×

Arvanitasit, më të pafat se arbëreshët

Arvanitasit, më të pafat se arbëreshët

· 2 · 1067

  • Postime: 27120
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 13-05-2008, 11:36:36
Profesor Françesko Altimari

Të pranishmit në simpoziumin për arbërishten, mbajtur para pak ditësh nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, së pari patën rastin të admironin shqipen e përsosur të prof. Françesko Altimarit, kreut të Seksionit Shqiptar të Departamentit të Linguistikës pranë Universitetit të Kalabrisë dhe, së dyti, njohjen nga afër të gjendjes së shqipes së sotme nga ana e akademikut. Profesor Altimari është njëherësh edhe një prej protagonistëve kryesorë të ringjalljes së arbërishtes gjatë këtyre viteve të fundit në trevat italiane të banuara nga popullsi arbëreshe. Në fjalën përshëndetëse të evenimentit, vërejti me kënaqësi se përveç studiuesve dhe mjeshtërve tanë akademikë, ka një gjeneratë të re studiuesish që i afrohet me përkushtim dhe me kompetencë albanologjisë dhe një dege të saj të veçantë, siç është gjuha dhe letërsia e arbëreshëve. Për profesorin studimi i kësaj dege të shkëputur shumë kohë më parë nga trungu i shqipes ofron jo vetëm vlera shumë të rëndësishme linguistike, por njëherësh edhe historike e kulturore.

Pak ditë më parë, bashkë me shumë kolegë të tjerë shqiptarë, kosovarë dhe të trevave shqiptare të Maqedonisë, falë një bashkëpunimi mes Universitetit të Kalabrisë dhe Universitetit të Evropës Juglindore të Tetovës, morët pjesë në një simpozium dedikuar gjuhës dhe historisë shqipe. Mund të na shpjegoni ku u përqendrua interesi i këtij evenimenti?

Ftesa e kolegëve të Universitetit të EJL të Tetovës për të marrë pjesë në këtë simpozium mbi gjuhën dhe letërsinë e arbëreshëve, nuk qe për ne diçka e papritur meqenëse prej dy vjetësh me pedagogët dhe studentët e këtij Universiteti kemi marrëdhënie të rregullta bashkëpunimi, gjë e cila na dha mundësi të njihemi më mirë dhe të zhvillojmë një kooperim të frytshëm shkencor dhe didaktik dhe që është mirë të bëhet praktikë e zakonshme midis qendrave universitare me interes albanologjik. Iniciativa e Tetovës ngjalli shumë interes jo vetëm në qarqet më të larta akademike - me tematikën e arbëreshëve janë marrë prej kohësh simpoziume të ndryshme të organizuara në Itali, në Shqipëri dhe në Kosovë. Këto ditë me kënaqësi ne pamë se përveç studiuesve dhe mjeshtërve tanë akademikë, ka një gjeneratë të re studiuesish që i afrohet me përkushtim dhe me kompetencë albanologjisë dhe një dege të saj të veçantë siç është gjuha dhe letërsia e arbëreshëve. Duke ardhur nga përvoja të ndryshme shkencore, nga qendra të ndryshme formuese dhe nga shtete të ndryshme të Europës, këta të rinj dhe këto të reja na sjellin metoda të reja dhe gjithashtu rezultate të reja në qendër, sot, të vëmendjes sonë shkencore.

Ku qëndron vlera e simpoziumeve të këtij lloji?

Siç kam vënë në dukje në fjalën time përshëndetëse kolegëve të Fakultetit të Gjuhëve dhe Kulturave dhe të katedrës albanologjike të UEJL të Tetovës, vlera e këtij simpoziumi mbetet në spektrin e gjerë të fushave që janë trajtuar, në numrin e lartë të pjesëmarrësve, por sidomos në realizimin e një konvergjence të parë ndërakademike dhe ndëruniversitare e cila krijon një praktikë të re shkencore ndërlidhëse, dhe jo të kantonizuar, ku natyrisht vlerësohen traditat që e bëjnë çdo vatër tonë të veçantë, me historinë e vet, me drejtimet e veta, me specializimet e veta.

Çfarë përfiton prej tyre gjuha shqipe dhe historia shqiptare në përgjithësi?

