Postim i ri

×

Postim i ri

Emri:
Email:

Verifikimi:
Flamuri yne ka ngjyre?:

Permbledhje

Postuar nga: Alban
« ne: 23-03-2021, 11:11:11 »

 

Popullsia e Shqipërisë rezulton më prekje të lartë nga diabeti në raport me vendet e tjera të Europës dhe Rajonit. Përhapja e diabetit ekspozon të prekurit nga fatalitetet si edhe në rastin e pandemisë Covid-19. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) publikoi së fundmi studimin “Një vështrim për shëndetin në Europë”, në të cilin raportoi se 9 % e të rriturve në Shqipëri janë me diabet. Nivele më të larta të diabetit kishte Turqia, Gjermania, Portugalia dhe Maqedonia e Veriut.

Diabeti është sëmundje kronike që ndodh kur trupi nuk është në gjendje të rregullojë nivelet e tepërta të glukozës. Nëse lihet i padiagnostikuar ose nën kontroll të dobët mund të rezultojë në komplikime serioze, duke përfshirë verbimin, daljen jashtë funksionit të veshkave dhe gjymtimin e këmbëve. Diabeti rrit rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare dhe njerëzit me diabet gjithashtu kanë një rrezik më të madh të sëmuren rëndë nëse infektohen nga virusi COVID-19.

Rreth 32.3 milion të rritur u diagnostikuan me diabet në Bashkimin Evropian në 2019, nga rreth 16.8 milion në 2000. Një shtesë prej 24.2 milion njerëz në Evropë u vlerësua se kishin diabet, por ishin të padiagnostikuar në 2019. Ekspertët e shëndetit në vendin tonë pohojnë se diabeti është i nëndiagnostikuar në Shqipëri dhe se nivelet e tij janë shumë më të larta se, se raportimet zyrtare.

OECD raporton se numri i meshkujve me diabet të diagnostikuar është rritur me shpejtësi që nga viti 2000 në të gjithë Europën. Nga 7.3 milion të prekur në vitin 2000 ato arritën në 16.7 milion në 2019.

Numri i grave me diabet është rritur gjithashtu dukshëm, duke arritur në 15.6 milionë në vitin 2019 në krahasim me 9.5 milion në vitin 2000. Burrat janë më të prirur për të zhvilluar diabet për shkak të faktorëve biologjikë.

Diabeti është më i përhapur tek të moshuarit, pasi 19.3 milion njerëz të moshës 60-79 vjeç raportohen se kanë diabet në të gjithë vendet e BE, krahasuar me 11.3 milion njerëz të moshës 40-59 dhe vetëm 1.7 milion të moshës 20-39. Këto tendenca rritëse janë pjesërisht për shkak të rritjes së mbipeshës dhe pasivitetit fizik dhe plakjes e popullsisë./Monitor
Postuar nga: M A X
« ne: 26-01-2020, 14:52:24 »

Diabeti është një sëmundje që ndikon në mënyrën se si trupi juaj përdor glukozën ose sheqerin në gjak

Mund ta keni dëgjuar edhe më parë që diabeti mund të menaxhohet përmes një diete të shëndetshme dhe duke bërë aktivitet fizik rregullisht.

Përveç këtyre që përmendëm, ekzistojnë edhe bimë e erëza të ndryshme që ndihmojnë nëse jeni një pacient me diabet ose keni gjasa ta zhvilloni këtë sëmundje.

Kanella
Studime të shumta kanë treguar që kanella është në gjendje të ulë nivelin e sheqerit në gjak. Ajo gjithashtu ndikon edhe në uljen e niveleve të kolesterolit të keq, çka është shumë pozitive pasi diabetikët janë të riskuar të zhvillojnë edhe sëmundje të zemrës.

Kanella mund të përdoret në menaxhimin e diabetit duke e marrë në formë çaji ose duke spërkatur pluhurin e saj në ushqime.

Xhenxhefili
Përveçse trajton problemet me tretjen, xhenxhefili është shumë i dobishëm në kontrollin e diabetit. Gjithashtu kjo bimë ndihmon edhe në problemet e lidhura me diabetin duke reduktuar inflamacionin dhe stresin oksdiativ.

