×

Heroinat e tranzicionit

· 2 · 771

Heroinat e tranzicionit

· 2 · 771

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 29-07-2011, 11:46:34
Patricia Millardet është një aktore franceze e dorës së dytë, sipas disa kritikëve, e cila nuk ka bërë asgjë domethënëse, të paktën ndërkombëtarisht, veçse ka interpretuar në disa seriale të “Oktapodit”, rolin e prokurores me sjellje të hekurt Silvia Konti. Jo më larg se tre vjet më parë, kryeministri Sali Berisha e mori si shembull këtë personazh filmi, teksa plot krenari dhe kënaqësi prezantoi për herë të parë në publik emrin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Kushdo që e njeh botën vendimmarrëse të personave që kujdesen për PR politik, e kuptoi fare mirë se me atë krahasim, kryeministri tropojan, i super-kritikuar për tendencën e tij për të vënë nën vete pavarësinë e institucioneve, sidomos gjyqësorin, me atë krahasim populist pra, po risillte në vëmendje të opinionit nostalgjinë popullore për një heroinë televizioni, e përmes atij veprimi, po tentonte të tregonte edhe ai vetë një lloj nostalgjie shqiptare për drejtësinë sidomos, për forcën dhe vendosmërinë e njerëzve të ndershëm, të cilët sfidojnë padrejtësitë dhe krimin e organizuar, ashtu si Silvia Konti. Nuk është aspak për t’u çuditur nëse pohojmë se me atë krahasim, qytetarët shqiptarë nisën ta shikojnë profilin ende të panjohur atëherë të kryeprokurores, si një seri te re telenovele të heroinës televizive Silvia Konti, me të cilën shumica e këtij vendi është edukuar ne njefare menyre dhe është frymëzuar! Cili prej nesh nuk është nostalgjik ndaj atij filmi?

 

Patrica Millardet, e cila ka interpretuar Silvia Kontin, ka lindur në vitin 1959 në Francë. Derisa u zgjodh të interpretonte Silvian përkrah Katanit, ajo nuk kishte bërë asgjë domethënëse në kinematografi. Kishte mundur të interpretonte në disa filma dytësorë me një shpërndarje kryesisht në Francë, Itali, Gjermani, po asgjë më shumë se aq. Me rolin e jashtëzakonshëm të prokurores që sfidon këdo dhe gjithcka në Italinë që kërkonte të jepte një mesazh shprese në një luftë kundër mafias, që ishte luftë edhe në art, edhe në politikë, edhe në gjyqësor, edhe në shoqërinë që kishte nevojë për heronj, e sidomos për heroina, ajo mundi të pushtojë zemrat, mendjet, por edhe të ndikojë në përfytyrimet e miliona njerëzve në ish vendet komuniste në fillim të viteve ’90-të, e sigurisht edhe në Shqipëri. “Për një kohë të gjatë, më dukej se edhe mua personalisht dikush që përfaqësonte Mafian më ndiqte këmba këmbës”, tha Patricia në një intervistë televizive në RAI, në vitin 2001. Pas atij viti ajo nuk u shfaq më në asnjë media të rëndësishme, e nuk shfaqi më interes për askënd në botën e show-biz…

Tahne Welch është një aktore amerikane me origjinë gjermane, e cila me brishtësinë e saj fizike, por sidomos me forcën shpirtërore të personazhit televiziv Xhulia De Blasko që interpretonte në serialin “Përgjithmonë Xhulia”, arriti të bëjë për vete gjithë shqiptarët që në fillim të viteve ’90-të shikonin televizionin shtetëror. Tahne, është një aktore e cila me zor ka bërë hajër, qoftë në tregun gjerman të kinematografisë, qoftë në atë europian në përgjithësi. E vetmja armë e fortë që ajo përdori gjatë rinisë së vet, ishte fakti që ishte vajza e një seks-simboli amerikan, Raquel Welch, e cila bëri bujë në jetën mondane të Amerikës së pas luftës së dytë botërore. Tahne, apo Xhulia siç e njohim në Shqipëri, ishte një aktore e dobët, por që me rolin e saj në “Përgjithmonë Xhulia” bëri fansa miliona njerëz, kryesisht në Itali dhe në vendet ish komuniste të Europës Lindore. Provoi disa herë të interpretonte në filma të tjerë, po asnjëherë nuk pati sukses apo njohje ndërkombëtare, si në serialin “Përgjithmonë Xhulia” (Disperatamente Gulia) në Itali, ku interpretoi përkrah aktorit me famë botërore, shqiptarit Bekim Fehmiu.

