×

Rikthehet Festivali i Filmit!

· 1 · 1620

Rikthehet Festivali i Filmit!

· 1 · 1620

  • Postime: 1580
sorelina
ne: 26-09-2006, 16:31:34


Dikur ishte kohë e artë për filmin shqiptar. Nga pranvera në pranverë rreth 8 skenarë në gjuhën shqipe, diku më pak e diku më shumë, shënoheshin në shirita xhirimi. Kjo është një histori që i përket viteve para 90-ës. Atëherë kur publiku shqiptar brenda një viti të vetëm mund të shihte realizimet e disa filmave dhe ta kishte të freskët krahasimin mes fantazisë së regjisorëve të ndryshëm. Nuk mund të thuash sot të njëjtën gjë. Dëshmitë vijnë nga një vështrim i shpejtë në historinë e festivalit të filmit shqiptar. Pika e nisjes është në prillin e vitit 1976. Viti '76 shënon të parën garë mes filmave shqiptarë të gjinive të ndryshme. Deri tani janë realizuar 11 stacione të kinematografisë shqiptare. Në prag të realizimit të edicionit të 12-të të festivalit, prezantohet rruga nëpër të cilën ka ecur kinemaja jonë. Dy kohë të ndryshme që në të shumtën e rasteve janë përvijuar nga regjisorë që i kanë jetuar të dyja. Përfundimi është i qartë. Para viteve '90 dhe kohës së ndryshimeve të mëdha që përfshinë Shqipërinë, kishte më shumë prodhime kinematografike shqiptare. Në vitin e parë të festivalit, në ekranin e madh janë prezantuar 5 filma artistikë. Vetëm një vit më vonë, në prill të vitit 1977, prezantohet 8 filma të rinj shqiptarë. Deri në vitin 1990, ky festival zhvillohej çdo 1 vit, 2 vjet e ndonjëherë edhe tre. Për 16 vjetët në vazhdim është zhvilluar vetëm tre herë. Në vitin 1990, 1995, 2000 dhe hera e katërt shënohet sivjet. Po të krahasosh kohën mes dy festivaleve dhe prurjeve kinematografike, pas viteve '90 ka shumë më pak realizime. Edicioni i 12-të zhvillohet pas 6 vjetësh dhe në seksionin e filmit artistik konkurrojnë 12 filma shqiptarë, përfshirë këtu edhe prodhimet nga Kosova e Maqedonia. Shumica e tyre është e “konsumuar” për publikun. Kjo pranohet edhe nga organizatorët, të cilët pasojën e lidhin me 6 vitet e mungesës së festivalit, por edhe me prodhimet e pakta të kinemasë sonë. Megjithatë, sot kufijtë e shprehjes janë edhe më të mëdha. Jo vetëm për një publik shqiptar, por edhe për t'u rreshtuar krahas emrave të njohur të kinematografisë botërore.
Filmi shqiptar
Historia e filmit shqiptar nis me të parin prodhim kinematografik me metrazh të gjatë “Tana”, me regji të Kristaq Dhamos në vitin 1957. Përpara tij ka pasur përpjekje të vogla. Ndërkohë që në filmin artistik filluan të shënoheshin disa realizime, lindin edhe gjini të reja si filmi vizatimor. I pari në këtë zhanër është “Zana dhe Miri” me regji të Vlash Drobonikut dhe Tomi Vaso. Deri në vitin 2000 ecuria dhe pjekuria e kinemasë shqiptare kalon në rrugën e 11 festivaleve.
Festivali i parë
U mbajt më 5-11 Prill 1976. Konkurruan 5 filma artistikë. Çmimin e filmit më të mirë e fiton “Në fillim të verës” me regji të Gëzim Ererbarës, ndërsa kupa e festivalit i jepet Xhanfize Kekos. Vitori Çeli fiton në gjininë e dokumentarëve me prodhimin “Për Asdrenin”. Nga dy filmat e animuar që ishin në konkurrim, fiton “Zana dhe Miri” me regji të V. Drobonikut dhe T. Vaso.
Festivali i dytë
Realizohet nga data 16-23 prill 1977. Konkurruan 8 filma artistikë, 15 filma dokumentarë dhe dy filma të animuar
Fitues në filmin artistik është “Lulëkuqet mbi mure” me regji të Dhimitër Anagnostit, ndërsa dokumentari fitues shpallet “Populli në këmbë, Partia në ballë” me regji të Endri Kekos.
Festivali i tretë
Nga data 21-28 prill 1979 konkurruan 8 filma artistikë, 13 filma dokumentarë dhe 5 filma të animuar. Fiton filmi “Gjeneral Gramafoni” me regjisor Viktor Gjikën. Kupa e festivalit i jepet regjisorit Viktor Gjika dhe skenaristit Vath Koreshi. Dokumentari fitues është “Lumja ti moj Shqipëri” i Endri Kekos
Festivali i katërt
