Bimët që na shërojnë sëmundjet
Askujt si shkon ndër mend se bari mbi të cilin shkelin është një kurë e mirë popullore për veshkat, zemrën, mëlçinë apo stomakun. Apo se ferrat që rritet, diku përbri shtëpisë, po t,i ziesh, në shumë raste kthehen në receta çudibërëse, efekti i të cilave ndonjëherë ia kalon edhe barnave që blihen në farmaci. Kjo për bimët jeshile, të cilat nuk konsumohen nga njerëzit, por lista e bimëve popullore që përdoren për të kuruar sëmundje bëhet edhe më gjatë po t’i shtosh efektet që kanë rrënjët apo lëkura e arrava, bima e dafinës, që, veç të tjerave, i jep aq shumë shije edhe gjellëve të ndryshme apo borziloku, cikorja, gështenja, bliri e shumë të tjera si këto.
Mjekësia popullore tregon se me secilën prej bimëve jeshile, ose jo, të cilat rriten në tokën shqiptare, mund të kurohesh. Të gjitha kanë një specifikë të veçantë, shërojnë sëmundje të ndryshme dhe, mbi të gjitha, lulëzojnë në periudha të ndryshme të vitit. Gazeta “Tirana Obsever” përmbledh në një suplement të veçantë 35 bimë mjekësore, duke filluar që nga barishtet e deri tek emrat e njohur të frutave apo perimeve, rrënjët, gjethet dhe frytet e të cilave përdoren gjerësisht në Mjekësinë Popullore. Veç kësaj, suplementi, i cili është ndarë në dy pjesë, pjesa e parë e së cilës botohet sot, përcakton qartë edhe vendin se ku rriten këto bimë, cilat janë vetitë e tyre kuruese, si duhet ruajtur çaji që përgatitet si dhe procedurat e duhura për ta përdorur atë. Në listën e parë prej 35 bimë përfshihen angjinarja, arra, bari i majasëllit, bari i shpretkës, bliri, borziloku, bushi, çikorja, çaji i malit, dafina dëllinja e shumë të tjera si këto.
1-AGULIÇJA (Lulja dhe Rrënjët)
{Primulae Flos et Radix)
Bimët përbëhen nga lulet dhe rrënjët e thara të aguliçes ose të zgorofenës (Primula veris L, familja Primulacea), e cila është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme tek ne në kullota dhe livadhe subalpinë e alpine.
Aguliçja të gjitha gjethet pranë rrënjës i ka në formë vezake të zgjatur, lulet e mëdha të verdha, të renditura në ombrellë të thjeshtë; lulëzon prill-qershor.
VETITË:
Bimët përmbajnë kryesisht saponine dhe esencë, glukozide (primverinë dhe primulaverinë) etj. Në sajë të kësaj përmbajtjeje, bimët përdoren kundër të ftohurit, si nxitës të nxjerrjes së gëlbazës nga rrugët e frymëmarrjes, kundër enfizemës së mushkërive si dhe bronkiteve akute dhe kronike.
PËRGATITJA DHE PËRDORIMI:
Merret 1 lugë gjelle me bimë lule hidhen në një enë ku përvëlohen me një gotë ujë që zien; ena mbulohet me kapak, lihet 15-30 minuta; pastaj përmbajtja kullohet, dhe lëngu ëmbëlsohet sipas dëshirës dhe pihet i ngrohtë; merren 2-3 doza të tilla në ditë, kryesisht si mjet që lëngëzon dhe largon sekrecionet e bronkeve në bronkite e pneumoni, si dhe si mjet qetësues në pagjumësi, në shqetësime nervore, në dhembje koke, në të marrët e mendve si dhe në çrregullime të traktit trenës, në sëmundje të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Po për të njëjtat qëllime përdoret edhe bima rrënjë në formë çaji, i cili përgatitet si vijon:1 luge gjelle me bimë rrënje të grimcuara hidhet në një enë, ku shtohet 1 gotë me ujë ena mbulohet me kapak dhe përzierja zihet për 10 minuta,
lihet të ftohet dhe pastaj kullohet dhe lëngu ëmbëlsohet sipas dëshirës; pihen 3-4 lugë gjelle në ditë.
RUAJTJA: Në vende të thata dhe të ajrosura bimët ruajnë veprimin për 18 muaj.
2- AKJA (lule)
(Stoechados Flos, Helichrysi Krenari i Flos)
Akja është një bimë barishtore shumëvjeçare, e vendeve të thata dhe të zbuluara që rriten nga dielli (në Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Çajup, etj). Bima është me push të bardhë, rreth 40 cm e lartë, me gjethe të rrënjës vezake të përmbysura, me lule tubike të verdha me xhufkë, kurse koka është e mbështjellë me membranë të verdhë si ngjyra e limonit. Ajo lulëzon në qershor-shtator.
