Deklarata e Pavarsise se Kosoves - Kosova Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Deklarata e Pavarsise se Kosoves

Deklarata e Pavarsise se Kosoves

· 4 · 8011

  • Postime: 27977
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 17-02-2008, 23:36:54
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

Kuvendi i Kosovës

  • Postime: 27109
  • Karma: +11/-5
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 20-02-2008, 11:12:14
“Si e shkrova për 15 orë Deklaratën e Pavarësisë”

Para bukurshkrimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, tri ditë më parë, profesori i njohur, studiuesi, pedagogu dhe themeluesi i art-dizajnit në Universitetin e Prishtinës, Shyqri Nimani, ka shkruar edhe dekoratat e çmimeve "Honoris causa" për Bill Klinton apo Kushner. Por këto janë shumë pak para CV-së së tij të gjatë akademike dhe artistike. Për 15 orë të tëra, grafisti i njohur, Shyqri Nimani, ka arritur që shkronjat e Deklaratës që Kosovën e bëri Republikë t`i radhisë në pergamenën prej lëkure viçi, të shkruar sipër me bojë të zezë. Po çfarë shkrimi përzgjodhi profesori për të bukurshkruar këtë akt të rëndësishëm, kur filloi punën, ku e shkroi, çfarë huazimesh ka përdorur, kur e dorëzoi dhe si ndihet këto kohë që deklarata është nënshkruar nga anëtarët e parlamentit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Panorama", Nimani tregon çdo detaj të hollësishëm për hartimin e kësaj deklarate.

