Në Gjakovën e paspavarësisë - Kosova Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Në Gjakovën e paspavarësisë

Në Gjakovën e paspavarësisë

· 1 · 980

  • Postime: 27102
  • Karma: +11/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 26-04-2008, 16:08:29
Të shkosh nga Tropoja në Gjakovë, jo vetëm që nuk është më e lodhshme, por madje është edhe e këndshme. Rruga e përfunduar para më pak se dy vjetësh ka bërë që të shijosh një udhëtim të magjishëm, mes bukurish natyrore, që Zoti u ka falur plot bujari këtyre zonave. Kalojmë pikën e kontrollit, ku tregojmë veç pasaportat e dokumentet e makinave. "Mirë se vini!", na urojnë doganierët kosovarë. "Mirë se ju gjejmë dhe gëzuar Pavarësinë!", ua kthejmë përshëndetjen. "Ta gëzojmë së bashku!" buzëqeshin ata.



Sapo kemi hyrë në shtetin më të ri të botës, pikërisht dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë. I afrohemi qytetit të Gjakovës. Në të dyja anët e rrugës dallohen ndërtime të reja, vileta të këndshme me ngjyra të mirëkombinuara. Shumica janë të stilit alpin zviceran dhe gjerman. Disa janë të përfunduara, të tjera ende jo. Megjithatë, rrallë mund të dallosh shenja jete në këtë zonë. Nuk është e vështirë ta kuptosh se pronarët e ndërtimeve jetojnë me familjet jashtë vendit dhe kthehen këtu vetëm për pushime. Shenjat e luftës nuk duken gjëkundi, përveç, varrezave dhe obeliskëve në kujtim të luftëtarëve të UÇK-së, të dekoruara me kurora lulesh të freskëta.

Në Gjakove

Ndalesën e parë e kemi në hotelin "Pashtrik", dikur famëkeq, jo vetëm për Gjakovën, por edhe për Kosovën. Na tregojnë se gjatë luftës këtu kanë qëndruar trupat e Arkanit dhe ambientet e nëndheshme të hotelit janë përdorur si dhoma torturash për shqiptarët. Tani aty strehohen, përveç turistëve, edhe trupat e forcave të NATO-s dhe ato Mbrojtëse të Kosovës. Në recepsion dallon dy radhë flamujsh shumëkombësh, ku në njërën radhë mund të dallosh flamurin kombëtar shqiptar dhe në tjetrën flamurin shtetëror kosovar.

Në zyrën e kryekomunarit të Gjakovës

Ndodhemi në Gjakovë në përbërje të një delegacioni shqiptar, i cili do të diskutojë rreth mundësisë së bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, në fushën e formimit profesional. Për ironi të fatit, dy qytetet e Rrafshit të Dukagjinit, Tropoja në këtë anë të kufirit dhe Gjakova në anën tjetër, kanë nivelin më të lartë të papunësisë në vendet respektive, Shqipëri dhe Kosovë. Por, Gjakova ka një përparësi, atje është ngritur dhe funksionon një qendër bashkëkohore e formimit dhe aftësimit profesional, me fondet e bashkësisë ndërkombëtare. Takimin e parë e zhvillojmë me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i cili na pret në zyrën e tij. Zv/ministri shqiptar i Punës, Kastriot Sulka, pasi e uron për pavarësinë, thekson se bashkëpunimi mes dy vendeve tani duhet të njohë zhvillime të reja për të mirën e përbashkët.

Lekaj thotë se personalisht i ka injoruar kufijtë mes dy shteteve të të njëjtit komb. "Kufijtë për mua janë virtualë", shprehet ai. E ndërsa, hyjnë në elementët teknikë të zbatimit të këtij bashkëpunimi, Lekaj shprehet se tashmë Qendra e Formimit i ka çliruar kapacitetet, në pritje të kontingjentit të punëkërkuesve që do të dërgojë Zyra e Punës së Tropojës. "Kjo ash‘ më e pakta që mund të bajmë për vlleznit tonë prej Shqipnie. Ju na keni mbështet kur kishim ma shumë nevojë se kurrë për shtetin amë e na nuk do ta harrojmë. Asht‘ më e pakta që mund të ofrojmë dhe, natyrisht, të tëna shpenzimet e formimit do të mbulohen nga Qeveria e Kosovës", thotë ai. Vizitën tjetër e zhvillojmë në Qendrën Rajonale të Aftësimit Profesional, ku na pret drejtori i saj, ish luftëtari i UÇK-së, Shaban Laha. Vizitojmë ambientet e qendrës dhe komunikojmë me kursantët. I pyesim rreth situatës pas Pavarësisë dhe se çfarë presin tani. "Nuk di, besa, po ma s‘pari kena nevojë për punë", shprehet Pranvera, një vajzë te të njëzetat, që ka ardhur në Qendër për të marrë një profesion. Kur e pyet se sa shpresë ka që të fillojë punë pas kursit, ngre supet dhe përgjigjet: "Me shpresë t‘ Zotit!" Në qendër takojmë edhe një djalë tropojan, Vllazërimin, që nuk ka pritur nënshkrimin e marrëveshjes për të përfituar nga mundësitë që i jepen vetëm 45 minuta larg qytetit të tij, "Bajram Currit". Na shpjegon se e ka gati vendin e punës në biznesin e të vëllait dhe këtu ka ardhur të marrë profesionin. Përpara se të largohemi, drejtori na tregon edhe ambientet e një kati të nëndheshëm. Edhe aty është ngritur një kabinet modern. "Deri n‘99 këtu serbët ‘trajnonin‘ shqiptarët", na thotë Shabani dhe lëviz dorën për të treguar se aty paramilitarët serbë kanë torturuar e vrarë shqiptarët.

