James Bond, ja çfarë duhet lexuar - Kultura

×
Hyrja
Profili

James Bond, ja çfarë duhet lexuar

James Bond, ja çfarë duhet lexuar

· 2 · 1382

  • Postime: 27103
  • Gjinia: Mashkull

ne: 09-07-2008, 08:51:44
Ja librat e shndërruar në filma, që kanë bërë xhiron e botës

Më 17 shkurt të vitit 1952, Ian Fleming u ul në tryezën e tij në Goldeneye, banesa e tij në Xhamajkë dhe hodhi vështrimin drejt detit që shtrihej i pafund përballë tij. Ishte 43 vjeç, gazetar dhe po përpiqej që të largonte mendjen nga dasma e afërt që e priste. Kështu vuri një letër në ballë të makinës së tij të shkrimit, fërkoi pak duart dhe hodhi fjalinë e parë: "Aroma, tymi i duhanit dhe djersa e kazinosë janë pështirosëse në tre të mëngjesit". Pas kësaj fjalie fletët pasuan njëra-tjetrën dhe diku aty nga dreka ai kishte shkruar 2000 fjalë. Gjithçka i vinte nga thellësia e kujtesës, nuk kishte shënime dhe as një plan të qartë se ku do të të dilte. Fleming, ndërkohë, kishte gjetur edhe emrin e heroit të tij të ri. Ai ishte Bond, James Bond. Çdo mëngjes, për një muaj rresht, Ian aplikoi të njëjtin reagim, derisa më në fund i erdhi radha fjalisë: "Ndyrësira vdiq më në fund". Kjo ishte "Casino Royale", romani i tij i parë i serisë së gjatë që do të pasonte dhe që do të kishte gjithmonë në qendër fenomenin me emrin Bond. Në vitet në vijim, Fleming do të ndiqte të njëjtin model të shkruari dhe një roman i ri do të lindte nga duart e tij në fundin e çdo muaji mars, pas punës që niste gjithmonë në fillim të janarit. Fleming e nisi gjithçka për qejf e më pas për para, pa e ditur se po shkruante një sagë të vërtetë, e cila do të njihej në mbarë botën. Çdo libër i ri niste aty ku kishte përfunduar i mëparshmi. Po a ishin të gjitha historitë të sajuara. "Çdo gjë që unë shkruaj ka ndodhur diku dhe me dikë më parë", tha dikur Fleming dhe kjo është e vërtetë jo vetëm për sa i përket përmbajtjes dhe vendngjarjeve, por edhe alteregos së tij 007. Seria e librave James Bond nuk është vetëm historia e gjatë e agjentit sekret më të famshëm në botë, por është njëherazi edhe një pasqyrim i drejtpërdrejtë i jetës dhe dashurive të autorit.

CASINO ROYALE 1953

Libri i parë i James Bond është i shkurtër me ngjarje që ndodhin në një rajon të Francës, i njohur për kazinotë dhe jetën e natës me emrin Royale Les Eaux. Këtu Bond, që është njëherazi edhe lojtari më i mirë i pokerit i Shërbimeve Sekrete Britanike, sfidon "të keqin" Le Chiffre". Ai punonte për një organizatë sovjetike, që quhej "Vdekje spiunëve" dhe i kishte shpërdoruar fondet e saj. Detyra e Bondit ishte ta çonte Le Chiffre në falimentim të plotë. Në librin e parë ka shumë ngjarje dhe personazhe që të kujtojnë vetë jetën e autorit. Vesper Lynd, agjentja e dyfishtë me nurin e rrallë, ka një ngjasim të jashtëzakonshëm me një spiune të vërtetë të kohës së luftës, me të cilën Fleming pati një marrëdhënie. Si edhe Bond, Fleming e pëlqente shumë pokerin, por historia në vetvete nuk është e vërtetë, edhe pse skena përfundimtare e torturës është e tillë. Në të Bond goditet ashpër në organet gjenitale. Kombinimi i dhunës ekstreme me mënyrën luksoze të jetesës duket se ishte përzierja e suksesshme e librave të Bond.

Jeto dhe lër të vdesin, 1954

Ky është romani që pasoi. Bond, tashmë i shëruar nga pasojat e përfshirjes në lojën e Le Chiffre, dërgohet në Nju Jork për të hetuar në lidhje me zotin Big, një baron dhe agjent për të cilin shefja e James, zonja M., dyshon se ai qëndron pas një operacioni shpërndarjeje droge, me paratë e të cilit financohen agjentët rusë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bond shkon drejt e në Harlem, ku mendohet se ndodhet qendra e organizatës dhe bie në duart e zotit Big. Aty merret në pyetje nga e dashura e Big, Solitare, e cila ka fuqinë e të lexuarit të mendjes. Ngjarja vazhdon me vende ekzotike si Karaibet, me thesare të varrosur nën tokë.

