×

Fjalimi i Edi Rames

· 7 · 311

Fjalimi i Edi Rames

· 7 · 311

  • Postime: 12738
Mishel...............
ne: 26-06-2013, 10:15:16
Detyra do jetë imja, pushteti do jetë juaji!



Ka fare pak përgjegjësi të tjera më të mëdha për një njeri, se sa përgjegjësia për të udhëhequr vendin tënd.
Sot, ju, populli i Shqipërisë, vendosët të ma ngarkoni mua dhe skuadrës tonë kombëtare të Rilindjes së bashku e në mënyrë të pandarë, me partnerët tanë strategjikë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me aleatët e tjerë, këtë përgjegjësi kaq të madhe.
Ne e pranojmë përgjegjësinë, me ndjenjën më të thellë të përuljes ndaj çdonjërit prej jush. Dhe për çdo ditë, nga sot e tutje, ne do të jemi me ju dhe për ju deri kur kjo përgjegjësi madhore të jetë e jona.
Unë e di që, siç thotë Abraham Linkolni i madh, asnjë qeveri në botë s’mund t’i kënaqë dot të gjithë dhe për gjithë kohën. Por, për gjithë kohën që vjen, unë nuk do të harroj kurrë se jeni ju të gjithë, nga brenda ose jashtë vendit, që na vutë në krye të vendit.
Ju na besuat sepse ne nxorëm më të mirën nga vetja për të arritur deri këtu. Një projekt ndryshimi me një program të ri për të rilindur Shqipërinë. Një skuadër të gatshme për të punuar për Rilindjen. Një Aleancë të re për Shqipërinë Europiane, e cila provoi botërisht se për të mirën e Shqipërisë ne së bashku, dimë ta vëmë vendin mbi veten e mbi partitë tona.
Unë e dua këtë vend. Prandaj edhe luftova kaq fort për të fituar. Dhe zemra ime e di se çfarë mundësish të pafundme ka ky vend për të rilindur. Këto mundësi të pafundme tani duhet t’i nxjerrim nga çdo thellësi e shpirtit dhe mendjes shqiptare, për të bërë më të mirën me mundësinë që na u dha për të udhëhequr Shqipërinë.
Ne do të udhëheqim. Por as unë, as ne të zgjedhurit për të drejtuar së bashku, s’mund ta sjellim të vetëm Rilindjen që premtuam. Prandaj dua që ju, njerëzit e këtij vendi, të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes.
T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes lirisë së konkurrencës e taksimit të ndershëm;
Një shoqëri të ripërtërirë me arsim, shëndetësi e shërbime sipas nevojës jo sipas xhepit;
Një demokraci të rivendosur në themelin e bashkëjetesës mes nesh si shqiptarë, pavarësisht përkatësive partiake e krahinore.
Pa harruar asnjë çast se sot, Populli Sovran, e ngjyrosi me ngjyrën e purpurt të gjithë hartën e Shqipërisë, që nga Shkodra gjer në Vlorë, për të na dhënë mundësinë historike që ta provojmë me sjellje e me vepra, se mund ta ndajmë përgjithnjë këtë vend nga dasitë e vjetra të së shkuarës së deridjeshme.
Të nisim bashkërisht punën për t’i treguar njëri-tjetrit po edhe botës jashtë nesh se kemi talentin, vlerat, vendosmërinë, për t’u ngjitur në lartësinë e amanetit të të parëve të këtij vendi dhe të borxhit që u kemi të gjithë fëmijëve të Shqipërisë.
Pa harruar asnjëherë se duhet të jetë liria jo mungesa e saj, rruga për ta qeverisur këtë vend;
Merita jo mungesa e saj, baza për ta vlerësuar çdo njeri e sipërmarrje në këtë vend;
Respekti për normat ligjore dhe etike e jo mungesa e tyre, rruga për të marrë vendimet për këtë vend.
Të vazhdojmë së bashku, si një vend dhe si një komb, përpjekjen drejt vendit që na takon në Familjen e Bashkuar të Europës sot kur, si asnjëherë, shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës jo vetëm e meritojnë por edhe e kanë në duart e tyre, realizimin e ëndrrës së bashkimit të plotë në atë familje.
Ka qenë deri këtu një ëndërr e gjatë.
Tani, së bashku, duhet ta bëjmë realitet.
Pa harruar në asnjë hap se duhet të jetë gjithëpërfshirja jo përjashtimi i pakicës, virtyti i dialogut me tjetrin jo vesi i monologut kundër tjetrit, shpirti i kompromisit jo tradita e vetëpëlqimit, që mund ta rilindin Shqipërinë si anëtare të denjë të Familjes së Bashkuar Europiane.
S’ka pikë dyshimi se duke parë flamujt e fitores të valëviten sonte nga Kukësi në Gjirokastër, duke dëgjuar brohoritjet e mbështetësve tanë anembanë vendit, duke parë më në fund që gëzimi ta pushtojë zemrën, mendjen, fytyrën e çdo opozitari të derisotëm, edhe unë ndjehem thellësisht i ngazëllyer si të gjithë ju.
Por, ky gëzim i merituar nuk do të krijojë dot vende të reja pune për më të rinjtë, as një shërbim shëndetësor më të denjë për më të moshuarit. As gëzimi që përshkon sonte në çdo rrugë nuk do t’i bëjë rrugët tona më të sigurta nesër.
Kjo fitore nuk është mbërritja, por vetëm nisja jonë.
Kjo fitore është era e ndryshimit që fryn lirisht në gjithë Shqipërinë, por tani nis puna e madhe për ta bërë ndryshimin të mbërrijë në realitetin e familjeve dhe komuniteteve në gjithë Shqipërinë e rrënuar.
E ky ndryshim që të gjithë duam, s’do të vijë brenda natës. Nuk do të mbërrijë as kollaj, sepse siç e kam parë në rrugën e jetës time, asgjë e mirë nuk vjen kollaj. Duhet të duash ta arrish, por duhet të punosh e të sakrifikosh fort për ta arritur.
Të gjithë bashkë treguam deri këtu se duam fort që Rilindja të ndodhë. Tani të gjithë bashkë duhet të punojmë dhe sakrifikojmë fort që ta bëjmë të ndodhë. Dhe ne do të punojmë fort. Së bashku. Si një skuadër. Një skuadër e madhe që sot ka fituar vetëm të drejtën për t’u vënë në provë, ndërsa nesër duhet të nisë punën për të fituar vetë provën.
Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh ende më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu.
Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim.
E, tani që zgjedhjet përfunduan, dua ta bëj shumë të qartë se vullneti im është t’u shërbej me përkushtim gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për fituesit.
Votën plebishitare që morëm në këto zgjedhje, nuk e konsideroj si triumfin e palës sonë dhe aq më pak si një triumf  personal.
Përkundrazi, shumica marramendëse që na dhanë shqiptarët më bën ende më realist, për sfidën marramendëse që duhet të fitojmë përmes qeverisjes sonë. Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndjehet keq. Asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti falë meritës së tij, të mos ndjehet i kërcënuar. Asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit, të mos ndjehet i rrezikuar.
Të gjithë meritojnë respektin tonë dhe të gjithëve do t’u provojmë se ndryshimi, s’ka ardhur për t’i bërë keq askujt që s’ka bërë keq duke shkelur ligjet këtij vendi.
Nuk mund të mos ju rrëfehem sot se ky është momenti më krenar i jetës sime. Por, midis krenarisë që ndjej për veten dhe përulësisë që ndjej prej besimit të jashtëzakonshëm që keni investuar tek unë, fiton thellë përulësia.
Unë do të jem kryeministri juaj, por edhe kryeshërbëtori juaj.
Detyra do të jetë imja, pushteti do të jetë juaji.
Unë s’do të harroj këtë. Po ju lutem, mos e harroni as ju. Jo për mua, po për të mirën e Shqipërisë që duhet të rilindim së bashku.
Faleminderit.