Profesor Nimani, tashmë jeni autor i shkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kush jua bëri ftesën për ta shkruar këtë akt?
Ftesa më erdhi nga drejtuesi i Muzeut të Kosovës, Arbër Hadri, i biri i historianit të njohur Ali Hadri, i cili kishte marrë përsipër këtë iniciativë për shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë nga kryeministri. Dhe ai në bashkëpunim me Muzeun e Londrës bëri përzgjedhjen e materialeve, që do të thotë pesë copë pergamena dhe boja e zeza, e cila është speciale për t'u shkruar në pergamenë.
Kur jeni njohur për herë të parë me tekstin që do të shkruanit?
Do të thotë që dokumentin për Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës unë e kam marrë vetëm 24 orë para leximit të tij në Parlament nga Kryeministri Hashim Thaçi. Por përgatitjet për të janë bërë dy javë më parë. D.m.th përgatitje teknike: për ta punuar e realizuar këtë dokument se si do të bukurshkruhet në pergamenë, që është lëkurë origjinale kafshe. Disa kanë menduar se duhet të shkruhet me kompjuter dhe të printohet në letër të posaçme, por kjo gjë do të ishte shumë banale, aq më tepër që nuk ka jetë të gjatë.
Sa kohë iu është dashur për ta kaligrafuar Deklaratën e Pavarësisë?
Unë i kërkova Kryeministrit Hashim Thaçi të kem në dispozicion tri ditë për ta kaligrafuar këtë tekst, por kjo nuk ishte e mundur, për arsye se përpilimi i tekstit të kësaj deklarate për Pavarësinë e Kosovës është dashur të mbahet sekret deri 24 orë para shpalljes së tij. Kështu në orën 21:30, më 16 shkurt, ditën e shtunë ma kanë dhënë tekstin.
Sa i gjatë ishte teksti që do të shkruanit?
Për befasinë time, teksti nuk ishte një faqe e gjysmë A4, siç më kishin thënë, por ishte katër faqe të plota A4 dhe ndoshta duhej të kaligrafohej në tri gjuhë dhe kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme për mua. Aq më tepër që unë nuk mund ta punoja në studion time, por në zyrën e Kryeministrit në qeveri. Por në të vërtetë unë kur e kam marrë tekstin e kam marrë në shtëpinë time dhe e kam shkruar në zyrën e kryeministrit.
Thatë se përgatitjet për hartimin e kësaj deklarate kanë nisur dy javë më parë. E kujt ishte ideja e përpilimit të tij, qoftë edhe për materialet që do përdoreshin?
Gjithë ideja ishte e imja, meqë kam vite që merrem me kaligrafi dhe jam themelues dhe shef i katedrës në Universitetin e Prishtinës për dizajn grafik. Më është dashur kohë të mendoj me detaje përpilimin e veçantë dhe në mënyrë të posaçme të kaligrafisë, pasi më është dashur të hartoj mjaft mirë se si do të ndahej teksti dhe ku do të nënshkruanin 120 anëtarët e Parlamentit. Dhe për këtë vendosa që shkrimin ta ndaja në dy pergamena, në fund të faqes së dytë të nënshkruanin tre emrat Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit dhe pas saj të nënshkruanin anëtarët e tjerë. Ia parashtrova Kryeministrit dhe i thashë që nuk mund të ndërrohej asnjë presje më pas, pasi gjithçka duhej të konceptohej në hapësirën e dy sipërfaqeve të pergamenit që mbante dimensione 80 me 50 cm.
Kur keni filluar  punën  në të vërtetë?
Unë kam nisur punën në 24:00 të natës dhe nuk kam dalë prej zyrës deri të nesërmen, kur kam përfunduar gjithë kaligrafimin e Deklaratës së Pavarësisë. As nuk kam ngrënë mëngjes, as nuk kam ngrënë drekë, por vetëm kam pirë ujë, kjo sepse nuk mund të veproja pa përfunduar këtë detyrë. Gjatë kohës së shkrimit ka ardhur disa herë Kryeministri Thaçi, duke parë se si shkonin punët. Duhet që gjithë shkrimin e deklaratës ta përfundoja deri në orën 14:30 minuta, dhe gjatë kohës kur isha drejt fundit të tij, isha tepër i frikësuar për herë të parë në jetën time, mendoja se do të dështoja se nuk do ta përfundoja tekstin së shkruari të gjithë. I kërkova Thaçit edhe dhjetë minuta shtesë dhe ai ta merrte dhe ta lexonte në orën 15:00 në Parlament.
Ju kur e dorëzuat?
Meqenëse Parlamenti dhe zyra e kryeministrit janë shumë afër, në 14:55 e morën dhe i çuan këto pergamene kryeministrit, të cilat ai i lexoi më pas.
Ku ndodheshit kur u nënshkrua deklarata në Parlament?
Unë nuk shkova në Parlament, sepse isha tepër i lodhur, i pagjumë dhe aq më tepër i paveshur, kështu që m'u desh ta ndiqja nga televizori në shtëpi këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe momentin kur filluan ta nënshkruanin anëtarët e Parlamentit.
Çfarë lloj lëkure është pergamena në të cilin është shkruar Deklarata e Pavarësisë dhe lloji i shkrimit?
Pergamenat i kemi pasur të lëkurave të ndryshme, në dy a tri lloje, por ajo që është shkruar është lëkurë viçi.Për sa i përket llojit të shkrimit, kemi përdorur tipin e shkronjave italic, korsiv. Kjo një ide e imja, pasi është shumë i bukur si shkrim dhe shkruhet shpejt. Për shkronjat kam përdorur katër pend (kaligraf), që ishin në katër madhësi të ndryshme, ndërsa trashësia e shkronjave që duhej të përdorej ishte vetëm 2 milimetra. Por unë po të kisha pasur pak më tepër kohë, mund ta bëja edhe më mirë, pasi kam qenë i përgatitur që deklaratën ta ilustroj me iniciale dhe ornamente florale, por kjo ishte e pamundur.
Pse është zgjedhur ngjyra e zezë?
E zeza karbon është më e rezistueshme se sa ngjyrat e tjera, të cilat përdoren në të tilla raste, siç është e kuqja, e kaltra dhe e verdha. E zeza e ka pigmentin më të fuqishëm dhe vlerën 100 për qind. Ngjyra e pergamenës është afërisht si ngjyrë banane, ngjyrë okën.
A keni huazuar prej diku, qoftë nga akti i pavarësisë së Amerikës, idenë e përgatitjes së aktit të pavarësisë?
Më ngushëllon fakti se Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së e shekullit të XVIII, të cilën unë e kam, e kanë shkruar me ngjyrë të zezë dhe pa asnjë zbukurim. Ndonëse është bërë në kohë të ndryshme, pak a shumë veglat në këtë kohë janë më moderne, pothuaj janë të njëllojta, për faktin se janë të thjeshta, por edhe për gjatësinë e tekstit të deklaratës.
Si ka qenë procesi i kaligrafimit?
Pergamena nuk preket me gisht dhe për të duhet të kesh shumë kujdes, pasi nëse preket atëherë nuk mund të shkruhet qartë në të. Unë për të shkruar kam përdorur gjithmonë mbi të letra të mëdha, të mos e prekja dhe pothuajse kam ndenjur në këmbë gjatë procesit të shkrimit, për të evituar prekjen e paduhur. 
Për çfarë do ta veçonit këtë deklaratë?
Dokumenti ka tri rëndësi: një është vlera dhe rëndësia politike. Në tekst nuk kam gabuar të bëj asnjë gabim në shkronjë e jo më pastaj në fjalë. E dyta, sigurohet jetëgjatësia tekniko-materiale për të cilën ne kemi zgjedhur qoftë pergamenat, qoftë bojën me të cilën është shkruar. Dy të parat janë arritur, por edhe pamja estetike, bukuria e realizimit, jo se jam modest, por mendoj se si e kam parashikuar mund të ishte shumë i bukur i ilustruar me iniciale me ornamentikë dhe me ngjyra dekorative. Por gjithsesi besoj se të gjitha janë arritur tashmë.
Keni gabuar gjatë shkrimit, a keni hedhur në kosh ndonjë pergamenë, duke pasur parasysh se kemi pasur pesë të tilla?
Jo, s'kam gabuar, sepse s'kam pasur kohë as për ta lexuar më parë tekstin. Me vete kam pasur djalin tim, i cili së bashku me drejtorin e Muzeut Kombëtar më kanë ndihmuar gjatë leximit të tekstit ngadalë dhe unë e kam shkruar.
Sa jetëgjatësi ka pergamena dhe ku do të ruhet?
Jetëgjatësia e tij është tepër e madhe, dhe këtu do të shtoja se është keqkuptuar fakti se pergamena është 700-vjeçare. Nuk mund të ketë pergamenë që të përgatitet para 700 vjetësh dhe të shkruhet më pas, jetëgjatësia e tij është tepër e madhe. Duhet të ruhet në vend pa lagështi. Ndaj edhe ambientet e sigurimit të tij janë të mëdha, pasi do të vendoset në Muzeun e Kosovës.
Është menduar për kopje të tjera, apo do të jetë unike?
Në fakt është kërkuar të bëhej dy apo tri kopje, një të vendosej në Thesarin e shtetit, qoftë edhe një në Vlorë, pranë aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, por kjo nuk është e mundur. Ne do ta skanojmë dhe do ta printojmë në shumë kopje, që edhe t'i botojmë t'i ketë populli i thjeshtë.
Thatë se kishit frikë në momentet kur po e shkruanit Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Po sot që është e përfunduar, si ndiheni?
Tani e ndjej veten shumë të çlodhur prej gjithë atij tensioni të madh që kisha. Sepse në fund kur e kryen punën sado që është e nivelit të lartë, ndihesh i kënaqur që puna është kryer. Në historinë tonë do të jetë e pavdekshme kjo deklaratë. Neve edhe e kemi fotografuar dhe sot shumë gazeta e kanë paraqitur, qoftë edhe ajo japoneze "Asahi shimbun", gazetë që ka tirazhin më të madh në botë prej 8 milionë kopjesh.

