Tita i Kosoves - Kosova Sot

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Tita i Kosoves

Tita i Kosoves

· 1 · 885

  • Postime: 1631
  • Karma: +2/-6
  • Gjinia: Mashkull

ne: 05-05-2008, 21:06:36



REALPOLITIKA E IBRAHIM RUGOVËS

Analizë politike - historike

Ai që e kërkon shpëtimin e jetës me indiferencë ndaj jetës së të tjerëve, nuk do ta jetojë me nder!” (Mr. Ukshin Hoti)

Në vend të hyrjes

A ishte Ibrahim Rugova: „Gandi i Kosovës“,“i pathyeshëm
përballë regjimit serb…“, “profet i shqiptarëve“,
“Skënderbe i dytë“, …?!

 
Shkruan: Sheradin BERISHA

Më 21 janar 2008, u bën dy vjet që kur ndërroi jetë Ibrahim Rugova. Në kuadër të këtij përvjetori me moton: "Dita përkujtimore për Presidentin Rugova", kryetari Fatmir Sejdiu, nën patronazhin e të cilit janë zhvilluar të gjitha aktivitetet përkujtimore, gjatë homazheve (së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi) te varri i tij, para gazetarëve Rugovën e cilësoi si një ndër figurat më të ndritshme të vendit tonë. "Kemi ardhur këtu për të bërë nderimin e merituar për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, për personalitetin që i dha vulë kohës që jetoj dhe që llogaritet themeltar i shtetit të pavarur të Kosovës, që ishte nga personalitetet e fuqishme të historisë sonë dhe të tashmes dhe për të ardhmen tonë" - ka thanë Sejdiu. Fatmir Sejdiu edhe në fjalimin e tij të lexuar në tubimin përkujtimor që u mbajt në Teatrin Kombëtar, Ibrahim Rugovën i cilësoi si: „Burrin më të madh të Kosovës“, se „ka qenë dhe mbetet Zoti i kësaj Shtëpie“, „…Ati i Kombit tonë, do të mbetet fryma e këtij vendi“, „Ibrahim Rugova e nxori Kosovën prej kaosit në organizim, me rend të brendshëm demokratik“, „udhëheqës popullor“, „Ai nuk u dorëzua kurrë, para asnjë sprove, veç vdekjes…“, „është udhëheqës sui generis në Evropë“, dhe krejt në fund Sejdiu theksoi fuqishëm se „Ibrahim Rugova është heroi i Kosovës“.

 
(Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi te varri i Ibrahim Rugovës këtu)

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi, pas homazheve të bëra te varri i Rugovës (më 21 janar) thekson, se: „Kosova po ndërton traditën e respektimit të bartësve të institucioneve të vendit. Është vlerësim për punën në vazhdimësi të presidentit Rugova për realitetet që ka kaluar Kosova andaj ne do të vazhdojmë përkushtimet tona për të përmbyllur procesin për shtet të pavarur dhe demokratik të bashkuar si politikë, institucione dhe si popull".

Më 24 shkurt 2008 (vetëm një javë pash shpalljes së pavarësisë) Hashim Thaçi, sërish e viziton varrin e Ibrahim Rugovës, dhe me këtë rast para gazetarëve, është shprehur: ”Me rastin e pavarësisë kam bërë nderim shtetëror për personalitetin e ish-presidentit Rugova, për angazhimet në kontinuitet në procesin e pavarësimit dhe demokratizimit të vendit”. Thaçi pastaj ka theksuar se një pjesë të këtyre angazhimeve i ka bërë bashkë me Rugovën, në procesin e para Rambujesë dhe pas ardhjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë.”(Gazeta Express, E hënë 25.02.2008, fq.5).

Zhvillimet politike gjatë viteve 1990-1999…, dëshmojnë se Hashim Thaçi si pjesëtar i UÇK-së as para Konferencës së Rambujesë, as gjatë dhe pas mbajtjes së kësaj konference, deri në vitin 2004, nuk ka pas kurrfarë bashkëpunimi të mirëfillt me Ibrahim Rugovën. Përkundrazi Ibrahim Rugova e ka sfiduar në mënyra të ndryshme Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, madje Ibrahim Rugova e ka mohuar dhe s´ka marrë pjesë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës të kryesuar nga Hashimi, e cila ka dal si produkt i marrëveshjes së përbashkët në Rambuje, më 23 shkurt 1999 etj. etj.