Duke u marrë me një degë të rëndësishme dhe të veçantë të gjuhës shqipe siç është arbërishtja dhe me një komunitet si ai arbëresh të shkëputur prej kohe nga trungu ballkanik, por me një histori kulturore jashtëzakonisht të gjallë dhe të lidhur ngushtë historikisht me Shqipërinë dhe me vendet e tjera shqipfolëse të Ballkanit, takime të tilla na ofrojnë material të dorës së parë për ta rishikuar në mënyrë më të plotë dhe më objektive edhe të kaluarën por edhe të sotmen e shqiptarëve, qoftë nga ana gjuhësore, qoftë nga ana historike.

Gjatë këtyre viteve keni bërë një punë të admirueshme për ringjalljen e gjuhës arbëreshe, veçanërisht mes brezave të rinj. Gjithsesi, duhet vërejtur se gjuha shqipe në këto treva është ruajtur me besnikëri nga brezat e shkuar, megjithëse jo në këto nivele shkencore që ka arritur së fundmi. Përse nuk ka ndodhur diçka e tillë me arvanitasit e Greqisë?

Ju i referoheni lëvizjes sonë të re kulturore që i ka bazat ligjore në masat që Parlamenti italian mori më 1999 me ligjin nr. 482, për efekt të dispozitave për mbrojtjen e pakicave të garantuara nga Këshilli i Evropës, por që i ka rrënjët në traditën tonë të madhe, fryt i zotimeve të brezave të tërë, njerëzish të thjeshtë dhe intelektualësh, që vepruan pa ndërprerje për ta mbajtur të ndezur ‘zjarrin‘ e Arbërit.

Dhe në vizionin tonë, tradita, ajo e mirëfilltë dhe ajo e vërtetë, është ajo që e rikrijon dhe që e rigjeneron, në gjendjen e sotme, "zjarrin" tonë, dhe që nuk vetëkënaqet ta adhurojë hirin e së kaluarës. Pakica jonë pati fatin të gëzojë një rol historikisht të rëndësishëm, politik dhe kulturor, brenda shoqërisë italiane, që prej kohës - në pjesën e parë të shekullit XVIII - kur u themeluan në Kalabri dhe në Sicili ato të dy ‘Vatra‘ të mëdha arsimore shqiptare për mbrojtjen e kishës arbëreshe bizantine dhe të identitetit tonë siç kanë qenë Kolegji Korsini- Shën Adrian dhe Seminari greko-arbëresh në Palermo. Prania e këtyre dy Seminareve, që u vunë në dispozicion të komunitetit arbëresh të ritit lindor nga Papa i Romës, u siguroi arbëreshëve një trashëgimi të madhe fetare dhe kulturore, mbi të cilën lindi një letërsi e angazhuar që u lidh me letërsinë tonë të begatë gojore. Dhe këtu nuk duhet nënvleftësuar forca që pati miti i Skënderbeut si mit themelues i identitetit arbëresh që prej shkëputjes së tyre nga komuniteti origjinar. Atëherë, për t‘ju përgjigjur shkurtimisht pyetjes suaj, them se arvanitasve u munguan këto dy kushte: një dallimi fetar me grekët me të cilët ata bashkëjetojnë dhe një mit përforcues dhe themelues identitar, siç ka qenë për arbëreshët miti i Skënderbeut. Këtyre dy kushteve u shtohet edhe mungesa objektive e një qëndrimi më të hapët dhe liberal ndaj pakicës arvanite të mjedisit grek ku ata u ndodhën të jetojnë. Në fjalë të tjera, në Greqi klima politike dhe kulturore ndaj arvanitasve, ndoshta edhe për efekt të kontekstit dhe të kushtëzimeve ballkanike, nuk u dëftua historikisht ashtu tolerante siç ndodhi në Itali. Dhe është e çuditshme se kjo vazhdon të jetë edhe sot gjendja e arvanitasve, të cilët megjithëse flasin gjuhën e tyre, krahas gjuhës greke, nuk trajtohen nga Shteti grek si minoritet, vetëm pse kanë të njëjtën fe të krishterë ortodokse si grekët! Por ky qëndrim i politikës greke, bie ndesh me respektin e multikulturalizimit dhe të multilinguizmit të institucioneve evropiane, që është praktikë e shoqërisë sonë moderne. Dihet pra se ky qëndrim i Bashkimit Europian, për të vlerësuar diferencat kulturore, fetare dhe gjuhësore, e ka thelbin në politikën e saj pluraliste, ndryshe nga ç‘kanë bërë Shtetet kombëtare që u lindën në shekullin XIX duke u përpjekur t‘i mënjanonin diferencat e tyre të brendshme, në pasojë të parimit të njohur herderjan "një komb, një Shtet, një gjuhë".

