×

Elbasani i viteve’30

· 1 · 801

Elbasani i viteve’30

· 1 · 801

  • Postime: 21948
  • Karma: 43
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 05-06-2006, 07:26:33
Një anglez me biçikletë drejt Elbasanit të viteve’30

Bernard Njumën

*****
E kemi titulluar kështu këtë fragment të librit me mbresa udhëtimi të anglezit Bernard Njumën. Me titull “Derë e pasme e Shqipërisë”, ky libër u botua në Londër në vitin 1936, e më tej njohu dhe ribotime të tjera. Një personazh i veçantë, anglezi Bernard Njumën, mbërriti në Shqipëri në vitin 1933. Erdhi nga “Qafthana” me biçikletën e tij të cilën e qunte “Gjergji”. Më të kishte bredhur një pjesë të mirë të Evropës. Kur mbërriti në Shqipëri u shpreh me entuziazëm “Unë jam arkeolog”, sepse sipas tij kishte zbuluar Shqipërinë. Ndaloi për pak kohë në Elbasan. Përshkrimet mbi udhëtimin e tij, janë zakonisht historiza të shkurtra, ngritur mbi ngjarje dhe personazhe që i tërhiqnin vëmendjen në këtë vend.
Ato nisin nga banorë të zakonshëm të këtij qyteti, me tradita të veçnata kulturore e historike, e deri te personazhe të rëndësishme, siç ishte Margaret Hazlluk, e njohur së shumti për veprimtarinë e saj, si albanologe e mbledhëse e folklorit shqiptar. Të Margaret Hazlluk, ai vlerëson së shumti mendimet dhe këshillat që ajo jepte për shqiptarët e asaj kohë, kontributin e saj për gjuhën dhe folklorin shqiptar, dhe mbi të gjitha karakterin e fortë të kësaj gruaje që hulumtonte në caqet më të harruara të këtij vendi, që gjithsesi për kohën ishte një enigmë në Evropë. Ky libër i Bernard Njumën, është përkthyer nga Osman Allkja, dhe ende është në dorëshkrim. Përkthyesi mendon ta botojë së shpejti dorëshkrimin, që prej vitesh fle në sirtarët e tij.