Anila Mema Gazeta Panorama

  • Postime: 737
  • Karma: +0/-1

#2 ne: 02-03-2008, 21:23:59
Betimi i ushtarëve të UÇK-së

“Unë , ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre .Do të jem përherë ushtarë besnik, luftëtarë i denjë i lirisë,vigjilent, guximtar dhe i diciplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim , le të ndëshkohem me ligjet më të ashpëra të luftës dhe nëse tradhtoj , qoftë i humbur gjaku im . Betohem, betohem , betohem.”

  • Postime: 737
  • Karma: +0/-1

#3 ne: 19-05-2008, 21:56:16
Qeveria e Kosovës vendos që 28 nëntori të mos jetë festë shtetërore
19 maj/ora 16:10- Qeveria e Kosovës miratoi sot Projektligjin për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës. Në këtë kalendar nuk është përfshirë 28 Nëntori - Festa e Flamurit, si datë që është festuar në Kosovë në vazhdimësi, e po ashtu nuk është përfshirë as 12 qershori, dita e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që deri tani festohej si dita e çlirimit.

Xhuljeta Lamkaj
Hen, 19 Maj 2008 16:10:00



 
Qeveria e Kosovës miratoi sot Projektligjin për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Në kalendarin festiv të Republikës së Kosovës janë përfshirë Viti i Ri, Dita e Republikës së Kosovës (17 Shkurti), Dita e Kushtetutës së Kosovës (9 Prilli), Dita e Punëtorëve (1 Maji), Dita e Evropës (9 Maji) dhe festat fetare të komuniteteve në Kosovë.

Në këtë kalendar nuk është përfshirë 28 Nëntori - Festa e Flamurit, si datë që është festuar në Kosovë në vazhdimësi, e po ashtu nuk është përfshirë as 12 qershori, dita e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që deri tani festohej si dita e çlirimit.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosovës i duhen festat e veta shtetërore.

"Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multi-etnik, me territor të garantuar. Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht se respektohen edhe festat kombëtare, ka Festën e Republikës, ditën e shpalljes së pavarësisë dhe festat e tjera. Ky është vetëm fillimi", tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Projektligji për Festat Zyrtare tani do t'i dërgohet Kuvendit për miratim.

Temat e fundit