithshme shpirtërore në Çekosllovakinë paskomuniste u theksua edhe më me kalimin e kohës. Teknokratët e djathtë çekë rreth Václav Klaus e perceptonin periudhën komuniste si një kohë errësirë. Në Sllovaki, koalicioni i populistëve dhe nacionalistëve i udhëhequr nga Vladimír Mečiar nuk kishte nevojë për trashëgiminë e Pranverës së Pragës. E njëjta gjë ishte e vërtetë për kundërshtarët kryesorë të tyre, kristiandemokratët sllovake. E majta demokratike përbëhej kryesisht nga komunistë të epokës së normalizimit pa asnjë përvojë nga Pranvera e Pragës. Votuesit e tyre qenë nostalgjikë për stabilitetin dhe sigurinë e viteve ‘70 dhe ’80. Ata ëndërronin epokën e Husák, jo Dubček.

Ndërsa e marxhinalizuar në politikë, Pranvera e Pragës u bë një çështjë popullore kërkimore në shkencat sociale. Shumë intelektualë dhe studiues të përfshirë në procesin e reformave të 1968 u kthyen në akademi, nga ku qenë përzënë 20 vite më parë. Veprat dhe refleksionet e tyre lidhur me Pranverën e Pragës ju shtuan numrit tashmë të madh të botimeve kushtuar kësaj çështjeje nga autorë në Perëndim dhe në ekzil. Si rezultat, megjithëse projekti i socializmit me fytyrë njeriu qe dështim, ai është një prej dështimeve më të mirë kërkuara dhe mirë të dokumentuara në historinë çeke dhe sllovake.

(Adam Hudek është një hulumtues tek Instituti i Historisë (Departamenti i Historisë së Shkencave dhe Teknologjisë) në Akademinë e Shkencave të Sllovakisë në Bratislavë. Fushat e interesit shkencor të tij përfshijnë historinë intelektuale sllovake e shekullit të XX, institucionet shkencore dhe shkencat politike në Çekosllovakinë socialiste)

Përgatiti

ARMIN TIRANA