Si te luftohet Serbia ne veriun e Kosoves? - Kosova Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Si te luftohet Serbia ne veriun e Kosoves?

Si te luftohet Serbia ne veriun e Kosoves?

· 2 · 1069

  • Postime: 88
  • Karma: +0/-1

ne: 14-11-2008, 06:55:00
 
Nga negociatat në kompromis dhe anasjelltas

Hashim Thaçi i ka zhgënjyer UNMIK-un dhe BE-në. Për disa muaj ata po negociojnë me Serbinë e ky veçse bënte sehir. Ata e kanë konsideruar këtë si një lloj pranimi nga ana e tij. Ngjashëm sikurse me Marrëveshjen e Rambujesë, ngjashëm sikurse kur u aprovua Korniza Kushtetuese, sërish tani, Hashim Thaçi thotë JO tash për të thënë PO pak më vonë. Ai është njeriu që nënshtrohet i fundit. Ama, megjithatë nënshtrohet dhe e gjithë kjo është me paramendim. Përgjatë kundërshtimeve të buta ai ia rrit vetes rëndësinë para pranimit përfundimtar.

BE-ja negocioi me Serbinë për shtrirjen e EULEX-it. Ajo i pranoi të tri kushtet e Serbisë: 1) që EULEX-i të bazohet në Rezolutën 1244; 2) që EULEX-i të jetë neutral karshi statusit të Kosovës; 3) që EULEX-i të mos ketë të bëjë me Planin e Ahtisaarit. Kushtin e parë dhe të dytë e kanë pranuar edhe Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi. Vetëm kushtin e tretë e refuzuan ata, duke e përforcuar kësisoj Planin e Ahtisaarit, gjithsesi të padrejtë dhe aspak të favorshëm për Kosovën. Insistimi kryesor i Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit është bërë Plani i Ahtisaarit, i cili edhe nga vetë ata është cilësuar si çmim i pavarësisë (të cilën edhe ashtu nuk na e njohën Serbia e Rusia, e rrjedhimisht as OKB-ja)!

Mirëpo, marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Serbisë për EULEX-in në Kosovë, Boris Tadiqi ia kishte vënë një parakusht që do të shërbente edhe si ombrellë: marrëveshjen UNMIK-Serbi për 6 pikat e letrës së Ban Ki-moon-it që Serbisë në Kosovë i japin edhe më shumë pushtet se Plani i Ahtisaarit. Policia, gjyqësia, doganat, kontrolli i kufijve, transporti dhe komunikacioni, trashëgimia kulturore, parashihen të jenë të ndara etnikisht. Në Kosovë do të ketë dy sisteme politike: një të Kosovës dhe një të Serbisë në çerekun e territorit, dhe që të dyja këto nën autoritetin suprem ndërkombëtar të PSSP-së e ICO-së. Strukturat e Serbisë nuk do të shpërbëhen paraprakisht, dhe serbët do t’i kenë të gjitha përveç ushtrisë të cilën nuk do ta kenë as shqiptarët. 6 pikat e marrëveshjes UNMIK-Serbi, Fatmir Sejdiu tha se nuk janë të pranueshme në formën e tyre aktuale. Ai nuk tha se ato paraqesin çështje të panegociueshme. Ai nuk i refuzoi 6 pikat për arsye parimore dhe as për arsye përmbajtësore. Ai tha se forma e tyre nuk është adekuate.


6 pikat e propozuara nga Ban Ki-moon e të cilat shumë shpejtë dolën të jenë 6 pikat e Serbisë nuk janë problematike vetëm në formë – problemi me to qëndron në përmbajtje, si dhe në synimin që ato kanë. Përmbajtja e tyre nënkupton qartë ndarje të Kosovës, por vetëm ndarje të brendshme, mënyrë kjo e vetme e arritjes së synimit të tyre. E synimi është që kur Kosova të ndahet kjo ndarje të ngërthejë shumë më shumë territor se sa pjesa veriore. Duhet ta mbajmë mend se propozimi i Ban Ki-moonit nuk ishte vetëm për veriun por për secilin vendbanim me popullatë shumicë serbe. Pra veriu i 6 pikave do të shërbejë si model për secilin fshat të shndërruar në komunë përmes decentralizimit.