 
Marrëveshjen e Rambujesë për formimin e Qeverisë)

Prandaj, Hashimi para varrit të Ibrahimit duket se ka gënjyer, dhe gënjeshtrat nuk mund të merren si fakte historike, ato janë dhe mbeten vetëm si gënjeshtra!

* * *

Ashtu sikurse këtë vit (2008) edhe në vitin 2006 kur vdiq Ibrahim Rugova (21 - 26 janar 2006), por, edhe me rastin e një vjetorit (21.01.2007) të vdekjes së tij, gjatë tubimeve përkujtimore u thanë në mënyrë rituale fjalët më të përzgjedhura për figurën e tij.

U tha se Ibrahim Rugova ishte „udhëheqës trim e i guximshëm...”, ndërsa mbahet në mend, si politikan, që mbillte frikë e defetizëm në popull, me deklaratat e çuditshme, se: “ Serbia është e fortë...”, ”se nuk mund të luftohet me Serbinë..”, ”se për 24 orë na bënë rrafsh me tokë...”, ”se, do të mund të na shkatërronin të gjithëve si popull...“ etj
U tha se Ibrahim Rugova ishte “Gandi i Ballkanit”, “Gandi i Kosovës“…, ndërsa veprimet e tija politike s´kishin asgjë të përbashkët me rezistencën gandiste. Derisa Gandi ka bërë rezistencë aktive e sakrifikuese duke e sfiduar regjimin kolonialist anglez në çdo fushë të jetës, me bojkotimin e çdo gjëje që ishte angleze, nga produktet ushqimore deri te dokumentet e lëshuara nga ky regjim, „Gandi i Kosovës“ nuk lëvizte nga vendi për ta kundërshtuar regjimin gjakatar serb. Madje, edhe kur organizonin të tjerët protesta (studentët, sindikalistët…) kundër regjimit, Rugova i pengonte në forma të ndryshme ato. Ibrahim Rugova duke i ikur përballjes me regjimin serb, pëlqente rezistencën pasive, krejt pasive (vetëm me fjalë gjatë konferencave të të premteve me gazetarë), pra pëlqente mosveprimin aktiv. Duke qenë i tillë ai s´i bojkotonte produktet serbe, madje ai s´i bojkotonte as dokumentet e regjimit serb, sepse të gjitha udhëtimet, me karakter „kombëtar“ jashtë vendit i bënte me pasaportën serbe. Bile kur i dilte afati shkonte vet në sportelet e UDB-së për ta vazhduar këtë dokument udhëtimi. (Për këtë fakt lexo më tepër te libri „Pa protokoll“ Bisedë me Adnan Merovcin, „Zëri“, Prishtinë 2003, faqe. 37. Adnan Merovci për dhjetë vjet rresht ishte shef i sigurimit dhe i protokollit i kryetarit Ibrahim Rugova.
U tha se Ibrahim Rugova ishte “politikan që kultivonte unitetin…“, ndërsa veprimet e tija politike dëshmonin në vazhdimësi të kundërtën e unitetit. Rugova, deri në shtator 2005 kur kumtoi se vuante nga kanceri në mushkëri, nuk mbahej mend se ka mbajtur ndonjë takim gjithëpërfshirës me lidershipin politikë e institucional shqiptar, për ta kultivuar këtë unitet, ndërsa njihej si prijës autokrat, duke mos i përfillur këshillat e politikanëve tjerë shqiptarë. Për më keq, edhe kur ftohej në ndonjë takim me karakter uniteti nga partitë tjera, Ibrahim Rugova nuk merrte pjesë, i bojkotonte dhe i injoronte paturpshëm ato. Derisa ky profil politikani i injoronte kështu të tjerët, nuk hezitonte të shkonte në takime me partitë shqiptare, kur i organizonte UNMIK-u apo zyrat e huaja në Prishtinë.
U tha se Ibrahim Rugova ishte “i pathyeshëm përballë regjimit serb të Millosheviqit“, ndërsa nuk mund të fshihen nga kujtesa jonë:

 