*****

…Të nesërmen qe përsëritja e të njejtës histori, veçse tani do të ndiqja rrjedhën kryesore të lumit të Shkumbinit. Lugina ishte shumë e bukur dhe disa vende ishin me të vërtetë autentike. Rrugë me hije që më kënaqte në çdo hap. Pjesë të saj gjithashtu ishin më të vështira, kështu që mu desh ta pedaloj “Gjergjin”*) ngadalë e me kujdes, duke u ruajtur nga shkëmbijtë që të zinin rrugën. Grumbull shtëpish e fshatrash shfaqeshin shpesh rreth dhjetë milje anash. Isha i prekur kur shihja rezerva të pakta të regjionit, pasi, pak fusha të vogla kultivoheshin me misër. Herë-herë humbisja nëpër shkuret malore. Dy herë kalova ura të kohës së turkut, të pashoqe në bukuri, si në ëndërr.
Kështu, i lodhur, mbërrij në Elbasan, i cili duket lehtë që është një nga qytetet më interesantë të Shqipërisë dhe Ballkanit. Më patën rekomanduar hotel “Adriatikun”. Një englez, në këtë hotel, duhej të ofronte zërin që të pretendonte titullin e hotelit. Pas pak çdo gjë u sqarua për çfarë unë kujdesesha. Të gjitha vështirësitë e gjuhës u harruan për pesë minuta.
Një djalë i ri më takoi, kur unë po rregulloja “Gjergjin” në paradhomën e hotelit. E fliste mrekullisht anglishten. Ai qe përgatitur në kolegjin amerikan të Durrësit. Tani ishte ekspert hortikulture. Dukej se nuk qe i zënë me ndonjë punë. Ç’faqi vetë dëshirën të më ndihmonte dhe se e vinte veten në dispozicionin tim.
Shpejt desha të shoh Elbasanin. Dy gjenerata më parë Elbasani gati nuk ishte qytet. Qe një qytet musliman fanatik, kurse kristianët nuk i pranonin. Banditë të panumërt të këtij regjoni ishin si të vendit. Ishte pa lidhje me rrugë, kështu qé e nevojshme që eskorta turke, para se të merrte udhë më tej, të “vizitonte” këtë vend. Bile, ndonjë i ardhur këtu, as që bëhej fjalë për ta siguruar. Ata lidheshin me njëri-tjetrin duke i njohur zërin që jashtë oborrit, ose ndryshe bije peng. Nëse nuk bije peng sot te banditët shqiptarë, atëherë këtë e ndreqnin skortat turke. Kurse tani vjen në Elbasan edhe një i vetëm. Kështu mund të vinte vetëm edhe një grua.
Elbasani është një qytet i madh, me një pazar që përfshin njëmijë dyqane. Me pazarin më të vjetër dhe më pak të sofistikuar nga ai i Sarajevës. Tre të katërtat e popullsisë janë muslimanë. Imitimi i grave muslimane nga moda është shumë i fortë, sa gratë kristiane shpesh vulgarizojnë veten. Qendra e qytetit, përfshirë edhe pazarin, është e mbyllur me mure të fortë, e cila konsiderohet fragment piktoresk me rrugë e shtëpi banimi. Ura mbi lumë është bërë mbi planimetrinë e arkitekturës së Elbasanit. Kjo është e re dhe më praktike nga ajo antike e shkatërruar.
Mjaft intriguese qe një mbledhje e muslimanëve jashtë, në ajër të pastër, që ngriheshin e uleshin sipas ritmit të hoxhës. Kjo përdoret në festat fetare, kur popullsia mblidhet në xhami. Afër qe kisha ortodokse, e kumbuar në një anë, një ndërtesë gjithë dinjitet. Pranë lumit është një kishë shumë e vjetër e qytetit të Elbasanit, antike, por ende e gjallë.
Anë pazarit dhe në qendër të qytetit rrugët gjysëm-urbane të Elbasanit janë çuditërisht monotone me kalldrëm e mure guri të mëdhenj, që mbyll çdo oborr, e paisur me portë me dorezë, ku mund të shikosh fare pak se ç’fshihet brenda, sidomos gratë. Megjithatë, me ndihmën e mikut tim të hortikulturës, i cili qe musliman, nuk qe e vështirë të depërtohej në këto oborre.