MOONRAKER, 1955

Ndryshe nga dy romanet e mëparshëm, ngjarjet e këtij romani zhvillohen të tëra në Britaninë e Madhe. Bond, ende i përcëlluar nga lodhja e tij e nxehtë me Solitare në librin e fundit, duhet të zgjidhë një problem. Sir Hugo Drax, një bankier i fuqishëm dhe hero kombëtar i kohës së luftës, që donte t‘u dhuronte Shërbimeve Sekrete Britanike një raketë 20 milionë dollarëshe, ishte zbuluar se bënte rrengje kur luante me letra. Flemingut vetë i pëlqenin shumë rrengjet e të gjitha llojeve dhe kërkonte që jetën e lojërave të natës së Londrës ta pasqyronte patjetër në një nga librat e tij. Në këtë libër ka përshkrime të jashtëzakonshme të lojës së Brizhit dhe ambienteve ku zhvilloheshin këto lojëra. Në vijim të librit, Bond zbulon se Drax ishte një nazist dhe se qëllimi i tij nuk ishte ndihma, por shkatërrimi i Shërbimeve Sekrete Britanike dhe vetë Londrës.

Diamantet janë të pavdekshme, 1956

Është një libër që të jep disa mësime të mira gjeografie. Ngjarjet nisin në Guinenë franceze, ku ndodhej hallka e fundit e zinxhirit të një rrjeti shpërndarjeje të diamanteve. Më pas, ngjarjet të çojnë në Londër, Nju Jork, Saratoga, Las Vegas, Spectreville dhe Los Angeles. "Të këqijtë" janë Xhek dhe Serrifimo Spang. Diamantet, ashtu si edhe ari, e mrekullonin Flemingun dhe përmes ca njohjeve të kohës së shkollës arriti që të zbulonte shumë gjëra interesante mbi tregtinë e diamanteve.

Me dashuri nga Rusia, 1957

"Personalisht mendoj se nga shumë këndvështrime ky është libri im më i mirë", ka thënë njëherë Fleming dhe shumë kritikë janë në një mendje me të. Ish-presidenti amerikan, Kenedi, e përfshiu në dhjetë librat më të mirë të jetës së tij. Edhe këtu bëhet fjalë për organizatën famëkeqe ruse, e cila këtë herë kërkon që të joshë Bondin dhe më pas ta eliminojë atë në Stamboll në trenin Orient-Ekspres. Rosa Klebb, një kolonele e organizatës ruse, është personazhi negativ dhe është shumë i arritur. Surpriza më e madhe ruhet në pjesën e fundit. Bond përballet me Klebb dhe…

Dr. No, 1958

Rosa Klebb i injektoi 007-s tetrodoksinë, një helm të fortë të nxjerrë nga gjëndrat seksuale të një peshku të rrallë të ujërave japoneze. Kjo e bëri Bondin për njëfarë kohe të paaftë dhe pas një periudhe rehabilitimi ai dënohet ashpër nga shefja e tij M. për dështimin që pati me Klebb. Për të vënë në vend nderin, Bond merr përsipër një detyrë thuajse vdekjeprurëse në Xhamajka, që e çon në një ishull misterioz, pronar i të cilit ishte misteriozi dr. Julius No. Në libër përshkruhen me hollësi skena të jetës ekzotike në ishull. Vetë No është një njeri misterioz, i cili qëndron në shtëpinë e tij në formë burgu në zemër të ishullit. Frymëzimi i Flemingut vjen nga një ishull tropikal me emrin Inagua i madh. Në këtë libër përmendet shpesh edhe makina britanike "Land Rover".