Marrëveshja për arsim Millosheviq-Rugova (01.09.1996), takimet dhe buzëqeshjet e tij me Millosheviqin më 15 maj 1998 dhe të gjitha takimet me këtë kriminel, gjatë muajve prill-maj 1999, të zhvilluara në Beograd.
U tha se Ibrahim Rugova ishte “pararendës i UÇK-së dhe pasues i saj.”, “luftëtar i denjë i lirisë…“..., ndërsa dihej botërisht se asnjëherë nuk i kishte zënë në gojë tri shkronjat e arta UÇK, dhe luftëtarët e vërtet të lirisë, s´e ka vizituar asnjë familje të dëshmorëve. Për më tepër ky „luftëtarë i denjë i lirisë“ s´e kishte vizituar asnjëherë Prekazin historik, familjen e jasharajve. Ky njeri që i thoshte vetes president nuk ishte përkulur as njëherë para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari (edhe pse disa herë ka gënjyer duke thënë se së shpejti do të shkonte në Prekaz), ndërsa përpara varrit të Adem Jasharit dhe të dhjetëra varreve të familjes Jashari shkuan dhe me respekt u përkulën, shumë burrështetas, diplomatë dhe ushtarakë të huaj.
Në të gjitha ato ceremoni përkujtimore u tha se Ibrahim Rugova ishte: ”Ndërtues i strukturave të qëndrueshme të shtetit të Kosovës”, se ishte “Ismail Qemali i Kosovës“, “profet i shqiptarëve“, “Skënderbe i dytë“, “burrështetas i madh dhe arkitekt i pavarësisë së Kosovës“, “politikan, që i ndërroi rrjedhat e historisë“, “…shpëtues i substancës shqiptare nga shkatërrimi i planifikuar nga regjimi fashist i Beogradit“, “profet i shqiptarëve“, “Engjëll i Kosovës”, “forcë e ndryshimit”, “udhëheqës shpirtëror i një populli”, “…vigan i pamposhtur…“, “simbol i ndryshimeve në Ballkan“, “vizionar i rrallë…“, “…mishërim i aspiratave kombëtare…“…. e për më tepër u theksua se “Rugova është pararendës i UÇK-së dhe pasues i saj” - citat i marrë nga monografia "Presidenti Rugova“, që u botua me rastin e një vjetorit të vdekjes së Rugovës, nën përkujdesjen e mikut të tij Sabri Hamiti, e shumë e shumë epitete tjera mbresëlënëse!

Pra, për Ibrahim Rugovën u tha e çka s´u tha se ishte, edhe për ato veti që kurrë në jetë, s´i kishte...!

Prandaj, në vijim në analizën time politike-historike, do të përpiqem të shpërfaq në mënyrë të argumentuar, realpolitikën e Ibrahim Rugovës, ndryshe nga ç´kemi lexuar e dëgjuar nga pasardhësit e tij.

Roli politikë-shkencor...i Ibrahim Rugovës, gjatë periudhës së regjimit të Titos!
* * *
Cilës elitë intelektuale i takonte Ibrahim Rugova, në epokën e Titos?!

 

Ndonëse parimet themelore të Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe të politikës autonomiste në Kosovë u ndërtuan mbi bazën e besnikërisë ndaj Jugosllavisë socialiste vetëqeverisëse të Titos, klasa politike shqiptare (në krye me Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin dhe Mahmut Bakallin) që ishte vënë në shërbim të këtij regjimi, me kohë ka profilizuar edhe një Elitë (klasë) intelektualësh shqiptarë, e cila fillimisht kishte kaluar nëpër “sita” të organeve pushtetore të regjimit, duke dhënë kështu prova lojaliste ndaj doktrinës “titiste - socializmit vetëqeverisës jugosllavë”. Kjo elitë intelektualësh, ndonëse vepronte nën ombrellën e strukturave të regjimit, i drejtonte dhe i kontrollonte institucionet shkencore, mediat: RTP-në, gazetat dhe revistat informative – shkencore, shtëpitë botuese etj, me një fjalë kontrollonte të gjitha institucionet akademike shqiptare në Kosovë! Dhe, pikërisht kësaj elite intelektuale i takonte edhe Ibrahim Rugova.