Miku im ishte me një mision special në Elbasan. Qyteti qe i famshëm për portokalle dhe çdo shtëpi me oborr rriste mjaft nga këto pemë. Është prekëse të mësoje që, çdo një, në tre pemë portokalli në këtë bahçe, të jepte 10 mijë kokrra. Tani në portokallishtet e Elbasanit ishte çfaqur merimanga e zezë. Por miku im, me disa muaj vonesë, e kishte luftuar me sukses këtë insekt të rrezikshëm. Ai e diktoi dëmtuesin dhe përgatiti antidodin, merimangën e bardhë. Ai kishte qenë në Itali për të marrë kopje të merimangës së bardhë, dhe sot kalonte ditë gëzimi në Elbasan, duke parë se si merimanga e bardhë kryen masakër mbi rivalen e saj, merimangën e zezë.
Ndër të shumtë që më patën folur për Shqipërinë, kisha dëgjuar edhe nga ata që e paraqesin këtë vend si natyrë primitive dhe e pacivilizuar. Por ja, është zgjuarsi dhe guxim kjo e mikut tim të parë shqiptar që takova këtu, ç’ka do të thotë se ç’përgatitje teknike e karakter të fortë gjen në Shqipëri. Unë nuk jam hortikulturist dhe në këtë mënyrë mësoj një gjë të re: Se si merimanga e zezë çfarosetet nga merimanga e bardhë.
Një episod për ndriçim
Ne hymë në oborrin e një shtëpie, pasi pritëm pas sa të hapej porta. Ndërkohë një grua po ulërinte fort. Atëherë miku im liroi merimangat. Unë u hoqa pas mikut të shtëpisë. Disa hapa larg ishte gruaja që ulërinte. Pasi i fola, ajo atëherë e qetë nisi të jepte gji fëmijës së vet në mënyrë të natyrshme dhe e ekspozuar pa turp.
“Ka mjaft që dinë ta flasin anglishten në Elbasan”, më thotë hortikulturisti, i cili kishte qenë në Londër, pasi e bija banonte atje. Me të bashkë shkuam tek shtëpia e një dentisti. Ai e fliste të plotë anglishten. M’u prezantua si armen. Armeni për ca kohë kishte qenë rezident në Londër dhe ishte martuar me një grua nga Harmstidi. Ajo gjithashtu qe armene, por, si u martua, u bë me nënshtetësi angleze. Ju e merrni me mend sa e mirëpritur ishte biseda me atë grua, që pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në Londër dhe ku kultura letrare ndriçonte me çështëtjet: “Si është gjendja sot në Angli? Ç’ekspozita kishte në rrugën “Oksford”? Nëse kishte reklama në “Pikadil Cirkus”, si dikur, aq të mrekullueshme etj. etj.”
Në një nga muret e dhomës të çiftit armen dukej një e çarë e madhe, si rezultat i një lëkundje tërmeti. Shqipëria shtrihet në brezin europian me sizmicitet të lartë, por forca e tërmetit gjeneron lart. Për vendasit rënia e tërmeteve është bërë zakon dhe kështu ata marrin masa reale të kalojnë me sa më pak dëme.
Një angleze e famshme
Në Elbasan është një person që e flet anglishten dhe që e ka përhapur thellë në njerëz. Kjo është Margaret Hazlluk, që ndofta është një autoritet botëror për gjuhën shqipe dhe kryesisht për folklorin. Ajo ka shkruar gramatikën e gjuhës shqipe standarte, ka mbledhur shumë shprehje folklori origjinale dhe tani, pas një pune pesëvjeçare, ka bërë gati një përmbledhje tjetër për botim. Ndenja gjatë me të, por nuk pashë gjë të veçantë personale tek shtëpia e saj. Ajo ishte një personalitet i njohur, e cila zotëron një influencë të madhe në Elbasan. Nuk e di nëse konsulli i qytetit ka patur ndonjë kontakt me të para ndonjë vendimi, por nëse s’ka patur, kjo për të nuk është mirë.
Ndofta është guxim i madh që, kaq të sukseshme britanike në Shqipëri, të jenë gra. Tridhjetë vjet më parë Edith Durham qe gjithashtu e vetmja e huaj që mundi të flasë e të shkruajë ditarin e saj për Shqipërinë e popullin shqiptar. Tani shembullin e saj e ndjek Margaret Hazlluk. Të dyja janë gra me personalitet të lartë e kulturë të madhe.
Më ka mbetur në mendje biseda e Hazlluk-ut me tre të rinj që më shoqëronin. Të tre ishin pak të arsimuar, në krahasim me të tjerë në Shqipëri.
