×

"Falja e Gjakut” (Forgiveness of blood)

"Falja e Gjakut” (Forgiveness of blood)

· 2 · 748

  • Postime: 22687
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 05-08-2011, 16:34:59
Filmi i regjisorit amerikan Joshua Martson, me një histori shqiptare, “Falja e gjakut", pas premierave në disa festivale ndërkombëtare, do të shfaqet në 16 shtator edhe në Shqipëri.

Filmi fitues i "Ariut të Argjendtë” në Festivalin e Berlinit ka pak që është kthyer nga Festivali i Filmit në Sarajevë, ndërkohë që po në shtator pritet të shfaqet jashtë konkurrencës në Festivalin Ndërkombëtar të Torontos.

"Falja e gjakut", me skenar të Andamion Muratajt, është refuzuar financiarisht nga QKK që të shfaqet në kinematë e vendit, dhe në këtë premierë të tij filmi do të vijë në Shqipëri nga stafi shqiptar i realizimit të filmit.
Filmi, puna për të cilin ka filluar që në maj 2010, është xhiruar në Shkodër dhe në të interpretojnë aktorët nga Kosova si: Ilire Vinca- Çelaj, Çun Lajçi, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj, etj.

“Falja e gjakut” trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikun 17 vjeçar të ngujohet në shtëpi, bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij.

Filmi, bashkëprodhim i shtëpisë filmike shqiptare “Lissus Media” dhe asaj amerikane “Dean Street Production” pas premierës në Tiranë do të shfaqet edhe në qytetin e Shkodrës.

“Falja e gjakut” pasi ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, ku ka konkuruar në kategorinë A, ka gjetur distrubutorë për t’u shfaqur në thuajse të gjitha vendet anglishtfolëse.

(d.b/BalkanWeb)
« Editimi i fundit: 07-01-2012, 23:57:11 nga M A X »

  • Postime: 22687
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 07-01-2012, 23:58:50
Filmi Falja e Gjakut (Forgivness of blood) me regjisor Joshua Martson dhe skenarist Andamion Murataj, erdhi para disa muajsh në kinematë shqiptare. Filmi rimerrte për subjekt gjakmarrjen dhe jetën e banorëve diku në Shqipërinë Veriore, post-socialiste. Prej kohësh kinemaja shqiptare dhe ajo botërore e ka në fokus trajtimin e gjakmarrjes. Disa prej tyre janë shfaqur rishtazi dhe secilin prej tyre jam përpjekur ta analizoj në pikëpamje antropologjike. Prandaj duhet thënë se ky shkrim është një analizë e bazuar në dijen etnografike dhe është pjesë e një serie shkrimesh që kanë për qëllim për të interpretuar ardhjen e Kanunit në imazh.

Filmi niston me një karrocë që tërhiqet prej një kali e drejtuar prej një burri rreth të 50-ave. Duket një arë, një shtëpi. Shtëpia për nga arkitektonika duket se është ndërtuar në kohën e komunizmit, por ka ruajtur tiparet e shtëpisë tradicionale. Ka dritare paksa më të mëdha në krahasim me ato të shtëpive tradicionale. Më pas, disa gurë në rrugë, që dikujt do t’i duhet që të zbresë për t’i hequr këta gurë, për të ecur më tej me karrocë.

Ngjarja ngjeshet. Së pari, nis biseda në një hapësirë publike, në lokalin e fshatit. Kushdo që e ka parë së brendshmi atë shoqëri, e kupton se sa i gjetur është dialogu. Aty ka një përplasje mes dy moraleve që ndeshen edhe në këtë periudhë. Në njërën anë qëndron ai i cili kërkon vijimin e traditës së rrugës, por edhe të moralit të të punuarit me nder. Ndërsa në anën tjetër, qëndron morali i atij që nuk do të tërhiqet nga përfitimi i panormuar nga shoqëria. Por nëse ngjarja kupton zënien e vetëm dy personave në kuptimin e dy individëve, ky do të ishte një lajthim. Pse personësia (personhood) në këtë shoqëri është e ndryshme. Aty menjëherë, madje që në vendosjen simbolike në dy tavolina, janë të ndarë dhe personat e ngjarjes.