Është forma e negociatave ajo që do të duhej të ishte e papranueshme për Sejdiun e Thaçin, negociata të cilat nuk kanë ndryshuar as në formë as në përmbajtje. Në formë për shkak se prapë agjenda e tyre është e dikujt tjetër (Serbisë), dhe nuk ka temë diskutimesh që do t’i kundërvihej agjendës serbe (pra nuk mund të flasësh për Luginën e Preshevës aty por vetëm për territorin e Kosovës aktualisht të pushtuar nga strukturat e Serbisë). Në përmbajtje për shkak se prapë po diskutohet e njëjta gjë – rregullimi i brendshëm territorial dhe institucional i Kosovës në dëm të Kosovës për shkak se në dobi të Serbisë. Pranimi i negociatave për 6 pikat nënkupton pranim të 6 pikave (ndoshta me ndryshime kozmetike formale).

Hashim Thaçi tha se Kosova është shpallur e pavarur në bazë të Dokumentit të Ahtisaarit. Pra, Kosova u shpall e pavarur sepse njëfarë Ahtisaari kishte rekomanduar ashtu. Jo për shkak se pavarësia ishte vullneti i popullit, jo për shkak se pavarësia është drejtësi për të kaluarën dhe e drejtë e popullit në të tashmen. Plani i Ahtisaarit ishte kompromis pas negociatave. Mirëpo, ai është edhe kompromis drejt negociatave të reja. Ai që lëshon pe, konsiderohet se gjithmonë mund të lëshojë pe edhe pak më shumë.

Kundërshtimi i marrëveshjes UNMIK-Serbi nga Sejdiu dhe Thaçi u bë për t’ia kontrabanduar publikut negociatat e reja. Sejdiu e Thaçi porsa e kundërshtuan ashtu butë e butë marrëveshjen e përsëritën disa herë gatishmërinë e tyre për negociata të reja. Ata nuk duan që të pranojnë diçka si akt i kryer – ata duan që kjo marrëveshje të paraprihet me proces të gjatë që ua mundëson manipulimin me publikun para se ta pranojnë marrëveshjen.

Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi e kundërshtuan marrëveshjen UNMIK-Serbi. Trysnia mbi ta po shtohet. Në vijim do të dëshmohet se sa seriozisht e sinqerisht e kishin kundërshtimin. Mbi të gjitha ky kundërshtim është i kotë nëse nuk ka një plan vendor për ta bërë Kosovën sovrane dhe me integritet territorial që është parakusht për ta zhvilluar ekonomikisht atë. Askush, madje as diaspora jonë, nuk do të vie të investojë në Kosovën e ndarë përbrenda.

Përveç që nuk duhet pranuar marrëveshjet UNMIK-Serbi dhe BE-Serbi, po ashtu nuk duhet zbatuar Plani i Ahtisaarit dhe duhet një strategji vendore për çështjen e veriut të Kosovës. Në vijim është paraqitur plani i menduar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! e i cili besojmë se paraqet një bazë të shëndoshë për ta bërë Kosovën një dhe të pandarë. Nuk mjafton t’i thuash jo planeve të huaja të këqija. Duhet patur edhe planin vendas për të mirën e vendit.

Pse është veriu i Kosovës në këtë gjendje dhe çfarë është ajo?

Gjatë zbrapsjes së forcave ushtarake serbe në qershor të vitit 1999, formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përparonin duke e shtënë vendin nën kontroll. Por kur ato mbërrijtën në veriun e Mitrovicës, erdhi një urdhër prej strukturave të larta udhëheqëse për të mos dalur matanë Ibrit. Jorastësisht, forcat franceze të KFOR-it pastaj u vendosën pikërisht sipër urës së këtij lumi që për më shumë se nëntë vjet simbolizon ndarjen e dhunshme të qytetit. Ndalimi i KFOR-it francez në Ibër ia mundësoi Serbisë ta vendos kontrollin në veri. UNMIK-u nuk ndërmori kurrfarë aksioni për t’i larguar ose për të reduktuar fuqinë e strukturave paralele deri në vitin 2002. Pasi që nuk i parandaluan u orvatën t’i shpërbëjnë ato por pa vullnet politik për këtë gjë – nuk pati përpjekje për ta ndalur ndërhyrjen e Serbisë. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe gjykatat e Serbisë funksionuan lirshëm dhe hapur. Në vitin 1999, UNMIK-u i shfuqizoi intitucionet e deriatëhershme të Kosovës por i la të paprekura ato të Serbisë në Kosovë.