Rebecca Gilling, heroina që luftoi e vetme gjithë armiqtë! Fillesa e telenovelave…

Cili prej atyre që është nga 27, e më lart vjeç sot, nuk e mban mend me nostalgji heroinën e serialit “Kthim ne Eden”, të quajtur Stefani, e cila luftonte me më të afërmit e vet, e në njëfarë mënyre me gjithë shoqërinë “e egër kapitaliste” për të jetuar, e për të trashëguar pasurinë e saj në Australi? “Kthim në Eden”, ishte një serial që u prodhua në vitin 1986 në Australi, por që gjeti qindra mijëra adhurues shqiptarë edhe në fund të viteve 90-të! Rebecca Gilling, aktorja që interpreton personazhin e Stefanisë, ka lindur në vitin 1953 në Sidnei dhe derisa interpretoi Stefaninë, nuk kishte bere asgjë domethenese në kinematografi! Seriali “Kthim në Eden” u xhirua në pak seri në fillim të viteve 80-të por kur u pa suksesi i jashtëzakonshëm i tij, producentët realizuan edhe disa qindra seri të tjera që tregonin historinë e një gruaje të ndershme, të fortë e të vetmuar, e cila duhet të luftonte për të mbrojtur familjen dhe pasurinë, me njerëzit më të afërt të saj. Për fat të keq, në Shqipëri janë transmetuar vetëm 12 seri të shkurtra të këtij filmi. Saga e mëtejshmë e Stefanisë, asnjëherë nuk është treguar shqip!

“Pocituvani gledaci, dobraden…”

Shkruesi i këtyre rradhëve nuk i ka mbushur akoma 30 vjetët, por jetoi fundin e komunizmit si dhe fillimin e pluralizmit. Në aspektin social e kulturor, ne jemi të rrethuar nga kujtime të zhvillimeve politike e përpjekjeve shoqërore për të identifikuar heronj nëpër televizione apo seriale televizive, për tu identifikuar me ta… Në fund të viteve 80-të, shqiptarët që jetonin në kufi me ish-Jugosllavisë, kishin mundësi që përmes antenave të improvizuara, të drejtuara në veri-lindje të liqenit të Pogradecit, të ndiqnin serialë televizivë anglezë, amerikanë, australianë, etj,  në valët e televizionit shtetëror të Maqedonisë. Një prej kujtimeve më të bukura të asaj kohe ka të bëjë edhe me aksesin që mijëra shqiptarët që nga Lini, në Tushemisht, kishim ndaj televizionit jugosllav! Kur Stefania, heroina e “Kthim në Eden”, luftonte për të ruajtur jetën e vet, “juglindorët” kërkonin të njihnin veten përmes personazheve të atij filmi që kishin forcë, karakter, ndeshmëri. Ne të vegjlit, u shndërruam pa e kuptuar, në përkthyes të filmave, por përmes tyre edhe në përkthyes të mentalitetit të ri që po trokiste!

Në vitin 1990, kur asgjë e sigurt nuk dukej në horizont, një grup prej 13 fëmijësh në klasën e tretë fillore, nisën në Pogradec një kurs për gjuhën angleze, me një mësuese shkodrane të quajtur Frida… Pyeste Frida për personazhet e “Essential Eglish” por gati me gjysëm zëri na kërkonte të përshkruanim edhe serinë e fundit të “Stefanisë”… Ai serial ishte edhe pasqyrë e atyre që rrekeshin të mësonin më shumë për “kapitalizmin”… Xhulia De Blasko, Stefania e Australisë, apo Silvia Konti, nuk janë vetëm personazhe përrallash për ne që sot jemi 27, 28, 29, 30 apo 35 vjec! Janë pjesë e një ndërgjegjeje kolektive e të një testi shoqëror për të gjetur vetveten, në luftën që ende vazhdon kundër… së keqes, qoftë kjo nga mafia, qoftë kjo nga të fshehtat e së kaluarës, qoftë kjo nga vetvetja! “Pocituvani gledaci, dobroden…” ishte shprehja që spikerat e lajmeve maqedonase nisnin edicionin informativ, teksa ndërpritej seriali edukues i Stefanisë… Si t thuash: Të nderuar qytetarë të tranzicionit, mirëmbrëma…”

 

Më e mirë e ëma se e bija!

Raquel Welch, e ëma e Tahnne Welch, e cila interpreton Xhulian në serialin “Përgjithmonë Xhulia”, ishte shumë më e njohur se e bija. Raquel, e lindur në vitin 1940 fitoi një çmim “Golden Globe” në vitin 1974, ndërkohë që gjatë viteve të para të pas Luftës së Dytë Botërore ajo cilësohej në Hollivud si një ‘seks simbol’ i padiskutueshëm…

 

Kristi Pinderi
Shekulli
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 30-07-2011, 00:40:42
Ja Silvia Konti (Patricia Millardet)



Ja dhe Xhulia e "Pergjithmone Xhulia"





Dhe Rebecca Gilling e "Kthim ne Eden"


  • M'pelqe
    Kot fare
    Super