×

 Dardha, fshati turistik i Korces

· 2 · 7867

 Dardha, fshati turistik i Korces

· 2 · 7867

  • Gjinia: Mashkull
  • i identifikuar
    Berni
    ne: 08-07-2008, 10:31:47
    Në 6 muaj, mbi 6 mijë turistë ditorë vendas dhe të huaj në Dardhë

    Disa familje i kanë shndërruar shtëpitë e tyre në qendra pritjeje për vizitorë nga Shkodra e Durrësi, për një periudhë dy javore



    Rruga që të çon në fshatin turistik të Dardhës, një fshat malor rreth 14 kilometra larg qytetit të Korçës, prej muajsh është në rikonstruksion e sipër, por kjo nuk i ka penguar turistët vendas dhe të huaj që të vizitojnë këtë fshat mes maleve dhe gjelbërimit.

    I vizitueshëm në çdo stinë të vitit, fshati turistik i Dardhës numëron në këto 6 muaj të parë të vitit mbi 6 mijë turistë ditorë vendas dhe 97 të huaj, thotë për ATSH-në, kryetari i Shoqatës së Agroturizmit për rajonin e Korçës, Niko Balli. Ai shton se, ka patur pushues nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe të huaj si nga Gjermania, Amerika e Greqia, që janë mrekulluar me natyrën e mikpritjen që gjejnë në Dardhë.

    "Vizitorët e huaj nuk janë emigrantë, por thjesht turistë që kanë dëgjuar për Dardhën dhe vijnë të shijojnë bukuritë e saj, klimën malore e gatimet tradicionale", thotë Balli, i cili nisur nga interesimi në rritje i pushuesve vendas e të huaj për Dardhën po investon për ndërtimin e një hoteli alpin në këtë fshat, i cili është dhe origjina e tij.

    Rruga që të çon në fshatin Dardhë rreth 14 kilometra e gjatë është në 4 kilometrat e fundit, përmes një fondi prej 5.8 milion lekësh dhënë nga buxheti i shtetit. Pritet edhe ndërtimi i një skipiste, projekti për të cilën është hartuar para 4 vitesh dhe Dardha do të ketë kështu më shumë vizitorë edhe në stinën e dimrit, e natyrisht më shumë pushues që të shijojnë bukuritë e saj natyrore e njerëzore.

    Edhe banorë të tjerë të fshatit e kanë kuptuar tashmë se, perspektiva e Dardhës qëndron tek zhvillimi turistik dhe po investojnë për ndërtime lokalesh shërbimi, hotele dhe restorante që po shtohen nga viti në vit.

    "Në fshat janë 4-5 mjedise shërbimi si restorante dhe hotele, por edhe disa shtëpi që aplikojnë turizmin familjar", vijon të tregojë Niko Balli, për kushtet që afron Dardha. Sipas tij, disa familje i kanë shndërruar shtëpitë e tyre në qendra pritjeje për vizitorë nga Shkodra e Durrësi, për një periudhë dy javore.

    Ndërsa, pushuesit që preferojnë turizmin ditor, kryesisht në fundjavë akomodohen në hotele, por edhe në çadra të ngritura në natyrë.

    Gatimi i lakrorit me dy petë dhe rakia e kumbullës së egër, janë dy specialitetet karakteristike që të ofrojnë në Dardhë, atje ku mikpritja ndihet sapo shkel në pragun e një porte.

    Dardhari Sotir Pani, edhe pse jeton në Amerikë, ka ngritur një muze privat në banesën e tij, për t'i treguar çdo vizitori të interesuar traditën e fshatit turistik, që zë fill nga vitet '30-të të shekullit të kaluar, kur korçarët shkonin në Dardhë për piknike.

    Pikniku është një traditë që nuk ka humbur në këtë zonë. Emil Fundo, një banor i Korçës, tregon se çdo të dielë së bashku me familje të tjera pushojnë dhe argëtohen në klimën malore e të shëndetshme të këtij fshati, e atje mes natyrës çlodhëse gatuajnë, luajnë sport e këndojnë.

    Teodor Laço, shkrimtari i njohur me origjinë nga Dardha, ka shkruar një tekst kënge për fshatin e tij, që flet për shtëpitë gri të mbuluara me plloça guri, për shkëmbin e vjeshtës që i rri përballë, natyrën dhe kënaqësinë që gjen atje dhe qeflinjtë korçarë të serenatave nuk harrojnë ta këndojnë atë.