Në librin e tij “Luftëtarët e paqes”, në një pjesë të tekstit të botuar edhe në gazetën “Koha Ditore” më 3 qershor 2004, ish-kryeadministratori Bernard Kushner shkruan: “Kolonat franceze, të ngarkuara për këtë zonë gjatë futjes së aleatëve, më 12 qershor 1999, duke vendosur fushimin në jug të qytetit, nuk e ndoqën policinë e Beogradit, por u ndalën në urë, duke futur rrallazi ndonjë njësit të vëzhgimit më në veri, ku zbuluan pjestarë të policisë dhe të vrasësve që bartin skalpet dhe flokë grashë shqiptare të varura në hallkat e rripit. Me urdhër të kujt ishin ndalur (te ura) forcat tona çlirimitare? Kurrë nuk kam mundur ta mësoja saktësisht, por ky ishte një gabim i madh politik. Ky ndalim i papritur, jo vetëm bëri nga Mitrovica një qytet të ndarë, por shkaktoi një eksod masiv, një ndjekje reciproke e të përhershme të refugjatëve të nemitur e të privuar nga të gjitha, dhe u ofroi serbëve një territor strehimi të papritur, në kufi me Serbinë që ende drejtohej nga Milosheviqi. Shumë shpejt vullnetarët serbë organizuan në veri të Urës një polici të udhëhequr me mjeshtëri nga Oliver Ivanoviqi, sportist i mëhershëm profesionist. Ai si njeri i guximshëm politik që ishte, u bë për UNMIK-un një bashkëbisedues i vështirë, dhe po aq i sinqertë sa mund të jetë njeriu në ato rrethana. Ai organizoi një njësit të armatosur të bridge watchers, rojat e urës, njerëz të armatosur të të gjitha tendencave, që nga njerëzit më të ndyrë e më brutalë deri te patriotët më të devotshëm, të cilët e kishin shtabin e tyre në “Dolce vita”, përballë Urës, ku shenjuan “territorin e lirë serb”, e të cilët nëpërmjet komunikimit me radiolidhje, mund të mblidheshin me alarmin e parë.” Dhe pak më tutje vazhdon Bernard Kushneri: “Por komandanti francez i zonës ishte kundër lëvizjeve tona që rrezikonin autonominë serbe në pjesën e epërme të qytetit të Mitrovicës.” Çdo koment është i tepërt.

Mbajtja e ndarë e veriut të Kosovës është mirëmbajtje e situatës kriminale. Vetëm me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar ndërsa 1.564 familje me 11.364 anëtarë janë dëbuar. Përveç krimeve dhe masakrave të kryera gjatë luftës nga forcat serbe, 16 kriminelë serbë kanë ikur prej burgut të Mitrovicës, së paku njëri është nxjerrur nga burgu përmes demonstratave të serbëve, kurse disa herë protestuesit nuk kanë lejuar që të arrestohen persona serbë të caktuar. Në trazira të dhunshme nuk u kursyen as forcat ndërkombëtare që për dallim i kursenin strukturat e Serbisë. Trazirat ishin të vazhdueshme, prej prillit të vitit 2002 kur u plagosën 22 policë polakë e deri me 17 mars 2008 kur u vra polici ukrainas. Serbët atje përdorën një arsenal të tërë ushtarak të armëve të zjarrit kundër ndërkombëtarëve.

Shqiptarët e dëbuar nga veriu i Mitrovicës jetojnë nëpër vende e banesa të marra me qera nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Ata jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Të shtyrë nga skamja e madhe, ata shpeshherë janë të detyruar t’i shesin pronat e tyre. Këto prona i bleu fillimisht Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën, e më pas drejtëpërdrejtë Qeveria e Serbisë. Rikolonizimin e veriut të Kosovës prej Beogradit e ka toleruar UNMIK-u meqë, sipas rregullores 2001/17 të UNMIK-ut, administratori komunal ka mundur të shfuqizojë kontratat nëse blerja e pronave është bërë në mënyrë të organizuar prej ndonjë institucioni të caktuar, qëllimi themelor i të cilit është ndryshimi i strukturës etnike në ndonjë pjesë të vendit. UNMIK-u u ka vendosur kushte vetëm shqiptarëve, por jo edhe autonomisë serbe në veriun e Kosovës.

Para luftës, 53% të banesave në veriun e Mitrovicës ishin të shqiptarëve sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Kur kësaj i shtohet fakti se familjet shqiptare kanë dukshëm më shumë anëtarë sesa ato serbe atëherë bëhet e qartë se shumica dërmuese e popullatës atje ishin shqiptarë. Kthimi i tyre padyshim se do të mundësonte t’i jepej fund dominimit të Serbisë në veri të Kosovës. Kthimi i shqiptarëve në veri nuk nënkupton shqiptarizimin e asaj pjese por normalizimin e saj, kthimin në gjendjen e mëhershme duke çrrënjosur efektet dhe rezultatet e pastrimit etnik.

