Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvendin e Kosovës - Kosova Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvendin e Kosovës

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvendin e Kosovës

· 1 · 512

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 07-10-2009, 20:46:12
  Hijet e të shkuarës të mos zbehin dritën e të ardhmes

Sali BERISHA

Së pari, dëshiroj t'ju falënderoj përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ju të nderuar deputetë dhe ju zoti Kryetar Jakup Krasniqi, për nderin e madh që më bëtë duke më dhënë fjalën në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Unë e përjetoj këtë moment, si një nga ngjarjet më të shënuara të jetës sime. Kjo sepse, ju burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, me sakrificat dhe përpjekjet tuaja mbinjerëzore shndërruat në realitet ëndrrën më të lashtë, më fisnike, më të bukur, më sublime të njeriut të qytetëruar, ëndrrën e lirisë, kurse ata që dikur me zinxhirët e tankeve u vërsulën mbi Parlamentin tuaj përfunduan në galerat e historisë. Kosova, në 130 vitet e fundit, ka qenë gjithnjë djepi i lëvizjeve të mëdha kombëtare emancipuese të kombit shqiptar, i Lidhjes së Prizrenit dhe kryengritjeve të mëdha që sollën Pavarësinë e Shqipërisë. Por, Kosova e lirë dhe e pavarur, është faqja më e ndritur në historinë e kombit, është kryevepra e tij politike më madhështore që nga koha e Skënderbeut, gjer në ditët e sotme.

Prandaj dhe fjalët e para që burojnë nga zemra dhe shpirti im janë një nderim dhe mirënjohje e thellë dhe e pakufishme për ju, baballarët dhe gjyshërit tuaj, për qindra dhe mijëra burra dhe gra, martirë të kësaj toke që me sakrificat, qëndresën epike për liri, dinjitet njerëzor dhe kombëtar, që nga viti 1878 gjer në fundin e shekullit që shkoi, fituan pavdekësinë, duke bërë që drita e lirisë dhe flakët e saj të mos shuhen kurrë në Kosovë dhe që sot, kombi ynë në tërësi dhe çdo shqiptar në veçanti, të jetë i lirë dhe të fitojë dinjitetin që meriton. Liria është shpirti i vërtetë i një kombi. Njëlloj si shpirti, liria kombëtare është një dhe e pandarë. Sot jemi të lirë, lavdi zotit.

Sot, dua që nga kjo platformë, një nderim të veçantë të shpreh për burrin e madh të Kosovës dhe kombit shqiptar, arkitektin e pavarësisë së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rrugova që me përfaqësimin e civilizuar, guximin, urtësinë dhe mençurinë e tij bëri që Kosovën ta donin dhe ata që s'e deshnin, ta njihnin edhe ata që nuk e kishin njohur. Ky burrë vigan i kombit tonë, ndërtoi në kushtet e okupacionit të egër në Kosovë pushtetin paralel dhe çështjen e drejtë të shqiptarëve të Kosovës e ngriti nga një barrakë e vogël në qendër të Prishtinës, deri në zyrën ovale të Presidentit të SHBA dhe Kancelaritë e mëdha të Evropës, si dhe udhëhoqi me guxim dhe sukses Kosovën gjer në prag-shpalljen e pavarësisë së saj.

Kombi do të nderojë për jetë burrin e tij të madh!

Unë dhe çdo shqiptar përulem me nderimin më të madh për komandantin legjendar, tribunin e lirisë, Adem Jashari, që me sakrificën e tij të madhe ndezi dritën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe para të gjithë luftëtarëve të lirisë, djemve dhe vajzave të Kosovës që luftuan në fundin e viteve '90 në fushat, malet, kodrat, fshatrat dhe qytetet e këtij vendi, dhe fituan luftën e fundit çlirimtare në Evropë, duke vendosur sakrificën e tyre sublime në themelet e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Ata mbrojtën nderin dhe dinjitetin kombëtar të çdo shqiptari, kombi do t'ju jetë mirënjohës për jetë.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Pavarësia e Kosovës, shënoi fundin e njërës prej padrejtësive më të mëdha jo vetëm të Ballkanit, por të gjithë Evropës ndaj dhe pas rënies së Murit të Berlinit, shpallja e pavarësisë së Kosovës, është ngjarja më e madhe në historinë e lirisë, jo vetëm të kombit shqiptar dhe rajonit, por dhe të mbarë Evropës, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kosova u bë e lirë dhe e pavarur, sepse udhëheqja dhe qytetarët e Kosovës, me qëndresën, sakrificën dhe luftën e tyre, ia dolën të fitojnë mendjen dhe zemrën e qytetarëve ligjvënësve dhe Presidenteve të SHBA, qeverive dhe qytetarëve të vendeve të mëdha të Evropës, vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila dhjetë vjet më parë, nën udhëheqjen e Presidentit Klinton, ndërmori betejën e parë në historinë e saj, për liritë dhe të drejtat njerëzore, dhe çlirimin e Kosovës. Shqiptarët në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe kudo që janë iu mbetën mirënjohës atyre përjetë.