Konflikti përshkallëzohet. Sërish personi me kalë dhe tashmë në shoqërinë e vajzës së tij gjendet para një shtegu që po zihet. Për më tepër personi që po zinte rrugën bën dhe tri sfida të tjera radhazi. Të gjitha këto në kontekstin kanunor thekshëm janë fyese. Së pari, i përmend tjetrit që fisi i tij gjithmonë është nënshtruar; së dyti, atij personalisht nuk do t’ia mbante ta hapte shtegun të zënë rishtas; së treti, e gjithë kjo po zhvillohej në sy të vajzës që ishte e bija, një femër në sy të së cilës përveç sfidave të tjera personi që zinte shtegun përmend edhe organet gjenitale. Po atë ditë, personit që i ishte zënë rruga thuhet që së bashku me njërin prej kushërinjve të tij, shkon për t’u marrë vesh me personin që kishte zënë rrugën, por në vend që të merren vesh ndodh vrasja. Kjo vrasje shënon dhe fillimin e kërkesës për marrje gjaku.

I vrari është njeriu që kishte mbyll shtegun. Pala që ka e vrarë pretendon se kjo ka ndodhur sepse ata janë sulmuar me thikë nga viktima dhe për vetëmbrojtje u është dashur që me thikën e tij ta vrasin. Personi që ka goditur me thikë në trupin e viktimës arrestohet, ndërsa ai që mendohet se e ka mbajtur të vrarin, që është në të njëjtën kohë njeriu që kërkonte të kalonte me karrocën e tij është larguar nga fshati. I larguari është babai i personazhit kryesor, Nikut. Ai arratiset sepse nuk ka besim te drejtësia e shtetit, sepse ndër të tjera kushëriri i të vrarit punon në policinë e shtetit.

Kësisoj kemi ngujimin e familjes, e cila përbëhet nga gjashtë anëtarë. Babai i atij që akuzohet për vrasjen dhe që është në gjak, bashkëshortja dhe tre fëmijët. Niku është djali i madh, Rudina është vajza dhe Dreni djali i vogël. Tani jemi në situatën e ngujimit dhe sfida për këdo është se si do të ndërtohen ngjarjet në një familje që është e ngujuar. Ngjarja, edhe pse nuk thuhet asnjëherë gjatë filmit, zhvillohet në ditët e sotme. Jo post-socialiste, as post-komuniste, as tranzitore… por krejt e tashmja, pra edhe në atë moment që po shikon filmin. Kohëzimi që autori ka zgjedhur është rreth gjithë jetës së përditshme.

Duket qartë që kultura materiale, muzika, e gjithë hapësira flet për periudhën e sotme. Personazhet kryesore të filmit, ndryshe nga ajo e familjes së të vrarit, janë të vendosur në një shtëpi e cila ka gjithë tiparet e arkitekturës që është e përhapur në periudhën pas rënies së komunizmi. Ballkoni, dritaret, rrethimi i oborrit nuk janë ndërtuar me qëllim për t’u mbrojtur prej një vrasjeje apo sulmi. Këtu s’ka elemente të një kulle, s’ka element të një shtëpie të veçuar në hapësirë. Kati i dytë i kësaj shtëpie është i saponisur. Aty ka kolona betoni që s’kanë mbaruar, mure përgjysmë. Gjatë zhvillimit të ngjarjeve kati i dytë, oborri i hapur me tipare mesdhetare, do të shndërrohet si një hapësirë në mes të të ngujuarës dhe të pa ngujuarës. Niku është subjekt i gjakmarrjes për shkak të moshës. Ai e kupton shumë mirë Kanunin, por nuk ka dëshirë që të pranojë, kërkon që të mbajë veten në formë, të rrijë në kontakt me botën e jashtme. Prandaj pjesa e sipërme e shtëpisë do të kthehet shumë shpejt në vendin ku ai takon mikun e tij, stërvitet dhe bisedon me të për të rejat në shkollë, filmohet me celular nga miku i tij. Por dritaret kujdeset që t’i mbyllë me dërrasa, në mënyrë që të mos duket…