    Të shumtë janë dhe vizitorët nga qytete të tjera. "Energjia elektrike nuk na ka munguar, e ne përpiqemi të sigurojmë kushte sa më të mira pushimi për vizitorët", vijon Balli, i cili nuk e fsheh kënaqësinë që Dardhën e preferojnë vazhdimisht pushues të ndryshëm, duke i dhënë gjallërinë e munguar që ia ka marrë emigracioni në SHBA apo Greqi.

    Rruga që të çon në Dardhë është drejt asfaltimit të plotë dhe kjo do të jetë një lehtësi për shumë vizitorë që pa shumë mëdyshje do të kalojnë pushime ditore dhe javore mes gjelbërimit, ajrit të freskët e qetësisë.

    RilindjaDemokratike

    • Gjinia: Mashkull
  • i identifikuar
    Berni
    #1 ne: 08-07-2008, 10:35:47
    Margaritari me emrin Dardhë.

    Nga Teodor Laço

    Fshati është relativisht i ri, nëse do të pranojmë të tillë kohën prej tre shekujsh qëkurse kemi të dhëna historike. Është themeluar e rritur prej të “ikurve”, rebelëve që përndiqeshin e kishin hesape me guvernën osmane, shpesh sepse nuk donin të ndryshonin fenë.

    Të duash vendlindjen, është një ndjenjë e bukur, njerëzore. Kur dikujt i mungon, dëshmon së paku një shpirt të thatë e të varfër. Ta adhurosh vendlindjen është një ndjenjë përtej dashurisë. Kjo do të thotë se vendlindja, bujarisht të ka dhënë shumë, prandaj edhe i detyrohesh shumë.

    Këtë epitet do të ma pranojnë vetëm ata që e njohin fshatin tim. Të tjerëve do t’ju duket një teprim, ndoshta një mburrje. Por shpjegimi i figurës “margaritar” do të donte një libër të tërë..
    Të duash vendlindjen, është një ndjenjë e bukur, njerëzore. Kur dikujt i mungon, dëshmon së paku një shpirt të thatë e të varfër. Ta adhurosh vendlindjen është një ndjenjë përtej dashurisë. Kjo do të thotë së vendlindja, bujarisht të ka dhënë shumë, prandaj edhe i detyrohesh shumë. Për një shkrimtar, vendlindja është më shumë sesa trualli i kujtimeve, më shumë sesa malli i viteve pa kthim, më shumë se sa krenaria pa rrënjët. Kur merr të shkruash për të, vendlindja të shfaqet përpara si një mur që të shtyn e të step për ta kapërcyer dhe pas tij, t’u zbulosh të tjerëve atë magji që të mban lidhur prej vitesh…Kështu më ndodh sa herë më kërkojnë të shkruaj për vendlindjen, për fshatin në zemër të malit të Moravës, që kush e di përse ka një emër fryti : Dardha!!!!

    Ku ndodhet Dardha

    19 kilometra në juglindje të Korçës, në një lartësi gjeografike impresionuese mbi 1300 m, që vetvetiu e çon përfytyrimin tek dimri i gjatë me borë, tek pranverat e ndezura nga blerimi, tek verat e puhizave e vijnë nga pyjet, tek vjeshtat me palete piktorike prej ylberi, ndodhet ky margaritar. Dardha ia ka dalë bëhet e njohur anembanë vendit!Jo vetëm për natyrën dhe klimën e saj, por sidomos për traditat, kulturën e të jetuarit dhe për njerëzit e shquar që i kanë dhënë vendit.
    Emri “Dardhë” vjen nga një gojëdhënë që duket e besueshme.

    Pak histori

    Fshati është relativisht i ri, nëse do të pranojmë të tillë kohën prej tre shekujsh qëkurse kemi të dhëna historike. Është themeluar e rritur prej të “ikurve”, rebelëve që përndiqeshin e kishin hesape me guvernën osmane, shpesh sepse nuk donin të ndryshonin fenë.

    Këta njerëz me gen kryengritësish, gjetën strehë në këtë vend të thellë të maleve dhe u vendosën rreth një stani që gjendej në dardhë e egër. Kur i pyesnin “ku gjendeni”thoshin shkurt : “Tek stani nën dardhë”, prej nga koha nxori togfjalëshin “nëndardhë”, që shpejt u rrudh në fjalën “Ndardhë”. Deri vonë , dardharët dhe fqinjët i quanin “ndardharë”.
    Dëshmia e parë historike der tani gjendet në Enciklopedinë greke Pirsos (V!10,fq750) ku thuhet: “Në Dardhë, fshat shqiptar u hap shkolla greqisht më 1768. Nuk pritet të gjendet ndonjë e dhënë nëpër dokumenta më të hershme osmane si tefterët e taksave, sepse Dardha ka qenë gjithmonë fshat i lirë, i përjashtuar prej tyre.

