×

E KUJT ËSHTË KOSOVA?

· 6 · 118

E KUJT ËSHTË KOSOVA?

· 6 · 118

  • Postime: 7
  • Karma: 0
vigjilenca
ne: 04-06-2006, 08:23:19
Leximi i mbrapshtive

E KUJT ËSHTË KOSOVA?
www.gazetabesa.com

Vonesa kaq e madhe e pavarësimit të Kosovës, ka qenë e programuar dhe e dakorduar ndërmjet strukturave kriminale vendore dhe atyre ndërkombëtare, që janë të instaluara në Kosovë. Atyre u ka leverdisur që Kosova të jetë tokë e kurrkujt, në kaos, në amulli, pa ligje, pa investime të huaja, pa hapje ndaj botës, pa emancipim të mirëfillë politik. Atyre u ka konvenuar që të vazhdojë "statu quoja" e të bëhen pasanikë, duke vjedhur paratë e buxhetit të Kosovës e të ndërmarrjeve publike.

Dr. Milazim KRASNIQI


Titulli i këtij teksti nuk ka të bëjë me aspektin statusor të Kosovës dhe të ardhmen e saj si shtet i ri i pavarur, në të cilin pritet që të gjithë qytetarët, pa dallim, të kenë të drejta të garantuara dhe të barabarta dhe pastaj ta përjetojnë si këtë vend atdhe të vetin. Në të vërtetë, titulli ka të bëjë vetëm me dilemën që vetvetiu po imponohet, duke shikuar zhvillimin marramendës të korrupsionit dhe të sjelljeve të tjera kriminale të shumë bartësve të funksioneve politike, qeveritare e publike. Pra, dilema që ngrihet është se a e ndiejnë këta njerëz Kosovën si atdhe të vetin. Apo, e konsiderojnë pasurinë e Kosovës, duke përfshirë edhe buxhetin e varfër të saj, si një plaçkë tregu, që u përket vetëm atyre dhe u lejuaka të zhvatet sa më shumë. Përgjigje  e plotë nuk mund të jipet, sepse ky është një proces  inflamator që po vazhdon dhe që është i maskuar edhe me simptome të tjera të krizës së shoqërisë.
Megjithatë, ia vlen përpjekja e tematizimit të problemit dhe e kërkimit të shkaqeve, që e kanë legalizuar këtë gjendje dhe kanë bërë që veprimtaria kriminale të duket "normale", gjoja si produkt i tranzicionit.



Morali komunist - lule e dritë

Për të kuptuar diçka më shumë për gjendjen e sotme dramatike të shpërdorimit të çdo gjëje nga elita politike dhe administrative e sotme në këtë vend, së pari duhet të bëhet përpjekje që të gjendet filli. Pra, të zbulohet se kur ka filluar trajtimi i pasurive dhe i buxhetit të Kosovës si plaçkë tregu nga vetë politikanët, qeveritarët dhe zyrtarët shqiptarë të vetë Kosovës? A e kanë instaluar këtë imoralitet komunistët shqiptarë? Apo patriotët shqiptarë të periudhës së okupimit? Apo patriotët e periudhës së jetës në liri, nën administrimin civil e ushtarak ndërkombëtar të Kosovës?

Kjo prerje kohore për të gjetur rrënjët e këtij krimi, mund të fillojë nga vitet shtatëdhjetë, kur një numër më i madh i shqiptarëve u inkuadruan në politikën dhe në administrimin e Kosovës autonome. Ata drejtues nuk është se kanë qenë të pa gabime e pa të meta. Por, kur shihet qëndrimi i tyre ndaj resurseve dhe pasurive financiare të Kosovës nga perspektiva e sotme, ai duket mjaft mbresëlënës.