“Mos harroni, u thoshte ajo atyre, e ardhmja e Shqipërisë varet nga ju. Shqipëria tani është plot korrupsion dhe si mund të shpëtohet prej tij?! Populli, d.m.th., njerëzit që u qeverisin, mbartin tradita turkoshake. Ju nuk mund të prisni që ata të kthejnë në rrugë tradicionale këtë mënyrë qeverisjeje. Shumë shpejt brezi i ri do të gjejë rrugën e do të zejë vendin që i takon. Ç’duhet të bëni? Nëse ju do të mbeteni në këto tradita atëherë nuk do të gjeni vendin në hartën e Europës për Shqipërinë. Nëse Shqipëria ndryshon jetën publike, kodin moral, të cilin ju e mësoni në shkollat amerikane, angleze e franceze, atëherë e ardhmja e Shqipërisë është e shkëlqyer.
Kujtoni gjithnjë që detyra e Shqipërisë është e vështirë, kur përpiqet të bindë kombet e tjerë të Europës, që ata duhet ta trajtojnë të barabartë e ngrohtë. Ju jeni muslimanë, d.m.th., shumica e shqiptarëve të kasaj feje janë. Kështu që, Europa, e sheh këtë muhamedantizëm si përkatësi që i takon Lindjes, d.m.th., Azisë e Afrikës dhe jo Europës. Ju duhet ta hidhni tej këtë përfytyrim. Ju bëni si të dëshironi, por kurrë nuk duhet që idetë muslimane të dominojnë politikën tuaj. Nuk e shoh të vështirë këtë, pasi ju nuk jeni muslimanë të thellë, ju keni vetëm ndikim dhe kaq, që për ju s’është problem. Duhet të kuptoni që Shqipëria nuk don të mbajë më mbi shpinë ringjalljen e feve...
Ju shqiptarët keni çdo gjë. Ju keni shëndetin, forcën, intelektin dhe guximin. Gjithshka që duhet për një kurajo morale dhe prandaj ju do të bëhi një komb i madh, pavarësisht se tani jeni të vegjël. Dhe mos harroni: E gjitha varet nga ju, nga brezi i ri. Nuk është vetëm një vend që dëshiron të ndihmojë të ngrihet Shqipëria. Ato kanë shumë falje ende ndaj jush tani. Ju duhet ta dalloni një të tillë falje si shkak e ta afroni me kënaqësi”.
Njerëzit ishin shumë të dashuruar pas Margaret Hazlluk-ut, e cila ishte një legjendë për Shqipërinë. Një grua që rrinte e vetme, e guximshme, në një vend të virgjër, në një vend ku gruaja gjithnjë është mbajtur si seks i dobët, del me të vërtetë jashtë të zakonshmes. Qeveria Shqiptare dhe besnikët e saj, ngulnin këmbë që zonja Margaret Hazlluk të kishte roje, gardë personale. Me shumë argumenta ajo e refuzoi, por, më së fundi, një që i dhanë që ta ruante, ajo e përdori për të ruajtur butin e verës. Ky qe një sukses për ta hequr qafe, tha ajo. Ai e pastronte pushkën një herë në javë, me që një oficer vinte dhe e kontrollonte herë pas herë. Ai vinte rrotull butit të verës gjithë dinjitet, si çifut.
Zakoni i gardës personale në Shqipëri, thuajse ishte universal. Kohë më parë kam njohur një antar të Parlamentit. Ai më dha kënaqësi të madhe. Më thoshte se dinte ç’kishte thënë e shkruar me përkushtim dhe se ç’vend i bindur e paqedashës qe Shqipëria. Ai nënvizoi se nuk duhej t’u vija re absurditeteve që ende ndodhin dhe me të cilat filtrohet Europa, se gjoja “shqiptarët vrasin njëri-tjetrin”, se “çdo vit ka revolta ndaj mbretit”, se “të drejtën populli shqiptar e kërkonte me force” etj. Argumentet e tij ishin shumë inspiruese dhe, sipas përvojës personale (pas dy ditësh vështrimi në Shqipëri!), kjo është kaq e vërtetë; megjathatë, është dëshira e mrekullueshme që, në të njejtën kohë, anëtari im i Parlamentit mbante në adresën e tij të gjatë, gardë të armatosur dhe rrinte i mbyllur në qoshen e tij.
Unë nxorra aparatin për t’i bërë një pozë. Mendoja se po fotografoja një tip në miniaturë. Në sekondë m’u drejtua me pushkë garda, por vetëm masat e shpejta të zotërisë së tij, ndalën një incident, që ndofta do të bëhej ndërkombëtar.
Përktheu Osman ALLKJA



Marrë nga libri “Derë e pasme e Shqipërisë”, Londër 1936, Botimi i parë, shkruar nga Bernard Njumën.

*) “Gjergji” ishte emri i biçikletës, me të cilën autori shëtiti Europën dhe Shqipërinë në vitin 1933, nga Qafë-Thana e deri në Theth
 
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super