×

Sa eshte i mundur shkarkimi i Metes nga posti i presidentit?

· 1 · 42

Sa eshte i mundur shkarkimi i Metes nga posti i presidentit?

· 1 · 42

  • Postime: 22550
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 10-06-2019, 12:13:03
 

Pas vendimit të Ilir Metës për anullimin e datës së zgjedhjeve Edi Rama po shikon të gjitha mundësitë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. kryeministri e tha troc nga mitingu i burrelit se Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë zyrë. Po një gjë janë deklaratat politike të Ramës dhe një gjë tjetër mundësia reale se si realizohet këtë. Sepse kushtetuta e Shqipërisë e ka të përcaktuar qartë mënyrën se si largohet nga detyra një president.
“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij” thuhet në pikën 2 të nenit 90 të ligjit themeltar të shtetit;

Pra si fillim socialistët duhet të zbulojnë se Meta ka kryer një krim të rëndë. Më pas ata duhet të riblejnë një numër deputetësh nga opozita e re që të plotësojnë 93 votat e domosdoshme për të kapur edhe të vetmin institucion që i ka mbetur jashtë qerthullit të tyre. Por edhe nëse i kapërcejnë këto pengesa historia nuk përfundon këtu sepse një nen tjetër i kushtetutës: “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra” thuhet në pikën 3 të nenit 90.

Por këtu ka një pengesë tjetër. Gjykata kushtetuese është jashtë funksionit prej muajsh, Anëtarët e mundshëm të saj nuk kanë bërë as vettingun. Dhe procesi zgjat pa fund, pra praktikisht Ilir Meta është i pa shkarkueshëm nga president.

Në këtë kuptim për të arritur atë që deklaron në mitingjet politike, Edi Rama duhet të kalojë nëpër një kalvar të pafundëm delegjitimimi.

Ai duhet të nisë procedurën e paprecedëntë në Shqipëri, atë të shkarkimit të kreut të shtetit duke marrë edhe më shumë damkën e uzurpatorit të cdo pushteti. Ai duhet pastaj të shndërrojë në më karagjoze se cështe opozitën e re duke e detyruar të votojë me urdhrin e tij për të bërë 93 votat. Pastaj ai duhet të konstituojë me urgjencë Gjykatën Kushtetuese duke i dhënë dërmën përfundimtare fabulës së reformës në drejtësi, dhe duke dëshmuar se ajo është një levë në duart e pushtetit që përdoret si kamzhik ndaj kundërshtarëve politikë.

Në këtë kuptim shkarkimi i menjëhershëm i Ilir Metës është i pamundur. Por edhe nëse tentohet ai do të jetë akti i fundit i një shteti të kapur.

©Lapsi.al