Duket sikur ajo që tregojnë për këtë godinë, ashtu si edhe për ‘Pashtrikun‘, apo godina të tjera, i përket një kohe shumë të largët. Dhe të mendosh se nuk janë mbushur ende dhjetë vjet. Gjakovarët kanë fshirë çdo shenjë të së shkurës, por jo në kujtesën e tyre"...

Pavarësia na gjeti të papërgatitur

Nga Tirana me ne ka udhëtuar edhe Shefqeti, një gjakovar i arratisur në 1982-in dhe që jeton në Durrës, i cili, pas përfundimit të vizitave të punës, na njofton se familja e tij na ka ftuar për darkë. Daja i Shefqetit, ka një lokal 10 km në periferi të Gjakovës. Aty na presin familjarë e miq të familjes Kryeziu, të cilët kanë ardhur nga Prishtina, Prizreni, Peja. Janë mbledhur për të pritur vëllezërit nga Shqipëria. Na presin para lokalit, një ndërtesë simpatike trekatëshe. Pasi jemi prezantuar dhe rehatuar në tryezë, biseda natyrshëm përqendrohet te Pavarësia.

"Mos kini hiç marak që nuk u ndodhët n‘Prishtinë më 17 shkurt," na ngushëllojnë mikpritësit. "Shqipnia e festoi bukur boll dhe pa droje. Shqiptarët e Shqipnisë, këndun, kërcyn dhe brohoritn edhe për na. Askush nuk i kish paralajmëru me u tregu të përmbajtun. Pavarësia ne na gjet krejt të papërgatitur. Dhe kishim një jetë që e prisnim. Për javë e ditë me radhë na këshillun të tregohshim të vetëpërmbajtun. Ec e gjeje cakun e vetëpërmbajtjes...". Interesohen se si e kemi përjetuar ne Pavarësinë e Kosovës. Lumturohen tek dëgjojnë se edhe ne e kemi përjetuar si ditën më historike për mbarë kombin. "Ju lumtë!", entuziazmohen. "At‘ ditë jeni tregur patriot t‘ vërtetë. Edhe mediat e Shqipnisë janë tregu heroike", dhe rendisin televizionet që kanë ndjekur atë ditë. Dikush kujton se kanë harruar edhe "aksh" televizion. "Jo, se televizionet kosovare nuk e përcollën atmosferën, por kishim dëshir t‘ shihnim çfarë ndodhte në Shqipëri..." "Atë punë e krym me sukses, ndërhyn baba i Shefqetit, e tash barra asht‘ e madhe. Miqtë tanë, që na ndihmun me ia mbërrit kësaj dite, presin shum prej na. Tash nuk kena çfar me than. Nuk mundna ma me ia hedh fajin shkjaut që nuk na len me u zhvillua e me përparu. Tash kena shtetin tonë, e shteti do burra, e burrat duhet me punue fort. Duhet me punue fort për me tregu se kush jena vërtet, jo vetëm para miqve, por edhe para armiqve tanë".