GOLDFINGER, 1959

Është libri më i gjatë dhe më i ndërlikuar i serive të 007-s. Bond dërgohet që të hetojë në lidhje me njeriun më të pasur në Britaninë e Madhe, Auric Goldfinger, për të cilin zbulon se ai merret me tregtinë e paligjshme të arit. Metodat e tij janë të jashtëzakonshme. Goldfinger i shndërron në ar të gjitha makinat e tij dhe i lë në vendin ku duhet të çojë arin. Bond nis të punojë për Goldfinger në tentativë për t‘i vjedhur 30 miliardë dollarët. Në këtë libër, Fleming fut dy nga fiksimet e tij të mëdha, arin dhe lojën e golfit. Shkrimtari ishte i fiksuar pas metalit të verdhë. Kishte një makinë shkrimi të artë, të cilën nuk e përdorte, kishte shumë monedha të çmuara. Ndërsa për sa i takon golfit, ai luante çdo fundjave me miqtë e tij.

Vetëm për sytë e t‘u, 1960

Deri në atë kohë, Fleming kishte shkruar vetëm për femra bionde që i vinin rrotull Bondit të tij. Këtë herë ai donte të shkruante diçka të ndryshme. Historia e këtij libri është në thelbin e filmit të ri të James Bond "Quantum of Solace", që nuk është një aventurë e shërbimeve sekrete, por një rrëfim për dashurinë dhe pashpirtësinë emocionale që zhvillohet në shoqërinë britanike të ishujve të Karaibeve. Historia i rrëfehet Bondit nga guvernatori britanik dhe bazohet në një histori të vërtetë, që Fleming e dëgjoi nga një ish e dashura e tij në Xhamajka.

Spiuni që më deshi, 1962

Kjo është një histori ndryshe, sepse rrëfehet nga këndvështrimi femëror në vetën e parë. Rrëfimtarja është Vivien Michel, bondgirl. Këtë stil të ri të të rrëfyerit Fleming ia shpjegoi botuesit përmes një letre, në të cilën i shkruante se ishte i befasuar që librat e tij për të rritur lexoheshin në shkolla dhe se James Bond ishte shndërruar në një Hero Kombëtar. Me këtë rast ai donte të shkruante diçka ndryshe, pra si shihej Bondi nga vetë femrat. Ky është libri më i shkurtër i Fleming dhe nga pikëpamja artistike dhe e ngjarjeve është një dështim i vërtetë.

Për shërbimin sekret të madhërisë së saj, 1963

Ky është një roman i ndërlikuar, që ka në qendër dy linja dhe shfaqjen për të dytën herë të armikut të vjetër të Bond, Ernst Blofeld. Bond kishte kaluar një vit duke e ndjekur nëpër botë dhe është në pikën kur po përgatitet për të dhënë dorëheqjen nga misioni, kur armiku i tij i del përpara pa pritur në formën e një konti. Bond e ndjek sërish dhe përfundon në një resort të pasur malor në Zvicër. Fundi i librit është i jashtëzakonshëm. Bond jo vetëm që martohet me vajzën Bond të rrallës, por ajo vritet disa orë pas dasmës nga Blofeld. Në këtë libër shfaqet edhe një nga pasionet e Fleming, alpet dhe skitë.

Jetojmë vetëm dy herë, 1964

Ky është romani i 12-të dhe i fundit që Fleming arriti të përfundonte para vdekjes së tij të hershme në moshën 56-vjeçare në vitin 1964, pas një jete plot duhan dhe pije alkoolike. Hëna është e errët dhe e frikshme dhe më në fund Bond përballet me Ernst Blofeld. Fillimi i librit e gjen Bond në depresion dhe të shkatërruar shpirtërisht nga vdekja e nuses, Tracy. Për shkak të gjendjes së rëndë depresive të Bond, M. i rijep licencën për të vrarë dhe e dërgon me një mision në Japoni, ku ai takon një perëndimor misterioz brenda një kështjelle. Ai s‘ishte tjetër veçse Ernst i maskuar dhe më në fund pas një beteje të përgjakshme, Bond arrin ta asgjësojë armikun e tij të vjetër.

Gazeta Shqip

  • Postime: 21592

#1 ne: 05-06-2020, 22:41:34
 

Në vitin 2014, lehtësimi i klauzolave të Ligjit britanik të Sekreteve, e lejoi një familje që kishte qenë gjithmonë kureshtare mbi angazhimin e gjyshit gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërorë, që të zbulonte se ai ishte në fakt një agjent sekret në jetën reale.