 
Josip Brozi me Jovankën për vizitë në Kosovë, në vitet e 70-ta

Ibrahim Rugova, përveçse ishte student i dalluar, ai në Fakultetin Filozofik u shqua edhe si aktivist i Lidhjes së Rinisë Socialiste të Jugosllavisë (LRSJ-së). Pas një kohe, kur dëshmoi përkushtimin e tij të madh ndaj politikës së regjimit komunist, u propozua dhe më pastaj u pranua si anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë - LKJ-së. Rugova më 1971 diplomoi në Fakultetit Filozofik të Prishtinës në Degën e Albanologjisë. Si komunist i devotshëm, atij iu besua detyra redaktorit në gazetën studentore “Bota e re” dhe në revistën “Dituria” (1971-1972). Qysh në fillim të viteve të 70-ta, z. Rugova u mor edhe me kritikë letrare dhe në këtë drejtim ka shkruar disa libra, ku kryevepra e tij është libri për Pjetër Bogdanin. Në vitin 1976/77 atij do t´i mundësohet specializimi në fushën e teorisë letrare në Paris, tek prof. Roland Barthesi. Ibrahim Rugova për afro dy dekada rresht, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë edhe kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Rugova përveç punës shkencore, në Institut ka pasur edhe një funksion politik atë të sekretarit të LKJ-së, përmes të cilit ka ushtruar gjegjësisht ka funksionalizuar politikat programore të dala nga forumet partiake-shtetërore të KQ të LKJ-së.

Në biografinë zyrtare të Ibrahim Rugovës thuhet se: “Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatuan babain e tij, Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës”. Për mënyrën se si janë vrarë babai dhe gjyshi i Rugovës kam lexuar shumë versione, por, nuk dua të merrem fare me to.

Nëse është i saktë citati zyrtarë lidhur me vrasjen e tyre, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja logjike:

Si ishte e mundur që Ibrahim Rugova, (të cilit partizanët e Titos ia kishin vrarë të atin dhe gjyshin “si nacionalistë, ballistë…”), qysh në rininë e tij studentore u bë një nga aktivistët më të zellshëm të LRSJ-së, dhe më vonë të pranohet si anëtarë i LKJ-së, dhe si tillë t´i gëzonte të gjitha privilegjet politike, intelektuale etj., po nga ky regjim antishqiptar?! Ndërsa, dihet mirëfilli se mijëra fëmijë, të atdhetarëve shqiptarë (që u burgosën, u vranë e u ekzekutuan pas luftës së dytë botërore, nga regjimi i Tito-Rankoviqit), përndiqeshin këmba-këmbës nga syri e veshi i UDB-së, dhe familjet e tyre konsideroheshin si armiq të rrezikshëm të shtetit jugosllavë (!!!)…

Shembëlltyra e J.B.Titos në studimet e Ibrahim Rugovës!

Ibrahim Rugova krahas punës në fushën e kritikës letrare në Institutin Albanologjik të Prishtinës, me përkushtim ka shkruar edhe studime shkencore-letrare kushtuar shëmbëlltyrës së Josip B. Titos. Më 9 e 10 dhjetor të vitit 1977, kur në Prishtinë u mbajt simpoziumi me moton: “Tito për Kosovën, Kosova për Titon / Tito o Kosovu, Kosovu o Titu”, Ibrahim Rugova mbajti referatin kryesor me titull: “Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”.(Shiko kopjen e studimit të Rugovës për Titon) Në këtë studim “shkencor”, z. Rugova kryetarin Tito e cilësonte si njeri “gjenial”, “si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit”, dhe sipas tij ai “gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit (Jugosllavisë), çfarë e gëzonte vetëm Lenini”.

 

Sakaq Ibrahim Rugova në këtë studim ndër të tjera thekson se: “Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor”.

Ky studim i Ibrahim Rugovës në vitin 1979 u botua në një libër voluminoz në faqet 407 - 410, në gjuhën shqipe dhe serbokroate. Ndërsa pas demonstratave të pranverës 1981, u botua edhe në “Zërin e rinisë” të 16 e 23 maj 1981 në faqet 20-21 etj.

Lexo të plotë studimin e Ibrahim Rugovës:
“Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi”

Cila ishte fytyra e vërtet e Titos në sytë e shqiptarëve?!

Ndërsa Josip Broz Tito, për Ibrahim Rugovën dhe elitën intelektuale pro-titiste të cilës i takonte ai, ishte “simbol i së mirës, i heroit, realizues i plotë i lirisë”..., nuk mund të thuhet (në asnjë mënyrë) se ishte i tillë edhe për popullin e përvuajtur shqiptar, përkundrazi ai ishte përdhunues i lirisë dhe i dinjitetit tonë kombëtar.