Në vitet e pasluftës Trepça punonte rrallë e pak dhe nuk kishte zhvillim të ekonomisë private. Shqiptarët dhe serbët në veri nuk kishin pavarësi ekonomike dhe ata mbetën të brishtë përkundrejt strukturave të Serbisë. UNMIK-u është përpjekur që eventualisht t’i neutralizojë strukturat e Serbisë duke i punësuar në shërbimet publike të Kosovës që do të thotë se punësimi ishte politik. Politika e UNMIK-ut në veri gjithmonë ka qenë e nënshtruar ndaj strukturave të Serbisë: negociata me ta, koncesione për ta etj., për hir të stabilitetit që duhej mbajtur me çdo kusht. Reputacioni i strukturave të Serbisë u rrit e po ashtu edhe fuqia e tyre destabilizuese. Paralelizmit që prej vitit 1999 në shëndetësi, edukim, administratë, siguri etj., që prej marsit të vitit 2002 iu pat shtuar edhe eksluziviteti i shërbimeve të telefonisë fikse të Serbisë të cilat UNMIK-u praktikisht i legalizoi.

Nga të qenit dikur qyteti më i pasur i Kosovës, Mitrovica duke qenë e ndarë është shndërruar në qytetin më të varfër. Dy faktorë që ndikuan në varfërimin e këtij qyteti janë mosfunksionimi i Kombinatit Trepça dhe ndarja e qytetit. Ekonomia e qytetit të Mitrovicës ishte e tëra e organizuar rreth Kombinatit. Ai ishte punëdhënësi më i madh aty. Gjatë viteve të administrimit të dhunshëm nga Serbia, Trepça ishte katandisur si mos më keq, duke u shitur pjesë-pjesë, shfrytëzuar në mënyrë iracionale, si dhe duke mos u investuar asgjë në të. Shitja ilegale e Trepçës nga regjimi i Milosheviqit është pranuar nga UNMIK-u si e dhënë, si një fakt i kryer. Prandaj edhe sot e kësaj dite ky Kombinat është lënë në harresë. Trepça do të garantonte zhvillimin ekonomik të tërë Kosovës, jo vetëm të Mitrovicës. Prandaj ajo është lënë pas dore.

Ndarja e Mitrovicës natyrisht se e ka vështirësuar rifunksionalizimin e Trepçës, duke e lënë minierën e Stantërgut në njërën anë, ndërsa shkritoren në anën tjetër (Zveçan). Kështu Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër, dhe ajo është i vetmi qytet në Kosovë të cilit i është zvogëluar popullsia përgjatë viteve. Sipas raportit të European Stability Initiative të para pak viteve, në veri të Mitrovicës dhe Zveçan jetohet me mesatarisht 95 euro në muaj, 60% të të cilave sigurohen nga Beogradi dhe 23% nga Prishtina. Ndërkaq, në jug të Mitrovicës njerëzit jetojnë me 37 euro në muaj, nga të cilat 37% sigurohen nga Qeveria e Kosovës dhe 40% nga sektori privat.

Duket qartë që Serbia po përdor një strategji për veriun ku po vepron me dhunë dhe një strategji për pjesën tjetër të Kosovën ku po vepron pa dhunë në pritje të implementimit të decentralizimit nga ana e Qeverisë së Kosovës. Për veriun e Kosovës Serbia e dëshiron modelin e Bosnjës dhe këtë e ka shprehur edhe Nebojsha Çoviqi me një rast. Sipas tyre veriu i Kosovës do të ishte si Republika Serbe, Mitrovica si Mostari dhe Ibri si Neretva. Për pjesën tjetër të Kosovës, Serbia e do decentralizimin që e legalizon ndarjen. Decentralizimi u fillua nga qeveria e Bajram Rexhepit me ministrin Jakup Krasniqi, u vazhdua me qeverinë e Ramush Haradinajt e Bajram Kosumit me ministrin Lutfi Haziri, u intensifikua me qeverinë e Agim Çekut sërish me Lutfi Hazirin e avansuar edhe në pozitën e zëvendëskryeministr it, dhe tash pritet të kurorëzohet me Qeverinë e Hashim Thaçit dhe ministrin e tij Sadri Ferati. Për neglizhencën e tij për Mitrovicën (pas përfundimit të luftës) si kryetar i komunës atje, Bajram Rexhepi u pat shpërblyer me postin e kryeministrit. Për neglizhencën e tij për Mitrovicën (gjersa po zhvilloheshin negociatat në Vjenë) si kryeshef ekzekutivi atje, Sadri Ferati u shpërblye me postin e ministrit të pushtetit lokal që tash ka për mision decentralizimin e Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës gjendja në veri u keqësua nga trazirat kriminale që i shkaktuan strukturat e Serbisë. Për shqiptarët në veriun e Kosovës jeta është bërë më e vështirë edhe sesa në kohën e Milosheviqit. Politikanët e Kosovës flasin vazhdimisht për enklavat serbe në Kosovë por jo edhe për enklavat shqiptare në veri, flasin për kthimin e serbëve në Kosovë por jo edhe për kthimin e shqiptarëve në veri. Serbia ka më shumë kontroll mbi pjesëtarët e ShPK-së sesa Qeveria e Kosovës (përkatësisht Ministria e Brendshme e saj): serbët e ShPK-së i komandon qeveria e Serbisë kurse shqiptarët e ShPK-së i kontrollon Komisioneri i Policisë së UNMIK-ut, zëvendës i të cilit është Gjeneral Sheremet Ahmeti.