Sa i vjen në ndihmë identitetit dhe kulturës shqiptare bashkëpunimi mes studiuesve dhe akademikëve të të gjitha trevave shqipfolëse, dhe sidomos risjellja në gjuhën e sotme shqipe të atyre trajtave e veçorive të cilat në arbërisht janë ruajtur të paprekura pas ndarjes, ndërkohë që shqipja i ka humbur?

Të njohësh gjuhën e përbashkët, në spektrin e gjerë të përdorimit të saj, në diferencat e saj diatopike dhe diakronike, është detyrë shkencore për gjithë studiuesit që veprojnë në qendrat e ndryshme albanologjike. Prandaj e kemi si obligim t‘i rrisim përpjekjet tona për ta vlerësuar sa më thellë dhe sa më mirë këtë thesar të përbashkët gjuhësor që e begaton trashëgiminë tonë kulturore dhe shpirtërore. Duke pasur në dispozicion një ‘korpus‘ të tillë - ne për arbërishten, në sajë të një pune kërkimore konvergjente në fushën e leksikografisë midis të dy katedrave albanologjike të Kozencës dhe të Palermos jemi në një fazë të mirë dhe të avancuar të vjeljes së dokumentacionit - do të jemi në gjendje ta stisim edhe më të madhe dhe më të bukur shtëpinë tonë të përbashkët gjuhësore ku, edhe me diferencat e tyre dialektore, duhet të njihen gjithë shqipfolësit.

Por punët e gjuhëve janë punë shumë komplekse dhe kërkojnë përqasje serioze, jashtëzakonisht serioze, kërkojnë përkushtim dhe angazhim. Prandaj është mirë që me këto punë të merren shkencëtarët e gjuhës dhe jo njerëz diletantë dhe të papërgatitur, megjithëse të pasionuar. Ndërkohë, ndërsa po kryhet kjo punë sistematike për vjeljen dhe vënien në dispozicion të gjithë ‘fjalorit‘ panshqiptar - për Shqipërinë disponojmë një kartotekë shumë të pasur leksikografike në sajë të punës së shtrenjtë shkencore dyzetvjeçare të studiuesve të Institutit të Gjuhësisë të Akademisë se Shkencave - diçka mund ta bëjnë konkretisht edhe shkrimtarët tanë, duke pasuruar vazhdimisht gjuhën letrare me burimet e klasikëve tanë: po sjell këtu shembullin largpamës të Martin Camajt, që pata nderin ta kisha ‘mjeshtër‘ akademik dhe mik, i cili e pasuroi letërsinë shqipe me gegërishten e tij letrare, dhe duke përdorur, qoftë në poezi, qoftë në prozë, shumë trajta të veçanta të marra nga tradita gjuhësore arbëreshe dhe shkodrane.

Prej disa dekadash në Shqipëri ndizet kohë pas kohe një debat i nxehtë lidhur me anashkalimin e gegërishtes në gjuhën dhe letërsinë shqiptare në favor të toskërishtes (veçanërisht pas Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972). Shumë janë të mendimit se duke e bazuar shqipen letrare te dialekti toskë (një palë e konsiderojnë si gjuhën e parapëlqyer nga regjimi komunist) është humbur një trashëgimi shumë e rëndësishme gjuhësore. Cili është mendimi juaj?