    Enigma pas një emri

    Në librin “Gjeografia e Korçës dhe rrjetit të saj” (Selanik 1888) thuhet se Dardha është fshati më i madh i krahinës së Korçës me 1454 frymë. Në fillim të shekullit, Dardha numëronte 400 shtëpi. Vetvetiu të del përpara ;si dhe pse u mbipopullua një vend i tillë ku toka bujqësore ishte e papërfillshme? Arsyetimi të çon tek zanafilla;dëshira për të qenë të lirë. Të varfër, por larg dhunës dhe poshtërimit. Kishte familje të ardhura nga krahina shqiptare e famshme e Sulit të Marko Bocanit, nga fshatrat të krahinës të rrënuar në kohën e djegjes së parë të qytetit tp kulturës Voskopojë, fshatra që sot mbahen mend vetëm si emra, (Bozdovec, Linatop, Lerishtë, Qinam).

    Enigma e dytë ka të bëjë me burimet e jetës.

    Terreni i vështirë i detyroi dardharët ta gjejnë punën aty ku kërkohej krahu i tyre, larg vendbanimit. Larg familjeve. Vrazhdësia e natyrës nxit pasionin për punën, ashtu si bujaria e saj nxit shpesh dembelizimin. Në një Shqipëri të mbyllur, dardharët kanë qenë nga mërgimtarët e parë. Me jetet e punës-sopata dhe sharra. Profesioni i parë-ai druvarit. Me karvane prej 20-30 vetash, me mushka, të armatosur, u nisën fillimisht drejt pyejeve të zonave greke-atëherë ende nën Turqinë. Që nga viti 1800 deri në 1935 në Olipm punon ende sharrat e dardharëve, jo dosido por me teknikën më të mirë të kohës, me ujë. Në malet e Selitit e të Athosit, në Mesollongjo e Demir-Kapi, në Anodoll, në Rruse, në Isekum, në malet e Rodopit në Bullgari e deri në skelën e Varnës ku bënin tregtinë e qerestesë, dradharëve iu doli nami si si druvarë të zotë, aq sa mbeti edhe shprehja e njohur “Ia pret me sopatën e dardharit”.
    Pas këtij emigrimi që qe sezonal dhe e mbante fshatin të populluar dardharët “zbuluan” Amerikën. Rrallëkush i mbeti besnik drurit. Rrallëkush mbeti pa e çuar një emigrant drejt kontinentit të largët. Aty dardharët patën një rol të madh e të mirënjohur nëpër shoqëritë patriotike. Nga mërgimtarët e Amerikës 15 dardharë u dekoruan më 1982 me urdhër e medalje për veprimtari patriotike.

    Tradita

    Mërgimi i largët ishte një dramë e gjatë, plot dhimbje. Por ishte edhe një çlirim. Dalja nga veçimi, nga guaska e mbylljes në mënyra jetese të ngurtësuara, solli në shoqërinë e ngushtë dardhare pretendimet qytetare, kërkesën për një jetë shpirtërore e materiale më “europiane”, më të ngritur si një rivalitet të heshtur me vetë qytetin e Korçës që gjithashtu pretendonte dita ditës.
    Dardha mburret me origjinën nga e folura deri tek veshjet, këngët e vallet. Studimi i arkitekturës së fshatit dëshmon për një model të veçantë të stilit europian që haset edhe në fshatra të tjera të Jugut. Pamja që shfaqin ndërtimet dhe urbanistika e fshatit, ndërtesa solide, të bukura, prej guri të gdhendur e mbuluar me ploça të hirta, rrugët me kalldrëme , krojet e shumta, punishte për zeje kryesore, njësitë tregtare deri në fillim të viteve ‘40-të i jepnin fshatit pamjen e një qyteze të lulëzuar, ndonëse për shkak të ikjeve në mërgim popullsia tani mezi arrinte 1000 vetë.
    E folura e fshatit ka ruajtur deri vonë disa trajta të vjetra të shqipes të ngjashme me arabishten e çamërishten.
    Unikla është kostumi i grave , kuq e zi. Aq i bukur e i veçantë është aq sa kanë dashur ta përvetësojnë. Një “studiues” bullgar duke përdorur fotografi të valleve të grave dardhare me xibum të viteve ’30 bën përpjekje mjerane t’i paraqiste ato si “Valle nga Maqedonia Perendimore. Disa nga vallet e njohura të grave janë krijuar në Dardhë. Në Dardhë bëhej një jetë e gjallë. Në çdo ceremoni merrnin pjesë si burrat, ashtu edhe gratë . Diskriminimi i gruas nuk pranohej. Gruaja dardhare ishte më tepër një amvise/ Ishte ZONJË.