  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super

  • Postime: 1158
  • Gjinia: Mashkull
V@GαβθηD
#1 ne: 26-06-2013, 23:49:48
Bla bla bla......
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super

  • Postime: 6
  • Gjinia: Mashkull
Tikku
#2 ne: 25-03-2019, 14:36:10
Bla bla bla......
Jam kurioz kjo Mishel e ka akoma kete mendim si para aq vitesh apo ce do. ....  :D
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super

  • Postime: 12738
Mishel...............
#3 ne: 25-03-2019, 15:06:48
Jam kurioz kjo Mishel e ka akoma kete mendim si para aq vitesh apo ce do. ....  :D

Mendimi im, ske moshen e duhur te shohesh nga kendveshtrimi im :P
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super

  • Postime: 7271
  • Gjinia: Mashkull
SteriOtipi B
#4 ne: 25-03-2019, 21:24:47
Ah Mishel ekstrem ke qene ekstrem je, vetem Berni ta mbidhte ketu ty. :P LOL
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super

  • Postime: 260
Monique
#5 ne: 25-03-2019, 21:28:46
Zot sa e adhuroj kte Edi Ramen lol
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super

  • Postime: 12738
Mishel...............
#6 ne: 07-04-2019, 10:46:22
Berni ku je more...he do bejme noi debat konstruktiv si ne koherat e vjetra LOL
  • M'pelqe x 1
    Kot fare
    Super