Njësia Speciale e ShPK-së shkon në veri vetëm për të ndërhyrë kundër shqiptarëve atje. Ali Kadriu nuk u lejua ta restaurojë shtëpinë e vet në lagjen Kroi i Vitakut. Në anën tjetër, serbët nga Klina (që nuk bëjnë pjesë në ata 900 që tashmë janë kthyer) thonë se për t’u kthyer edhe ata duan që t’iu ndërtohen shtëpi paraprakisht. Arrestimi i i tre pjesëtarëve të ‘Lëvizjes Çlirimtare Anti-terroriste Serbe’ nga Kufca e Dardanës u bë për t’i liruar menjëherë më pas dy prej tyre. Kjo është veçse inkurajim për strukturat e Serbisë. Serbia i kërcënon serbët për çfarëdo gjesti jolojal ndaj saj por edhe i financon, kurse Qeveria e Kosovës vetëm i financon, madje, edhe duke ua ruajtur pagat pjesëtarëve serbë të ShPK-së të cilët pas shpalljes së pavarësisë nisën të punojnë për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në mungesë të integrimit të qytetit, pra të shpërbërjes së “strukturave paralele” dhe kthimit të popullatës së dëbuar shqiptare në veri, jo vetëm që do të rriten gjasat për ndarjen përfundimtare por do të rriten gjasat edhe për shndërrimin e asaj treve në fushëbetejë të ardhshme të konfliktit të ardhshëm. Edhe në rastin më të keq, pra atë të ndarjes përfundimtare të Kosovës, paqja është e pamundur përderisa kufiri kalon përmes qytetit. Kur ka shumë popullatë – e që është edhe urbane – në afërsi të kufirit të krijuar me dhunë, aty rehati s’ka. Kufijtë ndërshtetëror në Afrikë kalojnë përmes shkretëtirave, kurse në Evropë në male të larta ku po ashtu s’jeton njeri.

Dokumenti sekret i Joachim Rueckerit për strukturat e Serbisë

Më 15 tetor 2007, ish-PSSP-ja i atëhershëm, Joachim Ruecker, i ka dërguar një letër selisë së OKB-së në New York por edhe Ahtisaarit, në të cilat iu qahet atyre për strukturat e Serbisë që veprojnë gjithandej. Kjo letër (kliko këtu për ta parë atë) përmban afër 30 faqe fotografi të objekteve e ndërtesave të uzurpuara nga Serbia e ku veprojnë strukturat e saj: prej agjencive pyjore e deri te zyrat e ministrive të Serbisë. Ky dokument që e kemi siguruar nga KFOR-i, e i cili është botuar pjesërisht më herët nga Koha Ditore, tregon se UNMIK-u gjithnjë ka qenë në dijeni se strukturat e Serbisë në veri kanë punuar në dy drejtime: 1) ndarjen e serbëve prej institucioneve të Kosovës; 2) rritjen e varësisë së tyre prej Serbisë. Së fundi, edhe Joachim Ruecker ka ditur deri në hollësi për strukturat e Serbisë, por nuk ka vepruar. Të gjitha këto ai i ka dërguar në selinë e OKB-së në Neë York me 15 tetor 2007. A thua si i është përgjigjur kësaj Ban Ki-moon? Të gjithë e dimë: me letrën e tij Tadiqit dhe Sejdiut ku parasheh edhe më shumë pushtet për strukturat e Serbisë në Kosovë sesa ajo që thuhet në Planin e Ahtisaarit.

UNMIK-u, thuhet në këtë dokument, është i kufizuar nga vullneti i shteteve që kontribuojnë me ushtarë në KFOR, që mos ta përdorin forcën për diçka më shumë sesa ‘për një ambient të qetë dhe të sigurtë’. Kjo tregon se UNMIK-u është i pafuqishëm dhe se prioriteti i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën është siguria dhe stabiliteti në dukje. Parandalimi i ndarjes (ose kontributi për një ambient të drejtë e me drejtësi, ose demokracia dhe paqja e qëndrueshme, ose zhvillimi ekonomik e shoqëror) thjesht nuk janë prioritet.

