Komisar Katani, dua te bëj film për Shqipërine - Kinema

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Komisar Katani, dua te bëj film për Shqipërine

Komisar Katani, dua te bëj film për Shqipërine

· 3 · 2374

  • Postime: 27102
  • Karma: +11/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 13-03-2008, 08:14:15
Komisar Katani i dikurshem, duket se ka një identitet të ri edhe nder shqiptare. Njihet edhe si Konti Shternberk. E kjo s'mund të mos e gezoje aktorin Mikele Placido, i cili dje shkeli për te tretën here ne Shqipëri, për te qenë i pranishem ne premieren e dytë te filmit te jetës se Piro Milkanit, "Trishtimi i Zonjes Shnajder". Por me gjase, prania e tij ne kinematografine shqiptare s'do të mbese me kaq. Një tjetër projekt është ne horizont, e ndonëse ende nuk dihet se ç'do të jetë, pasditen e djeshme është diskutuar pikërisht për këtë gjatë takimit te Placidos me ministrin Ylli Pango. Askush s'mund te thotë asgjë konkrete për këtë, por ama Mikele mund te rrefeje ne pak fjale qe: "Ndaj jam këtu dhe ne këtë takim, pasi mundem të flasim ndoshta edhe për një tjetër projekt me Ministrine e Kultures. Do te pelqente shumë të ndodhte kështu. Për mua, do të ishte një nder shumë i madh qe te mund te bëj diçka dhe te jap aq sa mundem për kinematografine e këtij vendi". Duket se nuk janë falenderimet e radhes thjesht formale. "Gjithnjë ne kujtim te stergjyshes sime, e cila kishte shqipen gjuhe amtare, pasi familja e tim eti ne vitin 1700 nga malet e Shqipërisë u vendos ne Itali, rrëfen Placido, kam detyrimet e mia për këtë vend. Sot unë jam ne Shqipëri e shpresoj te mund te bëj diçka te mirë për këtë vend".

Por, ai qe për dekada me radhe, qe kur ne ekranin e vetëm shqiptar u shfaq filmi i bujshem, njihej si "Komisar Katani", ne vitin 2008 mund te thuhet se ka edhe një identitetet të ri. Konti Shternberk, pasi ky është edhe roli qe interpreton ne filmin "Trishtimi i Zonjes Shnajder", i cili ka pasur bum shikuesish ne kinema "Millenium" prej dates 29 shkurt kur pati edhe premieren e pare. Ndaj edhe Placido rrëfen: "Ndjehem mirë ne këtë rol timin të ri. Dhe faleminderit Milkanit, qe me ofroi te jem ne këtë film te tijin. Ju them se nuk munda të mos ndjej gezim qe kur zbrita ne aeroport, personi i parë me te cilin pata kontakt, gruaja police e sportelit, nuk me pershendeten si Komisar Katani, por si Konti Shternberk. Fale regjisorit Piro Milkani kam një tjetër identitet ne Shqipëri".

Një rol episodik ai i Placidos ne filmin e Milkanit, por ama mbreselenes. Ai është konti cek, Shternberk, i cili nxjerr prej bibliotekes se ti një libër kushtuar Shqipërisë dhe historisë se saj. Dhe aktori fare i ri shqiptar, protagonist kryesor ne film, Nik Xhelilaj, është përkrah tij, aktorit i cili ka bërë epoke ne historinë e kinemase botërore. Por, njerëzitë qe percojne vlera janë modest. I tillë shfaqet edhe Placido, jo vetëm ne dublat e filmit, por edhe ne bisedat e veshtrimet me ata qe e rrethojne e me te cilët komunikon e punon.

Placido, tjetër projekt ne kinemane shqiptare

Mikele Placido ne Shqipëri, tanime nuk njihet vetëm prej filmave te tij qe janë suksese botërore. Ai njihet si Konti Shternberk, pasi filmi "Tirshtimi i Zonjes Shnajder" i Piro Milkanit e ka bërë te tijen. Pergjate këtyre ditëve te shfaqjes se tij ne "Millenium", filmi ka mundur te shkoje te shqiptarët, duke percuar te ta një tjetër imazh te Placidos, atë te kontit cek. Por aktori me origjinë te hershme shqiptare nuk kenaqet me kaq. Me gjase, shpejt do të flitet me konkretisht për një projekt kinematografik ne qendër te te cilit do të jetë Mikele Placido. Këtë e ka bërë me dije pasditen e djeshme aktori, duke u shprehur: "Do te pelqente shumë të ndodhte kështu. Për mua, do të ishte një nder shumë i madh qe te mund te bëj diçka dhe te jap aq sa mundem për kinematografine e këtij vendi".