Zoti e bekoftë NATO-n dhe vendet anëtare!

Zotërinj deputetë,

As dhe një komb tjetër në Evropë nuk ka patur të shkuar më të vështirë, më dramatike dhe të dhimbshme, se sa kombi shqiptar. Historia, në të shkuarën madje edhe të afërt të saj, u soll si një njerkë e pamëshirshme ndaj nesh. Ajo na rezervoi ne, shqiptarëve, pushtime të gjata, spastrime çnjerëzore, copëtime të mëdha, racizma primitive, ksenofobira të egra, diktatura orvelliane. Ajo na rrëmbeu toka dhe territore, pasuri, mori qindra e mijëra jetë njerëzish, por më keq akoma na vrau kohën, na grabiti të ardhmen. Mirëpo ne jo vetëm mbijetuam, por dhe fituam, arritëm të mbrojmë dhe mbruajmë vokacionin tonë perëndimor, identitetin tonë kombëtar.

Ne, më në fund, hymë në rrugën e ndërtimit të së ardhmes që meritojmë. Është e vërtetë se rruga e mundimeve dhe sakrificave tona ka qenë e pashembullt, por shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që jetojnë, kanë njohur dhe po përjetojnë dekadat e fundit, mbështetjen, bujarinë, solidaritetin dhe ndihmën e gjithanshme më të madhe në tërë historinë e tyre, nga vendet e lira mike dhe institucioneve ndërkombëtare. Shqiptarët sot janë të përkushtuar, të vendosur që sakrificat, përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme për liri dhe dinjitet, ndihmën dhe solidaritetin e madh të miqve të tyre, t'i shndërrojnë në energji të pashtershme dhe përkushtim për paqen dhe stabilitetin, për ndërtimin e të ardhmes së tyre evropiane. Ne sot, jetojmë në një rajon në të cilin, konfliktet e djeshme janë zëvendësuar, në tërësi, me frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit, përpjekjes për integrimin rajonal, evropian dhe euroatlantik. Shqiptarët, më shumë së të gjithë të tjerët, kanë interesin dhe vullnetin dhe interesin të ndjekin këto rrjedha, Ne, vërtet jemi një komb i ndarë në disa shtete, por sot jemi të lire, te bashkuar ne idealin tone evropian, dhe të vendosur që hijet e të shkuarës të mos zbehin dritën e të ardhmes sonë evropiane.

