Tirane, vetëvaret 16 vjeçari, frekuentonte "Jehovain"
Në Mushqetë të Tiranës, ku vetëvarja e një adoleshenti ka rikthyer dyshimet mbi sektin.
Pak ditë para vdekjes, Marenglen Tarja kishte thënë: "Po të vdesësh të dielën është mirë..."
Të dielën në darkë, Marengleni është larë, është veshur, ka futur librat në çantë që t'i kishte gati për në shkollë dhe më pas ka dalë nga shtëpia, për të mos u kthyer kurrë.
30 minuta më vonë, i ati, Saliu, e ka gjetur të vetëvarur në një pemë.
30 minuta, që Marengleni të mos mbajë më kurrë në shpinë çantën e librave...
Gjysmë ore, gjatë të cilës Sali Tarja, që tani fsheh lotët para burrave, duke mbuluar sytë me dorë, ka humbur fëmijën e tij dhe Marengleni jetën... 30 minuta, që në odën e një shtëpie dykatëshe me mur guri të Tarajve, në Mushqetë të Tiranës, të ulen në rreth një grumbull burrash, të gjithë me mjekra të mbështetura pas kraharorit, që ndërsa rrufisin kafe e mërmërisin fjalë morti, pyesin për të kushedisatën herë: "Si ndodhi?".
Saliu s'di të kthejë përgjigje. Ai vetëm qan nën zë, ndërsa fshin sytë me një shami prej cope dhe rrallë të sheh drejt, por pa nxjerrë asnjë fjalë.
I vëllai, Zyberi, që pret miqtë përgjigjet gjithmonë me gjysmë zëri, herë duke thënë: "Ja kështu!" herë duke shqiptuar: "Taksirat".
Atëherë, ata që kanë pyetur shkundin kokën, duke lëshuar ndonjë psherëtimë dhe bëjnë sikur i kanë marrë veshtë gjitha.
Por sytë e tyre, që i ngrenë në të rrallë, për të parë dantellën e bardhë të dritareve apo teksa i numërojnë thekët tapetit të shtruar në konakun e Tarajve, vazhdojnë të pyesin:
"Po si ndodhi kështu"?...
Shekulli