Kur Shqipëria ndryshon ne sytë e Katanit

As ai s'mundi t'i shmangej pyetjes se si e gjente Shqipërinë e vitit 2008. Mikele Placido, i cili për te parën here ka shkelur ne vendin tonë ne vitin e hershem 1991 e me pas ne vitin 1993, me siguri do të verente ndryshime te mëdha. "Shqipëria ka ndryshuar shumë, u shpreh ai dje, ne shkallet e Ministrise se Kultures. Me duket vetja si te jem ne një qytet të madh dhe bashkekohor ne Milano, apo gjetke. Të rinjtë dhe ata qe jetojne këtu ndoshta nuk e ndjejne ndryshimin, por ju them se Tirana ka ndryshuar shumë". Duket pak i surprizuar nga ajo qe ka gjetur ne kthimin e tij këtu, kur kanë kaluar plot 15 vjet nga hera e tij e fundit ne Shqipëri. "Ka një klime tjetër nga ajo qe ka qenë kur unë për te fundit here isha këtu dhe kanë kaluar plot 15 vjet prej atëherë", perfundon Placido.

Nga një familje e varfer ne Hollivud

Fama e tij arriti majat kur ai, "Komisar Katani" u shnderrua ne tmerrin e mafies siciliane. Edhe shqiptarët e njohen si te tillë ne fillim, e me pas mesuan se origjina e tij e hershme, stergjyshja e tij kishte shqipen gjuhe amtare. Por Mikele Placido është rritur ne një familje te varfer e i është dashur për vite te tera te beje pune të ndryshme. Ndërsa sot, ne moshen 62-vjeçare, ai numeron me se 100 role ne kinemane botërore. E nisi nga Italia për te arritur aty ku te gjithë artistet enderrojne, te prekin Hollividin. Ai jo thjesht e preku, por u shnderrua ne një prej aktoreve te suksesshem te kësaj industrie gjigante te kinematografise botërore. Ndërsa ne Shqipëri ka qenë prezent jo vetëm me filmat e tij me te suksesshem. E duket se pas "Trishtimit te Zonjes Shnajder" do të jetë protagonist edhe ne një tjetër projekt, i cili ende nuk dihet se çdo të jetë, pasi është ende ne fazen e ngjizjes se tij.

Aisa Ymeri Koha Jone
« Editimi i fundit: 17-03-2008, 18:01:19 nga erlehta »

  • Postime: 27102
  • Karma: +11/-5
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 15-03-2008, 10:40:35
Paraja po shkatërron shpirtrat dhe identitetet

Intervistë me aktorin e njohur italian Michele Placido


Bota pa ideale është më e varfër se kurrë. Po, një Silvia Konti i duhet shtetit shqiptar