VETITE:
Lulet e akes përmbajnë heterozide flavonike, karoten, vitaminë C,
derivatin kumarinik herniarinë, pigmentin kinonik helikrisinë, fitoncide, substanca të hidhura e tanike, pak esencë etj.
Ato kanë veti bakteiostatike, të cilat nxisin prodhimin e tëmthit, urinimin, veti spazmolitike etj. Ato rekomandohen për të shtuar rrjedhjen e tëmthit dhe për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit; lulet e akes përdoren gjithashtu në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes dhe për të nxitur urinimin etj. Kjo bimë e kombinuar edhe me pelin e me bishta-mith, bëhet më e efektshme për prodhimin në sëmundjet kundër tëmthit.
PERGATITJA DHE PERDORIMI:
Një lugë kafeje nga kjo bimë hidhet në një enë ku shtohet një gotë ujë që valon; ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Përmbajtja kullohet; pihen 1 deri 3 doza të tilla në ditë para buke për 10 ditë radhazi.
RUAJTJA:
Në vende të thata kjo bimë ruan veprimin për 18 muaj.
3- ANASONI (fryte)
(Anisi Fructus)
Bima përbëhet prej fryteve të thara të anasonit (Pimpi-nella anisum L, fam. Umbelliferae), i cili është bimë njëvjeçare që kultivohet tek ne.
VETITË:
Frytet e anasonit përmbajnë kryesisht esencë (1,5-6%) të pasur me atenol (90%), estragol etj. Ato janë shumë të efektshme kundër ngërçeve të muskujve të lëmuar (të stomakut, zorrëve, etj);
ndihmojnë në largimin e gazeve nga zorrët (karminative) dhe nxisin prodhimin e lëngjeve nga të gjitha gjëndrat, përfshi edhe ato të qumështit. Meqenëse esenca e anasonit jashtëqitet nga organizmi pjesërisht edhe nëpërmjet frymëmarrjes, bima ndikon edhe në pastrimin e gëlbazave nga rrugët e frymëmarrjes.
Për këto veti anasoni përdoret në çrregullimet e stomakut dhe të zorrëve, në mënjanimin e gazeve nga zorrët, kundër kollës dhe pezmatimeve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Në mënyrë të veçantë përdoret te fëmijët. Anasoni këshillohet të përdoret edhe nga gratë me fëmijë në gji, meqenëse ndikon në rritjen e sasisë së qumështit.
PËRGATITJA DHE PËRDORIMI:
Merren 4 lugë kafeje fryte anasoni të copëtuara hidhen në enë ku shtohet një filxhan çaji me ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15-20 minuta. Pastaj përmbajtja kullohet dhe lëngu pihet në 3 doza gjatë ditës. Frytet e anasonit mund të përdoren edhe në formë pluhuri, duke marrë 3 here në ditë nga 1 g bimë.
RUAJTJA:
Në enë të mbyllura mirë, në vende të freskëta dhe të thata, bima ruan veprimin për 18 muaj.
4- ANGJINARJA (gjethe)
(Cynarae Folium)
Bima përbëhet nga gjethet e thara të angjinares (Cynara scolinus L. familja Compositae),e cila është bimë barishtore shumëvjeçare me kaptina të mëdha të vetmuara me luspa të pështjelljes pa gjemba ose të jashtmet me gjemba të shkurtër, me lule tubike blu;
bima i ka gjethet nga ana e poshtme si të bardha, të çara pendore, me segmente heshtore. Angjinarja kultivohet si perime.
VETITË:
Në sajë të cinarinës, glukozideve A dhe B, substancave flavonike në ndryshme etj, gjethet e angjinares përdoren kryesisht në sëundjet e mëlçisë dhe të veshkave. Bima nxit prodhimin e tëmthit dhe zbrazjen e tij dhe përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, vepron në metabolizimin e kolesterinës dhe të urisë dhe nxit urinimin (jashtëqitjen e ujit, klorureve dhe urisë), duke ndihmuar, kështu, në veprimtarinë e veshkave dhe duke lehtësuar urtikariet e të krojturit. Këshillohet në sëmundjet që shoqërohen me rritjen e përqindjes së kolesterinës në gjak dhe veçanërisht në aterosklerozë, ku duhet kombinuar dhe me vitaminë P. Në sajë të disa oksidazave që përmban, ul sasinë e sheqerit në gjak dhe jep rezultate të mira në disa forma të diabetit. Rezultate të mira jep edhe në albuminurinë kronike etj, në të cilat vihet re një përmirësim i shfaqjeve albuminurike dhe edematoze.
