Eshtë promovuar dje në ambientet e Akademisë së Shkencave "Fjalori i gjuhës shqipe 2006", i cili ka dalë në qarkullim në janar të këtij viti. Ky fjalor, i pari në llojin e vet dhe me një format praktik vjen sipas projektit të mbështetur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Programi Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim. Ai është hartuar nga një grup leksikologësh dhe leksikografësh të Departamentit të Leksikologjisë e të Terminologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, nga prof. Jani Thomai (drejtues shkencor i projektit dhe redaktor shkencor i fjalorit), prof. Miço Samara, prof.as. Pavli Hazhillazi, prof. Hajri Shehu, prof. Thanas Feka, prof.as. Valter Memisha, Artan Goga. Vetë botimi i këtij fjalori përbën një risi në radhë të parë për formatin e tij të vogël libër "dore", që ka munguar deri më sot dhe që e bën atë praktik në përdorim nga studentët e shkollarët, nga pedagogët e mësuesit, nga shkrimtarët e përkthyesit, nga publicistët e të huajt, që duan të mësojnë gjuhën shqipe, por edhe nga leksikografët dhe studiuesit e gjuhës shqipe, etj. Eshtë shumë e rëndësishme të theksojmë në këtë rast, se pavarësisht volumit të tij praktik, nga numri i fjalëve "Fjalori gjuhës shqipe 2006" është më i madhi ndër fjalorët shpjegues të derisotëm të gjuhës shqipe; ka rreth 48 mijë fjalë dhe 5 mijë njësi frazeologjike, që e bëjnë atë shumë të dobishëm. Akademiku Jani Thomai, njëkohësisht edhe drejtues shkencor i projektit dhe redaktor shkencor i fjalorit, tregon risitë, që sjell një vepër e tillë voluminoze, si dhe vlerat praktike të fjalorit. "Me këtë botim plotësohet një kërkesë e kahershme, që të ketë një fjalor praktik nga pikëpamja e formatit. Të gjithë fjalorët shpje-gues, që kanë dalë pavarësisht nga vlerat që kanë nuk mbahen në dorë, nuk vihen në çantë për nxënësit dhe studentët. Nga kjo pikëpamje, ky bëhet një fjalor praktik dhe masiv. Kjo nuk është një zgjidhje mekanike, por një zgjidhje e brendshme, që lidhet edhe me ndërtimin e strukturave kuptimore, që të përshtaten sa më shumë për nivelet e nxënësve të shkollës së mesme, e madje edhe për nivelin e nxënësve të klasës së tetë dhe të nëntë. Ky është një fjalor, që do të hyjë në përdorim shumë më të gjerë nëse do të ketë mundësi të shpërndahet edhe jashtë kufijve të vendit, kudo ku ka shqiptarë". Por prof. Thomai tregon njëkohësisht edhe pasurimin e këtij fjalori, në raport me botimet e mëparshme të këtij lloji, duke theksuar njëkohësisht se ky pasurim ka ardhur si rezultat i shfrytëzimit të literaturës, por edhe i ligjërimit të folur në këto 15 vjet. "Edhe pse fizikisht është më i vogël, nga vëllimi i fjalëve, ky fjalor është më i madh edhe se fjalori i vitit 1980, që ka 41 mijë fjalë".
Ndërkohë prof.as, Valter Memisha, bashkëhartues i fjalorit, ndalet edhe në njësitë frazeologjike të përfshira në këtë botim. "Ky është një fjalor me 48 mijë fjalë, por njëkohësisht ka edhe 5 mijë njësi frazeologjike dhe frazeologjia është e barabartë me një fjalë. Kjo do të thotë që struktura e fjalorit është 53 mijë njësi". Pas këtij fjalori të suksesshëm, gjuha shqipe do të ketë edhe fjalorin e madh, në 5-6 vëllime me rreth 80 mijë deri 100 mijë fjalë, puna për vëllimin e parë të të cilit sapo ka filluar.
G.Panorama