Entuziazmi i tyre atdhetar vërtet maskohej nga retorika komuniste, nga parullat e vëllazërim-bashkimit të kombeve e të kombësive, nga lavdërimet inflatore e inflamatore për udhëheqësin komunist Josip Broz Tito. Por, nuk janë shënuar raste të mëdha që duart e tyre të jenë futur në buxhetin e Kosovës a të jenë vjedhur masivisht paratë e ndërmarrjeve publike. Zyrtarët e lartë kanë pasur nga një banesë, ose shtëpi, edhe është ditur se nga i kanë marrë.
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 7
  • Karma: 0
vigjilenca
#1 ne: 04-06-2006, 08:27:41
Korrupsioni nën okupim dhe në liri – "dy sy në një ballë"

Edhe në vitet nëntëdhjetë, "në vitet e republikës", megjithë disa raste ekscesive të shpërdorimit të fondeve të pakta, nuk ka të dhëna për ndonjë epidemi të shpërdorimit të fondeve të tre përqindshit. Së paku deri në vitin 1998. Ndërsa, menaxhimi i parave të dy "fondeve të luftës", ka mbetur i pavlerësuar, sepse nuk janë bërë të njohura asnjëherë as shumat dhe asdestinimet e tyre.

Natyrisht, shpërdorimi i parave të Kosovës në mënyrën më të egër, ka filluar nga makineria e regjimit të Millosheviqit, me të marrë kontrollin mbi Kosovën në vitin 1989. Prej atëherë, makineria e regjimit të Millosheviqit, ka plaçkitur paratë në banka, në fondet pensionale, paratë e ndërmarrjeve publike dhe paratë e qytetarëve. Ajo vërtet ka qenë një epidemi e plaçkitjes dhe e zhvatjes së të gjitha parave që kanë qenë në dispozicion.

Por,ngushëllimi i qytetarëve ka qenë se ai ishte një regjim okupator që e kishte kohën të numëruar. Mirëpo, çmontimi i atij regjimi okupator dhe gjakatar, nuk shënoi edhe çmontimin e korrupsionit, të plaçkitjes dhe të zhvatjes së egër të fondeve publike. Këto praktika, megjithëse me metoda jashtëzakonisht të sofistikuara, i vazhduan segmente të adminstratës civile ndërkombëtare (UNMIK-ut).

Në vitet 1999-2001, misioni civil ndërkombëtar ka qenë zotërues i plotë i buxheteve e fondeve, jashtë çdo lloj kontrolli dhe jashtë bashkëqeverisjes, prandaj rrallë e tek është marrë vesh se çfarë po bënin burokratët e UNMIK-ut me paratë që vinin për rindërtim, po edhe e paratë që filluan të derdheshin në "buxhetin e konsoliduar të Kosovës". Kur filloi të instalohej bashkëqeverisja me vendorët,veçmas pas zgjedhjeve të dyta parlamentare, filloi edhe "ndarja e punëve" lidhur me abuzimin e buxhetit dhe të fondeve publike. Një pjesë e "kompetencave" të shpërdorimit të parave, u bartën tek vendorët. Dhe pa humbur kohë u përhap epidemia e paparë ekorrupsionit dhe e plaçkitjeve të parave publike nga qeveritarë e zyrtarë të të gjitha rangjeve. Krejt e qartë që e tërë kjo katrahurë u zhvillua dhe po zhvillohet nën mbikëqyrjen dhe me lejen e UNMIK-ut,  i cili ka dashur ta ketë një partner të njëjtë me veten e vet në këtë punë.
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 7
  • Karma: 0
vigjilenca
#2 ne: 04-06-2006, 08:30:12
"Prodhimi vendor" i korrupsionit dhe i plaçkitjes

Nuk është e mundur të bëhet një përkujtues i plotë i të gjitha hajnive,plaçkitjeve dhe dhe aferave korruptive, veçmas të këtyre tri viteve të fundit, por mjaton të përkujtohen vetëm disa më shokuese:

1) Shpërdorimi i rreth një milonë eurove vetëm për blerjen e disa veturave nga presidenca e Kosoëvs. Edhe pse u fillua një proces hetimor, ai ka mbetur i bllokuar dhe jashtë vëmendjes së opinionit publik. Pa vdekjes së ish kryetarit Ibrahim Rugova, kjo punë duket s do të nxirret ad acta. Raporti i ri i auditimit, publikimi i të cilit është paralajmëruar tashmë, ka gjasa se do të sjellë të dhëna shokuese lidhur me keqpërdorimin e mjeteve buxhetore nga presidenca në vitin 2005.

2) Është raportuar për shpërdorime fondesh edhe nga ish kryetari i Kuvendit të Kosovës. Jo vetëm vendimmmarrja joligjore për ndërtimin e vilës protokollare në Gërmi, e blerjes së një veture me çmim enorm, por edhe blerja e rrobave për veten e tij e për vartësit e tij me paratë e buxhetit të Kosovës, ka qenë stil i punës së tij.