PËRGATITJA DHE PËRDORIMI:
Në fillim të kurës përdoret 1 lugë gjelle (më vonë dy luge gjelle) me bimë të grimcuar, e cila zihet 20 deri 30 minuta në një enë që përmban një gotë me ujë. Përmbajtja kullohet;
merren 3 doza të tilla në ditë.
Kura zgjat rreth 1 muaj, pastaj ndërpritet për 1 muaj dhe rifillohet në rast nevoje.
RUAJTJA:
Në vende të thata bimë ruan veprimin për 18 muaj.
5- ARRA (Gjethe)
(Juglandis Folium)
Bima përbëhet nga gjethet e thara të arrës (Juglans regia familja Juglandacea), e cila kultivohet edhe tek ne; ajo ndeshet edhe në gjendje në egër, sidomos në luginat e Alpeve tona të Veriut, në Martanesh, Librazhd, etj.
VETITË:
Në sajë të tanineve (nucitanineve), alkaloidet juglandinë,
juglonit, vitaminës C, substancave antibakteriale etj, gjethet e arrës kanë veprime të shumta, si rrudhës, antileukoreik, hipoglicemizues etj. Kështu, p.sh., bima ka veti të shtojë sekretimin e lëngut të stomakut dhe, për pasojë,
të përmirësojë oreksin, të rrudhë mukozat e lëkurës, të ngushtojë arteret etj, rekomandohet në trajtimin e dispepsive dhe të acarimeve në aparatit tretës, në hemorragji etj. Çaji i gjetheve të arrës ndihmon, në formë lavazhi, në mjekimin e acarimit të rrugëve gjenitale, të morthit, ekzemës etj.
PËRGATITJA DHE PËRDORIMI:
Merret lugë kafeje me bimë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet gjysëm gotë me ujë që zien, lihet 15 minuta në qetësi,
pastaj përmbajtja kullohet dhe lëngu pihet gjatë ditës. Përdoren 3 doza të tilla në ditë. Në sëmundje të lëkurës,
në plagë me procese qelbëzimi, këshillohet aplikimi i banjave me çaj që fitohet duke zier 8-10 g gjethe në 100 g ujë.
Banjat këshillohen edhe për të pakësuar djersitjen e këmbëve.
Shënim:
Arrës i përdoren edhe lëvozhgat jeshile të thara, të cilat përmbajnë taninë, juglon etj; në sajë të vetive antiseptike dhe keratinizuese ato shfrytëzohen në dermatoza të ndryshme.
Çaji i përgatitur duke zier 20 g lëvozhga në 1 litër ujë dhe i pirë në dozën 2-3 gota në ditë pas ngrenies jep rezultate të mira në anemi.
RUAJTJA:
Në vende të freskëta dhe të thata bima ruan veprimin për 18 muaj.
6- ARRSI (bar)
(Teucrii chamaedrys Herba)
Bima përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e arrsit (Teucrium chamaedrys L, familja Labiatae), i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, nëpër vende të thata me bar,
në pyje, kudo e zakonshme. Arrsi i ka gjethet rombikovezake,
me buzë si të sharrës (ato rrëzë lulesave të plota), të gjelbra në të dyja faqet, më të shkurtra se lulet; kupa e lules zakonisht e kuqe e murrët, ndërsa kurora e purpurt ose trëndafili; lulëzon në maj-korrik.
VETITË:
Në sajë të substancave tanike e të hidhura, në esencës,
saponineve, kolinës etj, bima shton oreksin në çrregullimet e stomakut, sekretimin e urinës, nxit prodhimin e tëmthit në mëlçi dhe shëron plagë.
PËRGATITJA E PËRDORIMI:
Merren 2-3 lugë gjelle me bimë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë që valon; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë 1/2 orë, pastaj lëngu kullohet dhe pihet 3-4 herë në ditë nga 1 filxhan kafeje, para buke.
RUAJTJA: Në vende të thata bima ruan veprimin për 2 vjet.
7- BARGJAKU (bar)
Salicariae Herba)
Bima përbëhet prej majash të lulëzuara, të thata të bar-gjakut (Lythrum salicaria L. familja Lythiacea), i cili është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme tek ne në zonat fushore buzë vijave me ujë. Bima ka kërcell katër qoshesh, me gjethe heshtorë, si zemër në bazë, me lule rozë të kuqe,
në kallinj të gjatë skajorë: lulëzon qershor-tetor.
VETITË:
Bima ka veti të ndryshme, në sajë të substancave që përmban. Kështu, p.sh, në saje të tanineve dhe të esencës, bima jep rezultate të mira në diarre që shoqërohen me një humbje të tonusit (të shtërngimit) të zorrëve, kurse në saje të mucilagjeve ka edhe veti qetësuese. Është provuar se, në saje të salikarinës (hetero-zid), bima ka edhe veti që të ndalojë rrjedhjen e gjakut (hemorragjinë), të rrudhë brenda një kohe të shkurtër mukozën e zorrëve, si dhe veti specifike të dizanterinë bacilare. Bima ka edhe veti të lehta antibiotike; veç rasteve të përshkruara më lart, rekomandohet edhe në gastroenterit, në tifo dhe në dizanteri.
