Depresioni bipolar, një sëmundje - Jeta

×
Hyrja
Profili

Depresioni bipolar, një sëmundje

Depresioni bipolar, një sëmundje

· 2 · 503

  • Postime: 26710
  • Gjinia: Mashkull

ne: 16-11-2010, 00:45:18
Nuk është thjesht ulje dhe ngritje humori, nuk është vetëm melankoli, nuk bëhet fjalë vetëm për një eufori ekzaltuese në orët e festës. Eshtë një sëmundje.

Më anë të rezonancës manjetike, studiuesit e Universitetit të Cambridge, panë se kjo gjendje mund të reduktojë materien gri të zonave paralimbike të përfshira në proceset emocionale.

Po flasim për depresionin bipolar, të karakterizuar nga një destabilitet i humorit në një gradë të tillë sa mund të kompromentojë edhe jetën.Nuk është një patologji e lehtë për ta diagnostikuar, apo për ta kuruar sepse prodhon idenë e të qenit i/e sëmurë.

Faza depresive mund të zgjasë edhe 6-7 muaj. Eshtë depresion pa motive të jashtme, i thellë, pacienti refuzon të dalë jashtë, kërkon të rrijë në shtrat, humb vetëvlerësimin dhe ndihet në faj. Ka edhe raste ekstreme të njerëzve që shkojnë në vetëvrasje.

Specialistët thonë se diagnoza është e vështirë, por ka karakteristika që ndihmojnë të evidentohet depresioni bipolar. Kështu p.sh tregues është shqetësimi në gjumë, impulsiviteti, përdorimi i alkoolit dhe lëndëve narkotike apo një stil jete shumë impenjativ. Top Channel

  • Postime: 21592

#1 ne: 10-09-2020, 00:02:49
 

Çrregullimi bipolar është një sëmundje mendore që karakterizohet nga ndryshime ekstreme të mënyrës se si ndihet individi, por është shumë më tepër sesa një “luhatje e zakonshme humori”

Tre janë simptomat kryesore që mund të ndodhin rregullisht: mania, hipomania dhe simptomat depresive.

Mania: Nëse përjeton këtë gjë, një person me çrregullimin bipolar ndjen një emocion të madh. Ai/ajo mund të ndihet impulsiv, euforik dhe plot energji. Gjatë këtyre episodeve, ndodh që mund të shfaqë sjellje si seks i pambrojtur apo përdorim të drogës.

Hipomania: Lidhet më së shumti me çrregullimin bipolar II. Hipomania është e ngjashme me maninë, por nuk është aq e rëndë. Për dallim nga mania, hipomania mund të mos shkaktojë telashe në punë, shkollë ose marrëdhënie shoqërore. Sidoqoftë, njerëzit me hipomani vënë re ndryshime në gjendjen shpirtërore.

Depresioni: Gjatë një episodi depresioni, këta individë mund të përjetojnë trishtim të thellë, mungesë shprese, humbje energjie, mungesë interesi për aktivitete të ndryshme, vështirësi për të fjetur, mendime vetëvrasjeje.

Simptomat e çrregullimit bipolar te gratë/burrat
Burrat dhe gratë diagnostikohen me çrregullim bipolar në numër të barabartë, por sidoqoftë, simptomat kryesore të çrregullimit mund të jenë të ndryshme.

Gratë:
– diagnostikohen përgjithësisht në të 20-at apo 30-at
– kanë episode më të buta të manisë
– përjetojnë episode depresive
– kanë katër ose më shumë episode të manisë dhe depresionit në një vit
– përjetojnë në të njëjtën kohë sëmundje të tiroides, obezitetit, çrregullimet e ankthit dhe migrenës
– probleme me varësinë ndaj alkoolit.

Burrat:
– diagnostikohen më herët
– përjetojnë episode më të rënda
– kanë çështje të abuzimit me substancat
– kanë më pak të ngjarë se gratë të kërkojnë kujdes mjekësor vetë
– kanë më shumë të ngjarë të kenë mendime vetëvrasjeje.

Llojet e çrregullimit bipolar
Bipolar 1: Përcaktohet nga paraqitja e të paktën një episodi maniak (maniak – person që vuan nga mania; që ka një dëshirë të çuditshme, të tepruar ose të vazhdueshme për të bërë diçka). Ky lloj i çrregullimit bipolar prek burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë.

Bipolar II: Njerëzit me këtë lloj të çrregullimit bipolar përjetojnë një episod depresiv që zgjat të paktën dy javë. Ata gjithashtu kanë të paktën një episod hipomanik që zgjat rreth katër ditë. Ky lloj i çrregullimit bipolar mendohet se është më i zakonshëm tek gratë.