Besoj sinqerisht se nuk na duhen edhe në këtë fushë polemika të kota dhe përsëritëse, por propozime konkrete, duke mos rënë edhe këtu te sindroma e Rozafës! Gjuha standarde është një arritje historike shumë e rëndësishme për gjithë shqipfolësit dhe prandaj ajo duhet ruajtur dhe respektuar nga gjithë ne, pavarësisht nga përkatësia jonë krahinore dhe nga qëndrimet tona ideologjike. Natyrisht gjithçka mund dhe duhet të diskutohet, edhe mbi gjuhën mund dhe duhet të diskutojmë së bashku, pa tabu, por me një përqasje pozitive dhe jo negative, duke pasur një qëndrim të matur në trajtimin e çështjeve gjuhësore, pa rënë në kundërshtime ‘a priori‘ ose ideologjike. Patjetër mund të jenë bërë edhe gabime - dhe disa gabime janë bërë me siguri dhe i kemi parasysh - por ato nuk mungojnë në asnjë planifikim gjuhësor. Rruga e gjetur që të diskutohen këto probleme jo vetëm në gazetat, por më parë brenda komunitetit shkencor, me ngritjen e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, midis të dy Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës, më duket efikase dhe e qëlluar. Por kjo punë, që duhet ta shpejtojmë, dhe ta debatojmë pra në një simpozium të lartë shkencor, vlen për gjuhën tonë standarde, që është dhe që do të mbetet, me ndonjë integrim dhe me ndonjë pasurim të mëtejshëm, gjuha jonë e përbashkët. Për sa i përket përdorimit në letërsi të varianteve letrare historike të shqipes, nuk besoj se na duhen Kongrese të reja drejtshkrimore ose duhen marrë vendime nga qeveritë ose nga prefekturat: këtu mjafton vetëm dëshira e shkrimtarit që zgjedh të shprehet në veprën e tij letrare duke përdorur në vend të gjuhës standarde, gjuhën letrare shqipe krahinore, nëse ai preferon të bëjë kështu. Në këtë rast ‘mëkati‘ nuk do të jetë aq i madh, besoj. Edhe në Itali, për shembull, nuk mungojnë shkrimtarë, sidomos poetë, edhe me një profil të lartë letrar, që e kanë ndjerë dhe që e ndjejnë nevojën të përdorin dialektin, ndoshta sepse e ndjejnë atë më të "afërt", dhe pra i pëlqejnë gjuhët krahinore në vend të gjuhës italiane standarde. Shkrimtarë si Albino Pierro, Andrea Zanzotto, Pier Paolo Pasolini, Biagio Marin, Ignazio Buttitta, Salvatore Di Giacomo, për të përmendur vetëm disa, nuk konsiderohen për këtë jashtë letërsisë italiane, përkundrazi. Nuk e shoh këtë si problem.

Sa vlera do t‘i sillte shqipes rikthimi i gegërishtes në formatin e saj zyrtar?

Siç kam thënë më parë, nuk më duket e logjikshme as e volitshme të kthehemi tek ‘kafazet‘ e vjetra gjuhësore-krahinore të shqipes. Gegërishtja letrare e ka peshën e vet, ashtu si e ka arbërishtja letrare, në historinë tonë letrare dhe gjuhësore, dhe duhet t‘i respektojmë këto "shqipe" si shenja të identiteteve të ndryshme gjuhësore brenda një sistemi të përbashkët shqipfolës. Por t‘i respektosh këto tradita kërkon t‘ i prezantojmë autorët tanë gegë dhe arbëreshë të traditës edhe me trajtat e tyre të veçanta gjuhësore, pa asnjë rrafshim dhe pa asnjë përshtatje në gjuhën e sotme, por duke shpjeguar veçantitë dialektore që lexuesi ka të drejtë t‘i kapë dhe t‘i lexojë në origjinal. Dhe kjo vlen sidomos në shkollë dhe në Universitet. Por një punë është t‘i vlerësojmë gjuhët e traditës sonë letrare, një punë tjetër është ta rishtrojmë përsëri këtu një çështje si ajo e gjuhës standarde që nuk meriton të rishtrohet: gjuha e shkruar- dhe pra gjuha e Shtetit, e administratës, e komunikimit zyrtar - duhet të jetë vetëm një, duke u përpjekur seriozisht ta përmirësojmë atë dhe ta bëjmë më të pasur dhe më përfshirëse.

Pra ka një seri fushash ku mund të përdoren pa probleme edhe këto variante, sidomos në letërsi, në teatër dhe kur lejohet të përdoret gjuha e folur pa krijuar probleme komunikimi në kontekste zyrtare dhe panshqiptare.