Afërsisht tri dekada më parë ai ishte një dritare për të parë Perëndimin: sipas pikëpamjes zyrtare, për të demaskuar botën e kapitalit, që kishte mbetur në kthetrat e mafies, por sipas vlerësimit të teleshikuesit të thjeshtë, për t‘i dhënë shpresë njeriut se drejtësia në këtë botë nuk është e pamundur. Dhe se drejtësi nuk kishte vetëm në shtetet komuniste, por edhe në demokracitë e Perëndimit. Për një kohë të gjatë, komisar Katani ishte një prej heronjve më të admiruar në Shqipëri. Denoncimi i së keqes dhe fuqia e idealit të një njeriu që i kundërvihet së keqes së plotfuqishme në Shqipërinë e viteve 1980 u përftuan jo vetëm si optimizëm në përgjithësi, por edhe si shpresë se edhe në këtë vend, ku komunistët ideokratë tashmë ishin thjesht komunistë burokratë, që kishin harruar ç‘kishin pasur në rini në mendje, diçka mund të ndryshonte. Pastaj erdhi një kohë e vështirë që shqiptarët dhe Michele Placido ta kuptonin njëri-tjetrin. Regjisor i filmit "Lamerica", shkruar në këtë formë gjysmë-analfabete, pikërisht për të shprehur qysh në krye mangësitë gjuhësore të shqiptarëve të parë që prekën Perëndimin dhe hynë në kontakt me "botën e re" e kapitalin; njëherësh në rolin e protagonistit, ai u sulmua ashpër, pa mëshirë, pa ruajtur asgjë prej mbresës së mirë të "La Piovra"-s, e cila e mblidhte njerëzinë brenda në shtëpi para se të fillonte shfaqja televizive. U quajt përçmues i identitetit shqiptar, racist, propagandues i një misioni të ri qytetërues në Shqipëri, pak a shumë si ai i fashistëve. Në fakt, Placido me këtë film pati arritur të prekte një prej plagëve më të rënda të njeriut shqiptar në periudhën totalitare. I ashtuquajtur njeri i ri u dëshmua një dështim tërësor, por bashkë me të dështuan dhe shumë karaktere njerëzish. Ishte një e vërtetë e dhimbshme, që s‘mund të pranohej aq kollaj. Reagimi i parë qe refuzimi. Por çuditërisht do të kalonin vetëm pak muaj dhe shqiptarët do të bindeshin se edhe te "L‘America" M. Placido kishte një formë tjetër simpatie për shqiptarët, të shprehur në formën e dhimbjes për shtrembërimet në karakter e në formim, për shkak të perdeve të hekurta dhe mbi të gjitha të disiplinës ideologjike. U harruan kritikat ndaj tij si njeriu që çmitizoi vlera shqiptare dhe u rikthye simpatia e dikurshme. Filmi "Trishtimi i zonjës Shnajder" është një tjetër urë që lidh aktorin e njohur italian me një degë gjenealogjike shqiptare me kulturën e këtij vendi. "Nuk e kam pasur aspak të vështirë të përjetoj trishtimin e brezit të z. Pirro Milkani", shprehet ai në këtë intervistë, sepse edhe rinia e brezit tim, në vitet 1968, përjetoi të njëjtin zhgënjim dhe doli në rrugë për të bërtitur për liri dhe demokraci. Në intervistën në vijim, artisti i njohur i kinemasë, Michele Placido, shpreh edhe shumë mendime të tjera interesante për nevojën që rinia të kërkojë ndërrimine kohërave, për lavdinë e "Brezit 1968", për luftën e parasë me idealin, për sjelljen dinjitoze të vendit të tij ndaj mërgatave shqiptare, të vjetra e të reja, për kufizimin e lirisë në përgjithësi dhe detyrat qytetare të intelektualëve për fuqinë e idealit dhe mundësinë e ndryshimit të botës.

Emri juaj kinematografik, Katani, dikur në Shqipëri ishte shpresa se Perëndimi mund të shpëtohej nga e keqja. Mua, si gazetare, më ka bërë përshtypje që shtypi i këtushëm nuk po kërkon Di Pietro-n, por kërkon Katani-n. A ka një domethënie qytetare dhe filozofike kjo për ju?

Roli i komisar Katanit në fakt më ka dhuruar shumë famë. Por ai mbetet një rol për mua, ose më saktë një prej roleve. Megjithëse të gjithë, në të vërtetë, ende duket sikur më shohin si një komisar të vërtetë, si komisar Katani. Dhe për këtë më vjen mirë. Por mua do të më vinte mirë të mos harrojnë se përtej këtij roli gjendet një njeri. Ai që mbetet i njëjti e i përhershmi tek unë, është Michele Placido.

Po, por pa dyshim në të njëjtën kohë ju jeni i identifikuar edhe si komisar Katani. Dhe kjo nuk ka dyshim, të paktën, këtu në Shqipëri...