Xhenxhefili duhet konsumuar në formë çaji (2-3 filxhanë në ditë) për të menaxhuar diabetin.

Shafrani i Indisë
Përveç çajit me xhinxher, çaji me shafran Indie mund të pihet dy deri tre herë në ditë nga ata që vuajnë nga diabeti. Kjo erëz me ngjyrë të verdhë të fortë ndihmon për të rregulluar nivelet e sheqerit dhe ofron veti antioksidante dhe anti-inflamatore.

Pluhuri i shafranit të Indisë mund të transformohet lehtësisht në çaj ose të shtohet në gatime të ndryshme.

Hudhra
Asnjë kuzhinë nuk është e kompletuar pa hudhrën. Në të njëjtën mënyrë, asnjë dietë për diabet nuk është efikase pa këtë bimë. Ajo ka aftësi të mëdha të luftojë dëmet oksidative.
Gjithashtu hudhra është në gjendje të parandalojë problemet kardiake ndaj të cilave diabetikët janë në risk të lartë.

Karafili
Kokrrat e karafilit janë shumë të fuqishme për të mbajtur nën kontroll inflamacionin.
Megjithatë, jo gjithmonë kokrrat e karafilit përdoren për të menaxhuar diabetin, por që duhet të përdoren pasi janë të shkëlqyera për të kontrolluar nivelet e glukozës në gjak.

Rigoni
I njohur si ilaç për probleme të ndryshme të traktit respirator, rigoni ka shumë benefite edhe për personat e diagnostikuar me diabet.

Ai sitmulon prodhimin e insulinës, një hormon i lëshuar nga pankreasi për transportin e sheqerit nga gjaku në qeliza.

Rozmarina
Ashtu si rigoni, rozmarina është një bimë në gjendje të kontrollojë glukozën në gjak duke lehtësuar prodhimin e insulinës.

E mira e rozmarinës është që mund të shtohet në shumë lloj pjatash. Ata me diabet mund t’i shfrytëzojnë vetitë e rozmarinës edhe duke e pirë në formë çaji.
Postuar nga: M A X
« ne: 06-10-2019, 21:47:55 »


 

Krahas shijes së tyre të athët, të ëmbël, thanat janë ndër frutat më të veçantë medicinalë me përdorim të gjerë në mjekësinë popullore.

Falë vlerave të tyre fantastike për shëndetin, thanat përdoren në shumë kura të ndryshme për shërimin dhe trajtimin e disa sëmundjeve, prej të cilave edhe problemet me diabetin.

Thana gjithashtu shërben si një produkt bazë për të mbajtur të stabilizuar nivelin e sheqerit në mënyrë natyrale.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë dy mënyra efektive të përdorimit të thanave për të parandaluar problemet me diabetin.

Kura me 15 kokrra të freskëta thana:
Thanat kanë sezon të shkurtër ndaj përfitoni sa më shumë prej tyre.

Për një periudhë 30 ditore apo edhe më shumë rekomandohet konsumimi i të paktën 15 kokrra thanave pas vaktit të mëngjesit.

Kura me Lëngun e Thanave:
Për këtë kurë do t’ju duhet 1 kg thana dhe 2.5 litra ujë. (Sasia e përbërësve rritet bazuar në sasinë e lëngut që dëshironi të përgatisni)

Lajini thanat dhe vendosini në një tenxhere bashkë me ujin.

AgroWeb.org ju udhëzon t’i lini të ziejnë përreth 1 orë. Më pas fikni sobën, përmes një luge druri  shtypni frutat e thanës dhe lërini me kapak të mbyllur derisa të ftohen.

Më pas, kulloni lëngun e thanave, vendoseni në shishe apo kavanoz qelqi të pastruar mirë, dhe ruajeni në frigorifer.

Konsumoni nga një filxhan kafeje me lëng thane herët në mëngjes çdo ditë për një periudhë 30-ditore.