Ciklotimia: Këta njerës kanë episodet e hipomanisë dhe depresionit. Këto simptoma janë më të shkurtra dhe më pak të rënda se mania dhe depresioni i shkaktuar nga çrregullimi bipolar I ose bipolar II.

Çrregullimi bipolar te fëmijët
Diagnostifikimi i çrregullimit bipolar te fëmijët është i diskutueshëm. Kjo kryesisht për shkak se fëmijët jo gjithmonë shfaqin të njëjtat simptoma si të rriturit. Gjendja dhe sjelljet e tyre mund të mos ndjekin standardet që mjekët përdorin për të diagnostikuar çrregullimin tek të rriturit.

Shumë simptoma të çrregullimit bipolar që shfaqen tek fëmijët gjithashtu mbivendosen me simptoma nga një sërë çrregullimesh të tjera që mund të ndodhin tek fëmijët, siç është çrregullimi i hiperaktivitetit dhe vëmendjes (ADHD).

Sidoqoftë, në dekadat e fundit, mjekë dhe profesionistë të shëndetit mendor kanë arritur të njohin gjendjen tek fëmijët. Ashtu si të rriturit, fëmijët me çrregullim bipolar përjetojnë episodet e ndryshimit ekstrem të humorit. Ndryshimet janë më ekstreme sesa ndryshimi tipik i humorit të një fëmije.

Simptomat e manisë te fëmijët:
– bëjnë sjellje të pakuptimta dhe ndihen të lumtur për to
– flasin shpejt dhe ndryshojnë shpejt tematikën e asaj për çfarë po flasin
– kanë vështirësi në përqendrim
– kanë shpërthime të çuditshme të zemërimit
– kanë probleme me gjumin
– nuk ndihen të lodhur edhe nëse kanë kohë pa fjetur.

Simptomat depresive te fëmijët:
– janë të trishtuar
– flenë shumë ose flenë shumë pak
– nuk kanë interes për lojëra dhe aktivitete normale për moshën e tyre
– ankohen se nuk ndihen mirë
– mendojnë për vdekjen ose ndoshta vetëvrasjen.

Çrregullimi bipolar te adoleshentët
Sjelljet shpeshherë konfliktuese nuk janë një gjë e re për prindërit e adoleshentëve. Ndryshimet e hormoneve, plus ndryshimet e jetës që vijnë me pubertetin, mund të bëjnë që edhe adoleshenti më i sjellshëm të shfaqë ndjenja zemërimi ndonjëherë. Sidoqoftë, disa ndryshime mund të jenë rezultat i një gjendje më serioze, siç është çrregullimi bipolar.

Simptomat e manisë te adoleshentët:
– janë shumë euforikë
– shfaqin sjellje të këqija
– marrin pjesë në aktivitete të rrezikshme
– abuzojnë me substancat narkotike
– mendojnë për seksin gjatë gjithë kohës
– përfshihen në aktivitete seksuale të rrezikshme
– kanë temperament shpërthyes
– kanë probleme me përqendrimin dhe shpërqendrohen shpejt.

Simptomat depresive te adoleshentët:
– flenë shumë ose nuk flenë fare
– hanë shumë ose hanë shumë pak
– ndihen të trishtuar
– tërhiqen nga ndërveprimi me familjen dhe miqtë
– mendojnë për vdekjen dhe/ose vetëvrasjen.

Shkaqet e çrregullimit bipolar
Çrregullimi bipolar është një çrregullim i zakonshëm i shëndetit mendor, por është pak mister për mjekët dhe studiuesit. Ende nuk është e qartë se çfarë i bën disa njerëz të zhvillojnë gjendjet e mësipërme. Shkaqe të mundshme janë:

Gjenetika: Nëse prindi ose motra ose motra juaj kanë çrregullim bipolar, keni më shumë të ngjarë të shfaqni simptomat e bipolaritetit. Sidoqoftë, është e rëndësishme të mbani në mend se shumica e njerëzve që kanë çrregullim bipolar në historinë e tyre familjare nuk e zhvillojnë atë.

Truri: Struktura e trurit mund të ndikojë në rrezikun për sëmundje. Anomalitë në strukturën ose funksionet e trurit mund të rrisin rrezikun.