3) Edhe ish kryeministri Bajram Kosumi, pati shkelur me të dyja këmbët në shpërdorim të pozitës, qoftë dhe vetëm kur pati harxhuar 20.000 euro për kthim nga Turqia në Kosovë me një avion privat.

4) Disa ministra kanë blerë edhe çorape e triko me paratë e buxhetit të Kosovës, ndërsa ditët e fundit u faktua se Ministria e Shërbimeve Publike ka blerë edhe naftë me çmime shumë më të larta se sa është çmimi në treg.

5) Edhe infromatat që vijnë nga auditimet e komunave,janë shokuese, sa i përket shpërdorimit të parave dhe keqmenaxhimit. Por, numërimi i rasteve do të kërkonte të shkruhej një libër i tërë, ndërsa ky nuk është qëllimi i këtij teksti. Rastet që u përkujtuan, janë vetëm për të argumentuar se edhe vetë kreu politik e vetëqeverisës, duket i infektuar nga virusi i korrupsionit e prej andej epidemia e korrupsionit në shoqëri është e përhapur. Natyrisht, gjiuthmonë kjo bëhet me lejen e heshtur të UNMIK-ut, i cili është partner "strategjik" i shpërdoruesve vendorë në tërë këtë biznes. Raporti i Agjensisë së OKB-së për kontrolle të brendshme të misioneve paqerajtëse, e ka nxjerrë misionin civil ndërkombëtar Kosovë (UNMIK-un) të përfshirë gjerësisht në  korrupion.

Mjafton të përkujtohen vetëm dy prej tyre. 1) Vjedhja e menaxherit të KEK-ut, Xho Troshler,  që u denoncua por u izolua si rast, edhe pse shifrat që përmenden si investime në KEK, janë marramendëse dhe larg përmirësimit faktik të gjendjes së termocentraleve. 2) Drejtori i Aeroporit të Prishtinës, Jan Vollet, u zu me korrupsion të faktuar, por hetimet mbeten të bllokuara. Ka qenë vetë kreu i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, që i ka mohuar akuzat dhe i ka fashitur emocionet e opinionit publik e të kureshtjes së mediave, duke sforcuar retorikën e tij pro pavarësisë.

  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 7
  • Karma: 0
vigjilenca
#3 ne: 04-06-2006, 08:32:00
Etiketë patriotizmi, mbi produktet kriminale

Tash po u rikthyem te pyetja e fillimit, se  e kujt është Kosova, përgjigjen e kemi edhe më të vështirë se sa në fillim. Kjo për shkak se ata që e kanë mandatin për drejtimin e vendit, për qeverisje, për krijimin e bazës ligjore, vetë janë të përfshirë në korrupsion e në degjenerimin e pamjes institucionale dhe statusore të Kosovës. Kjo është e ngjashme me rastin ku i zoti i shtëpisë e vjedh shtëpinë e vet. E kjo vërtet nuk është një praktikë e njohur, së paku jo në rastet e njerëzve normalë. Në një rast kur do të ndodhte diçka e tillë, personi do të konsiderohej i shthurur, i mbrapshtë, i poshtëër, jonormal. Sepse vjedhjen e shtëpisë së vet mund ta bëjnë vetëm të shthururit, të mbrapshtit, të poshtrit dhe jonormalët. Po qeveritarët dhe drejtuesit e rangjeve të ndryshme që vjedhin fondet publike, të cilat u janë dhënë në dorëzim për menagxhim korrekt e ligjor, pse nuk emërtohen si njerëz të shthurur, të mbrapshtë, të poshtëër e jonormalë? Përkundrazi, ka raste që sa më shumë u vërtetohen hajnitë, u forcohen pozitat në parti, në qeveri, në administratë ose në ndërmarrje publike. Pse ndodh kështu? Kështu ndodh ngase tashmë ajo është bërë strukturë e organizuar, me shumë para dhe shumë resurse njerëzore në dispozicion, dhe në partneritet të fortë me UNMIK-un.