Përdorime të tjera mjekësore të thanës:
Fruti i thanës është përdorur për të ulur temperaturën dhe për të luftuar disa çrregullime të zorrëve.

Thartësia karakteristike e këtij fruti e bën atë mjaft të dobishëm në luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare.

Thanat janë përdorur edhe për t’u kuruar nga diarrea.

Thanat mund t’i ruani në frigorifer për disa ditë, për sa kohë i paketoni në një qese të izoluar mirë. Ato jetojnë më gjatë në formën e tyre të thatë./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine
Postuar nga: M A X
« ne: 14-05-2019, 18:36:13 »

Cilët fruta duhet të konsumoni nëse vuani nga diabeti?
Nuk ha kurrë fruta sepse kanë shumë sheqer! E dëgjon shpesh këtë frazë nga njerëzit. Edhe pse frutat përmbajnë sheqerna natyrale, ata janë të pasur edhe me vitamina, minerale dhe fibra, që i sigurojnë trupit një sërë përfitimesh shëndetësore. Për më tepër, jo të gjitha frutat kanë të njëjtën përmbajtje në sheqer: disa kanë më shumë sheqer, disa të tjerë kanë më shumë fibra, që ulin indeksin glicemikë (ndikimi i sheqerit në nivelet e glukozës në gjak). Kështu frutat janë më të mira se ushqimet e përpunuara ose ëmbëltuesit artificialë. Nëse vuani nga diabeti, ja cilat janë frutat që duhet t’i bëni pjesë të dietës:

Frutat që duhet t’i hani më shpesh:

Frutat e pyllit: Të gjitha llojet e frutave të pyllit kanë indeks të ulët glicemik, që do të thotë se kanë më pak ndikim në nivelet e sheqerit në gjak se çdo lloj fruti tjetër. Frutat e pyllit janë të pasur gjithashtu në vitamina dhe antioksidues. Shtoni fruta pylli në kos, bollgur ose përgatisni një lëng duke i përzier me fruta të tjerë.

Frutat qitro

Frutat si grejpfruti ose portokalli janë të pasur në fibra, që ndihmojnë në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak. Ata janë të pasur gjithashtu në vitaminë C, që ndihmon për forcimin e sistemit imunitar.

Dardha: Një dardhë e masës mesatare siguron 6 gramë fibra – rreth 24% të sasisë së rekomanduar për gratë nën 50 vjeç.

Molla – Molla gjithashtu është e pasur në fibra dhe proteina. Ky frut njihet edhe për shumimin e bakterit të mirë në zorrë.

Frutat me bërthamë – Frutat si nektarina, kumbullat dhe pjeshkat kanë zakonisht indeks më të ulët glicemikë kur konsumohen të freskëta. Përpiquni të kufizoni versionet e thara.

Rrushi: Shumë njerëz mendojnë se duhet të shmangin rrushin sepse përmban shumë sheqer. Në fakt rrushi është një burim i mirë i fibrave dhe vitaminës B6.

Frutat që duhet t’i hani jo shumë shpesh

Siç mund të shihni në listën e mësipërme, ka një sërë frutash që mund të konsumoni pa u shqetësuar për nivelet e sheqerit. Ka gjithashtu edhe disa fruta të tjerë që mund të keni indeks të lartë glicemikë, megjithatë sërish përmbajnë një sërë lëndësh ushqyese të rëndësishme për trupin. Disa nga këto fruta janë:

Banania
Ananasi
Mango
Frutat e thara
https://shendeti.com.al/cilet-fruta-duhet-te-konsumoni-nese-vuani-nga-diabeti/
Postuar nga: M A X
« ne: 31-01-2012, 23:48:50 »

Diabeti, 366 milionë të prekur në botë

Janë 366 milionë personat e prekur nga diabeti në mbarë botën në vitin 2011, por sipas parashikimeve, shifra do të arrijë pikun prej 552 milionë në vitin 2030.

Kështu shkruajnë revistat mjekësore, sipas të cilave në vitet e ardhshme do të kemi një “epidemi” globale që do të përfshijë në masë të gjerë edhe të rinjtë.