Faktorët mjedisorë: Jo vetëm problematikat në tru mund t’i bëjnë njerëzit më të predispozuar për të shfaqur çrregullimin bipolar. Faktorët e jashtëm mund të kontribuojnë gjithashtu. Këtu përfshihen:

– stresi ekstrem
– përvojat traumatike
– sëmundjet fizike

A është çrregullimi bipolar i trashëgueshëm?
Bipolariteti mund të kalohet nga prindi tek fëmija. Hulumtimet kanë identifikuar një lidhje të fortë të gjenetikës. Nëse keni një të afërm me çrregullimin, shanset për ta zhvilluar atë janë katër deri në gjashtë herë më të larta se njerëzit pa histori familjare të gjendjes.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se të gjithë me të afërmit që kanë sëmundje do ta zhvillojnë atë. Përveç kësaj, jo të gjithë me çrregullim bipolar kanë një histori familjare të sëmundjes.

Diagnostikimi i çrregullimit bipolar
Një diagnozë e çrregullimit bipolar i përfshin ose një ose më shumë episode maniake, ose episode të përziera (maniake dhe depresive). Një diagnozë e bipolare II përfshin një ose më shumë episode të mëdha depresive dhe të paktën një episod të hipomanisë.

Për t’u diagnostikuar me një episod maniak, një individ duhet të përjetojë simptoma që zgjasin të paktën një javë ose që e bëjnë që të shtrohet në spital. Ai/ajo duhet të përjetojë simptoma pothuajse gjatë gjithë ditës çdo ditë gjatë kësaj kohe. Episodet kryesore depresive, nga ana tjetër, duhet të zgjasin së paku dy javë.

Çrregullimi bipolar mund të jetë i vështirë për t’u diagnostikuar sepse luhatjet e humorit mund të ndryshojnë. Nga ana tjetër, bipolariteti shpesh përkeqësohet nëse nuk trajtohet; episodet mund të ndodhin më shpesh ose të bëhen më ekstreme.

Testi i simptomave të çrregullimit bipolar
Një testim i vetëm nuk bën një diagnozë të çrregullimit bipolar, por duhen disa testime dhe prova, të cilat mund të përfshijnë:

Testimi fizik: Mjeku bën një testim të plotë fizik, nga analiza e gjakut dhe urinës e deri te specifikat e tjera, për të parë shkaqe të mundshme të simptomave.

Vlerësimi i shëndetit mendor: Mjeku/ja mund t’ju referojë të psikolog ose psikiatër. Këta janë mjekët që diagnostikojnë dhe trajtojnë kushte të veçanta të shëndetit mendor, siç është edhe çrregullimi bipolar, këshillon Anabel.

“Ditari i humorit”: Nëse një specialist dyshon se ndryshimet në sjellje janë rezultat i çrregullimit bipolar, mund t’u kërkojë individëve që të përcaktojnë gjendjen shpirtërore. Mënyra më e lehtë për ta bërë këtë është që të mbahet një ditar ku të shkruhet sa zgjasin ndenja të caktuara dhe si shfaqen ato. Po kështu mund të sugjerohet gjithashtu që të regjistrohen mënyrat e gjumit dhe të ngrënit.

Trajtimi i çrregullimit bipolar
Medikamente
– stabilizues të humorit
– anti-depresantë
– ilaçe kundër ankthit

Psikoterapia
– Terapia konjitive e sjelljes: Individi flet me një terapist për mënyrat për të menaxhuar çrregullimin bipolar.
– Psikoedukimi: Lloj këshillimi që i ndihmon njerëzit bipolarë që ta kuptojnë çrregullimin. Kjo i ndihmon ata që ta menaxhojnë.
– Terapia e ritmit ndërpersonal dhe shoqëror: Përqendrohet në rregullimin e zakoneve të përditshme, të tilla si gjumi, ngrënia dhe ushtrimet. Balancimi i këtyre bazave të përditshme mund të ndihmojë në menaxhimin e çrregullimit.
– Ndryshime të stilit të jetesës: Mbajtja e një rutine të caktuar, njohja e luhatjeve të humorit, bisedimi me një mik ose një specialist.

Të jetosh me çrregullimin bipolar
Çrregullimi bipolar është një sëmundje mendore kronike. Kjo do të thotë se këta njerëz përballen me këtë sëmundje gjatë gjithë jetës, mirëpo kjo nuk do të thotë që s’mund të jetojnë të lumtur dhe të shëndetshëm. Trajtimi mund t’i ndihmojë që ta mbajnë çrregullimin nën kontroll dhe ta menaxhojnë ata.

Nëse mendoni se jeni bipolarë, drejtohuni psikiatrit, psikologut a terapistit për ndihmë të specializuar./rd.al

Temat e fundit