Më e rëndësishmja me këtë letër është që thotë qartë se strukturat paralele “i kundërvihen autoritetit të UNMIK-ut për ta implementuar mandatin e tij”, dmth. aty ku janë strukturat e Serbisë UNMIK-u s’ka kontroll dhe s’pyetet fare. Rrjedhimisht, ‘ndarja administrative’ e Kosovës ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it që u dakordua tash së fundi në fakt do të thotë ndarje e Kosovës midis EULEX-it dhe strukturave paralele. EULEX-i do të jetë neutral ndaj statusit dhe do ta respektojë rezolutën 1244. Kur janë pyetur, strukturat e Serbisë e kanë justifikuar veten e tyre me rezolutën 1244 që konfirmon sovranitetin e Jugosllavisë (tash Serbisë) mbi Kosovën. UNMIK-u gjithnjë ka qenë në dijeni të të gjithave por asnjëherë nuk ka zhvilluar kundërstrategji serioze.

Diskriminimi në Luginë të Preshevës

Numri i popullatës shqiptare (në përqindje) sipas regjistrimit të vitit 2001:
Presheva 92% shqiptarë
Bujanoci 61% shqiptarë
Medvegja 35 % shqiptarë

POLICIA
Gjithsej Shqiptarë
Preshevë 218 119
Bujanoc 286 106
Medvegjë 135 5

1. Struktura udhëheqëse e policisë në Preshevë është 50 me 50 %. Kryeshefi i policisë është shqiptar.
2. Në Bujanoc e tërë udhëheqësia është serbe, kurse shqiptarët janë diku në nivel komandues të 4 ose 5.
3. Në Medvegjë vetëm njëri është diku afër strukturave udhëheqëse por gjithnjë i përbuzur.


Karakteristikë është se në vendbanime shqiptare ke patrulla të përziera shqiptaro-serbe e nganjëherë vetëm serbe, kurse në vendbanimet serbe nuk ke asnjë policë shqiptarë në patrullim.
Në zonën kufitare me Maqedoninë në kalimin ndërkombëtar kufitar në Tabanoc nuk ka asnjë personel shqiptar, përveç që më 2007 kanë filluar disa policë shqiptar (2 apo 3) nga Presheva t’i kryejnë disa punë policore të parëndësishme.
Në konkursin e 2007-ës i organizuar sipas modelit evropian edhe pse kanë konkurruar një numër i rëndësishëm i shqiptarëve (60 veta), vetëm një nga Presheva ka arritur të pranohet. Edhe pse në Bujanoc stacioni policor ka nevojë për 30 policë që menjëherë të pranohen në punë Ministria heshtë në këtë drejtim.

GJYQËSIA

Serbë Shqiptarë
Preshevë Prokuroria 9 4
Kundërvajtje 5 7
Gjyq 25 16

Bujanoc Prokuroria 10 1
Kundërvajtje 19 5
Gjyq 45 4+3

Në Bujanoc, në gjyq, 4 janë me vendim kurse 3 pa vendim gjë që nënkupton se munden në çdo kohë të përjashtohen nga puna.

Medvegjë
Nuk ka asnjë shqiptar përveç një referenti.

Si të zvogëlohet fuqia e strukturave paralele të Serbisë në polici dhe siguri, gjykata, arsim dhe shëndetësi?

I. Marrja e sovranitetit

Në gjithë këtë konfuzion ndërkombëtar rreth Kosovës dhe brenda saj, pikërisht tash është momenti që të merret sovraniteti në duar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

1. Kryetari i Kosovës duhet ta nisë procesin e shndërrimit të TMK-së në Ushtri të Kosovës e jo të shuhet ajo. Ai më pas do të jetë Komandant Suprem i kësaj Ushtrie. Është shumë e rrezikshme që të shuhet TMK-ja në dhjetor, kushedi se kur do të startojë FSK-ja (edhe ashtu aq e mangët si forcë), dhe të krijohet vakumi për decentralizimin e Kosovës. Për këtë shndërrim, Kryetari i Kosovës duhet të kërkojë marrëveshje të veçanta mbrojtëse me shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran (Shqipërinë, ShBA-të, Britaninë e Madhe, etj.) Ndërkohë që duhet ta kërkojë një Marrëveshje SOFA me Aleancën Veri Atlantike.

2. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet që menjëherë, përmes Ministrisë së Rendit, ta vendos Policinë e Kosovës nën komandë të veten. Këta policë duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për ushtrimin e ligjshmërisë së Kosovës në tërë territorin. Këto veprime duhet të bashkërendohen me Kryetarin e Kosovës, si Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës. Mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës si dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin janë çështje të ngutshme dhe prioritare sot në Kosovë.