Kuptoj se ju Monika, me sa duket, kërkoni dikë tjetër brenda meje. Një Michele tjetër, atë të një njeriu të mirë, të njeriut që bën drejtësinë dhe flijohet deri në fund për të shpëtuar të tjerët nga makthi. Dhe për këtë s‘mund të them gjë tjetër veçse më bëhet qejfi. Edhe ju vetë ngulmokeni ta gjeni atë. Përgëzime, ja që e gjetët. Por mos harroni, në filmin tjetër, të Giuseppe Tornatores, unë jam në një rol vrasësi... Dua të them: nëse Michele Placido nuk është aq i mirë sa në rolin e komisar Katanit, njëherësh nuk është aq i keq sa ky vrasësi.

Me sa duket shqiptarët e duan njeriun e mirë. Çka do të thotë se janë një popull që frymëzohet nga qëllime dhe motivime pozitive. Sidomos në fundin e viteve 1980, kur muri i Berlinit po binte, dhe një presion për ndryshime përparimtare, jo vetëm nga brenda, por dhe jashtë, në Perëndim, po ndihej kudo në rritje. Shqiptarët, të nxitur dhe nga ky realitet, e mitizuan figurën e komisar Katanit. Dikur në Shqipëri, Korrado Katani ishte shpresa se Perëndimi mund të shpëtohej nga e keqja.

Fundi i viteve 1980 solli ndryshime historike në Evropën Lindore, që kishin përmasa të mëdha vlerash njerëzore. Ishte një botë që po rritej dhe po kalonte në një gjendje të re. Dhe këto ndryshime po i kalonte jo vetëm Shqipëria, por dhe Rusia dhe vendet e tjera të Lindjes. Zhvillimi në botë kishte arritur në një pikë që mafia të fuqizohej dhe të dominonte, drejtpërsëdrejti e tërthorazi, jo vetëm Italinë e Jugut, por të dyja botët: atë të Lindjes dhe po aq atë të Perëndimit. E bënte këtë me trafiqe nga më të pabesueshmet, prej trafiqeve tradicionale, si ai i alkoolit, drogës dhe prostitucionit, deri te trafiku i informacionit dhe madje i pushtetit. Këto trafiqe vinin madje edhe nga SHBA, vendi më demokratik i botës. Të gjitha vendet që vinin nga të shkuara diktatoriale (nuk e përjashtoj dhe Italinë, e cila në vitet e pasluftës përjetoi tërmete të vërteta deri në rimëkëmbjen e një shteti të lirë, që qeveriset mbështetur në parimet e demokracisë së vërtetë), fundi i viteve 1980 i zuri me njerëz jo rastësisht arrogantë dhe brutalë në krye të qeverisjes, një pjesë e madhe e të cilëve, të përfshirë në trafikun e drogës dhe të prostitucionit. Kjo histori nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Unë do t‘i quaja këto si shprehje të natyrshme të vërshimeve të rritjes së një shteti apo shoqërie. Gjithnjë në kohë të vështira njerëzit kërkojnë një model që mund t‘u mbajë shpresën e drejtësisë dhe të ndëshkimit gjallë.

Disa muaj më parë, kur Kryeministri shqiptar emëroi një kryeprokurore të re për të drejtuar pushtetin e akuzës, duke ju përgjigjur një vargu replikash politike parlamentare e të shtypit që qenë bërë në lidhje me përzgjedhjen e saj, deklaroi para Kuvendit, në një seancë plenare të posaçme, se Shqipëria kishte nevojë që në krye të prokurorisë të vinte një Silvia Konti. Ç‘kuptim ka kjo për ju?