Një profesion mjaft intrigues, aq më tepër për një njeri të quajtur pikërisht Xhejms Bond. Stefën Filips, nipi i Xhejms Çarls Bond, pati mundësinë që shihte me sytë e tij dokumente dikur të klasifikuara si tepër sekrete, në të cilat ai zbuloi për habinë e tij të madhe, se gjyshi i tij ishte një oficer i shërbimit inteligjent britanik, dhe një anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale (SOE) gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Që në moshë të re, Filips thotë se mban mend që e gjithë familja ishte paralajmëruar nga autoritetet, të mos e pyeste gjyshin e tij mbi shërbimin e kryer në kohën e luftës. Gjithsesi Filips thekson se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend që gjyshi i tij, Xhejms Bond, të kishte shërbyer në një grupim kaq elitar të shërbimeve britanike të sigurisë.

Xhejms Bond, nga Suonsi i Uellsit Jugor, ishte para luftës një punëtor në një uzinë të përpunimit të metaleve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe 6 vjet pas saj, ai punoi për llogari të shërbimit sekret SOE. Filips gjeti në dosjen e deklasifikuar, kopjen e një njoftimi të nënshkruar nga gjyshi

i tij më 3 qershor 1944, vetëm 3 ditë para zbarkimeve të D-Day në plazhet franceze të Normandisë.

Filips supozon se në atë kohë gjyshi i tij, ishte duke punuar pas linjave të armikut. Edhe më befasues është fakti, që Xhejms Bondi i vërtetë punoi nën udhrat e Jan Fleming, shumë kohë para se ky i fundit të bëhej shkrimtar, dhe të fitonte famë me persionazhin e tij të mirënjohur tashmë, që mban të njëjtin emër.

Në kohën e luftës, Fleming ishte kreu i Inteligjencës Detare Britanike, dhe kishte për detyrë të ruante të gjitha sekretet. Ai ishte trajnuar si një operativ i SOE, dhe do të ndërmerrte misione të ngjashme me ato të kryera nga Xhejms Bondi i vërtetë.

Një tjetër dokument i deklasifikuar, tregon se në vitin 1942, Jan Fleming mblodhi një ekip operativësh të SOE dhe se midis tyre ndodhej edhe Xhejms Çarls Bond. Fatkeqësisht, detajet e atij operacioni janë ende të klasifikuara.

Jan Fleming pretendonte gjithnjë se personazhi i tij, Xhejms Bond, ishte emëruar sipas një ornitologu amerikan, dhe se ai e kishte zgjedhur atë emër për shkak të thjeshtësisë në shqiptim. Por Filips është i intriguar me të drejtë nga lidhja midis gjyshit të tij dhe Jan Flemingut, shërbimit që ata kryen bashkë gjatë luftës, dhe jetën e super-spiunit në librat e këtij të fundit.

Ai beson se historia me ornitologun amerikan, ishte një taktikë devijuese e përdorur enkas nga Flemingu për të mbrojtur Xhejms Bondin e vërtetë, duke respektuar kësisoj edhe klauzolat tepër të rrepta të Ligjit të Sekreteve Zyrtare.

Ekziston një legjendë familjare, sipas të cilës Xhejms Bond i tha dikur mbesës së tij, Xhenit, se ai ishte në fakt Xhejms Bondi i vërtetë, që shfaqej në libër dhe në filma. Por për këtë gjë nuk është thënë asgjë më shumë, dhe askush nuk dyshoi se në atë rrëfim mund të kishte diçka të vërtetë.

Pasi i shërbeu vendit të tij për 11 vjet, Xhejms Çarls Bond u largua nga ushtria, dhe rinisi sërish punën në uzinën e metaleve. Pasi u tërhoq nga kjo industri, ai u angazhua për disa kohë në disiplinimin e trafikut të automjeteve para shkollave në Laugor, një qytet afër Suonsit.

Filips po kërkon nga cilido që ka shërbyer me gjyshin e tij, që të kontaktojë me të. Ai do të donte të zbulonte më shumë se çfarë ka bërë gjyshi i tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka që di ai deri më tani janë dokumentet e deklasifikuara, dhe një fotografi e vitit 1937 e një burri shumë të pashëm, me flokë të errët, i veshur me një kostum.

Ajo foto është e gjyshit të tij, por mund të jetë një foto publicitare e Xhejms Bondit tjetër. Xhejms Çarls Bond vdiq në vitin 1995 në moshën 89-vjeçare, pa ia zbuluar kurrë të shkuarën e tij interesante anëtarëve të familjes së tij. Ky zotëri, u betua seriozisht para eprorëve për respektimin e Ligjit të Sekreteve Zyrtare, dhe nuk u rrëfeu asnjëherë të afërmve se në çfarë misionesh kishte marrë pjesë gjatë ose pas luftës. / War History Online – Bota.al

Temat e fundit