×

Çfarë mbetet nga letërsia e realizmit socialist

· 2 · 1559

Çfarë mbetet nga letërsia e realizmit socialist

· 2 · 1559

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 22-11-2010, 00:38:24
Për të kuptuar dallimin e madh të letërsisë së realizmit socialist nga letërsia e angazhuar e ndikuar nga ideologjia marksiste apo derivatet e saj, do të sjell këtu dy pjesë të nxjerra nga dy letra që Frederik Engels i shkruante Minna Kautskit dhe Margaret Harknessit, përkatësisht në vitet 1885 dhe 1888. Në letrën e parë dërguar Kautskit ai shkruan: “Besoj se autori nuk e ka të domosdoshme t’i ofrojë lexuesit zgjidhjen e ardhshme historike të konflikteve shoqërore që paraqet”. Ndërkohë që në një letër tjetër që ai i shkruan shkrimtares britanike Margaret Harkness, ai thotë tekstualisht “Sa më i fshehur të jetë opinioni i autores, aq më mirë është për veprën e artit.” Faktin që askush më tepër se pasuesit e tij nuk e ka diskredituar marksizmin e kuptojmë edhe nga mënyra se si është shndërruar qasja fillestare e ideologëve të saj ndaj letërsisë nga parapëlqimi për një letërsi tendencioze, në kërkesën për letërsi të angazhuar e më tej për një letërsi propagandistike.

Me siguri Engels do ta kishte përforcuar parapëlqimin që kishte për Shekspirin apo Balzakun nëse do ta kishte lexuar produktin letrar të krijuar nën ndikimin e veprës së tij dhe mikut të tij Karl Marksit. Kalimi nga një letërsi tendencioze apo e angazhuar në një letërsi propagandistike bëhet me Vladimir Iliç Leninin, i cili e kishte ndryshuar konceptimin marksist-leninist të partisë punëtore të tipit socialdemokrat me konceptimin dialektik të një kohorte agjitatorësh që sensibilizojnë masat dhe i udhëheqin ato drejt veprimeve revolucionare për shndërrimin e shoqërisë. Që në vitin 1905, në shkrim e tij Organizata e partisë dhe letërsia e partisë, Lenini e përcaktonte funksionin propagandistik të letërsisë kur shpallte urdhrin apo parullën “Letërsia duhet të shndërrohet në letërsi të partisë. Poshtë letërsitë jopartizane. Poshtë mbinjerëzit e letërsisë. Letërsia duhet të bëhet pjesë e kauzës së proletariatit”. Një deklarim i tillë, i denjë për një njeri të çorientuar mendërisht, nuk përbënte asnjë problem në vitin 1905, pasi në këtë periudhë ai ishte thjesht një revolucionar i irrituar, problem u bë pas 1917-ës, kur ky revolucionar i irrituar erdhi në pushtet duke instaluar një regjim totalitar komunist që do t’i mishëronte parimet e tij politike e kulturore. Stalini pas tij e radikalizoi qasjen propagandistike ndaj letërsisë dhe arteve, shembull që e ndoqën të gjitha vendet e bllokut komunist. Nuk është gjë e re nëse themi se regjimi i Enver Hoxhës ishte regjimi që e imitonte në mënyrë më mekanike leninizmin dhe stalinizmin dhe në këtë kuptim ai e konsideronte librin si një instrument të propagandës dhe letërsinë, si një mjet që do të shërbente për t’i injektuar përmbajtjet ideologjike të saj në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve. As regjimi me gojën e shefit të saj, as shkrimtarët, e as studiuesit e letërsisë nuk e fshihnin këtë qëllim. Enver Hoxha i kishte shpallur shkrimtarët “ndihmësit e partisë” dhe shkrimtarët e përsërisnin papushim këtë dhe e konkretizonin me veprat e tyre. Kjo qe arsyeja pse letërsia u shndërrua në një katekizëm ideologjik masiv të të gjitha shtresave të popullsisë, pasi një nga karakteristikat e propagandës totalitare është shumëllojshmëria e arsenalit të përdorur: letërsia, kinemaja, artet figurative, muzika, shtypi i shkruar, radio e më vonë edhe televizioni.

Kjo propagandë ishte një lloj “artilerie psikologjike” që sulmonte papushim trurin e individit dhe të masave. “Vetëm turmat dhe elitat mund të tërhiqen nga vrulli i totalitarizmit, ndërkohë që masat duhen fituar me propagandë - thotë Hanah Arendt në librin e saj Origjinat e totalitarizmit. Letërsia shndërrohet pikërisht në funksion të këtij qëllimi, pra në funksion të konvertimit masiv të popullsisë në ideologjinë komuniste. Mendoj se për këtë arsye, letërsia e realizmit socialist nuk është as metodë, as rrymë e as drejtim letrar. Në pjesën më të madhe, ajo është një masë e madhe tekstesh që, pasi kanë hequr dorë ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga funksioni estetik, kanë si funksion primar funksionin propagandistik. Një gjë e tillë bëhet më e qartë po të bëjmë një përqasje të parimeve themelore të letërsisë së realizmit socialist me parimet themelore të funksionimit të propagandës në regjimet totalitare.