Sipas burimeve, nga kjo kategori do të jenë kryesisht ata nën moshën 14 vjec, që janë prekur nga diabeti rinor i tipit “1” dhe që aktualisht janë mbi 480 mijë. /top channel
Postuar nga: M A X
« ne: 15-11-2011, 11:01:59 »

Diabeti është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë është një nga shkaktarët kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, jep verbim, sëmundje të veshkave, infeksione urinare, amputime të këmbëve, etj.

Mjekët në ditën botërore të diabetit apelojnë për kontrolle dhe marrjen e sa më shumë informacioni në lidhje me rreziqet e kësaj sëmundjeje dhe mbajtjen nën kontroll.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen 200 milion diabetikë dhe në vitn 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë,apo 6,3 % e popullsisë së botës. Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rritet me 50%.

Ndërsa në Shqipëri personat e precut janë në moshë të madhe 1.25%, që do të thote se kemi afërsisht 40 mijë diabetike të njohur Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjec që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç.

Nga diabeti mund të preket çdo njeri. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës, moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndeteshme, tensioni i lartë i gjakut, konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri,gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme,personat që bëjnë infeksione të shpeshta,gratë me mykoza të vazhdueshme gjenitale ,etj.

Shenjat e tij janë etje e shtuar, urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqëndrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen,infeksione të ndryshme.

Për parandalimin e tij duhet të kemi parasysh disa këshilla si kontrollet e rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar, ndërsa të tjerë 1 herë në 3 vjet. Kontrolloni rregullisht tensionin e gjakut, mbani peshën nën kontroll, bëni aktivitet fizik 30 min të paktën në 5 ditë të javës, pakësoni yndyrnat në ushqim, sidomos ato shtazore, përdorni ushqime të pasura me fibra si fruta,zarzavate, etj, këshillojnë mjekët. Sipas tyre, diabeti duke qenë sëmundje kronike nuk shërohet, por kurohet.
(el.me/atshBalkanWeb)
Postuar nga: M A X
« ne: 04-10-2011, 10:01:53 »

Kërkimet gjenetike kanë vërtetuar dyshimin se trupi i meshkujve preket më shumë se ai i femrave nga diabeti i zhvilluar gjatë jetës, bëri të ditur sot një grup kërkuesish nga Universiteti i Gllasgout, Skoci.

Ndryshimi shkaktohet nga mënyra se si secili trup depoziton dhjamin në organizëm, me femrat që shëndoshen më shumë në vidhe e ije dhe meshkujt që shtojnë në zonën rreth stomakut dhe mëlçisë, ku krijohet edhe çrregullimi që shkakton diabetin.

Ndërsa ishte i njohur fakti se meshkujt janë më të predispozuar për t’u prekur nga diabeti jo i trashëguar, grupi i kërkuesve provoi se shtimi i dhjamit në këto zona sensitive dhe rreth muskujve të kësaj zone të trupit, është një prej arsyeve primare që shkaktojnë diabetin.

Midis 100 të prekurve nga diabeti i zhvilluar gjatë jetës, mesatarisht numërohen 60 meshkuj. /top channel
Postuar nga: M A X
« ne: 24-09-2011, 00:12:51 »

Zbulim gjenetik për të pakësuar diabetin 2

Një zbulim gjenetik në Australi i hapë rrugën terapive të reja për të mposhtur diabetin e tipit 2.

Shkencëtarët e Institutit Garvan të Sydney kanë zbuluar se si geni Id1 reagon ndaj dietave me përmbajtje të lartë yndyrnash duke ndërprerë prodhimin e insulinës në pankreas, gjë që shkakton diabetin.

Kërkimi lehtëson krijimin e medikamenteve që do të luftojnë këtë sëmundje.