Kjo qenka vërtet një mrekulli. Nuk e dija këtë fakt dhe tani që e mësova po mrekullohem vërtet. Është një deklaratë shumë e bukur, njerëzore dhe shumë e pastër. Në vështrimin tim është një ngjarje e re që në një vend si Shqipëria po shoh se respektohen gratë po aq denjësisht sa dhe burrat. Sepse unë besoj se natyra e bukur e gruas dhe shpirti vital i saj, sjellin vetëm gjallëri. Mendoj se një energji pozitive shpërndahet në atë lartësi ku ato ngrihen, nëse zonjat e zgjedhura i kanë vlerat vetjake dhe i meritojnë funksionet e detyrat që u mirëbesohen. Sepse figura e gruas është një figurë e pastër, po aq sa dhe e brishtë; e bukur, po aq sa dhe e mençur. Në konceptin tim filozofik, gruaja shpërfaq një shëmbëllim të pakompromisit me të keqen, një qenie më të ekuilibruar dhe më të ndershme nga burrat. Dhe kur një gruaje i besohet të drejtojë në krye të "kupolës", dhe të një "kupole" jo pak të rëndësishme, madje shumë të rëndësishme; një grua, ndryshe nga një burrë, në mënyrë të natyrshme, ka brenda vetes një disiplinë më të rreptë e më të përpiktë se burrat. Dje kam takuar zonjën e parë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe pata me të vërtetë një mbresë shumë të bukur, sepse pozicioni i saj në funksionimin e shtetit është shumë i rëndësishëm. E nisur nga këto fakte prandaj po besoj se ky vend po ecën dhe po rritet shumë mirë.

Një mik e koleg i imi, kur ndjehemi të frustruar nga presionet e gjithfarëllojshme që përjetojmë çdo ditë (mendo se jeta në Shqipëri, në kuptimin e plotë të saj, nuk është e shtruar ende), shpesh thotë se shqiptarët kanë nevojë për një dush të ftohtë për të ardhur në vete si te Katani në "La Piovra". Mendoni se kështu duhet?

Po. Mendoj absolutisht se ai ka të drejtë. Ky dush i ftohtë na duhet të gjithëve shpeshherë, jo vetëm juve në Shqipëri. Dushi i ftohtë është një mënyrë për t‘u rivendosur realisht në raporte të vërteta me atë që kërkojmë. Për t‘i rimenduar gjërat dhe për t‘u dhënë drejtimin e merituar hapave më tej. Dhe kjo vlen si për njerëzit e thjeshtë, ashtu dhe për gjendjet dhe vendimet e mëdha të një shteti. Në kohën e sotme, bota po kalon një çast të veçantë. Në shoqërinë perëndimore po përjetohet një gjendje përgjumjeje mendore, një joshje e fuqishme drejt parasë, madje mund të thosha një dehje pas saj. Të kërkosh paranë është një gjë normale, por ta shenjtërosh paranë nuk është motiv që mund të të shtyjë drejt një jete të shëndetshme. Të paktën jo shpirtërisht të tillë.

Nuk shqetësoheni se duke u shprehur kështu, njerëzit mund t‘ju konsiderojnë pak si shumë idealist, zoti Placido?

Në këtë botë, ku mbizotëron kjo e keqe e madhe (sepse kjo në fakt është një e keqe për njerëzimin), ashtu mund të duket, si thoni ju, por duhet ta shmangim frikën. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë shpirtin e një kombi dhe vlerat e tij shpirtërore, që shënjojnë natyrshmërisht identitetin e tij. Shkatërrimin e identiteteve dhe të shpirtit njerëzor e sjell mistifikimi i parasë. Kjo botë, e drejtuar drejt një konsumimi të shfrenuar ekonomik dhe drejt globalizmit shpirtëror, prek fort pjesën e brendshme të identitetit njerëzor dhe kombëtar, çka do të thotë që i pushkaton ato (identitetet) në shpirtin dhe ndjenjën e njeriut. Nëse këto prirje të sotme do të ngatërroheshin edhe me fenë, kjo do të ishte edhe më keq, sepse kjo sjell pastaj edhe luftërat, ndaj të cilave ju në Ballkan jeni si të thuash më të gatshëm. Të jesh idealist është arti më i lartë që jeton njeriu dhe lum kush ka fuqinë dhe cilësinë shpirtërore për ta jetuar atë. Për këto dhimbje e shqetësime të njerëzimit, për fat të keq, sa vjen e flitet më pak. Kështu që, një dush të ftohtë e kemi nevojë të gjithë ne, për t‘i vënë gishtin kokës, për të kuptuar se ku jemi e ku do shkojmë, kështu që miku juaj ka shumë të drejtë kur shprehet ashtu. Dhe bëjmë mirë ta dëgjojmë të gjithë.