Në botën akademike arbëreshe vërehen dy rryma: Ajo e përfaqësuar nga ju, sipas së cilës si çati për gjuhën e arbëreshëve duhet të shërbejë shqipja që flitet sot në Shqipëri, dhe ajo e përfaqësuar nga prof. Italo Fortino, sipas së cilës duhet ruajtur me rigorozitet arbërishtja e vjetër me gjithçka të sajën. Për disa studiues shqiptarë përqafimi i shqipes së sotme nga ana e arbëreshëve do të sillte humbjen një serie vlerash? Ç‘rrugë mendoni se do të ndiqet?

Problemet komplekse siç kujtoja më parë duhen analizuar me një përqasje komplekse dhe jo rrafshuese sepse në këtë mënyrë rrezikojmë ta banalizojmë dhe ta ofendojmë objektin e shkencës sonë dhe vet shkencën. Arbërishtja dhe shqipja nuk janë dy gjuhë paralele, por dy variante gjuhësore brenda një gjuhe të përbashkët, për të cilën na mungon mjerisht një term asnjanës identifikues të brendshëm, siç e kemi te gjuhët e huaja: p.sh. "albanese" italisht, "albanian" anglisht, "albanische" gjermanisht, etj. Këtë term për gjuhën e përbashkët panshqipe mund ta identifikojmë në atë që në një artikull kam quajtur dhe identifikuar si albanishtja, domethënë gjuha e përbashkët ku duhen të përfshihen variantet e saj historike në botën shqiptare (shqipen), në botën greke (arvanitishten) dhe në botën italiane (arbërishten). Këto variante gjuhësore na paraqiten natyrisht me një status të ndryshëm sociolinguistik, por duke pasur të njëjtin sistem fonologjik dhe morfologjik, dhe me dallime që janë të dukshme sidomos në leksik, për shkak të ndikimit të madh që dialektet arbëreshe pësuan gjatë shekujve nga dialektet e Italisë së jugut dhe tash nga italishtja standarde dhe dialektet arvanite gjithashtu nga greqishtja. Duke pasur një çati të tillë të përbashkët, arbërishtja e konceptuar si tërësi e dialekteve arbëreshe që fliten sot në Itali më shumë se si gjuha e arbëreshëve, na del si një degë e kësaj gjuhe, në një fazë të bllokuar të zhvillimit të saj për shkak të rrethanave historike që e bënë atë një gjuhë të folur në një mjedis ekonomiko-shoqëror të ngushtë, me tiparet e "kodit të ngushtë", sipas sociolinguistikës, ndërsa shqipja, që në origjinë mund ta imagjinojmë si degë paralele e vet arbërishtes, si variant ballkanik i asaj dege qe rrodhi gjithashtu nga albanishtja, mori me kohë, sidomos pas formimit të Shtetit të pavarur shqiptar, tiparet e "kodit të përparuar", gjithashtu sipas tipologjisë sociolinguistike.