Kjo përqasje nuk bëhet për të vërtetuar faktin se letërsia e realizmit socialist në pjesën dërmuese të saj ka qenë një letërsi propagandistike, pasi kjo pohohet paprerë në gjithë literaturën politike, kritike dhe letrare të regjimit në mënyrë eksplicite (disa prej të cilave i përmenda më sipër), por për të treguar se sa shumë përputheshin parimet e metodës së realizmit socialist me parimet e propagandës totalitare. Letërsia e realizmit socialist së pari ishte një ligjërim i ndërtuar rreth një utopie, një krijimi të ri që e përmbledhur në pak fjalë ishte “bota e re pa shtypës dhe shfrytëzues”. Parimet bazë të metodës së realizmit socialist ishin qëndrimi klasor, heroi pozitiv, fryma popullore etj. Tekstit letrar i ndalohej errësia, figuracioni ekstravagant. Shkrimtarit i pamundësoheshin zgjedhjet krijuese alternative, temat ishin të përcaktuara, e kështu me radhë. Të gjitha këto në funksion të faktit se kjo letërsi duhej t’i shërbente “ndërgjegjësimit revolucionar të masave”. Propaganda totalitare ndërtohet pikërisht mbi këto parime. Për ta bërë të qartë krahasimin, po i paraqes shkurtimisht ato. Sipas një përkufizimi të përgjithshëm, propaganda është “tentativa për të ndikuar opinionin publik dhe sjelljet shoqërore në mënyrë të tillë që kjo të sjellë ndryshimin e sjelljes së njerëzve”.

Në kuptimin polemik termi propagandë (politike), për shkak të përdorimit të saj nga regjimet totalitare fashiste, komuniste, ushtarake, autoritariste, shihet si një sistem komunikimi i deformuar në shërbim të kauzave ekstremiste, totalitare dhe revolucionare. Për këtë arsye është e rëndësishme të theksojmë se ajo merr forma të ndryshme sipas regjimit politik që e investon. Ajo është një mënyrë komunikimi e deformuar, abuzive, manipuluese për shkak se cenon lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Fritz Hippler, një nga shefat e propagandës naziste që merreshin me filmin, thoshte se sekreti i një propagande efektive është: 1) thjeshtëzimi i një çështjeje dhe 2) përsëritja e këtij thjeshtëzimi në mënyrë të vazhdueshme. J. M. Sproul shkruante në një studim të tij në vitin 1994 se propaganda është: 1) maskim (të bindësh popullin pa rënë në sy se po e bën një gjë të tillë), 2) orkestrim masiv i komunikimit dhe 3) theksim (gjuhë hileqare e krijuar për të mpirë mendimin krijues). Propagandisti beson se qëllimi justifikon mjetin. Propaganda e ndan botën në të mirë dhe të këqij, në komunistë dhe njerëz të lirë, në terroristë dhe joterroristë, në engjëj dhe djaj. Propagandistët e të gjitha doktrinave, regjimeve dhe dogmave kanë versionin e tyre lirisë, të së vërtetës dhe të së drejtës. Sipas propagandës naziste, hebrenjtë përbënin të keqen e botës dhe gjithë burimin e fatkeqësive të kombit gjerman. Prandaj duheshin zhdukur. Sipas komunistëve, e keqja e botës vinte nga shtresat e pasura, të cilat duheshin zhdukur, gjithashtu. Marksi i kishte caktuar klasës punëtore që në Manifestin e Partisë Komuniste, misionin “fisnik” të varrmihësit të tyre. Pas kësaj përqasje shihet qartë se parimet e realizmit socialist janë në pjesën më të madhe imitime të parimeve të propagandës dhe produktet e prodhuara sipas të ashtuquajturës metodë e realizmit socialist më tepër se sa produkte letrare janë produkte propagandistike.

Natyrisht këtu nuk mund të përfshihen të gjitha veprat apo të gjithë autorët. Pati autorë që dolën kundër instrumentalizimit propagandistik dhe përfunduan në burg, pati shkrimtarë që nuk iu bindën parimeve të propagandës, duke e shpëtuar letërsinë si të tillë dhe veprën e tyre dhe për këtë arsye kemi disa vepra që edhe pse janë shkruar nën terrorin e propagandës janë letërsi e mirëfilltë dhe ndonjëherë gjeniale si në rastin e Kadaresë, kemi shkrimtarë që në ndonjë rast i merrte malli për letërsinë dhe bënin ndonjë vjershë apo ndonjë tregim mes vjershave dhe tregimeve propagandistike. Kjo është arsye që tashmë pas kaq vitesh, ky produkt duhet parë me kujdes, dhe ajo çfarë është letërsi të shihet si e tillë, dhe ajo që është produkt propagandistik të shihet si produkt propagandistik.

Por një gjë është e qartë: sado me dashamirësi ta shohim, në pjesën dërmuese letërsia e realizmit socialist është një produkt i banalizuar propagandistik dhe si të gjitha produktet propagandistike që e kanë funksionin kohor të kufizuar ajo është e destinuar të mbetet në rrënojat e regjimit që e krijoi dhe të cilit i shërbeu. Ajo mund të kujtohet vetëm si kujtesë historike për t’u treguar brezave se deri në ç’masë mund të shkojë dehumanizimi i letërsisë dhe i autorit. Ndoshta kjo e fundit mbetet e vetmja gjë që nuk duhet të harrohet prej pjesës dërmuese të kësaj letërsie. Sepse, siç thoshte Hanah Arendt, “Propaganda dhe terrori janë dy anë të së njëjtës medalje”.

Nga Mark Marku
Marrë nga Gazeta MAPO
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 566
  • Gjinia: Mashkull
ciarli
#1 ne: 28-01-2013, 19:07:55
Realizmi socialist ka letersine e tij te njohur ne gjithe boten. Karakteret, subjekti mbase nuk jane popullore por karaktere te tille ka, mbase ka nje lloj shtremberimi nga termi realizem por letersi eshte.
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super