Shpesh, kur vijnë emra të njohur të të gjitha fushave në Shqipëri, nga dëshira për t‘i mistifikuar edhe më shumë ata, nxitojmë të themi se kanë origjinë shqiptare. Se di ç‘është kjo paranojë, por ju duhet të më shuani një kuriozitet jo pak tendencioz. Jeni vërtet me origjinë shqiptare?

Po, është e vërtetë. Vite më parë, kur nëna ime mori vesh që do të vija në Shqipëri, më tha: ti do të shkosh në një vend, gjuhën e të cilit fliste stërgjyshja jote, domethënë gjyshja e babait tim, e cila vinte nga një fshat i Luganos. Atje akoma ka një komunitet të vogël shqiptarësh, të cilët respektojnë tradicionalisht ritet fetare të vendit të origjinës, domethënë të krishterimit ortodoks. Në fakt unë asnjëherë s‘e kam mohuar, aq më pak nënvlerësuar, këtë degë të pemës sime gjenealogjike familjare. Shumë shqiptarë kanë ardhur në Italinë Qendrore e Jugore 4-5 shekuj më parë. Me sa duket, raporti me Shqipërinë është një raport shpirtëror. Përveç asaj pike të vogël të lidhjes së gjakut, siç do të thoshte Pirro Milkani, është dhe fakti që Shqipëria gjendet pikërisht përballë rajonit të Pulias. Kur komunizmi u shemb dhe unë pashë se shumë njerëz, shumë të rinj, kërkonin të gjenin një tjetër atdhe, një tjetër hapësirë, që u ishte mohuar në kushtet e mëparshme, pra një mundësi për të punuar dhe për të krijuar një të ardhme, dhe ata e shihnin Italinë si vendin e shpëtimit, kjo mua më bëri të mendohem gjatë dhe më dha një ndjenjë pozitive. Dhe më ka ardhur shumë mirë që në atë kohë Pulia i priti shumë mirë ata shqiptarët e parë, që të dëshpëruar kishin mbërritur nga këndej brigjeve të Adriatikut. Ata ishin njerëzit e parë që kërkonin lirinë dhe ata duheshin respektuar më shumë. Cili ishte respekti? Pa dyshim, jo një copë bukë dhe një strehë ku të fusnin kokën, por një respekt dinjitoz ndaj tyre, që shkoi deri te të dhënit e qytetarisë së shtetit italian dhe të krijuarit e kushteve normale për të jetuar e punuar. Shteti italian bëri në atë kohë një punë të mirë …

Roli juaj na sjell ndërmend fatin e Aldo Moros në Itali dhe një brez të tërë veprimtarësh në Evropë. Ç‘mendoni ju për këtë?