Ka tani një status krejt të ndryshëm midis arbërishtes së folur - këtu e kam fjalën për dialektet arbëreshe ashtu si fliten sot nga një numër gjithnjë më të zvogëluar folësish dhe jo për gjuhën letrare që shkrimtarët arbëreshë kanë përdorur historikisht në veprat e tyre letrare - dhe shqipes, që u bë gjuhë standarde jo vetëm në Shqipëri, duke rrokur një seri fushash përdorimi gjithnjë në rritje, me një numër gjithnjë të madh shqipfolësish. Në këtë gjendje të pabarabartë, si mund t‘i krahasojmë këto dy variante si mundësi alternative për arbërishtfolësit? Si bën një gjuhë e kufizuar në jetën e një shoqërie bujqësore, me një leksik origjinar të kufizuar që nuk i tejkalon 400/500 terma, ta përballojë sfidën e globalizimit në fushën gjuhësore? Ndoshta duke e shndërruar arbërishten si një gjuhë e vdekur, e balsamuar për qejfin e shkencëtarëve ose të antropologëve? Ne besojmë se duhen bërë të gjitha përpjekjet për t‘i ruajtur dhe për t‘i vlerësuar veçoritë e gjuhës sonë, disa prej të cilave do ta meritonin një konsideratë më të madhe nga komuniteti i përbashkët panshqiptar, edhe në gjuhën e shkruar (p.sh. trajtën e shquar të gjinores shumës - vet, gjinia asnjanëse, format perifrastike aspektuale "jam e vinj", "jam që vinj" (shqip: po vij, jam duke ardhur), kohën e ardhme me domosdoshmëri "kam të vinj", shumë fjalë të vjetra që kanë dalë jashtë përdorimit nga gjuha shqipe e sotme por që e pasurojnë leksikun e përbashkët, etj.). Por vetëm me fjalët, relativisht të pakta, që "arbërishtet" e folura i trashëguan nga fondi ynë leksikor origjinar dhe që i ruajtën deri sot, dhe që na pasqyrojnë edhe një shoqëri të lashtë që të rinjtë tanë e ndjejnë të vjetër, të prapambetur dhe jashtë modernitetit, nuk mund ta përballojmë asesi sfidën e shoqërisë së sotme. Këtë sfidë mund ta përballojmë përkundrazi duke e kapërcyer vizionin arkaik të arbërishtes si ‘gjuhë të vatrës‘ dhe duke e bërë atë ‘gjuhë të internetit‘! Për këtë kemi nevojë sot më shumë se dje, kur u arrit së paku globalizimi i botës shqiptare, t‘i përforcojmë këto lidhje gjuhësore panshqiptare, ta "kontaminojmë" arbërishten me "shqipet" bashkëkohëse dhe jo duke u izoluar sikurse të ishim një fis i humbur ose duke ecur pas disa teorive naive, autarkiste dhe populliste, edhe pse "popullistët" e gjuhës janë për pasojat që sjellin në shoqëri aq të dëmshëm se sa "popullistët" e politikës. Në fjalë të tjera duhet ta begatojmë gjuhën tonë arbëreshe duke i ruajtur veçantitë e saj që e bëjnë edhe më të begatë vet shqipen, por edhe duke u ‘kontaminuar‘ reciprokisht dhe pa asnjë frikë edhe me "shqipet" tona. Në këtë mënyrë do ta stisim së bashku një "çati" gjuhësore të përbashkët për një shtëpi gjuhësore të përbashkët: një gjuhë e vetme, edhe më përfshirëse, për gjithë albanishtfolësit (arbëreshët, arvanitët dhe shqiptarët).

Zgjidhja e "brendshme" që ndonjë studiues na sugjeron, besoj sinqerisht se na çon vetëm në dështim, pasi ajo është shprehje e një politike gjuhësore regresive dhe jo progresive për arbëreshët. Dhe pra: cili autoritet politik dhe shkencor mund t‘ua imponojë atyre të flasin dhe të shkruajnë në një gjuhë artificiale të krijuar apostafat për ta në laborator, mbi një fond të vjetër të balsamuar, për ta thelluar ideologjikisht dhe gjuhësisht distancën me botën shqiptare, dhe që mund t‘u shërbejë atyre vetëm të mbyllen në guaskën e një identiteti ‘mesjetar‘ dhe të rremë? Alternativa reale e kësaj pamundësie mbetet vetëm gjuha anarkoide (ta quajmë anarkoarbërishtja?)e ndonjë gazetari të paskrupultë, off line dhe on line, që për t‘i dhënë gazetës së vet ose blogut të vet imazhin se ka në dispozicion një redaksi me një numër redaktorësh më të madh se sa është numri i anëtarëve të klanit të vet, fton dhe përkrah njerëzit të shkruajnë aty arbërisht si dinë dhe si duanë. Nuk e di nëse në këtë mënyrë arbërishtja fiton prestigj apo dëme të pariparueshme. Për një shoqëri që ruan ndaj së ardhmes dhe jo ndaj së kaluarës, kërkohen sot zgjidhje, edhe gjuhësore, edhe kulturore, të hapëta dhe jo të mbyllura, të përparuara dhe jo të prapambetura.

Në një të përditshme shqiptare u publikua pak ditë më parë një letër që banorët e Himarës i dërgonin Careshës Ruse Katerinës, ku vërenin se gjuha e folur në këtë trevë ishte shqipja dhe se vetëm disa individë nga familje të pasura flisnin greqisht. Mendoni se treva ka folur prej kohësh greqisht apo është një gjuhë që ka gjetur hapësirë vetëm në fazat e vonshme historike?