Hoxha dhe Muhamedi

Hoxha mbërrin pak më vonë. Ai është një zotni burrë rreth të dyzetepestave, i qethur shkurt, e rruar taze dhe me kostum shik. Kur na e prezantojnë kujtojmë se "Hoxha" është mbiemri i këtij burri të fisëm, ose ndonjë "llagap" me të cilin e thërrasin miqtë e tij. Por, befasohemi kur na thonë se "hoxha" është në të vërtetë një klerik i fesë myslimane, i shkolluar në arsim teologjik në shkollat më të mira brenda dhe jashtë vendit. Hoxha gjakovar nuk ka asgjë të përbashkët jo vetëm me klerikët myslimanë, por as me besimtarët më të devotshëm që kapardisen rrugëve të kryeqytetit tonë, Tiranës, me mjekra të gjata e me pantallona të shkurtra... "Kujdes, na ngacmon miku i vjetër i hoxhës, Muhamedi, një mjek i njohur gjinekolog, se hoxha nuk ua jep dorën femrave. Apo jo, hoxhë?" dhe ia plas gazit. Por, hoxha na befason përsëri. Ai ia zgjat dhe ia shtrëngon dorën të gjithëve me radhë, femrave të parave. "Mos dëgjoni Muhametin, se at‘ punë ka ai. I pëlqen me u ngacmu me mue", mundohet t‘i japë fund dyzimit tonë, hoxha, ndërsa tërheq pranë vetes karrigen dhe rehatohet. Dhe duket se ka të drejtë. Muhamedi i thërret nga kreu i tryezës: "Hoxhë, hoxhë, bre! Pa u thuaj këtyre miqve se çfarë e ke Alinë prej Arabie?" Hoxha bën sikur nuk e dëgjon, por Muhamedi ka qëlluar këmbëngulës dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pyetja e, madje, i shton edhe një të re: "Hoxhë, po Gjokën prej Kosove çfarë e ke?" "Vëlla, bre, e kam!" ia kthen zëplotë hoxha. Muhameti bubullon në një të qeshur kënaqësie: "Po, bre, të lumtë. E ç‘randësi ka feja për na, rëndësi ka gjaku. Dhe Gjokën prej Gjakove, apo Thomanë prej Tirane i kemi vllazën, si unë dhe ti." Qeshim edhe ne, pasi e kuptojmë se hoxha është mësuar me ngacmimet e Muhamedit dhe nuk vihet aspak në siklet kur ai përpiqet ta ngacmojë në besim. "Mendoja se kosovarët janë besimtarë fanatikë", u drejtohem mikpritësve, pa iu drejtuar askujt në veçanti. "Mu m‘ qujn Muhamed", ndërhyn i pari mjeku. "Por, kurrkush nuk m‘ pyti kur ma vuni kët emën. As Hasanin nuk e kanë pyt, as Alinë… Por, hoxha jonë, përpara se të jetë një klerik i devotshëm, është një patriot i mirë, edhe pse mu më pëlqen ta ngacmoj nga pak". "Kur e kuvendum në shtëpi me i dhan lejen me u ba hoxhë", ndërhyn në bisedë vëllai i hoxhës, një biznesmen i njohur kosovar, "baba i dha tri porosi: tridhjetë për qind të përkushtimit t‘ua kushtonte njerëzve dhe halleve të tyre, tridhjetë - çështjes kombëtare dhe atë që mbetej, le t‘ia kushtonte fesë". "Dhe ky hoxha që shihni këtu", ndërhyn përsëri Muhamedi, "është një patriot i madh dhe i ka shërbyer më shumë se kushdo çashtjes kombëtare. Nuk ka lan krahin pa shkel e shpi pa trokit, jo vetëm në Kosov, por edhe jasht për pajtimin e gjaqeve. Ka pajtu rreth 28 mijë familje deri tash në Kosovë, Shqipni dhe diasporë. Ja, ky asht‘ hoxha jonë". Ndahemi nga mikpritësit kosovarë me premtimin se herën tjetër do t‘i presim në Shqipëri. "Do të vijmë", premtojnë të gjithë, "dhe, kur të mbarojë rruga, do të jemi ma afër e do të shihemi ma shpesh. Tash, nuk mundet me na ndal kurrkush jo vetëm me u taku, por edhe me punu së bashku."

Të dhëna për Gjakovën

Qyteti i Gjakovës shtrihet në bregun e majtë të lumit Erenik. Lartësia mesatare e zonës së Gjakovës arrin në 365 m. Emri i qytetit daton që nga shekulli XV, por lulëzimi i vërtetë i Gjakovës si qendër e banuar fillon në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII. Nga kjo periudhë datojnë edhe ndërtimet më të rëndësishme në qytet si: Biblioteka, Sahat-Kulla, Medreseja e Madhe, Hani i vjetër, Kompleksit të Teqës së Madhe si edhe urat lidhëse të qytetit mbi lumin Krena, si ura e Tabakut, ura e Taliqit etj., të cilat ekzistojnë edhe sot e kësaj dite.
Njësia vendore e Komunës së Gjakovës ka sot një sipërfaqe prej 586 km katrorë, dhe përfshin qytetin e Gjakovës dhe 84 fshatra përreth saj.

Shquhet për tokën pjellore, fushat, malet, si dhe bjeshkët e larta që e rrethojnë në Jugperëndim. E pasur me lumenj si Ereniku, Krena, Llukaci, Drini i Bardhë, si dhe përrenj më pak të rëndësishëm.
Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2000, bërë nga UNMIK, në këtë komunë jetojnë 150.800 banorë dhe renditet si komuna e tretë më e madhe në shtetin e ri të Kosovës.
Pas luftës së vitit 1999, Gjakova lidhet me Veriun e Shqipërisë nëpërmjet dy pikave kufitare, të Qafës së Prushit dhe Qafë-Morinës, repsektivisht me rajonin e Hasit dhe me qytetin e Bajram Currit.

Qyteti i Gjakovës është i njohur si qendër kulturore, ku qendrat më të njohura janë muzeu, arkivi, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, biblioteka, Pallati i Kulturës, Teatri Kombëtar i Gjakovës

Gazeta Shqip

Foto nga Gjakova

Temat e fundit