E keni fjalën për "Brezin ‘68" … E gjithë bota ndryshoi prej veprimit të "Brezit të viteve 1968". Bota ndryshoi në rrafshin filozofik, në mënyrën e të menduarit dhe të kuptuarit të jetës, në konceptet themelore të të menduarit, deri te një vlerësim i drejtë i asaj trashëgimie që liderët botërorë në shekuj kishin arritur. Në mesin e tetorit të vitit 1967, në Itali, vritet Che Guevara. Ai ishte figurë revolucionare e një partie komuniste çlirimtare. Thuhet se Che Guevara u vra sepse rusët, dhe po ashtu Fidel Kastro, donin ta eliminonin. Fidel Kastro ishte një i ri që kishte ide për ta çliruar botën nga diktatura dhe shtypja. Kështu, për një të ri perëndimor, kjo ngjallte simpati, sepse - të jemi të vëmendshëm këtu - ishte momenti kur Amerika ishte ushtarakisht në Vietnam, momenti kur Praga jetonte një kaos tërësor. Në Meksikë qëllohej mbi studentët dhe në SHBA u vra Martin Luter-King, një protagonist i mbrojtjes së të drejtave qytetare. Në këtë situatë, një i ri si unë, duhej të kthjellohej ndërgjegjshmërisht për atë që quhet botë, ç‘po ndodhte me njerëzimin dhe çfarë duhej të bënte brezi i ri. Jo vetëm në vendin e vogël ku unë jetoja, kuptova se duhej të ndjehesha protagonist. Doja të zbrisja në shesh dhe të bërtisja për lirinë, për demokracinë, për të qenë me ata studentë që vriteshin në Meksikë, për të kundërshtuar pushtimin e Pragës nga ushtria ruse, për të deklaruar se lufta në Vietnam ishte e padrejtë, për të thënë se Martin Luter-King ishte një martir i drejtësisë, sepse ai donte të respektoheshin të drejtat e të gjitha ngjyrave, racave e kombeve, se John Kenedi, që u vra në tetor të po atij viti, ishte një amerikan që donte një demokraci shumë më liberale, ndryshe nga ajo kapitaliste. Ai, në thellësinë e vet, ishte një njeri që donte një erë të re paqeje, duke krijuar kështu mitin e një bote të re. Dhe kështu kishte filluar të ndjehej kjo frymë ndryshimi edhe në vendet e ish-Lindjes Komuniste, duke prekur aq sa mund të prekte realitetin dhe duke shkaktuar ato ngjarje që dihen, si në Budapest, Pragë e Varshavë. E gjitha kjo lindi nën ndikimin dhe duke parë se ç‘po ndodhte në Perëndim, ku u shfaq një erë e re, që tani duhej të arsyetohej ndryshe, krejt ndryshe dhe në krahasim me mënyrat më liberale të mëparshme. Po të sjellim në mendje se të njëjtët komunistë të kohës antifashiste, tashmë komunistë burokratë, jo ata me ideale të mëdha shoqërore, kishin mbetur shumë prapa me idetë e tyre dhe ishin bërë shumë të vjetëruar, mund të kuptohet fare mirë se si u krijua atëherë bindja se nuk mund të shkohej më përpara me ata njerëz e ato ideale.

Nga sa po shpreheni, mund të mendojmë se "Brezi 68" lindi për shkak të mungesës së lirisë. Brenda këtij kuadri, mendoni se e keni përjetuar si një shqiptar i vërtetë "Trishtimin e zonjës Shnajder"? Meqë ra fjala, për këtë film unë kam shkruar një recension modest dhe jam shprehur se bashkë me zonjën Shnajder trishtohet një epokë, shekulli vetë, brezat njerëzorë, kushdo që ndihet nën peshën e kufizimit. Ju si mendoni për këtë?

"Të gjithëve ne na mungon liria", janë fjalët e fundit të filmit "Trishtimi i zonjës Shnajder". Për një djalë që si unë në atë epokë ka jetuar pak a shumë të njëjtën gjendje që ka jetuar edhe Pirro Milkani, nuk është e vështirë të përjetojë situatën që jo sapo më përshkruat. E kuptoj shumë mirë se ç‘do të thotë mungesë e lirisë. Se ç‘ishte liria në një vend komunist dhe ç‘ishte në një vend perëndimor, edhe këtë mund ta kuptoj. Por them se një të riu, liria nuk i mungon kurrë, nëse e kërkon dhe e krijon vetë. Përtej ideologjive, të rinjtë janë shumë hapa më përpara, janë shumë largpamës. Aq më tepër kur një i ri ndesh në burokracitë e lodhshme të kufizimeve gjithfarëshe. Kur të gjitha këto bëhen bashkë, për të rinjtë moderne dhe novatorë kjo është një katastrofë e vërtetë. Dhe kjo sjell pamundësinë për të jetuar. Dhe atëherë lind dëshpërimi, trishtimi, zhgënjimi, që prodhojnë revoltën...

Në fakt, në recensionin që kam shkruar, duke iu referuar filmit tuaj, kam folur për një liri të munguar të një epoke dhe një brezi...

Edhe unë po e ripohoj, se të rinjtë ndjenin se idetë e baballarëve të tyre dhe të baballarëve të kombit po të doni, domethënë të lidershipit politik, kishin filluar plakjen dhe nuk mund "të përtypeshin" më. Dhe duheshin hedhur poshtë. E njëjta gjë po ndodhte në botën komuniste.

Gazeta Shqip

  • Postime: 7092
  • Karma: +35/-6
  • Gjinia: Femer

#2 ne: 17-03-2008, 18:02:39
Po, nje Silvia kryeministre dhe nje Katan si President  :D

Temat e fundit