Pavarësia Kokëposhtë - Kosova Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Pavarësia Kokëposhtë

Pavarësia Kokëposhtë

· 1 · 549

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 15-03-2011, 15:22:13
Vjet në vjeshtë Kosova hyri ngutshëm në zgjedhje të parakohshme. Shkak kryesor për prishjen e koalicionit qeverisës ishte dorëheqja e presidentit Sejdiu për shkelje të Kushtetutës. Me zgjedhjet e reja, Kosova pritej të dërgonte dy mesazhe të qarta. Së pari, se shteti i ri mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Së dyti, se Kosova po maturohej si shtet i pavarur ku sundon Kushtetuta dhe ligji.

Sot Kosova nuk është më kushtetuese se 6 muaj më parë; zgjedhjet u cenuan nga manipulimet mes partive dhe brenda partive. Institucionet e reja nuk u zgjodhën sipas Kushtetutës, por me “dhunë demokratike” e mesazhe telefonike. 6 muaj më vonë, Kosova ka një qeveri të pakicës, që në vend që t’i kthehej punës për ta konsoliduar pavarësinë, nisi me urgjencë bisedimet me Serbinë.

Procesi i ri negociator do të përcaktohet nga dy dokumente themelore; e para: 6-pikëshi i Ban Ki Moon-it,  i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 26 nëntor 2008; dhe i dyti: Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e paraqitur nga Serbia dhe BE-ja, e miratuar njëzëri më 8 shtator 2010. 6-pikëshi i Ban Ki Moon-it injoron Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe kërkon që, aty ku komunitetit serb është shumicë, të gjenden zgjidhje speciale për rregullimin e kufirit, doganave, policisë, gjykatave dhe zinxhirit komandues së policisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ndërsa Rezoluta e 8 shtatorit 2010, injoron vendimin këshillimor të GJND-së të 22 korrikut 2010 dhe bën thirrje për bisedime për të gjitha temat e hapura mes Serbisë dhe Kosovës nën kujdesin e BE-së. Dokumenti i parë e kthen kokëposhtë pavarësinë si shprehje e vullnetit të popullit shumicë për shkëputje përfundimtare nga Serbia. I dyti, e zhbën konfirmimin e pavarësisë nga organi suprem i drejtësisë ndërkombëtare dhe kërkon biseda shtesë nga palët.

Bisedimet filluan me tema të lehta, si targat e makinave, regjistrat kadastralë, kthimi i objekteve kulturore dhe historike të Kosovës. Serbia synon të ofrojë minimumin në temat teknike për të marrë maksimumin në temat politike. Pavarësisht deklaratave, Serbia kërkon që me ndihmën e BE-së t’i bindë shqiptarët për pranimin e një statusi special të veriut të Kosovës, për të kaluar nga “vetëqeverisja lokale” e garantuar nga Plani i Ahtisaarit drejt autonomisë territoriale. Kjo do të mundësojë formësimin e një hapësire juridike jashtë kontrollit të Prishtinës, ku komunitetit serb të vetëqeverisë doganat, pikat kufitare, forcën policore dhe sistemin e gjykatave. Ndërsa komunitetin serb që jeton në brendësi të Kosovës, Serbia synon ta nxjerrë jashtë juridiksionit të Kosovës, duke avancuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe nga njësi autonome e vetërregulluar brenda Kosovës në zonë jashtëterritoriale e kontrolluar nga Beogradi.

Serbia i ka qëllimet e qarta. Për sa kohë bisedimet vazhdojnë, njohja ndërkombëtare e Kosovës do ngadalësohet, ashtu si edhe anëtarësimi i saj në OKB. Dobësimi i mëtejshëm i tërësisë territoriale të Kosovës i hap rrugë Serbisë për të kaluar nga ndarja faktike në ndarje juridike të Veriut. Me përfshirjen në bisedime, Serbia mbulon problemin e saj të madh, pafuqinë për të pranuar krimet e kryera në Kosovë, mosdorëzimin e kriminelëve të luftës dhe pamundësinë për vetëpastrimin dhe europianizimin e saj. Serbia synon ta përdorë qasjen konstruktive gjatë diskutimit të temave të lehta si mjet për të marrë formalisht statusin e vendit kandidat të BE-së brenda vitit 2011. Përdorimi i veriut të Kosovës si mjet për të rihapur çështjen e statusit të përfundimtar po i jep mundësinë Serbisë dhe për ta projektuar veten para Bashkimit Europian si lider rajonal konstruktiv.

Edhe BE-ja i ka synimet dhe pritshmëritë e qarta nga bisedimet e reja. Bisedimet përbëjnë rastin e parë që BE-ja nga roli i pasagjerit të kalojë në rolin e shoferit, përsa i përket zgjidhjes së konflikteve në Ballkan, duke testuar kështu suksesin e zyrës së politikës së jashtme të BE-së. BE-ja kërkon të blejë kohë shtesë për të mbuluar paaftësinë e saj për unitet rreth Kosovës dhe pafuqinë e saj për ta bindur Serbinë që t’i japë fund qasjes armiqësore ndaj ekzistencës së Kosovës. Me përpjekjen për të blerë bashkëpunimin e Serbisë, BE-ja fsheh edhe dështimin e madh të misionit EULEX në veri të Kosovës ku ende nuk pranohet nga komuniteti serb.

Ndryshe nga dy palët e tjera, Kosova as nuk i ka kërkuar, as nuk i ka merituar e askush nuk e di se si ka për t’i përfunduar këto bisedime. Kosova nuk e di se çfarë kërkon, nuk ka unitet dhe as platformë negociuese për bisedime dhe është bërë pjesë e tyre me inerci. Askush nuk e mohon se pranimi i targave, pasaportave dhe vulave doganore të Kosovës nga Serbia do sjellë përfitime për shtetasit e Kosovës. Mirëpo, këto çështje do ishin zgjidhur edhe pa bisedime, nëse Serbia do ta pranonte Kosovën si fqinj të pavarur. Problemin më të madh Serbia nuk e ka me targat e Kosovës apo me faktin se a do të shiten specat e Kosovës në Beograd, por me pavarësinë dhe tërësinë territoriale të saj. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet se çfarë e ka penguar Serbinë të bisedojë me Kosovën për çështje teknike në interes të qytetarëve para vendimit të GJND-së.

Në vend që të kërkojë me ngulm zbatimin e Kushtetutës në gjithë territorin, Kosova po shkon drejt lëshimit të territorit. Bisedimet nuk do të sjellin njohjen nga Serbia, sepse BE-ja nuk e ka kushtëzuar integrimin e BE-së me njohjen e Kosovës dhe nuk mund ta kërkojë një gjë të tillë kur vetë BE-ja nuk e njeh Kosovën. Bisedimet nuk pritet të sjellin njohjet e 5 anëtarëve të BE-së, pa të cilat nuk ka si të përshpejtohet integrimi i Kosovës në BE. Në mungesë të 5 njohjeve, edhe liberalizimi i vizave vështirë se mund t’i ofrohet Kosovës si shpërblim për rikthimin në tryezën e bisedimeve. Nëse bisedimet nuk sigurojnë njohjen nga Serbia dhe integrimin në BE, për çfarë mund të shërbejnë ato? Apo ndoshta qeveritarët e Kosovës po e kthejnë pavarësinë kokëposhtë, nga shprehje e vullnetit të popullit për shtet, në një mjet për të vazhduar qëndrimin e tyre në pushtet? /Roland Gjoni, MAPO

Temat e fundit