PËRGATITJA E PËRDORIMI:
30 ose 40 g bimë e grimcuar hidhen në një enë të zinguar ku përvëlohen me 1 litër ujë që zien; ena mbulohet me kapak dhe lihet pëer 15 minuta sa të ftohet, pastaj çaji kullohet nëpërmjet një nape. Pihen 300 deri 500 g çaj në ditë.
RUAJTJA:
Në vende të thata ruan veprimin për 2 vjet
8- BAR MAJASELLI
(Teucrii polii Herba)
Bima nxirret nga pjasa mbitokësore e lulëzuar e tharë e barit të majasellit (Teucrium polium L, familja Labiatae), i cili është bimë barishtore shumëvjeccare, që rritet nëpër toka të thata kudo e zakonshme në vendin tonë. Gjethet e bimës, në gjysmën e tyre të sipërme, i kanë buzë me ura, mëshpesh me push ngjyrë gri në të dyja anët, kërcejt të krrusur që shkojnë përpjetë; kupa është me push, kurorëza zakonisht e bardhë, e verdhë ose e purpur; lulëzon maj-shtator.
VETITË:
Bari i majasellit, në sajë të tanineve, esencës etj, rekomandohet në mjekimin e majasellit dhe të kolitit.
PËRGATITJA E PËRDORIMI:
Merren rreth 3 tufa (ose 45 g) bar majaselli, zihen në 1 kg ujë për l.5 orë, lëngu kullohet dhe prej tij pihen 3 filxhanë në ditë; kura vazhdon rreth 7 deri 20 ditë për majasellin dhe rreth 20-30 ditë për kolitin.
RUAJTJA:
Në vende të thata bima ruan veprimin për 2 vjet.
9- BARI I SHPRETKËS (bar)
(Verbenae Herba)
Bima përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e barit të shpretkës, ose e sporisit mjekësor, ose e përvashenit (Varbena, officinalis h, familja Verbenacea), i cili është bimë barishtore njëvjeccare, e zakonshme në vende barishtore, djerishte e buzë kanale të zonave të ulëta të vendit tonë.
Bima është arrin rreth 70 cm lartësi: ka kërcell katërkëndësh,
të degëzuar në pjesën e sipërme: gjethet të dhëmbëzuara, të kundërtuara, të plota ose pendore të ccara; lulet pa bishta, të vogla me ngjyrë rozë në blu, të renditura në lulesë kalliri; lulëzon nga prnvera në vjeshtë.
VETITE:
Bima përmban glukozidin verbenalinë dhe verbeninë, si dhe fermentet emulsitë dhe invertitë, substanca të hidhura dhe tanike, mucilagje, esncë, alkaloide etj.
Bima ka veti të ngacmojë muskulaturën e lëmuar dhe është pak helmuese. Është provuar se glukozidi verbeninë në doza të zakonshme shkakton lëngëzimin e përkohshëm të gëlbazës,
kurse në doza të larta mund të shkaktojë paralizën e sistemit nervor qendror. Në sajë të vetive të përshkruara, bari i shpretkës përdoret si mjet fuqizues dhe si ekspektorant. Bima këhillohet edhe kundër gurëve të mëlccisë së zezë e të veshkave,
artritit, nevralgjisë, reumatizmit, shiatikut dhe zmadhimit të shpretkës.
PËRGATITJA E PËRDORIMI:
Merren 3-4 lugë gjelle me bimë të grimcuar hidhen në një enë,
ku përvëlohen me gjysmë litre ujë që zien; ena mbulohet me kapak, lihet gjysmë ore, pastaj lëngu kullohet; pihen 3 filxhanë kafeje në ditë. (Ky ccaj mund të përdoret për gargarë në mahisjet e gojës, të bajameve si dhe për shpëlarjen e plagëve të ndryshme).
Kundër zmadhimit të shpretkës dhe dhembjeve nga reumatizmi këshillohet përdorimi i llapave që përgatiten si vijon:
në një enë hidhet një grusht me bar të freskët të grimcuar në forme qulli; aty shtohet pak uthull dhe përmbajtja përzihet duke e ngrohur lehtë deri sa uthulla të avullohet; masa që ngelet mbështillet në një copë leckë dhe vihet e ngrohtë në vendin e dhembjes.
RUAJTJA:
Në vende të thata bima ruan veprimin për 2 vjet
Shkruar nga Blerina Kaca, Elberta Spaho TiranaObserver