Sot, në bindjen time më të thellë, interesi jetik kombëtar për çdo shqiptar kudo që jeton, është mosndryshimi dhe respektimi i kufijve aktual ndërkombëtar të rajonit dhe konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të saj dhe të ndërtimit të demokracisë së bazuar në vlerat e tregut, integrimi i Shqipërisë në BE dhe perspektiva e sigurt dhe integrimi euroatlantik dhe europian i Republikës së Kosovës, pra është bashkimi ynë në Evropën e bashkuar. Këto konfirmoj se janë dhe interesat më të mëdha dhe jetike kombëtare të shqiptarëve. Prandaj dhe për Shqipërinë, për Kosovën, integrimi evropian dhe euroatlantik janë dhe do të mbeten ylli polar, që ndriçon rrugën e të ardhmes sonë.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Këto 20 muaj kanë qenë kohë historike dhe suksesesh të mëdha për udhëheqjen politike, institucionet dhe për popullin e Kosovës. Në një kohë të shkurtër Republika e Kosovës, një vend i vogël, po shndërrohet në një faktor vërtet paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal. Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 62 vende, ndër të cilat fuqitë më të mëdha të botës së lirë dhe Evropës, si dhe institucionet prestigjioze ndërkombëtare më të mëdha si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Sot Kosova ka miq të mëdhenj e të çmuar më shumë se kurrë në historinë e saj, ka mbështetjen e fuqishme të vendit të madh të lirisë, SHBA, vendeve të mëdha të Evropës, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, vende të tjera mike në të katër anët e globit, nga Australia në Japoni, nga Arabia Saudite në Kanada. Dhjetëra vende mike janë angazhuar në shqyrtimin e kërkesës së pavarësisë së Kosovës, si dëshmi e vullnetit të tyre për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Në 20 muaj parlamenti, qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës i faktuan dhe po faktojnë përdite botës përkushtimin e tyre të madh për paqen, demokracinë, per ndërtimin në Kosovë të një shoqërie të lirë ku qytetarët shqiptarë, serb, malazezë, boshnjakë, turq, romë jetojnë në harmoni dhe të barabartë përpara ligjit si dhe integrimin e tyre në NATO dhe BE. Qeveria shqiptare është totalisht e angazhuar në promovimin dhe lotimin tek qeveritë e vendeve tjera të rëndësisë që ka njohja e pavarësisë së Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Në një kohë rekord qeveria, Parlamenti, institucionet dhe forcat politike të Kosovës kanë ndërmarrë reformat më të thella dhe më të gjithanshme në historinë e vendit, kanë projektuar, miratuar dhe po zbatojnë me sukses Kushtetutën demokratike dhe ligjet bazë të standardeve më të mira të institucioneve të reja të sistemit demokratik dhe ekonomisë së tregut. Sot, në Kosovën e pavarur, tensionet ndëretnike janë gjithnjë në rënie dhe më të ulta se kurrë më parë, shoqëria plurifetare dhe multietnike e Kosovës po konsolidon traditën e shkëlqyer shqiptare të harmonisë dhe bashkëjetesës ndëretnike dhe tolerancës së shkëlqyer fetare. Sot largimet nga Kosova, për motive ndëretnike, po zëvendësohen me kthimin e të shpërngulurve në shtëpitë e tyre. Unë kam bindje se ju këtu, në Kosovë, do të shfrytëzoni të gjitha mundësitë dhe po i shfrytëzoni për të konsoliduar standardet më të larta të lirive dhe të drejtave të pakicave në rajon dhe në Evropë. Qeveria shqiptare është e vendosur të ndihmojë qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj në sistemin e personave të shpërngulur. Arritjet në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit përbëjnë një sukses të rëndësishëm të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Ekonomia e Kosovës po fiton dinamizëm të ri, interesi për investime të huaja vjen në rritje.

Në Kosovë Aleanca e Atlantikut të Veriut ka vendosur KFOR, njësitë e të cilit kanë bërë një punë të shkëlqyer duke dhënë një kontribut historik për paqen, stabilitetin jo vetëm këtu, por në mbarë rajonin tonë. NATO ka ndihmuar dhe po ndihmon Kosovën për organizimin dhe reformimin e forcave të sigurisë, si një kusht për progresin e saj drejt anëtarësimit në NATO. Bashkimi Evropian, të gjitha vendet anëtare kanë sjellë këtu një mision të madh EULEX-in për t'ju mbështetur ju në ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionuese, në garantimin dhe respektimin e standardeve më të mira evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe pakicave. Në një hark të shkurtër kohor, misioni i EULEX ka bërë dhe po bën një punë të admirueshme, ka dhënë dhe po jep një kontribut të pazëvendësueshëm në konsolidimin e institucioneve të shtetit demokratik të Kosovës dhe ekonomisë së lirë të tregut, kontribute këto, përcaktuese për perspektivën dhe të ardhmen e integrimit të Kosovës në BE. Me këtë rast, edhe unë dua t'u shpreh mirënjohjen e thellë KFOR-it dhe EULEX-it, SHBA dhe vendeve anëtare të NATO-s, vendeve anëtare të BE-së dhe Komisionit Europian, për kontributin e tyre madhor që japin për paqen dhe stabilitetin në Kosovë që rrezaton pozitivisht në mbarë rajonin tonë.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës po zhvillohen dhe intensifikohen çdo ditë në interesin më të mirë të qytetarëve tanë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vende vëllezër. Ata janë dy vende të ndryshme, por jo, kurrë të huaja për njëri-tjetrin. Ata me një bashkëpunim të gjithanshëm, partneritet vëllazëror, duhet të kapërcejnë pasojat e gjithanshme të ndarjes shekullore, bazuar në proceset dhe standardet më të mira të integrimit evropian. Shqipëria do t'i japë Kosovës të gjithë ndihmën për integrimin e saj në NATO dhe proceset integruese evropiane. Unë kam bindje se marrëdhëniet e ngushta midis Shqipërisë dhe Kosovës janë interesi më i mirë i bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë. Dy vendet tona, me vepra duhet t'ju provojnë fqinjëve dhe të gjithë vendeve të tjera, mike dhe partnere, dy vende të pavarura në tërësi të banuara nga shqiptarët, janë dhe do të jenë për to, dy miq të vërtetë në rajon. Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se shqiptarët, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë jemi më kohëhumbur më shumë se të gjithë të tjerët në rajon dhe me gjerë. Për ne është jetike dhe vendimtare të kapim orën evropiane, orën globale. Sigurisht që dhimbjet, vuajtjet, sakrificat ne do t'i nderojmë. Ato nuk harrohen, por në asnjë rast, nuk mund të pengojnë apo vështirësojnë bashkëpunimin miqësor me vendet e rajonit dhe vendet e tjera. Historia na ka imunizuar nga komplekset. Fobia ndaj shqiptarëve është thjesht një atavizëm që nuk i vlen më askujt. Shqiptarët dhe serbët, jam i bindur se do të gjejnë kurajën, mençurinë për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis tyre në interesin më të mirë të vendeve dhe kombeve, por dhe rajonit në tërësi. Shqipëria është e gatshme të punojë me vendosmëri për të.