3. Bashkësia ndërkombëtare është e ndarë sa i përket pavarësisë së Kosovës. Është absurde që Kosova për pavarësinë e saj të mbështetet në tërë bashkësinë ndërkombëtare si të tillë. Organizmat ndërkombëtar veprojnë me konsensus që do të thotë se te ata Kosova duhet t’i pëlqejë edhe shtetit që më së paku e pëlqen Kosovën. Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të fuqishme bilaterale me shtetet e veçanta që e kanë pranuar e posaçërisht me Shqipërinë.

II. Policia e Kosovës në veri

1. Një bazë e njësisë speciale të policisë së Kosovës të jetë e vendosur në një kazermë në veri të Kosovës.

2. Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje.

3. Në veri janë rreth 500 familje shqiptare. Duhen shikuar mundësitë që secilës familje t’iu punësohet nga një anëtar në ShPK dhe asisoj do t’i kishim afër 500 njerëz të armatorur në veri në gjendje për ta mbrojtur veten atje.

III. Rivendosja e kontrollit të pikave kufitare

1. Trupat e KFOR-it duhet të mbrojnë pikat kufitare të kontrolluara nga Policia Doganore e Kosovës në veri të Kosovës. Madje, ato mund të mbyllen për një periudhë prej 3 deri në 6 muaj derisa të merret situata nën kontroll. Veriu i Kosovës para se të jetë problem i kontrabandës (siç propagon RTK-ja) është problem i integritetit territorial dhe i sovranitetit.

IV. Prerja e lidhjeve politike ndërmjet Serbisë dhe strukturave paralele: Sfidimi i strukturave paralele

1. Duhet të bëhet e vështirë për Serbinë që politikisht ta mbrojë marrëdhënien e saj me strukturat paralele duke demonstruar që këto struktura paralele janë:

a) kriminale,
b) mbijetojnë përmes detyrimeve dhe jo përkrahjes popullore,
c) e shkatërrojnë të ardhmen e serbëve lokal në Kosovë,
ç) e ndajnë dhe e përçajnë popullin e Kosovës.

2. Duhet të ndërpriten çfarëdo negociata me Serbinë përderisa ajo mbështet struktura paralele në Kosovë me qëllim të rrënimit të pavarësisë së Kosovës. Faktorët ndërkombëtar duhet t’i ndërprejnë negociatat me Serbinë kurse institucionet e Kosovës të mos i rifillojnë ato. Negociatat vazhdimisht janë përdorur si kohë shtesë për ta rritur pavarësinë e serbëve prej Kosovës dhe për thellim të ndarjes së Kosovës.

3. Ndërprerja e ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë duhet të jetë kusht për Serbinë për ta fituar statusin e vendit kandidat për BE.

Që të gjitha këto duhet që institucionet e Kosovës, e posaçërisht Qeveria e Kosovës, t’ua sqarojë faktorëve ndërkombëtar. Dhe t’i kushtëzojë ato. Nuk ka politikë pa kushtëzime!

V. Inicimi i veprimeve legale kundër strukturave paralele

1. Duhet bërë ngritja e akuzave dhe arrestimi për strukturat ilegale të sigurisë, për përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, për vozitësit që përdorin targa të Serbisë, për gjykatat paralele.

2. Duhet arrestuar ata që janë në krye të krimeve etnike në veri.

3. Të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave paralele. Duhet gjurmuar dhe duhet prerë financimi i strukturave paralele të Serbisë. Kjo po ashtu përputhet me pikën e mësipërme për vështirësimin e arsyetimit politik të Serbisë për të vazhduar me financimin e atyre strukturave.

4. Të ndërpriten pagat për policët që refuzojnë të punojë në Policinë e Kosovës.

VI. Mospranimi i komunës së veriut të Mitrovicës

1. Nuk duhet të legjitimohet komuna e veriut të Mitrovicës. Kësisoj, së paku nuk do t’i vështirësohej bashkimi i Mitrovicës gjeneratave të ardhshme të politikanëve. Nëse pranohet komuna e veriut të Mitrovicës, atëherë çfarëdo ndërmarrje integruese apo çlirimtare atje në të ardhmen do të konsiderohet agresion.

VII. Reciprociteti i të drejtave me Luginën e Preshëvës

1. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Luginë të Preshevës. Asimetria e situatave na lë peng të konfliktit që nuk mbaron. Shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të bëhen bashkë për flamurin kombëtar që nuk i lejojnë ta përdorin dhe për universitet në gjuhën shqipe. Për këto, ata duhen ndihmuar pa kursim nga Prishtina e Tirana.