Për të argumentuar këtë gjë, po i referohem fakteve historike:

Dihet mirëfilli se pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar në Kosovë dhe në vise të tjera etnike (që mbetën padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë londineze), u persekutua në format më mizore nga regjimi jugosllav i Titos.

Tito me shtabin e tij gjakatarë, nga viti 1944 e këndej, ka përndjekur, burgosur, vrarë e ekzekutuar mijëra shqiptarë, të cilët nuk u pajtuan me sundimin e Jugosllavisë së re të AVNOJ-it dhe si ideal patën bashkimin kombëtar; shiko foton:

 
Shtabi i Titos gjatë LDB: Bakariq, I.Milutinoviq, E.Kardel, J.B.Tito, A.Rankoviq, S. Vukmanoviq-Tempo, M.Gjilas

Sipas të dhënave të atdhetarit Xheladin Hana (i cili më 15.12.1948 vritet mizorisht nga UDB-a famëkeqe), rezulton se deri në vitin 1947 OZN-a dhe forcat pushtuese ushtarake jugosllave të J.B.Titos, kanë vrarë mizorisht rreth 86.000 shqiptarë, prej të cilëve 36.000 në Rrafshin e Kosovës; 23.000 në Rrafshin e Dukagjinit dhe 27.000 të tjerë në trevat etnike shqiptare në Maqedoni. Gjatë kësaj periudhe janë kryer 220.000 bastisje në familjet shqiptare (duke i përfshirë këtu edhe bastisjet e përsëritura në të njëjtat familje); Pastaj mbi 200.000 shqiptarë kanë kaluar nëpër duart e OZN-ës famkeqe si dhe janë zhvilluar tetë operacione me përmasa të gjera ushtarake të ndihmuar edhe nga OZN-a (më vonë UDB-a) dhe të gjitha këto operacione janë kryer, kundër shqiptarëve, por jo edhe ndaj serbëve, malazezëve apo maqedonasve.
Ishte Tito ai që në shkurt 1953, në Split të Kroacisë, me ministrin e jashtëm turk Fuad Kyprili, nënshkroi “marrëveshjen gjentelmene” me anë të së cilës ripërtëriu konventën jugosllave-turke të vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi;
Ishte Tito ai që për realizimin e kësaj marrëveshjeje antishqiptare ngarkoi ministrin e brendshëm federativ, famëkeqin Aleksandër Rankoviq, ku ky i fundit pastaj themeloi një shtab operativ të përbërë nga oficerë e udbashë të sprovuar kundër shqiptarëve; Dhe ky Shtab i Tito-Rankoviqit duke përdorur të gjitha strukturat shtetërore(në nivel federativë, republikan e krahinor), në periudhën 1953-1966 i detyroi me dhunë të shpërngulen 452. 371 shqiptarë për në Turqi; Dhe kjo shpërngulje është bërë me këtë dinamikë:

Më 1952---------------------------- 37.000 veta
Më 1953---------------------------- 19.300 “
Më 1954---------------------------- 17 500 “
Më 1955---------------------------- 51.000 “
Më 1956---------------------------- 54.000 “
Më 1957---------------------------- 57.710 “
Më 1958---------------------------- 41.300 “
Më 1959---------------------------- 32.000 “
Më 1960---------------------------- 27.980 “
Më 1961---------------------------- 31.600 “
Më 1962---------------------------- 15.910 “
Më 1963---------------------------- 25.720 “
Më 1964---------------------------- 21.530 “
Më 1965---------------------------- 19.821 “...

Ndërkaq gjatë kësaj periudhe kohore me dhunë detyrohen të shpërngulen edhe mijëra shqiptarë, kryesisht nga trojet etnike shqiptare në Mali të Zi (nga Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Triepshi, Shpuza, Kraja etj.) për në ShBA, Kanada, Australi e vende të tjera tejoqeanike