Kjo shtëpi e pa çati, është një ndër metaforat më të bukura që regjisori ka përzgjedhur në këtë film, po jo vetëm. Në një harmoni të plotë me dinamikën e jetës së përditshme, në atë që do ta quaja fshati kanunor në ditët e sotme, është dhe vendi që zë hapësira publike, e cila përshkruhet në mënyrë shumë elegante nga kamera. Mendoj se nuk e teproj të them se regjisori dhe ata që kanë bashkëpunuar në krijimin e këtij filmi ia kanë dalë në mënyrë të plotë të balancojnë privaten me publiken, ku e para ka qenë shumë e vështirë për t’u përmbushur. Dialogët, aktivitetet familjare, vendimmarrja në familje shfaqen aq të plota, aq domethënëse dhe mbi të gjitha aq përfaqësuese. Në këtë kuadër do duhej vendosur dhe statuset sociale. Gjyshi, babai, nëna, motra, vëllai i Nikut, personazhit kryesor, të cilat janë shumë mirë të realizuar.

Nëna e Nikut shfaqet rrallë, vendoset në periferi dhe qendër të aktivitetit të familjes dhe vendimmarrjes. Ajo rri në heshtje, në mendime, duket sikur ka shumë dhe asgjë për të thënë. Motra e  Nikut, një profil mjaft dinamik. Një vajzë me plot ëndrra. Në fillim të filmit flet me një pasion të jashtëzakonshëm për dijet, për sfungjerin si specie. Pastaj vjen një moment ku asaj i duhet që të përballet me një nga sfidat që as që e kish menduar. I duhet që të mbajë familjen, pse babai e saj do të largohej nga shtëpia për të mos iu dorëzuar policisë. Nuk kam mundësi që të shpreh gjithë ndjesinë që ky profil të shfaq, por them që ndoshta për herë të parë në kinemanë tonë shohim një profil kaq të plotë të vajzës si motër dhe si bijë në shoqërinë e sotme kanunore. Gjyshi e vëllai i vogël vinë po ashtu si shprehje e vijimësisë, përplasjeve e kundërthënieve që të jetuarit në mes kanunores dhe modernes  shpalos.

Niku i J. Marston-it, që një farë mase replikon me Gjorgun e Kadaresë, është një djalë i cili e di ngjarjen, është pjesë e bisedave dhe aspak një ndjekës i fatit të tij sipas urdhrave të të parëve. Por në të njëjtën kohë e shpreh qartë dijeninë për fatin që e pret.  E shpreh qartë me fytyrë më shumë sesa më fjalë. Ai flet me gjithë trupin e tij, me sjelljen e tij. Ai dashuron, thyen rregullin duke sfiduar të mëdhenjtë kur flasin, këmbëngul ta bindë babanë që të dorëzohet dhe e kundërshton atë. Kërkon që babai ta dëgjojë, po ashtu kërkon nga të tjerët që të gjejnë zgjidhje, por mbi të gjitha ai merr vetë kurajën për t’u përballur me vdekjen. Në fund të ngjarjes ai nuk kërkon që besën ta mbyllë sa për të udhëtuar dhe të shohë njëherë e mirë botën si kërkonte Gjorgu i Kadaresë, as ta blejë lirinë e tij, por ofron veten. Ai kërkon ose që ta vrasin ose që të lirohen të gjithë anëtarët e familjes së tij prej ngujimit. Për këtë ai shkon e hyn në oborrin e familjes së të vrarit dhe këtu kamera pasqyron hapat e tij në oborr, bindjen dhe dilemat e tij. Kamera sërish është kthyer në vendngjarje, cikli mbyllet…

Është lënë shumë pa thënë, por mund të mbyllet duke vënë në pah se Falja e Gjakut, në pikëpamje etnografike është krejt i plotë, pse është dinamik, nuk është aspak klishe, nuk është një pamje e ngrirë e horizontale, ajo vjen plot diversitet, plot emocione, plot pikëpyetje, ngjyra të kohës. Vjen si shprehje e kundërthënie në mes asaj që mësohet në shkollë e në rrugë shtetërore e asaj që përcillet si traditë lokale. Shpreh çfarë është sot në mënyrë reale jeta, por tashmë jo si dokumentar banal mbi gjakmarrjen, por si një vepër arti sfidon shumëkënd për mënyrën sesi është arritur të realizohet, ku imagjinata shkon e bëhet bashkë me empiriken në mënyrën e duhur pa cenuar asnjëra tjetrën.

 
Nebi Bardhoshi
*Profesor në Universitetin Europian të Tiranës. Autor i librit “Gurt e kufinit”.