Nuk kam elemente direkte për t‘ju përgjigjur pyetjes suaj me të dhëna të mia reale, që nuk kam, dhe jo me supozime. Atë që mund të përpiqem t‘ju sugjeroj është të botohen edhe shqip një seri dokumentesh që vërtetojnë lidhjet e ngushta shumëshekullore që pati që prej shekullit XVII midis arbëreshëve dhe himarjotëve. Në veçanti, prezenca në Himarë e Misionit të murgjve bazilianë arbëreshë të Monastirit të Munxifsit, në Sicili, përfaqësoi një urë të rëndësishme për këto kontakte të hershme arbëresho-shqiptare, jo vetëm në aspektin fetar. Në arkivin e Monastirit të Munxifsit, ashtu si edhe në arkivin e Propaganda Fide, në Romë, ruhen një seri dokumentesh që do të meritonin një vëmendje të posaçme nga historianët shqiptarë lidhur me problemet që janë shtruar në këtë pyetje. Megjithëse shumë herë problemet e identitetit të një komuniteti nuk shpjegohen me dokumente, por me procese identitare që lindin edhe jashtë fakteve historike dhe gjuhësore: në fjalë të tjera një - person apo komunitet - për shkak të disa rrethanave të jashtme disa herë dëshiron të duket atë që dëshiron të jetë, edhe i ndryshëm se si efektivisht është ose si ka qenë. Ka edhe disa që nuk vetëkënaqen të bëjnë vetëm këtë, por përpiqen ta mashtrojnë vetveten (dhe dokumentacionin që kanë për duar) për t‘ua bërë të besueshme këtë konvertim të tjerëve.

Siç thosha, është mirë që të flasin dokumentet e së kaluarës vetvetiu për t‘iu shmangur disa operacioneve falsifikuese. Himara përfaqëson një pikë vështrimi shumë interesante për t‘i rindërtuar lidhjet e ngushta gjuhësore dhe kulturore shqiptaro-arbëreshe në shekujt. Përpos rolit të klerit katolik të ritit bizantin arbëresh, kujtojmë këtu afrinë e ngushtë dialektore që ekziston midis të folmeve arbëreshe dhe të folmeve të Himarës dhe prania në Napoli, që nga fillimi i shekullit XVIII deri në gjysmën e shekullit XIX, e ushtrisë himarjote që përbënte ‘rojën‘ e zgjedhur të ushtrisë së Mbretërisë së Napolit ("Reggimento Real Macedone") si ‘roja zvicerane‘ e sotme pranë Vatikanit. Oficerët e trupave himarjote përfaqësuan një urë të mirëfilltë në kontaktet midis botës shqiptare dhe botës arbëreshe: përmendim këtu oficerin Giovanni Gicca (shqip: Gjika), nga Drimadhes, që është varrosur në kishën greke të Shën Nikollës në Palermo dhe që pati nga Nikollë Keta ngarkesën për të nisur në Sankt Peterburg dorëshkrimet e veta bashkë me disa kodike të destinuar Bibliotekës së Perandoreshës Katerina e Dytë, si edhe raportet që me intelektualët arbëreshë të Kalabrisë mbajti i nipi i Gjikës, Dhimitër Leka, mecenat i mirëfilltë dhe mik i arbëreshëve në Napoli. Nuk qe e rastit se kësaj figure Jeronim De Rada i kushtoi veprën e tij të parë letrare, edicionin e vitit 1836 të poemës "Këngët e Millosaut".

Gazeta Shqip

  • Postime: 22595
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 13-06-2019, 08:59:11
Shqipja e arvanitasve në Peleponez, të cilën sot pothuajse kush s’e flet!
Studiuesi i madh Robert Elsie (1950-1957), në faqen e tij të internetit ka postuar edhe incizimin e rrallë të vitit 1986, që pasqyron të folmen e arvanitasve në Mesini të Greqisë, për të cilën ka ndjerë keqardhje që po shuhet.

“Pas ekstremeve lindore, perëndimore dhe veriore, ja këtu një incizim jugor nga koleksioni im dialektor të shqipes – një folës nga Mesini në Peloponezin perëndimor (Greqi). Në të kaluarën shqiptarët banuan në trevat e gjera të Greqisë qendrore dhe të Peloponezit. Në vitet 1980 kishte ende 320 fshatra shqipfolëse në rajon. Sot, kjo formë e vjetër e shqipes po shuhet shpejt. Shumica e folësve janë mbi moshën 80. Është një humbje e madhe dhe një tragjedi kulturore, për Shqipërinë dhe për Greqinë!”, shkruan ai.