Zhvillohet nga data 20-26 prill të viti 1981. Në këtë edicion bashkohet në një seksion filmi i animuar me atë artistik. Konkurrojnë 12 filma artistikë, 6 të animuar dhe 25 filma dokumentarë në një seksion më vete. Në filmin artistik fiton “Ballë për ballë” me regji të Kujtim Çashkut, “Koha e Partisë” me regji të Viktor Gjikës dhe Esat Mysliut, fiton për dokumentarin më të mirë. Sulejman Pitarka nderohet si aktori më i mirë, ndërsa kupën e festivalit edhe Anisa Markarjan me rolin e saj në filmin “Në çdo stinë”.
Festivali i pestë
Edicioni i pestë organizohet nga data 19-23 prill 1983. Konkurrojnë 11 filma artistikë dhe 6 të animuar në një seksion dhe 18 filma dokumentarë konkurrojnë në seksion më vete.
Kupën e festivalit të pestë e merr filmi “Njeriu i mirë” e po kështu nderohen me kupën e festivalit regjisorët realizues Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Çmimi i festivalit për rolin më të mirë i jepet Eva Alikaj për rolin e Verës në filmin “Njeriu i mirë” dhe Kastriot Çaushit për rolin e tij tek “Qortimet e Vjeshtës”. Dokumentari “Kujtime nga Gjirokastra” me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit fiton për dokumentarët, ndërsa filmi “Dy gosti” i Gazmend Lekës tek filmat e animuar.
Festivali i gjashtë
Për herë të parë festivali organizohet në muajin tetor. Nga 1-5 tetor 1985 konkurrojnë 14 filma artistikë, 26 dokumentarë dhe 16 filma vizatimorë. Filmi artistik fitues është “Dora e ngrohtë” me regji të Kujtim Çashkut. Timo Flloko dhe Rajmonda Bulku marrin kupën e festivalit si aktori dhe aktorja më e mirë. Dokumentari fitues është “Ditëlindje Enverit”, e regjisorit Ylli Pepo.
Festivali i shtatë
Organizohet nga data 13-18 prill të vitit 1987. Konkurrojnë 12 filma artistikë. Kupa e festivalit shkon për filmin "Rrethimi i vogël" me regji të Saimir Kumbaros. Me kypa për interpretim vlerësohen Timo Flloko për rolin e kryetarit në filmin "Rrethimi i vogël", Marjeta Ljarja për rolin e Zanës në filmin "Fillimi vështirë", Ndriçim Xhepa për rolin në filmin "Hije që mbeten pas". U ndanë edhe ccmime të dyta e të treta për disa filma.
Festivali i tetë
Zhvillohet nga data 18-22 prill i vitit 1989. Konkurrojnë 14 filma artistikë, 16 vizatimorë dhe 27 filma dokumentarë. Filmi fitues është “Pranvera s'erdhi vetëm” me regji të Pirro Milkanit, ndërsa Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa marrin kupën e festivalit për rolet në filmin “Flutura në kabinën time”. Marjeta Ljarjes i jepet kupa e festivalit për interpretimin e saj në filmin “Rrethi i kujtesës”.
Festivali i nëntë
Edicioni i 9-të organizohet nga 12-17 nëntor 1990. Konkurrojnë 16 filma artistikë. Filmi fitues është “Balada e Kurbinit” me regji të Kujtim Çashkut. Rajmonda Bulku fiton kupën e festivalit për interpretim tek filmi “Vitet e pritjes”, ndërsa Bujar Lako si aktori më i mirë në realizimin e figurës së Gjeneralit tek filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Festivali i dhjetë
Organizohet nga 10-13 maj 1995. Konkurruan 9 filma artistikë, 9 filma të animuar. Kupën e festivalit e mori filmi “Zemra e nënës” me regji të Besnik Bishës, ndërsa dokumentari fitues është “Përjetë me Enverin” i Albert Mingës. Kupa e karrierës i jepet Kadri Roshit. Timo Flloko merr kupën e festivalit për interpretimin më të mirë tek “Vdekja e kalit” të regjisorit Saimir Kumbaros. Po kështu merr çmim dhe Luiza Xhuvani për rolin e saj tek filmi “Dashuria e fundit”.
Festivali i
njëmbëdhjetë
Organizohet në data 23-27 Prill të vitit 2000. Konkurrojnë 11 filma artistikë, 14 të animuar dhe 26 filma dokumentarë. Filmi fitues është “Kolonel Bunker” me regji të Kujtim Çashkut, ndërsa dokumentari fitues shpallet “Intervista” i Anri Salës. Me kupën e festivalit nderohen Anila Bisha për rolin në filmin “Bolero” të Besnik Bishës dhe Ndriçim Xhepa për interpretimin në filmin “Dasma e Sakos” me regji të Vladimir Priftit. ol.li