Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk do të marrë pjesë si kandidat në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Gjykata Supreme ka rrëzuar ankesën e Kurtit bashkë me atë të ish ministres së drejtëisisë Albulena Haxhiu të cilët ankimonin vendimin e KQZ për ti hequr nga lista e votimit (Ndërsa Liburn Aliut dhe Labinot Demit i është lejuar kandidimi).
Albin Kurti u penalizua pasi Gjykata Kushtetuese sanksionoi se kandidatët që në 3 vitet e fundit kanë një vendim të formës së prerë nuk garojnë dot.
Albin Kurti është dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale, ‘përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe për ‘pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’.
Për ironi të fatit ishte vetë Lëvizja Vetëvendosje që çoi në Kushtetuese çështjen e personave të dënuar që mbajnë postin e deputetit. Por, pse Vetëvendosja do të ngrinte këtë çështje nëse do ti kthehej si bumerang drejtuesit të saj?
Për të kuptuar këtë veprim të Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kthehemi pas shtatë muaj, më 11 qershor të vitit 2020. Partia e Kurtit do të dorëzonte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të 3 qershorit për formimin e qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti. Vetëvendosja vlerësonte se pjesëmarrja në votim e deputetit Etem Arifi, i dënuar për një vepër penale, e bënte të pavlefshme dhe jo kushtetues votimin në parlament.
“Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, – argumentonte Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar ai kishte votuar pro formimit të qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit.
U deshën gjashtë muaj që Gjykata Kushtetuese, më 21 dhjetor, të vendoste të pavlefshëm votimin e tre qershorit që mandatonte një qeveri me vota minimale, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Kushtetuesja argumentoi dhe vendosi se, asnjë person i dënuar me formë të prerë në tre vitet e fundit nuk mund të ishte deputet, dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.
Ndërsa u ra dakord që zgjedhjet të mbahen më 14 shkurt dhe Albin Kurti të bashkohej me Vjosa Osmanin duke garuar bashkë e bërë thirrje se “këto nuk ishin zgjedhje, por referendum”, vloi debati nëse Kurti mund të kandidonte për deputet, pasi mbante mbi supe dy dënime në vitin 2018.
Pikërisht sot Gjykata supreme bëri fakt atë që pritej. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk u çertifikua për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, së bashku me 46 kandidatë për deputetë nga listat edhe të partive tjera, po ashtu të dënuar në tri vitet e fundit.
Ndërsa Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po kërkojnë të pamundurën, njëri Kryeministër e tjetra Presidente dhe me synimin që ta nxjerrin koalicionin e firmosur mes tyre si fitues të zgjedhjeve, duket se telashet per liderin e Vetëvendosjes nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen. Edhe nëse Kurti siguron votat për të krijuar qeverinë, institucionet e gritura të establishmentit nuk do të dorëzohen. Në të ardhmen nuk është çudi të dëgjojmë nterpretime të llojit: Nëse Kurti nuk kalon filtrat për deputet, a mund të jetë Kryeministër? ©LAPSI.AL