Shqipëria dhe Kosova duhet të rindërtojnë dhe ndërtojnë infrastrukturën e re. Ne jemi të vendosur që me Kosovën dhe të gjitha vendet përreth, të adaptojmë çdo ditë e më shumë standardet e njëjta me ato të vendeve të tjera të BE-së për lëvizjen e qytetareve dhe mallrave në mes vendeve tona. Shqipëria po bën përpjekje të mëdha për të dyfishuar të gjitha lidhjet e transportit dhe të tjera me Italinë, Greqinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi. Qeveria shqiptare parashikon, gjatë këtyre katër viteve, të dyfishojë lidhjet këto lidhje infrastrukturore. Pas ndërtimit të korridorit Durrës-Prishtinë, ne parashikojmë dhënien me koncesion për 99 vjet të Portit të Shëngjinit për Republikën e Kosovës, ndërtimin e autostradës Shkodër-Qafë Morine, si dhe fillimin e projektimit dhe më pas të ndërtimit të linjës hekurudhore që lidh Shqipërinë me Kosovën, ne do të kompletojmë lidhjen hekurudhore me Maqedoninë, krahas asaj që kemi me Malin e Zi. Shpresoj se së shpejti, me ndihmën bujare të qeverisë gjermane, do të fillojë ndërtimi i linjës së tensionit të lartë 420 KV me Kosovën, e më pas edhe me Maqedoninë. Ne firmosëm sot me qeverinë e Kosovës, një seri marrëveshjesh të rëndësishme të bashkëpunimit për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, luftën e përbashkët kundër kriminalitetit, për arsimin dhe një seri marrëveshjesh të tjera ekonomike, në fushën e kulturës, turizmit janë në përgatitje e sipër. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona vëllezër do t'i shndërrojmë në marrëdhënie model, në interesin më të mirë të qytetarëve të rajonit. Marrëveshje të tjera do të nënshkruajmë me të gjitha vendet. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës do të intensifikohen gjithnjë e më shumë. Dua ta mbyll këtë fjalë me një përshëndetje vëllazërore për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfaqësuesit e tyre të lartë në këtë Parlament, por edhe të shpreh kënaqësinë dhe krenarinë time sepse nuk di ndonjë vend tjetër që ka lindur në kushte të ngjashme me këto të Kosovës, që të ketë arritur rezultate që janë shënuar në këtë vend në më pak se dy vjet pavarësi. The New Born në 20 muaj paraqitet si i ri i pjekur dhe unë dua t'i uroj atij rini të përjetshme dhe përjetësi!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!"

Fjala e Kryeministrit Berisha në Kuvendin e Kosovës

RD

Temat e fundit