Prerja e varësisë së serbëve lokal nga Serbia dhe brishtësia e shqiptarëve: Garim me strukturat e Serbisë

Serbët në veri janë të varur nga Serbia sepse i vetmi punësim atje është ai që e ofron Serbia në shërbimet publike prandaj duhet të stimulohen ekonomia private atje. Për dallim nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ne nuk mendojmë që serbëve duhet t’u jepen mijëra euro kesh, traktora apo paga (që madje iu ruhen) edhe kur punojnë për Serbinë. Përderisa veprojnë strukturat e Serbisë në Kosovë, çdo cent që Qeveria e Kosovës ua jep serbëve i shkon Serbisë.

Jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit. Jo negociata me e për strukturat e Serbisë, por integritet territorial e sovranitet.

1. Rivitalizimi i Trepçës, funksionalizimi i saj që do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave. Në fund të viteve të 70’ta por edhe përgjatë të ‘80-tave, arsimtarët e mjekët në Kosovë kishin paga që mund të krahasoheshin edhe me disa vende të zhvilluara perëndimore. Mirëpo, kjo ishte e mundur pikërisht për shkak punonte Trepça.

2. Themelimi i një Universiteti të Evropës Juglindore (sikurse në Tetovë) me fondet e Bashkimit Evropian ashtu siç ka propozuar ESI. Kjo të bëhet qendër e arsimit të shkëlqyer për të gjithë rajonin e Mitrovicës dhe t’ia merr fuqinë Universitetit të veriut të Mitrovicës të kontrolluar nga Serbia.

3. Ofrimi i bursave për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe Universitetin në Prishtinë.

4. Investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira.

5. Forcimi i fshatrave të shqiptarëve atje si pakicë e rrezikuar që janë duke ofruar mjete për rindërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në universitet. Secili shqiptar i dëbuar duhet të kërkojë të kthehet në pronën e vet në veri. Dhe njëkohësisht të organizohen dhe mobilizohen për këtë. Ata që nuk duan, duhet ta thonë hapur këtë dhe t’ua shesin të tjerëve pasurinë, atyre që duan të kthehen atje.

6. Nuk duhet lejuar që Qeveria e Serbisë t’i blejë pronat e shqiptarëve në veri. Të gjithë shqiptarët që janë detyruar t’i shesin pronat e tyre, Qeveria e Kosovës t’ua blejë ato. Qeveria e Kosovës mandej t’i lëshojë me qira të ulët për ata që duan të banojnë atje. Kurse, politikanët e Kosovës, të cilët gojën e kanë plot premtime boshe për bashkimin e qytetit, t’ua lirojnë një pjesë të hapsirës së apartamenteve dhe shtëpive të tyre të gjera e luksoze banorëve të dëbuar prej veriut të Mitrovicës në mënyrë që ata të mos paguajnë më qira në jug të Mitrovicës apo kudo tjetër në Kosovë që jetojnë e banojnë tash.

7. Në aspektin e të drejtave serbëve të Kosovës duhet ofruar gjithë atë që e parashohin këto dokumente:
- Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Politike dhe Civile
- Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore
- Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
- Konventa Evropiane për të Drejtat e Pakicave

Kësisoj, serbët do të mund të integroheshin në Kosovë: integrimi nuk është dëshirë por nevojë. Serbia po përpiqet me të gjitha mënyrat që serbëve t’ua bëjë të panevojshme integrimin në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Para çfarëdo joshje të serbëve të Kosovës duhet që paraprakisht të ndërpritet ndikimi i Serbisë. 

Vetevendosje, 12 nentor 2008

#1 ne: 14-11-2008, 21:37:53
Qeveria e Kosoves duhet urgjentisht te shpall gjendjen e jashtezakonshme me qellim qe ta parandaloj perseritjen e marsit te 2004-shit ,por ne kete rast ta shmang nje lufte civile te nxitur nga Beogradi e te injoruar nga faktori nderkombetar ne Kosove.Kryetari i Rep.se Kosoves dhe kryeministri jan kompetent qe kete ta bejne,1 Shebimi Policor i Kosoves te beje 12h pune dhe te kontrolloje rruget dhe vendebanimet e Kosoves,2 Kfori te konrolloj dhe ti mbroje kufijt e Kosoves, 3 Te hedhen poshte 6 piket e Ban Kimunit,4 te ruhet kushtetuta e Kosoves ,5 te nderprehet shtrirja e decentralizimit ne baza etnike, ky eshte plani i shpetimit te Republikes se Kosove per te shpetuar nga coptimi i hidhur.
autori eshte studiues i berjes se shtetit te Kosoves.

Temat e fundit