Kjo strukturë e organizuar ka shkuar aq larg tashmë sa ka arritur t'i frikësojë qytetarët e t'ua mbyll gojën. Ka arritur që t'i detyrojë të shikojnë përdhe, edhe kur e dinë saktësisht se po vidhen fondet publike, prej të cilave ata do të duhej të merrnin shërbime më të mira mjekësore, arsimore, pensionale, etj. Kjo strukturë ka krijuar propagandën se punon përpavarësinë e Kosovës dhe se të gjithë duhet t'i nënshtrohen pritjes së ditës së pavarësisë, e cila nuk po u realizuaka po u denoncuan qeveritarët e korruptuar e të kriminalizuar. Pra, e kanë krijuar një etiketë patriotizmi, mbi produktet e veta kriminale. E meqë janë "pavarësisjellës", ia kanë mbushur vetes mendjen se ata në të vërtetë janë Kosova vetë. Ata janë të Kosovës dhe Kosova është (pronë) e tyre, ngjashëm me parullën e dikurshme: "Mi smo Titovi, Tito je nas", (Ne jemi të Titos, Tito është yni.) Prandaj, nuk kanë as kujt t'i japin llogari, sepse jashtë tyre nuk ekziston kurrkush e kurrgjë. Ata nuk kanë pse i përgjigjen pyetjes e kujt është Kosova, sepse ia kanë mbushur vetes mendjen se Kosova janë vetë ata dhe Kosova është vetëm (pronë)e tyre.

Në këtë pikë, janë e kundërta e pushtetarëve serbë, të cilin e dinin se Kosova është e huaja dhe prandaj zhvatnin sa mundin e me shpejtësi, duke e ndier se po u shkiste dheu nën këmbë. Pra, ata e dinin se Kosova nuk u përkiste atyre dhe meqë ishte bërë e huaj, donin ta shkatërronin. Ndërsa, pushtetarët e korruptuar shqiptarë, ia kanë mbushur vetes mendjen se ata vetë janë Kosova dhe prandaj mund të bëjnë si të duan e çfarë të duan. (Mjafton të mos ia prishin terezinë komunitetit ndërkombëtar.) Prandaj edhe i japin vetes të drejtë të bëjnë çfarë të duan: ndërtojnë shtëpi ku të duan, marrin dyqane ku të duan, privatizojnë ndërmarrjet publike si të duan, e harxhojnë buxhetin si të duan.
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 7
  • Karma: 0
vigjilenca
#4 ne: 04-06-2006, 08:35:40
Aleanca e strukturave kriminale për vonimin e pavarësisë

Shtrohet një pyetje tjetër, po aq e komplikuar: ata që janë të goditur nga epidemia e shpërdorimit të pushtetit të tashëm, qytetarët, a e dinë se e kujt është Kosova? Apo mos mendojnë se ajo ende është e kurrkujt, as e Serbisë, por as e tyrja plotësisht. A thua për këtë shkak e fusin kokën në rërë? Nëse është ky shkaku, atëherë rezulton se vonesa kaq e madhe e pavarësimit të Kosovës, ka qenë e programuar dhe e dakorduar ndërmjet strukturave kriminale vendore dhe atyre ndërkombëtare, që janë të instaluara në Kosovë.

Atyre u ka leverdisur që Kosova të jetë tokë e kurrkujt, në kaos, në amulli, pa ligje, pa investime të huaja, pa hapje ndaj botës, pa emancipim të mirëfillë politik. Atyre u ka konvenuar që të vazhdojë "statuquoja", e të bëhen pasanikë, duke vjedhur paratë e buxhetit të Kosovës e të ndërmarrjeve publike. Rrjedhimisht shumë prej tyre edhe do t'i kenë nxjerrë paratë jashtë Kosove, "për ditë të zeza" që mund të vijnë për ta, kur Kosova të bëhet vend normal, shtet ligjor dhe ku të gjithë qytetarët kanë të drejta të barabarta, duke përfshirë këtu edhe të drejtën që të dinë se çfarë bëhet me taksat e tyre. Kjo e bën më të qartë shkakun pse qeveritarët aktualë të Kosovës nuk nguten që të fitohet  pavarësia e të fillojë një fat i ri i këtij vendi dhe i këtyre qytetarëve. Ata nuk kanë pse të nguten vërtet, sepse tash e kanë ambientin shumë më të përshtatshëm për qëllimet e tyre prej profiterësh.Ende kanë punë për të kryer me tendera, me privatizim të egër, me biznese të paligjshme, me paratë e pista. E kur t'i mbarojnë këto punë, atëherë mund të kërkojnë që të vendoset shteti ligjor, i cili do t'ua mbrojë pasuritë. Pra, ata kanë durim dhe janë të gatshëm të durojnë deri në shqiptarin e fundit të papunë e të pa bukë. Në fund të fundit, a nuk mjafton që këta qeveritarë pasanikë, janë "pavarësisjellës"? Ndërsa, mbrapshtitë e tyre, që e kanë paralizuar jetën në Kosovë, i shkojnë në favor administrimit të tejzgjatur ndërkombëtar mbi Kosovën.