Shtabi i Tito-Rankoviqit ishte ai që në dimrin e acartë të vitit 1955/56 shpiku aksionin për mbledhjen e armëve, ku gjatë ekspeditave të policisë / UDB-së, në format më çnjerëzore i rrahu, u keqtrajtoi e i persekutoi mbi 30 mijë shqiptarë. Në këtë operacion kriminal shtetëror UDB-a i mbyti me torturë 103 shqiptarë, ndërsa 10 mijë të tjerë u gjymtuan për jetë. Dhe ky aksion famëkeq kishte nisur pikërisht nga fshatrat e trevës së Rugovës, atje ku kishte lindur dhe kaluar një pjesë të rinisë Ibrahim Rugova.
Tito - ky “simboli i së mirës” së Ibrahim Rugovës, ishte ai që në periudhën 1945-1966 burgosi e dënoi mbi 280 mijë atdhetarë shqiptarë, ndonëse burgosjet e shqiptarëve nuk u ndalën dot deri në vitin 1999. Dhe po t´i referohemi të dhënave policore jugosllave, del se vetëm gjatë viteve 1979-1991 qenë burgosur e keqtrajtuar rreth 900 mijë shqiptarë, prej tyre 750 mijë në Kosovë dhe 150 mijë të tjerë në Maqedoni, Mal të Zi, në Kosovën Lindore etj. (...) ...
Lexo një fragment: Ndjekjet, burgosjet dhe persekutimi i shqiptarëve nga regjimi i Titos, gjatë viteve 1948 – 1968

0 Kjo është fytyra e vërtetë e Josip Broz Titos, i këtij simboli “të së mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit ” të Ibrahim Rugovës...!

Sekretari i OTH të LKJ-së Ibrahim Rugova – diferencues
i intelektualëve që përkrahën kërkesën
“Kosova Republikë!”

Ibrahim Rugova, ndonëse ishte anëtar i dalluar i LKJ-së, me vendim të KK të LK të Kosovës emërohet sekretar i Organizatës Themelore të LKJ-së në Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe këtë funksion politik e ushtron deri në vitin 1987. Pas demonstratave gjithëpopullore të pranverës së vitit 1981, z. Ibrahim Rugova duke qenë në krye të kësaj organizate partiake, pa hezitim është përfshirë edhe në realizimin e “Platformës politike të Komitetit Qëndror të LKJ-së për Kosovën”. Në këtë situatë të jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalonte populli shqiptar në Kosovë, z. Rugova do të gjendet në krye të komisionit për diferencimin dhe luftimin e “nacionalizmit dhe separatizmit” shqiptar në institut, pra të të gjithë atyre që në një mënyrë a tjetër u solidarizuan me kërkesën studentore “Kosova Republikë!” dhe për këtë aktivitet të tij ka shkruar edhe shtypi i kohës: “Rilindja”, ”Jedinstvo” etj

Kështu, ta zëmë, në gazetën „Rilindja“ të datës 30 shtator 1982 në artikullin me titull „Akademikut dr. Rexhep Qosja iu shqiptua vërejtja partiake“, Kryetari i komisionit për diferencim Ibrahim Rugova në diskutimin e vetë theksoi se „procesi i diferencimit duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, kurse sa i përket masës së propozuar, si anëtar i sekretariatit të OTH të LK propozoi që Rexhep Qosjes t'i shqiptohet masa - vërejtja partiake, sipas propozimit të grupit të punës të dy kryesive, të cilin e kemi miratuar edhe ne“. (!!!)

Kush e zgjodhi Ibrahim Rugovën, Kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës?!

Në vitin 1988 Ibrahim Rugova nga strukturat pushtetore të LKJ-së, emërohet Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (pavarësisht se shkrimtarët kishin propozuar që Anton Pashku të jetë kryetar i kësaj shoqate) dhe këtë funksion e “ushtroi” deri në vitin 1999, krahas shumë funksioneve të tjera politike, të cilat s´ishin aspak funksionale. Ibrahim Rugova në cilësinë e Kryetarit të SHSHK-së, në qershor të vitit 1989, pikërisht në kohën kur po mbahej tubimi famëkeq i Gazimestanit (me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës) intervistohet nga gazetarja proserbe Renate Flotao dhe kjo intervistë (që në thelb s´´kishte tone të theksuara patriotike) u botua në revistën gjermane “Der Spiegel”. Atë vit Ibrahim Rugova është intervistuar edhe nga disa gazeta tjera perëndimore, si: “L´Unita”, “Veçer”, “Telex”, “Start” etj., dhe kjo ka bërë që ai të afirmohet në botë si një intelektual me botëkuptime liberale.

2 maj 2008
 

Temat e fundit