Diabeti i tipit 2, për të cilin nuk ekziston kurë, shkaktohet nga faktorë si gjenetikë, ashtu edhe ambjentalë, si mbipesha, dieta e keqe, aktiviteti i ulët fizik dhe stresi. /Top channel
Postuar nga: valbuna
« ne: 27-02-2011, 20:29:57 »

jam 20vjeqare jom e semur nga diabeti tip1 qe 4 muaj dhe  kam degjuar se me barera bimore  mund ta largosh sheqerin ne gjak  jo krejt po mund te dalesh nga insolina a mun te jet  e vetret  kjo 
Postuar nga: Berni
« ne: 24-04-2008, 10:36:42 »

Diabeti, sëmundja aspak e ëmbël

Sipas statistikave, numri i të prekurve sa vjen e po rritet


Numri i të sëmurëve që vuajnë nga kjo anomali rritet çdo ditë e më shumë dhe mendojmë se fajin kryesor e ka obeziteti. Në fakt, kohët e fundit shkencëtarët kanë zbuluar shkaqe të tjera, siç janë ndotja e ambientit, abuzimi me ilaçet dhe infeksionet

Numri i diabetikëve është aq i madh, sa kjo anomali nuk mund të shkaktohet vetëm nga mbipesha. Shkaktarët e kësaj sëmundjeje po rriten me aq shpejtësi, sa që shkencëtarët janë vënë në lëvizje për një ekzaminim më të hollësishëm. Gjithmonë doktorët i kemi dëgjuar të thonë se "diabeti është një e keqe bashkëkohore". Megjithatë, te kjo sëmundje ndikojnë më shumë faktorë se një ushqim jo i shëndetshëm. Kërkimet e reja tregojnë se kanë dalë në dritë edhe fajtorë të tjerë vrasës, siç janë ndotja e ambientit, pirja e pakontrolluar e ilaçeve dhe infeksionet e ndryshme. Pra, të gjithë këta elementë të jetës moderne, të mbledhur së bashku, mund të shpjegojnë më së miri rritjen marramendëse të të sëmurëve me diabet, që është regjistruar kudo në këto dhjetë vitet e fundit. Në disa vende të botës, përqindja e diabetit të tipit 2 është dyfishuar, pra është rritur më shumë se ajo e tipit 1 (ose trefishuar, si në rastin e Rusisë), duke rritur kështu nga viti në vit numrin e të prekurve nga kjo anomali. Në Itali tipi i diabetit 1 godet 0,2 për qind të popullsisë, ndërsa diabeti i tipit 2 godet rreth 5 për qind, me karakteristika të cilat rriten sipas moshës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 1985 të sëmurët në të gjithë botën ishin 30 milionë, në vitin 1995 ishin 135 milionë, në 2001-shin rreth 177 milionë, ndërsa në 2030-ën do të jenë plot 370 milionë. Për shkak të kësaj sëmundjeje, çdo vit vdesin katër milionë persona. Shumë apo jo?

Kjo është edhe një nga arsyet që teoritë e vjetra nuk mjaftojnë më. "Që diabeti ishte një sëmundje shumëfaktoriale këtë e dinim. Ajo që nuk kishim kuptuar ende ishte rëndësia e vërtetë e përbërësve të jashtëm ndaj organizmit. Tashmë duket qartë se ka diçka në stilin e jetës moderne, e cila nuk është përfshirë mjaftueshëm apo që është injoruar, sepse vetëm një faktor i jashtëm mund të ushtrojë veprime kaq domethënëse në një kohë kaq të limituar", shpjegon një doktor i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike.

Shumë mjekë po i japin rëndësi këtij faktori X, edhe pse gjenetika nuk ka dhënë përgjigje të sakta deri më tani. Për shembull, në javët e fundit, dy studime të ndryshme (publikuar në dy revista shkencore), kanë përshkruar përkatësisht 6 dhe 11 variante gjenesh të përfshira në llojin e diabetit 2, që do t‘u bashkëngjiten gjeneve të njohura për të dyja llojet e diabetit. "Në diabetin e tipit 1, prania e gjeneve specifike dhe një lloj afërsie mund të krijojnë një kambanë alarmi dhe t‘i shtyjnë mjekët të kryejnë kontrolle më të hollësishme, gjëra të cilat zakonisht nuk mjaftojnë për të shkaktuar sëmundjen. Në tipin 2, gjenet kanë një ndikim më të vogël, pra janë më shumë të varura nga stili i jetesës për aktivizimin e tyre. Me fjalë të tjera, edhe pse kanë një rol të rëndësishëm, gjenet të vetme nuk mund të shpjegojnë rritjen e sëmundjes, pasi nuk mund të jenë modifikuar kështu në pak vjet sa hap e mbyll sytë në të gjithë popullsinë e botës. Duhet të jetë medoemos diçka tjetër dhe në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse një faktor i jashtëm", shpjegon ai.