Pra, është një aleancë që funksionon në favor të strukturave kriminale vendore dhe të strukturave të korruptuara ndërkombëtare. Epilogu i kësaj aleance perverse, do të jetë një gjysmëpavarësi e Kosovës, me vazhdimin e protektoratit ndërkombëtar dhe me idenë se edhe ajo gjysmëpavarësi nuk është e merituar nga populli i Kosovës (sepse nga qeverisja e deritashme është krijuar bindja se është i paaftë të qeverisë veten!), po është dhuratë nga komuniteti ndërkombëtar. Ky në fakt, është komploti më i rëndë që i është bërë Kosovës dhe popullit të saj në liri nga udhëheqësit e saj të korruptuar e të kriminalizuar.

Edhe ngjarjet e marsit të vitit 2004, sipas gjasave, janë produkt i këtij komploti. Qytetarët e Kosovës, ata që nuk kanë punë e bile as bukë, shtiren sikur nuk kanë të bëjnë fare me këtë Kosovë. Populli ynë dikur ka pasë thënë se kush nuk e dëgjon nënën e dëgjon njerkën. Por, duket sheshit se më vonë e ka harruar vetë kuptimin e kësaj fjale.

Meqë tash as nuk ndihmojnë fjalët e urta, populli ynë do të duhej të ndërtojë një botëkuptim filozofik të ri se çka kupton me fjalën atdhe, në kohën e zhvillimeve mararmendëse ekonomike, të integrimeve e të globalizmit në botë në njërën anë dhe të kriminalizimit të institucioneve të veta përfaqësuese në anën tjetër. Do të duhej të formulonte edhe disa postulate etike për politikën që kërkon mbështetje tek votat e tij. Dhe të kërkojë ndërtimin e të kontribojë realisht në funksionalizimin e shtetit ligjor. Jashtë tyre, populli, sikundër që është sovran, është edhe përgjegjës për fatkeqësitë që i bien në kokë dhe për poshtërimin që ia bëjnë përfaqësuesit e korruptuar e të kriminalizuar, duke ia nëpërkëmbur atdheun, deri në atë masë sa t'ia topisin edhe ndjenjën dhe vetëdijen se ai atdhe i përket atij populli dhe jo hajdutëve që abuzojnë "në emër të popullit".
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 1210
  • Karma: 0
  • Gjinia: Mashkull
albnobody
#5 ne: 04-06-2006, 20:08:46
Mire s`me vie fare,por prapseprap krenohem qe keto te dhena te ketushme per Kosoven i kam thene dhe shkruar fill pas mareveshjes se Kumanoves  ne qershor  te 1999...mes gjeneralit proserb e francez majkel xhekson dhe shtabit ushtarak serbosllav,ku edhe gjeneral çeku ishte vizitor...
Atebote une shkrova...
Bota antishqiptare s`arrijti asnjehere te asimiloje shqiptaret as permes dhunes sllave e greke,as permes komunizmit,perkunder shpenzimeve te perhershme qe beri per kete gje.Tani e sollen situaten ashtu qe t`u hapet dera dhe kalane shqiptare ta rrezojne nga brenda...
Rrezimi nga brenda behet keshtu siq po e ben ANMIK-u me korrupcion,degjenerim,dekombetarizim,pengim shkollimi,pengim punesimi,pengim investimi,pengim deklarimi,pengim mendimi,pengim veprimi,pengim mbrojtje,pengim proteste,pengim i te gjitha atyre  gjerave qe doi te shpienin ne nje riformim te Kombit Shqiptar si komb e me se paku si shtet i ndare me kufinj politik nga sllavet.
Kosova eshte e Vatikanizmit kriminalistik te Evropes!
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super