    Duke qëndruar tek historia mund të them se ky fshat paraqet një nga modelet e bukura të vitalitetit tonë kombëtar, të krenarisë për origjinën dhe traditat, por edhe të etjes për të lëvizur për të pranuar të renë. Një nga shembuj e qëndrueshmërisë së këtij gjeni mund të sillet nga ky fakt. Për 150 vjet dardharët mësonin në shkollë greqisht (shkolla shqipe u hap me 1917) por e mbanin atë thjesht si një gjuhë të huaj.

    E ardhmja e Dardhës

    Vitet e pushtetit të kaluar komunist me përjashtim të një periudhe rreth një dekade në vitet ’60, ku funksionoi një degë e turizmit korçar dhe një shtëpi pushimi, janë një periudhë rënie, braktisjeje, gri. Dardha e sotme ka mbetur një fshat i vogël ku s’ka fëmijë për në shkollë.
    Por duket, se vitet e fundit diçka po rilind. Dardha po hyn në një periudhë të re që ka të bëjë me shfrytëzimin e resurseve të saj natyrore, të klimës dhe vlerave turistike. Si një fshat turistik, Dardha bëri emër që në vitet ’30. U botua edhe një broshurë ku mjekë të njohur por edhe poetë të shquar si Lasgush Poradeci (ndër të tjera ai kishte gjetur në Dardhë dashurinë e tij të madhe së cilës i kushtoi lirikat më të bukura) dhe Asdreni, shkruajnë për vlerat kurative të klimës së Dardhës, (për sëmundje të mushkërive të sistemit nervor etj) dhe për natyrën magjepëse të saj. Në vitet e fundit, pasi ua kthyen shtëpitë e tyre, dikur të shtetëzuara apo të braktisura, shumë dardharë që jetojnë në Tiranë apo në Korçë po bëjnë riparime e ndryshime me karakter modernizues në banesat e trashëguara nga prindërit. Vetëm në vitin që shkoi u punua në afro 60 shtëpi të dardharëve. Një sinjal premtues është ndërtimi i shtëpive të reja. Blerja e trojeve apo godinave të vjetra nga afaristë të ndryshëm të vendit që tani i kanë mundësitë të kenë vilat e tyre në zonat turistike. Dardharët i kanë mirëpritur, u kanë ofruar miqësinë e tyre. Çdo gjë që i shërben fshatit për ta është e çmuar dhe duhet mbështetur. Prej disa vitesh në Dardhë funksionojnë dy hotele me restorante ku gatuhet gjellë karakteristike dhe pritet ndërtimi i një hoteli të tretë, modern. Kohë më parë u asfaltuan pesë kilometra të tjera të rrugës dhe është dhënë premtimi se ajo do të përfundojë këtë vit. Dardha paraqet vlerat e saj jo vetëm zhegut të padurueshëm të verës kur aty mbizotëron freskia, por edhe gjatë dimrit si terren i përshtatshëm për sportet dimrore. E pra e ardhmja e Dardhës ka vetëm një emër : TURIZËM

    Njerëzit e Dardhës

    Në vitin 1927 prifti Spiro Zenjo numëron rreth 50 djem dardharë të shkolluar. Në fillim të shekullit deri sa vdiq më 1932 në jetën politike të vendit por edhe në fushën e arsimit dhë të gazetarisë së një vend nder dardhari Sotir Peçi.
    Thoma Nasi (Nashi) është njëri nga kompozitorët e parë shqiptarë. Duke parë prirjet e tij e mbajtën me shpenzimet e tyre në konservatorin e Bostonit. Regjisori i parë i filmave dokumentarë, Endri Keko (Artist i merituar) ishte gjithashtu nga Dardha ashtu siç ishte “Karmeni “ i parë i operas shqiptare mezosopranoja e rrallë Jorgjia Velo që u vra tragjikisht në Bukuresht. Por në bibliotekë do të gjeni rreth 50 tituj veprash të autorëve me origjinë nga Dardha.