Por nëse shkaktare nuk janë gjenet, atëherë për çfarë bëhet fjalë? Kush kujdeset çdo ditë për mirëqenien e pankreasit? Kërkimet janë drejtuar nga jeta moderne, ku në fokus janë vënë helmuesit kimikë dhe fizikë. Në një studim të publikuar kohët e fundit në "Diabetes Care", një grup diabetologësh ndërkombëtarë kanë treguar gjendjen shëndetësore të 800 pacientëve të tyre. Përfundimi: sa më shumë të rritet përqendrimi i ndotjes, aq më shumë rritet rreziku i zhvillimit të diabetit të tipit 2 dhe sindromat ndërlidhëse, ajo metabolike dhe ajo e rezistencës ndaj insulinës. Më të rrezikuar janë njerëzit e dobët, sepse kanë përqendrim të lartë të substancave helmuese, sikurse ndodh edhe me yndyrat, të cilat te këta njerëz janë me pakicë. Edhe në vitet e kaluara, studime të ndryshme kanë treguar se lëndët helmuese mund të shkatërrojnë metabolizmin e yndyrave dhe të sheqernave.

Përveç faktorëve të ambientit, kohët e fundit është zbuluar se qelizat Beta mund të kërcënohen gjithashtu edhe nga përdorimi i ilaçeve, sidomos i antidepresivëve. Këtë e ka konfirmuar një studim i publikuar në "Diabetes Research & Clinical Practice", në të cilën një diabetolog amerikan ka vërejtur se pas pirjes së vazhdueshme të antidepresivit "Prosac", te përdoruesit rreziku i diabetit të tipit 2 është rritur 30%, në krahasim me ilaçet e tjera. Më pas, nëse pihen një sërë antidepresivësh së bashku, rreziku dyfishohet.

Shenjat duken se mbështeten mbi agjentët e tipit fizik ose kimik, edhe pse nuk shfaqen raste infektive, ashtu siç është sugjeruar nga një studim i rëndësishëm, i cili tregonte praninë e virusit "Coxsackie B4" në pankreasin e të sëmurëve me diabetin e tipit 1.

"Po krijojmë një rrjet evropian, i cili të mund të punojë për faktorët e jashtëm. Por për të përballuar tematika kaq të ndërlikuara, instrumentet që kemi në dispozicion, si moderne ashtu dhe teknologjike, nuk mjaftojnë. Ka ardhur momenti të mos mendojmë më për faktorët helmues, që janë të pranishëm te çdonjëri prej nesh, apo te të dhënat kontradiktore të përtuara deri tani në fushat magnetike", shpjegon ai. Atëherë përgjigjet do të priten nga ky grup ndërdisiplinor, që me ndihmën e biofizikanëve, matematikanëve, biologëve molekularë dhe figurave të tjera, kanë si detyrë të realizojë modele studimesh duke pasur parasysh natyrën e ndërlikuar të faktorëve të përfshirë dhe ndërveprimtarinë me organizmin, duke adaptuar një model të ndërlikuar e të ngjashëm me atë që përdoret për të krijuar rrjetat nervore, të cilat riprodhojnë funksionimin e trurit.

Sëmundja

Tipi 1

Zakonisht shfaqet gjatë fëmijërisë. Pankreasi nuk arrin të prodhojë insulinë

Tipi 2

Godet 90 për qind të pacientëve: lidhet ngushtë me mbipeshën dhe obezitetin. Shfaqet te 90 për qind e të rriturve

Gazeta Shqip